Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË-(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi)

Shko poshtë

NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË-(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi) Empty NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË-(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi)

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 28, 2012 10:39 pm

NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË
NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË-(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi) 260667_100000525636701_1887899921_n
(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi)

Më pëlqeu shumë dhe më la mbresa të veçanta vëllimi me tregime “DORA E JETËS” i shkrimtares VIKTORIA XHAKO.

Ky vëllim me tregime është një vepër e këndshme. Ai ka plot gjëra të arrira dhe vrojtime të zgjuara, të shprehura me një gjuhë të zgjedhur. Shumë nga tregimet të nguliten në kujtesë dhe të bëjnë të mendohesh.

Ka plot befasi këndellëse dhe surpriza mbresëlënëse, që ta shpalosin jetën në mjedise, në humbëtira dhe në kënde, që ti, si lexues, nuk i pret.

Ky vëllim me tregime është një vepër e veçantë:

- i shkruar me një stil të rrallë, me fraza lakonike dhe me dialog të zhdërvjellët.

- me personazhe vërtet të paktë, por të gjallë dhe jetësorë, që të nguliten në mendje.

- me kërcime pindarike dhe me digresione, që, edhe pse të guximshme, nuk të largojnë nga boshti i çdo tregimi.

- me një lirizëm joshës dhe me një prozë që tingëllon si poezi, pra, një prozë poetike (“Kristale loti dasme në fundin e flokëve”,etj)

- me një frazë që më shumë ka nëntekst se tekst, ku detajet thellojnë dhe zbukurojnë mendimin e autores.

Duhet të kesh taban, kockë, për të trajtuar ngjarje të mëdha, dhe të mprehta (“Borovë ’43, “Vdekja e trëndafilit të kuq” për vitin e mbrapshtë ’97,) por ja, me pak penelata, autorja i ngërthen ato ide, që shumëkujt duhej t’i lipseshin faqe të tëra.

Nuk kam hasur tregim, ku gjendja e emigrantëve, (larg fasadës idealizuese) të jetë paraqitur aq realisht e dramatikisht, si në tregimin “Zonja e luleve”. I lumtë shkrimtares!

Si ish mësues i vjetër letërsie, kam se ç’të komentoj e ku të kapem në tregimet e bukura të këtij vëllimi.

S’më shqiten mendjes: malet larg ku u martua tezja dhe që s’e hiqnin kurrë kësulën e bardhë, motra qëndistare, nga duart e së cilës çelnin lule dhe dilnin flutura, flokët e Ditës që varen si ujvarë, të dendura supeve, buzëqeshja që hedh rrënjë në zemër dhe ngrin në buzë, sytë, si dy liqene të kthjellët, të kthjellët, dielli që ngrihet mbi minaren e xhamisë, maja e së cilës e shpon si të ishte një tullumbace, gjarpëri i mendimeve të shqetësuara që mbështjell zemrën me unazat e kobrës, e plot të tjera.

Megjithatë, edhe klasikët e mëdhenj, si Homeri, etj, herë – herë kanë dremitur. Kalku i fjalëve “si kadife”, “i kadifenjtë”, herë i përdorur si krahasim dhe herë si epitet (disa herë) e cënon vlerën artistike të tregimit “Kurora”, si dhe krahasimi “si flutur” cënon vlerën e tregimit “Nishani”.

Zonja Viktoria!

Si veteran në fushën e letrave, që kam filluar “të zhgarravis” e të botoj në gazeta e në të përkohshme që nga viti 1946, ju falenderoj për kënaqësinë që më dhatë me këtë libër kaq të bukur dhe ju uroj arritje të mëtejshme cilësore në krijimtarinë tuaj letrare.


NJË VEPËR E KËNDSHME DHE E VEÇANTË-(Fjala e z. MUHARREM GAZIONI në promovimin e dy librave të mi) 481155_453649914662526_528429293_n

Në qendër është mësuesi im, zoti Daut Hoxha. Në të djathtë të tij është poeti Hyqmet Hasko. Në të majtë është i nderuari, zoti MUHARREM GAZIONI.

MUHARREM GAZIONI
Durrës, më 23.5.2012.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi