Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!

Shko poshtë

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Empty Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!

Mesazh nga Agim Gashi Sun Sep 23, 2012 8:01 pm

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!



Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! MarjanSebaj-Sopi

Përse presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani e zgjodhi pikërisht fshatin Binçë (Komuna e Vitisë - Kosovë) kohë më parë për ta vizituar?

Shkruan Marjan Sebaj-SOPI

Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Është ndër fshatrat më të lashtë të Anës së Moravës. Dhe këtë famulli që nga vizita e shenjtë e së Lumës Nënë Terezë vitin 1979., më pas e deri në ditët e sotme e kanë vizituar personalitete të shumta të jetës politike (kryeministra, ministra, zëvendësministra, deputet, kryetar partishë, e kryetar kuvendesh...) shoqërore, e kulturore... E ka vizituar çdo administrator i Kosovës, gjeneral të KFOR-it e oficier tjerë të lartë...E kanë vizituar dhe e vizitojnë pandërpre delegacione të shumëta kombëtare e ndërkombëtare..., njerëz nga e gjithë hapësira shqiptare. Pse, e gjithë kjo vizitë? Para, do kohe këtë fshat e vizitoi edhe kryetari aktual i Shqipërisë z. Bujar Nishani!

Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi dr. Smiljan Franjo Çekada (1940-1967), ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e flijimit të Martirëve të Karadakut (1846-1848), të njohur si martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terziajve... Duke u ballafaquar me fakte historike të ngritura në art, njerëzit të cilët e vizitojnë kishën në Binçë, binden se duhet kujdes pasi historia mund të përsëritet?

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Gjeqovi-Kastrioti-Tereza-Bogdani

FAMULLIA E BINÇËS

Topografia dhe etimologjia!

Binça, është një fshat i bukur piktoresk, i rrethuar me bjeshkët e larta të Maleve të Zeza “Montenegro” (zonë kufitare Kosovë-Maqedoni). Fshati ndodhet në pjerrësitë jugperëndimore të maleve të Karadakut, dhe është, një ndër fshatrat më të lashtë të Anës së Moravës (Anamoravës). Binça përshkohet nga lumi i madh, ose si quhet ndryshe lumi i Binçës, apo Morava e Binçës, e cila ka burimin diku rreth 12 km larg nga fshati. Këtë bukuri të rrallë, e pasuri të madhe natyrore rrafshinore-malore, e zbukurojnë lumiMorava dhe lumi tjetër, të cilin populli e quan edhe “lumi i vogël” dhe “jazi” (një degë e lumit), i cili kalon në anën tjetër të Binçës, nëpër pjesën e quajtur Razor (jazor, jazë). Gjithë ky peizazh, i jep bukurinë e saj magjepse, me prapavijën e kodrave dhe maleve, fushën pjellore, shtëpitë e bukura, rrugët e ndriçuara dhe të bukura, të cilat e lidhin Binçën, me pjesët e saja Razorën (e pasur me një “jazë” dhe fusha të ngritura, livadhe), pastaj lagjen Shushkët (me një grykë të mrekullueshme fushore përmes cilës kalon lumi Moravë) dhe fshatin Kabash. Këto të gjitha lidhen me qytetin komunal, pra Vitinë që është larg Binçës1.5 km. Ky fshat i bukur, është i banuar me popullatë me shekuj dhe ka një histori të lashtë Iliro-romake, mirëpo jo mjaftë të gjurmuar dhe zbardhur. Popullata është shqiptare dhe katolike me disa familje shqiptare të konfesionit fetar musliman të ardhur vitet e pasluftës, dhe Shushkëve, një lagje me shqiptarë myslimanë, me të cilët gjithnjë kemi jetuar dhe jetojmë në paqe, harmoni e dashuri vëllazërore dhe bashkërisht. Në Binçë ka edhe disa familje serbe, me përkatësi fetare ortodokse, po ashtu të integruara deri diku në bashkësinë tonë.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Binca

Rreth emërtimit të fshatit, ekzistojnë disa interpretime, zbërthime historike dhe etimologjike. Disa thonë se fjala Binçë rrjedh nga fjala BIS apo Binekses (= Bineç), sipas dy lumenjve që bashkohen pikërisht në fshat dhe që e karakterizojnë këtë vendbanim. Kurse disa interpretime tjera pohojnë se emërtimi Binçë rrjedhë prej qytetit të lashtë romako-ilir ARRIBANTIUM, që sipas tyre, është Binça e sotme, saktësisht vendi në rrafshin e kodrinës mbi rrënojat e kalasë së vjetër të fshatit.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince-Lumi

Këtë vështrim dhe interpretim, i cili duket të jetë mjaftë i saktë dhe i besueshëm, e vërteton edhe kjo kalaja e lashtë dhe e moçme, e cila gjendet në afërsi dhe është e ngjitur me fshat, në të cilën gjinden shumë gropa, zgafellja, korridore nëntokësore për nxjerrjen e xeheve dhe mineraleve. Ndërkaq, përveç tjerash, në favor të këtij argumenti shkojnë dhe dëshmojnë edhe vet themelet e gurëve deri vonë të pashëm. Këta gurë sot dihet edhe nga të dhënat gojore, të cilat thonë se i tërë fshati i sotëm është ndërtua nga ata gurë të gdhendur, të cilët janë nxjerrë e bartë nga kalaja, apo “rrafshi i kalasë” që atëherë ishte por edhe sot ende quhet “Çarshia”. Disa pjesë lartë, tregojnë se atje në kohërat e lashta ishte një vendbanim i bukur, e që gjatë historisë ai qytet e lëshua (për shkaqe ende të panjohura) disa qindra metra më poshtë në rrafsh e buzë lumit nga u krijua vendbanimi i ri, pra fshati i sotëm Binça. Mirëpo, në traditën gojore ende ruhen emërtimet e rrugëve dhe rrugicave lart mbi kalë apo “rrafshin e kalasë” siç janë: “Çarshia”, “Rruga e Pjetrit” “Koshtane”, (koshtanzë), “Poslonishtë” = Punishte , “Bunari i Lazërit” etj..). Mbi “rrafshinën e kalasë” ku deri vonë ruheshin edhe shiheshin themele të shtëpive, ndërtimeve dhe kullave tjera, sot ende gjendet si gjurmë edhe një kishës (kapelë e vogël), të cilën në kohërat e reja, e meremetuan dhe adaptuan, uzurpuan së bashku me tokë e pyell serbët lokal. Kjo sot është pronë e Kishës ortodokse. Mirëpo, që nga kohërat më të lashta dhe tradicionalisht besimtarët e fshatit, ata të besimit katolikë shqiptarë, ende shtegtojnë atje ku paraqesin lutjet e tyre…, sidomos është në traditë të shtegtohet atje për festën e “Sv. Petka” apo si e njohin ne Shën Prenës, së cilës edhe i është e kushtuar kjo kapelë. Por, fatkeqësisht, me përkeqësimin e situatës politike, edhe kjo traditë e lashtë popullore u la pak anash nga banorët e fshatit. Mirëpo, kohën e fundit prapë është duke u shtuar interesimi për te. Kjo kapelë, sipas gjitha gjasave është e ndërtuar tradicionalisht mbi themele të ndonjë kishe të lashtë shqiptaro-katolike. (Flitet por edhe sipas disa të dhënave arkivore del se në këtë hapësirë ka pasur Kishë qysh nga shekulli i pestë).

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! ShenPrena

Po ashtu edhe një pjesë e Binçës së sotme quhet “BARICË”, toponim ky që ka lidhëshmëri me emërtimin e vjetër. Mirëpo, edhe gjetjet e para disa viteve të gypave të ujësjellësve ( që sipas gjitha gjasave datojnë nga kohërat iliro-romake), nga një fshatar, dëshmojnë dhe flasin mbi lashtësinë e këtij fshati. Sidoqoftë, është koha që historianët dhe arkeologët tanë të punojnë dhe të zbardhin më tepër historinë e fshatit më të lashtë në këto anë dhe me këtë të dëshmohet edhe shkencërisht lashtësia e këtij vendbanimi iliro – romako - shqiptarë me rrethinë.

Binça si fshatë përmendet edhe në relacionin e Imzot Pjetër Mazrekut mbi Martirët e Karadakut, ku ndër të tjera ai përmend edhe Binçën si filiale e Letnicës. Por, gjatë këtyre 70 viteve, famullia ka përjetuar një lulëzim dhe përparim të jashtëzakonshëm, në çdo kuptim dhe drejtim. Kjo famulli përpos Binçës përfshinë edhe Kabashin dhe Vitinë. Në Kabash përbërja etnike dhe fetare është kjo: shqiptarë katolikë dhe shqiptarë myslimanë, dikur kishte edhe disa familje serbe, të cilat pas luftës së vitit 1999 janë shpërngulur gjetiu.

Këto tri njësi kanë këtë numër të besimtarëve katolik të pranishëm; Binça 350; Kabashi 850 dhe Vitia 120, pra gjithsej 1310. Përkohësisht në botën e jashtme janë mbi 1000 besimtarë. Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi dr. Smiljan Franjo Çekada (1940-1967), ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e flijimit të Martirëve të Karadakut (1846-1848), të njohur si martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terziajve.


Kisha dhe famullia

Kisha e kësaj famullie është filluar të ndërtohet në vitin 1968. Mirëpo, edhe më parë ekzistonte një Kishë - shtëpi ku mbahej mesha dhe kryheshin ceremonitë tjera fetare. Kjo kishë që tanimë është, si e tillë është ndërtuar dhe hapur për Krishtlindjen e vitit 1972. Dhe sipas të dhënave arkivore të famullisë, vitin 1974 në famulli kemi 1. 200 besimtarë nga të cilët tashmë 85 ishin në mërgim me punë të përkohshme. Kisha i është e kushtuar Shën Antonit të Padovës. Famullitar i saj aktual është don Aleksandër Kola i lindur në Stubëll të Epërme.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Kisha-ShnaNdou

Këtu shërbejnë edhe motrat e Kongregatës BDH, “Bijat e Dashurisë Hyjnore”. Shtëpinë e parë të kësaj Kongregate e ka hapur M. Otilia Krämer, e ndjerë. Famullia e Binçës është themeluar në vitin 1946 dhe famullitar i saj i parë ka qenë Don Dedë Ramaj(1946-1960) më pas famullitar ishin sa vijon:

Don Luka CIRIMOTIQ (1960-1967)
Don Vjekoslav IVANOVIQ (1967-1970)
Don Nikola DUÇKIQ (1970-1974)
Don Pjetër BERISHA (1974-1975)
Don Ndue GJERGJI (1975-1993)
Don Lush GJERGJI (1993- 2007)
Don Albert DEMAJ (2007-2011)
Don Aleksandër KOLA (2011-


Assesi nuk duhet harruar këtu edhe kontributin e madh vite të tëra të kapelanëve, ndihmës famullitarëve, meshtarëve, siç ishin Pater Ambroz Ukaj, Don Tomë Pjetri (i ndjerë), Dr. Don Mikel Sopi, e në veçanti kontributin e madh të Don Marjan Demaj dhe teologut z. Marjan Sebaj-Sopi në pastoral dhe aktivitetet kulturore, sportive, etj etj.

Jeta shoqërore;

Edhe në këtë famulli, ashtu sikurse në gjithë Kosovën papunësia është një ndër prioritetet e kohës dhe një sfidë e madhe. Menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, me ndihmën e UNDPS, nëpërmjet CDF është rregulluar kanalizimi për fshatin Binçë, ndërsa ujësjellësi për fshatin Binçë, Kabash dhe lagjen Shushk. Në këtë projekt madhor kanë marrë pjesë, si në çdo aksion tjetër, edhe popullata me 5 % e shumës totale. Organizata tjera që kanë vepruar ose veprojnë ende në famulli janë; CRIS, IPSIA, USAID, SHHB “Nëna Terezë”, Caritasi i famullisë etj…

Si çdo kund në Kosovë, edhe në këtë fshat, problem evident paraqitet papunësia dhe në mungesë të hapjes së vendeve të reja të punës, popullata gjithnjë e më shumë vendosë ta lëshoi e braktisë vendin, në kërkim të një jete më të mirë. Zakonisht të rinjtë kërkojnë kafshatën e bukës në vendet perëndimore ku edhe kanë shumë familjar të tyre. Kohëve të fundit, vërehet dukshëm nga ta të rinj që jetojnë në famulli, një interesimi i madh i tyre për një arsimim superior, thuajse çdo i ri dhe e re, pas përfundimit të shkollës mesme vazhdon edhe studimet e larta.


Arsimi;

Në Binçë është shkolla katërklasëshe dhe njëherësh është shkolla e parë multietnike. Në Kabash është shkolla nëntëklasëshe. Kurse, ata që dëshirojnë t’i ndjekin mësimet e shkollës së mesme, shkojnë në Viti.

Aktivitetet;

Ndër aktivitete që duhet veçuar në famulli janë ato të cilat i zbaton Caritasi i famullisë, pastaj; Shoqata rinore “Imzot Mark Sopi” etj.

Aktivitetet e Caritasit të famullisë para, gjatë dhe pas luftës janë përqendruar kryesisht në shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe joushqimore, të cilat realisht në kohën e fundit janë reduktuar me të madhe. Vlen të ceket fakti se përmes Caritasit janë rindërtuar 26 shtëpi si dhe janë meremetuar 14 shtëpi, për familjet e dëmtuar nga lufta dhe të varfëra, dhe njëkohësisht janë ndihmuar dhe ndihmohen 48 fëmijë bonjak si pasoj e luftës.

Si Caritasi, ashtu edhe shoqëria rinore “Imzot Mark Sopi” në krye me famullitarin Don Aleksandër Kola, tani kanë plotësuar strategjitë e tyre të punës. Organizohen takime të ndryshme të rinisë, fëmijëve, prindërve, si dhe piknike e shëtitje të ndryshme, me rastin e pushimeve verore kur edhe gjendet diaspora në vendlindje, aktivitete këto që i japin fshatit një gjallëri të këndëshme dhe janë për t’u admiruar. Në këto raste, rinia organizon aktivitete të ndryshme kulturore-fetaro-kombëtare, si për ditën tradicionale “Dita e mërgimtarëve” ashtu edhe për Krishtlindje, Pashkë etj…Pastaj, në famulli ekzistojnë edhe dy kore kishtare cilat udhëhiqen nga motrat e famullisë. Në famulli ekziston kori i të rinjve “Pro Deo” (Për Zotin) dhe i të rriturve me mbi 40 anëtarë. Po ashtu është edhe kori kishtar i fëmijëve “Hosana” me mbi 45 anëtarë. Rinia është shumë aktive në çdo veprimtari. Periodikisht shoqata rinore nxjerr edhe buletinin apo fletushkën e famullisë “Shën Antoni i Padovës”, e cila është e pasur me tema të përshpirtshme, por edhe me kronikë nga veprimtaria e famullisë, e aktivitete të ndryshme, ndërsa besimtarët e saj nga diaspora e vendlindja poashtu mbajnë faqën zyrtare të famullisë www.famulliabinqes.com , portal me tema aktuale, nga kultura...


Ambulanca;

Ndër aktivitetet më të rëndësishme të kësaj famullie, përgjatë gjitha kohërave, ishte dhe është trajtimi shëndetësor që ofron ambulanca. Kjo ambulancë, ka një traditë veprimtarie mbi katërdhjetë vjeçare dhe ju ka dal në ndihmë të gjithëve, pa kurrfarë dallimi. Nëpërmjet kësaj ambulance, janë trajtuar dhe kërkojnë ndihmë pacient e të gjitha zonave malore, edhe aty ku nuk ka pasur mundësi të depërtohet. Është e rëndësishme të theksohet se në këtë ambulancë, vijnë për vizita mjekësore dhe kërkojnë ndihmë nga të gjitha viset e Kosovës.: nga Gjilani, Prishtina, Lipjani, Ferizaj, Prizreni, Dardana…Kështu që, kjo ambulancë ka luajtur dhe luan rolin tipik baritor, përmes kësaj depërtohet dhe njihen të varfëritë. Dhe e gjithë kjo, realizohet nëpërmjet motrave BDH /Bijat e dashurisë Hyjnore/, por mbi të gjitha, duke u bazuar te besimi i madh i njerëzve që kanë për motrat e nderit. Në vitet e 90 kur u helmuan fëmijët nëpër shkolla, në këtë ambulancë u trajtuan për mjekim me qindra e mijëra persona, nga të gjitha viset e Kosovës.

Objektet fetare dhe rëndësia e tyre;

Përveç pozitës dhe bukurive të saj natyrore të mrekullueshme dhe magjepse, Binça ka edhe objektet e saja fetare mahnitëse dhe të një rëndësie të veçantë. Në qytetin e Vitisë, është Kisha kushtuar “Zemrës Krishtit”, objekti i cili ka formën e një Anije dhe qendrën pastorale.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Kisha-ZemraKrishtit

Në Kabash, gjithashtu është Kisha kushtuar Shën Nikollës, si dhe shtëpia famullitare, e cila shfrytëzohet edhe për aktivitete tjera, si mësim feje etj…

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Kisha-ShenKolli-Kabash

Por, këtu vlen të përmendim objektin fetar, Kishën në famulli, e cila ndodhet në qendër të fshatit Binçë, e që ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm jo vetëm fetaro-shpirtëror por edhe kulturoro-kombëtar. Me siguri, pikërisht se për shkak të këtij objekti të rëndësishëm,

Binça sot është, një ndër fshatrat më të vizituar në Kosovë, nga vetë shqiptarët e të gjitha trojeve, mirëpo edhe nga miq të ndryshëm ndërkombëtar.

Në qendër të fshatit, pranë shtëpisë famullitare dhe kuvendit të motrave “Bijat e Dashurisë Hyjnore” është ndërtuar me mur guri të latuar një kishë me një kambanarë të lartë. Porsa hyn në oborrin e kishës, ndjen se ndodhesh në një objekt serioz kulti. Struktura e kishës ka formën e një trekëndëshi, me simetrinë e kryqëzimit të dy kryqeve. Sapo ndodhesh brenda në kishë, e sheh veten të rrethuar nga një mori shenjtorësh, të cilët janë pikturuar në faqet e mureve të saj. Të gjithë shenjtorët, përfshirë edhe Jezu Krishtin, janë veshur me kostume kombëtare shqiptare, nga të gjithë krahinat e kombit tonë. Ndërsa në kupolën e brendshme të kishës, është pikturuar një diell i madh i rrethuar nga tetë engjëj, me fytyrat e dëshmorëve të Kosovës, përfshirë Elfete Humollin, të cilës i është vendosur gërsheti tipik i vajzave shqiptare. Kur hedh sytë rreth e rrotull brendësisë së kishës, njeriut i duket vetja sikur ndodhet në muzeun e historisë sonë kombëtare. Menjëherë vizitori dallon figurën e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Abdyl e Sami Frashërit, Gjergj Fishtës, At Gjeçovit e deri të Nënës Terezë. Të gjitha pikturat murale, zënë një sipërfaqe prej 650 metër katror, ku janë pikturuar 520 figura të ndryshme, shumica e të cilave janë portrete të personazheve të historisë së kombit tonë.


Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Pikture-KishaShnaNdou-Bince

Kisha është pikturuar në vitin 1989 - 1991, me kërkesën dhe nismën e drejtuesve të kishës katolike të Kosovës dhe nën përkujdesjen e famullitarit të atëhershëm Don Ndue Gjergjit. Piktura gjigante është ideuar dhe realizuar nga piktori preshevar Demir Behluli dhe ndihmësi i tij Zeqira Rexhepi, tani me banim në Kanada. Në këtë periudhë, ndodhën zhvillime të shumta negative për popullsinë shqiptare në Kosovë. Hiqet autonomia e saj, mbyllen shkollat shqip, pushohen nga puna punëtorët sektorin shtetëror mbi 100 mijë shqiptarë, mbyllet RTP dhe një pjesë e shtypit shqiptar. Duke shfrytëzuar mos pajisjen deri atëherë të kishës së Binqës, me pikturat dhe ikonat e mjaftueshme, marrin vendim që duke shfrytëzuar Biblën, ta pikturojnë kishën, me piktura, të cikat do të ndikonin në popull për të rritur ndjenjën e qëndresës. Këto piktura, qysh në shikimin e parë të ngjallin dashurinë për lirinë dhe urrejtjen ndaj së keqes. Kompozimi i tyre, gjashtë tablo, të krijojnë përshtypjen sikur je ndalur para një tragjedie reale, pasi është zhveshur nga mistifikimet. Duke pasqyruar një histori të kaluar, artisti vinte në pah idenë për një të ardhme të afërt, e cila do të ndodhte në Kosovës. Artisti i jep gojë qëndresës së Karadakut. Ai nuk e pasqyron atë thjesht, sikur të ishte fotografi ose sikundër janë pikturat e këtij lloji, por i jep asaj një pasqyrim të atillë që projekton modelin e qëndresës. Duket sikur priftërinjtë e kishës dhe piktorët parandiejnë kohëra të këqija. Duket sikur kisha e Binçës po kompensonte moszhvillimin e historisë, pasi shkollat në atë kohë u mbyllën. Duke u ballafaquar me fakte historike të ngritura në art, njerëzit të cilët e vizitojnë kishën, binden se duhet kujdes pasi historia mund të përsëritet? Ngjarjet që pasqyrojnë pikturat, janë ndodhi të para 162 viteve. Ndërsa përmasat e kësaj historie, të lavdishme dhe tragjike fill pas 150 vjetësh do të përsëriten dhe atë në përmasa të jashtëzakonshme. Ajo që bën sa mistike dhe reale këtë ngjashmëri, është realizimi i saj në një kishë shqiptare, në prag të një gjenocidi gjigand. Me të drejtë, mund të mendosh se autorët e këtij kompozimi duhet të kenë pasur frymëzime nga Zoti.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Pikture-KishaShnaNdou-Bince-MartiretKaradakut

Me këto piktura të përmasave gjigante, me 520 portrete të ndryshme, kisha e Binçës injoronte haptazi kishat e politizuara. Piktori, predikimin e parë të Krishtit sipas Biblës, nuk e paraqet në malin Sion, por në malin e Karadakut. Në këto tablo, piktori Demir Behluli ka përmbledhur të gjitha dramat e popullit martirë të Kosovës e të trevave të tjera shqiptare, duke e shndërruar historinë tonë në legjendë. Vetëm kështu ajo bëhet e vlefshme të qëndroi pranë Krishtit, duke renditur në të njëjtën faqe muri. Kjo pikturë është përgjithësimi i historisë shqiptare, të cilën e sheh kushdo qoftë edhe vetëm nga kostumografia e shenjtorëve të paraqitur, nepërmjet atyre pikturave murale.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! KishaKatolikeShqiptare-Bince

Qëllimisht, piktori nuk ka shkruar asnjë datë historike në të gjitha pikturat e paraqitura, me të vetmin shpjegim, që t'i thotë vizitorit se secili pushtues që ka ardhur në këto troje, e ka nisur dhe e ka mbaruar luftën me gjenocide. Me sa duket, çdo pushtues nuk njeh fitoren po nuk bëri gjenocid. Mund të thotë dikush se kisha e Binçës është bërë e njohur në Kosovë në sajë të pikturave, pasi kisha ka ndërruar drejtim, është shndërruar në shkollë. Por Dr. Dom Lush Gjergji, psikolog dhe teolog, e kundërshton këtë kur thotë: "Elementet kombëtare dhe ata fetare, janë dy elemente sikundër dy këmbët e njeriut. Po nuk ekzistoi njëra këmbë njeriu rrëzohet, ose organizmi nuk është plotësisht në funksionin e vet. Edhe feja nuk mund të ekzistojë në asnjë vend pa patur elementin kombëtar dhe se edhe elementi kombëtar nuk mund të ekzistojë ose do të vijë duke u shuar po i mungoi ushqimi shpirtëror. Është Zoti ai që ka dashur të ekzistojë mbi këto dyja. Edhe kisha shqiptare nuk ka mundësi të ekzistojë jashtë interesave të popullit të saj. Fati i popullit është edhe fati i kishës. Po u shkëpute nga populli u shkëpute nga Zoti. Ne, me këtë vepër të madhe artistike i jemi kthyer vetvetes. Çdo person dhe popull respekton vetveten preferon më mirë izolimin sesa të kërkojë mëshirë te armiku i tij". Kjo është ndoshta një fillesë dhe një shembull i mirë për të katër fetë kryesore të popullit tonë për t'i përdorur objektet e kultit të tyre edhe për të bërë edukimin atdhetar sikundër bëjnë edhe popujt e tjerë”.

Aty këtu mbi Martirët e Karadakut 1846-1848;

(162 vjetori i kthimit të martirëve të Stubllës, Binçës, Tezijajve dhe Vërnakollës!)

Në vitet 1846-1848, u zhvillua drama më e madhe në historinë e lavdishme të popullit Shqiptar të Karadakut, për mbrojtjen e Fesë dhe Atdheut, nga Perandoria Turko-otomane. Aktorët e kësaj drame të madhe ishin 24 familjet e fshatrave: Stubëll, Binçë, Terzijaj, Vërnakollë.


Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! MartirenKaradakut-Anadoll

Ata duhet të zgjidhnin e të përcaktohen: Të jenë me Krishtin apo kundër Krishtit, ta ruajnë Kombin Arbëror apo të bëhen Turq. Sprova ishte tejet e rënd. Rreziqet dhe kërcënimet ishin shumë të mëdha, të përmasave tragjike. Mirëpo, krerët e këtyre fshatrave u mblodhën në një odë ku plotë tri ditë radhazi biseduan, vendosën dhe në fund shkuan në Letnicë dhe u përbetuan para Zonjës së Cërnagorës,:

“ME VDEKUR TË GJITHË PO, A ME TRADHTUE KRISHTIN JO!”

Atëherë të gjithë së bashku në një Fe, Shpresë e Dashuri shkuan te Maliq Beu në Gjilan, ku botërisht e treguan identitetin e tyre Fetar dhe Kombëtar. Ky i frikësuar se e gjithë Shqipëria do të kthehet në Fenë e të parëve, i mori, i lidhi në pranga të madh e të vogël, burra e gra, pleq e të ri, të cilët i gjykoi dhe dënoj me internim në Anadoll.

Rruga e kryqes, për martirët tanë ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme prej Gjilanit, Prishtinë, Shkup, Selanik për të përfunduar në Muhaliq të Turqisë. Vuajtjet e tyre në trup dhe në shpirt, ishin shumë të mëdha, por shumë më e fortë dhe më e madhe ishte Feja, Shpresa dhe Dashuria ndaj të lumit Jezu Krisht, që i mbante ata të fuqishëm kundër represalieve të shumta! Pësuan shumë, katër fshatra pothuajse mbetën shkret, mirëpo, me ndihmën dhe përkrahjen e Jezu Krisht dhe Zojës së Cërnagorës, pas dy vitesh, ata triumfalisht u kthyen të pathyeshëm në vatrat e tyre shekullore. Kjo është një histori dhe një mësim i madh për ne, që edhe ne ta ndjekim këtë rrugë të të lumit Jezu Krisht, mirëpo, mos e dhashtë Zoti, që në atë mënyrë ne ta dëshmojmë Fenë dhe Kombin tonë.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Kthimi-MartiretKaradakut

Ata, akoma janë gjallë në zemrat, ndjenjat, ndërsa nëpër damarët tanë rrjedhë gjaku i tyre. Vuajtjet dhe pësimet e tyre, nuk shkuan kot dhe këtë më së miri sot e dëshmojnë edhe sa e sa thirrje shenjte nga këto troje, ku kemi më se 30 meshtar, më tepër se 40 motra nderi, mbi 6. 000 besimtarë katolik shqiptarë e të gjithë pasardhës të drejtpërdrejtë të martirëve tanë. Nga kjo mund lirisht të themi:

“GJAKU I MARTIRËVE ËSHTË FARA E TË KRISHTERËVE”.

Binça, burim i pashtershëm dashurie dhe e hapur për të gjithë

Vet gjaku i martirëve të këtij fshati, është vetëdijesimi dhe ndërgjegje e këtij populli, se si duhet punuar, flijuar për të mira të përbashkëta, për paqe, mirësi e dashuri ndaj të tjerëve. Binça, më parë, një fshat i varfër me një familje të gjerë SOPI, që nga kohërat e hershme shkaku i pozitës së saj gjeografike dhe tokës së pëlleshme merrej me bujqësi, blegtori dhe disa veprimtari tjera. Këtu vlen të përmendim se diku kah i shekullit XVIII (ndoshta edhe më herët) kur në shumë pjesë, apo tërë Kosovën mungonte ushqimi, atëherë Binça shkaku i pozitës së mirë gjeografike, burimeve të shumta të ujit dhe urtësisë së banorëve të saj, u hapën mullinj uji për bluarje të drithërave (mini fabrika për fitim mielli).

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Mulliri-Mehill-Lenc-Sopi

Ndërkaq, sipas të dhënave gojore, kah fillimi i shekullit XIX në Binçë ka lulëzuar kjo veprimtari e ekonomisë së vogël, ku buzë lumit Moravë u ndërtuan dhe punonin disa mullinj, ku sillnin për të bluar, gjithë drithërat e fituara në fushat e anamoravës e më gjerë. Kjo veprimtari i sillte të mira materiale këtij fshati. Në këtë veprimtari, ishin të përfshirë thuajse të gjitha familjet e fshatit të cilët bashkëpunonin dhe jetonin në një harmoni vërtetë vëllazërore-familjare. Punët, cilat i bënin në mullinj, familjet i kishin ndarë në mënyrë transparente mes veti. Sipas kësaj, si shembull përmendet mënyra se si organizohej puna, ku dy ditë e ruante e punonte në mulli një familje, pastaj dy ditë tjera, tjetra familje e kështu me radhë. Kjo ndihmonte që të ketë diç për të gjithë. Përveç kësaj veprimtaria, këta banorë të vyeshëm e të urtë, në këtë kohë në Binçë kishin edhe një punëtori (lloj mulliri), të cilin e quanin “Valavica” që tregonte lëvizjen, apo rrahjen e lëndës së parë të leshit delmeve me çekan të mëdhenj nga druri, të cilët shtypnin-rrahin, ndërkohë që në anën tjetër valët e ujit pastronin materialin, që përdorej pastaj për përpunimin e tekstilit, përkatësisht tepihëve, veshjeve kombëtare për tërë rajonin… Përpos këtyre veprimtarive, në fshat kishte dhe një furrë, shenjat e së cilës i shihnin deri vonë aty afër urës së kuqe, mu në rrënjët e bregut në hyrje të Binçës nga ana e Shushkëve, varrezave ku gjinden sot, për shkrirjen e gurëve.

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Mulliri-Sebaj-Lenc-Sopi

Në të vërtetë, kjo zonë njihet me këtë lloj materie nga të cilët fitonin gëlqeren, prej së cilës furnizoheshin banorët e këtyre anëve…Është interesant se në mesin e shekullit XX mbi Binçë diku 3 km larg fshatit, në vendin e quajtur “reka e madhe”, më vonë e sot “te centrala” kishim të ndërtuar një hidrocentral të vogël, prej nga fitohej rryma elektrike për furnizim të fshatit dhe disa fshatra për rreth, kuptohet me kapacitet të vogël të KW. Shtëpia, apo Hidrocentrali ekzistonte deri vitin 1998, me pajisje të lëna pasdore e të shkatërruara me kohë. Këtë shtëpi e bombardoi NATO-ja, si shkaku i caqeve e tankeve serbe, të cilat ishin stacionuar përreth. Sot, mullinj të cilët duhet të jenë nën mbrojtje si trashëgimi kulturore, janë lënë në harresë dhe shkatërrim, ndërkohë që vetëm një vazhdon të jetë ende aktiv, në mesin e fshatit (pjesën e anës së quajtur Razore e të tjerë po i hanë harresa e kohës).

Dhe e tërë kjo ekonomi e fshatit u shkatërrua me ardhjen e komunizmit, gjatë dekadave të shekulli XX. Si rezultat i kësaj dhe shkak i vështirësive për mbijetesë filloi mërgimi, shpërngulja e ngadalshme dhe e vazhdueshme e popullsisë.

Mirësinë, zemërgjerësinë dhe dashurinë ndaj vëllait njeri, Binça e tregoi gjatë gjithë kohës dhe historisë së saj, kështu viteve të 70 me të madhe pranoi banorë nga fshatrat për rreth si Stubëll, Vërnakollë, Terziaj… që shpërnguleshin me të madhe e vendoseshin në Binçë, për shkak të kushteve më të mira jetësore, por edhe shkaku i ruajtjes së fesë e besimit kristian-katolik. Tashmë ka shumë familje të ardhura aty, të cilat u janë adaptuar kushteve dhe rrethanave të reja. Që nga edukimi i të parëve, banorët e këtij fshati ishin dhe janë të përshpirtshëm e kombëtar. Një rol të madh në këtë drejtim, natyrisht se luajtën meshtarët dhe motrat e nderit gjatë historisë, kështu që këtë rrugë dashurie që nga kohërat më të lashta, ndjekin edhe bijtë dhe bijat e familjes Sopi, të cilat dhanë shumë meshtar e motra nderi që shërbejnë anë a mbarë Kosovës dhe në diasporë. Meshtar i parë nga ky fshat ishte biri i kësaj famullie, i persekutuar në Anadolli me prindër, atëherë ishte ende fëmijë, Don Mark Sopi (1838-1888) si dhe disa motra nderi nga familja Sopi, të cilat shërbyen dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit dhe vëllait e motrës njeri, anë e mbarë botës së atëhershme. Ato ishin rregulltare të motrave të Shën Viçencit, ato ishin;

m. Julianë Sopi, lindur me 15. 06. 1866, në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind. Rexhepit. Kushtet i dha me 25. 12. 1885. Vdiq me 17. 08. 1891. mesiguri në Turqi.

m. Suzanë Sopi, lindur me 19. IV. 1868. në Binçë nga i ati Zef Sopi dhe nëna Stojë e lindur Dekes. Kushtet i pati me; 25. 12. 1885. Për në Francë udhëtoi vitin 1939.

m. Dominikë Sopi, lindur me; 25. III. 1864. në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind. Rexhepit. Kushtet i pati me; 3. 10. 1887. Vdiç në Konstantinopojë dmth. Stambolin e sotshëm, në Turqi me 15 .07. 1890.

m. Agatë Sopi, lindur me; 8. 04. 1875 në Binçë nga i ati Zef dhe Stojë Sopi, l. Dekes. Kushtet për rregullatri i pati me; 15. 01. 1898. Vdiq në Kokush me 4. 11. 1924.

m. Elizabetë Sopi, lindur vitin 1878 në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind.Rexhepi. Kushtet i pati me; 25. V. 1898. Vdiq me 3. IV. 1967 me siguri në Turqi.

m. Elizabetë Sopi, lindur me; 24. IV. 1878. në Binçë nga i ati Zef dhe Stojë, l.Dekes.Kushtet i pati me 29. IV.1901. Vdiç me; 23. IV 1940. në Izmir.

m. Martë/Magdalenë/Sopi, lindur me; 8. II. 1888. në Binçë nga i ati Zef dhe Katarinë, l.Rexhepit. Është pagëzuar me; 11.II po këtë vit të lindjës. Kungimin e parë e mori vitin 1898. Kushtet i pati me; 13. IV. 1909. Veproi vitin 1910 në Konstatinopojë (Stambol), me 1915 në Bebek, me 1920 në Syri, me 1928 në Smirnë, prapë vitin 1941 në Bebek kurse vitin 1941 u pensionua. Vdiq në shkurt të vitit 1969 me siguri në Turqi.

Fatkeqësisht, deri më tani, fati i këtyre motrave të nderit, pra jeta dhe veprimtaria e tyre është shumë pak apo aspak e zbardhur.


g/ Thirrejt meshtarake dhe rregulltare;

Kjo bashkësi famullitare ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare. Rrugën e dashurisë dhe flijimit për të mirë të vëllait dhe motrës njeri, e ndjekën edhe shumë të tjerë, si i ndjeri ipeshkvi Imzot Mark Sopi ipeshkëv (1938-2006), Don Damjan Kurti, i cili shërben në Durrës, Don Franë Sopi(Pejë), Don Viktor Sopi (Ferizaj dhe drejtor i Caritasit kombëtar të Kosovës), Don Lenc Sopi (Klinë), don Lush Sopi (Novosellë), Dr.don Mikel Sopi, Don Marjan Marku (Zvicër), + Don Tomë Pjetri(Mali Zi), Don David Andreiq (Kroaci), Don Igzidor Llukiqi (Selezian, Prishtinë), Don Herbert Berisha (Durrës-Shqipëri) Atë Shtjefen Dodes, jezuit (Kroaci). Po ashtu, nga kjo famulli kanë fituar thirrjen shenjte rreth 30 murgesha, prej të cilave 14 janë “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, 3 françeskane, 3 të Shën Filip Nerit, 2 të Shën Vinçencit dhe 2 baziliane, të cilat shërbejnë nëpër të gjitha viset shqiptare dhe në shumë shtete tjera evropiane. Madje edhe jashtë kontinentit, si në Amerikë e gjetiu.

Në Binçë, famullitar i tanishëm është Don Aleksandër Kola, kurse në kuvendin e motrave BDH “Shën Pali” në Binçë shërbejnë 6 motra nderi.

Mirëpo, ajo që brengosë famullinë e Binçës, është plaga e rënd, pra shpërngulja, emigrimi i madh i popullsisë në shtetet tjera perëndimore, gjatë decenieve e sidomos viteve të fundit. E gjithë kjo ndodh për shkak të kushteve dhe rrethanave socialo-ekonomike. Famullia e Binçës (Kabsh-Viti) ka një mërgatë anë e mbarë Europës si Zvicër, Gjermani, Itali, Kroaci, pastaj në shtetet skandinave, në Suedi, Danimarkë e Finlandë, Francë, Austri, Slloveni…Madje ka edhe në kontinentet e tjera, në Amerikë e gjetiu…Është kjo plagë, të cilën mundohem disi ta përballojmë e shërojmë, duke mbajtur lidhje e kontakte sado të mundimshme mes diasporës dhe vendlindjes, përkatësisht famullisë.


Pamje nga Kisha e Shën Antonit në Binçë;

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince1

Pamja e sfondit (kupolla) të Kishës në Binçë; “Krijimi i Botës”

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince2

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince3

Pamje nga mbrendia e Kishës së Shën Antonit në Binçë

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince-Nishani

Dr. Don Lush Gjergji, kryetari i Vitisë Nexhmedin Arifi dhe kryetari i Shqipërisë z. Bujar Nishani, Binçë-gusht’2012

Marjan Sebaj-Sopi: Binça, oazë e thirrjeve të shenjta! Bince-Nishani2

Kryetari i Shqipërisë z. Bujar Nishani, Dr. Islam Lauka Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi