Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

2 posters

Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 6:46 pm

Shkoqitje

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

-Figura e femres shqiptare në këto këngë dhe aspekte të tjera

ShkruanAgim Gashi
Me një fond shumë të madh këngësh, të krijuara e të ruajtura brez pas brezi si lapidar kujtimi, epika historike popullore shqiptare, është padyshim një pasuri e madhe kombëtare.

Pjesa e parë


Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare U1_Image1
Agim Gashi
Me vlerat e shumta kjo është një dëshmi e gjallë e së kaluarës së popullit tonë, e jetës plot peripeti, e vuajtjeve nën sundimet e huaja, e baticave e zbaticave që përpëlitën shqiptarin ndër shekuj, me një synim për një të ardhëme më të mirë. Këto këngë në të shumten e rasteve zëvëndsuan atë zbrastësi të kronikave luftarake, mungesën e shkrimeve shkencore, që zakonisht përcillen në momente të caktuara, duke lozur një rol të posaqëm në ruajtjen e kujtimeve të shtrenjëta për sakrificen e madhe të popullit, për luftërat e betejat, për luftërat që u bënë fli, duke rënë në alltarin e lirisë e duke treguar heroizma për ruajtjen e atdheut e qenjes kombëtare.
Trashëgiminë që na e lanë këngëtarët popullor, vlersuar sipas këngëve, duket sheshit se përcollën hap pas hapi të gjitha ndodhitë e vogla e të mëdha, individuale e kolektivedhe në këto kohëra. Ata kënduan për historinë tonë të lavdishme; kënduan për çdo lëvizje çlirimtare dhe çdo synim a përpjekje të vërsuljeve në atdheun e popullin tonë. Dhe tani me zellin e këtyre këngëtarëve, ne do të njohim të gjitha vyrtytet e veset e popullit, psikologjinë e tij, shpirtin luftarak e liridashës, do ta njohim njeriun tonë në tërësi, moralin e lartë njerzor që është gjithëherë i gatçëm të vihet në ballë të atdheut e të bjerë theror për truallin e tij.
Nga kjo lëndë e pasur do të mësojmë për luftërat e popullit shqiptar, që gjithmonë patën karakter çlirimtar e mbrojtës; fitimin e lirisë dhe ruajtjen e saj. Këngët e tilla na kujtojnë në moralin e lartë luftarak, luftërat e drejta për çlirimin kombëtar edhe pse përndryshe këngët na kujtojnë, jo vetëm numrin e ushtarëve armiq që vërsuleshin kunder nesh, por edhe armatimin e tyre shumë herë më të madh, e kur dimë se populli ynë kishte vetëm sopata e hangjarë, me dyfek e fyshek në xhep, por edhe moral e ideal të ngritur, siç thotë edhe kënga: /"Me tre vetë luftën e nisi,/ si me kanë Misirlija,/ Avlla Aga, Kahremani,/ Zanin ja njeu Rumelija"./ Këngët tona historike karakterizohen nga përshkrimi real, qoftë i luftëtarëve tanë, qoftë atyre të armikut, duke formuar një tabllo mjaft bindëse dhe duke na vënë përpara skenave që na duken njëmend sejemi duke i parë e përjetuar.
Këngëtari popullor me një filozofi të rrallë shfrytëzon figurat tona legjendare siç ishte ajo e Skënderbeut, ku heroizmat e mëdha të tija u bënë shëmbëlltyrë e luftëtarëve shqiptarë, të cilët hynin në beteja me vetëdijen e lartë se janë stërnipërit e Skënderbeut, apo të Teutës e Agronit, sepse kjo ua shtonte fuqitë morale e i bënte guximtarë të rrallë. Ose ka raste kur në këto këngë përmenden edhe fytyra të tjera si psh: /"Me gajret po na vjen deka,/ do t´bajmë luftë si Tuçi e Leka/ me u knu n´kangë si u knu Gjin Leka"/. Por ka raste kur këngëtari u jep vullnet luftëtarëve, duke marrë si cytje fjalët e prindërve ose motrave e grave dhe këtu ndeshim këso vargje kur i jati i thot të birit: /"Qindro djal, ban gajret/ do t´kendojmë për shum vjet"/.
Në epiken tonë popullore historike, si vyrtyt i lartë moral e veçori pozitive e popullit tonë në kuadrin e mardhënieve kombëtare, një vend me rëndësi zë edhe BESA. Këngëtari e vë në pah për bukuri, por siç dihet edhe historikisht, shqiptarët niseshin në luftëra të përgjakshme, të lidhur me besa-besë, e kjo ndihmonte për mrekulli, mbasi duke e ditur se besa nuk thyhet, pavarësisht nga sakrificat që ndonjëherë duhej bërë në raste konkrete, binin në beteja me hove më të mëdha kundër armiqëve. Pos kësaj vihej re edhe vargu: „Neve jemi shqipëtarë" , moto kjo që nxit ndjenjen e pastër patriotike e që lidhet ngushtë me besën e dhënë. Por kjo kishte edhe për qëllim dhënien e një kushtrimi për ngritjen e ndjenjës kombëtare ndaj atyre që e ndjenin veten si turq, grekër a diç tjetër, mbasi që fare qartë dihet se sundimtarët e ndryshëm kishin bërë ç´mos që në gjirin e popullit tonë të fusin ndasinë fetare, të identifikuar me elementin kombëtar për të na përqarë. E tani edhe njeriu më i thjeshtë e kishte kuptuar tradhtinë e ndytë që bëhej kundër tij nga ana e robruesve të atdheut. Andaj krenaria e luftëtarit shqiptar e vetëdijësuar për qenjen e tij, bëhej më e zjarrtë e hidhej në luftëra me hove edhe më të mëdha.
Një spikamë të posaqme e me rëndësi e japin edhe këngët të cilat pasqyrojnë botën femrore: të nënës dhe gruas, në rolet pozitive që lozin ato, qoftë në edukimin e trimave për ta dashur atdheun e për tu flijuar në ballë të tij, qoftë në pjesmarrjen aktive në proceset luftarake. Sipas këtyre këngëve, vend të posaqëm i lihet nënës, e cila e kishte barrën e edukimit të luftëtarëve e patriotëve, por në raste konkrete edhe të flijohet siç na e përshkruan edhe kënga: „/Mic Sokoli n´dy tagana, /Udha e marë, m´i ka thanë nana!/ Lufto bir
Ti për Shqipni,/ mos i len turqit me hi;/ n´koftë nevoja vi me ty /.
Kishte me mijëra nëna të këtilla shqiptare, disa prej të cilave këngëtarët u kushtuan vargje të bukura e të rralla, siç ishte rasti me nënën e Deli Pjetrit të shtatë shaljanët, Nëna e Tuçit, ajo e Rexhep Gashit nga Gjakova, e Jusuf Gërvallës etj. Por ne do të marrim shembullin e nënave të Preshevës që i nisin djemt në luftën e Vrajës duke i kujtuar:"/Për këtë ditë u kena rritë,/ burrat s´ban me u koritë"/. Mirpo në epin tonë, nëna luan edhe role të tjera, e në fytyrat e luftëtarëve tanë e para syve të tyre gjithëherë ishte nëna; kur ndinin lodhje „Oh nanë", kur kishin dhimbje nga plagët e marra „Oh nanë", apo para vdekjes ua linin amanetin e tyre pikrisht nënave, duke i porositur ato që të mos qajnë apo edhe duke ua lënë amanet armët e brezit. Ka raste edhe shumë prekse kur ua lënë amanet shokëve, që për vdekjen e të birit, nënës ti tregojnë ngadalë, siç është rasti me këngën e Jusuf Rexhës: „/Eu, po ua la ni amanet,/ ni qoft se dvet nana për mue,/ Thuj Jusufi te daja t´ka shkue. / Pra, ni dvet nana opet,/ Thuni e mur gjakun e babës t´vet"/.
Të dhënat historike vazhdimisht përkojnë me ciklin e këngëve, edhe pse nganjëherë vërejmë idealizmin në të përshkruarit e fytyrave të ndryshme ku rol vendimtar ka nëna.Mund të marrim shembull kur dashuria e popullit ishte mishërua në strategun e luftëtarin Ali Pashë Tepelenën, ku skalitet për bukuri profili luftarak i këtij pashaj, këtij „gjarpëri" që drodhi dhenë, ku tani këngëtari i drejtohet nënës së Ali Pashajt: „/Hanko pash e Hanko nuer?/ Hanko kur polle Alinë,/ ndriti bota vetëtimë!/ Ali pashë Tepelenë,/ gjarpëri që piu dhenë!/ Bëri fet gjithë Morenë!"/.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Re: Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 6:58 pm

Pjesa e dytë
Pothuaj në të gjitha ciklet e këngëve fytyra e nënës zë një vend të dendur por është me rëndësi se si skalitet në ciklin e këngëve të kaçakëve, kur ajo është plot kujdes për të birin; i friksohet vdekjes së tij dhe nuk dëshiron që i biri i saj të tregoj dobësi. Përkundrazi, e don birin trim dhe dëshiron t´ja ndjejë gajretin. Te kënga „Luftë po ban Rexhep Trimi", nëna na paraqitet me të gjitha vyrtytet e nënës shqiptare; ajo duket krenare për birin e saj që di të luftoj me heroizëm dhe që vetveten e shpaguan për disa herë, prandaj çka tjetër pos: „Hallall bir, të kofshin gjitë!" E tillë është edhe e ëma e Tuçit te kënga "Leka mbush e Tuçi qit" ku fare nuk vërehet frika për vdekjen e të birit, por brenga se:"Zot, a ka Tuçi fyshek?"
Sa i përket femrës si faktor i rëndësishëm i ndërtimit të shoqërisë, ruajtjes së traditave, moralit por edhe si luftëtare e denjë për liri, ka cikël këngësh të bukura që epika jonë i ruan me besnikëri qysh prej kohës së Skënderbeut. Dihet mirëfilli se këngët për Skënderbeun i pari i shenoi De Rada nga arbreshët që jetojnë në Itali dhe i botoi në përmbledhjen Rapsoditë e një poemi shqiptar", qe mërgimtarët e Italisë i ruajtën më lehtë, mbasi atje nuk shkeli këmba e turkut. Për dashurinë që kishte populli për këtë figurë legjendare më së miri e përshkruan M.Barleti në: „Historia e jetës dhe veprave të Skëndrbeut" ku thot: Fytyra e Kastriotit ishte ngulitur aq fort në mendjen e secilit dhe emri e mbretëria e tij ishte skalitur aq thellë në gjokset e të gjithëve, saqë do të ishte më lehtë, siç thonë, t´i çkulje nga duart e Herkulit topuzin, se sa të fshinje, nga zemrat e zjarrëta të vegjëlisë, dashamirësinë dhe dashurinë për Skënderbeun".Andaj nuk është e rastit që nënat tona u thonin bijëve të tyre:"Mendo bir ti Skënderbenë". Këngëtari ynë përcillte çdo akt të fatosit tonë, madje edhe në jetën e rëndomtë, në martesë si te kënga „Martesa e Skënderbeut" ku me një kënaqësi evokon deklaratën:"/Shqipëtare un e due,/ si nga gjuha e nga zakone", e deri te kënga: „E motra e Skënderbeut". Ndërsa sa i përket trimërisë së femres shqiptare si luftëtare ka me mija shembuj, por ne do të marrim shembull këngën "Gjorgj Golemi" ku i këndohet Gjorgj Arianit Golem Komnen Topisë, zot i Labërisë, Shpatit, Mokrës dhe i Çermenikës, vjehrrit të Skënderbeut, i cili edhe pas vdekjes së kreshnikut tonë, vazhdoi rezistencen kundër turqëve.Njëherë kur ai nuk ishte në Sopot, turqit ishin lajmëruar për këtë, sulmojnë, por nuk ndahen me nderë, sepse femrat shqiptare, sopotaret, rrokin shtizat, rrokin shpatat e rrokën thikat dhe:" /Na do rrimë e të lëftojmë,/ Gjergj Golemin se turpërojmë"/ thanë ato dhe luftuan, e kënga mbeti gjallë deri në ditët tona, sepse qëndresa e femrës shqiptare në këtë gjakderdhje të madhe ishte shembullore. Ose, është e njohur gjakderdhja shumë e madhe në Grykën e Kaçanikut kur komandanti famkeq Shefqet Durgut Pasha më 11-13 Maj 1910 sulmon me 70.000 ushtarë. Me këtë rast bëhet kënga „Ropt e gjallë nuk muj mej dhanë" ku përshkruhen disa tabllo e momente interesante të operacioneve luftarake e posaqërisht na kujton se bota femrore shqiptare ishte shumë aktive:"Kaçaniku e paska lshue,/ kur ka ba me u farue,/ dul Kosova burr e grue"/.
Rol të rëndësishëm në këngët e tilla zë vend edhe motra. Ajo shihet duke i ndihmuar vllaut, duke nxjerrë hak për vëllanë sidomos kur vëllau ose vëllëzërit janë të tradhëtuar, e këtë më së miri e përshkruan kënga „Halili e Mustafa" ku tradhëtia që u bëhet Halilit e Mustafës nga ana e Bejta Sylës kur këta ia dorzon Ibrahim Pashë Bushatit, motra Hajrija pa ngurrim hakmerret: /"Kur ja vuna pushkën burrit,/ si t´i nxirrkesh vllaznit burgut!/ Kur ja vuna thiken djalit,/ si t´i nxirrkësh syt e ballit!"/
Por me rëndësi është të ceket se këto nëna, motra e gra shpesh herë ranë në kujë e vajtime për bijt, vëllëzërit e burrat e rënë në arenat e luftërave, por më i dhimbshëm ishte vaji e kuja për bijtë tanë që binin theror për mbrojtjen e interesave të huaja siç përshkruan edhe kënga „Ju nizamët e shqiptarisë". Kjo këngë njëmend na bënë një sintezë të gjendjes së vështirë, e cila ishte krijuar në këtë periudhë historike për djemninë shqiptare, se, si nizamë të turqisë, gjendje kjo që për pasojë u kishte sjellë shumë të zeza nënave e grave shqiptare, sepse:"/Shumë nana ka mbetë pa djal,/ shumë motra kanë mbetë pa vlla,/ jau kann lanë nuset pa marrë"/ etj.Ose i kohës më të re e në vorbullen e ngjarjeve të mëdha të prishjes së Jugosllavisë kur populli shqiptar doli me kërkesa të hapta për pavarësi, dhe kur këto kërkesa patën jehonë të madhe jo vetëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare, por edhe në arenën ndërkombtrare filloi të flitet për Kosovën, shumë djem shqiptarë, që shërbenin në ushtrinë Jugosllave, ktheheshin në arka. Këtë më së miri e përshkruan kënga:"Kah po e qojnë atë kufomë", ku thuhet: „/Cila nanë ka mbetë pa djal?/ Dëshmor Kosovës me ja falë!/ Cilat motra po mbajnë zi?/ Se ua vranë vllaun núshtri!"
Këngët popullore historike te shqiptarët kujtojnë jo vetëm rezistencën e një populli për ruajtjen e ekzistencës, por përshkruajnë edhe vuajtje të panumërta, mallë për familje, farefis e atdhe, keqtrajtimet që bënin në ta të huajt, kur rekrutonin me dhunë si turqit ashtu edhe serbët, poshtrimet që ua bënin atyre, por edhe durimin e matur të shqiptarit që kur e ka prekur aty ku vritrt morali dhe ndërgjegjja e tij, më nuk ka pasur vend durimi. Një këngë e tillë është edhe "Arif Sinani nji djal i ri" ku shihet qartë se sa mund të duron shqiptari: "-Kur ma shajke babën mu,/n´vend t´zabitit e kam durue,/ kur ma shajke nonën mue,/n´vend të babës e kam durue./ Kur ma shajke motren mue,/ n´vend të dhondrit e kam durue./ Kur ma shajke gruen mue,/Përte atyhi s´pata ku me shkue".
Këngëtari ynë me mjeshtri individualizon figurën e femrës shqiptare dhe na mëson se ajo vërtetë ishte e ndershme, e vendosur, luftëtare e pakompromis. Morali qëndronte më lartë se çdo epërsi tjetër. Egërsia hakmarrëse dhe egërsia e ndjekjeve të aparatit shtetror dhe e spiujve të tyre e tradhëtarëve ngjyrash të ndryshme, nuk mund ta poshtronin studenten e viteve ´81 që me masa drakonike hynë në konviktet e tyre. Ajo tani nuk përkulej as para qizmës së Nikollë Lubiçiqit e as para tanksave të tij. Më kot thuhej në propoganden armike se pjesmarrësit e demostratave të ´81-shit ishin "huligan" e nxënës të dobët. Këngëtari me besnikri përshkruan të kundërten në këngën për këto demostrata ku: "Ja nji shembull të vërtetë/ për nji vajzë si luaneshë./ Ishte e re e studenteshë,/ mi tanksë të shkaut hipte mbi,/ mirë vendos flamurin kuq e zi./ Oficieri me revole n´dorë,/ i bie vashës në krahnorë,/ i ra "Indeksi" i kishte dheta!/ Kjo ishte pra e verteta". Dhe e vërteta tregohej me vetë qëndrimin heroik të femres shqiptare edhe në tortura më çnjerzore, edhe para gjykatoreve armike, por edhe qëndrimi i denjë në burgjet e ish Jugosllavisë.
Duke u ruajtur me dinjitet nga çnjerzimet, që donte t´i bënte armiku dhe disa tradhëtarë shqiptarë vegla të armikut, këngëtari përshkruan bukur shfrytzimet e paskrupullta që bëheshin në popull. Ja heq maskën fort bukur kënga "Tre haraq për nji vjet", e cila këngë reflekton fatkëkeqësinë e një familje shkodrane së cilës turqit ja kishin vënë syrin për t´ja marrë një vajzë të bukur, e për t´ia dalë kësaj në krye më mirë e rëndonin me shumë haraç, dhe:"Në të parin-o haraç,/ shiti arën të pa korrë;/ në të dytin-o haraç shiti grigjen me kumbonë;/ në të tretin-o haraç,/qiti vashen-o në treg!" Përndryshe, motivi i imoralitetit, i jetës së shfrenuar të disa tradhëtarë shqiptarë u pasqyrua edhe më mirë në këngën " Halit Gashi nji djal i ri" ku Beçir Aga i Vushtrrisë ja kërkon motrën Hajri, Halit Gashit "soll si i ka dy sytë e zi", e mandej t´ja sjell në shtëpi. Ky kushtëzim për një copë tokë çipçi qe i rëndë për Halit Gashin, i cili e ndjen në shpirt fyerjen e përuljen. Prandaj, për malsorin tonë nderi qëndron më larte se gjendja e vështirë ekonomike, për çka pason një skenë e cila përkon mjaft me mentalitetin e njeriut tonë:" N´cilën tokë m´shtje çipçi?/ Ta kam pru motën Hajri!/ I ra sipri gjashtë herë allti./ Qekjo asht motra Hajri,/ si ti ka dy sytë e zi.../ Rrotulloje e merre n´gji!" Këngë të tilla me tematikë historike e dokumentare ka me mija. Për të mos hyrë në detaje, po përmendim të lavdishmen Norën e Kelmendit, e cila për ta ruajtur nderin bie nga shpatijet e larta për të vdekur beqareshë. Ndërsa, do të ishte mangësi të mos e përmend edhe Shote Galicën, e cila me trimërinë e saj në luftëra me serbët dridhte Ballkanin; Ibe Palikuqin,Ganimete Terbeshun, Marije Shllakun, e shumë e shumë vasha, nëna, gra e motra, që ranë në alltarin e lirisë e për të arritur në ditët e sotme kur ranë përsëri Nurije Zeka, Ylfete Humolli, Shukrije Obertinca,Xheva Lladrovci etj. Por, edhe sa do të binë, edhe sa këngë do të këndohen për heroizmat e femrës sonë, e cila nëpër shekuj hyri në histori, mbetet të shifet?!! Kosova e fitoi një liri të brishtë, Medvegja, Bujanovci e Presheva akoma janë nën kthetrat e Serbisë, ndrsa e njejta zbaton akoma të ashtuquajturin presion permanent, i cili shprehet me ndarjen e Mitrovicës e disa lokaliteteve tjera gjë që është e mundshme edhe një luftë e re në Ballkan ku sigurisht do ta keqësoj gjendjen edhe ashtu të pa lakmueshme të shqiptarëve.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Re: Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 6:59 pm

Pjesa e tretë
Terrore të tilla njihen edhe në të kaluarën jo fort të largët e sidomos në luftën e parë ballkanike, kur ushtria dhe xhandarmëria malazeze në Dukagjin, bën terror që nuk mbahet mend, duke u përpjekur që shqiptarëve t´ua ndërrojë fenë. Në këtë aksion për të zi u dallua Sava Llazareviq-Batarja me xhandarët e tij. Për këtë rast një studiues ynë në "Përparimi" nr.4
1970 shkruan:"Ajo që godiste më së shumti shqiptarët e Kosovës është padyshim politika e kolonizimit të banorëve serbë nga viset e tjera. Sipas ligjës së vitit 1931 shqiptarëve u është marr toka më pjellore dhe ajo u jepej kolonistëve. Kjo gjë i godiste interesat jetësore të fshatarëve të varfër, të cilët mbesin pa mjete të ekzistencës". Këngëtarit popullor i dhemb kjo, pse ishte një goditje e idhët për popullin tonë dhë këtë e pasqyron përmes këngëve me ngjyra më të vrazhda, ashtu siç ishte vet e verteta: "Jo-o Shumanjoku, o n´Tumrovi,/ naj kan marrë tokat bitevi,/ Ka dy shpi-o poj bojnë ni shpi!" (Bec Sinani qaj djal i ri). Pra përpjekja e Serbisë që ti shpërngulë shqiptarët nga Kosova dhe Reforma Agrare e vitit 1938 ishin përpjekje për zhdukjen tonë nga trojet etnike. Ndonëse reforma qe zbatuar me forcë, duke ua marrë shqiptarëve tokat e duke ua dhënë kolonistëve qä käto toka i punonin shqiptarët prapë përgjysmë. Shpërngulja hasi në rezistencë shembullore, jo vetëm nga popullata shqiptare së cilës gjoja i qenë ofruar kushte shumë të favorshme në Turqi, por edhe nga deputetët shqiptarë, ndër të cilët u nda me shej Ramë Bllaca nga Bllaca e Sufrekës (Therandës) për çka edhe i këndohet: "N´Beligrad shkon ky zog shqiptari,/ s´po troket, hyn te krajli!/ Shkyn vendimin ja ban copa,/ po çuditet tanë Evropa!/ Ja ka prishë krajlit planin;/ se shqiptarët se lëshojnë vatanin!"
Do të ishte një mangësi e këtij shkrimi, po të mos i shenojmë edhe disa kuadra këngësh për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e vise të tjera etnike. Dihet mirëfilli, se viti më frytdhënës, më i organizuari e më stabili në ngritjen e vetëdijes kombëtare, në historinë tonë, ishte Viti i pajtimeve. Këso aksione njihen edhe në të kaluarën: në kohën e Teutës pas vdekjes së Agronit, në Kohën e Skënderbeut me kuvendin e Lezhës, në Verrat e Llukës etj.
Po aksioni i pajtimeve në kohë e në moment, ngriti në këmbë të madh e të vogël: burra e gra, pleq e plaka, intelektualë e katundarë, bujq e xehtarë dhe: "Kudo valle e burrnisë,/ s´mbante mend toka e Arbnisë!" Padyshim, heronjët e këtij viti ishin ata që falnin gjaqet: "Ai që shtrinë doren t´pajtimit,/ ashtë burrë-burri, e trim i trimit!" Por, fytyra e plakut të urtë Anton Çettës i dha karakter gjithkombëtar këtij aksioni, që rinia me vetëdije të plotë e futi në ballë të aksionit; sepse Anton Çetta ishte një plak i urtë, i dashur për të gjithë; simbol i rezistencës sonë, e njëherit edhe ndër njohësit më të mirë të dokeve e zakoneve tona, njohës i mirë i mentalitetit tonë, dhe për këtë i këndohej: "Filloi punën me i falë gjaqet,/ e me i gëzu n´Kosovë konaqet". Fjala e tij e urtë bënte për vete çdo kend, andaj pa ngurrim falnin gjaqet e bijëve e të afërmëve të tyre burra e gra. Gruaja shqiptare prap ishte në qendër të vëmendjes;
"Kur Burrnesha shtrinte dor´ ,/ Lkundej bjeshka bashkë me borë!/ Dridhej mali e l´kundej vrrija/ n´bark te nanës gëzohej fëmija!"
Vdekja e plakut Anton Çetta ishte dhimbje e madhe për të gjithë. Në ditën e varrimit të kësaj figure kombëtare, ishte shpallur ditë zie në Kosovë, e në ceremoninë e varrimit marrin pjesë mijëra e mijëra shqiptarë. Ndërsa, poeti Faruk Tasholli shkruan tekstin e këngës më të bukur të tij, e pikrisht që i kushtohet amanetit të plakut tonë:" Flet prizreni e l´shon kushtrim,
/ Me shumë mall e me gjëmim,/ Njaj shqiptar që e shkel besën/ Ma ka vra n´vorr Anton Çetten".
Vend të posaqëm në këngët epike historike zënë edhe këngët më të reja të luftës së shenjtë për liri, luftë e cila mori shumë viktima, qiti në sipërfaqe heronjë e heroina të reja, hapi faqe të lavdishme të historisë sonë. Kjo luftë si e pabarabartë me armikun më të egër që patën ndonjëherë shqiptarët, shkaktoi shumë plagë të rënda sepse ishte një luftë e ndytë, me egzod të pa parë, me kallje të shtëpive, me masakrime e dhunime të cilat i shkatuan bandat serbo-çetnike të Arkanit e të ushtrisë serbo-jugosllave. Mirëpo, heroizmi i shqiptarëve në luftë për liri ngriti në këmbë tërë botën demikratike e sidomos Amerikën dhe popullin amerikan të cilët të parët iu bënë krah popullit tonë dhe UÇK-së, ushtri kjo e dalë nga gjiri i popullit. Komandantët trima si Adem Jashari, Agim Ramadani, Fehmi Lladrovci me gruan Xheven etj. nuk do të harrohen kurrë as nga populli e as nga këngëtarët tanë që me përpikëri vështruan ngjarjet e luftës si në Prekaz, Deçan, Reçak, Bllacë, Kukës, Tropojë, Llapashticë, etj. Kronikat e luftës mundësuan që këngëtarët tanë me besnikëri ti shenojnë ngjarjet, të krijojnë këngë të reja për ti bërë të pavdekshëm të gjithë ata që u flijuan në alltarin e lirisë e gjer te falenderimi i të gjithë atyre që ndihmuan në këtë luftë siq është NATO-ja dhe aleatët e saj.
Padyshim, fillimin e luftës e bënë Adem Jashari me familjen e tij ku këtë fillim të kësaj dasme tä madhe kënga e përshkruan në këtë mënyrë: " Korba t´zi po vijnë prej qiellit,/ E kanë zanë rrezen e diellit./ E kanë mësye Qyqavicën,/ Rrafsh me tokë me ba Drenicën". Edhe pse të pabarabartë në armatim dhe në ushtarë, në shprehje vinte morali i fortë dhe dashurija e madhe për dëbimin e armikut nga këto vatra.Andaj Serbija në luftën e Prekazit ndahet e pa nderë , sepse:" N´Drenicë trima lind prap Shqipnija/ Kamer Losha, Ahmet Delija,/ Lindin trimat të grykë e pushkës/ Që mi ngjajnë Shaban Polluzhës". Padyshim Prekazi dhe Drenica gjithëherë ishin fortifikatë e fortë e njëherit pushkë e ngrehur për armikun, andaj edhe këngëtari nuk i mbetet borgj duke ia dhuruar vargjet:" Ç´po trazohet keq Beligradi,/ Ma ka shkelë fytin Prekazi,/ Njiqind vjet dridhet Kralica/ S´po ma nal pushkën Drenica". Nga ky moment lufta përhapej me të madhe, për t´u kurorëzuar me një ushtri të vërtetë me vasha e djelmosha shqiptarë të cilët lëshonin vendet e punës, lenin familjet e veta në Amerikë, Gjermani, Zvicër e Australi dhe suleshin në frontin e luftës. Pastaj fshatarë e intelektualë nga të gjitha viset etnike shqiptare, studentë e mësues, mjek e infermier, vetëm e vetëm që sa më parë të rreshtoheshin në radhët e UÇK-së për të vdekur për një të ardhme më të lumtur. Këngëtari ynë edhe këtë rast e shenon kështu:" Qyqavicës o n´ato male,/ Zbret ushtria çlirimtare/ Zbret ushtria e fort si guri,/ Djem Kosove zemër burri". Mirëpo, ushtria jugosllave e bandat tjera të serbisë në pamundësi të hakmerreshin për humbjet që u shkaktonin luftëtarët trima shqiptarë, bënin masakra të pa para në popullatën civile dhe ishte i arsyeshëm një egzod i pa parë në historinë shqiptarë. Me këtë rast nuk mungoi solidariteti i madh i shqiptarëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi e kudo tjetër. Kjo dukuri e përshkruhet me vargjet në vijim:" Dorë e zezë plagon Arbninë/ Karavanet sapo mbrrinë,/ Me t´plagosun gra e fmi/ E kan msy nanën Shqipni." Dhe turmat e para të ikurish u lajmëruan në veri të Shqipërisë ku për mikëpritjen e ofruar pasojnë vargjet: "Eni vllazën eni motra,/ Se nuk jeni ju të huej,/ Bukë e kryp e zemër t´bardhë/ Qet Tropoja n´sofrën tuej". Ndërsa luftëtarët shqiptarë të UÇK-së mikpritjen tropojane e përshkruajnë me vargjet e këngës:"Ah Tropojë, Tropojë e vjetër/ Prite, prite gjakun tim,/ Ç´po më pret me atë fllad bjeshke/ M´i merr plagët n´ledhatim", dhe pastaj " Vij pishoj në prehnin tand,/ Pak cigarës ia dredh tymin,/ I ngjesh armët marshoj malit/ Krah i bahem Dukagjinit./ Me atë frymë të Mic Sokolit/ Me atë za të Smajl Hysenit,/ Më jep gjak me ujë t´Valbonës/ Më jep forcë me ujë t´Shkëlzenit".
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Re: Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 7:00 pm

Pjesa e katërt
Padyshim se kjo luftë ishte epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar në kohën e re e në fund të milineumit që po e lëmë pas. Ka shumë këngë të bukura që me besnikri përshkruajnë çdo detal të kësaj lufte, humbjet e fitoret, betejat e vështira ku duhej të ruheshin fëmijët, grat, të plagosurit, pastaj organizimet e mira e të këqija e deri te idealizimi i kësaj lufte me ngjyra politike që në të ardhëmen sigurisht se do të dalin sheshit, sepse dihej mirëfilli se luftën e bën bashkimi e jo përqarja.Nga këto përqarje ideologjike me vlera të dyshimta komuniste dalin në shesh grupe të vogla kriminelësh të llojit të tyre,e të shtyrë nga urdhëdhenësit e tyre të pa shpirt, qysh në fillim të luftës vriten gazetari Ali Ukaj, Azem Hajdari dhe ministri i Mbrojtjes së RK-vës kolonel Ahmet Krasniqi. Këngëtari duke e rikujtuar edhe të kaluarën e hidhur se shqiptarët edhe në të kaluaren bënë vrasje të tilla, në këngën për Ahmet Krasniqin ia këndon edhe këto vargje:"Sikur vritet Bajram Curri/,Gjon Serreqi kur thehet guri,/ Sikur vritet pa i dal fjala, Trimi yne Jusuf Gërvalla". Seria e vrasjeve të dyshimta nuk ndalej edhe gjat luftës por edhe pas mbarimit të saj.Vriteshin njerzit më të devotshëm të kombit; gazetar, shkrimtar, Komandant të Ushtris son të Lavdishme bile edhe parlamentar.Andaj këngëtari në këto momente bie në situatë që në emër të Kosovës martire të i lutë të tillet duke thënë:"Qan Kosova e qan me lot,/Ndalnie krimin thot e mjera,/Mos ma vritni krenarinë,/Mos më mbillni me varre t´reja". Padyshim se me anë të këtyre vrasjeve bëhej një përqarje e madhe në popull që ishte edhe një dëm i madh për ardhmerinë dhe lirinë e posafituar. Këngëtarit i dhemb kjo, andaj me tone të buta iu ep zemër duke i premtuar popullit të posa dalë nga lufta se:"Do t´vijë prapë pranverë shqiptare,/ Porse duhet t´jem unik,/ Tuj i lanë hasmitë ndërvete/ Bahemi t´fortë porsi çelik".
Luftën për liri e bënë vashat e djelmoshat të cilët e dinin se Kosova e robëruar është e të gjithëve andaj edhe të gjithë duhet të luftonin, por ishte e ditur se lufta bëhët në shumë fronte sepse është e pa mundur që të gjithë tiu rreken pushkës. Në këtë luftë muarën pjesë fëmijët,nuset e vashat, pleq e plaka,fshatar e intelektual, mërgimtar e miq të tanë. Pa dyshim nderin më të madh e mbajnë ata të cilet ishin ball për ballë me armikun dhe të cilët i thonin njeri tjetrit: "Mos t´ju dhimbset gjak as jeta/ Sulnju hasmit n´istikam,/ Kur të soset djalë baruti/ Gjuju n´shpinë haje me dhambë". Guximi i shqiptarit edhe në këto raste nuk mungoi, andaj edhe ky mund u kurorëzua me fitoren e lirisë, por normalisht me ndihmën e NATO-os andaj edhe me këtë rast këngëtari ynë gjen vargje falenderimi të kënduara me çifteli, kur nga qielli duken avionët e parë mbi qiellin e Kosovës të nisur:" Që Kosovës t´i ndimojnë/ Si shqiponja fluturojnë,/ Bombarder të Aleancës,/ Ka urdhnu Baba Klinton". Për këngë të shumta të këtij cikli mbetët që në të ardhmën të merren studjues të Institutit Albanalogjik të Tiranës e Prishtinës me qëllim të ruajtjes së këtij thesari kombtar.
Duke i vështruar këto krijime të bukura të popullit do të kemi një pasqyrë të plotë jo vetëm të femrës shqiptare e figurave të tjera historike, por edhe të etapave të tjera kohore. Përkundër këtyre, pjesa dërmuese e këngëve popullore historike, u thurr me një realizëm që përnjëmend edhe ua shton vlerën artistike të tyre. Pasqyrohen ngjarjet me një besnikëri që të mahnit, sepse nuk na parafytyrojnë vetëm fitore të shkëlqyera; fytyra më të ndritshme të historisë sonë kombtare, por edhe humbje të mëdha, fytyra tradhëtarësh, të verbërish e të mashtruarish nga shkelsit e trojeve tona me motivacione të ndryshme-qoftë fetare, krahinore etj. Kjo gjini letrare u bë një kronikë e gjallë ngjarjesh, luftërash, mardhënjesh të mira e të këqia, jo vetëm brenda popullit tonë, por edhe me popuj të tjerë me të cilët na lidhi historia.
Dhe kjo krijimtaria e popullit, tani na end nëpër etapat historike si në ekran të filmit; na njeh me ditë të zeza e të bardha të popullit tonë, na njeh me tortura e masakra të pashembëllta, rrahje e vrasje, burgime e zhdukje, dhunime e helmime, me dhuna të llojllojshme deri të cenimet e nderit familjar, që ushtruan të tjerët ndaj nesh. Nga kjo epikë, do të mësojmë edhe për rezistencën tonë të vazhdueshme, sakrificat e mëdha që bëri njeriu ynë i ndershëm në alltarin e atdheut: burra gra, djem e vajza, pleq e plaka. Nga kjo rezulton, se protoganist i këngëve tona epiko-historike qe i gjithë populli; secili patriot që simbolizoi virtytet më të larta të popullit tonë liridashës.
Epika jonë popullore historike burimin e vet e ka në të pasqyruarit e realitetit, në ushtimën e drejtpërdrejtë të ngjarjeve historike të poetizuara nga këngëtari ynë popullor, i cili duke i kënduar këto vlera nëpër oda burrash, nëpër ndeja, në kremte kombëtare e kudo tjetër, luajti një rol të madh, jo vetëm në ruajtjen e kujtimeve të shtrenjëta të historisë sonë të lavdishme, por edhe në edukimin e ndjenjës patriotike të pastër të brezave në kalim.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Re: Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga besa Thu Nov 20, 2008 10:47 pm

EPIKA HISTORIKE, LINDI BASHK ME KOMBIN ,QE I PERKET.
NE QOFTE SE AJO ASIMILOHET,DHE VET AI KOMB ESHTE ASIMILUAR.


KOMPLIMENTE TE SHUMETA ,DHE JO VETEM KAQ ,MERITON AI PERSONAZH,QE MBRON
KETE KULTUR"KETE RRELIK KOMBETARE".
NE KETE RAST JENI JU Z.AGIM.
JENI JU QE NE GJITH SHKRIMET TUAJA FLISNI PER VLERAT KOMBETARE.,DHE SHPIRTERORE TE SHQIPETARIT.
QE SOT PAK NJEREZ ,INTERESOHEN PER KETE ASPEKT ,KAQ TE RENDESISHEM PER NJE KOMB.
DHE KJO ESHTE TEJET E DHIMBESHME.

besa

Numri i postimeve : 7
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare Empty Re: Disa aspekte të epikës historike në këngët popullore shqiptare

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi