Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mustafa Nano:Nervozizëm talebanësh në prag të zgjedhjeve

Shko poshtë

Mustafa Nano:Nervozizëm talebanësh në prag të zgjedhjeve Empty Mustafa Nano:Nervozizëm talebanësh në prag të zgjedhjeve

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 16, 2009 12:47 am

Nervozizëm talebanësh në prag të zgjedhjeve
Berishianët janë nga ai soj fanatikësh, që urrejtjen e derdhin, jo vetëm mbi kundërshtarët e tyre natyralë e fiziologjikë, por edhe mbi ata njerëz që janë kundërshtarë të kundërshtarëve, e që megjithatë nuk janë berishianë. Shkurt, një berishiani mund t‘i hyjë në zemër veç një berishian. Të tjerët janë plehra, armiq, tradhtarë, serbë, grekë...



Mustafa Nano
Ja se ç‘më shkruante pardje në një mesazh të vetin, një rob me mbiemrin Avduli, të cilin një dreq e di se pse kam rënë dakord ta kem mik në Facebook (me siguri më është paraqitur me identitet të rremë): Nëse je Muç Nano i vërtetë, po të them se je kot dhe kam idenë se as ti s‘e di se çfarë je. Thjesht ik! Më fal për edukatën, por je (...) (vijonte një e sharë).

Po pardje, një rob i dytë me mbiemrin Selimaj, ishte dhe më nervoz dhe hiqej si më i dijshëm. Dhe çuditërisht më drejtohej me ju: Ju jeni shëmbëlltyra e dobësive që ka demokracia, e cila u jep mundësinë të flasin me arrogancën më të madhe edhe njerëzve si ju. Të jeni i bindur se nuk është Berisha ai që i lodh njerëzit, por jeni ju që po na bëni të thyejmë ekranin, kur ju shikojmë fytyrën.

Një ditë më parë, një rob tjetër me mbiemrin Turtulli, kish nxjerrë në xhiro nëpër shëtitoret e Facebook-ut një shkrim pak më të gjatë e shumë më të tërbuar kundër meje. Ja ca epitete të marra nga fletërrufeja e zhurmshme e Turtullit: Ti je gaztor, hipokrit, matuf, plesht i mërzitshëm, meskin i shallosur, i tërbuar, skile, morracak, o Nanoviç. Dhe në fund e mbyllte me frazën: Turp të të vijë!

Po u kushtoj pak vëmendje këtyre bandillëve dhe po i bëj publike shfrimet e tyre të egra, jo për t‘u viktimizuar apo për t‘u heroizuar, por për të theksuar një të vërtetë të madhe (një nga të vërtetat më të mëdha të njëzet viteve të fundit): Sali Berisha nuk është një person; ai është një frymë; dhe për ata që e bartin e që e kanë bërë të tyren këtë frymë, kjo e fundit vlen më shumë nga sa vlejnë fëmijët e tyre, familja e tyre, atdheu i tyre, feja e tyre.

Po ç‘është kjo frymë? Kjo është fryma e talebanizmit politik, është fryma e intolerancës ndaj atyre që mendojnë e sillen ndryshe. Bartësit e kësaj fryme janë fanatikë, janë të armatosur me urrejtje, janë të dhunshëm në pikëpamje virtuale (ja, si këta "miqtë" e Facebook-ut), por janë të dhunshëm edhe në pikëpamje reale (si ca miq të tyre, që të fyejnë e të provokojnë kudo që të shohin), janë mjeshtër në baltosjen e kundërshtarëve dhe të paskrupullt në tentativat për të marrë në mbrojtje zullumqarët e tyre. Berishianët nuk kanë empathi, nuk dinë të bëjnë introspeksion, nuk kanë parime, nuk kanë kritere etiko-morale në vlerësimin e njerëzve e të qëndrimeve. Ata janë thjesht besimtarë të fesë së tyre, d.m.th. të frymës së tyre, me të cilën kanë një marrëdhënie të ngrirë, e të cilën nuk guxojnë ta lëndojnë me ide apo interpretime të pavarura e subjektive të asaj që ndodh në Shqipëri apo në botë. Është aq e ngrirë kjo marrëdhënie, sa Sali Berisha nuk do të keqkuptohet e nuk do të refuzohet (përkundrazi, do të mbështetet po njësoj) edhe sikur të dalë e të thotë gjëra të padëgjuara e të pakuptueshme për mbështetësit e vet (të llojit "poshtë Shqipëria", apo "poshtë Kosova").

Duhet t‘ia njohim Berishës këtë zotësi e këtë fuqi për të vajtur drejt e në shpirtin e këtyre njerëzve, s‘ka gjë se këta "të tjerët" janë në përgjithësi shpirtra të skllavëruar, janë njerëz qyqarë, të vobektë, pa asnjë autostimë e pa asnjë shkëndijë të qasjes individuale në raportin me botën. Është aq e madhe kjo fuqi e tij, sa mua sot më hidhen në fyt edhe njerëz, që vetëm unë e di se ç‘kam hequr në vitet 1990 e 1991 (në Skrapar) për t‘i nxjerrë nga binarët e enverizmit e për t‘i bërë medemek antikomunistë. Janë, pra, po këta njerëz, që sot - truri u është bërë dhogë, sigurisht - më vënë mua etiketën e enveristit e të komunistit. Ka ironi më të madhe?

Çfarë tjetër janë berishianët (të kuptohemi, po them berishianët, e jo votuesit dhe mbështetësit e PD-së)? Berishianët janë armiq edhe me të vërtetat, me ato të vërteta që bien ndesh me frymën e tyre. Ata, NATO-n e trajtojnë si arritje dhe e përvetësojnë si festë me shpresën se kjo gjë mund t‘u japë vota, por në fakt nuk kanë asgjë që t‘i lidhë realisht me botën euro-atlantike. Hë, më thoni, nuk është për të qeshur, që ky soj njerëzish (Avdulët, Selimajt, Turtullët), duke festuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i bëjnë karshillik sojit të njerëzve si unë, të cilët me NATO-n nuk i lidh një festë e një anëtarësim, por i lidh një set vlerash të përbashkëta?

Po tjetër? Berishianët janë konservatorë të papërditësuar e të papërditësueshëm me prurjet e modernitetit, ata janë reaksionarë të stilit të vjetër, ata janë pjesa jonë "e pandotur" me qytetërimin, ata janë enveristë me kokëposhtë. Ndoshta janë më të pakuptueshëm se sa vetë enveristët e djeshëm. Këta të fundit e kishin dhe e kanë një alibi: terrorin e regjimit dhe padijen që prodhohej prej izolimit; dhe është kjo rrethanë që e ka bërë Giovanni Sartori-n të shpjegojë në mënyrën e vet sjelljen e anëtarëve të një komuniteti të tillë politik: njerëzit e një komuniteti të tillë - thotë ai - fillimisht kanë frikë të thonë atë që mendojnë, por më pas vjen një moment që ata nuk e mendojnë më atë që s‘mund ta thonë. Kjo, pra, "legjitimon" enveristët.

Ndërsa berishianët nuk mund ta qesin si alibi frikën. Frika mund të "legjitimojë" ca e ca, që Berisha vetë mund t‘i shohë kot më kot si rivalë potencialë, apo si të shitshëm te kundërshtarët, apo si jo dhe aq berishianë, por soji i Avdulëve, Selimajve e Turtullëve nuk e ka as nga frika, as nga interesi; e ka nga besimi i verbër. Është për të ardhur keq, apo jo?

Po mirë - mund të thotë ndonjëri - berishianët na qenkan të vetmit shqiptarë armiq me modernitetin, armiq me të vërtetën, të mbushur me urrejtje për kundërshtarët, pa empathi, pa introspeksion etj., etj? Absolutisht jo, por berishianët i kanë më të theksuara këto "sëmundje". E për më tepër, dallohen në mënyrë ekskluzive nga dy patologjira. Së pari, berishianët janë nga ai soj fanatikësh, që urrejtjen e derdhin, jo vetëm mbi kundërshtarët e tyre natyralë e fiziologjikë, por edhe mbi ata njerëz që janë kundërshtarë të kundërshtarëve, e që megjithatë nuk janë berishianë. Shkurt, një berishiani mund t‘i hyjë në zemër veç një berishian. Të tjerët janë plehra, armiq, tradhtarë, serbë, grekë. Sekt i mbyllur, nuk ke ç‘i bën! Sekt i bërë tok rreth një kulti ezoterik!

Së dyti, berishianët janë absolutisht më të dhunshëm. Gjatë gjithë kohës që bëj gazetarin nuk më ka ndodhur kurrë (po kurrë, amá!), që të më dalë e të më fyejë, provokojë apo kërcënojë një fanatik i Fatos Nanos (ndonëse bëj pjesë te njerëzit më kritikë ndaj tij, e për këtë besoj që edhe berishiani më mendjecurrufjepsur nuk ka nevojë për prova). Në anën tjetër, nuk di gjithashtu, që ndonjë koleg i imi i shquar për frymën anti-Rama të jetë ndeshur ndonjëherë me ndonjë fanatik të rrezikshëm të Edi Ramës. Vetëm berishianët e kanë për zanat të të fyejnë e të të kanosen.

Çfarë duhet bërë me këta - kështu do t‘i quante Konica ynë - "katilë e çarlatanë"? Duhet bërë ajo që bënte vetë Konica, duhet ngritur "shkolla qi qëndron kundrë katilëve e çarlatanëve, ajo shkollë që aq vjet po përpiqem ta themeloj, jo në kartë, por në mëndje e në zëmër të shqiptarëve; dhe kjo shkollë nukë ka tjetër programë, përveç se të rritë mësimin politik të popullit tonë".
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi