Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mendime kritikë rreth librit “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” të prof. Dr. A. Xhagolli

Shko poshtë

Mendime kritikë rreth librit “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” të prof. Dr. A. Xhagolli Empty Mendime kritikë rreth librit “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” të prof. Dr. A. Xhagolli

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 10:30 pm

Mendime kritikë rreth librit “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” të prof. Dr. A. Xhagolli

Trojet shqiptare nga pikëpamja etnologjike janë shumë të pastra. Etnokultura si një nga përbërëset dhe formueset e kombësisë shqiptare tregon dhe ligjëron antropologjikisht, arkeologjikisht, folklorisht etj. në mënyrë shkencore, zinxhirin e pa këputur gjenealogjik shqiptar. Kjo pasje si proturberancat e diellit është derdhur edhe jashtë “planetit” Iliro -Shqipëri. Ardhësit në gadishullin Ilirik (helenët, romakët, sllavët, turqit etj.), aq shumë janë mrekulluar nga këto pasuri mito–etnologjike, saqë pas pëlqesës kanë dashur t’i bëjnë të tyret ato, e, shpesh herë ia kanë arritur qëllimit. “Kultet Ilire i kanë dhënë shumë lëndë mitologjisë greke… (Taloci)”.

Populli shqiptar, si vazhdues i popujve ilir, ka një fond të pasur të kësaj lënde, që tashmë quhet pasuri etnologjike, pasuri folklorike, pasuri shkencore gjuhësore. Ky material jetësor - shpirtëror ka tërhequr përherë vëmendjen e studionjësve të vendit dhe të huaj. Studimi epokal i tyre ka sjellë dhe do të sjellë një rivlerësim të ri për Ballkanin, rolin e tij ndaj të ardhmes shoqërore ballkanike e më gjerë. Të thuash të vërtetën është virtyt, ta thuash atë edhe shkencërisht, është më shumë se virtyt, është “tejkalim njerëzor”, siç thoshte Friedrich Nietzsche. Përveçse janë thesare etno-kulturore kombëtare, tash së fundi këto fonde po organizohen dhe futen në thesaret e etno – kulturës euro–botërore. Kjo e vërtetë merr frymë tashmë në “Maliqi 1 dhe 2”, “Foinike”, “Antipatrea”, “Bylisi”, te “Kodiku i Purpurt” etj. “U gjet varri gjashtëmijëvjeçar! “…para disa ditësh… Aq shumë “shenja” na kanë lënë të parët në trojet tona, si dëshmi të ekzistencës së tyre njerëzore, qytetare, sa që ne iliro – shqiptarët e rinj, i quajmë “të zakonshme” e “të përngjitura në mënyrë atavike”, duke mos i kushtuar vëmendje dhe ruajtur si gjënë më të shenjtë që kemi, më të papërsëritshme, bile nëpër histori, duke i shkatërruar dhe falur si “plaçka pa vlerë” e harruar se shkatërrojmë, falim kartën e identitetit kombëtar…

Kjo “paranojë “e madhe, e pafalshme, që gjallon frikshëm mbi “eldoradon etnologji shqiptare” bëri edhe profesor doktor Agron Xhagollin të nxirrte në dritë librin e tij, ndoshta më të shkëlqyer, “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar”. Por këtyre retorive publicistike, e mendësive libërore do t’i bashkoja dy grimca jetë shqiptare të fundvitit 2007…

Së bashku me poetin Alfred Mehmeti udhëtoja me një grup njerëzish të shquar të Kosovës sonë martire, të vrarë, prerë, të hallakatur edhe këtë çast, për në Vlorën e flamurit. U printe prof. dr. Agim Vinca, prof. dr Faik Shkodra, poetët Ejup Idrizi, Riza Haziri, Sabit Idrizi. Do të shkonim për vizitë vetjake, atje, por edhe për të takuar prof. as. dr. Bardhosh Gaçe. Kishin mall për Vlorën, e shihnin pas tridhjetë e tre vjetësh. Bisedohej vetëm rreth Shqipërisë etnike, d.m.th. rreth etnologjisë... Dy ditë bisedë me të njëjtën temë e temp, nuk ishte pak! Në një çast konfidencial, duke pirë kafe në barin e hotel “New York” poeti dhe së fundi “tercinisti” Ejup Idrizi më pyeti në vazhdim të një morie pyetjesh që kishte e kishin bërë vëllezërit, pas një mungese të gjatë të të pari, të të takuari: “Ra ky mort dhe ne u pamë”, Kadare.

Zoti Petraq, ç’mund të na flasësh për Manastirin e Deçanit dhe Patriarkanën e Pejës? Bëra pauzë përafrie. Bëra pauzë, jo se u gjenda bosh, por po shtrydhja dijet për këto dy ngrehina shpirtërore në e të trojeve dardane, që rrinin pezull mbi pyetje. Dhe për fat më erdhi në ndihmë përpos njohjes, një dokumentar “ekskluziv” i televizionit me personalitet, TCH për Manastirin e Deçanit dhe fillova të flas.

Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës janë ndërtuar mbi themelet e kishave katolike shqiptare të Dardanisë, këtë e dinte dhe di sot e kësaj ditë edhe Vatikani ose Sinjoria. Thjeshtë, janë pronë e kishës Katolike shqiptare e më thjeshtë akoma, pronë e etnosit shqiptar. Kjo gjasë fatlume e tanimë fatkeqe, ose ky minus i ri trashëgimie (iu kadastruan serbëve si pasuri etno–kulturore 2007(!)), nuk i falet “grupit kosovar të bisedimeve”, vetë Ahtisarit si njeri i ditur i euroatlantikut dhe shumë më keq, akademikëve të Kosovës. Por më e keqe fare, akademikëve të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, që asnjëherë, kur kombi shqiptar e ka patur thikën në është prej armiqve të tij të ditur ose budallenj, (1997, 1999), nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Dihet koha kur u nda sekti Orthodhoks nga ai Katolik, që i përkasin të të njëjtit besim, atij të Krishter, viti në kalendarin modern po të krishterimit shënonte, 1054.

Po kështu dihet edhe data e krishterimit e sllavëve (bullgarët në bazilikën e Ballshit në vitin 866), sipas arkeologut ushtarak Prashniker, austriak, d.m.th.. tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë vjet pas nesh(!). Pra, kur erdhën dhe u ngulën të tjerë popuj këtej nga ne ilirët, arbrit, shqiptarët, ne, i kishim ngulur përfundimisht ngrehinat e besimit, respektit, dashurisë shpirtërore fetare…” … dhe më tej vazhdova… është përsëri e pafalshme “ngulja” me lejen e qeverisë aktuale shqiptare e varreve të ushtarëve grekë në vijën paralelike të kufirit të mendjeve të tyre “të zgjuara” me kufirin aktual shtetëror të Republikës së Greqisë, Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Korçë. Varri është dashuria më permanente mitike. Kujtesa e varrit të thith më shumë se gjithçka në botë. Varri ka fuqi shpirtërore të pamatshme. Shikoni, në jetën e arixhinjve (ciganëve) endacakë nuk lejohet të shënjohen varret. Po shënjuan varret arixhinjtë, nuk enden dot më. Bëhen qytetarë të një vendi, të një toponimi. Por, jo! Ata janë si dallëndyshet, pa pasaportë.

Jo rastësisht bëra gjithë këtë rrugë fjalësh e fjalish, faqesh. I bëra i ngazëllyer nga leximi pothuaj me një frymë i librit doktrinor në fjalë “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” të profesor doktor Agron Xhagollit, figurë e përkryer e shkëlqyer e shkencës gjuhësore shqiptare. I bëra për të thënë se në fund të fundit, aty në këto varre, kisha, xhami, teqe e tyrbe, vende të shenjta, qendra banimi lashtësie, antike, paraantike, ai voli teorinë e tij shkencore, për të mishëzuar etnologjinë dhe folklorin shqiptar. Ikonën tonë shpirtërore e fizike.

Jo, se s’kisha lexuar më parë të tillë libër etno–kulturë “Çështje të folklorit shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave, të gjitha volumet, por ishte hera e parë që lexoja një doktrinë të pa indoktrinuar nga politika, nacionalizmi kombëtar dhe marramendja tekniciene profesoreske. Në tërësinë e saj kjo vepër përbën një fond të shkëlqyer në pasurinë kulturore kombëtare, në kulturën globale botërore. Vërtetësia historike dhe jetike e tërë materialit shkencor që sjell profesor Xhagolli në tregun e kulturës, dhe të historisë është e patjetërsueshme dhe brilante. Janë mijërat e ekspeditave dhe provave shkencore në terren e laboratorë, ato që skicuan planimetrinë dhe ngritën ngrehinën e etnologjisë shqiptare të këtij standardi. Është gjeografia e gjallë dhe e vdekur ajo ku shkeli këmba e shkencëtarit tonë. Janë rrënojat ilirike, kockat, pikturografia, fonia, veshja, ngjyra, ato që formëzuan mendimin dhe ligjërimin libror të autorit. Janë heronjtë, mitet. Janë ritet e papërsëritshme të jetës dhe vdekjes ilirike–shqiptare. Janë djepet, varret, luftërat, humbjet, fitoret. Janë veshjet, vallet, dasmat, mortet. Janë dashuritë, urrejtjet, vetjake, shoqërore, shtetërore e kombëtare. Etnologjia dhe folklori shqiptar xhagollian përmban brenda vetes disa mijëravjeçarë histori, disa mijëravjeçarë anatomi dhe fiziologji kombëtare, disa mijëra breza njerëzorë, disa miliona frymë rinie, nusërie e dhëndërie, grarie e burrërie, pleqërie. Përmban brenda vetes, dyndës, barbarë, miq dhe armiq. Përmban vrasës, vrasje, djegës, djegie, shkatërrimtarë, shkatërrimë, vjedhës, vjedhje, shitje, të shitur. Të dashur deri në dhimbje, kriminelë deri në vircie. Përmban kanune, kode, doke e zakone të bukura dhe të shëmtuara. Përmban gadishullin Ilirik brenda (sot Ballkan), përmban Evropën.

Por mbi të gjitha përmban të pa mundurën, të pa shuarën, të pa asimilueshmen, të pavdekshmen, Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjuha e komunikimit të “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar”, është gjuha standarde letrare. Materiali shkencor është vjelë në të gjitha trevat shqiptare, edhe jashtë kufirit shtetëror.

Libri “Etnologjia dhe Folklori Shqiptar” u botua nga universiteti “Ismail Qemali”, për degën gjuhë–letërsi shqipe, në shtypshkronjën “Triptik”, Vlorë. Ka treqind e dy faqe.
Në kreun e parë “Hyrje në etnologji dhe në Folklor” radhiten këto tema: Funksionet dhe vlerat e etnokulturës. Koncepte rreth etnologjisë e folklorit, kuptimi i shkencës së etnologjisë dhe folkloristikës. Lidhjet e etnologjisë dhe folkloristikës me disiplina të tjera shkencore. Historia e etnologjisë dhe e folkloristikës shqiptare. Metodika e kërkimit shkencor. Etnokultura shqiptare në rrjedhat bashkëkohore. Në kreun e dytë “Etnologjia Shqiptare” radhiten këto tema: Jeta ekonomike. Ushqimet, mënyra e të ushqyerit, traditat bujqësore e blegtorale, veshjet popullore. Banesa tradicionale dhe arti i të ndërtuarit. Mjeshtëritë popullore. Kultura shoqërore e shpirtërore. Familja, lidhjet e afërsisë së gjakut, farefisi. E drejta dokesore. Migrimet dhe formimi i diasporës. Mitet dhe besimet popullore. Arti popullor. Në kreun e tretë “Folklori shqiptar”, njëpasnjëhen këto tema: Folklori – krijimtari artistike specifike. Proza dhe poezia popullore. Veçoritë specifike të prozës dhe poezisë popullore. Gjendja e sotme e prozës dhe poezisë popullore. Proza popullore. Kriteret e klasifikimit të prozës popullore shqiptare. Llojet e prozës popullore dhe ndarjet e saj. Përrallat popullore. Legjendat popullore. Anekdotat popullore.

Tregimi popullor realist. Fjalët e urta popullore. Gjëegjëzat popullore. Poezia popullore. Baladat popullore. Baladat legjendare. Baladat realiste. Epika popullore. Epika legjendare. Eposi shqiptar i kreshnikëve. Epika historike. Këngët përpara pushtimit osman. Këngët e periudhës së shtetit të pavarur shqiptar. Poezia lirike.

Lirika familjare. Këngët e lindjes e të djepit. Këngët e dasmës. Vajet. Lirika shoqërore. Këngët e dashurisë. Këngët për nizamët e kurbetin. Këngët për nizamët. Këngët për kurbetin. Këngët e motmotit. Këngët e punës. Folklori muzikor shqiptar. Folklori koreografik shqiptar. E gjithë doktrina xhagolliane paraqitet me një pamje të kompletuar të materialit. Rrafshi i operimit të saj shkencor ka dy fusha. Në fushën e parë studionjësi referenti gjen të zbërthyer me kompetencë teorike, por edhe praktike Et–no–logjinë (prejardhjen atërore) shqiptare, saktësuar me precizion teorik e mbështetur me material burimor (origjinor), traditat popullore, trashëgimia etnike e krijuar dhe zhvilluar në shekuj ndër bashkësitë njerëzore shqiptare (traditat e jetës ekonomike, veshjet popullore, shtrirja dhe veçanësitë e vendbanimeve të bashkësive njerëzore të caktuara, arti i të ndërtuarit e banesa tradicionale, mjeshtëritë, teknologjitë, mjekësia popullore, astronomia dhe meteorologjia popullore, dukuritë dhe prakticiteti popullor, kultura shpirtërore shoqërore; organizimi shoqëror në qendra e banime të caktuara, në krahina a në lidhje e marrëdhënie ndërkrahinore e mbarëkombëtare. Lidhjet e afrisë së gjakut, farefisi, familja, doke e zakone, rite familjare. Doke e rite të lindjes, të martesës e të vdekjes, e drejta dokesore. Etnopsikologjia e virtytet popullore, besimi, arti popullor. Po kështu në fushën e e etnologjisë shqiptare përfshihen edhe zhvillimet e jetësës. Ciklet e jetës, festat, praktikat e punës, racat njerëzore, antropogjeneza dhe karakteristikat etno–antropologjike, shtrirja e popullsisë,

Migrimet e brendshme dhe të jashtme. Fusha e dytë ku studiuesi referenti lëron material, është folklori shqiptar. Në përbërje të këtij folklori ngjishen; proza e poezia popullore, muzika, vokale dhe instrumentale. Veglat popullore muzikore. Vallet dhe kërcimet popullore, si dhe arti dramatik popullor… Të dy këta përbërës, që janë edhe materiali total kryeneç i kësaj doktrine, kanë një shtrirje shumë të gjatë kohore në jetën historike e parahistorike të popullit shqiptar, siç e përcakton Aleksandër Dyma: “Shqiptarët janë më të vjetër se historia vetë” dhe e rreshtojnë prof. dr. Agron Xhagollin me doktrinarët më në zë të albanologjisë, pse jo edhe me Strabonin, Herodotin, Hesiodin, Tit Livin… Zhak Burkar, Zhan Klod, Faveirial, Gustav Majer, Mati Aref, Aristidh Kola etj..
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi