Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arben Idrizi:Mbi dy parabola

Shko poshtë

Arben Idrizi:Mbi dy parabola Empty Arben Idrizi:Mbi dy parabola

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 25, 2009 7:01 pm

Mbi dy parabola
Asgjë nuk ka zgjidhje. Ose çdo zgjidhje është për qeshur si i marrë me të. Do të thotë, është për të qeshur edhe e qeshura. Dhe ky është labirinti i tretë



Arben Idrizi

Tek absurdi duket se gjëja e vetme që nuk është absurde është se paraqitet në mënyrën më absurde të mundshme një ankth, i individit ose i shoqërisë – apo e të dy entiteteve njëkohësisht – dhe kur i zhvoshk “faktet” deri në esencë, si mundësi supozojmë ose besojmë e kufizuar, në pyllin e njohjes, shpeshherë nuk na mbetet në çfarë të kapemi veçse një njëfarë “indiference hyjnore”, e cila mund të jetë po ashtu një fill i kalbur.

Kafka, te parabola e tij “Qëllimi”, ka parë ankthin e tmerrshëm të individit në një absurditet që, kushedi, në fund do të na bënte po ashtu të shpërthejmë në një “të qeshur marrëzore”. Njëri është vënë në mes, përpara ka njërin që s’e lë të shkojë përpara, mbrapa ka një tjetër që e shtyn dhe njëkohësisht s’do ta lejonte të kthehej mbrapa. E dhënë si e tillë, në një përshkrim pothuajse skicor – mund të hamendësojmë me dhjetëra arsye mbi atë se si gjërat përfunduan në një situatë kaq absurde. Mbase as që kanë rëndësi ato arsye. Arsyet konkrete, në vorbullën e Kohës, treten në arsyen e vetme: Absurdin.

Me një interpretim të “lejueshëm arbitrar”, parabola i fle fare mirë “fatumit” të shoqërisë. Cilado shoqëri brenda vetes dhe në cilëndo kohë ka këtë konsekuencë, me përmasa pak a shumë të përafërta. Ka zakonisht një lëvizje që e shtyn nga mbrapa dhe një tjetër që i del përpara për ta penguar. Veçse, kuptohet, kurrë s’e dimë saktësisht cila nga lëvizjet kishte të drejtë. Nëse s’kishte asnjëra, apo nëse që të dyja kishin arsye të caktuara të qëndrueshme.

Lëvizjet dalin nga brenda shoqërisë, po vetë shoqëria në këtë rast është e ngërthyer në atë gjendje absurdi, që, parë si parabolë, po edhe si realiteti, të bën të shpërthesh në atë “të qeshur marrëzore”. Mbase për këtë të qeshur duhet një perspektivë e shikimit të gjërave nga një “papërgjegjshmëri shoqërore”, e cila mund të jetë rezultat i asaj “indiference hyjnore” që Montale e propozonte si reagim ndaj pamundësisë përballë historisë, natyrës.

Porse, vështirë të themi pa u trembur se ekzistuaka një “papërgjegjshmëri shoqërore”; po aq sa është e vështirë t’i përcaktojmë pa u trembur përgjegjësitë tona.

Në të vërtetë parabola, me absurditetin e vet, është e qëndrueshme në Kohë. Por, në epoka të caktuara, ato lëvizje që shtyjnë dhe pengojnë shoqërinë, arrijnë të realizojnë qëllimin e vet, duke e pasuar njëra-tjetrën. Kështu, nxjerrin krye ato zhvillime që herë janë fatale e herë të kënaqshme.

Borges ka një parabolë që e çon më tej “fatumin”. Në dukje të parë është tepër simbolike, po të kufizuarit në këtë është arbitrar. Një mbret i Lindjes ftohet nga mbreti i Perëndimit për vizitë. Mbreti i Perëndimit, në fund, për ta nderuar me zhvillimet perëndimore, e fut mbretin e Lindjes në një labirint në të cilin ai humbet. Pas shumë kohësh, puna e do që mbreti i Perëndimit t’i shkojë për vizitë atij të Lindjes. Mbreti i Lindjes në fund ia kthen nderin duke e bërë ta përjetojë mrekullinë e Lindjes, labirintin natyror: shkretëtirën; e lë aty dhe kushedi çfarë do të ketë ndodhur me të.

Në morinë e interpretimeve, mbase misticizmi i Lindjes dhe materialiteti i Perëndimit vihen në shënjestër më shumë se çdo gjë. Njerëzimi në tërësi, i parë në këtë perspektivë, është në një status të përjetshëm qesharak. Diversiteti është një lojë po ashtu. E ndoshta një lojë edhe më tragjike do të ishte e kundërta.

Asgjë nuk ka zgjidhje. Ose çdo zgjidhje është për qeshur si i marrë me të. Do të thotë, është për të qeshur edhe e qeshura. Dhe ky është labirinti i tretë. Përtej nëntokës dhe shkretëtirës, në domenin e mendjes në vete e për vete.

Përkundër Kafkës e Borgesit që nga absurdi iu provokohet një “e qeshur marrëzore”, Pessoa ka një tjetër reagim e ndoshta do të mund të thoshim edhe shpjegim. Sigurisht, gjithnjë më afër individit. Jemi të mposhtur sikurse ta dinim të vërtetën. Të kesh një të vërtetë, je i mposhtur. Të mos e kesh - po ashtu.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi