Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë

Shko poshtë

Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë Empty Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 26, 2012 11:50 am

Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë


Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë Armstrong25gu
Neil Armstrong, i njohur në historinë e njerëzimit si njeriu i parë që shkeli në Hënë, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës në moshën 82-vjeçare.

Agjensia e Lajmeve “Reuters” informoi se ish-austronauti pësoi një infarkt dhe ndërroi jetë disa minuta më pas në një spital ku ai ishte shtruar pas një operacioni “by-pass” në zemër.

Si komandant i “Apollo 11”, Armstrong ishte njeriu i parë në historinë e njerëzimit që hodhi hapa në një trup qiellor jashtë planetit tonë.

Ndërron jetë Armstrong, njeriu i parë në Hënë 2585860598
Ai shkeli në Hënë në datën 20 korrik 1969, ndjekur nga austronauti Edwin “Buzz” Aldrin, në një shëtitje që zgjati për tre orë.


Gjatë misionit historik, ndërsa komunikoi realizimin me sukses të misionit, Armstrong shqiptoi frazën legjendare, “ky është një hap i vogël për mua, por një hap gjigant për njerëzimin”.

Deri më sot, asnjë planet apo trup tjetër qiellor nuk është mbërritur nga njeriu.

Armstrong ishte mbajtës i Medaljes së Artë të Kongresit, nderimit më të lartë civil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kush ishte Neil Armstrong?

I lindur në Uapakoneta të Ohajos, nga prindër me prejardhje gjermane dhe irlandezo-skoceze, Armstrong u shkëput për herë të parë nga Toka në moshën 6-vjeçare, në 20 korrik 1936, kur babai i tij e mori në një shëtitje me një avion 2-vendësh.

Më vonë, austronauti do të kujtonte se që nga ai moment, ai ra në dashuri me qiejt, të cilëve u dedikoi jetën.

Në moshën 19-vjeçare, në vitin 1949, Neil realizoi një kurs 18-mujor për drejtimin e avionëve ushtarakë, kohë gjatë së cilës u kualifikua për uljet në aeroplanmbajtëse.

Ndër vitet 1951-52, Armstrong shërbeu si pilot gjatë Luftës së Koresë, duke realizuar me gjuajtësin e tij një total prej 78 misionesh, për të cilat mori disa vlerësime shtetërore dhe titullin e togerit.

Pas përfundimit të universitetit për inxhinjeri aeronautike në vitin 1955, Armstrong mbrojti një master shkencor në të njëjtën fushë gjashtë vjet më vonë.

Pas disa vitesh si pilot testues të modeleve të ndryshme ushtarake, Neil u përfshi për herë të parë në një projekt hapësinor në vitin 1962, si pjesë e grupit të punës së ndërtimit dhe testimit të një avioni të ri të avancuar shkencor për qëllime ushtarake.

Pasi u rekrutua dhe u kualifikua nga NASA, në vitin 1965, si pjesë e misionit “Gemini 8”, Armstrong udhëtoi për herë të parë jashtë atmosferës së Tokës, si drejtues i mjetit që mbërriti në orbitën e planetit tonë.

Pas një udhëtimi të dytë në misionin “Gemini 11”, Armstrong u përzgjodh në misionet “Apollo” në vitin 1967, por u bë kapiten i “Apollo 11” vetëm pasi kapiteni i përcaktuar për këtë udhëtim, Deke Slayton vendosi të tërhiqej.

Pavarësisht dështimit të disa misioneve të mëparshme “Apollo”, që kishin kushtuar jetën e disa austronautëve, Armstrong pranoi të udhëhiqte “Apollo 11”, që do ta përjetësonte emrin e tij në librat e historisë si njeriu i parë që mbërriti në Hënë.

Megjithatë, pas suksesit të arritur dhe kthimit triumfal në Tokë, Neil vendosi t’i dedikohej karrierës akademike, duke u tërhequr nga NASA në vitin 1971, për të nisur mësimdhënien në Universitetin e Sinsinatit për degën e inxhinjerisë hapësinore, detyrë që mbajti deri në vitin 1979.

Si një prej figurave më autoritare brenda NASA-s, ai ishte pjesë e komisioneve hetimore të incidenteve të ndodhura me misionet “Apollo 13” dhe “Challenger”, në vitin 1986, ndërsa deri në fund të jetës, Armstrong u shndërrua gjithashtu në sipërmarrës, nëpërmjet disa aktiviteve të ndryshme në të cilat bashkëpunoi.

Armstrong, i cili mbushi 82 vjeç në 5 gusht 2012, realizoi një operacion në zemër dy ditë më pas, por pavarësisht kësaj, pësoi një goditje fatale gjatë mbrëmjes së 25 gushtit.

Njeriu i parë që shkeli në Hënë dhe autori i shprehjes legjendare “ky është një hap i vogël për mua dhe një hap i madh për njerëzimin”, Armstrong lë pas tre fëmijë dhe një emër të përjetëshëm në librat e historisë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi