Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hyqmet Hasko:JETË HALLEMADHE

Shko poshtë

Hyqmet Hasko:JETË HALLEMADHE  Empty Hyqmet Hasko:JETË HALLEMADHE

Mesazh nga Agim Gashi Mon Nov 19, 2012 11:15 pm

Hyqmet Hasko:JETË HALLEMADHE  369521_100000568930657_1867048644_n

Hyqmet Hasko:JETË HALLEMADHE



Denisa ishte vajza më e bukur e shkollës. Madje, më e bukura e gjithë qytezës sonë, që përkundej nën ritmin e një monotonie gri. Vetëm krelat e saj si mëndafsh, aroma dhe hijeshia që i buronte nga çdo pore e lëkurës së bardhë, thyenin disi peizazhin e trishtë të asaj qyteze të dalë boje ku nuk ndodhte asgjë e rëndësishme.E gjatë, pak brune, me quka të vogla në mjekër, me buzë të epshme dhe gjoks të kërcyer, edhe pse vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, ajo ndillte sytë e gjithë djemurisë së shkollës. Madje të gjithë kureshtjen mashkullore të qytezës. Unë ndizesha nga xhelozia kur të tjerët e synonin, pasi ajo ishte fqinja ime dhe më dukej, në një farë mënyre, se Denisa më përkiste vetëm mua. Unë sapo i kisha mbushur të gjashtëmbëdhjetat dhe vazhdoja shkollën e mesme të përgjithshme, në atë qytezë me pluhur e thashetheme, që dukej sikur rrotullohej rreth hireve të bukuroshes Denisa. Ajo ishte një vajzë e dalluar në mësime dhe jetonte në një familje të varfër, ku të gjithë ishin të papunë. Dëgjova një ditë, se në shtëpinë e saj kishte ardhur një grek me emrin Fotaqis. Ai kishte një makinë X-pesë, të panjohur për ne, që ishim mësuar të shihnim makina të lodhura e që mezi zvarriteshin në rrugët e pluhurosura të qytezës sonë. Atë ditë Denisa nuk erdhi në shkollë dhe çuditërisht unë u ndjeva krejt bosh, i huaj për vetveten dhe akoma më i huaj për qytezën tonë. Prita shumë, por pas kësaj, ajo nuk u duk më në shkollë. Pas disa ditësh, u interesova të mësoja se çfarë kishte ndodhur dhe mora vesh, se Denisa dhe familja e saj kishin emigruar në Greqi. Familja e asaj vajze magjepsëse përbëhej prej katër vetash, bashkë me babanë, mamanë dhe Besartin, vëllanë e saj. Siç më bënte të ditur pas ca ditësh me sms-në e saj Denisa, si fqinj që më kishte, ata qenë vendosur në një ishull që quhej Rodos, në kufi me Turqinë, nga e cila i ndanin vetëm disa qindra metra ujë deti. Në fillim aty kishte filluar pounë vetëm babai i saj, diku në ndërtim, tek një firmë të fuqishme greke. Të tjerët rrinin gjithë ditën në shtëpi. Shoqja ime Denisa dhe i vëllai i saj, që ishte një vit më i madh se ajo, nuk fillonin dot mësimet në ndonjë shkollë greke, se nuk dinin gjuhën, por dhe për arsye ekonomike. Pasi kriza me tringëllimat kumbuese të zileve të saj, e ftohtë dhe kryeneçe ishte ulur këmbëkryq në tokën helene, edhe babanë e saj e hoqën nga puna, siç hoqën qindra e mijëra shqiptarë, rumunë, bullgarë e grekë. Befas jeta e tyre u vështirësua akoma më keq pa merokamën e vetme te babait që mbante gjallë familjen. Pas disa muajsh, mamaja e saj filloi punë si pastruese tek vila e një biznesmeni të cilin e kishin zënë mik. Në shtëpinë e tyre, siç më njoftonte herë pas here me sms Denisa, gjendja ekonomike disi u përmirësua. Por sapo u mbyll një vrimë u hap një tjetër. Në shtëpinë e tyre të zënë me qira, erdhi i zoti i saj dhe u dha urdhër të dilnin, se do ta shiste. Ai u la vetëm dy javë afat dhe iku si era, duke turfulluar. Një ditë, babai i Denisës takoi personalisht një biznesmen, i cili donte të blinte shtëpinë e tyre në katin e parë në Shqipëri, për ta bërë butik. Babai i saj e diskutoj këtë shans me të gjithë pjesëtarët e familjes dhe ata ishim dakord që ta shisnim shtëpinë për të jetuar përgjithmonë në Greqi. Dhe ashtu bënë, shtëpinë e shitën dhe me ato para blenë një lokal të vogël, në të cilin filluan të punonin babë e bir. Gjithçka dukej se po ecte mbarë, derisa një ditë ndodhi diçka e papritur, që i dha rrokullimën gjithë qetësisë dhe harmonisë së tyre familjare. Plasi befas një sherr mes një mikut të tij dhe një klienti në lokal. Babai dhe vëllai i Denisës u përfshinë në atë sherr për të ndihmuar mikun e familjes në atë zënkë. Por shamata përfundoi keq dhe ai klienti (i cili ishte bullgar) vdiq. Policia i arrestoj të tre, babanë, vëllanë e Denisës me gjithë mikun e tyre. Pas disa sorollatjesh dyerve të hetuesisë, gjyqi e dënoi babanë e saj me 10 vjet burg, vëllanë me 20 muaj dhe mikun e tyre me 3 vjet. Denisa mbeti vetëm me mamanë, të rrethuara nga indiferenca përqark dhe nga skamja. Ato nuk dinin ç'të të bënin, se gjithçka ishte një errësirë, ku stresi, mungesa, varfëria po linin vulë mbi fytyrat e lodhura të këtyre dy femrave në dhe’ të huaj. U dukej vetja si dy femra të vetme në mes të Greqisë dhe nuk dinin kujt t’i drejtoheshin për t’ua zbutur sado pak dhimbjen… Më në fund, ajo dhe mamaja vendosën t’i kërkonin ndihmë mikut të tyre biznesmen, se ai kishte njohje dhe lidhje të shumta. E takuan në shtëpinë e tij dhe ai i siguroi se do t’i ndihmonte. Pas një jave, i thirri përsëri në shtëpi dhe iu tha: - Unë kam avokatin tim që e kam futur në çështjen tuaj, por ai më thotë se është situatë mjaft problematike dhe maksimumi që mund të bëjmë, është të nxjerrim vetëm djalin nga burgu dhe babait t’i ulim disi dënimin... Denisa dhe mamaja e saj e përqafuan dhe u erdhi pak shpirti në vend, pas atij stresi shokues. Por mirëbërësi u tha të mos gëzoheshin para kohe, nuk ishte gjithçka kaq e thjeshtë, kjo gjë mund të realizohej me të paktën 100 mijë euro, të cilat mund ta mbyllnin faqebardhë këtë histori. -Avokati do pjesën e tij, - tha mirëbërësi i tyre, - prokurori po ashtu, gjithçka bëhet me euro në dorë, në këtë vend të mallkuar...Mamaja e Denisës filloi të qante dhe po i shpjegonte biznesmenit ndërmjetës, se ata nuk kishin aq para, sepse çfarë kishin pasur i kishin shpenzuar në lokal. -Jemi dhe me qera, në ditë të hallit, për bukën e gojës!...- fliste mamaja dhe lotët i lëshoheshin si rrëke të hidhura në faqet e rreshkura nga dielli helen, në punët e rënda që bënte për të ushqyer familjen. Pastaj, befas i shkrepi në kokë një ide dhe foli, duke iu drejtuar mirëbërësit të saj me shpresë në sy: -Mos do të ta japim lokalin ty që të na ndihmosh?... Aman, bëj diçka për ne, se do të bëjmë çfarë të duash ti, vetëm na ndihmo!”… Por tjetri tha:-Unë nuk kam ku t’i çoj lokalet e mi, jo edhe atë barakën tuaj! Kohë krize, s’ke ç’i bën, flenë macja dhe miu në një vrimë! - Pas kësaj frazeologjie për varfërinë, ai u tha të shkonin, një herë se do t’i lajmëronte vetë. - Të shoh se ç’mund të bëj për ju!… Denisa dhe mamaja shkuam në shtëpi njëra më e mërzitur se tjetra dhe e kaluam gjithë natën pa gjumë, pa ngrënë e pa pirë, pa folur as me njëra tjetrën, sikur dhe mes tyre, nënë e bijë, qe future një hije e ftohtë, akull… Kaluan tre ditët e pritjes dhe biznesmeni i thirri përsëri, siç u kishte premtuar. Ndjesia e pritjes është si një valë e ngrohtë, për sa kohë ekzistonte shpresa. Nënë e bijë shkuan në zyrën e tij, se në shtëpi ai nuk i priste dot. Së fundi u tha:-Fola me avokatin dhe këtë javë është gjyqi që do të bëhet për ta, por ka mundësi që asgjë të mos ndryshojë, nëse nuk ndërhyjmë në kohë. Na duhen ato njëqind mijë eurot, siç u thashë dhe herën e parë, që të nxjerrim djalin dhe t’i ulim dënimin babait,. Ç' mund të bëjmë? Si thoni?... Mamaja vështronte me sytë të njomur dhe me shpirtin të thinjur nga pritja, herë Denisën, herë ndërmjetësin. -Ne nuk kemi para, ta kemi thënë, -i mëshoi ajo zërit, por butë, sikur druhej se mos trembte mirëbërësin e tyre. Nëse ti na ndihmon dot me ato para, ne të premtojmë se pas pak kohësh do të t’i kthejmë… Ai nënqeshi hidhur, ndezi një nga purot e tij dhe duke hedhur tymin turjelë, tha: -Po si do të m’i kthesh, moj aman! Të merret djali me drogë sa të dalë nga burgu, që të gjej lekët për mua e të bjerë përsëri në burg ? Apo do t’i bëni lekët me punë në këtë vend shkërdhatë, ku dhe grekët vetë po vuajnë si qeni?! Si do t’i gjeni ato para ju, pa më thoni!?... Mamaja e Denisës i lutej me përgjërim, duke iu mbështetur në sup dhe duke i premtuar me lot në sy e thikë në zemër se do të bënin gjithçka për t’ia kthyer nderin që mund tu bënte! …-Nëse jeni gati të bëni gjithçka për të nxjerrë djalin nga burgu, - foli ai duke i ndarë rrokjet, me zërin e tij të thellë grykor, - atëherë puna rregullohet...- Mami, patjetër që do të bëjmë gjithçka…Nderi lahet me nder! – tha Denisa befas duke vërejtur mbi vete sytë e tij ngultas. Ai buzëqeshi tinëzisht, me një ironi të thekur dhe tha fare shpenguar: -Këtë punë e ka në dorë vajza jote, jo ti!... Mamasë sa nuk i ra tavani mbi krye dhe sikur diçka iu shemb diku thellë brena qenies së saj që i ra me rropamë edhe në tru… -…Çfarë ka vajza ime në dorë? Fol hapur, të lutem! Jo kodra pas bregut!... – tha ajo me dridhmën e buzëve të saj.Ai nënqeshi djallëzisht dhe iu drejtua vajzës duke i thënë se ajo, sigurisht, e kuptonte se ku e kishte ai fjalën…. Vajza tha se nuk kuptonte asgjë, por në mënyrë instinktive qe skuqur e bërë purpur, si perëndimi i asaj pasditeje të thyer vjeshte… Ai qeshi me të madhe dhe tha që të mos i binin shumë gjatë: - Unë do t’iu ndihmoj me paratë që u duhen dhe nuk do t’ua kërkoj më, sepse e di që s’m’i ktheni dot. Por dua këtë bukuroshen ta mbajë dy ditë në vilën time. Si thua? - ai iu drejtua me sy pyetës mamasë së Denisës që kishte ngrirë në prag. Atë ditë ato të dyja ishin shtangur. Kaluan pak ditë dhe ato, të ngujuara në dhimbjen e tyre, nuk denjuan ta takonin më biznesmenin. E ëma e truante me zë të lartë kudo që shkonte, ndërsa Denisa qante me lot të nxehtë për vëllaçkon, të cilin e donte aq shumë. Thellë në shpirtin e tyre, vuajtja dhe mungesa kishin ngritur fole grerëzash. Halli të çon në derën e hasmit, thotë popullit. Por dera e biznesmenit ishte më keq akoma, ishte derë turpi!... Vajza këmbëngulte të shkonte, se për të shpëtuar vëllanë ia vlente çdo sakrificë!... Pa u mbushur java, ato të dyja morën rrugën drejt shtëpisë së tij. Me hapa të zvarritur, po e përshkonin atë rrugë qyteze, sikur shkelnin përtokë me zemrat e tyre të gjakosura nga dhimbja… Pas kësaj në vilën e tij tanimë dritat nuk fikeshin gjithë natën. Teksa i zoti i saj, biznesmeni mirëbërës, jepte e merrte me trupin e ri të Denisës, në një lojë pasionesh të çmendura, ajo përtypte lotët e vajzërisë së saj të humbur aq fatkeqësisht…Ndërkohe mamaja hante veten me dhëmbë në pritje të ditës së gjyqit. A do ta mbante fjalën biznesmeni? Kishte lënë peng tek ai horr virgjërinë e së bijës!... Kaluan ditët dhe gjyqi së fundi u bë. Vëllait ia ulën dënimin, po duhej të bënte dhe 30 dite burg që të dilte. Gjithashtu dhe babait ia ulën dënimin në dy të tretat e kohës. Mirëbërësi, çakërrqejf, në ekstazë, nuk u mjaftua me dy net, por po e mbante më gjatë Denisën në vilë. E ëma iu lut që ta sillte, por ai tha se tani nuk donte Denisa… Pas tridhjetë ditësh vëllai, Besarti, doli nga burgu, ndërsa babait i mbeteshin dhe tre vite dënim…Besarti e mori vesh “sakrificën” e motrës, ndenji mbyllur në shtëpi tre ditë e tre net, pa vënë gjumë në sy. Pastaj tha se do ikte në Shqipëri dhe nuk do të kthehej më. - Ju rrini sa të dalë babai nga burgu! - u tha të ëmës dhe të motrës, e cila, më në fund, kishte ikur nga vila dhe qe kthyer në shtëpi.…Por Besarti nuk e mbajti fjalën. Ai u kthye prapë në Greqi dhe diku në një tavernë e kishin parë me një pistoletë në dorë. Ndonëse nuk ishte kthyer tek e ëma dhe e motra… Sillej vërdallë në pritje të biznesmenit… Shtrëngonte në dorë pistoletën e mbushur dhe endej nëpër kafene, në pritje të presë së tij. Atë natë ai po priste në rrugicën poshtë zyrës së tij. Pistoleta në dorë dukej si një gojë kërcënuese dhe e frikshme përbindëshi. Ora vajti 22 dhe, së fundi, drita e zyrës së tij u fik. Biznesmeni, i veshur shik, doli me ngut dhe shkoi drejt makinës, që e kishte parkuar ndanë rrugës. Besarti iu afrua dhe e përshëndeti në gjuhen e tij, duke qeshur. Pastaj ia ngjeshi pistoletën me silenciator në zemër dhe e shkrepi tre herë. Tjetri u rrëzua si një lis para këmbëve të tij.Më pas Besarti u largua në mënyrë të rrufeshme. Ai nuk i bëri asnjë telefonatë mamasë e motrës, nga frika se mos policia iu merrte numrin dhe binte në gjurmët e tij. Në afërsi të kufirit, mori drejtim tjetër, për të dalë jo nga dogana, por maleve. Ai e kaloi kufirin po atë natë… Diku, në një fushëtirë gjithë baltë e pellgje uji, dalloi një bunker, ishte i vetmi, në mes të fushës së përbaltur. Mori ca gjethe dushku, fshiu mirë e mirë sipërfaqen e ngushtë të lagur dhe vendosi ta kalonte natën aty.Kishte ditë që ndodhej në vendlindje dhe ndiqte çdo lajm me shumë vëmendje. Stacionet televizive shqiptare e dhanë lajmin dy ditë me vonesë. Ata njoftonin se ishte vrarë një biznesmen grek dhe si autor i krimit dyshohej një rumun. Por Besarti nuk i besonte atij dyshimi policor dhe rrinte pothuajse fshehur. Në Shqipëri nuk e dinte askush që ai ishte kthyer nga Greqia, përveç një djali të hallës, të cilit ia kishte treguar ngjarjen. Djali i hallës mbante komunikim dhe me familjen e Besartit në Greqi…Ato, nënë e bijë, nuk ishin në dijeni të asaj vrasjeje nga Besarti. Siç njoftuan djalin e hallës së Besartit, mamaja dhe Denisa kishin vajtur në varrimin e biznesmenit. Kishin çuar lule! Shumë lule!... Një mal me lule të freskëta!... Ishte e premte mbrëma dhe lokali qe mbushur dëng me klientë që pinin me nge kafe dhe pije alkoolike. Besarti kishte zënë tavolinën e fundit dhe po pinte një kakao të fortë. Kishte mbi tre orë që ishte ulur aty i vetëm, duke pirë me afsh cigare “Camel”. Në orën e vonë lokali u boshatis dhe mbeti aty vetëm ai dhe i pronari. -I dëgjove lajmet sonte? - e pyeti pronari i lokalit.Besarti i bëri veshët pipëz. -Jo! Pse, çfarë ka ndodhur?!... - Eh, jetë me halle!... Një grua bashkë me të bijën i arrestoi policia greke në një ishull. Rodos, më duket se quhej ishulli. Dyshohen për vrasjen e një biznesmeni grek.Besartit i mbeti tymi i cigares në fyt… Filloi të kollitej fort nga emocioni…Një lëmsh iu shtrëngua në stomak dhe ndjeu t’i merreshin mendtë. Ai nxori lekët e kafesë, i la mbi tryezë dhe u largua me shpejtësi. -Natën e mirë! - e përshëndeti i zoti i lokalit, i habitur nga ikja e tij e beftë dhe mendoi, eh, jetë me halle kjo e jona, nuk di ku e ka kokën robi i shkretë!... dhe e ndoqi me vështrim të dhimbshëm, duke tundur kokën tullace, derisa hija e klientit të çuditshëm u zhduk me ngut nëpër natë...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi