Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një popull pa parti

Shko poshtë

Një popull pa parti Empty Një popull pa parti

Mesazh nga Agim Gashi Thu Apr 23, 2009 9:37 pm

Një popull pa parti

Në një Spanjë të privuar nga opozita, vetëm familjet dhe dy gazetarë i rezistojnë akoma politikës zapateriane. Pio Moa shikon zi
Një popull pa parti Sh_b
Një popull pa parti *piomoa
Pio Moa

Pio Moa u përgjigjet pyetjeve me shikim të ngrirë, pa kurrfarë mimike. Nga pjesëmarrja e vrullshme në grupthet antifrankiste të ekstremit të majtë të viteve '70 nuk ka ruajtur vetëm mustaqet e dendura prej militanti të luftës së armatosur. Intransigjenca e gjykimeve, kthjelltësia e pamëshirshme e analizave, fjalët e thata që konceptojnë teorema politike shkencërisht të demonstrueshme duken tamam ato tipiket e liderëve dhe intelektualëve të ekstremit të majtë. Por ky është një territor që prej kohësh bashkëthemeluesi i Grapo-ve e ka braktisur, për një kalërim të gjatë prej historiani dhe eseisti revizionist të Luftës Civile spanjolle dhe rivlerësimit të veprës së Francisco Franco që akoma nuk është ndalur. Në të njëjtën kohë, don Pio mban një blog përkrah periodikut Libertad Digital dhe shkruan libra lidhur me çështje të aktualitetit dhe tema historike që nuk kanë të bëjnë me Luftën Civile dhe me frankizmin. Në kalim në kryeqendrën lombarde për një konferencë të titulluar "Çlirim apo furi ideologjike? Të vërteta dhe mite të Guerra Civil", me ftesën e Qendrës Kulturore të Milanos, ka pranuar të bashkëbisedojë me qejf lidhur me çështjet politike e hapura në Spanjën e legjislaturës së dytë të Zapatero. Me mendime të prera dhe përkufizime therëse, Pio Moa është kukuvajka bezdisëse, që këndon në muzg njoftime që nuk mund të shpëtojnë.
- Don Pio, kur në vitin 2004 erdhi në pushtet në mënyrë të papritur José Luis Rodríguez Zapatero, u krijua përshtypja se ky lider i ri do ta rilidhte aksionin e tij qeverisës, si politik, ashtu dhe simbolik, me Republikën e Dytë, atë që e çoi Spanjën në Luftën Civile. Ju shprehët frikën se kjo do të çonte në të njëjtat rezultate të Republikës së Dytë: delegjitimimin e opozitës konservatore, shpërbërjen e Spanjës në favor të forcave separatiste në Katalonjë, Vendet Baske dhe Galici, transformimin e sistemit demokratik në një sistem autoritar faktik, ndoshta deri një Luftë Civile të re. Për disa kohë është dukur se gjërat ecnin praktikisht në këtë drejtim: mendoj për lëshimet ndaj forcave më radikale të panoramës katalanase dhe baske, për Ley de memoria historica. Por me mandatin e dytë është lideri socialist, i cili është kthyer paksa në hapat e tij. Gabohemi?
Parasëgjithash, dua të them se ardhja e Zapatero në pushtet në vitin 2004 nuk qe krejtësisht e paparashikuar. Është e vërtetë se e filloi fushatën elektorale me një dizavantazh midis 11 dhe 13 pikëve në përqindje, por fushata e kundërshtarit të tij, Mariano Rajoy, qe aq bosh nga këndvështrimi intelektual, ideologjik dhe politik, sa që në vigjilje të zgjedhjeve mund të flitej për një barazim teknik midis të dyve. Edhe sikur të mos kish ndodhur atentati i Madridit, Zapatero do të kish gjetur me votat e mjaftueshme për të qeverisur me mbështetjen e partive autonomiste, separatiste dhe komuniste. Korrigjimi i dytë që më duhet t'ju bëj është se në realitet Zapatero nuk është frymëzuar nga Republika e Dytë, por nga Fronti Popullor, domethënë realiteti politik që shkaktoi shkatërrimin e Republikës së Dytë. Kur frymëzohesh nga një realitet si Fronti Popullor i viteve '30, pasojat janë domosdoshmërisht negative. Në politikën e Zapatero ekzistojnë shumë aspekte kompleksë, por ai kryesori është bashkëpunimi i tij me ETA-n. Sepse unë nuk do të flisja këtu për lëshime të qeverisë ndaj terroristëve, por për bashkëpunim në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qeveria ka legalizuar aparatet politike të lidhur më ETA-n, i ka financuar me shumë para publike, i ka garantuar organizatës një mbrojtje ndërkombëtare: e gjitha kjo quhet bashkëpunim. Në të njëjtën kohë, ka persekutuar viktimat e terroristëve që protestonin, ka kërkuar që t'i detyrojë të heshtin, t'i përçajë. Këto gjëra janë shumë më tepër se lëshime ndaj terroristëve. Pse një qeveri spanjolle bashkëpunon me terroristët e ETA-s? Sepse midis ETA-s dhe qeverisë ekzistojnë shumë afërsi themelore ideologjike: të dy e shpallin veten socialiste, të dy shpallen antiimperialiste, antifrankiste dhe ndajnë një vizion shumë negativ të historisë së Spanjës. ETA është antispanjolle për nga vokacioni, kurse Zapatero e ka rrëfyer të njëjtën ndjenjë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ka lënë të kuptohet se nuk ndjehet thellë brenda vetes dhe, mbi të gjitha, ekziston një identitet gjykimi përsa i përket Tranzicionit, domethënë procesit historik të kalimit nga frankizmi në demokracinë parlamentare. Tranzicioni është realizuar nga frankizmi me një reformë të frankizmit. Por ajo që mesin e viteve '60 donin ETA dhe PSOE-ja ishte një shkëputje që të kalonte sipër viteve të frankizmit dhe të lidhej me Frontin Popullor. ETA nuk e pranoi Tranzicionin, PSOE-ja e pranoi me gjysmë zemre. Deri kur u është dukur atyre se kishte ardhur momenti për ta realizuar praktikisht shkëputjen. Instrumenti i një operacioni të tillë ka qenë Ley de memoria historica që kini përmendur ju. Bëhet fjalë për një ligj totalitar, pasi në asnjë demokraci nuk përcaktohet me ligj versioni i historisë. Elementi kryesor i tij është delegjitimimi total i frankizmit, por nëqoftëse delegjitimohet krejtësisht frankizmi, atëhere delegjitimohet gjithçka që vjen nga frankizmi: delegjitimohet monarkia kushtetuese dhe delegjitimohet demokracia parlamentare. Me fjalë të tjera, ajo që kemi është një shpatë Damokleu, që rëndon mbi sistemin që është ndërtuar nëpërmjet Tranzicionit. E gjitha kjo e bashkon ETA-n me qeverinë. Megjithatë, bashkëpunimi tani është prishur, por jo për faj të qeverisë. Është prishur për faj të ETA-s. Qeveria i ofronte asaj një "kuazipavarësi" të vendeve baske, por ajo kërkonte pavarësinë totale. Kjo ka bërë që të dështojë për momentin bashkëpunimi midis tyre. Megjithatë, Zapatero ia mban derën hapur dhe ka garantuar në kongres se mund të kthehet e të negociojë me ETA-n në çdo moment.
- Megjithatë, jemi në vigjilje të një fakti historik: në vendet baske për herë të parë nga fillimi i demokracisë ata që qeverisin rajonin nuk do të jenë autonomistët, por Partia Socialiste me mbështetjen e Partisë Popullore (PP), të cilëve do t'i takojë presidenca e Parlamentit bask. Nuk do të thotë asgjë?
Në kuadrin që kam përshkruar më sipër, koalicioni midis PSOE-se dhe PP-së në vendet baske nënkupton pak. Shtoj se PP-ja e Rajoy ka kontribuar shumë në regresin politik të Spanjës. PP-ja e Rajoy nuk është PP-ja e Aznarit. Rajoy ka prodhuar një linjë që e ka shkatërruar opozitën. Sot, PP-ja i ngjan shumë PSOE-së: është një parti e shpërbërjes, që miraton statute autonomie që janë "kuaziindipendentistë", është një parti ultrafeministe si PSOE-ja. Është një parti që po minon pavarësinë e pushtetit gjyqësor në mirëkuptim me socialistët: në Spanjë pushteti gjyqësor është institucioni me më pak prestigj në nivel popullor.
- Atëhere kush bën opozitë sot në Spanjë?
Opozita reale sot nuk është politike, por sociale dhe përqendrohet në kuadrin e shoqatave familjare dhe të masmedias. I referohem në veçanti këtu Radio Cope, radios së peshkopëve dhe, brendësinë e saj, dy gazetarëve shumë të njohur: Federico Jiménez Losantos dhe César Vidal. Liderët e opozitës sot janë ata! Në mënyrë kurioze, i pari është agnostik dhe i dyti është protestant. Kjo është opozita e vërtetë dhe sot PP-ja po bën çdo lloj presioni ndaj peshkopëve, me qëllim që t'i bëjnë të heshtin këta dy gazetarë. Për pasojë, ajo që po ndodh në vendet baske nuk besoj se nuk ndryshon asgjë thelbësore. Nga ana tjetër, lideri i PSOE-së në vendet baske që do të bëhet Guvernator, Patxi Lopez, është një prej atyre që kanë bashkëpunuar më shumë me ETA-n dhe lideri i PP-së, Antonio Basagoiti, e ka tradhtuar politikën e rezistencës që praktikonte më parë partia e tij në vendet baske, gjë që e ka bërë të humbasë shumë vota.
- Në një intervistë të mëparshme ju thoni se Ley de memoria historica do të kthehej si bumerang kundër Zapatero: po ndodh një gjë e tillë?
Nuk po ndodh plotësisht, pasi PP-ja ka një qëndrim kolaboracionist me ligjin; bashkëpunon me heshtje ose duke bërë kritika të privuara nga kuptimi, por në njëfarë kuptimi parashikimi im po realizohet sepse ligji ka provokuar një reagim social shumë të rëndësishëm. Kanë dalë shumë libra, janë bërë shumë reportazhe që pjesërisht po thonë të vërtetën. Edhe pse mazhoranca e masmediave në Spanjë është në duart e të majtës.
- Sipas sondazheve (NC Report), PSOE-ja humbet 1.5 milion vota dhe kalohet nga PP-ja, ama që edhe ajo nga ana e saj humbet vota. Abstenimi prek pothuajse 3 votues në 10 të tillë. Çfarë është kjo lodhje e politikës në Spanjë?
Është pasojë e mungesës së opozitës për të cilën kam folur më lart. Një demokraci ka nevojë për një opozitë që e pengon qeverinë të bëjë shumë demagogji. Për shkak se ajo nuk ekziston, shumë njerëz janë zverdhur si ndaj PP-së, ashtu dhe ndaj PSOE-së. Bile do të jetë gjithnjë e më shumë, edhe prej efektit të krizës ekonomike. Siç ka ndodhur tashmë në rastin e futjes së udhëzimit Educación para la ciudadanía dhe me ligjin që ka krijuar martesën midis çifteve homoseksuale, edhe në afërsi të ligjit të ri që e liberalizon totalisht abortin, shoqatat katolike të shoqërisë civile spanjolle kanë mbledhur mijëra manifestues për të protestuar kundër qeverisë.
- Por ama, këto shprehje mosmiratimi duket se nuk kanë pasoja në planin politik. Pse?
E njëjta përgjigje si më sipër: PP-ja nuk është opozitë, mbështet abortin dhe martesën homoseksuale me ndonjë sfumaturë, lexon mospërputhje që në praktikë nuk nënkuptojnë asgjë. Kur ka manifestime si ky i fundit, PP-ja shtiret se është dakord me to. Shtiret për të mos humbur vota të tjera, por nuk bën asgjë konkrete për të mbështetur kërkesat e manifestuesve.
- Dakord, por pse nuk del një forcë tjetër politike që të bëhet përcjellëse e këtyre aspiratave?
Për shkak të trajektores historike të së djathtës spanjolle. Nga fillimi i Tranzicionit, ajo ka hequr dorë nga beteja e ideve: përsa i përket interpretimit të historisë dhe vizionit të shoqërisë, ka qenë e majta ajo që ka vendosur muzikën. Sot e djathta paguan këtë gabim. Aktualisht, PP-ja nuk bën opozitë as në kuptimin intelektual, as në kuptimin ideologjik dhe as në një kuptim politik: është vetëm në konkurrencë për thërrimet e pushtetit, asgjë tjetër. Kushtet objektive janë të favorshme që të shfaqet një parti alternative jo domosdoshmërisht në konformistet të ngushtë katolik, sepse në këto manifestime kundër abortit ka shumë njerëz që katolikë nuk janë, përfshi organizata feministe. Ajo që mungon janë një program dhe një lidership, që nuk arrijnë të ngrejnë kokë. Ose të paktën unë nuk arrij t'i shikoj nga asnjë anë.
- Disa vite më parë ju keni shkruar një esè lidhur me "shoqërinë homoseksuale". I referoheni një fenomeni ekskluzivisht spanjoll? Çfarë iu preokupon nga "shoqëria homoseksuale"?
Në realitet, eseja nuk ishte mbi homoseksualët, por mbi feminizmin. Feminizmi është një korrent mendimi që është imponuar me të njëjtën mënyrë si ekologjizmi, domethënë pa hasur kundërshtim. Ndërsa komunizmi ka hasur një rezistencë mjaft të fortë në shoqëri, as ekologjizmi, as feminizmi nuk e kanë hasur një të tillë. Feminizmi radikal afirmon idenë se nuk ekziston asnjë diferencë e rëndësishme midis meshkujve dhe femrave. Por nëqoftëse idealja është mungesa e diferencave, marrëdhënia e preferueshme do të jetë gjithmonë ajo homoseksuale, ku veç të tjerash nuk ekzistojnë fëmijët dhe nuk ekzistojnë impenjime për t'u mbajtur.
- Le t'i japim fund me politikën. Lidershipi i Mariano Rajoy në PP duket në fakt i vagullt. A shikoni pasues që mund të veprojnë më mirë se ai? Apo Rajoy do të dalë fitues nga grindjet midis "kolonelëve" dhe "kolonelëve" të partisë së tij?
Problemi është se brenda partisë nuk shikohen alternativa ndaj Rajoy. Disa liderë që mua më dukeshin se kultivonin ide më të qarta, të tillë si Mayor Oreja apo Vidal-Quadras, janë demonstruar të pavendosur, të privuar nga karizma. Esperanza Aguirre, Guvernatore e Madridit, duket më serioze se të tjerët, edhe pse mua në të vërtetë nuk më pëlqen. Nuk e dimë se kush mund ta pasojë Rajoy, pasi rezultatet e zgjedhjeve të fundit e kanë forcuar linjën e tij. Linjë që është ajo e fitimit të thërmijave të pushtetit, gjëja e vetme që u intereson vërtet këtyre politikanëve.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi