Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dëshmia e një gruaje të dhunuar (VIDEO)

Shko poshtë

Dëshmia e një gruaje të dhunuar (VIDEO) Empty Dëshmia e një gruaje të dhunuar (VIDEO)

Mesazh nga Agim Gashi Tue Nov 26, 2013 2:58 am

Dëshmia e një gruaje të dhunuar (VIDEO)

Dëshmia e një gruaje të dhunuar (VIDEO) Largea_8b6df3a8-7884-436d-bc93-655dd68168df_w443_r11385416340
Një zonjë e dhunuar për shumë vite nga bashkëshorti dhe e divorcuar prej tij, pranoi sot të flasë për jetën e saj të vështirë. Ajo thotë se tani që jeton vetëm me dy fëmijët ka vështirësi financiare, por është penduar që e fshehu dhunën për shumë vite, dhe nuk e denoncoi më parë atë.
“Ne nuk jemi njohur vetë. Jemi lidhur përmes njerëzve tanë, sepse kemi lidhje krushqie. Jemi fejuar dhe martuar për shumë pak kohë. Shumë pak njohje kishte midis nesh. Pasi u martuam erdhëm në Tiranë dhe jetuam disa kohë. Pastaj kemi ikur në emigracion. Kemi jetuar dhe punuar 3 vjet jashtë. Atje kemi qenë mirë, nuk kemi patur probleme. Pasi u kthyem në Shqipëri nisëm aktivitete private. Që nga ai çast im shoq filloi të luante nëpër lojërat e fatit dhe plasi debati në familje. Këto grindje u bënë të shpeshta, sepse sjellja e parave në shtëpi nga ana e tij ishte shumë e pakët, minimale.

“Problemet kishin nisur para se të lindte fëmija i parë. Me kalimin e kohës erdhi edhe dhuna. Erdhi edhe fëmija i dytë në jetë. Problemet u thelluan akoma më shumë. Me lindjen e fëmijës së dytë ai hoqi dorë fare nga familja. Nuk sillte më asnjë të ardhur. Kur vajza u rrit dhe u bë 5 vjeç, gjendja u bë e padurueshme. Vajzat u rritën dhe kuptonin më shumë, dhuna u rrit akoma më shumë. Fëmijët nuk mund të shkolloheshin, nuk vazhdonin dot asnjë kurs mësimor, nuk paguaja dot lekët për çerdhe apo për shkollë. Vendosa të ndahemi. Unë vendosa e para. E çova në gjykatë.
“Ishte hera e parë që shkoja në gjykatë. Këtë e bëra më shumë që ai të kthente rrugë. Aty e fala edhe një herë dhe u ktheva prapë në familje. Por gjendja u acarrua akoma edhe më shumë. Së dyti, bashkë me vajzat vendosëm që kjo të ishte hera e fundit që e falnim për këtë dhunë që bënte. Shkova përsëri në gjykatë, bëra divorcin. U largova prej shtëpisë së bashku me vajzat. Kam marrë një shtëpi me qera. Më ndihmon familja ime. Vetë kam filluar një punë private. Me shumë sakrifica po e përballojmë.
“Nga ana e tij deri sot nuk ka ardhur asnjë para. Nuk kontribuon fare, as lekët që gjykata ka vendosur, që ai duhet të japë për vajzat në një masë shumë të vogël. Deri sot e kam përballuar vetë, dhe me ndihmën e familjes time. Fëmijët janë të dy në shkollë. U kam krijuar qetësinë, janë të qeta. Shtëpinë e kam marrë afër shkollës, i shoqëroj vetë deri atje dhe deri tani jam e kënaqur me to. Nuk kam probleme me fëmijët. Nga ana e tij, fëmijët janë shumë të pakënaqur, sepse ai sillet shumë keq me to. Inatet që ka me mua i nxjerr tek fëmijët. Për këtë vazhdoj akoma debatet me të. I kam thënë, se nuk të dua as lekë, vetëm dua që kur fëmijët vijnë të takojnë ty, të mos i lëndosh. Nëse ke gjë me mua, fol me mua në telefon ose në takim. Vetëm dua që qetësinë që fëmijët kanë me mua ta kenë edhe me ty. Pas këtij divorci, unë nuk kthehem më prapa.
“Shtëpinë që ndërtuam bashkë, ai e ka lëshuar me qera dhe nuk na jep asnjë të ardhur nga shtëpia. Ne, unë dhe vajzat, duam ose të shitet shtëpia dhe të marrim gjysmat e parave, ose të marrim gjysmën e qerasë. Vajza e madhe është në gjimnaz, unë jam invalide e grupit të dytë, dhe nevojat për të holla i kemi të mëdha. Mjeku nuk më lejon të punoj, por unë për të rritur fëmijët e mi po sakrifikohem në punë, ndërsa ai nuk na jep asnjë të ardhur. Fëmijët dhe unë kemi pjesë në atë shtëpi. Shtëpitë i kemi ndërtuar bashkë.
“Unë kam jetuar në mes të Tiranës, jam dhunuar për shumë vite në mes të Tiranës, mbi 6 vjet, dhe nuk kam patur guximin ta ngre telefonin e policisë qoftë edhe një herë. Kam menduar disa herë ta ngre telefonin, se kam dëgjuar emisionet televizive për ndihmën e grave, i kam patur edhe numrat e telefonit të tyre të regjistruar në bllok, por nuk kam patur guxim. Gjithmonë opinioni në Shqipëri është kryesori. Mesazhi im është: Asnjë grua e dhunuar të mos heshtë. Ky është shpëtimi i tyre dhe i fëmijëve. Fëmijët nuk duhet të rriten në mes të dhunës. Unë nuk ia fal vetes që fëmijët e mi, deri në atë moshë, unë i kam lënë në atë mjedis. Asnjë grua e dhunuar nuk duhet të heshtë, po të duan të shpëtojnë nga dhuna”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi