Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vazhdon rrëfimi tronditës i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat

Shko poshtë

Vazhdon rrëfimi tronditës i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat Empty Vazhdon rrëfimi tronditës i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 16, 2012 3:22 pm

Vazhdon rrëfimi tronditës i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat





Vazhdon rrëfimi tronditës i kasapit: Muhameti m’i sillte vetë vajzat Largea_ajshe-shaban1350284751
(I plotësuar 16 tetor) - Histori që ngjajnë dhe që përsëriten, po jo fatet. Teksa përpiqesh të hetosh më tej si ka mundur ta përdhunojë Ajshe Vatën dhe motrën e saj, monstra 80-vjeçare nga “4 rrugët e Shijakut”, zbulon se ka qenë i ati që i linte vajzat të shkonin në shtëpinë e Shaban Norjes, atëherë kur ai e kishte të shoqen gjallë.

Për vite me radhë familjet Vata dhe Norja kishin hyrje-dalje. Babai i Ajshe Vatës, Muhameti, që sot i bie kokës me grushte për fatin e zi të të bijave dhe rolin e tij në të gjithë këtë histori, rezulton të kishte dhënë bekimin e tij për vajzat që shkonin në shtëpinë Shaban Norjes.

Periudha e kësaj marrëdhënieje miqësore përkon me deklaratën e Shabanit për kryerjen e marrëdhënies së parë seksuale të dhunshme me të miturën Ajshe Vata dhe prishjen e miqësisë me Muhamet Vatën. Janë hetimet që kanë zbardhur plotësisht fillimin e historisë, si dhe deklarimet e të njohurve të dy familjeve. Në fund të viteve ‘90, fillim të vitit 2000 Muhamet Vata u vendos në fshatin Vëllazërim të Komunës Xhafzotaj në kërkim të një jete më të mirë.

Donte të linte pas fshatin e largët Surroj të Kukësit për t’u mundësuar fëmijëve të vet një jetë të re, më shumë mundësi për të tashmen dhe të ardhmen, një vendim që sot kur bën bilancin e këtyre viteve do të kishte dashur t’i kthehej pas, në emër të sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e nderit të nëpërkëmbur në vendin ku u vendos dhe nga njeriu të cilit i besoi. Pak vite më parë mësoi se ai i kishte marrë nderin e njërës prej vajzave, që familja e burrit ia ktheu në shtëpi vetëm një ditë pas dasme. Atëherë vendosi të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shaban Norjen. U konfliktua keqazi me të, por nuk e denoncoi, pasi thellë brenda vetes Muhamet Vatën e brente ndërgjegjja që kishte kontribuar pa dashje në abuzimin seksual të së bijës duke ia dhënë si në një pjatë të artë të bijën. Asnjëherë nuk do të mendonte që maniaku seksual kishte bërë të njëjtën gjë dhe me vajzën tjetër, Ajshen tek e cila Muhameti kishte varur të gjitha shpresat për t’i dhënë edukim dhe të gjithë mbështetjen e mbrojtjen e tij. Ishte i përkushtuar ndaj saj dhe kujdesej duke e shoqëruar dhe vëzhguar në çdo lëvizje që ajo të mos pësonte të njëjtin fat si e motra nga ndonjë person tjetër abuzues. Por e keqja kishte ndodhur dhe Muhameti e mori vesh vetëm pas kapjes së vrasësit nga policia. Familjarët e Vatës dhe banorë të tjerë të fshatit tregojnë se me të mbërritur në Durrës, Muhameti ngriti një shtëpi-barake aq sa për të futur kokën, si mijëra të ardhur të tjerë në zonat e Durrësit e Tiranës dhe më pas nisi të punojë fort për të ndërtuar një shtëpi të re dhe arritur mirëqenien për familjen e vet. Ai punoi si elektroauto dhe siguroi një emër të mirë si profesionist në zonë dhe të gjithë e njohin. Nisi të rimëkëmbej ekonomikisht aq sa bleu tokën dhe më pas ndërtoi së bashku me të vëllain një vilë të bukur trekatëshe që bie në sy në të gjithë zonën.

Në krye të rrugës që të çon në rrugën ku ndodhet vila dhe servisi i tij, pikërisht aty ku ngre krye tabela që reklamon biznesin e Muhamet Vatës si elektroauto ndodhet ndërtimi-njëdhomësh famëkeq ku plaku Norja qëndronte netëve me Ajshe Vatën, të cilën e detyronte të dilte nga shtëpia, atëherë kur i gjithë fshati shuante dritat dhe mbyllej në terrin e natës. Pikërisht në këtë ambient të lyer me të bardhë nga jashtë e të ndyrë nga brenda u gjetën dhe mjaft prova materiale që çuan në zbardhjen e autorësisë së krimit.

Reagimet e banorëve

Një ditë pas tronditjes së marrë nga lajmi për identitetin e vrasësit, njerëzit duken më të qetë për të folur dhe për t’i thirrur kujtesës në lidhje me protagonistët e kësaj ngjarjeje të tmerrshme. Ata tregojnë lidhjen mes Muhamet Vatës dhe Shaban Norjes. Befasohesh kur dëgjon nga persona të ndryshëm në fshat se vajzat e Muhametit kur ishin më të vogla shkonin e qëndronin shpesh në shtëpinë e Norjes, madje ndonjëherë dhe flinin atje. Ai i merrte vajzat dhe me motorin me të cilin lëvizte zakonisht dhe i çonte në shtëpinë e vet te “Katër Rrugët e Shijakut” në mënyrë që ato të ndihmonin edhe të shoqen e tij në punët e shtëpisë.


Kjo afri mes dy familjeve ka vijuar për vite me radhë, deri në momentin kur kthimi në shtëpi i së bijës nga njerëzit e burrit pak orë pas dasmës e ka zgjuar Muhametin, por jo aq sa ta denoncojë Norjen. Është konfliktuar me të për marrjen e virgjërisë së të bijës e cila është detyruar të nxjerrë emrin e plakut, vetëm kur familjarët e saj i kanë kërkuar me insistim kush ishte personi që i mori nderin, shkak që i turpëroi pasi ua ktheu vajzën në shtëpi.

Ashtu si me Ajshen dhe vajza tjetër ishte abuzuar seksualisht nga Shabani, atëherë kur vetë babai i lejonte të shkonin në shtëpinë e monstrës duke pasur besim të plotë tek ai dhe mosha e tij. Po plaku maniak e ka shpërdoruar keqazi besimin, ndërsa po hetohet nëse në dijeni për këto akte të turpshme ishte dhe i biri, i cili të dielën është deklaruar nga policia si person që ka bashkëpunuar për të mundësuar kontrollin e vendeve ku i ati fshihte sendet e tij.


Tërhiqet koka, familjarët në dyshim për ceremoninë

Koka e Ajshe Vatës është tërhequr nga morgu i spitalit nga gjyshi i saj. E vendosur në një arkivol të vogël, pjesa tjetër e trupit ka udhëtuar për t’u kthyer sërish në shtëpinë e saj, ndërsa mësohet se familjarët kanë vendosur ta varrosin pranë trupit, por nuk dihet ende nëse do të ketë ceremoni të tjera familjare përkujtimore për 18-vjeçaren.


Ndërkohë, raporti mjeko-ligjor ka dëshmuar se vrasja e viktimës ka ardhur si pasojë e të shtënës me armë zjarri. Në çastin që asaj i është prerë koka, ka qenë pa jetë dhe nuk e ka përjetuar këtë akt makabër, që sipas Norjes, ia kishte sugjeruar vetë atij për të vështirësuar identitetin e saj. Plumbi, sipas burime nga grupi hetimor, kishte dalje në syrin e majtë. Në trup vajzës iu gjetën veshje që i kishte dhuruar Shaban Norja, i cili ka deklaruar se pas dhunimit të parë seksual, vajza e vazhdoi me vullnetin e saj raportin me të, gjë që vazhdon të vihet në dyshim nga grupi hetimor i çështjes. Hetimi po tenton të zbardhë rolin e personave të tjerë, përfshirë dhe djalin e Shabanit, Nard Norjen, i cili mësohet se disa muaj më parë është kthyer në vend. Ai jeton bashkë me familjen në Itali.

Bëmat e 80-vjeçarit, mblidhen dëshmitë

Gra të tjera në fshat, mbi të dyzetat, duket sikur kërkojnë t’i dalin në mbrojtje të moshuarit. Thonë se Shabani ishte një burrë shumë i mirë dhe i gjindshëm. Ata nuk e kanë njohur kurrë për burrë të keq. E ndërsa i pyet nëse i ka dalë zëri në fshat për ngacmimin e grave, pranojnë se ishte ca qejfli. “Po kush burrë nuk është kur gjen…” shton një tjetër dhe largohet me shpejtësi kur pyetet nëse di ndonjë gjë konkrete. Muret e shtëpisë së tij në Katër rrugët e Shijakut dhe të njëdhomëshit prej betoni ndërtuar buzë rrugës, fare pranë postbllokut hekurudhor dhe shtëpisë së viktimës dinë shumë për historitë e tij, po muret nuk kanë gojë. Njerëzit po, prandaj vijojnë të mblidhen dëshmi mbi bëmat e 80-vjeçarit, po duke qenë të kujdesshëm të mospërbalten të tjera gra e vajza të dhunuara prej tij. Dyshimet në shumë familje të zonës gjithsesi janë ngritur.


* * * * * *

Detaje të reja, "monstra" kishte dhunuar edhe motrën e madhe të Aishes

I moshuari ka hapur gojën dhe ka rrëfyer se abuzonte prej vitesh me viktimën, duke befasuar me gjakftohtësinë e rrëfimit. Ai ka deklaruar se kishte më shumë se katër vite që abuzonte me viktimën, që kur vajza ndiqte ende arsimin 9-vjeçar.


Në rrëfimin e tij, Norja ka thënë se në atë kohë e kishte përdhunuar atë, por më pas Ajshe Vata shkonte me dëshirë për të kryer marrëdhënie seksuale me të. “Unë jam babai i fëmijës së saj. Kur më tha që është me barrë, nuk e besova, pastaj i kërkova menjëherë të hiqte fëmijën, por ajo kundërshtonte. Nuk donte. ‘Më mirë më vrit se të heq fëmijën’”.

Një rrëfim ngjethës dhe që ka llahtarisur marrësit e dëshmisë me ftohtësinë e rrëfimit, nga i cili rezulton se viktima ia ka sugjeruar vetë mënyrën e vrasjes: “Në fillim e kam marrë me dhunë, pastaj ajo vinte vetë. Unë kam pasur marrëdhënie edhe me gra të tjera në lagje. Ajshja erdhi dhe më tha që ishte shtatzënë, nuk e besova, bleva diku në farmaci një nga ato testet dhe ajo ishte ashtu siç tha. I thashë nxirre fëmijën, por ajo nuk pranoi. E lamë që do të takoheshim ku shkonim gjithmonë, aty ku ju gjetët rrobat e saj dhe të miat. Ajo tha më vrit se nuk e abortoj fëmijën. Më vrit dhe ma pre kokën. Hidhe, ma fshih që mos ta gjejnë e mos të kuptojnë se jam unë. E qëllova me pistoletë atë natë dhe pastaj ia preva dhe ia flaka kokën tutje”. Takimet e tyre bëheshin në një tip kabine që mbyllej me qepen dhe që i përkiste Shabanit.

Natën e krimit të dy e kishin lënë të takoheshin jashtë shtëpisë së vajzës, por kur janë takuar, vajza ka nisur të debatojë, ndërsa ai i bindur për kokëfortësinë e vajzës që ishte kundër abortit, kishte marrë masat. Me vete mbante pistoletën dhe mjetin prerës. “E qëllova në kokë dhe pastaj ia preva kokën”, ka deklaruar, ndërsa në rrobat e tij janë vënë re edhe njolla gjaku që dëshmojnë, sipas policisë, autorësinë e krimit. Mbetet ende e pashpjegueshme se si nuk është dëgjuar nga askush krisma e pistoletës në një zonë të banuar. Edhe pse në një arë misri, në anën tjetër të shinave ndodhen shtëpi, përfshirë dhe atë të viktimës, aq më tepër që babai i viktimës deklaron se kishte dalë për ta kërkuar të bijën nëpër natë dhe kishte njerëz zgjuar.

Në dëshminë e dhënë në polici, ai ka treguar se ka abuzuar seksualisht edhe me disa gra të tjera në fshat, mes të cilave dyshohet të jetë dhe një nga motrat më të mëdha të Ajshes, Valbona. E martuar disa vite më parë, ajo ishte kthyer shpejt në shtëpi, pasi i shoqi nuk ka mundur ta pranojë kur e ka konstatuar të defloruar në natën e parë të martesës. Vajza mësohet se kishte pranuar në shtëpi se ishte përdhunuar kur ishte e vogël nga një i moshuar në fshat, por familja nuk ka dashur ta ngacmojë më tej këtë ngjarje, duke i hapur rrugë një tjetër abuzimi të Shaban Norjes. Ka qenë pikërisht marrja në pyetje e motrës së Ajshes, menjëherë pas gjetjes së trupit të saj që ka çuar drejt zbardhjes së krimit dhe ndalimin e maniakut seksual që vrau studenten e vitit të parë të Infermierisë dhe zhduku për katër ditë rresht kokën e prerë të saj.

Frika nga hasmëria, djali i Shabanit ndihmoi policinë

Forca të shumta policie ndodhen në Xhafzotaj të Durrësit për të shmangur një hasmëri të mundshme dhe të menjëhershme mes Vatëve dhe Norjas. E ndërsa 80-vjeçari Norja ndodhet në Komisariatin e Policisë së Durrësit, autoritetet policore kanë nisur t’i frikësohen një hakmarrjeje të mundshme në fshat.


Madje burime policore kanë nisur të deklarojnë dhe se në kapjen e 80-vjeçarit ka pasur një rol të rëndësishëm edhe djali i tij, Nard Norja, që është kthyer pak ditë më parë nga Italia, ku jeton me familjen për të zbehur çdo hakmarrje të mundshme ndaj familjes së djalit të Shabanit. I biri ka dhënë detaje mbi ecejaket e të atit, shtëpinë dhe kabinën ku u gjetën veshjet e viktimës dhe të Norjes. Lindja e një hasmërie në fshatin e dalluar për bashkëjetesën e paqtë ndër vite ka krijuar tension në fshatin Vëllazërim të Komunës së Xhafzotajt, atje ku banon familja Vata dhe Shaban Norja.

Ndërkaq, mes banorësh lajmi se 80-vjeçari është autor i vrasjes i lë të çuditur dhe mosbesues të gjithë banorët.

“Ishte burrë i qetë. Nuk e njoh për të keq. Burrë zotni. Ne e njohim një njeri të mirë, po nuk njihet njeriu”, thonë bashkëfshatarë të ndryshëm të tij, ndërsa gratë e pakta që sheh në rrugët e fshatit pasdite nuk duan të flasin për të.

Të tjerë nën zë thonë se ka qenë problematik dhe ngacmonte shpesh gratë e fshatit, po me kujdes. Ajo që ka ndodhur në fshat dhe zhvillimet e ditëve të fundit që çuan në ndalimin e një bashkëfshatari i kanë lënë të habitur shumë prej tyre, pasi në asnjë rast nuk kanë mundur të bëjnë një lidhje mes 18-vjeçares Vata dhe 80-vjeçarit Norja, aq më tepër që raportet mes tyre të zgjasnin prej muajsh. Dy familjet njiheshin mirë midis tyre dhe rreth 12 vjet më parë, kur familja e Muhamet Vatës u zhvendos nga Surroj i Kukësit drejt Xhafzotajt për një jetë më të mirë, bleu tokë nga autori i dyshuar. Njeriu që mendohej se u dha mundësinë për të qenë zot të tokës ku u vendosën, rezulton deri tani të jetë autori i tragjedisë së Vatëve. Dhe jo vetëm Ajshja, por dyshohet se 80-vjeçari pak vite më parë ka abuzuar edhe me një tjetër vajzë të Muhametit, njeriut që ishte i dyshuari i parë për krimin e rëndë. Shabani jetonte vetëm pas vdekjes së të shoqes vite më parë, ndërsa djali me të shoqen dhe dy fëmijët me të cilët rrinte, kishte emigruar në Itali.

80-vjeçari: Aishen e vrava, se më fajësonte mua për barrën

"E qëllova me plumb nga pas dhe pastaj ia preva kokën me sëpatë. Kokën e keni te ferrat pranë arës me misër”. Ky ka qenë deklarimi i tmerrshëm i Shaban Norjes, 80 vjeç, që zbardhi ngjarjen makabre të masakrimit të 18-vjeçares Aishe Vata nga Xhafzotaj i Durrësit, më 11 tetor 2012.


Hetimet e bëra nga Policia e Durrësit bënë të mundur që, 4 ditë pas ngjarjes, të zbulohet autori, i cili tashmë ka pranuar fajësinë. Në shtëpinë e të moshuarit janë gjetur rrobat me gjakun e së resë, ndërsa po kërkohen nga policia sëpata dhe pistoleta. Shaban Norja ka pranuar se ka pasur marrëdhënie me viktimën, ndërsa burime të policisë thonë se Aishia ka qenë viktimë e abuzimit nga ana e të moshuarit që në moshën 14 vjeçe.

80- vjeçari rezulton të jetë edhe babai i fëmijës që mbante në bark viktima, e cila në momentin e vrasjes ishte 11-javëshe shtatzënë. Sipas deponimit në polici, ky ka qenë edhe shkaku kryesor i debateve të bëra mes tyre, që u përshkallëzua më pas në masakrimin e së resë. Sipas policisë, koka e vajzës u gjet rreth 100 metra nga vendi ku u gjet trupi i saj. Shaban Selim Norja, ishte person i dënuar më parë me 9 vjet burgim, për vrasje të mbetur në tentativë.

Shaban Norja, 80-vjeçari që pranoi se ka vrarë 18- vjeçaren Aishe Vata, ka rrëfyer gjakftohtë para policisë së Durrësit, natën e ngjarjes. “Gazeta Shqiptare” mundi të zbardhë dëshminë e tij, ku ai pohon detaje të lidhjes me vajzën.

Sa kohë kishit që takoheshit me Aishe Vatën dhe ku takoheshit?
Ka një kohë të gjatë, disa vjet u bënë. Takoheshim tek shtëpia që është në anë të rrugës. Ajo dilte natën, ishte një raport me dëshirë. Atë natë e kishim lënë të takoheshim sërish në orën 11, kur të sajët të ishin në gjumë. Unë kalova me motor, dhe e prita tek ara me misër. Aishia erdhi me rrobat që i kisha blerë unë, ia kisha bërë unë dhuratë ca ditë më parë. Shapkat i kishte marrë në dorë.
Çfarë kishit për të sqaruar atë natë? Pse tek ara me misër dhe jo në shtëpinë në anë të rrugës? Pse e keni vrarë?
Erdhi dhe ishte shumë e nxehur. Më tha që do t’ia merrte vesh familja që ishte shtatzënë. Më tha t’i gjeja një zgjidhje që atë natë. Unë e doja, e dija që fëmija ishte imi, nuk kisha asnjë dyshim.
Patët raport seksual atë natë?
U puthëm dhe u përqafuam, por vetëm kaq, sepse ajo ishte e nevrikosur.
Pse ishte e nevrikosur, pse e vratë?
Më pas u zumë shumë keq. Më tha qe do t’i tregonte babait të saj se çfarë i kishte ndodhur. Iu luta të qetësohej, duke i thënë që do të shkonte në shkollë të lartë dhe do gjente një mundësi për të hequr fëmijën. Më tha se nuk do të mundej dot ta hiqte, pa e marrë vesh familja e saj. Në dijeninë time ajo nuk i kishte thënë askujt për lidhjen që kishim pasur ne. Unë i thashë të abortonte, ta hiqte. Do ta gjente një mundësi, por ajo filloi të më akuzonte mua për të gjitha. Nuk durova më, por nxora pistoletën dhe e qëllova pas koke. Kisha edhe një sëpatë në motor. Shkova e mora dhe i rashë me një sëpatë në kokë. Më pas, ia mora kokën, e mbështolla me tri qese dhe e hodha në një ferrë aty afër. E hodha në mes të ferrave të mbështjellë, që të mos kishin mundësi qentë për ta ngrënë. U sigurova që koka ishte në mes të ferrave dhe nuk kishte asnjë mundësi që të pikasej nga qentë. Trupin e saj e fshiva, që të mos kishte njolla gjaku. Ishte aq e bukur, aq e mirë.
Ku janë armët e krimit, ku shkuat më pas?
E lashë atje në arë, dhe mora sëpatën e pistoletën që e mbaja gjithmonë me vete e i hipa motorit. Sëpatën e kam hedhur në ferra, pasi hodha kokën. Aty afër. Shkova në shtëpinë që kam në ruajtje, hoqa xhupin, se ishte mbuluar nga gjaku, dhe e lashë aty. Me motor shkova deri tek katër rrugët, dhe në lumin Erzen kam hedhur pistoletën që e qëllova. Shkova dhe ndenja në shtëpinë time më pas.
Si u njohët me vajzën?
Ishte shumë e thjeshtë. Mua një bashkëfshatar më ka lënë në ruajtje të tokës dhe të një banese aty pranë. Vajza kishte shtëpinë aty. Ne në fakt me familjen e saj nuk flisnim, sepse ashtu kemi pasur një konflikt në vitin 2008. Por Aishia vinte me dëshirë, ne kishim marrëdhënie seksuale me pëlqimin e njëri-tjetrit. Ajo vinte në shtëpinë që unë kisha në ruajtje. Ishte vajzë e mirë, e urtë, e bukur, por unë nuk kisha si ta merrja për grua, sepse ishte shumë e vogël para meje, as të mbaja fëmijë.


HETIMI
Vetëm pasi është shoqëruar për herë të dytë në polici, dhe pas 12 orësh të marra në pyetje, Shaban Norja, një ishi dënuar me 9 vjet për vrasje në tentativë, ka pranuar krimin makabër të kryer mbi 18- vjeçaren Aishe Vata. Hetuesit kanë bërë të ditur se ishte familja dhe babai i saj, ata të cilët ngritën dyshimin e madh për kapjen e autorit 80-vjeçar Norja, i cili ishte roje i një banese të vogël dhe një sipërfaqeje toke pranë banesës së familjes Vata. Policia, mes 40 të shoqëruarve, ishte e bindur që në fillim se ai mund të ishte personi që kishte bërë krimin, por mospasja e provave, ka bërë që herën e parë të lihej i lirë. Hetuesit e kanë shoqëruar menjëherë pas gjetjes së trupit të viktimës, ditën e enjte, më 11 tetor 2012, Shaban Norjen. 80-vjeçari kishte pranuar se kishte pasur me vajzën raporte intime prej disa kohësh, por kishte mohuar kategorikisht se ai mund të ishte vrasësi. Kjo ka bërë që Shaban Norja të mbahej 24 orë nën vëzhgim nga Policia e Durrësit pas daljes së tij nga dhomat e shoqërimit. Mosgjetja e asnjë të dhëne e ka çuar policinë sërish në dyert e tij, mesnatën e së shtunës, duke e shoqëruar në polici si të dyshuarin kryesor të vrasjes së vajzës shtatzënë. Vetëm pas 12 orësh në pyetje përballë një grupi hetimor me inspektorë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ajo e Durrësit, Shaban Norja ka pranuar krimin gjakftohtë.
I gjendet koka studentes. E vrau fqinji 80-vjeçar

Zbardhet misteri i vrasjes makabër të 18-vjecares, Aishe Vata në Xhafzotaj të Durrësit. Policia e Durrësit në bashkëpunim me policinë e krimeve të rënda kanë gjetur prova të pakontestueshme, të cilat vërtetojnë se autor i krimit ështi fqinji i familjes Vata, një 80-vjecar i quajtur Shaban Norja.

Policia e Durrësit ka ndaluar një person, i cili dyshohet për vrasjen makabër të 18-vjeçares Aishe Vatës dhe ka gjetur kokën e të ndjerës, fshehur në një arë me misër.


Mësohet se personi i dyshuar që sapo është arrestuar, Shaban Norja një burrë 80 vjecar, është bashkëfshatar i 18-vjeçares së vrarë dhe arma e krimit i është gjetur në banesë.
Hetimet flasin për një lidhje mes vajzës dhe të dyshuarit që momentalisht është ndaluar, lidhje seksuale e filluar prej katër vjetësh.
Arrestimi i plakut vjen ndërsa policia këto ditë hodhi si pistë hetimi edhe përfshirjen e të atit të viktimës. Ekspertët vlerësojnë se kjo mund të ketë qenë një taktikë policore që rëndom përdoret për të shpërndarë vëmendjen nga investigimi policor, me qëllim grumbullim provash të pakundërshtueshme.
"Koka e vajzës Aishe Vata është gjetur afër vendit të krimit tek një parcelë me misër dhe u zbulua pas ndalimit të 80 vjecarit Shaban Selim Norja, banues ne fshatin Xhafzotaj, rrethi Durrës", deklaroi policia e Durrësit pasditen e sotme.


Të dyshuarit Shaban Norja, fqinjë me familjen Vata, i dënuar më parë me 9 vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë, iu gjetën dhe njolla gjaku tek teshat e plakut. Gjurmët e gjakut u përputhën me gjakun e viktimës.
E ndjera fillimisht është qëlluar me pistoletë në kokë. Më pas i është prerë koka dhe është fshehur në arën me misër.
Sipas hetimit dyshohet se plaku ishte dhe babai i bebes me të cilën studentja ishgte shtatzënë tremuajshe.
Hetimi nxjerr se Shaban Norja prej katër vitesh abuzonte seksualisht me vajzën që u gjet e masakruar dhe pa kokë.
Në lidhje me këtë krim makabër policia kishte marrë në pyetje edhe disa dhjetëra persona të tjerë nga fshati Xhafzotaj i Durrësit, ku u gjet e vrarë para pak ditësh 18-vjeçarja Aishe Vata.
Ekspertiza e parë mbi trupin pa kokë të 18 vjeçares evidentoi se ajo ishte shtatzënë në muajin e tretë.
Kujtojmë këtu se Aishe Vata e cila në verë kishte mbaruar shkollën e mesme në Medrese, u gjet pa kokë në një arë të mbjellë me misër pranë banesës së saj nga babai Muhamed Vata, i cili i shokuar nga skena horror lajmëroi të afërmit dhe menjëherë edhe policinë.


Muhamet Vata gjeti trupin e Aishes në një parcelë toke pranë shtëpisë, teksa prehej e pajetë mes gjakut e dheut...por trupit i mungonte koka.

Sipas dëshmive të mbledhura nga policia vajza kishte dalë pas mesnate nga shtëpia me të brendshme dhe këmishë nate hedhur sipër, ç’ka ka thelluar dyshimet se ajo mund të jetë ekzekutuar nga personi me të cilin kishte lidhje intime.

Nga ana e policisë vijoi kontrolli i gjithë zonës përreth Xhafzotaj për gjetjen e kokës, ndërsa trupi i saj ishte goditur disa herë me thika dhe më pas i ishte prerë koka.

Sakaq, nuk dihet ende se si dhe pse e ndjera ka dalë pas mesnate nga banesa, a e dinin prindërit, dhe pse kishte dalë me të brendshme...pikëpyetjet për ekzekutimin horror të Aishe Vatës, të cilat nuk kanë marrë ende përgjigje.

Masakrimi i Aishes, zgjerohen pistat e hetimit
Policia zgjeron pistat e hetimit në lidhje me vrasjen e vajzës 18-vjecare, Ajshe Vata. Fillimisht hetimet ishin përqëndruar në pistën e vrasjes të shkaktuar prej pasionit. Ajo që e forcon këtë pistë hetimi është fakti që ajo ka qënë shtatzënë 11 javëshe dhe nga kjo mund të këtë patur një konflikt me babain e fëmijës, e në këto kushte ai mund ta këtë vrarë. Por ajo që mund të zgjidhë këtë dilemë është ekspertiza e ADN-së së embrionit të fëmijës, pasi ndoshta kjo ekspertizë mund ta lidhë me autorin e krimit.


Një tjetër pistë të cilën policia po e ndjek është edhe krimi brenda familjes, i cili mund të ketë ardhur si pasojë e lidhjes së fshehtë dhe shtatzanisë së vajzës, por gjatë marrjes në pyetje të familjarëve dëshmitë e tyre kanë korresponduar, gjë që e rrëzon një dyshim të tillë. Gjithashtu hetuesit janë përqëndruar edhe në hetimin e një piste të tretë, e cila ka të bëje me një hakmarrje për moral. Kjo për faktin se Ajshja ka mbetur shtatzënë gjatë kohës së agjërimit dhe për më tepër ende e pamartuar gjë kjo që mund të ketë shkaktuar zemërim tek personat që e njihnin.

Nga ekspertizat që i janë bërë trupit pa kokë të 18-vjeçares shihet se asaj nuk i është dëmtuar aspak trupi, por vetëm i është prerë koka. Kjo ka bërë që policia të ngrejë dyshimet që mund të ketë qënë një dorë profesioniste dhe pse jo një kasap. Ndërkohë bëhet me dije së policia e Durrësit deri më tani ka arrestuar 40 persona që mund të kenë dijeni për vrasjen makabre. Ajshe Vata nuk përdorte telefon, por ishte aktive në rrjetin social facebook.

Për këtë policia ka shoqëruar shokët e saj në facebook, duke i pyetur mbi çdo gjë që mund të dinin për vajzën. Ajshe Vata u gjet e vdekur ditën e enjte, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj e vdekur pa kokë. Dy ditë pas krimit makabër ende nuk i është bërë një identifikim i vrasësit, por sipas burimeve nga policia bregdetare po hetohet intensivisht për zbulimin e autorit të krimit.

Ende mister vrasja e Aishes, autori me aftësi kasapi

Aishe Vata, 18-vjeçarja e gjetur e masakruar dhe pa kokë, pak metra larg shtëpisë së saj, në zonën e Xhafzotajt të Durrësit, është marrë zvarrë për flokësh, është vënë me fytyrë përdhe dhe i është prerë koka.


Grupi hetimor nga krimet e rënda ka rindërtuar ngjarjen e rëndë, por pa mundur të sjellë identifikimin e krimit makabër, pavarësisht se dyshimet kryesore janë për një krim pasioni, ku nuk përjashtohet një person i Komunitetit Mysliman. Për këtë arsye, Mjekësia Ligjore ka marrë ADN-në e embrionit që mbartte 18-vjeçarja. Nga ana tjetër, policia ka zbardhur itinerarin e vajzës gjatë ditës së krimit dhe dëshminë e plotë të babait të viktimës para oficerit të policisë gjyqësore, e cila ka zhdukur momentalisht dyshimet për një krim brenda familjes.

Fytyrën përdhe që ta vrasin

Sipas policisë, vajza ka shkuar me gjyshin në Tiranë për të bërë regjistrimin në shkollën e lartë dhe më pas është kthyer në shtëpinë e saj. Gjatë rrugës, ajo nuk ka pasur ndonjë problem, ndërkohë që deri në mbrëmje kishte qëndruar me babanë e saj. Rreth orës 23:00, ajo ka shkuar për të fjetur gjumë dhe pak kohë më vonë, ende nuk dihet motivi, por ajo ka dalë jashtë shtëpisë. Në ato momente, policia mendon se nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ajo është kërkuar nga një i njohur i saj dhe është larguar disa metra nga shtëpia. Më pas, në arën me misër, ajo mendohet se ka pasur konflikt me personin e paidentifikuar, i cili e ka kapur për flokësh dhe e ka tërhequr zvarrë. Në një moment, ai e ka vendosur me fytyrë përdhe, me qëllim, që mos të bërtiste, ndërkohë që me thikë i ka prerë fytin. Gjatë kësaj kohe, ai mendohet se i ka vendosur gjurin në kurriz, me qëllim që të mos lëvizte. Kokën, ia ka marrë me vete, ndërkohë që trupin e ka lënë përmbys, të paprekur. Kjo vërtetohet edhe nga ekspertiza mjekoligjore, pasi në trupin e vajzës nuk kishte plagë të tjera.


Dëshmia e babait për vajzën e tij

Pas gjetjes së trupit, policia ka marrë në pyetje, kryesisht babanë e viktimës, Muhamet Vatën, i cili ka rrëfyer sesi kishte vënë re mungesën e vajzës në shtëpi dhe kërkimet e tij.


Sipas policisë, ai ka shpjeguar se rreth orës 01:00 të mëngjesit, ai ishte zgjuar për nevojat e tij personale dhe kishte kontrolluar fëmijët se mos zbuloheshin natën edhe për shkakun se kishte një vajzë të vogël. Kur ka hyrë në dhomë, ai ka vënë re se mungonte Aishja, kështu që e ka kërkuar në dhomat e tjera, duke zgjuar edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Më pas, ai ka dalë të kërkojë rreth e rrotull shtëpisë për mungesën e vajzës, por nga turpi se mos ajo kishte dalë fshehtas me ndonjë person, nuk ka njoftuar njeri, por ka kërkuar në zonën përreth. Rreth orës 05:00 të mëngjesit, babai i vajzës ka telefonuar të gjithë të afërmit, me qëllim për të treguar se ishte zhdukur vajza e tij, ndërkohë që ka vendosur të mos njoftojë policinë. Ai është vënë në kontakt me uniformat blu, vetëm kur ka parë efektivët, në një zonë pranë shtëpisë së tij dhe ka njohur vajzën pa kokë, e cila ishte e bija. Por, gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar të dinte ndonjë lidhje intime të vajzës, ashtu siç e kanë mohuar edhe motrat e saj, apo pjesëtarët e tjerë të familjes. Gjithashtu, ai ka deklaruar se nuk dinte ndonjë konflikt të vajzës.

Ekspertiza dhe ADN-ja

Dyshimet e policisë janë bërë edhe më të mjegullta kur ekspertiza ka provuar se viktima ishte 11-javëshe shtatzënë. Kjo ka bërë që ekspertët të mbajnë edhe një kampion ADN-je për embrionin, me qëllim që nëse ky krim zbulohet të bëhet krahasimi i saj. Mjekësia Ligjore ka konstatuar se akti kriminal i prerjes së kokës së 18-vjeçares Aishe Vata është realizuar nga persona profesionistë, të njëjtë me aftësinë e një kasapi. Ajo që ka befasuar mjekët ligjore ka të bëjë me faktin se viktima nuk është dëmtuar në asnjë pjesë të trupit të saj, por thjesht është marrë prej flokësh dhe i është hequr koka me thikë. Pritet që së shpejti të bëhet edhe profili psikologjik i autorit të këtij krimi makabër.


Shoqërohen mbi dyzet të dyshuar

Gjatë dy ditëve nga momenti i ngjarjes së rëndë, policia e Durrësit ka shoqëruar mbi 40 persona për krimin e rëndë. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë së qytetit bregdetar, mësohet se ajo nuk përdorte telefon, por vetëm faqen sociale të “Facebook”. Policia tha se nuk ka mundur të depërtojë në faqen e saj online, por ato që ka vënë re në faqen kryesore, kanë qenë shokët e saj, kryesisht nga Durrësi, të cilët janë shoqëruar. Ata janë marrë në pyetje për të gjitha informacionet që kishin lidhje me viktimën, por sipas dëshmive të mbledhura, të gjithë e njihnin si vajzë të rregullt, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk dinte ndonjë lidhje intime të saj.
Gjithashtu, policia ka shoqëruar të dyshuar si të dashur të vajzës, siç ka qenë rasti i një të riu nga Shijaku, por edhe në këtë rast, ai është lënë i lirë. Ndërkaq, persona të tjerë, që kanë dhënë dëshmi në polici, janë edhe të afërm të viktimës, të cilët janë pyetur në lidhje me ndonjë konflikt të vajzës ose njohje të saj, por në të gjitha pistat ka pasur mungesë informacioni.


Pista e vetme, krim pasioni

E vetmja pistë që ndiqet aktualisht nga policia bregdetare, e cila po ndihmohet nga specialistët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ajo e një krimi pasioni. Sipas të dhënave, policia ka dyshime se vajza ka pasur ndonjë konflikt me të atin e fëmijës, pasi ishte shtatzënë, ku ata kanë debatuar dhe ajo nuk ka pranuar të kryejë një veprim të tillë.


Në këto kushte, ai mund ta ketë vrarë, por nuk përjashtohet edhe mundësia tjetër e ndonjë xhelozie nga persona të tjerë, ku nuk përjashtohen edhe ata të Komunitetit Mysliman. Madje, për të mbledhur sa më shumë fakte për këtë ngjarje, ekspertët kanë shkuar sërish në vendin e ngjarjes, me qëllim grumbullimin e provave të tjera dhe janë marrë në pyetje shoqet e viktimës, nëse ajo ka pasur ndonjë njohje, pëlqim, apo shoqërim, gjatë kohës që ka qenë në shkollën e Medresesë. Megjithatë, policia pritet që ditët e ardhshme, pas përfundimit të ekspertizës mjekoligjore të konkretizojë më shumë hetimet për krimin e rëndë që u zbulua mëngjesin e të enjtes, pavarësisht se ende nuk është gjetur koka e viktimës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi