Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË”

Shko poshtë

VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” Empty VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË”

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jul 03, 2012 8:47 pm

VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” 274781_100000525636701_1660095843_n

VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË”

BEFASIA

Pasi i udhëzoi nxënësit që të mos preknin gjë me dorë në ekspozitë, G. u nis në krye të tyre. Ecën në heshtje. Nxënësit u ndanë grupe – grupe duke qëndruar pa vëmendje përpara stendave. G. u hutua kur pa veten në ekranin përballë. Pas saj qëndroi dikush, që e shikoi me buzëqeshje nga ekrani. Ajo uli sytë dhe iu shmang ekranit.
-I keni parë pikturat? –
-Sapo kemi ardhur. –
-Ju pëlqejnë vizatimet bardhë e zi? –
-Nuk e di. –
Ndërkohë iu afruan pavionit të pikturave. Gita kërkoi me sy nxënësit.
-Nxënësit e tu nuk janë të zhurmshëm. –
G. u skuq. Ajo ndjeu respekt në fjalët e tij. E pa në sy si për ta falenderuar. Dy sy blu të thellë, të vëmendshëm, të qeshur. Kaloi çantën në dorën tjetër. Nxori shaminë dhe e mbajti shuk në dorë. Djersa e emocionit ia lagu pëllëmbët. E pa edhe njëherë në sy, po nuk ia kapi shikimin. Ai shihte nga e djathta ku ishin vendosur pikturat.
-Ky piktor, - ai vuri gishtin në qoshe të tablosë, tek emri, - pikturonte vetëm portrete, përgjithësisht femra, me kokën paksa të përkulur mbi sup. Shihe këtë portret, - dhe vuri gishtin. Një femër me tipare nazike, flokëverdhë, me gojën paksa të hapur...
-Duket sikur flet, apo jo? Apo sikur pret një puthje.-
G. u skuq gjer në rrëzë të flokëve. Askush gjer më sot nuk i kishte folur me kaq intimitet.
-G. është një grua dhe mësuese shumë e mirë, po se si është, - i kishte thënë një herë Dini Maries, dhe kishte mbledhur fytyrën.
-E kritikuan disa herë, - vazhdoi ai i qetë. – Tani i merr temat nga jeta. Punoi gjatë për këtë pikturë.-
Një fushë, traktori dhe traktoristja, veshur me kominoshe dhe me flokët futur brenda shamisë së bardhë.
-Edhe kjo. –
Tekstilistja në tezgjah, veshur me përparësen e punës dhe flokët futur brenda kapuçit të bardhë. Pikturat qëndronin në krah të njëra – tjetrës.
-U çudite? – pyeti qetësisht.
G. iu duk sikur po e merrte në provim. Njohuritë e saj rreth pikturës ishin të kufizuara. Kur ishte fëmijë kishte provuar të
vizatonte një korb.
- Ia ke bërë kokën të madhe, - i kishte thënë babai.
Pa e shikuar në sy, ajo zgjati gishtin e hollë tek flokët e traktoristes. Pastaj tek buzët e saj. Pastaj tek kominoshet. Vuri gishtin edhe tek tekstilistja.
Ai qeshi me një të qeshur të çuditshme, ëmbël, gurgullueshëm. Asaj iu duk sikur u derdh ujë nga një ujëvarë.
-Është i pandreqshëm, - tha ai. – Nuk heq dorë nga delikatesa femërore. –
Gita u kthye përballë tij, e befasuar nga ky mendim që ajo sapo matej t’ia shpjegonte. Cepi i syrit i kapi një vizatim bardhë e zi pak më tej.
-E di se ç’do të thuash, - vazhdoi ai. – Flokët e verdhë, buzët paksa të hapura, veshja e pastër. E njëjta femër si para kritikës apo jo? – Dhe qeshi përsëri gurgullueshëm, hareshëm, pa të keq. Po Gitës i mbetën sytë në vizatimin bardhë e zi, pak më tej.
Ai ndoqi shikimin e saj.
-Janë korba, - foli ai. Fillimisht i vizativa me laps. Edhe kullën e rrënuar. –
Zgjati dorën në qoshe tek emri. G. u afrua. Lexoi emrin gërmë pas gërme.
-Me siguri që këtë emër nuk e ke dëgjuar kurrë. –
Ajo ktheu kokën nga nxënësit, si për të kërkuar ndihmë nga prania e tyre.
-Mirë, po u shpjegoj nxënësve këto piktura. –
G. miratoi me lëvizjen e kokës. I ftoi nxënësit të aviten më pranë dhe vetë qëndroi pas tyre.
... –Shihe shpirtin rebel të atij që e ka vizatuar këtë kullë gjysmë të rrënuar dhe korbat e zinj që fluturojnë. – Babai e ftoi G. e vogël që të shihte vizatimin në revistën “Ylli”...
-Pasi vizatova me laps kullën dhe korbat, - vazhdoi ai t’u fliste nxënësve, - mendova që mund ta bëj edhe pikturë. Por shumë kohë më vonë. Është kjo këtu. –
Diçka e re buronte nga piktura. Korbat sikur humbisnin nën kaltërsinë e qiellit.
-Korbat duhej të iknin larg, apo jo, mësuese? –
G. e pa hutueshëm. Mendja e saj kishte ikur njëzet vjet më parë. E skuqur nga befasia, ajo pohoi fjalët e tij.
-Po u thosha nxënësve të tu që m’u desh kohë të kaloja nga vizatimi bardhë e zi në pikturë. Ndërkohë kam lexuar shumë. Kam shkruar një roman, edhe tregime. Kur isha në gjimnaz shkruaja poezi, por më mungonte frymëzimi real. Romani im ka lidhje me këta korba. E nisa si tregim. Pastaj tregimi se si u kthye në roman. – Dhe qeshi ëmbël, hareshëm, gurgullueshëm.
-Tregimi nuk kthehet vetë në roman, - Lulzimi e pa drejt në sy.
-Çfarë libra dhe sa ke lexuar? –
-Të ndryshëm dhe shumë, - Lulzimi nuk ia ndante sytë e tij të zinj.
-Për shembull? –
-Romane, poezi, histori, estetikë... –
-Shiko, shiko! E paske filluar me roman! –
-Isha i vogël, kur lexova romanin e parë. “Në emër të jetës”. Ky roman flet për... –
Befas Lulzimi heshti. Iu duk se u tregua i ditur. Nxënësit në heshtje, kishin shtrënguar rrethin dhe po e shihnin në sy. Sytë e tyre u drejtuan nga piktori.
-Për infermieren që mori thikën në kurriz duke mbrojtur me trupin e saj partizanin e plagosur, në pyll, në mes të acarit, pas tërheqjes së spitalit partizan, kur e zbuluan gjermanët dhe e sulmuan... – e plotësoi piktori.
-Nuk e zgjodha, - vazhdoi Lulzimi, - e gjeta në dollapin e bufesë që vëllai i madh e mbante mbyllur me çelës. Një ditë iku me nxitim në stërvitje, në basketboll, dhe harroi çelësin në bravë. Pastaj vëllai më lejoi t’i lexoj librat e tij. Unë zgjodha “Fill vetëm në stepë!. –
-A ke shkruar ndonjëherë? –
-Po, - ndërhyri G. – Shkruan poezi të bukura. Edhe hartimet i shkruan qartë, me ide të përqëndruara. -
Biseda po i tërhiqte nxënësit. Ata vazhduan të shtrëngojnë rrethin, në qendër të të cilit ishin Lulzimi dhe piktori i panjohur, që befas u bë i afërt.

VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)

VIKTORIA XHAKO – BEFASIA – Fragment nga romani në punim “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” 531496_475996252427892_1632726557_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi