Noli: Mjaft pretendimeve greke
Faqja 1 e 1
Noli: Mjaft pretendimeve greke
Noli, në ‘46-ën në Departamentin e Shtetit, për Korçën e Gjirokastrën
Nga Dashnor Kaloçi
Ndërmjet shumë e shumë veprave të çmuara që Imzot Theofan Noli bëri për Shqipërinë në gjallje të tij, pa dyshim që do të mbetet edhe ajo e përpjekjeve për të mbrojtur Korçën dhe Gjirokastrën nga synimet lakmiqare të shovinistëve grekë, gjë për të cilën, në vitin 1946 ai shkoi në Kongresin Amerikan, ku bëri një takim me senatorin Claude Pepper, politikanin që kishte propozuar një rezolutë, ku theksohej se Shqipëria e Jugut duhej t‘i kthehej Greqisë. Ky mision i Nolit, në përpjekje për të neutralizuar rezolutën e senatorit amerikan, Pepper, bëhet i ditur nga Kostë Çekrezi, (politikani e publicisti i njohur shqiptar, i gjysmës së parë të shekullit të kaluar) në librin e tij "Plani i tretë për coptimin e Shqipërisë", të cilin ai e ka botuar në vitin 1951, kur jetonte si azilant politik në SHBA. Nga ai libër, ne kemi përzgjedhur dhe po botojmë në këtë shkrim vetëm kapitullin "Rezoluta e senatorit Pepper", ku bëhet fjalë për synimet e shovinistëve grekë ndaj Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe nga ata "Vorio Epiri" dhe përpjekjet e Nolit, e vetë Çekrezit, pranë diplomacisë amerikane
Rezoluta e Senatorit Pepper
Një nga çështjet më kontraversale q‘është lenë në derë të Shqipëtarëvet t‘Amerikës, është rezoluta rreth Shqipërisë së Jugës e proponuar prej senatorit Claude Pepper dhe e pranuar pa kundërshtime nga Senati i Shteteve të Bashkuara në Qershor 1946. Pyetja asht nëse Shqiptarët e Amerikës e kishin në dorë ta ndalonin atë votim aq të dëmshëm për Shqipërinë. Faktet janë këto: Më 19 të Shkurtit 1946-dhjetë muaj pas largimit tim nga SHQIPËRIA E LIRË (Komiteti që u themelua në Nju Jork. Shënimi ynë) u ndodha në New York, ku u ftova të marr pjesë në një festim të Kishës së Shën Kollit. Në dëfrim e sipër dikush pruri një gazetë të mbrëmjes në të cilën botohej lajmi se Senatori Claude Pepper i Shtetit Florida, kishte paraqitur një rezolutë me anë të të cilës kërkohej pëlqimi nga Senati Amerikan për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës (Epir i Veriut) nga ana e Greqis. Në mes të festimit i mblodha ish-bashkëpunëtorët e mij në SHQIPËRINË E LIRË, si dhe disa nga anëtarët e Vatrës që ndodheshin atje dhe i këshillova me ngutësi që të bënin tre gjëra: 1) T‘organizonin një meting të përbashkët-Vatranë dhe Lirianë-për të protestuar pranë Senatit Amerikan kundër votimit të rezolutës. 2) Të formohet një delegacion, përsëri të përbashkët, i cili të vinte në Washington për t‘u paraqitur përpara Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit ku kishte mbetur rezoluta n‘atë kohë. 3) Të përgatitnin një memorandum të shkurtër, por të ngjeshur me data, fakte dhe numra mbi gjëndjen demografike të krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës. Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt në fakt të nesërmen në sallën e Kishës së Shën Kollit dhe, për të kryer tri këshillat e mia, u hap një fushatë për fondet që do të lipseshin. Kështu u duk sikur puna hyri në udhë të mirë, tue afruar anëtarët e dy organizatave q‘ishin në luftë të egër midis tyre. Mirpo, prishja ardhi po-thua se që në fillim, për një gabim që thuhej se ishte bërë në raportin e mbledhjes. Në raport thuhej se fondi do të dorzohej Imzot Nolit që ta përdorte për shpëtimin e Toskërisë. Por ata të SHQIPËRISË SË LIRË, insistonin se raporteri i mbledhjes nuk kishte dëgjuar mirë: në vënd që të shkruajë se fondi do t‘i dorzohej një Komisjoni të përbashkët të kryesuar prej Imzot Nolit, përmëndi peshkop Nolin si depozitar të fondit. Këjo shkaktoi një përçarje të madhe nga ajo q‘ekzistonte n‘atë kohë midis dy organizatave, mbasi ata të SHQIPËRISË SË LIRË, që thoshin se kishin dhënë pjesën më të madhe të fondit, nuk pranonin në asnjë mënyrë që të hollat t‘i binin në dorë Peshkopit. Ndaj fundit, fondi i tërë iu dorzua Imzot Nolit i cili u porositi të vinte në Washington për t‘u takuar me Senatorin Pepper si dhe me do pjestarë të tjerë të Kongresit.
Senatori Pepper injoron Nolin
Senatori Pepper e priti Peshkopin, por e mbajti në këmbë dhe e dëgjoi vetëm për disa minuta. I hidhëruar nga ajo pritje jo fisnike, Noli e la Washington‘in pa u takuar me njeri tjetër. Tani vijnë dy pyetje: 1) Ç‘e bëri Senatorin Pepper që të nxjerrë përpara senatit një rezolutë të tillë, kurse gjithë bota amerikane e dinte q‘ay ishte një liberal i vërtetë, përkrahës i politikës s‘afrimit t‘Amerikës me Rusinë Sovjetike dhe i bashkuar në mendime, nemos në veprime, me ish-Nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Henry A. Wallace? Fakti asht se për shkak t‘atyre mendimeve. Claude Pepper humbi në votimet e vitit 1948. 2) Ç‘e bëri Senatorin Pepper i cili asht prej natyrës së vet bujar dhe demokrat që t‘a presë aq keq Imzot Nolin? Përgjigjia në pyetjen e parë është këjo: Në Shtetin Florida jetojnë me mijra Grekë që merren me peshkimin e rrezikshëm të sfungjerit. Po ashtu gjenden n‘atë Shtet disa nga degët më të forta të shoqëris greke të përhapur AHEP. Me anë të kryetarëve të këtyre degëve, shoqëria Epiriotike mund t‘i mbushte mëndjen Senatorit, siç do të shihet më tutje, se për të mirën e paqes në Ballkan, "Epiri i Veriut" duhej t‘i kthehej Greqisë! Përgjigjie në pyetjen dytë është se agjentët e Ahepa‘s dhe Shoqëritë Epiriotike e kishin paralajmëruar Senatorin, siç u kuptua më von, se Imzot Noli ishte pro Komunist, në mos Komunist, dhe se nuk ësht as Shqiptar, mbasi leu në Thrake. Mjafton të shtohet në këtë pikë se, për arsyet e sipërme, vajtja e Peshkopit në Washington nuk mund të sillte asnjë përfundim të mirë. Takimin e Imzot Nolit me Claude Pepper e mësova disa dit më von dhe menjëherë u drejtova tek zyrtarët e Departamentit të Shtetit të cilëve iu thashë se kjo punë e resolutës tue marrë një formë të shëmtuar dhe, prandaj duhej ndaluar me një mënyrë ose me një tjetër. Një prej tyre më tha fjalët e poshtëme të cilat ia përsërita Ndihmës Ministrit të Jashtëm, Mihal Prifti (zv/i Enver Hoxhës. Shënimi ynë) në takimin tim me të në Hotel Govrenor Clinton, Nëntor 1950. "Të tjerët mund të mos dinë, por juve duhet ta dini sigurisht se Departamenti i Shtetit nuk mund t‘i jap urdhra Senatit i cili, përkundrazi, gëzon te drejtë konstitucionale të shqyrtojë, të kritikojë, dhe të pengojë veprimet e Departamentit. Në fakt, sikur të ndërhyjmë në veprimet e Senatit, sidomos në çështjet të Shqipërisë, puna munt të marrë një rrugë më të keqe se sa për të mirë". "Atë e di", i thashë, "por mua më duket se Departamenti e ka në dorë t‘i thotë Senatit, se së paku, kjo nuk është koha për të biseduar një resolutë të tillë, dhe sidomos pa na e dhënë ne Shqiptarëve të drejtën të çfaqim pikpamjen t‘onë". "Për atë mund të kini të drejtë", tha zyrtari, por pa ndal-u pak: përse të mos vini ju vetë te Senatori Pepper për t‘i paraqitur situatën e vërtetë të "Shqipërisë së Jugës". "Që të më mbajë edhe mua në këmbë, dhe të mos më lerë të mbaroj ç‘kam për t‘i thënë?" e pyeta. Zyrtari më tha duke qeshur: "Ajo munt t‘i ngjante vetëm Peshkop Nolit. Po sikur të ngjasë edhe për ju. Një njeri që lufton për të drejtën e vëndit të tij duhet të jetë i gatitur në çdo situatë". Në mbasdrekën e ditës së nesërme u prita në sallën e takimeve të Senatit prej Senatorit Pepper, i cili më dha më tepër se një gjysëm ore për t‘i shpjeguar pikpamjen demografike të Toskërisë. "Senator" i thashë, "në Korrik 1944, kur isha Kryetar i SHQIPËRISË SË Lirë, Departamenti i Shtetit më kërkoi një memorandë mbi çështjen e kufireve të Shqipërisë, veçanërisht përsa i përkiste kufireve të Jugës.
vijon
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Re: Noli: Mjaft pretendimeve greke
Memorandën i dorozova Departamentit bredna javës. N‘atë tregova se Shqipëria u nda për gjysëm kur ia caktua kufiret më 1913. Pjesa më e madhe e saj, me një popullsi prej afro një milion frymësh mbeti në Jugosllavi, dhe nja 100.000 shqiptarë të tjerë mbetën në Greqi. Përveç këtij minoriteti që na grabiti, Greqia kërkon tani-ashtu si propononi ju-Korçën e Gjirokastrën, popullsia e të cilavet përbëhet, simbas satistikave, prej nja 250.000 frymë, në numra të rrumbullakta. Nga këto 140.000 janë Myslymanë të cilët nuk mund të pandehen se duan Greqin, n‘asnjë mënyrë, 80.000 janë Orthodhoksë-një nga të cilët jam unë-dhe 30.000 janë Grekë, të njohur si të tillë nga ana e Shqipërisë dhe të regjistruar si të tillë pranë Lidhjes së Kombeve. Nga 80.000 Orthodhoksë, mund të gjenden disa-thosha në memorandën-që të duan Greqin, por, siç shihet nga këto figura, shumica e madhe e popullsisë së Korçës dhe Gjirokastrës, jo vetëm që është shqiptare, por edhe nuk pranon kurrsesi të shkëputet nga Shqipëria…" Pas një jave,-Senator,-kryetari i Zyrës së Ballkanit në Departamentin e Shtetit më ftoi t‘a vizitonj për të më thënë se ekspertët e Departamentit e pëlqyen tërsisht memorandën t‘ime. Ay dokument, senator, gjendet n‘Arkivat e Departamentit dhe, po të dëshironi, munt ta shqyrtoni dhe ta analizoni nga ana e juaj". "Për nder" (honestly), më tha më në fund, "Nuk e dinja gjer tani se si qëndronte puna. Kur ia paraqita Senatit rezolutën t‘ime, mua më dukej-nga sa më kishin thënë-së isha tue i bërë një shërbim të shigurimit të paqes në Ballkan". "Mirpo", i thashë un, "si do t‘i bëhet punës tani. A do të vazhdoni në insistencën t‘uaj që rezoluta të pranohet prej Senatit?" "Për nder, po ju them përsëri", u përgjegj Senatori liberal me sinqeritet, "nuk di më se ç‘të them". "A ka mënyrë" e pyeta, "që t‘a hiqni resolutën?" Pasi u mendua pak, Claude Pepper, tha: "Jo atë s‘mund t‘a bënj". "Ajo mund të kuptohet lehtë," i thashë, "por a do të na jepni rast dhe kohë ne Shqiptarëve që ta dalim përpara Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit për të kundërshtuar resolutën t‘uaj?" "Oh", tha senatori. "ajo është e drejta juaj. Sa kohë duani? Një muaj? Dy muaj?" "Dy muaj besonj të jenë mjaft", i thashë. "Por dua të sigurohem nga ju, Senator, se brenda në këto dy muaj do ta lini rezolutën të flerë në Komisionin e Punëve të Jashtëme të Senatit". "Për atë e kini fjalën t‘ime‘. "Thank you, Senator, thank you," i thashë tue e zanë dore. Që nga salla e Senatit vajta drejt e në Departamentin e Shtetit, ku u kallzova zyrtarëve përfundimet e takimit tim me Senatorin Pepper. "Por edhe ne", më informoi ay që më kishte këshilluar të takohem me senatorin, "nuk kemi qëndruar duarkryq. Me telefona i thamë senatorit Connllay, chairman i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit, që nuk ësht aspak e drejtë që të dalë rezoluta nga ay komision para se të paraqiten Shqiptarët për të çfaqur pikpamjen e tyre. Dhe Senatori Connally na e dha fjalën se do të pres çdo delegacion shqiptar. "Dhe tani", shtoi zyrtari me nënqeshje, "shko i mblith Shqiptarët e tu, në qofsh i zoti dhe shpjegoi përpara senatorit Connally. Do të jetë shumë më mirë sikur të vijë në Washington një delegacion i përbashkët i SHQIPËRISË SË LIRË dhe VATRËS". Më gezimin në zemër të nesërmen mora trenin për në New York. Pa humbur kohë i mblodha bashkëpunëtorët e mij të vjetër të SHQIPËRISË SË LIRË, midis të cilëve ishin me emër Z. James Viso, Asllan Dragoti dhe i ndyeri Shaqo Duka. Këtyre u kallzova drejtimin e ri që mori çështja e rezolutës dhe iu luta që të lajmëronin VATRËN me anë të miqëve të tyre Vatranë që të formohej sa më shpejt delegacioni që do të vinte në Washington. Njëkohësisht e lajmërova me letër të veçantë edhe kryetarin e SHQIPËRISË SË LIRË, Dr. John T. Nasse, mbi nevojën e një veprimi sa më të shpejtë. Po shkoj një muaj, shkuan dy muaj, dhe asnjë delegacion nuk ardhi në Washington nga organizatat e paralizuara, nemos të vdekura, nga polemikat dhe ngrëniet në mes tyre. Në Qershor, rezoluta dolli përpara Senatit dhe u-pranua pa kundërshtim. Gabimi që bëra unë ishte se nuk dolla vetë përpara Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit për të mbrojtur thezën e Shqipërisë s‘onë të Jugës. Por atë gabim e bëra nga frika se mos ata të VATRËS ose të SHQIPËRISË SË LIRË, ose të dyja së bashku, do të dilnin të më akuzonin se u grabita të drejtat e tyre si organe përfaqësuesa të Shqiptarëve t‘Amerikës. Ndofta u zgjata tepër në këtë çështje, por ishte nevojë e domosdoshme që të dilnin gjith faktet në dritë, mbasi delegatët e qeverisë së Tiranës si dhe një pjesë e madhe e Shqiptarëve t‘ Amerikës ia hedhin fajin votimit të rezolutës qeverisë amerikane. Por e vërteta është se Departamenti i Shtetit ishte aq kundër votimit të rezolutës sa edhe gjith ne të tjerët, porse na lanë krejt në baltë dy organizatat t‘ona.
Reportazhi
Një gazetar amerikan në 1951 bëri reportazh nga Shqipëria
"Le Monde": Grekët duan Jugun e Shqipërisë
Për të konfirmuar më tej pretendimet territoriale të shovinistëve grekëve ndaj Shqipërisë në ato vite, në librin e tij "Plani i tretë i coptimit të Shqipërisë", Kostë Çekrezi jep edhe disa opinione të gazetarëve të huaj në lidhje me këtë fakt. Në mes tyre ai përmend gazetarin francez, Mare Marceua, dhe atë amerikan, Ferdinand Kuhn, i cili në vitin 1951 bëri një vizitë në Shqipëri. Lidhur me këto, midis të tjerash në librin e tij Çekrezi ka shkruar: "Në një korrespodencë të dërguar në Prill 1951 nga Athina në gazetën e shënuar të Parisit, "Le Monde", shkrimtari Frenk Mare Marceau bënte disa vërejtje mjaft të rëndësishme mbi situatën ndërkombëtare të Shqipërisë. Sipas mendimit të tij, e vetmja gjë q‘e mban në fuqi regjimin e Enver Hoxhës është mosmarrëveshja e fqinjëve të Shqipërisë rreth qëndrimit që duhet të mbajnë kundrejt këtij Shtetit më të vogël në mes tyre. Sa kohë, thotë M. Marceua, që Jugosllavia mendohet që të vërë në fuqi Titoistët e Shqipërisë, q‘Italia kujton se munt të shtjerë prapë atë vëndt nën kontrollin e saj dhe Greqia vazhdon të kërkojë krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, Enver Hoxha është i sigurtë të qëndrojë në fuqi për një kohë të pacaktuar. Kejo mosmarrëveshje midis fqinjëve, shton shkrimtari Frenk, ia ka prishur mëndjen popullit shqiptar sa që nuk sheh rrugë tjetër veçse t‘i japë tërë përkrahjen e tij regjimit të Enver Hoxhës, i cili gjen rast, në këtë mënyrë, që të çdukë të gjithë kundërshtarët e tij. Edhe më rishtazi, një gazetar i njohur amerikan, Mr. Ferdinand Kuhn, i cili bëri një shëtitje të gjatë në verën e shkuar (1951) gjatë Perdes së Hekurt, shkruante sa vazhdon më poshtë në një nga artikujt e tij: "Një togu Grekësh u ha pëllëmba për të shtënë në dorë atë pjesë të Shqipërisë q‘ata e quajnë Epir të Veriut. Sikur regjimi komunist të përmbysej nesër në Shqipëri, Grekët e shohin si punë të lehtë që të marshojnë e të grabitin tokat e lakmuara brenda në 24 orë, sa do që do të mundohen tua mbajnë dorë Aliatët e Perëndimit. Nga ky shkak fuqitë e Perëndimit nuk guxojnë t‘organizojnë një kryengritje anti-komuniste përbrenda Shqipëris. Se po të jetë që Grekët hyjnë në Shqipëri, ahere Jugosllavët dhe Bullgarët do të bëjnë kundërmarshime dhe zjarri i ka për të rënë gjith Ballkanit".
Jetëshkrimi
Në ‘35-ën organizoi kryengritjen e Fierit kundër Zogut
Kush ishte Kostë Çekrezi?
Veprimtaria publicistike dhe politike e Kostë Çekrezit e ka zanafillën në dhjetë vjetshin e dytë të shekullit të kaluar, kur ai ishte emigrant në SHBA. Gjatë asaj kohe ai u lidh ngushtë me shoqatën "Vatra", ku iu besua drejtimi i gazetës "Dielli" si kryeredaktor i saj. Në vitin 1920 ai u kthye në Shqipëri bashkë me shumë anëtarë të tjerë të "Vatrës", të cilët iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës kundër italianëve. Pas Kongresit të Lushnjës, Çekrezi iu kushtua përsëri gazetarisë, duke qenë një nga penat e spikatura të atyre viteve, sidomos në drejtim të lirisë së shtypit. Nga viti 1926 deri në ‘28-ën ai drejtoi gazetën "Telegraf" dhe nga viti 1929 deri në ‘32-in gazetën "Ora". Në 1931, Kostë Çekrezi u arrestua nga regjimi i Zogut, duke u akuzuar si një nga organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Vlorës, e cila kishte si synim rrëzimin e Mbretit Zog. Pas lirimit nga burgu, ai vazhdoi të merrej me publicistikë, duke shkruar një sërë artikujsh në shtypin e kohës. Në vitin 1935 Kostë Çekrezi u arratis nga Shqipëria dhe iku në Itali, pasi ai me rrethkomandantin e xhandarmërisë së Fierit, toger Musa Kranjen, ishin dy nga krerët kryesorë të Kryengritjes së Fierit, e cila kishte si synim rrëzimin e Mbretit Zog. (Këtë gjë Çekrezi e ka pranuar vetë në kujtimet e tij, ku shprehet si ai ishte kreu i asaj lëvizjeje). Në momentin e shpërthimit të kryengritjes, Çekrezi me Kranjen i shpëtuan arrestimit pasi u morën nga italianët dhe me një motoskaf dolën në Itali. Pasi qëndroi disa kohë në kampet e përqendrimit në Francë, në vitin 1942 Çekrezi iku në SHBA, ku vazhdoi të merret me publicistikë e politikë, duke u angazhuar tërësisht në problemet e çështjes shqiptare. Ai vdiq në Virginia të SHBA në vitin 1959, në moshën 67-vjeçare.
G. Shqip, 09/09/2006
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi