Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ejup Ceraja: Prapë Xhuxhi

Shko poshtë

Ejup Ceraja: Prapë Xhuxhi Empty Ejup Ceraja: Prapë Xhuxhi

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 29, 2009 10:16 pm

Ejup Ceraja
PRAPË XHUXHI
(Recension libri për fëmijë)
- Pasqyrimi i bamirësisë përmes faqeve të një romani -
Analogjitë e dy romaneve "Xhuxhe" të Rifat Kukajt
Romani më i ri i Rifat Kukajt Xhuxhi në rrezik - është vazhdim i natyrshëm, sipas mendimit tim, i romanit pararendës "Xhuxhi nga Xhuxhishta", por kuptohet me temë e personazhe të ndryshme, me përjashtim të dy personazheve kryesore "Xhuxhët". Të themi që në fillim, se heronjtë mitikë, nëse mund të quhen kështu, Xhuxhët e romaneve të Rifat Kukajt, edhe pse janë të vegjël nga trupi, ata janë me shpirt, zemër e ndjenja të mëdha. Xhuxhët e romaneve të Rifat Kukajt simbolizojnë personazhet xhuxhe të letërsisë sonë gojore me të gjitha tiparet karakteristike. Dhe, janë personazhe a heronj mitikë letrarë, të cilët jetojnë në thellësi të Malësisë, atje ku vështirë arrin këmba e njerëzve keqbërës. Xhuxhët, si ky i romanit Xhuxhi në rrezik, ashtu edhe ai i romanit Xhuxhi nga Xhuxhishta jetojnë në thellësi të bjeshkëve tona për dy arsye parësore: 1) që të mishërohen me shtazët e egra barngrënëse, që t'u ndihmojnë në rreziqe të ndryshme dhe të kujdesen që t'i ushqejnë ato gjatë stinës së ftohtë të dimrit, dhe 2) që t'u ikin syve të njerëzve të këqij dhe keqbërësve të ndryshëm. Këtë e bëjnë, kryesisht, sepse janë njerëz të vegjël nga trupi dhe s'e kanë fuqinë e të tjerëve të kacafyten e të ballafaqohen me vështirësitë e kohës kur shkrimtari i vë ngjarjet e këtyre romaneve - përrallë. Dhe, po ta tërheqim një paralele, sado të vogël, në mes të këtyre romaneve, lexuesi fëmijë (cilido qoftë ai) nuk e ka të vështirë t'i hetojë ngjarjet përrallore dhe shtrirjet e tyre…
Pra, si romani Xhuxhi nga Xhuxhishta, ashtu edhe ky më i riu Xhuxhi në rrezik, janë romane përrallë. Po, për mendimin tim, një mori ngjarjesh shëmbëllejnë ose janë më afër një realiteti. Sidomos te ky i fundit Xhuxhi në rrezik.
Vënia e vetës në rrezik që t'u ndihmohet të tjerëve
Ngjarjet e këtij romani të bukur përrallë Rifat Kukaj i ka dhënë në gjerësinë kohore në kohën e hershme të pushtimeve osmane të këtyre trojeve, duke e treguar një realitet të hidhur të historisë sonë të dikurshme, përmes një rrëfimi përrallor dhe personazhit mitik letrar të tij; dhe në gjerësinë hapësinore në fshatin Rrëzë bjeshkë, në Malësi, në Vathën e Xhuxhit, në Majën e Shqiponjës etj.
Rrëzë bjeshkën e kishin sulmuar sejmenët e bimbashit dhe pothuaj se e kishin bërë shkrumb e hi. Xhuxhin, që kishte jetuar i fshehur larg syrit të keqbërësve në Vathën e tij atje lart në Malësi, për këtë zezon që e kishin kryer sejmenët e bimbashit dhe për djalin e vogël kërthi, që e kishte lënë e ëma në dorë të Hyjit përpara se të ishte hedhur në humnerë për ta ruajtur të paprekur nderin e vet, të burrit dhe të familjes, e kishte lajmëruar Ora e Maleve, e cila e kishte cytur pareshtur që të shkonte, ta marrte e ta shpëtonte atë engjëll të pafajshëm. Po një veprim të tillë e kishte shikuar nga bjeshkët edhe vetë Xhuxhi me tejqyrë. Ai e kishte vënë vetën në rrezik. Kishte shkuar buzë greminës, ku ishte fëmija i porsalindur. E kishte marrë atë dhe me mund të madh, me shpirt ndër dhëmbë, siç i thonë një fjale, e kishte sjellë, më në fund, në Vathën e tij atje lart në Malësi. Për kënaqësinë e tij djali i vogël, të cilin ai e kishte pagëzuar me emrin Gjetoja, sipas asaj që atë e kishte gjetur së pari Ora e Maleve, e më pastaj, me porosinë e saj e kishte gjetur edhe ai dhe e kishte quar në Vuthin e vet.
Ditët kishin kaluar dhe Gjetoja seç herë kishte lëshuar shtat dhe ishte rritur nën përkujdesjen e gjyshit, siç e kishte quajtur Gjetoja Xhuxhin, që e kishte dashur më shumë se çdo gjë tjetër. Po në të njëjtën kohë Xhuxhit nuk iu kishin ndarë vështirësitë e rreziqet nga Keq Keqoja - vëllai i Ndue Gunëbardhit, i cili kishte synuar me çdo kusht ta zbulonte vendqëndrimin e nipit të tij nga i vëllai e ta zhdukte, që ta trashëgonte pasurinë e të vëllait, duke qenë i bindur se ai e kishte përfunduar jetën e tij diku në shkretëtirat e Jemenit. Në vend që të ishte kujdesur e ta kishte gjetur të nipin dhe ta kishte rritur dhe edukuar atë si fëmijët e vet. Për ta gjetur e zhdukur të nipin Keq Keqoja s'kishte lënë guri pa lëvizur dhe kishte kërkuar edhe ndonjë njeri të prapë për ta paguar mirë që ta kryente atë vepër jonjerëzore. Më këmbëngulësi në porosinë e Keqos ishte njëfarë Tuni, i cili kishte tentuar, po pa sukses dy-tri herë... Herën e parë kishte hasur në pengesën e Balos, qenit më besnik të Xhuxhit e të Gjetos, i cili me vetëmohim e kishte shmangur Tun ziun nga synimi i tij çoroditës. Herën e dytë Xhuxhin me Gjeton i kishte shpëtuar kaprolli me brirë shumë të mëdhenj, i cili me ata brirë e kishte zmbrapsur Tunin nga rruga e gabuar dhe nga qëllimi smirëzi. Ndërsa herën e tretë, kur Tuni ishte munduar të dilte në Vathën e Xhuxhit përmes prerjes së pishës më të madhe, që t'i shërbente si urë kaluese (si vig) mbi lumin e rrëmbyeshëm, e kishte penguar Ora e Maleve, e cila edhe ia kishte kallur datën Tunit, duke ia hedhur pishën e prerë në lumin e rrëmbyeshëm e jo aty ku ai kishte synuar.
Keqoja kishte bërë përpjekje që ta shtinte në dorë Gjeton (të nipin) edhe përmes sejmenëve të bimbashit. Edhe nga këta keqbërës Xhuxhi me Gjeton kishin shpëtuar në saje të përkujdesjes dhe të ndihmës të pakursyer të Gjin Gjuetarit, se vetëm ai e kishte ditur rrugën e fshehtë për të shkuar në Vathën e Xhuxhit. Ai e kishte lajmëruar Xhxhin për synimet e Keqos dhe me këshillën e ndihmën e tij Xhuxhi me Gjeton ishin fshehur thellë në bjeshkë në një pishë të madhe, ku edhe e kishin ndërtuar vendbanimin e përkohshëm, për t'u shpëtuar sejmenëve të bimbashit. Këto rropatje të mundimshme për Xhuxhin e Gjeton kishin përfunduar ashtu si ishte më së miri, ashtu siç e kishin pritur e shpresuar se do të ndodhte një ditë. Sado që për Xhuxhin kishte qenë e dhimbshme ndarja nga Gjetoja, ajo i kishte sjellë kënaqësinë më të madhe se Gjetoja ishte takuar me babin e vet Ndue Gunëbardhin, i cili ishte kthyer pas shumë e shumë vitesh nga kurbeti nizamxhi në shkretëtirat arabike…
Dy fjalë për personazhet e këtij romani
Përmes figurës simpatike të Xhuxhit ose thënë ndryshe përmes këtij heroi mitik letrar Rifat Kukaj me një mjeshtri të rrallë artistike dhe me një ndjesi të hollë e ka skalitur, Xhuxhin, i cili, në roman, simbolizon njeriun e urtë, bamirës, të devotshëm, të sjellshëm, zemërgjerë, sypatrembur, të paepur, guximtar, shpirt e zemërmirë etj. Dhe, po ashtu, përmes këtij heroi mitik letrar shumë simpatik, me sjelljet dhe bamirësitë e tij, Rifat Kukaj, e ka dhënë njeriun vetë flijues, që, për t'u bërë mirë të tjerëve, e kishte vënë vetën shpeshherë në rrezik…
Gjin Gjuetari, i cili me sjelljet e tij dhe bamirësitë e fiton simpatinë e lexuesit fëmijë, simbolizon jo vetëm njeriun e sakrificës, po edhe bamirësin e devotshëm…Po këto veti fisnike në roman i kanë edhe pesë vëllezërit Dedushaj, Ndue Gunëbardhi etj. Të gjithë këta do të lënë mbresa të mira edukuese te lexuesit e vegjël.
Shpirtngushtësinë dhe grykësinë, në kohën e ngjarjeve të këtij romani përrallë, shkrimtari Rifat Kukaj i ka paraqitur përpara lexuesve të vegjël, cilët do qofshin ata, si në shuplakë të dorës përmes dy figurave më antipatike të këtij romani: Keq Keqos e Tun ziut. Nuk ka vepër të keqe e të çoroditur, nëpër faqet e këtij romani, ku nuk janë pjesëmarrës Keqoja ose Tuni ose ku së paku nuk hetohet dora e tyre tinëzare. Shkurt lexuesit fëmijë, me sjelljet e këtyre dy personazheve edukohen se si nuk duhet të sillen në jetën e tyre të përditshme, në një anë dhe ku shpijnë sjelljet e tilla, në anën tjetër…
Diç si përfundim
Këtë roman përrallë kaq të bukur e kaq interesant për fëmijë, shkrimtari Rifat Kukaj e përfundon me dy vargje:
"Përralla si një ketër i llastuar,
Çdo fëmijë qoftë i bekuar!"
Romani "Xhuxhi në rrezik" i Rifat Kukajt ka një gjuhë të lehtë, të bukur e të kapshme për lexuesit e vegjël. Ai është i shkruar me një përkujdesje gjuhësore që i shkon natyrës e sintaksës së gjuhës shqipe. Për fund i urojmë rrugëtim të mbarë romanit "Xhuxhi në rrezik" nga lexuesi te lexuesi…

Dhjetor – 2004
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi