Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar

Shko poshtë

Një pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar Empty Një pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 14, 2012 4:23 pm

Një pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar


Një pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar Sadiku
Është fjala për përkthyesin dhe studiuesin gjerman Hans Joakim Lanksh. Arsyeja që më shtyn t’i shkruaj radhët më poshtë është në detyrimin publik, një sqarim për shpifjet apo akuzat brutale, që hedh në shtyp kundër kulturës sonë ky njeri...
Në kundërshtim me shumë përkthyes dhe albanologë gjermanë, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e letërsisë sonë në botën gjermanike, ky i ashtuquajtur studiues dhe përkthyes, nuk pushon së hedhuri baltë mbi disa nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë.
Reagimi shqiptar kundër tij ka qenë i rreptë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në shtypin shqiptar që një përkthyes i huaj, në vend të mirënjohjes, të jetë trajtuar me kaq përçmim siç ka ndodhur me Lankshin. Në pamje të parë duket e pabesueshme se si një studiuesi të huaj mund t’i drejtohesh me fjalët: o Lanksh i mjerë! Vetvetiu del pyetja: vërtet kanë dalë zakone të reja shqiptare, ku mirënjohja nuk ekziston më?
Nuk duhet ngutur në dhënien e përgjigjes. Kundër Lankshit janë përdorur vërtet fjalë të tilla, në dukje të palejueshme, por kur bëhet pyetja nëse ky njeri i ka merituar apo jo ato fyerje, përgjigja nuk është e lehtë. Ky pseudostudiues me frymëzim racist antishqiptar dhe me shpifjet e tij, të dënueshme moralisht dhe penalisht në shumicën e shteteve europiane, e ka mbushur prej kohësh kupën.
Është kjo arsyeja që profesori Bardhyl Demiraj, shef i katedrës së Albanologjisë në Mynih të Gjermanisë, i shquar për urtësinë dhe vetëpërmbajtjen e tij, ka përdorur fjalët e mësipërme kundër Lankshit. Ai e ka cilësuar atë si “gazetaxhi mjeran me mllefe e mëri të panginjura, krejt i injoruar nga rrethet gjermanike të kulturës”. (Shekulli, 07. 11. 2011).
Një tjetër profesor, helenisti Shpëtim Çuçka e quan Lankshin një njeri pa fije sedre dhe morali kur fyen dhe flet pa asnjë të drejtë ligjore e qytetare kundër një kulture që nuk është e tij. (Gazeta Shqiptare, 29. 12. 2010).
Në shtypin shqiptar Lankshit i është vënë në dukje disa herë obsesioni i tij kundër disa shkrimtarëve të njohur shqiptarë, në radhë të parë kundër Kadaresë.
Çdokush ka të drejtë të çmojë apo të mos çmojë fare një shkrimtar, por askush nuk ka të drejtë të bëjë trillime dhe shpifje kundër tij. Kjo merr një tingëllim të theksuar raciste kur vjen nga një studiues i huaj, fare i papërfillur në vendin e vet, si rasti i Lankshit, dhe bën arbitrin në Shqipëri. Në sulmin e tij delirant kundër Kadaresë, ai shkon aq larg sa, pa pikë turpi bën trillime të tilla që të lënë me gojë hapët. Kështu për shembull, për të vërtetuar, sipas tij, se Kadare jo vetëm nuk është ndonjë shkrimtar me vlerë, siç kujtojnë shqiptarët, por ai dhe ndjekësit e tij janë fantazistë që shpikin çmime dhe nderime të paqena!
Sipas Lankshit Kadare nuk e ka marrë kurrë Legjionin e Nderit të Francës, se nuk është anëtar i huaj i ndonjë akademie me rëndësi në Francë, se nuk e ka marrë kurrë çmimin gjerman “Herder Preiss”, madje nuk ka marrë asnjë çmim spanjoll, e kështu me radhë.
Këto pohime tingëllojnë qesharake, megjithatë botohen prej tij në shtypin shqiptar dhe te lexuesit e painformuar mund të krijojnë çoroditje.
Autori i këtyre radhëve është sulmuar prej Lankshit, lidhur me disa nga faktet e mësipërme. Lankshi ka përfituar nga ndonjë pasaktësi e një shkrimi për Kadarenë (përmendja gabim e çmimit “Servantes” në vend të “Princi i Asturias”, që është çmim botëror spanjoll), për të lëshuar një lumë shpifjesh vulgare dhe raciste kundër Kadaresë.
E vërteta është fare ndryshe nga ajo që thotë Lankshi: Kadare e ka marrë çmimin gjerman “Herder Preiss më 1989, në ceremoninë tradicionale që bëhet në Vjenë, madje, sipas traditës, në bazë të së cilës fituesi (në këtë rast Kadare) cakton një shkrimtar të ri nga vendi i vet, për të fituar një bursë letrare njëvjeçare në Vjenë, shkrimtarja L. Arapi e ka marrë këtë bursë.
Kadare nuk ka bërë asnjëherë bujë për çmimet e tij, madje është treguar më i përmbajtur se ç’duhet. Përveç çmimeve që publiku i gjerë i di (Anglia, Spanja, Gjermania), ai ka marrë çmimin më të madh të Francës për letërsinë e huaj “Cino Del Duca”, fitues të të cilit kanë qenë: Borges (1980), Junger (1981), Styron (1985), Kadare (1992), Havel (1997) dhe Kundera (2009).
Ndër disa çmime të Italisë, ai ka marrë “Grinzane Cavour”, fitues të të cilit kanë qenë Vargas Llosa (1986), Saramago (1988), Doris Lesing (1989), Kadare (1998) dhe Orhan Pamuk (2002).
Kadare më 1996 është bërë anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave Morale Politike të Francës, për të cilën Lankshi, me një injorancë skandaloze thotë se nuk ka asnjë lidhje me Akademinë Franceze. I bëjmë me dije zotërisë se Akademia e Shkencave Morale Politike, bashkë me Akademinë e Shkencave, Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Medicinës dhe Akademinë Franceze përbëjnë Institutin e Francës, organin më të lartë kulturor e moral të vendit. Të pesë akademitë kanë status krejtësisht të barabartë, gjenden në të njëjtën ndërtesë, kanë të njëjtën kupolë të ceremonive, madje të njëjtin kostum ceremonial zyrtar të anëtarëve.
Prestigjin e Akademisë së Shkencave Morale Politike e bën të veçantë fakti që kjo, ndryshe nga Akademia Franceze (klasike), e cila përbëhet vetëm nga francezë, pranon dymbëdhjetë anëtarë të huaj nga gjithë bota. Sipas një tradite shekullore numri dymbëdhjetë është konstant dhe çdo anëtar i ri duhet të zëvendësojë vendin vakant që lirohet kur një anëtar i vjetër ndërron jetë.
Ismail Kadare, më 1996, ka zëvendësuar vendin vakant që la filozofi gjerman Karl Popper. Ai përfaqëson sot kulturën shqiptare, midis emrave të shquar që “kanë dhënë kontribut në përparimin dhe emancipimin e njerëzimit” Perez de Kuelar, Papa Bendikti 16, princi Charles i Anglisë, Jean Starobinski, mbreti Juan Karlos i Spanjës, etj. Nga figurat historike, anëtarë të huaj të kësaj akademie kanë qenë Luis Borges dhe Vaclav Havel.
Siç do ta shohim më pas, kjo listë i bën nervozë racistët antishqiptarë, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë se kultura shqiptare meriton të trajtohet me respekt në kuadrin e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në Europë.
Përpara pak kohësh Lankshi u detyrua t’i kërkojë ndjesë publike zonjës Helena Kadare lidhur me një mashtrim tjetër të tij. Ishte fjala për kujtimet e zonjës Kadare, ku ajo fliste ndër të tjera për marrëdhëniet miqësore Camaj –Kadare.
Me një ligësi të habitshme dhe pa asnjë skrupull Lankshi deklaroi se Camaj nuk e kishte zënë kurrë në gojë kolegun e vet shqiptar. Për fatin e tij të keq, radioja gjermane “Dojce Welle”, e hodhi poshtë mashtrimin e Lankshit duke transmetuar emisionin televiziv kur Camaj fliste pikërisht për Kadarenë. I trembur nga demaskimi Lankshi bëri kërkimin e ndjesës.
Gjatë një gjysmë shekulli Camaj me Kadarenë kanë patur një mirëkuptim në distancë. Qysh në vitet gjashtëdhjetë, përpara se Kadareja të bëhej i njohur në Perëndim, Camaj ka shkruar të paktën dy artikuj për prozën e tij në revistën “Shejzat” të Koliqit. Ata janë takuar më 1981 në Frankfurt të Gjermanisë dhe më pas, pas vendosjes së Kadaresë në Paris, kanë këmbyer mesazhe.
Lankshi, i cili e mbante veten për njeri të afërt të Camajt, nuk ka si të mos i dinte këto kontakte. Mirëpo atij i intereson vetëm përçarja dhe nxitja e urrejtjes midis shkrimtarëve shqiptarë dhe asnjëherë mirëkuptimi.
Pas vdekjes së Camajt, një komitet për botimin e veprës së plotë të shkrimtarit të madh, iu drejtua Kadaresë me kërkesën për të shkruar parathënien e botimit. Me kërkesën e komitetit u bashkua edhe e veja e shkrimtarit, Erika Camaj. Kadare e pranoi me kënaqësi atë kërkesë. Ai shkroi një parathënie prekëse me nivel të lartë profesional dhe plot dashuri për kolegun e vet të ndjerë. Por kjo nuk e pengoi Lankshin të vazhdonte intrigat e tij meskine, për të cilat folëm më lart. Këmbëngulja e tij e verbër kundër Kadaresë ka vetëm një emër: racizëm ndaj kulturës shqiptare.
Lexuesi shqiptar dhe opinion i gjerë publik ka nderim të veçantë për kulturën dhe lexuesin gjerman. Siç u tha më lart më 1996, kur I. Kadare u pranua mes akademikëve të Francës, ai zuri vendin e lënë bosh prej Karl Popperit. Sipas ritualit të akademisë, një pjesë e fjalimit të Kadaresë në ceremoninë e pranimit, ishte një homazh për filozofin e madh gjerman.
Ky pikëtakim i rrallë midis dy kulturave, shqiptare dhe gjermane, do të ishte i mirëpritur prej gjithë dashamirësve. Hans Joakim Lanksh, i cili hiqet si promovues i letërsisë shqiptare në Gjermani, bën të kundërtën. I verbuar nga ligësia kundër shkrimtarit më të njohur shqiptar, është gati të turpërojë veten duke thënë se s’ka një akademi të tillë, se s’ka patur pranim të një shkrimtari shqiptar, etj. Vetëm një frymëzim i neveritshëm racist mund të çojë në një verbim të tillë.
Lankshi është përpjekur disa herë të flasë edhe si mbështetës i institutit gjerman “Goethe” në Tiranë, një institucion i respektueshëm tek ne. Në këtë rast duhet thënë se mënyra se si flet ky racist është kundër çdo parimi të shpallur të këtij instituti dhe pengon mirëkuptimin midis kulturave europiane.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi