Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Teki Dervishi:Misionet shfrytëzojnë përçarjen e vendësve

Shko poshtë

Teki Dervishi:Misionet shfrytëzojnë përçarjen e vendësve Empty Teki Dervishi:Misionet shfrytëzojnë përçarjen e vendësve

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 24, 2009 11:23 pm

Misionet shfrytëzojnë përçarjen e vendësve

Teki DERVISHI


Misionet evropiane në Kosovë e kanë deklaruar ekskluzivisht rolin e tyre të “mbikëqyrësit”, duke e pranuar formalisht faktoritetin e qeverisjes vendëse. Ky tip “mbikëqyrësi” herë thotë se zbaton ligje (shumës, shumë sisteme ligjesh), herë thotë se i observon ato. Realiteti në terren i demanton që të dy këto deklarime, që do të dukeshin si të tilla parimore politike, po të dëshmohej konsekuenca e deklarimeve në zbatimet e tyre konkrete. Veprimet demantojnë deklarimet e misionarëve. Pra janë “vetëm” deklarime parimore – duke u nisur nga ajo si e ka paraparë (edhe) Pakoja e Ahtisarit, por a janë konform veprimet e këtyre misioneve me Pakon? Parimisht po, juridikisht jo! Sepse Pakoja e Ahtisarit nuk e parasheh UNMIK-un, së paku në këtë format dhe fizionomi të tij të autoritetit shtetëror që ka ai sot në Kosovë. Nga ky rol politik konkret i UNMIK-ut, pason mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha misionet që veprojnë nën “Ombrellën” e UNMIK-ut në Kosovë. Pra si të tilla, si mohuese të pavarësisë, këto “misione” nuk i parasheh as Pakoja as Kushtetuta. Tipi “mbikëqyrës” i këtyre misioneve u deklasua me imponimin politik të Solanës që Qeveria e Kosovës ta pranonte (madje edhe ta arsyetonte) vizitën me “porosi politike” të Presidentit të një shteti që ka ushtruar krime pikërisht mbi njerëzimin në Kosovë. Sado që “misionarët” përpiqen të falsifikojnë duke thënë se kjo vizitë e Tadiqit u bë pa insistimin e tyre, observatorët dhe analistët ndërkombëtarë këtë vizitë e karakterizuan si “disfavori” i parë i misioneve para Qeverisë së Kosovës.
Pa marrë parasysh karakteret e spekuluara politike të kompetencave të misioneve (civile, ushtarake, policore) ato janë substancë e “rikonfigurimit” të OKB-së, që vijnë (vetëm e vetëm) pas Pavarësisë së Kosovës, që do të thotë vijnë ta relativizojnë Pakon e Ahtisarit, Kushtetutën. Amullia e quajtur “rikonfigurim” kap zenitin e saj pas 9 dhjetorit të vitit që shkoi. Por që është “faktor politik” 6-pikëshi (zbatohet a jo) kjo dihet. Opozita që thotë se zbatohen 6 pikat, këtë e bën me një hipokrizi instiktive të luftëtarit për pushtet, e jo për shtet, sepse nuk do t’i prishë punët me “faktorin ndërkombëtar”, por me faktorin qeveritar që “lejon” zbatimin e 6 pikave. Si? Sepse thotë që zbatohen 6 pikat, por nuk tregon se ato zbatohen në veri të Kosovës, (e cila është e okupuar) e jo në tërë Kosovën. Opozita pret që këtë ta thotë Qeveria, por Qeveria thotë se nuk i ka në tavolinë gjashtë pikat dhe ato janë të vdekura! Çka do të duhej tjetër të vepronte, opozita do të duhej ta dinte se Qeveria nga pozita e saj zyrtare është e obliguar dhe e drejtë të konsultohet me ata që e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës. Qeveria nuk i ka në tavolinë 6 pikat, që do të thotë - ajo nuk i zbaton as që do t’i zbatojë ndonjëherë. Mohimi i 6-pikëshit nga ana e Qeverisë është një vendim dhe qëndrim zyrtar, kështu që kjo është edhe një refuzim ndaj atyre që sot konkretisht zbatojnë gjashtëpikëshin, atje ku pikërisht ky gjashtëpikësh ia ka rrëmbyer me dhunë ingerencat shtetërore Qeverisë. Veç nëse opozita kujton se Qeveria ka instrument ta sfidojë dhunën e OKB-së në shkeljen e sovranitetit të Kosovës! Pra qëndrimi zyrtar i Kosovës është konsistent, por ku është tash roli i shoqërisë civile dhe opozitës që ta protestojë një vendim (rikofigurimin) që vjen nga OKB-ja madje edhe i “polemizuar” në Këshillin e Sigurimit?
Do të thotë: Qeverisë nuk i mbetet tjetër, pos qëndrimi parimor refuzues politik i 6 pikave. Por ku është përkrahja që do t’i bënte opozita këtij qëndrimi konsekuent të qeverisë? Përkrahja për probleme shtetërore (e jo pushtetare) do ta bënte që opozita ta fajësojë faktorit ndërkombëtar për zbatimin e 6 pikave, e jo Qeverinë. Kjo do të dëshmonte se në Kosovë jo vetëm Qeveria, por të gjitha strukturat politike dhe qytetare refuzojnë 6-pikëshin, kudo që ai “pjesërisht” zbatohet (në veri). Nuk mjafton që opozita (një pjesë e saj) insiston se po zbatohet në kontinuitet plani 6-pikësh, por ajo do të duhej të tregonte se ku po zbatohet dhe ku nuk po zbatohet, kush po e zbaton (misionet evropiane) dhe kush nuk po e zbaton (Qeveria), sepse edhe Zanieri thotë se ato pika zbatohen “pjesërisht”, veç që nuk thotë se ato pika i zbatojnë misionet nën “ombrellën” e tij, e jo Qeveria, e cila i thotë të largohet nga Kosova.
Qeveria me një nivel të lartë politik i sfidon spekulimet (konfiguracionin) e OKB-së, pra mban qëndrim të autoritetit zyrtar të shtetit, dëshmohet se i merr parasysh proceset në ndërtimin definitiv të sovranitetit të Kosovës duke ushtruar strategji shtetërore, strategji politike, se nuk ka në dorë instrument tjetër (p.sh ushtarak, etj.). Ky kriter zyrtar shtetëror nuk i nevojitet opozitës dhe shoqërisë civile, prandaj ekziston (opozita) dhe shoqëria civile të cilat e kanë instrumentin e shantazhit (p.sh. demonstratave, traktateve dhe rezolutave që do të mund t’u dërgonte organizatave të ndryshme botërore politike dhe akademike) kundër atyre që shkelin sovranitetin e Kosovës. Pse shoqëria civile (e sponsoruar nga “misionet”) dhe opozita nuk i nxjerrin argumentet publike që ta informojnë opinionin vendës dhe ndërkombëtarë, se kush po e shkel sovranitetin e Kosovës, e jo këtë t’ia ngarkojë se qenka faj i Qeverisë, sepse politikisht është absurde. Kështu prishet konsensusi nacional, dhe prishet për interes të egoizmit partiak në luftë për pushtet të një shteti që i rrezikohet tërësia territoriale dhe sovraniteti. Dhe kjo përçarje i konvenon Rikonfiguratorëve, dobëson Qeverinë para faktorit ndërkombëtar, sepse e paraqet si të vetmuar politikisht. Mosgatshmëria e opozitës të konfrontohet me faktorin implementues të 6 pikave, u blenë kohë atyre që përpiqen edhe de jure (me 6 pikat) ta ndajnë Kosovën, që sot është e ndarë de facto.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi