Shkruajtën për librin e Skënder Buçpapajt "Frika nga atdheu"!
Faqja 1 e 1
Shkruajtën për librin e Skënder Buçpapajt "Frika nga atdheu"!
RRUKË, MRRUKË, NDRRUKË…
( Libri i Skënder Buçpapajt, „Frikë nga atdheu“ është një thirrje hyjnore e mbijetesës poetike e cila është e nevojshme në kohën tonë më shumë se kurrë, për të mbajtur gjallë diellin në vargjet tona. Shkrimtari, publicisti dhe eseisti Skënder Buçpapaj është vendali i Tropojës epike. Ai ia njeh nga afër zemrën Shqipërisë, dhe frymën e ajrit që Shqipëria e konsumon. Buçpapaj një disident malsor nga gjigantet e alpeve shqiptare, ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë!..) Nuk jam as Platoni as Jezui, por një shkrimtar që do udhën për tek nëna, tek gjiri i saj, tek jeta e saj, tek Gjylë Buçpapaj. Me këtë parathënie poetike hapet libri i shkrimtarit, Skënder Buçpapajt ”Frikë nga atdheu”. Brendia e poezisë të Skënder Buçpapajt, është poezi e gjerë, e thellë, me leksik dhe figurë shumë të pasur. Në poezinë „Tamël zanash“, poeti Buçpapaj, na e shfaq gjithë fuqinë e tij poetike, njeriun poetik të truallit tonë. Hënën e marrin nëpër fletët e aheve / dhe e shndërrojnë në tamël zanash / nëpër krojet fund ashté…tamlin e zanave foshnjat e pinë…Vargje vërtet të bukura, të përkryera, perla. Evat e sotme vazhdon poeti, janë të krevatëshme,../ ato e dinë se në parajsë, ai që i ka falë do t´i presë pa asgjë…Libri poetik i Skënder Buçpapajt „Frikë nga atdheu“ është i konceptuar nga shtatë cikle, dhe brenda ka 210 poezi. Gama poetike në poezinë e Skënder Buçpapajt është e gjerë.
Arti poetik i Skënder Buçpapajt është i ngrohtë dhe mbresëlënës. Në poezinë „Ndërsjelltas“ poeti shpërthen si në asnjë pezi tjetër; Tani asnjë rrugë s´duhet të të sjellë te unë/ bëje të pamundurën që asnjëra prej tyre të të mos sjellë te unë / vërtiti nga të duash rrugët / ngatërroi si flokë një vit e më shumë të pakrehura / bëji lëmsh e hidhi në zjarr rrugët / edhe nëse betohesh se të gjitha të sjellin te unë / bëj të pabërën, shpik të pamundurën…/ vdis, zhvdis, jeto, çjerto / Mos shkel në asnjëren prej tyre / Të bëhem unë dëshmitar …Në këtë poezi himn, poeti Buçpapaj, tregon se është gjigand në letërsinë tonë të bukur. Disa nga poezitë e Skënder Buçpapajt mund të quhen rrëfenja, rrëfenja poetike model. Në kohën tonë poezisë nuk po i shkojnë punët dhe aq mirë. Ajo here-herë qan, i dalin lot. Tyrifilët, ata që e zgjyrin fjalën e shenjtë të poezisë, e ndotin me gjithfarë baltërash, ata janë bijtë e mjegullave të palara,.. Rrukë, Mrrukë, dhe Ndrrukë…Poezia e Skënder Buçpapajt është poezi e mirëfilltë, poezi e cilësisë së lartë, poezi e idesë së luleve. Në poezinë „Rrugës së ashtës“ poeti Buçpapaj na shpie në një ambient të virgjër poetik. Rrugës së ashtës / kam shkuar shpeshherë / pa më vënë re…të takoj… popullin e ashtës,..ketrat, arinjtë, zogjtë, zvarranikët, krimbat.. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është krejt e veçantë nga poetët e tjerë. Duket e thjeshtë, por shumë diell dhe jetë ka brenda. Ndërsa, në poezinë „Guri kalbur“, Buçpapaj bën një gjetje të shkëlqyer, dhe përdorë një figurë krejt të veçantë nga poetët e tjerë. Në fund të kënetës ushqen klorofilën e lëmashqeve / Në zemër i lëshon filiz ëndërra/ ëndërra e shëndërrimit në baltë… Ndryshimi mes idesë së luleve dhe gurit të kalbur është se as lulja dhe as guri nuk kanë as kujtesë, as kohë. Realizimi poetik i autorit këtu është i përkyer. Dramaturgjia poetike e figurave; Rrukë, Mrrukë, Ndrrukë, shkruar nga autori Buçpapaj, është një gjetje nga më të realizuarat në poezinë moderne shqipe. Librin „Frikë nga atdheu“ unë e bleva para pak ditësh në Prishtinë. Dhe jam i befasuar për të mirë me vlerën poetike të librit. Meqenëse librit i kam bërë dy lexime, vlerësimet e mia kanë të bëjnë me një libër vërtetë të arritur. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është nga më befasueset. Në poezinë, “ Nëpër fletët e aheve”, po edhe në poezi të tjera, poeti ka zgjedhur një ambient të paprekur poetikisht. Askund më të kulluar / se në fletët e aheve / agimin nuk mund ta kemi / prandaj, kullojeni nën kullojsen / e fletëve të aheve… Kjo ese është një ftesë për të hyrë në brendësi të librit, në brendësi të shpirtit të poetit. Z. Skënder Buçpapaj, urime për këtë libër të arrirë. Presim edhe poezi të tjera nga ty. Shëndet e jetë të gjatë!
Rrustem Geci – Dortmund
---------------------------
Nga ÇERÇIZ LOLOÇI
SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT "Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë Shqipe"
"Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe."
Këtu e një vit më parë shtëpia botuese "Nacional" publikoi librin më të ri të poetit, publicistit dhe estetit Skënder Buçpapaj "Frika nga atdheu" që duhet thënë se e plotëson më mirë individualitetin e këtij autori të njohur brenda dhe jashtë vendit, si dhe sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe. I konceptuar në shtatë cikle: "Agon nata", "Rima", "Shkumbini", "Ritme", "Frika nga atdheu", "Moj e mira" dhe "Cikël më vete" si dhe duke përdorur në vend të hyrjes një përgjëratë për të ndjerën nënë, Buçpapaj rivjen para lexuesit, më i plotë, me shumësi motivesh dhe më një formë artistike që rrallë gjendet në autorë të tjerë shqiptarë. Megjithëse nga një trevë e rëndësishme ku nuk mungojnë emra të tjerë të spikatur të prozës dhe të poezisë shqipe, Bupapaj bën kujdes të mos përsëris askënd dhe të depërtojë atje ku nuk shkojnë kolegët e tij të kësaj zone apo edhe të krejt viseve shqiptare. Pavarësisht se çdo cikël në këtë vëllim prej treqind faqesh, mund të rrijë edhe si libër më vete, autori duket sikur ka pasur një ngutje për të trajtuar tema të mëdha e të vogla, për të qenë më përfaqësues dhe në gjithsecilën prej tyre të japë një mesazh poetik.
Autori ka preferuar ta çelë këtë vëllim me një poezi për nënën, por kushdo që e lexon sa ç’mëson për humbjen e një njeriu të çmuar të vetë poetit, aq sjell nëpër mend dhe ikje pa kthim nënash të të tjerëve.
Në 27 maj 2007, ndërroi jetë në Tiranë, kryeqytetin e
Shqipërisë, Gjylë Buçpapaj, nënë, gjyshe, stërgjyshe…
Kështu nis përgjërata për nënën që ka ikur në muajin e luleve dhe ashtu si në lindje, edhe në vdekje shoqërohej nga Zoti e s’bëzanin as zogjtë, insektet, avionët, yjet… Poeti i jep një përmasë kozmike largimit të nënës së tij dhe midis rreshtave nuk ke se si të mos ndjesh edhe kujën. Jo vetëm kjo poezi, por edhe mjaft të tjera të krijojnë ndjesinë e pasaktë se motivet autobiografike zënë vend qëndror në këtë përmbledhje; përpos tyre dha falë titullimit të librit autori do të thotë se atdheu fillon nga secili prej nesh, nëna, babai, vëllezërit, të afërmit; akoma më tej fshati, krahina, zona ku secili më vete dhe bashkë ka përgjegjësinë ndaj tij.
Po aq sa motivet autobiografike, autofamiljare, edhe motivet e mërgimit zënë një vend të gjerë në përmbledhjen e fundit poetike, por Buçpapaj bën kujdes që të jetë sa më origjinal dhe që këtë temë ta shkojë në funksion të atdheut.
Jo vetëm e thjesht nga ky vëllim, por duke parë tërë krijimtarinë e Skënder Buçpapajt, mund të pohohet pa drojë se ai është një krijues i rëndësishëm i letrave shqipe. I mërguar si poetë të tjerë të kahershëm dhe të rinj, kushdo vëren lehtë se motivi shqiptar është i gjithgjendshëm, veçse në këtë botim ka një shumllojshmëri të mjeteve shprehëse, ka më shumë elegancë fjale, çka e bën autorin njësoj të lexueshëm si nga bashkëkombasit e tij ashtu edhe nga europianët e më gjerë.
Nuk ka dyshim se përmbledhja më e re e Skënder Buçpapajt është një lartësim i poezisë shqipe. Autori boton rrallë krijimtari artistike, por, teksa troket me një vëllim të ri, menjëherë do të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të lexuesve me rrëfimet tronditëse që të mbeten gjatë në kujtesë.
Nga Dr.Xhavit Aliçkaj, Dekan i Fakultetit të Letërsisë, Prishtinë
(Skënder Buçpapaj : Frika nga atdheu, poezi, shtëpia botuese ,, Nacional”, Tiranë, 2009)
Pas disa veprave poetike dhe një pune të madhe me një penë të mprehtë në fushën poblicistike, që si duket e ka vokacion, Skënder Buçpapaj, tani para dashamirëve të poezisë, del me një përmbledhje voluminoze vjershash me afro 300 faqe, duke iu ofruar lexuesve pjekurinë poetike dhe mundësinë për të gjetur motive ndër më të ndryshme; pra mundësi për të zgjedhur. Takimin e parë me shkrimet e tij e kam pasur përmes revistës ,, Hylli i Dritës”, numër i posaçëm i vitit 1996, ku del me një artikull në nivel studimi shumë interesant me titull ,, Sovran i letrave tona” , që bënte fjalë për shkrimtarin më të madh të traditës, Gjergj Fishtën. Tani komunikojmë me një përmbledhje poezish, ku e ka shkrirë talentin dhe shpirtin e vet në to, dhe, për më tepër, duke u bërë hero lirik i poezive të veta. Atë e gjejmë, po e përdorim një shprehje popullore, kambë kryq në ato poezi, por semantika e shprehjeve letrare shtrihet më gjerë dhe merr përmasa të përgjitshme, ku individualja bëhet tipike, nga se ato çka i kanë ndodhur poetit, çka i ka përjetuar ai, nuk janë vetëm të tijat.
Numri më i madh i poezive ka të dhëna autobiografike me emër e mbiemër të heroit, Skënder Buçpapaj, dhe me emërtime konkrete të emërvendeve. Prandaj, pa e lexuar fare biografinë e tij, e gjejmë të dhënë në vargje se ka lindur në fshatin Tplan të Tropojës, se ka shërbyer arsimtar në fshatin Berishë, se iu ka dashur për shumë arsye ta braktisë atdheun, të emigrojë dhe t’i përshtatet një jete tjetër, por të mos e harruar asnjwherw vendlindjen. Po para se të vazhdojmë jetën e tij, kujtesën rinore, përjetimet e ndryshme, t’i kthehemi fillimit. Që nga vetë titulli jo i zakonshëm i veprës ,,Frika nga Atdheu”, e përshkuar nëpër damarët e një vargu vargjesh e poezish të tëra, hasim në figurën e kontrastit, e cila poetikisht e bën interesant poezinë, ndërkaq kuptimisht, ndonjëherë, të vë para dilemave. Këtu figura poetike e dhënë në formë kontrasti, ku togfjalëshat poetikë : frika nga atdheu, ikja nga Atdheu, a ikjet e mia nga vendlindja ia kanë zënë vendin dhe frymën asaj që ne jemi mësuar ta dëgjojmë në jetë e në vargje: dashuri ndaj atdheut, ndaj vendlindjes.
Megjithatë lexuesi i vëmendshëm i këtyre poezive do të hetojë se nuk është krejt ashtu, se heroi lirik Skënder Buçpapaj nuk e mohon as e injoron atdheun, se kudo emrin e tij e shkruan me shkronjë të madhe – Atdhe, por nganjëherë mund të ndodhë e t’i plasë zemra! Kësaj përmbledhjeje i prin një shkrim i bukur poetik, kushtuar nënës së vet, Gjylë Buçpapajt, me titullin qendror ,, Udhës për tek nëna”. Është ky shkrim në mes poezisë dhe prozës, ku janë mpleksur shprehjet më të bukura, stili më i ngrohtë, figurat më të qëlluara, nën kulmin e epitetit – Shpirti i Madh. Do ta quaja një lloj Ode për vdekjen e nënës, për veprën e madhërishme të saj, për shpirtin bujar, e cila ishte një besimtare që iu bindej ligjeve të Zotit dhe e pranon vdekjen, por kishte dëshirë që djali i saj të jetë i pavdekshëm.
Tek e fundit le të ketë çfarëdo statusi letrar, as që ka rëndësi, pra le të jetë poezi, prozë poetike, biografi poetike, përkushtim poetik, çfarëdoqoftë, është një shkrim i shkruar me mjeshtëri të rrallë, i shkruar me shpirt, që rrallë haset në veprat tona. Nëna, si nëna, e ka përcjellë kudo në jetë, siç thotë poeti dhe vetë heroi lirik, nga koha si nxënës, ushtar, student dhe më në fund ikanak.
Vetëm duke shpresuar të më takonte mua
Sërish e prapoi vdekjen për vite e vite të tëra.
Dhe kur kuptoi se nuk po shkoja dot te ajo, atëherë vendosi
Të shndërrohej në shpirt për të ardhur tek unë.
Poezitë e Skënder Buçpapajt rrahin dy ambiente frymëzuese dhe krijuese: i pari është vendlindja, gjegjësisht Atdheu. Dhe, i dyti, si mërgimtar jashtë tij, i përballur, si të gjithë mërgimtarët, me jetën më të rëndë. Këndej, në ciklin e poezive, edhe pse të shkapërderdhura, mbi jetën e tij personale përfshihet edhe tema e mërgimit, si një ndër plagët më të rënda kombëtare dhe shoqërore. Një numër i poezive merr frymëzimin nga kujtesa e ditëve të rinisë, nga ambienti i vendlindjes, ku janë përmendur një varg emërvendesh, të cilat i kujton me përmallim si: Hija e Malit të Vaut, Hija e Vallnijave, Hija e Moknit, Dimër në Curraj të Epër, poema e Tplanit, Lugu i Vrellës, Bjeshka e Brahimajve etj. Disa kujtime i lidhen me kohën kur ishte mësues në fshatin malor, Berishë, dhe takimi i mundshëm me ujqër në kohë dimri, me ç’rast ata i afrohen mësuesit me hapa të ngadalësuar, sikur donin ta nderonin atë. Në qoftë se ujqërit e kanë kuptimin e parë, dhe duhet ta kenë se për çudi tregojnë butësi, atëherë kuptimi tjetër mund të jetë ironik, ku më tepër, ndonjëherë, tregon kafsha butësi sesa njeriu!
Po edhe poezia ,, Shëngjergji i Berishës, dikur” është pjesë e biografisë së poetit, e asaj të ditëve të rinisë, kur udhëtonte për të dhënë mësim. Ndërkaq përshkrime e kujtime të çuditshme nga koha e rinisë, si nxënës i shkollës e sjell proza poetike ,, Biblike”, për të vazhduar dikur nëpër vargje ,, A kapello e ujqërve të fëmijërisë sime” ku semantika e fjalës ujk, bart me vete kohët e frikës e të tmerrit, të anktheve e të drojës, ku ulërima e ujqërve i ka ngrirë buzëqeshjet e fëmijëve. Ato ulërima i bëhen heroit se ende po i ushtojnë në vesh. Fëmija mban mend shumë !
Tani në këtë mes motivesh krijohen poezitë gjithnjë me ndjenjat e pasigurisë, por bukuria e artit të poezisë i mposhtë ankthet e jetës, përkundër faktit se :
Futën e natës e kisha në trup veshur
( Lindja e hënës në pyll)
Ishte kohë mjegullnajash politike, ku lehtë mund të zinte kallukanxha ,, Saga e Kallukanxhës” ku :
Mjegullat s’të lënë të shohësh
As gishtin që të futet në sy
Duke e përcjellë jetën e vërtetë në këso rrethanash, poeti e përshkruan natën si kohë ku ndodhin veprat më të liga të njeriut. Poezia ,, Zoti e krijoi natën” ka kuptime shumështresore, por që kuptohen lehtë :
(Zoti) nuk kishte parashikuar
Që njeriu
Ta shpërdorte natën
Dhe si rezultat i gjithë kësaj jete të druajtur, jete e pajetuar, nisin hapat për të gjetur qetësi diku tjetër, jetë çfarëdoqoftë, por jashtë atdheut dhe për heroin e poezive nisin ikjet. Kështu u krijua poezia ,, Ikjet e mia nga vendlindja”, që është poezi që përmban thelbin e përmbajtjes së veprës, që shumësi i fjalës ikje, ka si nëntekst përpjekjet e disahershme për të ikur, ose lëvizjet e poetit edhe brenda atdheut. Prandaj kjo poezi, së bashku me poezinë ,, Frika nga Atdheu’’ , me kuptime metaforike të mveshura me ironi, e përthekojnë përmbajtjen e veprës. Janë si një shfryerje e mllefit të poetit . Ikjet asnjëherë nuk bëhen me dëshirë, as me kohë të mirë, por në kohë të pakohë, shi e borë, por më e rënda për poetin paska qenë kjo :
Kam ikur duke i lënë të gjithë në gjumë !
Tani fillon akti i tretë i përjetimeve që te lexuesi zgjon ndjenja dhembshurie, por edhe kënaqësie sepse ato janë gdhendur bukur në vargje. Tani poeti ,, i frikësuar “ nga atdheu, detyrohet t’i përshtatet një jete tjetër prej emigranti, këndej poezia që e emërton edhe veprën ,, Frika nga Atdheu” buron nga ndjenjat e poetit larg atdheut, që sipas mendimit tim, është ndër poezitë më të veçanta me këtë motiv. Ndonëse poeti i sjell pëjetimet e veta, mendimet dhe shqetësimet shpirtërore, ai më vete bart jetën e të gjithë mërgimtarëve, të cilët, kush e di për sa arsye, e kanë lënë atdheun e tyre e tani nuk kanë ku të kthehen se vërtet i frikësohen asaj jete :
Nëpër udhët dhe udhëkryqet e botës
Shpesh emigrantët
I përplasin këpucët
Se mos iu është ngjitur Atdheu
ose ;
Se mos në oborr
Iu shfaqet Atdheu
Që ka ardhur të kërkojë strehim
Nëpër botë.
E keqja sikur iu ka bërë bisht dhe i shkon mbas e nuk i ndahet poetit as të tjerëve. Kjo e keqe e simbolizuar përmes korbit, që shpeshherë përmendet në vargjet e poetit i bën ,, shoqëri” kudo :
Korba lashë atje
Korba gjeta këtu
Në poezinë me një titull të gjatë, një shprehje e veçantë e poetit edhe për poezi të tjera ,, Udhët e botës fillojnë të gjitha në kodër të Tplanit” vërejmë një dukuri tjetër psikologjike : ndryshimin e emocioneve, të cilat një ditë, në dhe të huaj, edhe mund të shterren, megjithëse, në poezi, ngjallin ndjenja të tjera:
Emocionet
Si lëngjet e jetës pemën
E braktisin njeriun
Në dhe të huaj jo vetëm jeta, por edhe vdekja ka tjetër pamje dhe tjetër kuptim; është vdekje e ftoftë dhe më prekëse se ato në vendlindje; vdekje ku dallohen të vdekurit :
Udhëtar
Varri i mërgimtarit dallohet lehtë
Nga ferrat, kashtrojat, hithrat
Sipër tij
(Varri i mërgimtarit në dhe të huaj)
Në rrethin e këtyre poezive me elemente autobiografike, gjithnjë edhe të mërgimit hyjnë edhe ato më personalet kushtuar E. B-ës, që nuk është e vështirë të dihet se kush është. Tani heroi lirik Skënder Buçpapaj bëhet personazh i shpërfolur, se e ka kapluar harresa, se iu kanë shlyer ndjenjat e të tjera që e ngarkonin jetën e E.B-ës dhe kur këto thuhen se largu krijojnë ndjenjën e dyshimit, e sidomos e përfolura e hidhur e dhënë me një varg shumë të fuqishëm e me figurën e hipërbolës:
Një lëndinë pushon sipër tij !
ose, me emër e mbiemër të heroit lirik :
Ta paskan thënë Skënder Buçpapaj s’vjen më!
Këto vargje të bukura, por të dhembshme na kujtojnë poetin Azem Shkreli, i cili kur shkruan për mërgimtarët thotë :
Kur shkojnë tanët
Binarët i marrin me vete
Mirëpo nuk doli siç patën thënë gojëkëqinjtë se heroi është hero, e bën edhe të pamundshmën, Skënder Buçpapaj kthehet në frymëmarrjen e E.B-së, duke i thurrur vargjet më të bukura për të dhe duke i mbështjellë me simbole e epitete të bukura:
Hënë e madhe, hënë e gjallë.
Kur thamë dikur më lart se heroi i poezive, që është vetë autori, ka frikë nga atdheu, e ne që kemi jetuar me të dhe me kohën e tij e kuptojmë dhe e arsyetojmë, kishim të drejtë. Me zemër të plasur njeriu mund të shprehë mllefin ndaj çdo kujt, mund të flasë e të shkruajë, por zemra e vërtetë e poetit nuk mund të rrëzojë gur mbi atdheun, të cilin gjithnjë e shkruan me shkronjë të madhe. Se Skënder Buçpapaj, me emër e mbiemër në poezi, mësuesi në Ibërhasaj të Gashit, me gjithë përplasjet nëpër botë, shqetësime e zhgënjime, me lëvizje ndjenjash nuk do t’i lërë gjithmonë në pritje plepat vet!
Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës
Do të rikthehet përsëri te plepat e vet
( Plepat)
Poeti, Skënder Buçpapaj, shpirtin, qetësnë, dashurinë i lidh me atdhe, prandaj edhe u bie mohit disa vargjeve që dora ia ka qitur në letër, ndërsa zemra jo dhe shkruan :
Sa plisa, gurë, bimë e zemra
Aq urime të bardha qofshin
Për ju që ende frymoni në vendin tim
Bukë, vaj, verë, qoftë për ju.
Poezinë e Skënder Buçpapajt e karakterizojnë edhe motive të tjera, të cilat e begatojnë aspektin artistik dhe veprën e bëjnë më tërheqëse dhe më të pëlqyer për lexuesit. Ndër këto poezi, në fillim, do të veçoja ato që mund të quhen përshkruese, që janë karakterizuar me ngjyrime të bukura dhe që kanë të bëjnë me ambientin ku është rritur poeti.
Një e tillë është ,, Spektër nate” ku gjithnjë si vend i adhuruar na del pylli :
Drita që lëshon pylli natën
Ka dritën e gjumit të zogjve
Drita që lëshon lumi natën
Ka ngjyrën e gjumit të peshqve
ose
Dielli del prapa malit
Si marimanga pëlhurën e vet
End rrezet e veta
Për t’i zënë pritë
Ditës së re
(Dielli si marimangë)
Në leksikun e tij poetik shumë natyrshëm hyjnë fjalët : florë e zbutur, era në lule, krojet, kujtesa e lumit, poezi për barin, që pos ndonjë ngarkese figurative të fshehur, kanë më tepër karakter përshkrues.
Po në gjithë këtë libër prej afro 300 faqesh autori ka mundur të bëjë edhe lojë me vargje me ngarkesë satirike, në mbështetje të artit popullor dhe të vërë tituj poezish marrë drejtpërdrejt nga poezia popullore, se ndoshta ia kujtojnë kohën e fëmijërisë e të djalërisë.
Në të parat, ndonjëherë e vë në lojë edhe jetën politike, pikërisht të shqiptarëve, të cilët asnjëherë nuk ndihen të kënaqur me pushtetarët e vet. Kështu poezia ,, Rima “ ndërtohet si një lojë fjalësh, ndërkaq poezia ,, Alushani, Balushani, Këmbëkanjusha, Qafëqurani” ka ngarkesë satirike, me theks të veçantë për jetën politike:
Demokracia s’është vetëm ha e pi e rri e , i – e, i –ëhë
Demokracia ka fut mbrapje, ka ndërskamca, ka skërbishte .
Këtu përmes Qafëquranit dhe Këmbëkanjushës vëhet në lojë e tërë politika e ditëve tona, sepse ata nuk kursejnë fjalë për ta njollosur, ofenduar e përqeshur njëri-tjetrin.
Je qyqan, vreman, shkulan, belban, shtramban, katran i zi
Ta dish mirë tha Balushani, bën partia edhe pa ty !
Ndërkaq në poezitë me tituj të këngëve popullore që nisin me ciklin ,, Moj e mira” si : Në ato kodra dhentë i lëshova, moj e mira në ortek të borës, moj e mira në hije të blinit, moj e mira te mulliri, e të tjera, pavarësisht se kujt i kushtohen, na e përkujtojnë kohën e rinisë, të dashurisë së pastër, ambientin e virgjër të rrafshit e të bjeshkës.
Por siç thamë, autori e shkruan ndonjë poezi në formë kaligrami për efekte të caktuara, sidomos me ato pamore. Ndër to mund ta përmendim poezinë ,, Fjala- Fjalës” që paraqet, sipas mendimit tim një bark të fryrë gati për pëlcitje.
Fjala
Fjalës
Janë
Hy
Në
Shamatë
Shamatë
Në
Hy
Janë
Fjala
Fjalës
Dhe vërtetë ajo që të fryen e të bën të pëlcasësh është fjala ; fjala e rëndë, e keqe, e pavërtetë. Le të jetë një formë e shpjegimit.
Një lloj kaligrami është edhe poezia , MATA NASA JKULLE” që mendoj se me një ndryshim shkronjash del titull logjik – Matanë asaj kulle. Të tilla janë edhe poezitë,,Ushtrim” dhe ,,Tha “
Karakteristika të tjera artistike e gjuhësore në poezinë e tij janë, së pari përdorimi i titujve të shumë poezive në formë fjalish apo periudhash:
Më pëlqen ta dëgjoj heshtjen e pyllit , pylli nuk duron prishje qetësie, Detet, Oqeantet kanë frikë se mos shkon lumi t’i përpijë etj. Së dyti, përdorimi i kompozitave : bishtgjatët, gojëmbyllurit, sygacët etj. Së treti përdorimi i kontrasteve: bryma – si shkrumb lulesh, bora- thëngjill i djegur, ose vargjet: mjer unë i lumi, Lum unë i mjeri ; Hyr o shpirt e dil o shpirt, Dil o shpirt e hyr o shpirt.
Përkrah shumë figurave poetike, si metafora e shpeshtë, epiteti, simboli, me një mjeshtëri të rrallë ka përdorur figurën e aliteracionit, që mund të merret shembull tipik për ta ilustruar në aspektin teorik, funksionin efektiv të bashkëtingëlloreve. Këtë figurë e ka përdorur me vargje të tëra në poezinë ,, Mnera të merr syni me i pa “ .
Errit e territ pusit të territ, sterrës së pusterrit
Spirrës e spirrës së zgripës rribës së Aprripës
Sorra ngranatorrë korri në oborr morrin qorr
Për fund mund të themi se në përmbledhjen poetike ,, Frika nga Atdheu” Të Skënder Buçpapajt, ky ka poezi nga më të ndryshmet, shkruan në frymën moderne, sado që ngjarjet na duken krejt reale, me emra të njohur, me toponime të njohura, ato iu kanë nënshtruar një frymëzimi karakteristik, të veçantë dhe një dore të sigurt artistike.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi