Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Besnik Sinani: Shkollat fetare të Gjirit Persik dhe ekstremizmi fetar

Shko poshtë

Besnik Sinani: Shkollat fetare të Gjirit Persik dhe ekstremizmi fetar Empty Besnik Sinani: Shkollat fetare të Gjirit Persik dhe ekstremizmi fetar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 26, 2009 8:36 pm

Shkollat fetare të Gjirit Persik dhe ekstremizmi fetar
Nga Besnik Sinani*
Debati mbi zgjedhjet në Komunitetin Mysliman risolli në diskutimin publik shqetësimet mbi ekstremizmin fetar. Protestat kundër procedurave zgjedhore të këtij komuniteti u interpretuan si manifestim i axhendave të frymëzuara nga shkollat fetare të Gjirit Persik ku janë shkolluar një pjesë e hoxhallarëve shqiptarë. Këto shkolla është pretenduar se predikojnë luftën kundër institucioneve dhe autoriteteve fetare, militantizmin dhe përdorimin e dhunës, si edhe predikojnë kundër Islamit tradicional dhe shkollës fetare hanefite në veçanti. Edhe pse nuk kemi parë kamikazë me bomba në trup në rrugët tona, animatori i emisionit të njohur “Top Show”, Alban Dudushi, ngriti pyetjen nëse këta myslimanë kanë bomba në kokë.
Për cilat shkolla bëhet fjalë dhe cila është ideologjia e tyre? Universiteti ku janë shkolluar pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Gjirin Persik është ai i Medinës në Arabinë Saudite. Si ilustrim nga ata që akuzojnë hoxhallarët shqiptarë për ekstremizëm, u soll xhamia e Dine Hoxhës, imami i së cilës është shkolluar në këtë universitet. Gjithashtu, si ilustrim, u përmend ish-myftiu i Arabisë Saudite, Bin Bazi, i cili në fakt ka qenë nga ideuesit e këtij universiteti. Do të ishte pra e vlefshme të përballnim akuzat e sipërpërmendura me një shqyrtim të disa prej qëndrimeve të njohura të këtij universiteti. Për fat të mirë, për shkak të vëmendjes që ka zgjuar studimi i Islamit në Arabinë Saudite për sigurinë globale, janë botuar kohët e fundit një numër i konsiderueshëm studimesh nga studiues seriozë në Perëndim. Gjithashtu, botime përfaqësuese të qëndrimeve fetare të figurave më të rëndësishme fetare të Arabisë Saudite, janë të njohura nëpërmjet botimeve të financuara nga organizata misionare. Kësisoj, akuza se kjo shkollë predikon rrëzimin e institucioneve nuk përkon me çfarë na kumtojnë studimet mbi Islamin në Arabin Saudite. Konceptet juridike të Islamit në Arabinë Saudite janë të bazuara në qëndrime të formuluara në shkollën juridike hanbelite në Bagdadin Mesjetar, që besonte te respektimi i autoriteteve, edhe kur autoritetet janë të korruptuara. Ky qëndrim ishte i motivuar nga besimi se rebelimi ndaj autoriteteve sjell anarki dhe se korrupsioni i autoriteteve është më i preferuar se anarkia. Për këtë arsye, kjo shkollë është promovuar nga qeveritë e Lindjes së Mesme, si ajo në Arabinë Saudite, dhe kritikuar nga grupe opozitare të këtyre regjimeve, për shkak të konformizmit të saj.
Gjithashtu, në lidhje me shqetësimin e ngritur mbi bombat, duhet vënë në dukje se imamët e Arabisë Saudite dhe universiteti që ata kanë ngritur për të promovuar qëndrimet e tyre, kanë qenë të ashpra kundër operacioneve vetëvrasëse. Sipas tyre, vrasja e grave, fëmijëve dhe udhëheqësve fetarë, qoftë të palëve armike në kohë lufte, është e ndaluar nga tekstet profetike. Së dyti, vetëvrasja shihet si blasfemi.
Lind pyetja, nëse këto janë qëndrimet dominante të udhëheqësve fetarë në Arabinë Saudite, pse ky vend ka prodhuar terroristë, fama e ligë e të cilëve është njohur në tërë botën; si shpjegohen organizata të tilla si “Al Kaeda”?
Disa studime i kanë atribuuar Sejid Kutubit, një intelektuali e avokati egjiptian të ekzekutuar në vitin 1966, rolin e intelektualit nismëtar të lëvizjes fetare militante në Lindjen e Mesme. Gazetarë, studiues e analistë që kanë kërkuar të zbulojnë itinerarin dhe evoluimin e Bin Ladenit, kanë vënë në dukje se ishte kontakti me një grup egjiptianësh aktivistë në Afganistan, ai që solli konvertimin e tij në idetë e luftës globale. Aktivizimi i tyre ishte drejtuar ndaj përpjekjes për rrëzimin e qeverive diktatoriale të Lindjes së Mesme dhe sipas gjykimit të tyre, është mbështetja që vjen nga Perëndimi, e veçanërisht nga SHBA-të, ajo që i mban këto regjime në këmbë.
Sigurisht, edhe në një vend me kontroll shtetëror mbi punët e fesë si Arabia Saudite, gjendet një varietet qëndrimesh e interpretimesh fetare. Gjenden detyrimisht edhe imamë që mbështesin organizata të tilla militante dhe synojnë rrëzimin e qeverisë saudite. Sidoqoftë, qëndrimi predominant fetar i Arabisë Saudite dhe i universitetit të tyre ka qenë kundër militancës së dhunshme dhe është përdorur nga qeveria në mposhtjen e grupeve dhe tendencave të tilla. Qeveria saudite, për shembull, ka ngritur programe rehabilitimi për militantë të kapur qoftë në Afganistan apo Irak, dhe këto programe janë të drejtuara nga imamë që përfaqësojnë qëndrimet e Universiteti të Medinës. Ndër zhvillimet interesante është vënë re se militantizmi i dhunshëm i grupeve si “Al Kaeda” ka bërë të kthehen kundra kësaj lëvizjeje edhe figura të njohura opozitare të regjimit saudit, si Salman al Audah, të cilët mendohej se do të ishin ndër mbështetësit ideorë të këtyre organizatave. Kohët e fundit ai botoi një letër publike, ku dënonte jo vetëm aktet e Bin Ladenit, por edhe mendimin e tij fetar.
Në anën tjetër është e vërtetë akuza se interpretimi predominant i Islamit në Arabinë Saudite predikon kundër respektimit të shkollave tradicionale, si ajo hanefite. Por duhet vënë në dukje se kjo ka të bëjë më zhvillime fetare që shkojnë përtej kësaj shkolle dhe përtej Islamit. Antropologu Clifford Geertz, ndër të tjera, ka vënë në dukje se faktorë socialë e historikë si teknologjizimi i mediumeve apo kolonializmi veprojnë në dëm të diversitetit dhe autoritetit tradicional fetar. Ky është një proces që ka ndikuar zhvillimet e të gjithë religjioneve të mëdha. Por duhet komentuar mbi idenë se shkolla hanefite është shkolla tolerante e Islamit dhe qëndrimet kundër saj janë rrjedhime të besimeve ekstremiste. Ky mendim pretendon se militantizmi dhe ekstremizmi në njërën anë dhe moderimi e toleranca në anën tjetër, janë ekskluzivisht rezultat botëkuptimesh sektare. Mos harrojmë se talebanët janë në fakt hanefinj. Atribuimi i tolerancës fetare shkollës hanefite në Shqipëri nuk ka të bëjë veçanërisht me qëndrime teologjike të kësaj shkolle, por me klimën fetare të rajonit osman, pjesë e të cilit ka qenë edhe vendi ynë. Në anën tjetër, Sejid Kutubi, ashtu si pjesa më e madhe e aktivistëve të lëvizjes politike islame në Lindjen e Mesme, përfshirë Bin Ladenin, nuk ishte teolog dhe shkollimi i tij ishte sekular. Disa nga studiuesit më të njohur në botë që janë marrë me studimin e tij dhe të lëvizjes ku ai bënte pjesë, kanë vënë në dukje se militantizmi dhe ekstremizmi fetar në Lindjen e Mesme nuk janë produkte ndryshimesh teologjike, por rrjedhoja historike të konteksteve sociale specifike të Lindjes së Mesme e veçanërisht kolonializmit dhe regjimeve autoritare. Kësisoj, ato janë interpretuar nga studiues si Olivier Roy, Francois Burgat apo Gilles Kepel, disa prej studiuesve më të njohur të fenomenit, si manifestim i nacionalizmit arab, apo revoltës politike të botës së tretë. Fatmirësisht, këto rrethana janë të ndryshme nga realiteti shqiptar. Por ajo që është e rëndësishme të theksojmë, është se toleranca e moderimi apo militantizmi dhe ekstremizmi janë më shumë rrjedhojë e konteksteve sociale sesa e interpretimeve teologjike. Kjo përball çdo shoqëri me pyetjen nëse padrejtësitë politike, etnike apo ekonomike i kontribuojnë tolerancës apo intolerancës fetare.
Në anën tjetër, nuk mohohet se ligjërimet, imazhet dhe simbolet fetare përdoren prej projekteve e lëvizjeve politike. Gjithashtu, ka shumëçka që mund të përmendet si shqetësuese në qëndrimet fetare dominante në Arabinë Saudite, siç janë qëndrimet e ngurta ndaj femrave apo ekskluzivizmi sektar, por rebelimi ndaj autoriteteve dhe nxitja për vendosjen e bombave nuk është pjesë e qëndrimeve të tyre e as e shkollës ku kanë studiuar disa prej imamëve shqiptarë.
*Student në qendrën “Hagop Kevorkian” për Studime të Lindjes së Afërt - Universiteti i Nju Jorkut

Korrieri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi