Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

SAMI REPISHTI:NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA

Shko poshtë

SAMI REPISHTI:NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA Empty SAMI REPISHTI:NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA

Mesazh nga Agim Gashi Sat Sep 14, 2013 12:45 pm

 Nga SAMI REPISHTI-NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA



SAMI REPISHTI:NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA U2_Sami_Repishti-150x150
I nderuem zotni Kryeministër,

Mjetet shqiptare të informimit njoftojnë marrjen për së shpejti në dorëzim nga ju, të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Urime për nji fillim të mirë e punë të mbarë gjatë këtij mandati katërvjeçar.  Detyra e re ju ashtë besue nga vota e “sovranit” dhe verdikti i tij në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ky verdikt u pranue edhe nga pala “humbëse”. Pranimi eliminoi konfuzionin e mundshëm dhe lehtësoi ardhjen tuej në postin e Kryeministrit, si dhe të Aleancës për Shqipërinë Europiane, që ju drejtoni, në rolin e partisë në pushtet, me të gjitha prerogativat që njihen me ligje dhe përgjegjësinë që imponon detyra e re. Për ma tepër, fitorja e bindshme elektorale ju jep mundësinë për vendime të randësishme, dhe reforma thelbësore që siguron shumica pothuejse absolute e Kuvendit të posaformuem. Votueset ushqejnë shpresën se mirëbesimi i investuem në ju do të japë frytet e dëshirueme dhe që “fitorja e shumicës” të mos degjenerojë në “tirani të shumicës”.

Votimet e cilësueme si “më të mirat” në Shqipëri këto 23 vitet e fundit nuk kanë qenë perfekte, ashtu siç nuk jemi edhe na perfektë. Në fakt, ka aspekte shqetësuese në këtë mes që kanë krijue “dyshime” te qytetarët shqiptarë… pa harrue se gjysma e popullsisë nuk votoi fare!

Fakti se ASHE ashtë nji konglomerat prej ma shumë se 36 partish politike, nuk frymëzon besim në kohezionin politik dhe koherencë në veprimtarinë e saj. Në mesin e tyne, ka të paktën 5 parti liliputiane që kërkojnë ringjalljen e “parrizit komunist” në vendin tonë. Për ju, si veprimtar antikomunist gjatë viteve të transformimeve të mëdha, kjo don të thotë përsëritje e “…Gënjeshtrës së Madhe (që) vriste, mbyste, izolonte, e dërrmonte, deri në cepin më të skajshëm të mendjes, çdo të vërtetë të lirë të njeriut”! (Citat nga Kurban) Don të thotë përsëritje e kohës kur njeriu përdorej si kafshë pune! (Motra ime 14-vjeçare, e ndjera Hadie, tërhiqte si kafshë karrocën e bukës për policë në kampin Veliqot të Tepelenës!…)

Ky dënim pa kompromis i së “keqes komuniste” nga ju ashtë në vijë me kërkesat e jueja fillestare “…në ujdi me kohën, si antikomunist”, i revoltuem nga pamja e atyre që “…agu i ditës i gjente në radhët e qumshtit, e vetëm mbrëmja i siellte në shtëpi… pas punës pa orar…”; i revoltuem kundër nji sistemi totalitar që nuk deshi të dinte “…se si po kalbet shoqëria, as se si po rriten dhe edukohen më te vegjlit e Shqipërisë në kalbëzimin e saj çoroditës”. Sot, këto “elemente” janë aleatët e juej!
ASHE që ju drejtoni, arriti nji fitore të papritun edhe për arsye të koalicionit me LSI, që para dy vitesh ishte nji grumullim “…kriminelësh të rangut më të parë, e rrugaçësh të orës më të fundit; me para, me ofiqe e ndere materialisht të prekshme në radhë të parë…”. Të udhëhequn nga kush? Nga Z. Ilir Meta, “….i cili ktheu partine e tij… në patericën jetike të pushtetit më të korruptuar në historinë shqiptare; …mjeshtri i lindur që grumbulloi në rrugëtimin e tij… kriminele e rrugaçe”. Ju e njihni z. Meta për “…paqëndrueshmërinë e tij, paranojën e tij se çdo njeri që ka pranë, kërkon t’ia hjedhë (me)…shpurën e pandarë të servilëve të tij, injorante deri në dhembje e dallkauke deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht…” Sot, kjo “shpurë” janë ministrat e qeverise suej! Dhe, z. Ilir Meta, që nuk len gjak pa marrë, u përgjegj: “Rama është i kapur nga krimi i organizuar… një kryebandit me bllok korrupsioni në dorë!” Ju kryeministër e ai do të jetë “speaker” i Kuvendit të ri! Çdo mendje normale, çdo ndërgjegje e pastër, revoltohet, në shikimin e parë!…

Por do të ishte gabim adoleshence sikur të dhanat e masipërme të “dënojnë” apriori qeverinë dhe udhëheqjen tuej. Unë nuk ia lejoj vetes!

* * *

Këto kohet e fundit, kam lexue me interesim narrativën tuej introspektive “Kurban”, “…nji rrëfim i lirë… fund e krye subjektiv”. Me nji fjalë, me zemër të hapun, nji qëndrim që ju jep… lumturinë e të qenit domethënës në histori… dhe dëshirën e sinqertë “…për të lënë një gjurmë autentike në këtë moment dramatik”. Me nji “…hyrje të papritur, por i vendosur, pothuejse fanatik: ‘O kështu ose krejt ndryshe!’” ju jepni përshtypjen e hymjes në “aventurë” (në kuptimin pozitiv të fjalës!) të përçmimit të rrezikut dhe të vdekjes që, jo se e kërkoni atë, por e dëshironi me jetue këtë jetë sa ma intensivisht. Nji veçori kjo e shumë intelektualëve europiane! Ju përqafuet “aksionin” si mjet i domosdoshëm me kënaqë nevojën tuej të mbrendshme me “ndryshue” botën rreth jush, për diçka “krejt ndryshe”.

Sigurisht, ju jeni i ndërgjegjshëm se “aksioni” vetëm për hir të aksionit ashtë nji qëndrim që në Europën e mbas L1B përfundoi në “fashizëm”. Atëherë, në nji kohë kur “…kryetari i PS u vuri kazmën… themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend”, ju vendoset të ngriheni, kambëngulës me “…lënë një shenj dalluese të kalimit (tuej) në qytetin ku ju takoi të lindni dhe të jetoni”. Kështu, keni shkrue nji faqe në historinë e qytetit të Tiranës…!

Që në fillim, për ju ishte e qartë se “…njerëzit jo vetëm jetojnë, por edhe bashkëjetojnë me njëri-tjetrin”, nji sentiment fisnik e modern i botës sonë. Që në fillim u përballuet me realitetin e hidhun, kur “…dita-ditës (u krijue) ndjesia e pamundësisë së vazhdimit të misionit për transformimin e Tiranës jashtë Partisë Socialiste…”. Atëherë, u transformuet në partiak, “andrra” u venit dhe “realiteti” fitoi!

Ju i dhuruet aftësitë tueja dhe entuziasmin tuej nji partie politike “…PS që kishte rënë në një batak të shpifur, era e të cilit sot e kësaj dite s’ka ikur plotësisht”, nji partie që nuk pranoi asnjiherë me u shkëputë nga PKSH dhe PPSH, aq sa ruejti edhe thesarin e “Gënjeshtrës së Madhe”, gazetën Zëri i Popullit, nji parti politike që refuzon të dënojë satrapin aziatik që vuri popullin… me kurrizin e shtrirë për tokë, me shqelma në fyt, e gryken e pushkës pas koke”, siç e përshkrueni ju mjeshtërisht, nji partie që kurrën e kurrës nuk kërkoi falje për krimet monstruzoe që bani në vendin tonë.

Andrra e juej u zbeh e mbetet sot nji vegim i së kaluemes!… U harruen kriminelët, si ajo bankierka e kooperativës që thërriste: “Dua të më jepni edhe mua një lugë gjak të ngrohtë nga ky presori”, kur u dënue nji profesor. U harruen… “të tërë shqiptarët e qytetit e fshatit, ish-skllevë në ara, fabrika, kantiere, apo ish-të burgosur e të përndjekur në llagamet e luftës së klasave…”. U harrue ish-deputetja e PS që piu botënisht gjakun e nji oficeri të SHIK-ut, i vramë në Vlorën e vitit të mbrapshtë 1997!… U harrue edhe i çmenduni Aranit, përbindëshi që dënoi me vdekje ma shumë se 400 shqiptarë të pafajshëm!…

Dënimi i fajtorit ka gjithmonë diçka tragjike, dhe kjo nuk përjashton kriminelët komuniste… as edhe Aranitin mjeran! Sepse në fund të fundit, të gjithë jemi qenie njerëzore me aftësi të kufizueme. Por mosdënimi i tyne dhe braktisja e viktimës së pafajshme ashtë nji tragjedi edhe ma e madhe. Ju shkrueni: “Pafajësia duhet të mund krimin çdoherë, çdo ditë e përfundimisht, por gjithherë me mjete ligjore”. Nji përcaktim monumental! Siç shkruente pak ditë ma parë nji nanë kosovare për sjelljen e “politikanëve” në lidhje me krimet serbe në Kosovë, “…ata siellen sikur nuk ka ndodhur as lufta, as vrasje, as djegie, as plaçkitje, as dhunime, as gjë prej gjëje…”! Ashtu si në Shqipëri! Kjo sjellje ashtë vrasja e dytë e viktimës! Si viktimë e diktaturës, unë ju lutem: mos e lejoni! Respektoni historinë!

* * *

Z.Kryeministër: PS ashtë sot anëtare e Ndërkombëtares Socialiste, kryesisht europiane, dhe kjo ashte nji fitore për ju. Ju konsultoheni me laburistin Tony Blair, emën i respektuem nga të gjithë shqiptarët. Dhe kjo ju ndihmon me forcue bindjen tuej se komunizmi, që disa “aleatë” tuej e dëshirojnë përsëri, ka qenë thjesht nji kombinacion fatal i nji totalitarizmi patologjik, monopolistik dhe tejskajshëm brutal, që shfrytëzoi kulturën, ligjin, politikën dhe psikologjinë e masave të paarsimueme me mbështetë shtypjen ekstreme dhe padrejtësinë gjithëpërfshirëse.

Pengesat që do të përballoni janë të mëdha, “shpura” e të përjashtuarve që akoma pretendojnë do t’ju luftojë, atmosfera rreth jush ashtë helmuese, dhe puna që ju pret ashtë e randë. E kaluemja e juej ju ven në pozitë të vështirë. Profili i juej tregon se keni lundrue në mes dy rrymësh antagoniste që ju quejnë “i kuq” dhe “jo mjaft i kuq”. Ndoshta ashtë koha për nji dialog kombëtar mbi rolin e udhëheqësit dhe partizanshmëninë e tij në jetën publike, në krijimin e nji atmosfere që shërben shoqëninë shqiptare tejet të traumatizueme, dhe përfundimisht në nevojën absolute të bashkëpunimit me “opozitën” fanatikisht intransigjente, me evitue nji ndamje akoma ma të thellë se ajo që sot na konsumon!

Sot, PS përballet me nji Kuvend ku afër nji e treta janë milionerë me vulë dhe krenarë për milionat e grumulluem, që shumica kanë trashëgue nga ish-elita komuniste e para viteve ’90, ose të afërmit me mbizotënuesit e poleve të pushtetit (siç shkruente nji ambasador amerikan) dhe sot, si deputetë, gëzojnë imunitet simbas ligjit. Nji seri skandalesh mbrenda elitës krijon frikën e pasigurisë në psikologjinë tonë kolektive. PS ashtë sot nji organizatë politike e “privatizueme”!

Kontrasti në mes të vorfënve – ma të vorfënit në Europë! – dhe multi-milionerëve, numri i të cilëve rritet çdo ditë pa pengesë nga ligji, ka hapë edhe ma shumë hendekun e dallimeve ekonomike, dhe, si rrjedhim, ka krijue nji masë të gjanë qytetarësh që, bashkë me mungesën e bukës së sotme, po humb edhe shpresat për të nesërmen. Shoqënia shqiptare, sot e smurë, rrezikon të jetë e pashërueshme nesër: në vorfëni të pashpresë, “sans-culotte”, ajo ashtë material eksploziv për shpërthim të pakontrollueshëm!

Duhet shkatërrue oligarkia kleptokratike, dhe sa ma shpejt aq ma mirë!

Kudo, mbrenda dhe jashtë vendit, ndigjohen thirrjet për reforma, shtet ligjor, luftë kundër krimit të organizuem e korrupsionit endemik të administratës shtetnore. Kudo dëshirohet nji evolucion demokratik i shtetit dhe shoqënisë shqiptare, dhe nji ngritje e shoqënisë civile demokratike në Shqipëri. Si socialist europian, shpëtoni vizionin tuej për nji Shqipëri ma të mirë, ma njerëzore. Kujtoni Naimin: “Faltore kemi njerinë!”. Njeriu në qendër të vëmendjes sonë, njeriu i lirë shqiptar me dinjitet! Pa dallim, pa përjashtim! Shqiptarët që tremben nga frika e gjendjes fluide në vend, ata që vuejnë nga papunësia dhe vorfënia e paevitueshme, e kërkojnë këtë me kambëngulje. Mos i zhgënjeni ata dhe ato! Ofroni “dorën” e shtetit që ndihmon, jo “grushtin” e shtetarëve që grumullojnë pasuni prrallore e të paligjshme!

Dekada me radhë, mosbarazia e të ardhunave për banorët e vendit dhe konteksti i krizës ekonomike europiane, që randon nga deficiti i frikshëm dhe keqadministrimi i tij, kanë çthurë pëlhurën sociale të vendit dhe kanë dobësue besimin e popullsisë në nji të ardhme ma të mirë. Tatëpjeta vazhdon; por ajo nuk duhet të jetë e ardhmja e atdheut tonë. Sot, paga minimale e shqiptarit ashtë 12 herë ma e vogël se ajo europiane, ndërsa 581.000 pensioniste të rregjistruem jetojnë të uritun nga nji ditë në tjetrën…! Na duhet shërbimi me ndërgjegje! Arroganca e pushtetit dhe modelet autoritare sigurojnë vetëm disfata… edhe në Shqipërinë tonë. Korrupsioni endemik dhe krimi i organizuem triumfojnë aty ku ata perceptohen si “Shteti vetë” e “percepsioni” ashtë, shpeshherë, ma efektiv se “e vërteta”.

* * *

Z.Kryeministër: dalja në skenë e elementit të ri, të edukuem në Perëndim, megjithëse pa eksperiencë të mjaftueshme pune, përfshirja në Qeveri e “veriorëve” deri tani të papërfillun, theksi në promovimin e grues shqiptare në jetën publike, kujdesi për imazhin e “Qeverisë së re” mbrenda dhe jashtë vendit (masakra e 2 prillit 1991, viti i mbrapshtë 1997, Gërdeci, vrasjet e 21 janarit, vetëflijimi i ish-të persekutuemeve…), theksi në formacionin “skuadër” dhe veprimtaria qeveritare si “skuadër”, pa elemente “të pazëvendësueshëm” dhe pa “kaposhë” partish nominale përgjithësisht pa peshë në opinion publik; shqetësimi veçanërisht për dikasteret e shëndetsisë, arsimit dhe ushtrimit të drejtësisë, theksi në “profesionalizëm” e jo në “besnikëri” ndaj shefit, si dhe transparenca e premtueme, janë inkurajuese. Ka “profesionistë” Shqipëria. Kërkojini dhe do t’i gjeni. Mbrenda dhe jashtë shtetit!

Zhvillimet në këtë drejtim zakonisht gjenerojnë aktivizimin e popullsisë që përkrah ngjalljen e shpresës. Qytetarët e lirë e të ndërgjegjshëm nuk presin “mrekulli nga qielli”. Ata duhet të bajnë atë që ban çdo qytetar i lirë në Botën e Lirë, respekt për ligjin dhe shtetin ligjor, përkrahje çdo nisme qeveritare që ndërton dhe kundërshtim atyne që damtojnë, përçajnë ose shkatërrojnë. Kjo don të thotë angazhim në jetën publike, paraqitje idesh të reja, ndërtim strukturash civile dhe zhvillim programesh që vetë qytetarët përpunojnë. Fusha e punës duhet të mbetet e hapun për të gjithë. Shqipëria ashte atdheu i të gjithëve! Qeveritë shkojnë e vijnë; ndërtoni administratën e qëndrueshme!

Sot, të flasësh për nji “popull të djathtë” dhe nji “popull të majtë” ashte nji përpjekje koshiente me forcue ndamjet që ekzistojnë dhe duhen braktisë. Ka vetëm nji popull: populli shqiptar me ideologji konkurruese! Unë ushqej shpresën – tue imitue Rev.M.L.King, Jr.- se nji ditë shqiptarët nuk do të gjykohen nga ngjyra e tyne politike, por nga profesionalizmi dhe fortësia e karakterit tyne.

Shqipëria sot nuk ka anmiq që e kërcënojnë; NATO na mbron, për sa kohë që respektojmë parimet e kësaj organizate mbrojtjeje! Shqipëria ka “kundërshtarë” që mendojnë ndryshe, nji e drejtë e shenjtënueme në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nji e drejtë e patjetërsueshme. Me akuzue PD-në konkurruese si “…parti fashiste, zogiste, islamike, serbe, hajdute, bajraktare, nacionaliste, kriminele” e tjera babëzira, me kërcënue largimin nga puna të PD-istëve, ashtu si lexohet në shtypin shqiptar, janë shfaqje të nji urrejtjeje primitive, kancer që shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë; nuk ndihmon mirëkuptimin, frymën e bashkëpunimit e respektin reciprok, cilësi thelbësore për nji shoqëni civile, dhe nuk len vend për nji dialog kuptimplotë, sidomos në këto ditë kur ky dialog ashte i nji randësie jetësore.

Sot, vendi i jonë ka nevojë për nji sinkronizim të mesazheve në mes të dy palëve, mobilizimin e forcave shtetnore e private për punësim të plotë në rradhë të parë! Sot, populli shqiptar ashtë ndërgjegjsue për “lirinë” e fitueme, e refuzon trajtimin si nji kope bagëtish që kullote në fusha, ose automat fabrike nën kamxhikun e policit, për nji copë bukë, shpeshherë e pamjaftueshme me qetësue stomakun e uritun të punëtorit e të familjes së tij. Koha e rreshtave të gjatë për qumsht dhe grushteve para dritares me hekura të furrave shtetnore ka kalue.  Sot, siguria personale, prona private e ligjshme, punësimi, arsimi, shërbimet shëndetsore nuk janë privilegje; ato janë të drejta themelore për nji jetë njerëzore me dinjitet. Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash e parimesh te gjithëpranueme!

Nji lumë gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e thellë hakmarrje akoma ndan atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare.

Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët. E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie të pafajshme për ju… dhe për të gjithë ata që sot heshtin!

Z. Kryeministër: mos harroni këshillat e gjyshes suej të mençur, në Shkodrën time të qytetnueme, që i lutej Zotit çdo mbramje në mshehtësi të imponueme nga frika qeveritare, si të krishtenët e katakombeve romake të Neronit:

“Ji gjithherë vetvetja, edhe sikur të gabojsh, edhe sikur të tjerëve mos t’u pëlqejnë gjërat dhe fjalët tuaja!”

Ji besnik ndaj vetes! Të vjetrit tonë këtë cilësi e quejshin “burrëni”: kurajë civile e karakter, forca tradicionale e fisit tone arbënor…!
--
* Ph.D. City University of New York(ret.)
Ish-i burgosun politik (1946-1956)
(Shënim: Citatet janë nga libri “Kurban”)

VOAL-Online

SAMI REPISHTI:NË PRITJE TË KRYEMINISTRIT EDVIN RAMA 994004_10200732494254419_414091262_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi