Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni

Shko poshtë

Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni Empty Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 09, 2012 3:21 pm

Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni Boston_13

Brigjet e një jete…

Reportazh nga Bostoni

Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni 274072_100000191453904_1043199911_n
Namik Selmani

-Kujdes, kujdes, mos harron ndonjë gjë në valixhen e udhëtimit! Mos harro ndërresat, adresat e miqve, librat, fletoret, dhuratat…
-Mirë , mirë, po kujtimet, mallin ku ta vë? Ku? Ku? A ka valixhe ku të futen e një vend të tillë që të mund t’i mbajë dot të tëra. A ka pampor, a ka avion, a ka qiell e oqean që t’i mbajë dot në një bark metal


ik të stërmadh mespërmes reve, shtrëngatave, borërave, mjegullave, këto që do të më duhen po aq shpesh e po kaq shumë, ashtu si dhe ndërresat, si buka, si makina, si jastëku ku do të vë kokën e lodhur, si letra ku do të shkruaj, si uji që do të pi në ato vise ku do të shkoj??? Po këngët, ninullat, shkronjat e varreve ku prehen të afërmit amanetet, lotët e ndarjes, ku t’i vë? Kuu?
Në këtë dialog mërgimtarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia ku ka patur e ka ngulmime shqiptarësh që kanë ardhur e vijnë pafundësisht drejt Amerikës, të duket se të gjithë ata që kanë ardhur e do të vijnë po zbulojnë brigjet e një jete. Ky kod ka një ngjajshmëri. E nuk janë Magelanë kontinentesh bashkëkombasit e mi, nuk janë Kolombë të rinj. Nuk janë Robinsonë që vijnë në një tokë pa njerëz për të ndërtuar një kasolle tipike robinsoniane. Jo, jo, nuk janë eksploratorë spelologë shpellash, kërkues floriri si në Madekaskarin e largët. E megjithatë tek nisin jetën në një truall të largët, janë pak nga të gjithë këta kërkues brigjesh, kërkues jete. E secili kështu kërkon brigjet e jetës së vet me një vend të dukshëm e të padukshëm brenda vetes jo thjesht për të mbijetuar (edhe kjo ka qenë dikur një pjesë e jetës së shqiptarit në një vend të tillë,) por edhe me dëshirën e mirë e të përheshm për t’u përfshirë sa më shpejt e sa më mirë në këtë jetë që lëviz me akrepa që nuk mbeten asnjëherë, që ecën në një rrugë ku asnjëherë nuk fiken semaforët. e që më vonë mund të të ngatërrojnë keqaz udhën drejt së nesërmes.

Kur takon shqiptarët në këto ditë, diku në avionët që vijnë e ikin si pikat e shiut nga aeroporti i Bostonit, e ndjen pranë se të gjithë, në mënyrën e tyre, kërkojnë brigjet e jetës që do të jetojnë këtu. Qoftë edhe për një perudhë kur në vizën e tyre shënohet fjala “Vizitor”. Herë të trishtuar për atë që kanë lënë pas, për atë që i pret, herë entuziastë për atë që duan të arrijnë ata sot janë një pjesë e pazëvendësueshme e realitetit të ri amerikan. Dhe celularët e telefonat nuk pushojnë.
Madje kanë qenë të tillë që në vitet e para të shekullit XX. Filip Basha një shqiptar i moshuar që takuam në këto ditë në Boston, në shtëpinë e Mark Kozmos që është njëkohosisht edhe kryetar i Komunitetit Shqiptar të Bostonit e të rrethinave të tij, na tregoi për ardhjen e babait të tij në vitet e para të shekullit XX.
-Niseshin nga Korça e shkonin me këmbë deri në Manastir. Atje i prisnin vagonët e dekovilit për t’i dërguar në Selanik. Vaporë të mbushur dingas me njerëz kryesisht të rinj, deri edhe 15-16 vjeç nisnin aventurën drejt Amerikës. Ndalonin pas shumë kohësh në Mançester të Anglisë e më vonë vinin në Njy Jork. Atje ata merrrnin udhët e Veriut të Amerikës me trena. Zgjaste ky udhëtim edhe tre muaj. Në rrugë edhe mund të vdisnin si ndodhi me një djalë 16-vjeçar nga fshatrat e Korçës. Nëse ndonjë ishte i sëmurë në kohën e qëndrimit njëmujor në Njy Jork, ata i kthenin nga kishin ardhur. 6 muaj duhet të kalonin që të merrnin vesh familjarët se si kishte shkuar rruga. A mbërritën gjallë apo jo. Këtë gjë e sheh aq mirë në Muzeun e Emigracionit të Amerikës që është në Njy Jork ku flitet edhe për emigracionin shqiptar.
****
Ka kohë që Bostoni nuk mund të quhet më “kryeqyteti i shqiptarëve të Amerikës.” Gjithësesi vazhdon të jetë në maja të larta. Është e vërtetë që Kisha e Shën Gjergjit ku ka shërbyer për shumë vite Fan Noli e që ka patur një aktivitet të shumtë patriotik për identitetin e shqiptarëve të Amerikës e më gjërë vazhdon të jetë një stimulim shpirtëror për secilin shqiptar që jeton e punon në këtë qytet të madh të kulturës amerikane apo edhe në qytetet e tjerë më të vegjël që janë shumë afër tij dhe në pamjen e parë e ke të vështirë që të ndash kufinjtë e tyre. Këtë status “kryeqyteti” e kanë sot edhe Detroiti, Çikagoja dhe Njy Jorku.
Mark Kozmo është tani Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-amerikane “Besa” në shtetin e Masaçusesit ku Bostoni është qendra e këtij shteti. Në një shkrim të tij të botuar në gazetën “Dielli”, që botohet në Njy Jork dhe që është organ i Federatës “Vatra”
bën një paraqitje të aktiviteteve dhe të jetës së shqiptarëve në këtë shtet. Këto ditë të qëndrimit tonë njëmujor në Boston patëm fatin që ta takojmë edhe nga afër. Edhe pse ka lindur në Amerikë ai e flet mirë shqipen dhe ka kontakte të shumta me Shqipërinë. E ka vizituar atë dhe thotë se do të shkojë sërish atje. Sipas tij, në këtë shtet janë të paktën rreth 40 000 shqiptarë. Një numër që sa vjen e rritet nga prurjet e reja që bëhen. Kjo Shoqatë është themeluar më 2006. Diku më jepet rasti që të takoj mikun tim të vjetër nga Berati Ymer Velagoshtin që banon familjarisht këtu bashkë me vëllain e tij Emirin që prej 13 vitesh. Në vend që të flisnim për jetën e tij si emigrant, më befasoi me një nismë shumë të bukur që ai kishte marrë të pëktën prej 5 vitesh. Nga një kërkesë rastësore e djalit të tij për t’i përkthyer një poezi të një poeti amerikan, ai gjeti një poezi të poetit shumë të njohur nga Bostoni Edgra Poe. Si duket, zjarri i përkthimit kishte vetëm pak hi. Ai e gjeti librin më të mirë të këtij poeti tashmë për ta përkthyer të tërin. Këto ditë e kishte bërë gati për ta botuar. Një nismë e bukur jo vetëm për të, por edhe për Bostonin që poeti i tyre po njihet i plotë edhe në gjuhën shqipe.
-Që kur isha i ri,-na thotë Ymeri,-i mbaja mend përmendësh poezitë e poetit të madh Edgar Poe “Korbi” dhe “Anabela” të përkthyera mjeshtërisht nga Noli ( vazhdon që t’i thotë përmendësh edhe tani në truallin që e rriti dhe që e mban këtë poet). Si përkthyes, unë jam nxënës i Nolit dhe nuk e mendoja atëherë që të do të bëja një gjë të tillë duke e çuar edhe më tej punën e tij. Poeti Edgar Po është mirë që t’i jepet i plotë lexuesit shqiptar,
Ai na përmend se punës së përkthimit i është futur edhe nga tradita e qytetit të tij Beratit, që ka nxjerrë përkthyes me përmasa ballkanike e më gjërë si Vexhi Buharaja dhe Jusuf Vrioni. Bashkë me këtë poet ai ka mbaruar dhe librin me poezi të Xheladin Rumiut. Bashkë me të takojmë edhe një përkthyes të njohur Agim Dëshnica, me origjinë nga Berati që na dhuron edhe librin e tij me poezi e tregime “Përmallimi” ku ka shkruar edhe për Bostonin. Në bisedë na futet edhe një miku ynë i përbashkët Pjetër Jaku që punon me aq përkushtim për kulturën tonë në Detroit.
Në Bibliotekën Qëndrore të Bostonit të ndërtuar qysh në kohën e mbretërve anglezë ka edhe shumë studentë dhe të moshuar nga Shqipëria. Në muret e jashtme të saj janë gdhendur emrat e poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve më të shquar të botës Në këtë masë prej mijëra shqiptarësh që bëjnë jetën e tyre në këtë qytet e ke të vështirë që t’i takosh të gjithë e të flasësh me ta për hallet e gazet. Por një gjë është e sigurtë që jo vetëm para viteve 90, por edhe tani, shqiptarët janë treguar të zotë për të ngritur biznesin e tyre apo edhe me krijimtarinë e tyre letrare dhe intelektuale. Akoma edhe sot pas 100 e ca vitesh, diku pranë oqeanit qëndron madhështore mrekullisht lokali i Antoni Athanasit. Një lokal që është sot më i frekuentuari jo vetëm për shqiptarët, por edhe për banorët e pasur të Bostonit.
Që në hyrje të tij të duket një çast se je në një Muze të bukur, tërheqës. Në muret e tij të përshëndet ngrohtësisht Antoni Athanasi që është ndarë nga jeta vetëm para disa vitesh. Më tej shohim personalitetet më të larta të politikës, artit, bankierë, ndërtues të Bostonit, guvernatorë, ushtarakë nga më të lartët në hierarkinë e ushtrisë amerikane që kanë dalë fotografi me të dhe me djemtë dhe kanë qenë mik të këtij lokali. Këtu takuam edhe kuzhinierin e talentuar beratas Shpëtim Kadiu që ka vite që shërben në të. Secila prej fotove ka diçiturën dhe ka një histori më vete. Në këtë lokal shumë të bukur kanë filluar që të bëjnë edhe shqiptarët dasmat e tyre si ka ndodhur para disa muajsh kur koroegrafi dhe udhëheqësi artistik i grupit Folklorik “Bashkimi Danc” Bashkim Braho, me origjinë nga Çamëria bëri dasmën e djalit të tij, Donaldit. Akoma ai nuk e ka të shlyer emocionin e Festivalit të parë Folklorik Shqiptar në Boston ku morën pjesë artsitë popullorë shqiptarë nga e gjithë Amerika. Në qendër të Bostoni prej disa kohësh është hapur edhe një lokal tjetër shumë luksoz “Vlora” ku është pronar një shqi[ptar. Është një lokal shumë i preferuar për vendasit. Nuk bëhet fjala për ato dhjetra piceri ku shqiptarët duket se janë të plotfuqishëm në këtë punë. Në lokalin “Arbëri”, me një mjedis shumë shqiptar ku të binte në sy një pikturë e besëlidhjes së Skënderbeut shërbenin dy vlonjatë. Këtu na u dha rasti që me vajzën time, Laura, që ka disa vite në Boston, me Pollin e me Markun të shijojmë kuzhinën shqiptare duke parë njëkohosisht mes zhurmës së bukur të lokaleve shqiptarë një nga ndeshjet e kampionatit botëror të futbollit. Atje takuam edhe dy shqiptarë nga Gramshi Nefail Hoxhën e dhëndërrin e tij, Fetain. Çdo pasdite shkonin në këtë lokal për t’u shlodhur e për të biseduar me miq të ndryshëm nga Shqipëria.
Në Kuinc një djalë i kulturuar si Dritan Korça shërben në një Agjensi Udhëtimesh dhe është gjithmonë në shërbim të shqiptarëve që vijnë e ikin nga ky vend. Bostoni mund të quhet me plot gojë “Qyteti i Muzeve, i Monumenteve, i Librave dhe i Presidentëve”
Edhe në Boston shikon një ndarje të zonave ku banojnë shqiptarët. Një ndarje që në disa raste edhe është pasuruar. Kështu korçarët që përbëjnë që nga emigrantët e parë e deri mban numrin më të madh të shqiptarëve këtu banojnë kryesisht në South Boston. Në Forset Hill banojnë kryesisht fierakë, lushnjarë dhe beratas. Universitetin e njohur në të gjithë botën të Harvardit që patëm fatin ta shikonim edhe më nga afër e kanë mbaruar shumë shqiptarë që sot janë në majë të politikës dhe ekonomisë shqiptare, por edhe në Amerikë.
Meqë na u dha rasti do të jepnim mendimin që në një nga Universitetet e shumta të Bostonit duhet të hapet një Katedër e Gjuhës Shqipe. Kuadrot asnjëherë nuk kanë munguar për këtë gjë, por duket se problemet financiare dhe organizative janë pengesë.
Edhe problemi i një shkolle për fëmijët shqiptarë të Bostonit prej vitesh nuk ka një zgjdhje të mire. Ajo herë hapet e herë mbyllet. Në Kishë ka një shkollë të tillë që prej 10 vitesh ku nxënësit mësojnë shkrim e këndim, por kjo nuk mjafton. Një gazetë për shqiptarët e Bostonit kërkohet shumë. Flitet shumë herë për të. Ka shumë gazetarë që mund ta mbajnë, por nuk është hapur akoma për arsye financiare. Madje mësuam se probleme të tilla kishin edhe vetë gazetat e Bostonit që kanë një traditë të madhe në gazeterinë amerikane.
Duket se hallet e përditshme të jetës për të siguruar sa më shumë të mira materiale e kanë lënë këtë gjë në plan të dytë. Më të lumtur janë fëmjët që kanë në shtëpi gjyshe ose gjyshër që kanë bërë të mundur shkrimin e shqipes për ta.
Me rastin e 100-vjetorit të Kishës Ortodokse Shqiptare në këtë qytet mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë zoti zoti Bamir Topi. Pando Lakua që është në profesion inxhinier na tregon se e ka shoqëruar për tre ditë Presidentin dhe na tregon për mbresat e mira që ai mori nga ky qytet. Vetë Pandua ose Polli, si e quajnë shkurt, është me origjinë nga Korça e ka patur këtu gjyshin, babain. Është brezi i tretë i emigrantëve shqiptarë. Në muret e kishës së Shën Gjergjit shohim gjyshin e tij si një nga krijuesit e Federatës “Vatra” Në këtë kishë që do ta kishte zili edhe një Muze i vërtetë në Shqipëri, gjejmë sa e sa relike, sa e sa fotografi që tregojnë për jetën e shqiptarëve në Boston. Në tre prej tyre shohim disa piknike që bënin këtu me qindra shqiptarë në festat e Flamurit e në festa të tjera në vitet 1926, 1927 e më vonë
***
Nuk mund të largoheshim nga Bostoni natyrisht me mendimin për të ardhur sa më shpejt mes vëllezërve të një gjuhe pa shkuar në varret ku prehen edhe shumë shqiptarë. Një qytet që ka në varrezat e tij njerëz të shquar të kombit tonë si ato të Fan Nolit, por edhe shqiptarë të thjeshtë. Të emocionon ai varr i thjeshtë mes shqiptarëve të tjerë kryesisht të para viteve 90 që janë varrosur këtu. Në të dy anët e atij basorelievi të thjeshtë shohim grurë që është simboli i begatisë njerëzore dhe në anën tjetër një vesh rrushi që është simboli i punës që bën njeriu në shërbim të të tjerëve. Kur e pyesim At Liolinin për një gjë të tillë, ai na tregon se që në ditet e para të ndarjes nga jeta në Këshillin e Kishës së Shën Gjergjit u bisedua gjatë për të bërë një varr madhështor, ashtu si ishte edhe vepra e tij patrotike, politike, intelektuale dhe kishtare
-Të gjithë ne ishim dëshmitarë të një jete shumë të thjeshtë që bënte Noli. Ai nuk kishte makinë dhe shofer, edhe pse i takonin sipas detyrës që kishte. Nuk kishte shtëpi luksoze, por vetëm një apartament të thjeshtë. Vinte në kishë me tren edhe kur ishte borë e madhe. Megjithëse i takonte të kishte 12 palë kostume si Peshkop, ai kishte vetëm dy dhe me njërin prej tyre, më të mirin edhe u varros. Banonte në një rrugë ku kishte përballë Bibliotekën e Bostonit. Bariste shpesh me sandale. Kishte një tavolinë të thjeshtë në shtëpi që ne e kemi marrë si relike në kishën e Shën Gjergjit. Shpesh ai na thoshte: “Më kujtoni nga librat e mi!” Në këtë kohë iu mor mendimi edhe sekretares së tij. Mendimi ishte i njëzëshëm. Nëse miqtë e tij nga e gjithë Amerika, sidomos ata të Bostonit, do të bënin një varr madhështor ai do të ndahej nga shqiptarët e thjeshtë. Do të qëndronte mes milionerëve amerikanë, mes njerëzve të shquar të Bostonit, por njerëzit që do të vinin këtu nuk do të kishin mundësi që të lexonin edhe emrat e shqiptarëve të tjerë të thjeshtë dhe ai nuk do të quhej pas vdekjes “Peshkopi i popullit“ si quhej kur ishte gjallë.

***
Bostoni ka edhe poezinë e vet. Nuk është rastësi që poetët më të mëdhenj amerikanë si Longfello, Edgra Po dhe Uollt Uitmani janë nga Bostoni dhe prehen në varrezat e këtij qyteti. Është një qytet-poezi që të bën të meditosh edhe më shumë për të nesërmen e tij, për të nesërmen e të gjithë shqipfolësve në këtë vend. Në këtë qytet është e vështirë që të mos shijosh atë aromë të fresktët shqiptarie, për të cilën secili emigrant në të gjithë botën ka e do të ketë nevojë. Në dangdanget kaq paqësore të këmbanave që derdhen në qiellin bostonian të duket se dëgjon një meshë të Nolit edhe për lirinë e Kosovës dhë për Çamërinë e Endrrrës së Madhe. Këtu Konica të kujton urtinë e heshtjes para marrisë së dhimbshme e peshën e fjalës tënde ta vësh në kandar pa peshën e prangave që dikur na i dha në të gjithë ditët e jetës sonë që kalonim.. Të hipën një trill që të marrësh një grusht dhe e të mbjellësh në tokën e të parëve fidanë buzëqeshjesh. Të shkarkosh një torbë ëndrrash nga supet e lodhur e të kërusur që u tretën aq klithshëm, e të nisësh për të mos mbaruar kurrë fjalët e një kënge në një buzë që s’do të jetë më e mpirë…


Namik Selmani:Brigjet e një jete-Reportazh nga Bostoni Boston
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi