Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

VLLASOVA MUSTA:TINGUJ ZEMRE , TIK – TAK - E DASHURIE

Shko poshtë

VLLASOVA MUSTA:TINGUJ ZEMRE , TIK – TAK - E DASHURIE Empty VLLASOVA MUSTA:TINGUJ ZEMRE , TIK – TAK - E DASHURIE

Mesazh nga Agim Gashi Sat May 26, 2012 2:02 pm

VLLASOVA MUSTA:TINGUJ ZEMRE , TIK – TAK - E DASHURIE Scaled.php?server=14&filename=vllasova

VLLASOVA MUSTA

(Në pamundësi për të qenë e pranishme në promovimin e librave të Viktoria Xhakos, nuk mund të rrija pa thënë përjetimin e përshtypjeve të mia, të cilat shpresoj, që të bëhen të pranishme).

TINGUJ ZEMRE , TIK – TAK - E DASHURIE


Mbresa dhe emocione pas leximit të vëllimit me poezi “Takohemi në qiell” të Viktoria Xhako-s
Gjithkush ka jetën e tij, që sigurisht është krejt e ndryshme nga jeta e dikujt tjetër, edhe pse ne rrekemi të themi se të gjitha jetët njerëzore janë gati gati njësoj, kanë gëzimet apo trishtimet e tyre, kanë dritë- hijet, kanë majat, lëndinat apo greminat...apo dikush më shumë diell e tjetërkush më pak. Asnjëherë jetët tona nuk janë njësoj! Të dish apo të mundesh të ndezësh një dritëz edhe aty, ku s’ka dritë, të sjellësh rreze diellore edhe aty ku s’ka diell, të përcjellësh ngrohtësi, edhe kur brenda ke murrlanin, kjo padyshim që është vlerë, është dhunti, është klas!

Këto ndjesi përjetova teksa lexoja poezitë e Viktoria Xhakos. Nga njëra poezi tek tjetra ndien se nuk je vetëm brenda një metrike, nuk ndrydhesh vetëm prej rimës dhe ritmit, nuk goditesh vetëm prej shkëndijës së metaforës, por është e pandarë një mërmërimë e pafund që të pëshpërit, që të belbëzon dhe ti s’bën tjetër veçse dëgjon këtë zë, që ka etje të të rrëfejë për jetën e vet, për dëshirat e ngrira, për fjalët e pathëna, për stacionin e vetmuar, por që s’mbetet i harruar, për kalendarin që ngriu në qiellin e pritjes, për simbolin gjethe, që jo kushdo arrin ta kuptojë dhe pikërisht këtu, nis brenga dhe dilema e shpirtit.

Ky vëllim, po aq sa është vëllim poetik, është njëherazi një libër jete. E them këtë, pasi gjithçka në të është hedhur me një frymë, është në llojin e një ditari të shkruar me tingëllima poetike. Secila prej poezive është pararendëse e asaj që vjen më pas, lidhet me të, të përcjell tek ajo dhe kjo frymon krejt natyrshëm, ashtu siç rrjedhin ditët njëra pas tjetrës, ashtu siç ndërrohen stinët apo vitet, ashtu siç trokasin hapat në rrugëtimet e pafundme... dhe, kur vjen në faqet e fundit, s’të mbetet tjetër veçse të thuash: shpalosa një jetë, njoha një shpirt, gjeta një dritë!

Pikërisht, se kanë shpirtin të derdhur brenda tyre, ato lexohen me një frymë, ti merr tiktakun e një zemre që të mban pranë vetes e nuk të lëshon, ndoshta se të duket si një zë kristalor, si një imazh, që herë të shpërfaqet si fllad vajzëror, herë si vajzë e mpirë, herë si nënë e brengosur, e herë si bijë e dhimbsur e herë si grua e ndrydhur, që parapëlqen të takohet në qiell.

Gjithsesi, është një zë, që të ndjell dhe ti kërkon ta dëgjosh deri në fund. E më pas, kur e ke mbaruar leximin, të duket se krejt pakuptuar ti ke qënë në një lirishtë, tepër të brishtë, ku të ka dalë përpara një nënë e butë dhe një baba fjalëpakë, një bijë e përherë ndodhur pranë nënës dhe gjithherët e kërkuar prej saj, një motër e shtrenjtë që mban dhe mban pafundësisht amanetet e fundit, dhe kjo sepse di të mbajë e të japë mirësi, por në të ke parë, apo të është bërë pjesë e emocionit tënd dhe një lejlek elegant, që është dhënë me kaq finesë, me kaq ngjyrë dhe emocion sa për një moment, ndruhesh të prekësh faqen tjetër të librit, nga frika se do të të ikë prej aty shpendi, i vetmi mik, që di të qetësojë një botë të tërë, ashtu siç thotë autorja:

“Krahu i lehtë, i butë i shpendit,
Syrin ma fshiu nga loti i dhimbjes”,

... E mbi të gjitha, këtu, në këtë lirishtë ndien një zemër që troket, një shpirt që do të flasë dhe ndoshta është ky shpirt, që u jep jetë poezive, që i bën ato të prekshme, të ngrohta dhe ne i përjetojmë si pjesë të jetës sonë.

Është kënaqësi të flasësh për një libër poetik, kur motivet e tij vërtiten rreth teje me një zë të veçantë, është kënaqësi të ndihesh si në festën tënde, kur poezitë çuditërisht të afrojnë, të mbështjellin të tërën dhe ti me vete thua: Tashmë, kam një mike më shumë! Këtë gjë më sollën këto poezi, që më shumë se gjithçka, mbartin dashurinë njerëzore!

E ç’mund t’u japësh më tepër miqve të tu apo lexuesve, se sa dashurinë e shpirtit? Unë e ndjeva këtë, e mora dhe do ta kem si zilkë jete, si tik - tak dashurie, që e solli për të gjithë ne, mikja jonë e përbashkët, Viktoria.

Urime dhe suksese!
Durrës, 23 Maj 2012
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi