Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën

Shko poshtë

Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën Empty Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 24, 2012 11:44 pm

Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën


Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën Largea_nishani-okb-takimi-shteti-i-se-drejtes-211348516006
Presidenti i Republikës Bujar Nishani foli në Takimin e Nivelit të Lartë të OKB, për Shtetin Ligjor. Ai u shpreh se Shteti i së Drejtës ka një rëndësi parësore në mirëqënien e shoqërive.
“Çdo herë që i jemi përkushtuar ligjit kemi gjetur paqe, begati, sa herë kemi humbur vizionin për ligjin jemi përballur me trazira”, tha presidenti.
Nishani tha se Shqipëria mbështet Gjykatat Ndërkombëtare, ndërsa shtoi se në lidhje me Serbinë, është për të ardhur keq që ky shtet nuk i ka marrë parasysh vendimet e ndërkombëtarëve për Kosovën.
“Është për të ardhur keq që nganjëherë vendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje jogjyqesore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Nishani.


Fjala e Presidentit Nishani në OKB gjatë Takimit të Nivelit të Lartë mbi Shtetin e së Drejtës

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme,
Zoti Sekretar i Përgjithshëm,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj!


Më lejoni të shpreh në fillim vlerësimin tim për mbajtjen e këtij Takimi të Nivelit të Lartë mbi Shtetin e së Drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në pikëpamjen tonë, Shteti i së Drejtës apo sundimi i ligjit është parësor për mirëqenien dhe mirëfunksionimin e shoqërive tona.

Nishani në OKB, ‘shuplakë’ Serbisë për Kosovën Nishani-okb-takimi-shteti-i-se-drejtes
Zoti President!


Historia e njerëzimit është në fakt edhe historia e evolucionit të ligjit dhe e marrëdhënieve të shoqërive me ligjin. Sa herë që ne kemi humbur vizionin për ligjin në nivel kombëtar dhe në nivel ndërkombëtar, jemi përballur me trazira, lufta dhe vuajtje. Çdo herë që i jemi përkushtuar ligjit dhe i kemi shndërruar në mbarëbotërore parimet e tij, kemi gjetur paqen, marrëveshjen dhe begatinë.

Për hir të së vërtetës, marrëdhënia e njerëzimit me ligjin nuk është e lehtë, duke qenë se shoqëritë, popujt dhe kulturat tona kanë qasje të ndryshme përsa i përket ligjit. Gjithsesi, ne të gjithë pajtohemi me faktin se duke qenë të gjithë qenie njerëzore, që ndajmë të njëjtën botë, na kërkohet gjithnjë e më shumë të lëmë mënjanë interesat tona vetjake për hatër të së mirës së përbashkët. Shqipëria është e lumtur që i është përkushtuar me gjithë zemër këtij roli në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjë që ka kontribuar gjerësisht për atë që ne e quajmë bashkarisht “ligj ndërkombëtar” dhe para të cilit ne të gjithë jemi të prirur të bindemi.

Duke qenë se ka pasur diskutime thelbësore dhe nganjëherë edhe të debatueshme mbi Shtetin e së Drejtës, dëshiroj të theksoj dy pika të veçanta: njërën mbi tiparin mbarëbotëror të juridiksionit të Gjykatave Ndërkombëtare dhe që mbulon edhe vendimet e opinionet e tyre dhe mbi faktin që megjithë se ligji nuk qëndron mbi njerëzit, është bërë nga njerëzit, për njerëzit dhe për t’i shërbyer më së miri gjallesës dhe mirëqenies së tyre.

Këto parime tashmë janë të provuara se kanë qenë thelbësore për historinë e vështirë në të cilin kombi im ka kaluar përgjatë shekujve. Populli shqiptar ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me sundimin e ligjit. Zbatimi i shpërfytyruar i sundimit të ligjit dhe aftësia me të cilën ligji është zbatuar për t’u shërbyer koncepteve të drejtësisë së klasës sunduese, krijoi në Shqipëria njërën prej diktaturave më djallëzore të Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, përpjekja e popullit shqiptar për demokraci në vitet ’90-të ishte e lidhur ngushtësisht me mosaprovimin ndaj parimeve të qeverisjes së një shteti të papërgjegjshëm ndaj ligjit të tij të shpallur e të dekretuar. Mijëra qytetarë ishin bërë subjekt i ndëshkimeve kolektive, i gjykimeve politike dhe i një arbitrariteti të shumëfishtë nga ana e gjykatave dhe në mospërputhje me normat e të drejtave të njeriut.

Kështu që nuk është aspak për t’u habitur që konsolidimi i sundimit të ligjit në Shqipëri në nivel kombëtar është shëndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonal dhe paqeje dhe sigurie afatgjatë. Është pikërisht parimi i Shtetit të së Drejtës ai me të cilin ne kemi përafruar dhe përputhur të gjitha deklaratat tona kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, konventat dhe rregulloret tona si dhe vetë funksionimin e këtij organizmi madhështor.

Sot Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ne përkrahim luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës që nga Siria deri në Mianmar. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sundimet e ligjit në nivel kombëtar dhe në atë ndërkombëtar janë të ndërlidhura ngushtësisht më njëri-tjetrin. Ata pasqyrojnë shoqi-shoqin dhe mbi të gjitha, meritojnë të gëzojnë një respekt të barabartë dhe të njëzëshëm. Ne e kemi jetësuar këtë në mënyrën më konkrete: Kushtetuta shqiptare parasheh se në rastin e një konflikti mes ligjit kombëtar dhe atij ndërkombëtar, mbizotëron ky i fundit. Kjo është garancia më e mirë se ndërsa respekton sovranitetin shtetëror, Shqipëria mbetet një partner vërtet i përkushtuar ndaj promovimit të drejtësisë, mbajtjes së përgjegjësisë dhe tepër e vendosur për ndëshkueshmërinë e çdo krimi të kryer. Në këtë drejtim, Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë.

Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë.

Është për të ardhur keq që nganjëhere vendimet dhe mendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioriteti të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan.

Dy dekadat e fundit kanë treguar se nuk është një detyrë e lehtë që ta kthesh këtë faqe në librin e historisë së Ballkanit. Shkaktarët e këtyre tragjedive dhe gjenocidive natyrisht që nuk mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë vetëm. Ajo që nevojitet është miratimi i të gjithë popujve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, nevojitet miratimi i viktimave që kërkojnë drejtësi. Vërehet me shqetësim se në Ballkan, në vend të kërkesave faljesh të sinqerta për masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar, ne na serviren deklarata mohuese dhe mbi të gjitha, deklarata të bëra nga nivelet më të larta.

Kështu që është e natyrshme për ne që të respektojmë Shtetin e së Drejtës si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar: zbatimi i tij është në të vërtetë i pasqyruar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet tona të drejta, paqësore dhe të mira me fqinjët tanë në rajon dhe më gjerë.

Në këtë drejtim, Shqipëria ka ndërmarrë hapa kyçe përtej nivelit kombëtar për vendosjen e një dialogu dhe bashkëpunimi kontruktiv me të gjitha vendet e rajonit dhe mbështet pa kushte nismat e Bashkimit Evropian e të bashkësisë ndërkombëtare për fuqizimin e Shtetit të së Drejtës në rajonin tonë. Ne vlerësojmë veçanërisht punën e bërë nga EULEX-i në Republikën e Kosovë, duke e konsideruar atë një kontribut shtesë e të çmuar ndaj paqes dhe sigurisë në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se në rajon, objektiva jonë për të vendosur, për të respektuar dhe për t’iu bindur sundimit të ligjit është një domosdoshmëri që duhet përqafuar plotësisht nga të gjitha vendet, të cilat synojnë seriozisht dhe sinqerisht të përparojnë drejt bashkëpunimit dhe harmonisë së plotë rajonale dhe të përmbushin qëllimin e përbashkët të integrimit evropian.

Zoti President!

Dëshiroj ta mbyll fjalën time duke ritheksuar se Shqipëria është e përkushtuar ndaj synimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndaj Ligjit dhe Rregullit Ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës si vlera jetësore për promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe të marrëdhënieve tona të bashkëpunimit në harmoni mes shteteve.

Ju falemnderit për vëmendjen tuaj!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi