Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.[/

Shko poshtë

Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.[/ Empty Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.[/

Mesazh nga Agim Gashi Sun Nov 18, 2012 5:30 pm


Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.



Kuvendi i Shqipërisë nderon personalitete të letrave, artit e humanizmit në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë.[/ Topalli16_11_12_v_12949_0
Në një ceremoni shumë të veçantë, në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nderoi sot për kontributin e tyre, personalitete të letrave, artit e humanizmit shqiptar.
Kryetarja Jozefina Çoba Topalli dhuroi për artistë, shkrimtarë, njërëz të letrave, mjekë që ndërtuan themelet e mjeksisë shqiptare, botimin special të Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e themelimit të shtetit shqiptar”, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje.
“Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ata u bënë njerëz të ndryshimit. Shqiptarët i besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ne kemi nevojë për ta si për ajrin”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, e cila në fjalën e saj tha:
“Tash që u ba Shqypnija, duhen ba shqyptarët”, shkruante At Gjergj Fishta menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në fillim të vitit 1913.
Tingëllon kjo frazë sa therëse, sa ironike, e idhët, si e vërteta. Po kush do t’i bënte shqiptarët që të ndjeheshin shqiptarë?
Natyrisht ky qe misioni më i rëndë, më sfidant, më kryeneç, më jetësor që i binte mbi shpinë veçse njerëzve të kulturës. Më mirë me thanë: punëtorëve të kulturës.
Këtyre mjeshtrave idealistë që nisën të ndërtonin gur mbas guri ngrehinën e identitetit kulturor shqiptar.
U desh të dëshmohej më së pari se jemi sa njëlloj në dinjitet po aq edhe të ndryshëm në kulturë.
Nisi kështu puna e madhe e këtyre iluministëve të gërmonin rrënjët e këtij dentiteti. Të gërmonin tokën prej së cilës do mbinin kolonat e ngrehinës së identitetit:
Kolona e parë: gjuha shqipe.
Kolona e dytë: eposi i kreshnikëve.
Kolona e tretë: kanunet dhe statutet.
Kolona e katërt: përrallat kombëtare.
Mbi këto katër shtylla ne mund ta ndërtonim tempullin tonë. Mund ta zbukuronim atë me letërsi, me muzikë, me pikturë, skulpturë dhe fotografi, me teatër dhe kinema, me balet dhe opera e me të gjitha ekspresionet e tjera përherë e më të holla artistike.
Kështu gjeneratat e shkrimtarëve dhe artistëve u bënë përherë e më të pranishme në jetën e vendit. Ato u bënë njerëz të ndryshimit, që shpesh ishin më të besueshëm dhe rrethoheshin me simpati. Shqiptarët i besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ky dialog historik, i besueshëm dhe i vërtetë, e ka shoqëruar dhe i ka dhënë famë kësaj miqësie.
Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ato janë bujarisht të mikpritur prej tyre dhe duhet që ta rimarrin edhe më me kurajo këtë pozicion.
Ne kemi nevojë për to si për ajrin.
Shkrimtarët dhe artistët janë njerëzit tanë të shtëpisë. Ata na kanë hyrë nëpërmjet librave, nëpërmjet radios që na zgjon nga gjumi, nëpërmjet pikturave që kemi ndër mure, nëpërmjet fotove ku ruajmë kujtimet, nëpërmjet televizionit dhe filmit të darkës, nëpërmjet copave të revistave që i kemi ngjitur te muri mbi kokën e krevatit. Ata i kemi gjithandej.
E duke i pasur tanët shpesh edhe i kemi harruar, i kemi kaluar anash pa i përshëndetur, i kemi bishtnuar pa i dhënë dorën.
Ne jemi borxhlinjtë.
Lavdia e tyre nuk ka nevojë për asgjë.
E jona ka nevojë për të.”
Më tej Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli dhuroi botimin special të Kuvendit të Shqipërisë ”Aktet e themelimit të shtetit shqiptar” në nderim për kontributin e tyre për:
1. Ismail Kadare (1936- )

Shkrimtar, dramaturg, akademik. Ai është shkrimtari më i shquar i letërsisë shqipe, disa herë i nominuar për çmimin "Nobel" për letërsi. Me veprën e tij, të përkthyer në mbi 45 gjuhë të huaja ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Që nga viti 1994 është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në 2005 u nderua me çmimin Man Booker International Prize, Britani, më 2009 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi.

2. Gjergj Fishta (1871 - 1940)

Poet (i quajtur Homeri shqiptar), prozator, dramaturg, estet, publicist, klerik i lartë, politikan, patriot. Tërë jeta e tij përmblidhet në sentencën: fe, gjuhë, atdhe. Me kontributin e tij letrar Fishta ia doli të përmbushte sfidën e madhe të krijimit të përmendores së gjallë të gjuhës shqipe. Si i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane në Shkodër, Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Më 1907, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipëri dhe krijon të parën trupë teatrale amatore.
Kryetar i Kongresi te Manastirit ku percaktua alfabeti shqip. Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Themeloi gjimnazin franceskan të Shkodrës në vitin 1921 dhe po atë vit u zgjodh deputet në parlamentin shqiptar ku merr postin e nënkryetarit.
Vepra e tij, u hoq nga qarkullimi për gjysëm shekulli për arsye jashtëletrare dhe iu rikthye lexuesit pas viteve ’90. Gjergj Fishta është dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”.


3. Eqerem Çabej (1908-1980)

Gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Për afër gjysëm shekulli Çabej dha ndihmesa të rëndësishme në gjuhësinë shqiptare dhe në arsimin e lartë. Veprimtaria e tij shkencore u shtri edhe në folklor, etnografi e histori të letërsisë. Është një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës së tij. Cabej është dekoruar me Urdhrin “Nderi Kombit”.


4. Pashko Gjeçi (1918-2010)

Përkthyes mjeshtëror i thesareve të letërsisë botërore. Më 1942 diplomohet ne Rome me gradën Doktor Shkencash në letërsi dhe kthehet në atdhe. Më 1947 ndalohet me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit" dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Pas lirimit e transferojnë në Fushë-Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit, më pas nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore, "Odisenë" e Homerit. Ai gjithashtu ka përkthyer “Hamletin” e Shekspirit , “Faustin” (pjesa 1) të Gëtes, “Andromaka” të Rasinit etj. Është vleresuar si përkthyes nga Shoqata italiane "Dante Alighieri" në vitet ’70, si një ndër tre përkthimet më të mira në botë të "Komedisëe Hyjnore".
Pashko Gjeçi është laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
5. Faik Konica (1875-1942)

Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, politikan e diplomat, patriot, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
I shkolluar ne shkollat me te mira te lindjes e perendimit, eshte botuesi dhe themeluesi pionier i revistave e gazetave te para ne shqip, si gazeta “Dielli”dhe federate “Vatra”ne Amerike. Faik Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. nga Mbreti Zog. Gjate regjimit komunist u sulmua politikisht dhe vepra e tij ishte e ndaluar. Prej vitit ’92 eshte dekoruar me nje sere urdhrash e medaljesh, mes te cilave me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

6. Fatos Kongoli (1944-)

Prozator. Ai njihet si një nga figurat kryesore dhe përfaqsuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës, si dhe i çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika". Fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë" (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006, në Gjermani.


7. Sajmir Pirgu (1981-)

Tenor. U diplomua në violinë në qytetin e tij të lindjes, Elbasan, e më pas për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos Itali, nën drejtimin e Vito Brunettit. Fitues i konkurseve ndërkombëtare “Caruso” e “Tito Schipa” në 2002, e nis karrierën e tij me Festivalin e Operës “Rossini” të Pesaros, per te vazhduar me Staatsoper të Vienës, ku fiton edhe çmimin e madh “Eberhard Ëaechter Gesangsmedaille”, që u jepet të rinjve në karrierë. Ai këndon me sukses në skenat e teatrove më të rëndësishëm të botës. Saimir Pirgu bashkëpunon me dirigjentët më të njohur të orkestrave në botë.
8. Llazar Gusho (Lasgush Poradeci) (1899-1987

Poet lirik dhe shkrimtar, përkthyes . Një nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Në veprën e këtij jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti letrar daton ne fillim te viteve ’30 pas kthimit nga Austria ku u shkollua ne Akademine e Artit. Marredhenia e tij me regjimin komunist ishte e ftohte dhe ne kushtet e nje survejimi constant kontaktet njerezore I kufizoi ne menyre drastike. Në vitin 1999, Presidenti i Republikës i akordon titullin "Nderi i Kombit".

9. Ali Podrimja (1942-2012)

Poet, akademik. Krijimtaria e tij është poezi e frymëzimit atdhetar dhe e ndjeshmërisë qytetare.Është nderuar me shumë çmime në Kosovë , me çmimin letrar ndërkombëtar “Nicolas Lenau” në Shtutgard, 1999 si dhe me çmimin “Liburna” në Durrës, 2005.

10. Gjon Shllaku (1923-2003)

Përkthyes, hartues fjalorësh, profesor. Helenist i madh, ky mjeshtër i pashoq i përkthimit, bëri të flasin shqip Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, Alfred De Musenë, e deri tek papa Gjon Pali i dytë. Është përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore, në të gjitha gjinitë.. Më 1946 ishte vetëm 22 vjeç, kur regjimi komunist e dënoi me burg për motive politike. Pas kryerjes së dënimit iu kushtua tërësisht përkthmeve nga letërsia klasike, që i pati nisur që në burg.
Gjithashtu ai bëri një punë kolosale për hartimin e fjalorëve: Fjalor Helenik - Greqishte e vjetër -Shqip, Fjalor diakronik Latinisht - Shqip .
Pas proceseve demokratike, Gjon Shllaku u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “Naim Frasheri”, me çmimin ”Penda e Artë”, dhe ”Diskun e Argjentë”.

11.Ibrahim Kodra (1918-2006)
Një nga piktorët më të njohur të diasporës. Lindur në Ishëm të Durrësit më 1918. Mësimet e para për pikturë i mori në Shkollën e Vizatimit në Tiranë . Në vitin 1939 filloi studimet në Akademinë e Arteve të Brera-s në Milano dhe më 1944, një vit pas përfundimit të studimeve hapi studion vetiake në Milano. Që prej atij viti krijon dhe ekspozon në Itali dhe vende të tjera të Europës dhe të Amerikë. Krijimtaria e Kodrës u bë më e njohur për bashkëatdhetarët e tij në Shqipëri pas vitit 1990. Në vitin 1996, për vlerat e larta të veprës artistike, mori titullin “Nderi i Kombit”.

12. MARUBI
Familje dhe firmë e njohur fotografësh patriotë nga Shkodra. Me figurat e rëndësishme që fotografuan, me ngjarjet, dëshmitë e mjediseve dhe të kostumografisë së kohës, Marubët i sollën shërbime të çmuara historisë shqiptare dhe ballkanike. Pjeter, Mati, Kel e Geg Marubi, jane e fotografive me vlera historike, nga kryengritja e Mirditës dhe nga Lidhja Shqiptare ngritja e flamurit kombëtar në Deçiç, e në Vlorë. Më 1970 pasurinë prej rreth 150.000 negativash me vlera të shquara historike kombëtare familja ia dhuroi shtetit.


13. Dritëro Agolli (1931)
Shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe. Ai është poet i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore, duke sjellë në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri. Diplomuar per Letersi ne Universitetin e Leningradit, ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është dekoruar me urdhërin “Nderi i Kombit’.


14. Çesk Zadeja (1927-1997)


Kompozitor, përfaqësues ndër më të shquarit e traditës muzikore profesioniste shqiptare. Formuar si muzikant ne Rome e Leningrad, pas kthimit në atdhe u bë një ndër figurat muzikore qendrore të vendit. Më 1996 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Prishtinës. Me një aktivitet kompozicional të shtrirë në përmbi 40 vite, Çesk Zadeja u bë përfaqësues vendimtar i proceseve bazë, që njohu zhvillimi i muzikës shqiptare të gjysmës II të shek. XX.
15. Jusuf Vrioni (1916-2001)

Përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën frënge. Lindi në Korfuz. Rininë e kaloi në Paris, ku ati ishte ambasador i shtetit shqiptar. U diplomua për jurisprudencë dhe shkenca politike. Në verën e vitit 1943 u kthye në Shqipëri. Në 1947 u arrestua dhe vuajti burgim të gjatë politik. Në vitin 1997 u emërua ambasador i Shqipërisë në UNESCO. Pas daljes nga burgu (1959) u mor me përkthime nga shqipja në frëngjisht. Është dekoruar me Urdhërin “Mjeshtër i Madh i Punës”, dhe nga shteti francez me Urdhrat: “Kalorës i Urdhrit të Arteve e të Letrave” dhe “Kalorës i Legjionit të Nderit.

16. Martin Camaj (1925-1992)
Shkrimtar, gjuhëtar, filolog. E gjithë krijimtaria e tij letrare dyzetepesëvjeçare synon t’i japë një karakter më universal problematikës shqiptare.
Më 1948 u arratis nga Shqipëria dhe u vendos në Jugosllavi ku filloi studimet e larta për romanistikë e ballkanologji në Universitetin e Beogradit. Në 1956-1960 kreu Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Romë dhe u caktua lektor i gjuhës shqipe në atë universitet. Për shumë vite qe kryeredaktor i revistës “Shejzat”. Camaj lëvron me mjeshtri variantin gjuhësor të gegnishtes. Vepra dhe personaliteti i tij u bënë të njohura në Shqipëri pas shembjes së komunizmit.
17. Vangjush Mio (1891-1957)
Piktor i periudhës së Pavarësisë. Ai e ngriti peizazhin shqiptar në një nivel të lartë profesional dhe artistik. Përveç formimit akademik ne Bukuresht e Rome, u ndikua edhe nga impresionizmi. Pas Çlirimit vazhdoi të punojë si mësues e pastaj skenograf i teatrit A. Z. Çajupi. Vepra e Mios përbëhet nga më se 400 tablo, mbi 50 vizatime dhe shumë të tjera . Në këto tablo ai ka sjellë bukurinë e mjediseve të natyrës, rrugëve e qyteteve karakteristike shqiptare, në stinë të ndryshme.


18. Mitrush Kuteli (1907-1967)
Shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist, kritik letrar e folklorist . Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli u shkollua ne Selanik e Bukuresht, ku doktoroi per ekonomi. Nga viti 1924 kish filluar të botonte në gazetën "Shqipëria e Re" dhe "Kosova" që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist . Më 1944 së bashku me Spassen dhe Kokonën nxorën të përdyjavshmen “Revista letrare”, në Tiranë. Në 1947-1949 burgoset politikisht .
Përmbledhja e tij me titull “Shënime letrare”(1944) është libri i parë në historinë e kritikës letrare shqiptare. Ai gjithashtu iu përkushtua përkthimit.
Më 2002 dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me titullin "Mjeshtër i Madh i Punës".

19. Azem Shkreli (1938-1997)
Poet dhe prozator. Poezia e tij ka një thellësi mendimi e një përmasë universale duke evokuar qendresën, traditën historike dhe lashtësine e popullit të tij. Ndërsa proza dallohet për prirjen sociale dhe thellësinë psilkologjike. Kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Fitues i shume cmimeve kombetare e nderkombetare.

20. Baltazar Benusi (1897-1982) Luigj Benusi (1904-1986)
Baltazar Benusi dha një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e legjislacionit modern shqiptar. Shkolluar ne Hungari e me pas ne Itali, punoi si gjyqtar e prokuror ne Vlore e Berat, e me pas anëtar i Komisionit Legjislativ pranë Ministrisë së Drejtësisë (1927) ku mori pjesë në hartimin e legjislacionit të shtetit shqiptar, si :Statuti Themeltar i Mbretërisë dhe Kodet (Civil, Penal e Tregtar). Më 1947 arrestohet për agjitacion e propagandë e pas 7 viteve burg, ai internohet .

Luigji Benusi Mjek, mikrobiolog, doktor i shkencave. Është themelues i shërbimit të mikrobiologjisë në vendin tone. Shkolluar ne Itali, France e Belgjike. Botoi librat: “Ekzaminimet laboratorike mjekësore”1972, “Grupet e gjakut” 1975, “Leksik i sindromave me emra autorësh” 1983. Shkroi një varg artikujsh shkencorë në shtypin mjekësor shqiptar dhe italian. Shërbimi i mikrobiologjisë në QSU “Nënë Tereza” mban emrin e tij.
21. Prenkë Jakova (1917-1969)

Kompozitor. Themelues i operas klasike shqiptare, Jakova është një ndër përfaqësuesit kryesorë të lirikës vokale me orientim klasiko-romantik. Kompozoi më 1958 operan “Mrika” (libreti Ll. Siliqi), e para vepër kombëtare e kësaj gjinie.
Krahas muzikës skenike, ka kompozuar një numër të madh këngësh, midis të cilave janë bërë të njohura “Syrin si qershia”, “Margjelo”, këngët korale massive: “Gruri i ri”, “Pranverë e re”, shumë këngë për fëmijë, romanca, kantata etj.

22. Lin Delia (1926-1994)

Është një nga emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare. Lindi në Shkodër. Në 1948 arratiset në Jugosllavi. Studime I bën në Akademine e Arteve të Bukura të Zagrebit dhe atë të Romës. Ne vitet ‘60 jep pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences. Në 1981 Lin Delija takohet me Nënë Terezën dhe realizon një seri pikturash e vizatimesh me imazhin e saj.
Punimet e tij janë ekspozuar në: Romë, Firence, Vatican, Palermo, Modena, Breshia e Nju Jork. Në 2010 dekorohet nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nderi i Kombit”.


23. Akademik Sabri Hamiti (1950-)
Poet, dramaturg, romancier, kritik dhe studiues i letërsisë, akademik e politikan. Shkolluar ne Universitetet e Sorbones dhe Zagrebit ku dhe mbrojti doktoraturen. Pedagog i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, dhe nje nder bashkepunetoret e ngushte te Presidentit Rugova ne levizjet per pavaresine e Kosoves. Autor I nje sere vellimesh me poezi, romanesh e dramash, Akademik Sabri Hamiti eshte botues edhe I nje sere kritikash, esesh e studimesh e tekstet shkollore. U nderua me Çmimin kombëtar "Azem Shkreli", si dhe me Çmimin e Madh për Letërsinë, 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë për veprën letrare "Poetika shqipe".

24. Tonin Harapi (1928-1992)

Kompozitor. Ka kompozuar gati në të gjitha format dhe gjinitë muzikore, që nga kënga e deri te muzika koncertale, simfonike dhe operistike. Shkolluar ne Tirane dhe Leningrad renditet midis përfaqësuesve të brezit të parë të kompozitorëve profesionistë shqiptarë. Midis veprave të tij të shumta dallohen sidomos lirikat vokale dhe miniaturat pianistike, të cilat bëjnë pjesë në repertorin aktiv pedagogjik e koncertal shqiptar.


25. Inva Mula dhe Avni Mula

Këngëtare soprano. Ajo ka realizuar me cilësi të larta vokale e skenike një repertor të pasur operistik, duke marrë vlerësime të veçanta nga kritika muzikore. Në festivalin operistik “Madamë Baterflaj” të Barcelonës, më 1992 fitoi Çmimin e Madh. Më 1993 u afirmua me turnetë nëpër skenat e Europës dhe SHBA me tenorin Placido Domingo. Ajo është fituese në Konkursin ndërkombëtar të zërave operistikë “Placido Domingo”, Paris. Gjithashtu ajo ka fituar Çmimin Special “Skënderbeu”, Gjenevë 1998.
I ati, Avni Mula autor i veprave të mëdha vokalo-koncertale (kantata, poema vokale, etj) dhe skenike; Është fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare si Çmimi I në Festivalin e Berlinit, 1951 etj.


26.RROK ZOJZI (1910-1995)
Etnolog, profesor. Hodhi bazat e shkencës etnografike të institucionalizuar në Shqipëri. Punoi si arsimtar në fshatrat dhe në qytetin e Shkodrës, si dhe në Kosovë. Në vitin 1947 krijoi bërthamën e parë etnografike në Institutin e Shkencave. Dha ndihmesë themelore për ngritjen e Muzeut Arkeologjik Etnografik, në 1948.
Botoi një varg artikujsh ndër të cilët me vlera të veçanta. Ka qenë ideator i serisë së botimeve ilustruese : “Arti popullor në Shqipëri” dhe autor i parathënieve studimore të tyre. Themelues dhe kryeredaktori i parë i përmbledhësit: “Etnografia shqiptare”.
27. Aurel Plasari (1956-)

Studjues, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Tiranë ku kreu dhe studimet universitare për gjuhë e letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT . Më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT më 1993. Lektor në INALCO, Paris. Prej vitit 1998 është drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
Autoritet në fushën e studimeve letrare dhe historike ka botuar: “Kuteli mes të gjallëve dhe të vdekurve”, “Letërsia dhe muret”, ‘Don Kishoti zbret në Shqipëri’ (1990), ‘Vija e Teodosit rishfaqet’ (1993), ‘Fenomeni Voskopojë’ (2000), ‘Rrëmbimi i Europës’ (2005), “Skënderbeu një histori politike’ (2010).
Është autor i disa romaneve dhe përkthyes nga letërsia botërore i autorëve të njohur si F. Dostojevski, G. Lorka, A. Ahmatova, G. Marquez, O. Fallaci.

28. Reshat Arbana (1940-)
Aktor, Artist i Popullit. Aktor i planit dramatik dhe epik me përjetim të thellë e shpesh me tone solemne dhe tragjike. Lindi në Tiranë. Kreu studimet e larta në SHLA ”Aleksandër Moisiu”, më 1956. Në vitin 1974-1992 aktor në Teatrin Popullor dhe u aktivizua njëkohësisht edhe në kinematografi. Në teatër ka realizuar 23 role kryesore prej të cilëve: Selimi te Familja e peshkatarit, Pilo Shpiragu te Lumi i vdekur, Presidenti te Luiza Miler, Artisti te Streha e të harruarve, etj. Në kinematografi ka interpretuar mbi 35 role prej të cilëve përmendim: Isa Boletini te Nëntori i dytë, ku ka sjelle me mjeshteri nje nga figurat me te rendesishme te pavaresise se Shqiperise.

29. Robert Shvarc (1932-2003)


Përkthyes. Përkthimet e Shvarcit nga letërsia botërore shquhen për një gjuhë të saktë e të pasur dhe për gjallëri në dhënien e dialogëve. Lindi në Sarajevë. Më 1938 u shpërngulën familjarisht në Shkodër e më pas në Tiranë. Në rini botoi tregime dhe poezi. U mor kryesisht me përkthime letrare duke sjellë në shqip disa nga kolosët e letërsisë botërore si : Gëte, Hajne, Breht, Cvajg, Markes etj. Përktheu gjermanisht veprat e autorëve më në zë të letërsisë shqipe si: Kadare, Agolli, Qosja, Arapi. Është nderuar me dekoratën gjermane Kryqi i Meritës dhe me Urdhrin Mjeshtër i Madh.

30. Eqerem Vlora (1885- 1964)
Patriot, politikan, diplomat, studiues I historise dhe zhvillimeve ekonomiko-sociale te Shqiperise. Lindi në Vlorë. Kreu liceun “Theresianum”, në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. U bashkua me xhaxhanë e tij I. Qemalin, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Me shpalljen e Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese të 1924. Në 1925 u bë senator. Shërbeu në misione të ndryshme diplomatike. Më 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930 në Athinë. Më 1933 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Deputet i Vlorës më 1937. Më 1942 u emërua Ministër i Tokave të Lirueme. Ministër Punëve të Jashtme dhe të Drejësisë në 1944. Pas Luftës së dytë emigroi në Itali e më pas në Austri. Ka shkruar libra me kujtime , studime historike, kulturore e etnografike me nje vlere te pazevendesueshme per studiuesit e sotem.
31. Gjok Beci (1939-)
Poet, autor tekstesh të këngëve pjesëmarrëse në shumë festivale. Vargjet e tij kanë qenë emblema e qëndresës së Kombit shqiptar ndër dekada, duke arritur kulmin me tekstin e kenges himn “”Rrjedh ne kenge e ligjerime”. Në udhën krijuese të Gjok Becit pati një kohë kur iu ndalua të botonte.I rikthehet lexuesve me vëllimin poetik “Zambaku im” më 1990, për të vazhduar me disa vëllime të tjera poetike. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”.

32. Fatos Arapi (1930-)
Poet, prozator, eseist. Formohet ne Sofje si matematikan dhe economist, por shpirti I tij eshte poet dhe I perket poezise… Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori -Filologji të Tiranës, si dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Ka botuar vëllimet poetike, poema, novela, romane e drama. Kontribuoi në fushën e përkthimimit Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 fitoi ,Kurorën e artë, në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane”.

33. Lec Kurti (1884-1948)
Kompozitor, diplomat dhe veprimtar politik, patriot. Studioi për muzikë në Pezaro, (Itali) dhe mandej në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecie për kompozicion. Krijimtaria muzikore e tij shtrihet gjatë viteve 1909-1916 dhe përfshin vepra të gjinive të ndryshme. Në vitin 1915 kompozoi operën “Arbëreshja”. Ajo mbahet si prova e parë e kompozitorëve shqiptarë në fushën e muzikës operistike. Në vitet 1918-1939 shërbeu në diplomaci. Ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe (1935-1939) ku denoncoi i pari botërisht pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Më 1942 ishte ndër themeluesit e organizatës Balli Kombëtar Me rikrijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (1943) hyri përsëri në shërbimin diplomatik. Më 1944 emigroi në Itali. U bë një nga veprimtarët kryesorë të emigracionit politk shqiptar dhe më 1946 nënshkroi një memorandum në mbrojtje të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare, dërguar Konferencës së Paqes në Paris.


34. Grupi “Lira” (1922-)

Korçarët e vjetër mbajnë mend mirë ditën e themelimit të Korit “Lira”, njësoj si ditën e ngritjes së flamurit. Në shtypin e kohës thuhet se koncertin e parë ky grup koral e dha bashkë me bandën “Vatra” në palestrën e qytetit në tetor 1922, datë e cila mbahet si dita e themelimit të këtij grupi. Kori Lira, përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit të Korçës, duke u bërë simboli i vetëm i këngës qytetare korçare. Meritën kryesore në zhvillimin e këtij grupi e kishte rinia korçare, si edhe ata që shkruan tekstet e këngëve dhe kompozuan muzikën, si: Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shumë të tjerë të cilët kanë mbetur anonimë.
35. Aleksander Xhuvani (1880-1961)
Gjuhëtar, personalitet i arsimit dhe i kulturës shqiptare, veprimtar shoqëror e politik, Mësues i Popullit. Studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Punoi në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit si mësues dhe si drejtor i saj. Kreu një punë të madhe e të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një tog tekstesh, të gjuhës, të letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Botoi librin ”Për pastërtinë e gjuhës shqipe”, monografinë ”Parafjalët”. Ai përgatiti një botim të dytë të ”Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit të transkriptuar në alfabetin e sotëm, dha një ndihmesë me vlerë për ”Fjalorin e gjuhës shqipe” të 1954.
36. Tish Dajia (1926-2004)
U shkolluan ne Shkoder e Leningrad per muzike. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, etj.
37. Ibrahim Madhi (1945-)

Violinist, Nisi veprimtarinë artistike duke bashkëpunuar si solist në Orkestrën Sinfonike të Radio Tiranës, Teatrit te Operas dhe Baletit. Drejtoi orkestrën e harqeve të Institutitit të Lartë të Arteve dhe kreu detyra të ndryshme drejtuese si: përgjegjës i katedrës së muzikës, dekan i Fakultetit të Muzikës dhe drejtor i ILA. Veprimtaria e tij artistike përmban një numër të madh koncertesh solistike, turneshë kombëtare e ndërkombëtare (Francë, Itali, Gjermani) etj. Si dhe shumë regjistrime në RTV. Në cilësinë e solistit dhe në përbërje të formacioneve të muzikës së dhomës ka ekzekutuar për të parën herë disa vepra të rëndësishme të repertorit koncertor dhe instrumental shqiptar. Është vlerësuar disa herë me çmime të rëndësishme kombëtare.

38.Frederik Shiroka (1907-1955)
Mjek, kirurg, doktor i shkencave. Ai ia kushtoi jetën e tij zhvillimit te kirurgjisë, duke u bërë themelues i kirurgjisë moderne shqiptare.Shkolluar ne Austri, ishte përgjegjës i shërbimit të kirurgjisë në spitalin Civil të Tiranës dhe në vitet 1939-1946 në Spitalin e Shkodrës. Ndihmoi luftën duke mjekuar e operuar luftëtarët antifashistë.Kreu ndërhyrje në të gjitha organet e trupit të njeriut.. Edhe sot në historinë e mjekësisë shqiptare shumë ndërhyrje moderne kirugjikale mbajnë emrin e Frederik Shirokës. Ka qenë anëtar i Institutit të Shkencave. Pavioni IV i Spitalit Civil të Tiranës mban emrin e tij.


39. Kadri Kërçiku (1907-1972)
Mjek dermato-venerolog, profesor. Është themeluesi i dermatologjisë shqiptare. Shkolluar ne Austri në vitet shërbeu në dispanseritë dermato-veneriane të Durrësit, Krujës e Tiranës, në Spitalin Civil të Tiranës . Qe përgjegjës i klinikës universitare të dermatologjisë . Për më se 30 vjet drejtoi luftën kundër sifilizit, leprës dhe dermatofitisë endemike. Ai është botues një varg studimesh e artikujsh për mjekësinë popullore shqiptare dhe historinë e mjekësisë shqiptare. Klinika universitare e dermato-veneralogjisë mban emrin e tij.
40. Hamdi Sulçebe (1907-1993)

Mjek pediatër, doktor i shkencave. Shkolluar ne univeritetet me te mira te Evropes dhe SHBA ne vitin 1939 çeli në Radio Tirana rubrikën “Këshilla mjekësore”, emission I cili vazhdoi deri në vitin 1992. Qe drejtor i përgjithshem i Shëndetësisë për Shqipërinë dhe Kosovën. Përgjegjës i këshillimores së fëmijëve në Korçë (1945-1946), përgjegjës i sektorit të pediatrisë dhe higjienës në Ministrinë e Shëndetësisë (1946-1948), drejtor i këshillimores së fëmijëve dhe Shtëpisë së Fosghnjës në Tiranë (1949-1957). Më pas qe pedagog i lëndës Pediatria, në Fakultetin e Mjekësisë, në UT dhe mjek pediatër. Botoi tekstin e parë të pediatrisë për shkollat e mesme mjekësore, shkroi një varg artikujsh shkencorë.


41. Ferdinand Paparisto (1918-2000)

Kirurg i përgjithshëm dhe urolog, profesor. Është themelues i klinikës së urologjisë në vendin tonë, më 1960. U shkolluan ne Parma e me pas ne Moske. Punoi në Spitalin e Përgjithshëm Civil të Tiranës, si asistent kirurg pranë F. Shirokës. Në vitet 1952-1955 ishte drejtor i Qendrës së Transfuzionit të Gjakut . Në vitet 1955-1989 pedagog dhe përgjegjës i katedrës së kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë të UT. Realizoi për herë të parë mjaft operacione në fushën e urologjisë. Shkroi një numër artikujsh shkencorë në shtypin mjekësor. Pavioni i urologjisë në Spitalin nr.2 në Tiranë, mban emrin e tij.

42. Selaudin Bekteshi (1917-2003)
Mjek pediatër, profesor, akademik. Ai është themelues i hematologjisë pediatrike në Shqipëri. U shkollua ne Torino dhe kontribuoi me perkushtim ne sektorin e shendetesise ne atdhe, si përgjegjës i sektorit të mbrojtjes dhe shëndetit të nënës e fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë , përgjegjës i pavionit të pediatrisë në Spitalin Civil të Tiranës, drejtor i spitalit të pediatrisë në Tiranë . Ndërkohë qe përgjegjës klinikës universitare të pediatrisë (1956) dhe përgjegjës i katedrës së pediatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të UT (1959-1980). Botues i shumë punimeve shkencore.

43. Besim Zyma (1901-1983)

Mjek otorinolaringolog, professor. Është nismëtar i shërbimit të ORL në vendin tone. U formua si mjek ne shkollat me te mira te Turqise. Shërbeu si asistent kirurg gjinekolog në Hamburgut. (1926-1928) . U specializua për otorino-laringologji në klinikën universitare të spitalit “Charrite” në Berlin. U kthye në Shqipëri dhe u emërua mjek në Spitalin Civil të Tiranës. Në vitet 1956-1971 qe pedagog dhe përgjegjës i katedrës së ORL në Fakultetin e Mjekësisë në UT. Që nga viti 1960 drejtoi shkollën e specializimit pasuniversitar në ORL. Botoi shumë artikujd e libra të specializuar në fushën e otorinologjisë.

44. Selman Riza (1909-1988)

Gjuhëtar, filolog, professor, Mësues i popullit. Lindi në Gjakovë. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës. Në v. 1932-1935 ndoqi studimet e larta në Tuluzë (Francë), njëkohësisht në dy fakultete dhe u diplomua për gjuhë- letërsi dhe drejtësi. Dha mësim gjuhën frënge, shqipen e latinishten në Liceun e Korçës. I angazhuar si antifashist u internua në Ventotene në Itali (1939-1941). Në 1942-1944 qëndroi në Kosovë ku qe një nga drejtuesit e lëvizjes antifashiste. Idhtar i idesë së Kosovës shqiptare. U burgos në Tiranë më 1945 dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave në Kosovë .Në 1955 duke mos pranuar shtetësinë jugosllave u dëbua nga Kosova në Shqipëri. Punoi në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, pedagog në Universitetin e Tiranës ku dha lëndën e morfologjisë së shqipes dhe themeloi seminarin e autorëve të vjetër. Si pasojë e qëndrimit të tij kritik u përjashtua nga Instituti dhe u dërgua si punonjës i thjeshtë pranë muzeut historik të Beratit.

45. Injac Zanputi (1910-1998)
Historian e latinist, bashkëpunëtor i vjetër shkencor. Lindi në Shkodër, ku ndoqi Kolegjën Saveriane. Studimet universitare i kreu në Trieste. Punoi si mësues i letërsisë në Kolegjën Saveriane dhe bashkëpunoi në revistën LEKA dhe në shtypin e kohës. Me themelimin e Institutit të Shkencave në Tiranë u emërua punonjës shkencor në sektorin e historisë së mesjetës dhe vijoi me këtë detyrë në Institutin e Historisë. Ka përkthyer e transkriptuar nga latinishtja dhe italishtja mesjetare dokumenta historike. U dekorua me Urdhërin Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës.

46. Justin Rrota (1889-1964)
Filolog dhe gjuhëtar, klerik, “Mësues i Popullit”. Lindi në Shkodër, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta për teologji në Austri. Rreth 25 vjet punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës “Illyricum”. Është marrë me hartimin e veprës së vëllimshme “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”. Ai gjithashtu u mor kryesisht me gjurmimin dhe botimin kritik të teksteve të autorëve të vjetër. Si letrar ka botuar një përmbledhje më tregime, novela e kujtime “Rreth votrës”. Ai solli në Shqipëri për herë të parë më 1929 tri kopje fotografike të mesharit të Gjon Buzukut dhe u mor vazhdimisht me studimin e gjuhës së kësaj vepre.

47. Shefqet Ndroqi (1914-2001)
Mjek pneumoftiziatër, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Tiranë Kreu studimet e larta për mjekësi në Francë si dhe specializimin për ftiziatri (1941). Filloi punë në pavionin e ftiziatrisë në Spitalin Civil të Tiranës. Mjek në spitalin partizan të Peshkopisë, përgjegjës i pavionit infektiv në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, përgjegjës i pavionit të ftiziatrisë në Spitalin Civi, drejtor i Senatoriumit të Tiranës, njëkohësisht përgjegjës i pavijonit të ftiziatrisë dhe kirurgjisë torakale dhe përgjegjës i klinikës së tuberkulozit. Dha ndihmesë në luftën kundër TBC duke bërë depistime fluorografike në të gjithë vendin . Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive në Tiranë mban emrin e tij.
48. Aleksandër Prosi (1920-1985)
Aktor i teatrit dhe kinematografisë, Artist i Popullit. U shqua në vizatimin e figurave epiko-heroike të prijësve apo njerëzve të thjeshtë fisnikë me botë të pasur shpirtërore. Lindi në Tiranë , ku kreu shkollën e mesme. Punën si aktor e nisi më 1948 në Teatrin Popullor. Ishte aktor i planit tragjiko-dramatik. Interpretoi mësë 100 role në skenë dhe ekran ku krijoi figura të tilla. Ka interpretuar në dramat shqipe”Toka jonë, Furrnalta, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, dhe në dramat nga letërsia e huaj: Hamleti, Otello, Intrigë dhe dashuri, Procesi I Lajpcigut, Orët e Kremlinit, etj. Në fushën e kinematografisë interpretoi me mjeshtëri role të rëndësishme në mjaft filma si: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Udha e shkronjave, Në fillim të verës, Nëntori i dytë, etj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi