Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI

Shko poshtë

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI Empty Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 27, 2009 8:14 pm

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI A_fisnik_dobreci-490x320





















POZITIVISTI
Vendimi për të lejuar hyrjen e Tadicit në Kosovë ishte i drejtë. Nuk e kam shkelur Kushtetutën, as për postin e Kryetarit të LDK’së dhe as për zgjedhjet. Nuk kam frikë për reforma në LDK. I kam iniciuar vetë dhe ato po ecin. Nëse LDK do një Kryetar aktiv, është çështje e Kryesisë së saj. Unë nuk jam i pazëvendësueshëm. Jam në mandatin e dytë si President. Qeveria mund të punojë më shumë dhe mund të rishikojë pozicionet e Ministrave. Me Kryeministrin kam konsulta të vazhdueshme se çka mund të bëhet më tepër. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, flet për Express.


Nga Arlinda Desku / Berat Buzhala më 27.04.2009 në ora 7:25


Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI Fisnik_DOBRECI_-presidenti-Fatmir-Sejdiu0081

Emri Fatmir Sejdiu është ndoshta nyja e çfarëdo analize që duhet t’i bëhet transformimit të skenës politike kosovare, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës.

Është politikani i cili ka udhëhequr pa animozitetet e zakonshme Ekipin e Unitetit në bisedimet për statusin, të cilat përfunduan me shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

Është drejtuesi i LDK’së që afroi këtë parti me rivalin e saj të së kaluarës, duke e shndërruar në një partner të sotëm të Kryeministrit Hashim Thaçi.

Është udhëheqësi i partisë dikur më të madhe, e cila vazhdon të rrënohet, dhe kohën e fundit mbetet subjekt i gjahut nga partneri i fundit i Ibrahim Rugovës, AAK e Ramush Haradinajt.
Janë të shumtë ata që e kanë kritikuar se LDK’ja mbetet në Qeveri vetëm në favor të interesave të tij, për mandatin e dytë si President, dhe përfitimeve të suitës.

Ai, jo.
I sheh gjërat me shumë pozitivitet.

Thotë se nuk e ka shkelur Kushtetutën, duke mbajtur postin e Kryetarit të LDK’së, e as kur është deklaruar për zgjedhjet nacionale. Insiston se LDK po reformohet. Beson se qeverisja me PDK’në është solide. Dhe, të mira të tjera, me radhë.

Të gjitha këto, dikush tjetër, mund t’i shohë ndryshe. Por, kjo nuk e pengon. Pranon se ekziston e drejta e mendimit ndryshe dhe parapëlqen të heshtë. Kjo është e vërtetë. Ashtu siç është e vërtetë edhe një tjetër gjë: nuk i thërret mediat në telefon. Ndoshta, ky është parim i tij. Ndoshta, injorimin e mediave e ka trashëguar nga Ibrahim Rugova. Ato mund ta kritikojnë sa të duan. Opozita, po ashtu. Por, Fatmir Sejdiu nuk mërzitet. Ai jeton i lumtur në të vërtetat e tij. Për aq sa do të jetë komod.

Express: Java e kaluar është përshkuar me një debat të nxehtë rreth vizitës së Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, në vendin tonë. A keni qenë ju në Kosovë, gjatë këtyre ditëve, Z. President?
Presidenti Sejdiu:
Po, kam qenë gjithë kohën prezent në Kosovë.

Express: Nuk reaguat me asnjë deklaratë për këtë vizitë...
Presidenti Sejdiu
: Jo. Kanë qenë informacione që i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës, përmes EULEX-it ose Zyrës së ICO-së. Natyrisht, kam qenë i informuar për këto zhvillime. Dhe, në bashkëpunim me Kryeministrin, është marrë vendim. Është vendim i Qeverisë, të cilin unë e kam mbështetur. Po ashtu, kishte një komunikim aktiv edhe me mbështetësit e Kosovës. Kemi konsideruar se në një moment të tillë, ka qenë një provokim. Jemi të bindur se të gjitha lëvizjet që ka bërë Tadic, edhe të tjerë zyrtarë të Serbisë, karshi Kosovës, në këtë tip të ecejakeve të tyre, janë një nxitje qëllimore për të krijuar situata të tensioneve të caktuara. Por, kemi menduar, në të njëjtën kohë, se kur jepet leja finale nga Qeveria e Kosovës, është një leje e një organi të një shteti sovran. Ai ka ardhur në rrugën si ka ardhur, me helikopter, ka zbritur në Deçan, dhe fatkeqësisht ka lëshuar një pjesë të deklaratës, për të bindur edhe një herë, edhe bashkësinë ndërkombëtare, se nuk është besnik i deklarimeve të tyre.

Express: Por, pse zgjodhët të jeni i heshtur?
Presidenti Sejdiu:
Po të kishte ndonjë kërkesë ndaj meje, do të deklarohesha.

Express: A duhet që gjithmonë gazetarët t’ju pyesin, që ju të bëni një deklaratë?
Presidenti Sejdiu:
Ky ka qenë qëndrim i Qeverisë. Unë e kam mbështetur.

Express: Kishte presion nga Brukseli dhe Washingtoni që ta lejoni Presidentin Tadic të hynte në Kosovë?
Presidenti Sejdiu:
Presion nuk ishte. Ka qenë, më tepër, një këshillë. Ka qenë një kërkesë që të mundësohet, të mos lihet një shkas i keqpërdorimeve të momenteve që ishin të rëndësishme për Kosovën. Paralelisht dorëzoheshin deklaratat e ekipeve në GJND. Serbia, realisht, ka dashur të krijojë incidente, në këtë situatë. Me qëndrimin që ka marrë Qeveria e Kosovës, që të jepet leja për vizitë, në pelegrinazh, ashtu siç ishte deklaruar, ka ishte vendim i drejtë.

Express: A duhet ta shkelim Kushtetutën, në mënyrë që të mos krijojmë incidente me palën serbe?
Presidenti Sejdiu:
Nuk është shkelje e Kushtetutës, megjithatë. Kosova është një vend në të cilin do të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, edhe të qytetarëve të huaj. Natyrisht, i takon Kosovës të japë vërejte për këtë sjellje. Dhe, sigurisht, herën tjetër, nuk them se cili moment do të jetë dhe kur do të ndodhë, sepse ata s’do të prajnë me kërkesa të tilla, ky është një argument plus për të thënë se nuk është mbajtur zotimi i asaj që ka qenë motivi themelor i ardhjes së një Presidenti të një vendi tjetër në Kosovë.

Express: Që do të thotë se...?
Presidenti Sejdiu:
Që do të thotë se njerëzit mund të lëvizin. Që do të thotë se edhe Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Kosovës mund të shkojnë në vende të tjera, në trajtesën më të mirë. Por, në këtë rast, është dhënë një leje, për të cilën mendoj se ka arsyen e vet.

Express: Kjo vizitë, a e ul kredibilitetin liderëve politikë kosovarë dhe a e ngrit kredibilitetin e Boris Tadicit?
Presidenti Sejdiu:
Them se është çështje e qytetarëve se si do ta vlerësojnë. Duhet të bëhen poteza dhe zgjidhje racionale, për kohën e caktuar. Me këtë, nuk lëndohet në esencë radiusi i veprimeve të institucioneve të Kosovës. Në momentin kur Qeveria e Kosovës nuk do të jepte lejen për të ardhur, ai nuk do të vinte. Pra, është një vendim i Qeverisë së Kosovës, që e ka në kompetencë të plotë.

Express: Tadic u lejua të hyjë në Kosovë, pas presioneve. A do të lodheni ju liderët kosovarë duke thënë gjithmonë “po”...?
Presidenti Sejdiu:
Liderët dhe institucionet e Kosovës do të kenë gjithmonë ndjenjën e përgjegjësisë. Do të kenë ndjenjën e bashkëpunimit të gjithmonshëm me shtetet që kanë mbështetur dhe mbështesin ecjen e Kosovës, edhe në procese të tjera. Kosova nuk do të dëshirojë asnjëherë që të vihet në një rrafsh të përjashtimit të komunikimit me miqtë e saj. Në këtë kuadër, një situatë e tillë, që unë them sërish se ishte një tip provokimi, është kapërcyer me një qasje të arsyeshme.

K E MADHE E SHTYPIT, KUSHTETUTA

Express: Momenti kur jeni zgjedhur President i Kosovës, ishte tejet interesant. Si u bë që ju u propozuat për ta udhëhequr vendin? Kush, në fakt, dha emrin tuaj për President?
Presidenti Sejdiu:
Ishte një situatë e rënduar për Kosovën, me humbjen e Presidentit Rugova. Në atë situatë, as që kisha vizione për një “vetë-kandidim”, sikur mund të kenë pasur individë të caktuar – që është krejt normale. Por, di se është biseduar, pas njoftimeve që kam marrë edhe në LDK, ku Z. Eqrem Kryeziu ishte një nga udhëheqësit e LDK-së, si Nënkryetar i Parë. Natyrisht, kam pasur edhe komunikime të tjera, të cilat, në njëfarë mënyre, kanë hulumtuar qëndrimin tim për të marrë një pozicion kaq të rëndësishëm. Një qasje e tillë, deri në momentin e propozimit, ishte një kombinim bashkëpunues i pozitës dhe opozitës. Respektoj këtë qasje, duke pasur parasysh se kjo ka ndikuar në mbështetje të përgjithshme. Them se asokohe asnjëherë s’kam dhënë sinjale me karakter fushate, s’kam dhënë sinjale që do të nxisnin lëvizje të caktuara. Mirëpo, ishte tepër e nevojshme për Kosovën, në atë moment, që të konsolidoheshim shpejt, sepse ishte një situatë me urgjenca të veçanta. Humbja e Presidentit Rugova ishte një goditje për qytetarët dhe institucionet. Dhe, paralelisht, kishim detyra shumë të rëndësishme dhe me prioritet, që ishte procesi i negociatave për statusin e Kosovës.

Express: Rruga juaj deri këtu, prej se jeni bërë President i Kosovës, mund të shihet nga dy këndë. Arritët ta përmbyllni statusin dhe ta shpallni pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër, partia juaj, gjatë gjithë kësaj kohe, ka shkuar në përplasje të vazhdueshme dhe nuk ka qenë kompakte sikurse partitë tjera. Për faktin që ju udhëhiqni shtetin dhe jeni të zënë me obligime të tjera, LDK-ja ka mbetur pas dore. Pajtoheni?
Presidenti Sejdiu:
Është një periudhë që ka arsyet e veta. Ka ndodhur një proces që nuk ka arsyetuar numrin që kishte më parë, në zgjedhjet e mëhershme, me prezencën e re në Parlament. Janë të natyrshme interesant dhe ambiciet, por edhe qasjet tjera që mund të kenë njerëzit. Fundja, secili mund të zgjedhë rrugën e vet, pa imponim të caktuar. Nga kjo periudhë dhe tani, unë kam pasur për obligim, në radhë të parë për veten time, që të kem kujdes të veçantë të mosinterferencës në zhvillimet që kanë të bëjnë me inkompatibilitetin, veçanërisht në periudhën kur Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi. Pavarësisht këtyre nuancave që ishin prezente, e mbase mund të jenë ende pjesë e përpjekjeve të regjenerimit, forcimit, konsolidimit, ndoshta edhe mund të ketë ambicie të të tjerëve që të shohin pozicion tjetër të këtij subjekti politik, LDK-ja do të gjejë fuqinë dhe energjinë e vet për të dhënë një dëshmi plus për vlerat që ka si subjekt politik. Pa e mohuar asnjëherë, nga roli që unë kam, vlerën e secilit subjekt politik në Kosovë. Nëse ka një vlerë të veçantë të asaj ecjeje të gjatë, tash po bëhen gati 20 vjet, është vlera e tolerancës, e respektit për individin, vlera e bashkëpunimit në procese të mëdha. Kjo, si frymë, duhet të kultivohet edhe më tej. Secila parti politike, edhe LDK, edhe PDK, edhe AAK, edhe secila parti tjetër, do të bëjë përpjekjet më të mëdha të mundshme për të siguruar numër më të madh të përfaqësuesve të tyre në institucione te shtetit. Por, po ashtu, është në dorën e qytetarëve që të jenë vrojtues të thellë të të gjitha zhvillimeve, të vlerave për secilin, dhe të japin verdiktin e tyre në proceset zgjedhore.

Express: Z. President, ju jeni i bindur që nuk po e shkelni Kushtetutën e Kosovës, duke qenë njëkohësisht edhe Kryetar i LDK-së, apo kështu duhet të deklaroheni?
Presidenti Sejdiu:
Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë...

Express: Po, është shumë e qartë. Thotë se Presidenti nuk mund t’i ushtrojë dy poste...
Presidenti Sejdiu:
Nuk mund të ushtrojë, dhe nuk ushtrohen. Nuk thotë që s’mund të ketë në nominacion edhe një post tjetër. Prandaj, nëse Kushtetuta është e tillë, unë do të jem i përgjegjshëm ta respektoj këtë dispozitë kushtetuese. Sigurisht se LDK do të ketë procese zgjedhore. Është në dorën e saj, të anëtarësisë së saj, që t’ia japë besimin kujtdo që t’ia japë, në procese normale. Ajo që është në dispozitën kushtetuese, është shumë e qartë. Koment tjetër nuk mund të ketë.

Express: Do të kishit deklaruar kështu edhe si jurist?
Presidenti Sejdiu:
Gjithmonë. E them edhe si jurist. Ushtrim i detyrës tjetër, do të thotë qasje aktive, me obligim të caktuar.

Express: Si u shpik kjo “ngrirje” e postit?
Presidenti Sejdiu:
Është pezullim, është formulë normale.

Express: LDK nuk ka Kryetar?
Presidenti Sejdiu:
Jo, LDK ka Kryetar...

Express: Që jeni ju....
Presidenti Sejdiu:
LDK ka një Kryetar, i cili e ka pushuar mandatin, ose ushtrimin e funksionit të tij.

Express: Pse duhet të mos e ketë një Kryetar aktiv, që e ushtron mandatin?
Presidenti Sejdiu:
Është çështje e LDK-së. Absolutisht.

Express: Por, ju jeni aty...
Presidenti Sejdiu:
Unë jam këtu.

Express: Nëse pajtohemi që kjo çështje është në akordim me Kushtetutën e Kosovës, megjithatë, a mendoni se për hir të partisë, është më mirë që LDK ta ketë një lider aktiv?
Presidenti Sejdiu:
Ka nevojë të konsolidimit. Absolutisht. Është nevojë e LDK-së që të definojë hapat e mëtejmë.

Express: A mund ta ketë LDK një Kryetar tjetër, pos jush? Apo, ju jeni i pazëvendësueshëm?
Presidenti Sejdiu:
Jo, nuk mund të konsideroj kështu. LDK-ja mund të ketë një Kryetar për të cilin përcaktohet. Asnjë njeri, as në LDK dhe as në Kosovë, nuk është i pazëvendësueshëm.

Express: Po me vetë faktin që nuk po zgjedhet një tjetër...
Presidenti Sejdiu
: Është një proces që ata e kanë parasysh dhe do të ecin.

Express: Ju kanë akuzuar se nuk keni dashur të lejoni reformat në LDK, dhe se Blerim Kuçit i është lënë puna në gjysmë. A është kjo e vërtetë?
Presidenti Sejdiu:
Nuk dua të jap asnjë koment për Z. Blerim Kuçi. Procesin e reformave në LDK e kam iniciuar unë. Dhe, ai proces duhet të lëvizë shpejt.

Express: A po lëviz?
Presidenti Sejdiu
: Ka një ecje. Është shumë me rëndësi që e gjithë ajo strukturë e procesit të reformave është përgatitur nga ekipe profesionale, nuk është e vetëm një njeriu. Është një qasje e përgjithshme e udhëheqjes së LDK-së. Nuk dua të jap asnjë koment për deklaratat e gazetave dhe as të njerëzve që janë marrë me këtë çështje.

Express: A ka një frikë për reformat në LDK?
Presidenti Sejdiu:
Jo. Nuk besoj që ka frikë.

Express: Edhe nëse reformat do të mund të sillnin të tilla ndryshime që ju nuk ishit edhe më tutje në krye të saj?
Presidenti Sejdiu:
Unë nuk mërzitem për atë çështje. Unë jam në rolin e Presidentit të vendit. Për mua, është shumë e rëndësishme që funksionin që kam - ta ushtroj në mënyrë të përgjegjshme.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI Empty Re: Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 27, 2009 8:15 pm

Express: Të gjitha subjektet politike që kanë dalë pas luftërave në ish-Jugosllavi, ose nga rajoni, kanë pasur fatin të jenë në pushtet në vitet e para. Më vonë, i janë nënshtruar tranzicionit, pothuajse një katarsisi të plotë. Gjatë ndarjes së LDK-së me LDD-në, vrojtuesit e pavarur e shikuan këtë si një mundësi të lëvizjes, brenda këtij subjekti që kishte një periudhë vegjetimi. Por, balanci i forcave brenda Kryesisë së LDK-së duket se nuk po e lejon zhvillimin e saj dhe daljen nga kornizat 18 vjeçare...
Presidenti Sejdiu:
Për mua, është shumë me rëndësi që procesi i reformimit, në rezultatin e tij final, të jetë në dobi të një subjekti politik, për të mirën e qytetarëve. Kam parasysh atë që thoni ju për proceset që kanë përjetuar partitë tjera politike, në transformim, që është normale. Është, po ashtu, shumë esenciale të shihet se secila parti politike ka të drejtë të zgjedhë ecjen e vet të brendshme.

Express: Me këtë mënyrë funksionimi që ka zgjedhur LDK, besoni në rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme?
Presidenti Sejdiu:
Nuk dua të merrem tash më shumë me këtë temë, që ju insistoni. Mund të bisedoni edhe me të tjerët. Po e them se kam iniciuar procesin e reformave dhe pohoj se ato reforma janë të nevojshme, jo për të siguruar formë dhe pozicione të individëve, por për të bërë një zhvillim substancial të brendshëm, i cili do të garantonte konsolidimin dhe joshjen e qytetarëve në projektin që dilet me të.

FJALA MAGJIKE PËR QEVERISJEN: SOLIDE

Express: Z. President, si ju duket që po qeveriset vendi?
Presidenti Sejdiu:
Nuk gjej asnjë vend në botë që ka pushuar me kërkesën për më shumë demokraci. Nuk gjej asnjë vend në botë që i ka vënë pikë kërkesës për të kërkuar qasje më të mirë në qeverisje. Nuk gjej asnjë vend në botë që ka arritur të bëjë një kënaqje totale të pritjeve të qytetarëve. Prandaj, gjithmonë këto janë si pjesë të temave bosht, që nxisin kërkesën për më shumë. Kosova, natyrisht, dallon nga vendet e demokracisë së avancuar, sepse jemi të përballur me vështirësi të shumta, jo vetëm si pasojë e luftës por edhe situatave tepër shtrënguese. Nuk është arritur të gjendet optimalja ende, për të pasur ekipet që do të mbajnë boshtin themelor profesional në ndërtimin e mekanizmave shtetërore. Në përgjithësi, është një funksionim solid. Sigurisht ka hapësirë të bëhet punë më tepër. Fundja, kemi përballjet e çdoditshme me qytetarët. Dhe, secili subjekt politik, pavarësisht pozitën a opozitën, do ta ketë të vështirë që të gjitha t’i përmbushë, sepse kemi një fakt të përballjes ditore, të asaj që mund të jetë pjesë e nevojës së vazhdueshme të qytetarëve, dhe të asaj që është pamundësi. Ta zëmë, kemi një përballje të drejtpërdrejtë me politikën fiskale të brendshme, që duhet të jetë në përputhje të plotë që ka FMN. Qeveria e Kosovës nuk mund të lëvizë jashtë këtyre kornizave, në përmbushjen e atyre kërkesave që mund t’i gjejmë edhe në greva. Çështje tjetër është realizimi i projekteve. Do ta dëshiroja që secila pozitë ta sigurojë në mandatin e vet përmbushjen e premtimeve. Nuk mendoj se mund të arrihet qëllimi i plotë, por do të jetë pjesë e vazhdimësisë së proceseve.

Express: Ishte dëshpërues lajmi i fundit për ndotjen e madhe të ajrit në Prishtinë, është dëshpëruese gjendja e mjerueshme në shëndetësi, për shembull. Në mëngjes, kur niseni në punë, cili është problemi që ju dëshpëron më së shumti, ose që ju bën të ndjeheni të pafuqishëm për ta zgjidhur, ose që ju shkon mendja ta thërrisni një Ministër dhe t’i thoni: zgjidhe këtë problem?
Presidenti Sejdiu:
Jeta sjell lloje të ndryshme të problemeve. Që ka probleme praktike, ka. Që ka probleme që mund të zgjidhen më lehtë, ka. Edhe në fushën e shëndetësisë, edhe në fushën e arsimit, edhe në fushën e sigurisë, edhe në fushën e agrarit. Në të gjitha këto fusha, duhet investim i veçantë i punës, por edhe kapitalit. Por, në të njëjtën kohë të investimit të punës, duhet të jetë pjesë edhe ndërtimi i kulturës tek qytetarët. Po e fillojmë me agrarin dhe kalojmë tek të tjerat. Pse të lejohet që Kosova të mos punojë 40 për qind të tokave të saj pjellore?

Express: Pse?
Presidenti Sejdiu:
Sepse, duhet të zhvillohet një politikë tepër urgjente e Qeverisë. Tash, nuk është në mundësinë time që ta thërras secilin Ministër...

Express: Mund ta thërrisni Kryeministrin...
Presidenti Sejdiu:
Me Kryeministrin, bisedojmë. Kemi konsulta të vazhdueshme se çka mund të bëhet më tepër në fusha të caktuara.

Express: A i keni, pak a shumë, të njëjtat brenga me Kryeministrin, lidhur me performansën e Ministrave?
Presidenti Sejdiu:
Ka fusha në të cilat duhet investim më tepër.

Express: Që do të thotë se...?
Presidenti Sejdiu:
Që do të thotë se duhet të punohet më shumë. Ta zëmë, brenda ditës, në Prishtinë, hyjnë rreth 100 mijë vetura. Secila lëshon helm. Në bashkëpunim me pushtetin lokal, me Ministrinë e Transportit dhe Ministrinë e Rendit, mund të bëhet pak më ndryshe. Në shëndetësi, e di që ka çrregullim. E di që në një kohë nuk i është kushtuar kujdes maksimal.

Express: Kujdes maksimal nga Ministri, apo nga Programi i Qeverisë?
Presidenti Sejdiu:
Jo, flas si strukturë. Programi mund të jetë letër. Problemi është realizimi i programit, nga Ministri, nga Ministria, nga Qeveria, edhe nga Parlamenti. Pra, duhet të krijohet një bazë e harmonishme e veprimit.

Express: Ju pajtoheni që kjo Qeveri ka sukses kryesisht në dy fusha: në transport dhe arsim?
Presidenti Sejdiu:
Unë them se kjo Qeveri ka rezultate të mira të përgjithshme, edhe në fushat tjera. Po i marrim rezultatet e konsolidimit të Ministrisë së Jashtme. Po i marrim rezultatet e para, që janë të mira, me gjithë problemet që kemi, në FSK.

Express: Ju jeni i kënaqur me punën e Ministrisë së Jashtme?
Presidenti Sejdiu
: Them se mund të punohet edhe më shumë, sikur tek secila.

Express: Kryeministri Hashim Thaçi, në kohën e fushatës elektorale, pat dhënë premtime kryesisht për rrugët dhe arsimin. Të dy këto Ministri i ka PDK. Suksesi, në një mënyrë, i atribuohet Thaçit dhe jo koalicionit. Ministritë që i janë ndarë LDK-së, ta zëmë Ministria e Shëndetësisë, ankohen për buxhet më të vogël dhe për pasojë rezultatet mungojnë. A ju duket kjo e drejtë?
Presidenti Sejdiu:
Është çështje e koncipimit të buxhetit që është bërë në Qeveri. Një buxhet i tillë ka kaluar në Parlament dhe është ndarë në Ministri, sipas asaj se çfarë duhet të zhvillohet. Unë nuk mund të ndaj peshën ose suksesin e një Ministrie me aq sa do të ketë para. Por, paralelisht, do të jetë pjesë e borxhit të asaj Ministrie, të stafit të saj, nga Ministri e më poshtë, që të punojë në secilin sektor, me përgjegjësi të veçanta. Dhe, kjo mund të shihet.

Express: Është parë, deri më tash, që Qeveria nuk e ka pasur në plan të parë shëndetësinë. Dhe, akuzat nuk i shkojnë Qeverisë, por i shkojnë Ministrit Alush Gashi...
Presidenti Sejdiu
: Jo, më falni. Unë kam një qasje tjetër. Aty ku ka rezultate, aty ku s’ka rezultate. Qeveria është një formacion i përbashkët. Mund të shikohet edhe roli i individit në kuadër të kësaj.

Express: A do të rishikohen edhe pozicionet e Ministrave?
Presidenti Sejdiu:
Mendoj se është borxh i Qeverisë të rishikojë gjithmonë. E di ku dëshironi të dilni me këtë pyetje. Është borxh i partnerëve të koalicionit ta vlerësojnë punën.

Express: Do ta kishit përkrahur Kryeministrin Thaçi për një rishikim të formacionit qeveritar? A është koha që të ndodhin disa ndryshime?
Presidenti Sejdiu:
Nuk lidhem me asnjë individ. Unë përkrah qasjen që të bëhet hulumtim i vazhdueshëm i punës së secilës Ministri.

Express: Kryeministri i ka ndarë, sipas vlerësimit, në Ministra shumë aktivë, Ministra aktivë, dhe Ministra që mund të jenë më aktivë....
Presidenti Sejdiu:
Unë nuk do të veçoja. Unë do të veçoja punën dhe përgjegjësinë e secilit.

Express: Nëse Kryeministri del me një vendim që duhet të ndërrohem 2-3 Ministra, ju do të pajtoheshit?
Presidenti Sejdiu:
E shohim. Nuk jap përgjigje në çështje hipotetike.

Express: Por, nga situata aktuale, mendoni se ka vend për ndryshime në Qeveri?
Presidenti Sejdiu:
Mendoj se ka vend që të bëhet punë edhe më e mirë. Nuk mund të lidhem nga ky pozicion dhe të them se këtë Ministër duhet hequr.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI Empty Re: Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 27, 2009 8:16 pm

INTERPRETIMI PËR ZGJEDHJET

Express: Çfarë raport keni me Kryeministrin Thaçi?
Presidenti Sejdiu:
Korrekte. Janë raporte të bashkëpunimit. Takohemi rregullisht. Çdo të hënë të rregullt, kur jemi në Prishtinë, takohemi. Dhe, shpesh edhe me Kryetarin e Parlamentit.

Express: A është ky partneritet mes jush për një mandat?
Presidenti Sejdiu:
Është partneritet për përgjegjësitë që kemi.

Express: Partitë opozitare kanë filluar ta shohin me frikë koalicionin aktual, sepse mendojnë që dy partitë më të mëdha mund të kenë monopol në KQZ, në vendet kryesore prej të cilave varet edhe organizimi i zgjedhjeve...
Presidenti Sejdiu:
Nuk di cilat mund të jenë vrojtimet për partitë. Unë flas në rolin që kam, në bashkëpunimet që kam me Kryeministrin, me Kryeparlamentarin, me partitë politike, pavarësisht se mund të ketë qasje dhe deklarime të formave të ndryshme të njerëzve. Ajo që unë e përcjell, që është borxh imi institucional e njerëzor, është që të bëjmë analizat, të bëjmë shqyrtimin e pikave të rëndësishme, jo vetëm të momentumit por edhe të ngjarjeve që kemi para vetes. Natyrisht, është edhe borxh i Qeverisë të rishikojë atë që ka arritur, në kuadër të realizimit të projektit të saj. Dhe, e them gjithmonë, është borxh i opozitës që të gjuajë në njollat e zeza, nëse ajo mund t’i cilësojë e gjejë, të thërrasë interpelancë, sepse është luftë politike, është krejt normale. Por, paralelisht, është borxh i pozitës të shikojë vetveten.

Express: Kur do ta caktoni datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale?
Presidenti Sejdiu:
Unë do të bëj konsultat, në bazë të Kushtetutës, shumë shpejt. Mendoj se në momentet e para, të fillimit të majit, do ti thërras në konsultë të gjitha partitë politike. Do ta shoh metodologjinë. Besoj, do t’i thërras edhe në konsulta veçmas, edhe të gjitha së bashku.

Express: Pra, nuk do ta përsërisni gabimin që bëtë me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme?
Presidenti Sejdiu:
Ju e cilësoni si gabim, unë nuk e cilësoj si gabim.

Express: Nuk ka qenë gabim që ju nuk i keni ftuar partitë për konsultim, para se të deklaroheshit për zgjedhjet?
Presidenti Sejdiu:
Unë kam shprehur qëndrim për atë që thotë Kushtetuta e Kosovës, atë që thotë Ligji për Zgjedhjet. Natyrisht, ka edhe një histori kjo punë.

Express: Le ta sqarojmë këtë histori...
Presidenti Sejdiu:
Po, e sqarojmë. Në momentin e përgatitjes të Ligjit për Zgjedhjet, që është një periudhë e mëhershme, para zgjedhjeve të nëntorit 2007, ne kemi pasur biseda të shumta se çfarë do të ndodhë me procesin. Ishte një dinamikë që rrezikonte kohën, meqë shtyhej në vazhdimësi. Rrezikohej koha e mandateve të institucioneve ekzistuese. Kishte një vit që ishte kapërcyer mandati i pushtetit lokal. Ishte kërkesë e të gjithëve, veçanërisht e atyre që ishin në opozitë, për të hyrë në zgjedhje. Kemi pasur konsulta. Është biseduar jashtë pjesës institucionale, por që ka pasur një rol të veçantë, në Ekipin e Unitetit dhe në Grupin Politik Strategjik, ku kanë qenë të gjithë. I kam ftuar në tri takime radhazi përfaqësuesit e të gjitha partive politike, të pozitës dhe opozitës, në konsultë – si t’ia bënim. Ishte tepër e rëndësishme si të definohej. Projektin e Ahtisaarit e patëm miratuar në pranverë. Nuk ndodhi ajo që ne e supozonim së bashku, shpallja e pavarësisë, dhe mbajtja e ciklit të zgjedhjeve në bazë të proklamimit me Ahtisaarin. Ishte përcaktim i përbashkët që të respektohet Ahtisaari në krejt strukturën, edhe në ndërtimin e ligjit, por edhe në ndërtimin e Kushtetutës së Kosovës. Dhe, çfarë ka ndodhur? Është marrë vendim për mandatet, që të jenë të papërputhshme, sepse kishte nevojë që këto mandate të papërputhshme të reflektojnë në procese aktive zgjedhore, në periudhat e ardhshme, sikurse i ka çdo vend, rrallëkund mund të gjendet zgjedhjet përnjëherë. Është arritur marrëveshje që të shkohet 2 vjet me pushtetin lokal, 4 vjet me pushtetin qendror, dhe që Presidenti i vendit të ketë mandat 5 vjeçar. Kjo është rivënë në normën kushtetuese. Aty kanë marrë pjesë të gjithë. Dhe, ju e dini me sa vota mbështetëse është bërë Kushtetuta e Kosovës. Aty ka dy formula. Se mandati i institucioneve ekzistuese, të zgjedhura paraprakisht në nëntor, është i plotë. Dhe, ka edhe një dispozitë tjetër që thotë se nuk mund të organizohen zgjedhje të përgjithshme, nëse do të ketë, që mund të jenë të jashtëzakonshme, pa kapërcyer së paku 2 vjet nga dita e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Unë kam konsultuar edhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar për interpretimin e Pakos së Ahtisaarit. Dhe, kam shprehur qëndrimin tim. Ky është qëndrim i përputhshëm me Kushtetutën. Do të thotë që zgjedhjet lokale e kanë afatin e tashëm që të mbahen në nëntor. Do t’i thërras partitë politike, do t respektoj në esencë deklarimet e tyre dhe ujdia do të arrihet bashkë. Aty do të merret vendimi për datën, a do të jenë pak më herët, a do të jenë në të njëjtën datë, a pak më vonë, është një çështje që nuk luan shumë rol. Me Ligjin për Zgjedhjet, Presidenti i vendit do të marrë vendimin jo më herët se 6 muaj para skadimit të mandatit dhe jo më vonë se 4 muaj para skadimit të mandatit. Në këtë afat, ne ende nuk kemi hyrë.

Express: Kushtetuta po interpretohet ndryshe nga ju dhe ndryshe nga opozita. I kemi dy interpretime...
Presidenti Sejdiu:
Jo. Nuk i kemi dy interpretime. Njerëzit mund të kenë ambicie, që është normale. Në interpretim të Kushtetutës, në procesin e zgjedhjeve dhe të Ahtisaarit, është një interpretim burimor edhe nga njeriu që është i përfaqësimit ndërkombëtar në Kosovë. Po ashtu, është dhënë edhe një mendim i mëvonshëm, sepse është kërkuar, edhe nga Grupi Ndërkombëtar, dhe ata japin një mbështetje të tyre. Kushtetuta është shumë e qartë. Nuk ka dilemë në Kushtetutë.

Express: E në Pakon e Ahtisaarit?
Presidenti Sejdiu:
Në Pakon e Ahtisaarit është një proces që duhet shikuar me kohën. Unë thashë që e kemi ndërtuar strukturën dhe kemi zhvilluar procesin zgjedhor mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit.

MANDATI I PARË, MANDATI I DYTË

Express: Ju keni deklaruar që jeni në mandatin tuaj të dytë si President. I mbani këto fjalë?
Presidenti Sejdiu:
Unë jam në mandatin tim. Jam zgjedhur në një mandat, në situatën që e biseduam. Ai mandat nuk ka shkuar deri në fund. Jam zgjedhur sërish, sipas Kushtetutës së Kosovës. Dhe, jam në këtë mandat.

Express: Keni thënë se ky është mandati i dytë. A është?
Presidenti Sejdiu:
Absolutisht.

Express: Pra, jeni në mandatin e dytë?
Presidenti Sejdiu:
Unë nuk them se është mandat tjetër. Unë kam hyrë në këtë proces të zgjedhjes, ose të votimit të dytë në Parlamentin e Kosovës. Këtë unë e respektoj.

Express: Kur të përfundojë ky mandat që keni tash, pas pesë vjetësh, nuk do të kandidoheni më për President?
Presidenti Sejdiu:
Unë respektoj vendimin e Parlamentit të Kosovës. Respektoj Kushtetutën e Kosovës. Të jemi gjallë, shëndosh e rehat, unë i mbaj fjalët e mia.

Express: Nuk po marrim një përgjigje të drejtpërdrejtë....
Presidenti Sejdiu:
Po, po. Kam shfrytëzuar një nominim të mandatit që nuk ka shkuar deri në fund, 3 vjet, dhe unë e konsideroj mandat. Dhe, kam hyrë në një mandat të ri që jam zgjedhur. Nuk ka dilemë këtu.

PËR IDENTITETIN DHE FLAMURIN

Express: Debati për identitetin kosovar po vazhdon. Si e shikon këtë çështje Presidenti i Kosovës?
Presidenti Sejdiu:
Kosova ka identitetin e vet shtetëror. Kosova ka strukturën e vet të popullsisë – shumicë shqiptare, e cila s’mund të jetë tjetër. Nuk mund të ketë një shkrirje në kuptimin e kombit, në një diçka tjetër. Ne e kemi respektuar larminë etnike që e kemi në Kosovë, që është më pak se 10 për qind, dhe nuk duam t’ua mohojmë të drejtën që të deklarohen edhe ata se çfarë janë, serbë, turq, boshnjak, romë, ashkalinj. Është një identitet shtetëror, që shprehet si i tillë dhe shpaloset në botë. Kosova, sigurisht, do të bëhet anëtare e mekanizmave ndërkombëtare, ku do të jetë flamuri i saj. Por, askush nuk mund të heqë dorë e të thuhet se nuk është shqiptar.

Express: Ju pëlqen flamuri i Kosovës?
Presidenti Sejdiu:
Mund të them se është një zgjedhje e mirë, praktike, që prezanton Kosovën. Natyrisht, sikur çdo qytetar shqiptar i Kosovës, mbaj respektin për vlerën që ka flamuri nacional.

Express: Ju ngjall emocion flamuri i Kosovës?
Presidenti Sejdiu:
Jam gjithmonë në respektin e tij, sepse është flamuri i shtetit tonë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI Empty Re: Arlinda Desku/Berat Buzhala:POZITIVISTI

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi