Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Matoshi:Quiz: Sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Shko poshtë

Halil Matoshi:Quiz: Sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës? Empty Halil Matoshi:Quiz: Sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jul 06, 2012 10:23 pm

Halil Matoshi:Quiz: Sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës? 05_06_11_27816_halil_matoshi_1

Halil Matoshi:Quiz: Sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit më të ri europian nuk prodhohen politika normale, pra as politikë e jashtme. Janë mbledhur në Shërbimin e jashtëm një kallaballëk njerëzish të padijshëm politikisht dhe të paedukuar qytetarisht. Njerëz që kanë zënë një punë përmes lidhjeve nepotiste dhe lidhjeve të tjera dhe shtrohen në llafologji. Ndërkaq që ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, këtë llafologji e cilëson të suksesshme...

Qeveria e Kosovës e ka një hall të madh, llafologjinë.
Asaj i mungon truri, pra dhe kujtesa.
Ajo lëre që nuk prodhon kurrfarë politikash kombëtare, por prodhon lajme skandaloze si dëshmi se e ka lënë memoria.
Në Ministrinë e Jashtme nuk ekziston memorizimi i të dhënave të dorës së parë, sepse llafologjia s’ka nevojë të arkivohet!
Kosova e ka ministrin e Jashtëm dhe dy zëvendës të tij (njëri nga ta do të bëhet rektor i Universitetit Publik), një zëvendëskryeministër i ngarkuar me lobim, një ministre të Integrimeve Europiane dhe një zëvendëskryeministre të ngarkuar me bisedimet me Serbinë (deri vonë), thjesht një kallaballëk kreatorësh të politikës së munguar skajshmërisht, të jashtme...

Së këndejmi, asnjë zyrtar në Kosovë nuk di të përgjigjet se sa shtete e kanë njohur Kosovën deri më tash!?

Më 7 shtator 2011 në Ministrinë e Jashtme të Kosovës u bë gjullurdi e madhe kur tabloidi beogradas "Blic" shkruante se Sulltanati i Omanit dhe Guineja Bissaua kishin tërhequr njohjen e Kosovës. “Tërheqjen” vrapoi ta “konfirmonte” atëherë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Derisa, ndërkohë, njohja nga Guineja Bissaua u rikonfirmua nga presidenti i atij vendi. Porse doli n’shesh e vërteta se dikush ka gënjyer në Prishtinë se Omani e paskësh njohur Kosovën. Së paku nuk ekziston notë verbale për njohje nga Sulltanati i Omanit në adresë të Qeverisë së Kosovës. Atëbotë, Sulltani i Omanit i kishte dërguar një letër Ambasadës kosovare në Londër në të cilën thuhej se vendi i tij ishte njohur me vendimin e GJND-së dhe se dëshiron që Kosova të inkuadrohet në OKB. Kështu që, kësaj letre i ishte bërë një keqinterpretim nga ambasadori kosovar në Londër dhe po ashtu nga ministrja Vlora Çitaku. Pastaj doli Behgjet Pacolli dhe tha se Omani ka njohur vetëm pasaportën e Kosovës, por kjo nuk paraqet njohje, sepse edhe Sllovakia dhe Greqia e njohin pasaportën kosovare por jo pavarësinë shtetërore.

Më pas ndodhi përplasja mes Pacollit dhe Hoxhajt për njohjen nga Gaboni, por ky rivalitet doli katërçipërisht në pah kur njohjen nga Shën Luçia e solli Pacolli e Hoxhaj deshi t’ia merrte meritat!?

Pastaj skandalet në këtë fushë bëhen zinxhir.

Vitin e kaluar Presidenca e hoqi Omanin nga lista e vendeve që e kanë njohur Kosovën, porse ky vend figuronte në listën e Ministrisë së Jashtme me numrin rendor 75.

Mirëpo, aktualisht Sulltanati i Omanit është rikthyer në listën e Jahjagës, sipas rekomandimit të Ministrisë së Jashtme!?
Atëbotë Jahjaga hiqte nga lista Omanin dhe nuk e konfirmonte Gabonin
Tash i ka në listë që të dyja!?
Hoxhaj mbante Omanin, por jo edhe Gabonin.
Pacolli mbante në listë edhe Omanin, edhe Gabonin.
“Lajmet” e tilla e bëjnë të skuqet secili qytetar me zyrtarët që llafosin në ambientet e Shërbimit të jashtëm ishte edhe ai se disa nga notat verbale të njohjeve, thjesht janë zhdukur, ose dikush nga “diplomatët” e mëdhenj kosovarë i ka harruar ato përmbi televizor!!!

Ndoshta i mban në shtëpi si trofe!?

Për t’ua treguar kushërinjve dhe për t’u krekosur para tyre, pasdarke, kur rëndom qiten gjygymat e çajit të rusit siç njihet tek kosovarët çaji i zi indian.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, përkatësisht një zyrtar i lartë i kësaj Ministrie, i kishte pranuar gazetës “Koha Ditore” se nuk ishte krijuar një folder i veçantë për të ruajtur ‘memorien e shtetit’ dhe se ka pasur probleme me arkivimin e dokumenteve të tilla të rëndësisë shtetërore, përfshirë edhe notat verbale të njohjeve.

Pa shih: Vështirësi!? Të ruhen aktet që e bëjnë një shtet për të tillë.

Burimet e gazetës kishin vërtetuar se mungojnë 23 nota verbale të njohjeve nga 89 sa konsiderohet se janë!?

Dikush thotë se ato kanë mbetur nëpër dollapët e ish-presidentëve, Sejdiu dhe Pacolli, ose edhe mund të jenë avulluar fare…

Kjo Qeveri, pos që nuk e di numrin e saktë të kombeve që e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës, përmes “diplomatëve të saj pa diplomë” lyp njohje edhe nga shtetet që Kosovën e pavarur e kanë njohur që katër vjet të plota.

Kjo puna e vajtjes së Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Behxhet Pacolli, në Amerikën Jugore ngjan në tregimet e realizmit magjik të Marquezit!

Si në tregimin “Blakamani, shitësi i mirë çudirave”. Blakamani niset për të zbuluar botë të reja, duke u shitur njerëzve kopalla në vend ilaçesh...

Vajtja e zyrtarit të lartë të Qeverisë kosovare në Peru (që e ka njohur Kosovën më 22 shkurt 2008 si vendi i 16-të me radhë) për të kërkuar njohjen e Kosovës nga ky vend, dëshmon më së miri aftësitë diplomatike të klasës politike kosovare, pra dëshmon injorancën, pakujdesin dhe gafat e pafund të kësaj Qeverie.

Thjesht, qytetari i Kosovës duke dëgjuar këso lajmesh, pa asnjë faj ndihet i turpëruar, skuqet në vend të atyre që do të duhej të skuqeshin.

Ashiqare, ma poshtë s’ka ku shkon!

E për t’u ngritur duhet të shohim sa poshtë kemi rënë!

Nëse do të shtrohej pyetja se kush e di sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës? - vështirë se dikush do të mundë ta fitonte quizin.

Qeveria thotë se janë 91, Presidenca - hala nuk janë sqaruar plotësisht gjërat edhe për sa i përket numrit të kombeve që e kanë njohur shtetin e ri kosovar. Ministri Hoxhaj jep një përgjigje të pakuptimtë, përderisa zëvendëskryeministri Pacolli pretendon se ai ka marrë njohjen nga Uganda dhe Nigeria. Sipas Hoxhajt me këto dy vende Kosova nuk ka arritur të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike. “Kemi marrë disa shkresa, realisht, Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë disa shkresa nga presidentët e të dyja vendeve që ato e njohin subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës.”

Porse a janë ato letra presidentësh të barasvlershme me notat verbale të njohjeve, apo vetëm paralajmërime se deri te njohja mund të arrihet, ministri nuk di ta sqarojë.

“Ka disa modele që shtetet e ndryshme e njohin Republikën e Kosovës. Ka vendime që sjellin presidentët; ka nota verbale që sjellin MPJ; ka vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Nuk ka një model se si propozohet njohja, mirëpo të gjitha njohjet që janë në listë të MPJ-së ekzistojnë”, përgjigjet Hoxhaj.

Në anën tjetër ShBA-ja për administratën e SHBA-së, Kosova është njohur nga 89 shtete, e jo nga 91 as nga 105!?

“Ka pasur pohime se Uganda dhe Nigeria e kanë njohur Kosovën. Letra që ne e kemi parë të dërguar nga kryetari i Ugandës, Museveni, zëvendëskryeministrit Pacolli, nuk përbën njohje. SHBA-ja nuk ka parë notë diplomatike nga Qeveria e Nigerisë që do të tregonte se e ka njohur Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për “Kohën Ditore”, kur është pyetur se cili numër i njohjeve të shtetit të Kosovës është real për SHBA-në, 89-shi apo 91-shi.

Njëri nga zëvendësministrat e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka këmbëngulur se numri i njohjeve të shtetit të Kosovës është 105, aq shtete sa e kanë dhënë votën për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Dhe, sipas këtij zyrtari, vota për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar lirisht mund të konsiderohet edhe si njohje e shtetit!?

Një ditë me diell një zyrtar i lartë i shtetit zbarkon në Lima të Perusë dhe troket në dyert e Qeverisë për me lypë njohje për vendin e tij. Po njohja kishte ndodhur katër vjet më përpara... Dhe askush s’e dinte sa njohje ka marrë atdheu i kosovarëve!?

Një tjetër ditë, Komisioni Parlamentar për punët e jashtme kërkon notat verbale të njohjeve dhe secili e shikon secilin ma habi. Ato s’dihet ku janë, së paku nja 23 sosh!?

Pas do ditësh në një institucion thirret ambasadorin norvegjez në Prishtinë dhe aty askujt nuk i kujtohet emri i tij...

Një tjetër ditë pëlcet një tjetër skandal.

Lista e turpit është e gjatë...


KohaNet
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi