Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin

Shko poshtë

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin Empty Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 7:18 pm

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin Right_blockblue


Ekskluzive: Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim Gashi
Folklori të mbanë më afër me atdheun
Në këtë kohë të tranzicionit kombëtar, kudo që të shkosh s’ke për të dëgjuar më këngë të bukura të Nexhmije Pagarushës e Naile Hoxhës, të Qamilit të Vogël e të Jusuf Myzyrit, të Rizah Bllacës e Dervish Shaqes. Për dhjetë vjet këndova në ato vende ku Dr. Rugova shkonte ta përsëriste vargun kolosal „Shqiptarët donë liri“! Edhe në burg kam kënduar. Ti kthehemi të mbarës, traditës e kulturës sonë kombëtare, ta duam këngën e mirëfilltë shqipe.
Intervistoi: Jeton Kelmendi - Ekskluzive per Zemra Shqiptare
Zemra Shqiptare: Çka e lidhe Agim Gashin dhe muzikën folklorike?

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin U1_AgimGashi-4
Gashi: Kur isha i vogël, në odat tona flitej edhe për Skënderbeun, lexohej „Lahuta e Malcisë“ dëgjoheshin këngë kreshnike dhe ato historike. Natyrisht se sa folklori që të mbjell dashuri për atdheun dhe popullin , nuk ma merr mendja se mund të ketë diçka tjetër si zëvendësim. Kur piqet nuk hiqet thonë të moçmit tanë. Edhe mua mu poq kjo dashuri, më hyri në shpirt për të mos u ndarë kurrë. Folklori është shkencë. Shkenca folklorike shqiptare ka vërtetuar se në saje edhe të Barletit, italianit Antonio Sebelikës, që ishin bashkëkohës të Skënderbeut, apostolikut të Romës M. Bicit, pastaj Frano Bardhit, ditarit francez Ami Buos e të tjerëve, se populli ynë pat krijuar shumë këngë për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarëve të tij. E ceka mu këtë sepse këngët e krijuara u kënduan në etapa të ndryshme kohore, në të gjitha periudhat e historisë sonë që pasuan, edhepse gjurmoheshin nga armiqtë turq e më vonë edhe serb, çka do të thotë se shumë këngë të folklorit tonë i breu koha. Por shumë nga to i mbijetuan kohërat e vështira dhe akoma këndohen. Një këngë për Skënderbeun u bë shkaktare që unë mos ti ndahem folklorit që nga ditët e rinisë së hershme, dhe ajo këngë ishte „Kthimi i Skënderbeut në Krujë“, që edhe sot e këndoj me ëndje. Këngëtari popullor shqiptar, vlerësuar edhe sipas këngëve që na u lanë trashëgim, e ka për detyrë që ti përcjell hap pas hapi të gjitha ndodhitë, të mëdha e të vogla, ato individuale e kolektive sepse me këtë, ai i këndon historisë sonë të lavdishme. Jam munduar që edhe unë ta përcjell këtë rrugë, ti këndoj lëvizjeve tona çlirimtare, ndodhive, si dhe vërsuljeve të huajve mbi popullin tonë.
Zemra Shqiptare: Ku ka mbetur sot folklori dhe cili është primati në artin muzikore shqiptare në përgjithësi?




Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin U1_AgimGashi-2
Agim Gashi me vajzën Azalenë
Gashi:
Nuk ka gjë më të rëndë se sa zbrazësia në jetën kolektive. Por është edhe më trishtuese kur ajo sundon pa dëshirën tonë. Në kolektivitetin tonë ka dikush që dëshiron të bëhet yll brenda natës. Ky është aksident gjithë popullor në të gjitha poret e jetës, pra edhe të këngës në përgjithësi. Muzikën tonë e ka kapluar një e keqe me përmasa të mëdha. Kjo shkakton dridhmë dhe ankth tek ata të cilët kulturës shqiptare iu kanë përveshur me përkushtim. Dhe s’ka se si mos të te përkujtohet thënia e Faik Konicës „Shqipërinë shpëtoje, Zot, nga shqiptarët“! Pse e përkujtoj këtë thënie? Sepse, shqiptarët me vetë dëshirë kopjuan muzikën e huaj dhe ia servojnë masave të gjëra si diçka origjinale. Vazhdimisht duke e dëgjuar këtë muzikë, njeriu ynë mësohet dhe patjetër se është i detyruar të ndahet nga origjinalja shqiptare e cila sipas mendimit tim është më e bukura, më e larmishmja dhe më besnikja në botë. Kur mendoj se një popull i tërë u hipte tankeve serbe duke shpalosur flamurin kombëtar, kur flijoheshin familje të tëra me gra e fëmijë, kur djem e vasha i suleshin armikut në istikame, sot na dalin njerëz që kërkojnë famë të karkalecit duke ndjell kaos në kulturën shqiptare. Mos të mendojnë se po bëjnë burrëri, përndryshe veprimet e tilla janë të barabarta me tradhtinë. Nuk shitet pasuria kombëtare për para. Le ta dinë të gjithë ata se nuk jam idhëtar i konfrontimit, e as materialist i degjeneruar, por nuk dëshiroj që guximi intelektual të më mbetet në periferi siç i u është mbetur disave. Këta njerëz , me zell janë duke e shfrytëzuar kaosin e dhimbshëm të kombit në të gjitha trojet etnike, duke u bërë kujdestarë të pseudovlerave dhe të pseudopatriotizmit. Në këtë kohë të tranzicionit kombëtar ma kudo që të shkosh s’ke për të dëgjuar më këngë të bukura të Nexhmije Pagarushës e Naile Hoxhës, të Qamilit të Vogël e të Jusuf Myzyrit, të Rizah Bllacës e Dervish Shages, por ke për të dëgjuar zëra insonant e të pa artikuluar të një muzike të huaj që as dreqi si bie në fije, thua se je në një vend të fosileve antiqytetruese, apo edhe në qytetet e atyre që në shekuj na i bënë shumë të këqija. Kam shpresë se pa kaluar kohë e gjatë, pa u bërë tepër vonë, do të këndellemi si kolektiv dhe do të mendojmë ndryshe , pra të mendojmë kombëtarisht
vijon:
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin Empty Re: Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 7:25 pm

Zemra Shqiptare: Ju keni filluar me një tjetër zhanër, pse tani merreni me folklor, madje duket se jeni prej te rrallëve qe ruani folklorin e pastër?
Gashi: Unë kam filluar pothuajse në të dy zhanret paralel. Si i vogël imitoja Rizah Bllacën e Dervish Shaqën, njëkohësisht këndoja këngë edhe të Qamilit të Vogël e Ibrahim Tukiqit. Këndoja kështu sepse në familjen tonë, atëbotë në fshatin Okllap, pothuajse këndohej çdo natë. Babi im ndjesë pastë, e ka dashur këngën dhe ka kënduar së bashku me familjarët në ndeja e dolli të fshatit e diku edhe ndër miq e të njohur. Vegla popullore kishim me bollëk sepse axha im Sabiti i bënte me një mjeshtëri të rrallë. Çiftelinë e lidhte me bilbila druri që kur lozte në atë instrument, loznin edhe bilbilat thua se janë të gjallë. Kishte diçka domethënëse ajo kohë e ahengut dhe e të kënduarit shqip dhe vetëm shqip. Ndjellte një të ardhme më të mire duke përgatitur gjenerata të shëndosha që do të jenë në shërbim të çështjes kombëtare. Pas shkollimit fillor regjistrohem në shkollën normale në Prishtinë. Aty hasi një kulture më ndryshe , por edhe me një jetë të pasur kulturore. Në klasë kisha edhe një dashamir të këngës që më vonë do të jetë një këngëtar i mirëfilltë i të dy këtyre zhanreve. Ishte ai Rizah Bytyqi, me të cilin për pesë vite ishim pothuaj të pandarë në mësim, këngë dhe shoqëri të ndryshme kulturo artistike. Një detal të jetës si nxënë do e veçoj me respekt të madh: e tërë klasa ime ishim pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968. Më pas u pranova edhe si këngëtar i RTP-së ku fillova të regjistroj këngë të ndryshme popullore. Të gjitha tekstet dhe muzikën ua bëja vete. Nga incizimet e mia në RTP, vetëm kënga pjesëmarrëse e “Akordeve të Kosovës ´76” e Sabah Bytyqit “Ditët që kaluan”,është këngë që ka autorë tjetër, tjerat janë këngë të shkruara, Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin U1_AgimGashi-3përpunuara e komponuara nga unë. Aso kohe kishim një orkestër fenomenale nën udhëheqjen e Isak Muqollit, ku anëtarët e kësaj orkestre ishin edhe kompozitore me fame. Në anën tjetër, krahas si punëtorë arsimi, këndoja edhe në dasma dhe krahas këngës popullore që e këndonim me këngëtarin e ndjerë Feim Jupen, gjithnjë kisha sharkinë time për ti kënduar këngët e reja e të shkruara pas çdo ngjarje të rëndësishme. Robërimin nga zgjedha sllave e përjetoja rëndë, andaj edhe nuk mund të isha indiferent edhe në veprimtarinë politike. Kështuqë si shumë vasha e djelmosha shqiptarë, edhe unë burgosem në vitin mars të vitit 1986. Me këtë u “përshëndeta” edhe me këngën, me RTP-në por edhe me dasmat dhe veprimtarinë time. Në vitin 1981 veq isha larguar nga proqesi arsimor si i pa pershatshem politikisht. Pas daljes nga burgu në fundin e vitit 1989 i bashkëngjitëm Lëvizjes gjithë popullore të Ibrahim Rugovës dhe aksionit për pajtimin e gjaqeve. Këndoja përsëri por jo më në RTP, sepse pos ndalesës së këngëve të mia, isha ndaluar edhe si person të hy në lokalet e RTP-së. Tani këndoja me sharki, në pajtimet e gjaqeve, ku fushat dhe logjet ku faleshin gjaqet për liri e për flamur, merrnin emra “Fushat e Pajtimi”. Pas kësaj periudhe jam ndeshë me shumë vështirësi të jetës ndër të cilat veqoj më të rënden: kurbetin.
Zemra Shqiptare: Një këngë që i kushtohet ish-presidentit të Dardanisë Ilire e këndoni ju, a mund të na flisni më në detaj rreth kësaj kënge?
Gashi: Këtë këngë e kam shkruar në vitin 1992 në Vjenë të Austrisë. E kisha filluar në Slloveni, e përpunova në Kroaci për ta kënduar të plotë në Metropolet e Evropës, në ato vende ku Dr. Rugova shkonte ta përsëriste vargun kolosal „Shqiptarët donë liri“! Punën që e nisi Dr. Rugova, isha i bindur se mund ta niste vetëm njeriu që vërtetë e do atdheun, popullin e lirinë. Këtë këngë e këndova plot një dekadë e gjysmë, me gëzim e krenari, në koncerte humanitare, në përvjetorë e përkujtime, por edhe shumë herë me frikë nga njerëzit tanë. Fatkeqësisht kishte, por ka akoma pjesëtar të popullit tim që i trishton kjo këngë, i trishton suksesi kombëtar i Dr. Rugovës sepse e dinë fare mirë se Ai e ka fituar pavdekësinë. Me vdekjen fizike të Presidentit tonë të parë, këtë këngë e përpunova në tekst dhe me muzikën e njëjtë e shëndrrova në Elegji. Mendoj që s’ka më mirë se një këngë e burrërisë dhe veprimtarisë së një pësoni ti shëndrrohet në Elegji. Kjo donë me thënë se Ai ishte i madh me vepër të madhe, e që lum ky popull që e pat.
Zemra Shqiptare: Ju këndoni, por tekstet nga i merrni dhe kryesisht çfarë tekstesh këndoni?
Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin U1_AgimGashi-1Gashi: Zakonisht tekstet i shkruaj vet. Por, kam tekste edhe nga dy miqtë e mi të mirë. Nga poeti ynë me renome botërore Ali Podrimja dhe nga poeti ynë dhe gazetari Faruk Tasholli. Faruku me ka shkruar dhjetëra tekste te cilat i kam renditur ne albumet e mia te deritashme. Por unë si rapsod dhe këngëtar ia kam dhënë vetës obligim që të përcjell ngjarjet tona, duke pasur si burim të pasqyruarit e realitetit, në ushtimën e drejtpërdrejtë të ngjarjeve, duke i poetizuar me parë ato e më pas duke i kënduar. Vargjet e mia janë tetërrokëshe me theksin ritmik në të tretën dhe të shtatën. Por kam edhe vargje tjera si janë dhjete e dymbdhjetë rrokshe, por ka edhe katermbedhjeterrokshe. Jam munduar që të jem shumë afër me dëgjuesin sepse kënga ime i mundëson përcjellje të ngadalshme të rrëfimit, si dhe të thellimit dhe përjetimit të ngjarjes së pasqyrimit.
Zemra Shqiptare: A mendoni se po dëmtohet folklori nga disa qe po e përziejnë folklor me instrumente tjera, gjithë kjo në emër të modernitetit?

Gashi: Po si. Folklori veç është dëmtuar. Folklori në breza ka luajtur rolin e krahut të fortë të historisë, traditës, kulturës, gjuhës dhe gjakut shqiptar. Të rebelohesh kundër dhunës dhe armikut është jo vetëm detyrë kombëtare por edhe krenari, por të rebelohesh kundër kulturë dhe traditës, është tradhti dhe poshtërsi. Sot të paktë janë ata që mund të quhen rapsod të mirëfilltë. Këndohen heronjtë, dëshmorët, liria, pavarësia me vegla të çoroditura. Merret kënga greke apo sllave, turke apo rome, i përshtaten tekste të pa përmbajte, grumbullohen buzuka e sinta, tarabuka e vegla tjera, bëhet hallakamë me zërime tej masës së lejuar, dhe, bëjnë muzikë „shqip“! E si ti quajmë ndryshe ata pos xhelatë të muzikës shqiptare!?
vijon:
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin Empty Re: Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 18, 2008 7:27 pm

Zemra Shqiptare: Nga e shkuara juaj, dihet se keni qenë i përkushtuar në shërbim të këngës dhe atdheut, a janë këto motive që mbajnë njëra tjetrën tek ju?

Gashi: Edhe në burg kam kënduar. U këndoja shokëve të dhomës, këndoja edhe në qeli të vetmuar. Më kanë zënë disa herë, por vetëm njëherë me pasoja. Por, për disa të rëna shpinës nuk ndahesha dot nga të kënduarit. Disa këngë i kam krijuar në burg siç është „Kënga e të burgosurve“. Unë si këngëtar dhe rapsod, jam munduar të këndoj vlera historike. Në të gjitha ato vende ku kam kënduar, në oda burrash, ndeja, kremte kombëtare e kudo tjetër, jam munduar ta ushtroj zanatin tim prej këngëtari, jo vetëm në ruajtjen e kujtimeve të shtrenjta nga historia jonë e lavdishme, por edhe në edukimin e ndjenjës sonë patriotike të pastër tek rinia dhe popullata jonë. Kënga më ka mbajtur të pathyeshëm edhe kur më kanë rrahë, edhe kur më kanë burgosur, kur më kanë nënçmuar duke më futë revole e shkopinj gome në gojën time, por edhe kur më shtinin të i ha albumet e mia. Këtë e kam përjetuar nga serbët por edhe nga gjaku ynë, he mos qoftë i yni.


Zemra Shqiptare: Si jetohet me muzikën folklorike sot, kur ka marshuar shundi e kiçi, të cilat janë të paguara majmë?


Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin U1_u1_AgimGashi1
Agim Gashi me vajzën Azalenë në ishullin Borkum te Detit të Veriut
Gashi:
Në Kosovë kam jetuar nga kënga popullore dhe nga ajo folklorike. Paguhej pak në ato kohëra por ishin mjaft sa për të jetuar. Por me ardhjen time në kurbetin e mallkuar, më nuk merrja para për vete. Të pakta ishin ato para që në ndonjë aheng më shpërblenin shokët e mi. Por në kurbet kam kënduar shumë më shumë se që kam kënduar tërë jetën time. Fotografitë rrëqethëse që vinin nga Kosova ime më bënin të fortë që të ipja çdo gjë nga vetja . Unë s’kisha gjë tjetër ti dhuroja popullit dhe vendit tim pos këngës. Organizonim koncerte humanitare në mbarë Evropën. Mblidheshin para të shumta, por a shkonin në vendin për ku dedikoheshin, nuk kisha qasje kontrolli. Pastaj këndoja edhe për popujt tjerë dhe me këtë doja ti dëshmoja Evropës se Kosova gjithmonë ishte vendi i shqiptarëve dhe se ky popull ka jetuar në harmoni të plotët deri me ardhjen e rodit serb, dhe se ky rod i keq e shëndrroi Kosovën Dardane në një mit të rrejshëm edhe për vetë serbët. Kënga e mire qan male, bashkon zemra por edhe demanton dhe çrrënjos gënjeshtrën. Për këtë unë sot jam njeri I varfër, pa shtëpi, pa veturë e pa biçikletë. I varfër por shpirtërisht I pastër. Për asnjë moment dhe për asgjë nuk më vret ndërgjegjja. Sot me muzikë jetojnë mire dhe fitojnë mire ata që këndojnë tallave, që përkthejnë tekste nga serbishtja, bullgarishtja, greqishtja, turqishtja e gjuha rome, që i këndojnë dëshmorëve me muzikë të armikut, që i këndojnë dashurisë së përçudshme etj. etj. Sot nuk dëgjohet kënga për Shote Galicën apo Norën e Kelmendit, për Haxhi Zekën apo Dedë Gjo Lulin. Historia po harrohet për qëllime ogurzeza. Për disa historia shqiptare ka filluar në dhjetëvjetëshin e fundit. Nuk i këndohet më Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij, as këngët e Bushatlive të Shkodrës, as këngët e Ali Pashës, as periudhës së Tanzimatit, as ato kundër nizamisë, këngë kaçakësh e kapedanësh, pastaj janë harruar këngët e Rilindjes Kombëtare, këngë të shtypjes dhe shfrytëzimeve shoqrore etj. Sot edhe dashurisë i këndohet prapë. S’ka më stane, lama e livadhe. Ska më bishtaleca dhe as nga shpatijet më nuk i shikojnë të dashurat e tyre. Nuk ka më as aso vasha që shkojnë te krojet të mbushin bucelat, por s’ka as baresha të mira që shkojnë me vjeta e dele. Tani mund ti këndohet ndonjë vashe që punësohet në KFOR, që shkon në kafiteri apo edhe për ato që kanë vathë në kërthiza e buzë. Muzika e mirëfilltë më nuk ka bereqet. Shpesh edhe unë e pyes veten dhe të tjerët:deri kur?
Zemra Shqiptare: Çka do të ju thoje lexuesve dhe dëgjuesve tu në këtë interviste për Zemra Shqiptare?

Gashi: Kisha dërguar porosinë shqiptarëve, të mbledhim mendjen, sepse është momenti dhe shansi ynë historik të jemi të bashkuar e të besatuar, duke i lënë anash ideologjitë e huaja, duke lënë hasmëritë nder veti, sepse shqiptarët janë ata që dinë të fjalosen por dinë edhe të bëhen tok kur e lypë nevoja. Ti kthehemi të mbarës, traditës e kulturës sonë kombëtare, ta duam këngën e mirëfilltë shqipe. Shqiptari di të bëjë edhe vepra të mira. Dhe krejt në fund ju them se ju dua të gjithëve, edhe ata që më donë por edhe ata që më urrejnë. Unë nuk kam shqiptar të hidhi në anët tjera. Edhe po ti hidhnim, po na i kthejnë mbrapa sepse askush s’po na donë. E mbasi është ashtu, ta duam vetveten pra. Ta duam njëri tjetrin që ta bëjmë Shqipërinë-Shqipëri.
Fund
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin Empty Re: Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim gashin

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi