Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bajram Kovaçi: Me urdhër të Rita Markos u dënova për sjellje antikomuniste

Shko poshtë

Bajram Kovaçi: Me urdhër të Rita Markos u dënova për sjellje antikomuniste Empty Bajram Kovaçi: Me urdhër të Rita Markos u dënova për sjellje antikomuniste

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 19, 2009 3:09 am

Bajram Kovaçi: Me urdhër të Rita Markos u dënova për sjellje antikomuniste
Nga Afrim IMAJ
Guxoi t’i kërkonte Enverit shpjegime për masakrën e Çidhnës, përfundoi në pranga! Mjaftoi kaq dhe ish-partizani 15 vjeçar, gazetari i “Luftëtarit”, reporteri që përcolli nga fronti luftimet e provokacioneve të gushtit 49, do t’i kthente meritat në mëkate e do të niste kalvarin e vuajtjeve.E papritura ndodhi gjatë një takimi me kuadrot kryesorë, menjëherë pas Konferencës së Tiranës, thotë në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama” 80-vjeçari Bajram Hyseni (Kovaçi). Sqaroi aty Enveri situatën politike dhe diku nga fundi kërkoi të njihej me mendimet e pjesëmarrësve. Kujtova se ishte momenti dhe shtjellova disa ngjarje të pahijshme të kohës së luftës në zonën e Dibrës. Gjithnjë me merakun për të bërë korrigjimet e nevojshme në qëndrimin ndaj tyre, pa menduar se kisha futur kokën në gijotinë.
Pikërisht kjo do t’i kushtonte jo pak gazetarit të Luftëtarit. Në fillim do të vinte lirimi nga ushtria, do ta përjashtonin nga partia dhe mandej do ta kryqëzonin me pesë vite burg. Që këtej Bajram Hyseni do të rregjistrohej në kontingjentet e armikut të klasës. Nuk do kalonte vetëm pak dhe ai do t’i rikthehej sërish qelive të errëta, këtë radhë për t’u bërë banorë i përjetshëm i tyre...
Zoti Bajram! Mjaft nga librat tuaja i kushtohen luftës nacionalçlirimtare. A keni një gjykim tjetër tani për të?
Unë jam një nga pjesëmarrësit e asaj epopeje dhe i përkas brezit që di të nderojë e tu përkulet luftëtarëve të lirisë. Lufta nacionalçlirimtare ishte prova e antifashistëve shqiptar në përbërje të koalicionit ndërkombëtar. Ata e dhanë me sukses këtë provë, pavarësisht kush i tradhtoi idealet e tyre më vonë. Gjithnjë jam ndjerë krenarë që gjatë asaj periudhe kam qenë në anën e progresistëve, megjithëse isha shumë i vogël...
Çfarë do të veçonit nga përjetimet e asaj periudhe?
Kam qenë në batalionin Dibër Martanesh. Kujtimet më të mira ruaj për Baba Faja Martaneshin, si një nga figurat kryesore të tij. Ndërkaq, nuk kam për ta harruar sa të kem frymë Qamil Guranjakun, mësuesin e parë dhe njeriun që më mori me vete si vëllain e tij të vogël e më futi në radhët e partizanëve. Ishte një histori e lavdishme ajo e luftës. Ne ishim nga vendet e rralla të Evropës, që u çliruam vetëm me forcat tona. Më ka çuditur gjithmonë propaganda që i bënte komunizmi ndihmës së sovjetikëve në të. E vërteta është se asnjë ushtarë rus nuk erdhi në ato ditë në vendin tonë. Tjetër gjë ndodhi me anglo amerikanët, të cilët me misionet e tyre ishin të pranishëm në të gjitha fazat e operacioneve luftarake...
A ka ndonjë mbresë të veçantë ish-partizani 15 vjeçar?
Më ka mbetur në mëndje lufta për çlirimin e Tiranës, të cilën e kam quajtur një epope legjendare. Betejat e përgjakshme me nazistët në kryeqytet, i kam në sy edhe sot e gjithë ditën. Plotë mbresa të tjera i kam hedhur në librat që kam shkruar. Ndër më të dashurat në to kam poemën për Vojo Kushin, i cili për mua mbetet një tribun i guximit dhe trimërisë. Kam shkruar pastaj, për pionierët e luftës, për vajzat partizane, për...
Mbaroi lufta, çfarë ndodhi me partizanin e vogël nga Dibra?
Lufta në një farë kuptimi më ndau me Dibrën dhe vendlindjen. U shkollova në Tiranë për oficer. Punova disa kohë në repartin e ndërlidhjes që shërbente për shtabin e Përgjithshëm në Tiranë. Pastaj më transferuan në Gjirokastër, ku qëndrova disa vjet me familjen. Prej aty shkova në Korçë ku shërbeva si radist personal i Beqir Ballukut, që në atë kohë bënte detyrën e komandantit të Divizionit. Njëherazi me detyrën e radistit, ushtrova edhe profesionin e gazetarit. Pasioni i dikurshëm për poezitë dhe krijimin, më dha dorë për të pasqyruar në shtypin e ditës dinamikën e ushtarakëve të garnizoneve të jugut. Fillimisht u bëra korrespodent i rregullt i gazetës “Luftëtari”, ku ishte kryeredaktor ish-mësuesi im Qamil Guranjaku e mandej nisa të botojë në gazetat e tjera. Mjaft syresh botonin pjesë të ndryshme nga krijimtaria ime...
Keni qenë gazetari i vetëm që keni ndjekur në front luftimet e provokacioneve të gushtit 49...
Padyshim që kjo është pjesa më e bukur e karrierës time profesionale. U ndodha në frontin e luftimeve në verën e vitit 49 si radist, por nevoja e deshi të bëja dhe kronikanin e betejave. Ishte një luftë e vërtetë, me sulme e kundërsulme, me goditje artilerie e me ballafaqime të përditshme luftarake, bile deri te ato trup me trup. Fakti që i përjetoja nga afër, më jepte mundësinë për t’i hedhur në letër. Me përkujdesjen e komandës, i nisja me korrierin e shtabit në Tiranë në adresën e gazetës “Luftëtari”, “Zëri i Popullit” e “Bashkimi”, të cilat i botonin me përparësi në vendet më të dukshme. Çdo ditë kështu. Mua, në një farë mënyre më qëlloi të lija të dokumentuar historinë e provokacioneve të gushtit. Pas 60 vjetësh prej tyre, të them të drejtën, ndjehem krenar kur shikoj në shtypit e kohës dinamikën e përditshme të atyre betejave në ato shkrime që i bëja nën breshëritë e armëve...
Ndodhi pastaj që gazetarin e provokacioneve të gushtit e arrestuan menjëherë pas Konferencës së Tiranës...
Është histori tjetër kjo e Konferencës së Tiranës. Në të nuk mora pjesë si delegat, por si gazetar i “Luftëtarit”. Pas provokacioneve të gushtit, kisha ardhur me punë në shtypin ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes. I përzgjedhur me sa duket nga emri i mirë në profesion dhe garancitë politike, më besuan detyrën e gazetarit që do të pasqyronte punimet e këtij Kuvendi të rëndësishëm. Kuvendi prodhoi dramën që dihet e unë mbeta një nga viktimat e saj...
Pra, të arrestuan se nuk pasqyrove sipas porosive të Enverit debatet e Konferencës së Tiranës...
Arrestimi nuk kishte të bënte me këtë, por me diçka tjetër. E vërteta është se Konferenca e Tiranës na njohu me disa dukuri negative të praktikës së partisë dhe udhëheqjes. Na dha një farë kurajo e guximi për të folur përtej tabuve të krijuara, sidomos për figurën e krerëve të lartë politikë. Vetë mosha dhe një farë idealizmi e bënë më të spikatur këtë reagim që do na merrte në qafë...
Guxuat të flisnit kundër Enverit, apo jo...
Nuk u arrestova se fola kundër Enverit. Atëherë ishte marrëzi të flisje hapur kundër tij. Kryqëzata filloi pas disa pyetjeve që bëra në një mbledhje me kuadrot kryesorë në Shkollën e Lartë të Partisë. Ishte një takimin i ideuar nga Enveri me Rita Markon, për të sqaruar nga afër atë që kishte ndodhur në Konferencën e Tiranës. U ndodha aty me cilësinë e gazetarit, pa e ditur se do dilja me statusin e të pandehurit. E gjitha për një dialog me Enverin. Një dialog për punën, pa kurrfarë prapavije. Ma shkrepi një moment dhe i kërkova për të na shpjeguar disa çështje, që deri atëherë kishin mbetur të paqarta...
Të kujtohen pyetjet që i bëre Enverit?
Në fillim vura në vëmendjen e pjesëmarrësve trajtimin absurd të organeve të partisë së Dibrës, për rolin e disa nacionalistëve gjatë pushtimit të Shqipërisë. Argumentova aty se disa syresh ishin shpallur bashkëpunëtorë të pushtuesit e tradhtarë, ndërkohë që gjatë periudhës së okupacionit, kishin qenë jashtë shtetit. Enveri më dëgjoi me vëmendje dhe aty për aty u mundua të më përgjigjej në vija të përgjithshme. Tjetër, shtoi pastaj, keni gjë tjetër. Po, i thashë dhe kalova te çështja e dytë. “Partia jonë, shtova, duhet të reflektojë për masakrën e bërë në Çidhën, ku repartet partizane në emër të përballjes me forcat e Halil Alisë dogjën mbi 200 shtëpi dhe pushkatuan pa gjyq dhjetëra fshatarë të pafajshëm”. Mendova se ishte momenti i duhur për tju rikthyer kësaj ngjarje që kishte bërë bujë në zonë. Nuk kishte mjaftuar terrori, por organet vendore i kishin shpallur të mbijetuarit e familjeve të viktimave të padëshirueshëm e armiq. E qartësove situatën si e kisha dëgjuar dhe u ula. Teksa prisja përgjigjen e Enverit, ndjeva të më kapte për krahu Nasi Zogo, Komandanti i Gardës. “Je në vete apo ke shkalluar?! Ç’janë këto gjepura?” Vetëm kaq më psherëtiu në vesh dhe u largua dy karrige më tej, sikur ta kishte zënë korrenti. Sakaq Enveri, duke vështruar nga unë, shpjegoi se për këtë do të konsultohej me Haxhi Lleshin dhe se do të porosiste që familjet e viktimave mos të trajtoheshin me biografi armiqësore. Kaq zgjati dialogu me të. Vura re që ai shkaktoi një lloj alergjie në sallë. I papërmbajtur dukej sidomos Rita Markua, që rrinte në podium në krahë të Enverit. Gjatë tërë kohës më shikonte me egërsi sikur t’i kisha vrarë babën dhe shkruante në bllokun që kishte përpara...
Që këtej nisi pastaj “gjuetia” e shtrigave...
Reagimi, kuptohet nuk ishte i menjëhershëm. Ai do të vinte cinik e misterioz në formën e një hakmarrjeje vetëm pak kohë pas dialogut me Enverin. Pyetjet me “spec” që i kisha bërë me sa dukej, më kishin futur në shënjestrën e sigurimit.
Goditjen e inicioni Rita Markua, gjatë një mbledhje në Kavalishencën e ushtrisë në Durrës. Kur më pa duke fotografuar në sallë, ju kthye Kadri Hazbiut: “Akoma e mbani Bajram Hysenin në shtyp?! E dini ç’i ka punuar shokut Enver për ngjarjet e Çidhnës?” Kadriu një moment u ndje keq dhe aty për aty i përmendi opinionin që kishte për mua. Sakaq, Rita që nuk i pëlqeu reagimi i tij, i tërhoqi përsëri vëmendjen, madje këtë radhë duke çuar edhe zërin. Me sa dukej ai e kishte nisur goditjen ndaj meje qysh më parë. Mënyra si ndërhyri te Kadriu, më la të kuptoja se për të ishte diskutuar në strukturat e larta. Kaq vetëm kaq u desh të thoshte Rita Markua dhe qysh të nesërmen do fillonte kryqëzata. Në fillim më përjashtuan nga partia, pastaj më komunikuan largimin nga ushtria si i padëshirueshëm dhe nuk vonoi të më hidhnin prangat. Plotë 11 muaj hetuesi. Më në fund erdhi radha e gjyqit. U dënova me 5 vjet bashkë me poetët e njohur Jorgo Bllaci e Pano Taçi, për krijimtari antisocialiste. Ishte diçka paradoksale. Të gjitha librat që kisha botuar deri në atë kohë fund e krye i kushtoheshin heroizmit të luftës antifashiste(!) Dy prej tyre madje “Flakët” dhe “Kodra e kuqe” ishin vlerësuar me çmime kombëtare nga komisionet e ngritura nga Komiteti Qendror. E bëra dënimin dhe u riktheva pranë familjes. Nisa punë si përgjegjës i punëtorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës. Po e keqja do më vinte dhe aty. Akoma pa e marrë veten nga dënimi i parë, do vinte i dyti. Këtë herë “gjoba” ishte shumë herë më e rëndë. Plotë 25 vjet për kryengritje të armatosur. Arrestimi, me sa më kujtohet ndodhi një ditë pasi kisha dorëzuar për botim romanin “Notarët e lumenjve të nëndheshëm” Disa kohë pas dënimit tim, do ti vinin prangat edhe djalit të madh...
Dashamir Kovaçi në ‘75: Qemal Stafën dhe Lym Ketën i ka vrarë Enveri
“Ishte i tmerrshëm burgu i Bajramit, por dramën e burgut e përjetoi krejt familja”. Pohimi i Mirfete Krasniqit (Kovaçi) të shoqes së majorit të dënuar për kryengritje të armatosur, zbulon një pjesë nga kalvari i vuajtjeve të familjarëve të saj. Ajo me fëmijët, Dashamirin, Arbenin e Teutën, fill pas arrestimit të dytë të Bajramit, u internuan në Vrap të Tiranës. “Drama u bë dhe më e rëndë, shton Mirfetja, kur arrestuan djalin e madh, Dashamirin”. Ishte vera e vitit 1975, pak muaj pas dënimit të Bajramit, kur e kryqëzuan për tradhti ndaj atdheut. Në kujtesën e të ëmës ngjarja ka mbetur e fiksuar çast pas çasti. Teksa i rikthehet asaj me detaje, Mirfetja rrëmbushet me lot. Ja kanë prangosur të birin kur studionte për provimet e lirimit të Liceut Artistik. Sipas saj, Dashamiri i pakënaqur nga arrestimi i të atit synonte të organizonte një sulm mbi godinën e Komitetin Qendror të Partisë(!). Mjeshtrit e akuzës flisnin për dinamit e eksploziv, për plane e harta pas të cilave fshihej qëllimi ogurzi. Ndërkaq, ata sollën në gjyq “dëshmi” të tjera që provonin tradhtinë e djalit të Bajram Kovaçit. Dashamiri sipas tyre kishte hedhur poshtë variantin zyrtar të vrasjes së Qemal Stafës dhe pohonte se atë e kishte eliminuar Enver Hoxha pas shpine! Të njëjtën gjë, sipas tyre, kishte shprehur për Lym Ketën. Enveri e kishte çuar me shërbim në Pukë dhe e kishte zhdukur me një aksident automobilistik(!). Të artikuluara me fantazi diabolike, të dhënat e siguruara nga njerëzit e policisë së fshehtë e rënduan jashtë mase pozitën e Dashamir Kovaçit dhe ndëshkimi do të ishte fatal. I pari do të shfaqej prokurori, i cili pa mëdyshje do të kërkonte dënim me vdekje. Gjykata në vazhdim do të operonte me 20 vjet burg. “Pa i mbaruar ato në Spaç, kujton Mirfetja, e ridënuan me 10 vjet të tjera. Këtë radhë e denoncoi komanda e burgut për poezi e karikatura kundër Enverit.” Ndërkohë, si në ferr do t’i shtynte ditët edhe pjesa tjetër e familjes. Rraskapitja në një kasolle kuajsh në Vrapin e largët do të ishte sfilitëse në kulm. Me shumë mundime, Mirfetja dhe kunata e saj, Ferideja do të ndiqnin sa në Burrel e në Spaç fatin e Bajramit dhe të Dashamirit. Kështu deri në prillin e ’91, kur liria do t’i jepte frymëmarrjen e vërtetë jetës së tyre.

Panorama, 19/03/2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi