Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

IDRIZ ZEQIRAJ:VOTA - TEMPULL I GJYKIMIT, I DREJTËSISË

Shko poshtë

IDRIZ ZEQIRAJ:VOTA - TEMPULL I GJYKIMIT, I  DREJTËSISË Empty IDRIZ ZEQIRAJ:VOTA - TEMPULL I GJYKIMIT, I DREJTËSISË

Mesazh nga Agim Gashi Fri Nov 29, 2013 12:09 pm

 VOTA - TEMPULL I GJYKIMIT, I  DREJTËSISË
 
IDRIZ ZEQIRAJ:VOTA - TEMPULL I GJYKIMIT, I  DREJTËSISË Largea_idriz-zeqiri-ne-mes-652x3001382463193
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ
 
Thonë se shqiptarët janë shquar për ndjenjën e së drejtës, edhe atëherë kur kodi, norma zyrtare ka munguar. Shumë elemente të së drejtës i gjejmë edhe te Kanuni i Lekës, të cilat janë përdorur ndër shekuj, në mungesë të një pushteti real, në mungesë të sundimit të ligjit.
 
Menjëherë pas mposhtjes të Kundërrevolucionit bolshevik të Qershorit, të vitit 1924, të kryesuar nga Fan Noli, shefi i Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu, për ta konsoliduar shtetin, aplikoi ligjin më të avancuar të kohës, atë të Napoleonit francez. Në dikasterin e Drejtësisë, në qendër, Tiranë dhe rrethe, vuri njerëzit e shkolluar, juristë të diplomuar, në Universitetet e zëshme të Evropës dhe të botës. Janë të njohur "kadilerët", gjyqtarët e Libohovës dhe të rretheve tjera të jugut të Shqipërisë, të cilët, prindërit mërgimtarë i kishin shkolluar djemtë e tyre.
 
Mbretëria më e avancuar ligjore në Ballkan   
 
Mbretëria Shqiptare, e përfaqësuar nga Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve, ishte model për të gjithë Ballkanin, në funksionimin e shtetit ligjor, të sistemit të drejtësisë. Cubat e shumtë, në veçanti, në Veriun e Shqipërisë, që kurrë nuk kishin njohur ndonjë pushtet shtetëror dhe plaçkisnin karvanët e tregëtisë, që qarkullonin ndërmjet vendeve fqinj; vidhnin dhe grabisnin bagëtinë në zonat ndërkufitare, herë-herë, me pasoja të përgjakshme, Shteti Mbretëror Shqiptar, me ashpërsinë e ligjit, i mposhti cubat dhe bandat e tyre.
Kundërrevolucioni i Qershorit, i vitit 1924, ngjason, si me nda një bajgë përgjysmë, me kundërrevolucionin e vitit 1997, i organizuar nga banditët social-komunistë. Shkatërrimi i institucionave legjitime, përkallja e Shqipërisë, marrja e pushtetit dhunshëm nga neokomunistët dhe ushtrimi i pushtetit, në partneritet me bandat, që i krijuan përgjatë tymnajës, e katandisi Shqipërinë në kaos e dhunë. Rrjedhojat e hovzimit dhe të sundimit të egër të bandave të 1997-ës, reflektohen edhe sot dhe gjithë ditën, kur në çdo tri ditë ekzekutohet një njeri!
Në një debat parlamentar për sigurinë, në mes të ish-kryekuvendarit Pjetër Arbnori dhe kryeparlamentarit komunist të dhunshëm, Namik Dokle, u tha edhe kjo:
Arbnori: "Na ishte dikur një mbret, i cili me dy policë e bëri zap, e disiplinoi Veriun e Shqipërisë", (duke aluduar për Mbretin Zog). 
Dokle e pranoi realitetin, duke thënë se "kjo është e vërtetë".
Dhe, vërtet, në Shqipërinë londineze, në Shqipërinë e vjetër, tri pushtetet në kohë, kanë cilësimet reale, faktike:
 
1.- Qetësia në kohë të Mbretërisë;
 2.- Bollëku në kohë të Italisë; dhe 
 3.- Dajaku  në kohë të Partisë,
 
përkatësisht, nën pushtetin mbretëror shqiptar; në pushtimin italian, sepse, si pushtues Italia e kishte mbushur tregun me mallra, madje me çmime të volitshme, si dhe në pushtetin komunist të Enver Hoxhës, me egërsinë e dhunën të ushtruar ndaj popullit të vet, e tejkaloi edhe fashizmin italian dhe atë gjerman, të marrë së bashku.
 
Pluralizmi politik shpëtim, tranzicioni mjerim
 
Vitet `90-a, pluralizmi partiak në Shqipëri, me tranzicion të stërzgjatur dhe të stërmundimshëm, shpërfaqi zhgënjimin e madh: shkatërrimin e asaj prone shtetërore, e cila ishte bërë me djersën dhe gjakun e popullit , në veçanti, të atyre mijëra të dënuarëve politikë; vjedhjen e shtetit, korrupsionin zyrtar; anarshia e skajshme, përtokja e ligjeve, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë. Disonanca, mospajtimet, në vijimësi, të pushtetit politik me sistemin e drejtësisë, përfitues ishin dhe mbetën keqbërësit, kriminelët, të cilët, në masën më të madhe, kurrë nuk u ndëshkuan.
 
Lista numerike prej 742 të kërkuarëve nga policia, të ikur nga burgu ose të dënuar në mungesë, fakton bindshëm këtë të vërtetë të hidhur. Nga llojet e krimeve mbizotëron - krimi i vrasjeve me dashje. Duke qenë korrupsioni masiv, ai ka prekur edhe strukturat e sigurisë, policinë, prokurorinë dhe zinxhiri vazhdon edhe më lartë. Andaj, mundësia e kapjes të kriminelëve të kërkuar, të fshehur brenda vendit, minimizohet. Por, për habi, edhe disa nga shtetet e njohura për rregullim shtetëror e shoqëror, kupolë e demokracisë, janë bërë strehë e kriminelëve shqiptarë.
 
Në emër të demokracisë, mbrojtja e kriminelëve
 
Shembuj konkret: sulmi me bombë në minimarketin "Vefa", në Tiranë, me pasojë vdekjen e 5 (pesë) punonjësve dhe plagosjen e disa të tjerëve, të gjithë të pafajshëm, i cilësuar si akt i pastër terrorist. Edhepse autorët u zbuluan, u dënuan në mungesë, ata kurrë nuk u dorëzuan, me arsyetimin banal se "ndiqën politikisht"!! Këtë sllogan idiotesk e mbrojti Zvicra demokratike, e pasuar nga Suedia, e cila strehon Zylfije Haklaj, edhepse ka ekzekutuar, me gjakftohtësi kriminale, dy qytetarë të pafajshëm në Tropojë e, ndoshta, edhe vëllain e saj Hamdi Haklaj, i dënuar, në mungesë, për vrasje me dashje! Të njëjtën sjellje bizare e manifestoi edhe Belgjika, e cila ka marrë në mbrojtje dhjetra kriminelë shqiptarë! Pesha e krimit të shtetit belg rëndon edhe më shumë, kur dihet se aty veprojnë institucione të Bashkimit Evropian dhe të botës.
 
Shtrohet pyetja: Çfarë ndjekje politike dhe çfarë dënimi politik është për kriminelët që, duke hedhur në erë një objekt afarist, shkaktojnë rrezikshmëri masive?! Çfarë ndjekje politike është dënimi i kriminelëve, të cilët, në kundërshtinë e qytetarëve për t`i mos i grabitur, janë vrarë nga ata?! Shqipëria ka hequr dënimin me vdekje dhe burgjet e saj janë vizituar nga ndërkombëtarët. Ata nuk kanë fare të krahasuar me burgjet e monizmit. Përmirësimet janë të dukshme dhe trajtimi shumë më korrekt, se sa meritojnë keqbërësit, kriminelët. Atëherë, shtrohet pyetja tjetër: kujt i intereson vazhdimi i anarshisë në Shqipëri?!?
Thënë troç, asnjëra nga qeveritë shqiptare nuk arriti kuotën e drejtësisë të kohës të Mbretërisë. Dhe, kjo është fort e dhimbshme për një vend evropian, i cili pretendon të bëhet pjesë e Evropës të Bashkuar!
Bëra këtë përvijim të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të kuptuar ndikimin negativ, bile, edhe kopjimin e metodave anarkiste edhe në Kosovë.
 
Presidenti Rugova unifikoi mendimin dhe veprimin shqiptar
    
Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në prag të vitit `90-të, kryesimi i saj nga një personalitet i përmasave evropiane e botërore, siç ishte dr. Ibrahim Rugova, Kosova përfitoi elemente të reja të qytetërimit demokratik. Nismna e parë e kësaj Lëvizjeje Kombëtare, me një organizim të përkryer, që e njohu për herë të parë kombi ynë, ishte pajtimi brenda shqiptar në Kosovë. Kjo nismë rezultoi si shumë e suksesshme. U pajtuan shumë qendra gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare dhe u bë unifikimi i mendimit dhe i veprimit të popullit të Kosovës, për ta përballuar më lehtë sulmin frontal, ballor sebo-sllav.
 
Njeriu shqiptar i i Kosovës, në kushtet e një pushtimi prpovokues, shmangu ngatërresat e dikurshme banale dhe toleranca, mirëkuptimi u bë zotërues kudo. Edhe për ndoca mosmarrëshje ndërnjerëzore, herë-herë, jo edhe aq të lehta për t`u zgjidhur, personat e viktimizuar nuk pranonin të bënin denoncim, kallzim në organet pushtuese, por i drejtoheshin këshillit, organeve të sistemit paralel, odës shqiptare. Dhe, kjo mënyrë organizative do të vazhdonte, madje suksesshëm, deri në shpërthimin e luftës, më sakt, masakrave serbo-malazeze, ndaj popullatës të Kosovës.
 
Rugova me LDK-në  e bënë luftën, pushtetarët aktual e sabotuan atë
 
"Të mbrohet pragu i shtëpisë",- ishte porosia e Presidentit Rugova. Dhe, ata që lirinë e çmonin aq sa edhe jetën, rrokën armët. Edhe një masë mërgimtarësh hynë në Kosovë, për t`u përballur me pushtuesin. Disa të tjerë, kryesisht, pushtetarët e sotëm dhe shokët e tyre, dikur të një partie, tani në opozitë, u tubuan në Tiranë, për ta ndarë gjahun e fondeve të Mërgatës. Tashmë, rolet kishin ndryshuar. Lëvizja (LPK) e Zvicrës kishte  fituar epërsinë ndaj asaj të Gjermanisë, të cilën edhe e akuzuan për tradhti, duke mos kursyer as nip e dajë të Zvicrës (Fazli Veliun dhe Ali Ahmetin). 
Thonë se çdo e keqe ka një të mirë. E keqja ishte akuza e rëndë që përjetuan nip e dajë, përkatësisht, Ali Ahmeti dhe Fazli Veliun, nga ish-shokët e tyre. Por, e mira e madhe ishte se gjatë luftës në Maqedoni apo Iliridë, nip e dajë nuk i dëgjuan përrallisjet përçarëse të ish-shokëve nga Kosova, kinse "UÇK-e", sepse do ta pësonin si ata të Kosovës Lindore. E themi këtë sepse sjellja brutale e këtyre biçim "luftëtarëve" ishte kaq e vrazhdët, saqë populli ishte gati të kërkonte ndihmën pushtuesit, për të shpëtuar nga "çlirimtarët"!! Vetëm ndërhyrja pajtuese e ndërkombëtarëve, i shpëtoi nga turpërimi i mëtejmë.
Oreksi i disa djemëve hileqarë të Mërgatës, të cilët kishin simuluar dhe mashtruar në vendet pritëse, duke abuzuar me mirësinë dhe mikpritjen, nuk kishin bërë ndonjë punë për t`u lavdëruar, siç bënte emigracioni ynë i vyeshëm dhe modest. Dhe, hilenë e tyre e vunë në plan jete edhe në Tiranë dhe në Kosovë, për t`u bërë shefa, komandantë e komisarë, por jo edhe për të luftuar.
 
Tirana zyrtare e donte LPK-në në pushtet
 
Këta djemë bastardë, të ardhur nga rruga e diskotekat, i njihte "si parën e kuqe" Sigurimi famëkeq Shqiptar, përgjatë kohës që kishin punuar në përfaqësitë diplomatike. Sigurimi enverian, në koordinim me shefat pushtetarë, dhunues e përkallës të Shqipërisë, me qëllimin e vetëm për ta
rivendosur dogmëm komuniste në Shqipëri, i njohën dhe i hetuan lakmitë, për para dhe pushtet, të djemëve huliganë të Kosovës. Ekipi kundrakombëtar social-komunist në pushtet, në Shqipëri, projektoi sabotimin e luftës në Kosovë, duke u kufizuar vetëm në autonominë e vitit 1974. Projektin e legalizoi Fatos Nano, kur pas takimit me kreun e Serbisë, Millosheviç, u tha shqiptarëve të Kosovës se "kryeqytreti i tyre është Beogradit.
Në krye të çmontimit, shkatërrimit të institucioneve paralele të Kosovës, u vunë akademik Rexhep Qosja dhe simboli i rezistencës të dikurshme Adem Demaçi, me disa ish-burgaxhinj të Kosovës, të prirë nga Jakup Krasniqi me shokë. Pjesë e këtij projekti makabër ishte edhe eliminimi i pengesave, për ta arritur pushtetin më vonë, qoftë edhe me një autonomi. Ndarja e faktorit ushtarak, vrasja e Ministrit të Mbrotjes, ekzekutim që u parapriu vrasjeve të tjera seriale, përgjatë dhe pas luftës, ishte i koordinuar me Serbinë, me qëllim të sabotimit dhe të dështimit të luftës dhe kthimin e saj në masakër. 
Krijimi i Qeverisë të Përkohshme, në vitin 1999, në Bllokun e Tiranës, nga ekipi i përbashkët përzgjedhës: banda e pushtetarëve social-komunistë e Shqipërisë dhe banda halkabake e Lëvizjes, e ardhur nga diskotekat e Përendimit, ishte paralajmërim ogurëzi për Kosovën, sepse, pas dëbimit të pushtuesit nga NATO-pakti, do të vazhdonin krimet vrastare, madje gjysmëlegale, duke shtuar varre dhe jetimër anekënd Kosovës.
 
Bashkëpunimi i UNMIK-ut me LPK-në, alias PDK-në - legalizoi krimin
 
Toleranca e UNMIK-ut për vazhdimin  e gjendjes kaotike në Kosovë, me vrasje, hajni e korrupsion galopant, është një dëshmi tjetër se, atë që e Serbia e humbi në luftë, duhet kompensuar në paqe, nga miqtë e saj ndërkombëtarë dhe argatët hafije shqiptarë. Hezitimi për ta ndëshkuar krimin u pa që në gjyqet farsë.  Shëmbullojmë me një rast: Gjyqin e kryesonte një frasncez, për disa ekzekutime të ngeshme, dha një dënim simbolik, deri në pesë vjet burg, duke vuajtur vetëm gjysmën e këtyre viteve dhe pritjen madhështore të vrasëve të liruar, me pjesëmarrjen edhe të vet kryeministrit, një palo gjeneral. Mesazhi ishte i qartë: vrisni oficerët institucionalë dhe kuadrot e LDK-së të Ibrahim Rugovës se, ne ju lirojmë  ose nuk ju arrestojmë fare, duke lëshuar në etër slloganin bajat: "kërkimet, hetimet vazhdojnë"! Arrestimet e bujshme kanë përfunduar me hiç ose, shprehur vulgarisht: "me një fenë në ujë"!
Zgjerimi i kompetencave faktorit vendor, në Kosovë, pas pavarësisë, shënoi një përkeqësim të dukshëm në sistemin e drejtësisë. Emrimi i kuadrit në këtë sektor të rëndësishëm, për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit, shënoi regres. Përzgjedhja e kuadrit u bë jo për të bërë ligjin, drejtësinë, ndëshkimin e keqbërësve, kriminelëve, por, për t`i amnistuar dhe fshehur ata; shantazhimi i ndërkombëtarëve, duke demonstruar kundër arrestimeve dhe dënimeve, tërësisht meritore. Dhe, i gjithë ky kaos kulmon me ndihmën që u japin pushtetarët kriminelëve të rrezikshëm, për të ikur nga burgu ose përgjatë procesit gjyqësor, në gjendje të lirë!
Ka qenë shokuese kur i dënuari për krimin e tentim-vrasjes të një kuadri, vetëdenoncoi për përfshirjen në provë-atentatin kundër Presidentit Rugova, së bashku me tre instruktorët e tij. Dhe, kur gazetarët e pyesin kryeprokurorin e Kosovës, nëse është marrë me hetimin e çështjes në fjalë, ai përgjigjet me fodullëk idiotesk se, "kam edhe punë tjera"! Ky kryeprokuror horr, i emruar nga kryehorrat pushtetarë, për t` amortizuar faktet, dëshmitë, nuk e ka guximin profesional e qytetar, për të thënë se atentatore është partia ime, PDK-ja.  
 
Dështimi i drejtësisë në Kosovë dhe në Hagë   
 
Drejtësia dështoi në Kosovë dhe kjo, tashmë, është një e vërtetë sa e hidhur, po aq edhe e pakundërshtueshme. Por, çuditërisht, drejtësia për Kosovën dështoi edhe në Hagë. Gjykata e Hagës u bë paçavër, duke u politizuar dhe korruptuar, në masën e paparashikueshme. Kjo "Gjykatë" liroi ministrin e brendshëm serb; përgaditi dosjen për lirimin e presidentit serb, Millosheviç, me arsyetimin se "paramilitarët i bënë krimet, të cilët nuk arritëm t`i pengonim"!! Dosjen për pafajësinë e Millosheviçit e denoncoi sekretarja e kësaj Gjykate, për çka edhe u dënua për dekonspirim!!!
Për baraz-peshim të fajësisë, përkatësisht, të "pafajësisë", Gjykata në fjalë liroi edhe disa biçim komandantësh shqiptarë, të cilët kishin vrarë e terrorizuar civilët bashkëkombas, të llogaritur si kundërshtarë politikë të tyre. I gjithë qëllimi i këtyre "pafajësive" ishte kompensimi i Serbisë me territore të Kosovës. Dhe, "komandantët" pa ushtarë, duke qenë peng të krimeve të bëra, përgjaë dhe pas luftës, janë bërë të dëgjueshmit e Serbisë, duke e bërë atë hisedare në tokat e Kosovës! Dhe, e gjithë kjo maskaradë, është një kryetradhti e komandantëve famëkeq, që ia bënë Kosovës dhe popullit të saj. Dhe, ju, shqiptarë të Kosovës, nëse vazhdoni t`ua jipni votën tuaj të shenjtë, pushtetarëve aktual matrapazë, do të bëheni pjesë e krimeve të tyre, tashmë, të faktuara katërcipërisht. 
E majta ekstreme e Kosovës, që nënkupton ideologjinë ruso-sllave, e përfaqësuar nga krimineli i kuq Stalin, i barti të gjitha metodat tipike komuniste të Luftës të Dytë Botërore, intrigën dhe krimin, për të ardhur deri ke pushteti, siç erdhi filosllavi Enver Hoxha në vitet `40-a. E majta e Kosovës doli nga lufta me barrën e krimeve të shumta, të bëra ndaj shqiptarëve të pambrojtur. Edhe në Qeverinë e Përkohshme e majta ishte bashkë. Por, u prishën për pazarin e posteve qeveritare. Djemë rrugash dhe diskotekash të Diasporës, kryesisht, të pashkolluar, megallomanë e prepotentë, që nuk prekeshin as "me llullë të maxhupit"!
 
"Komandantët" u pasuruan me haraç, uzurpime dhe hajni
 
Vetë ndarja e zonave dominuese: Drenicë e Dukagjin, ishte sa arkaike, provinciale, po aq edhe kriminale e kundrakombëtare. Djemë të dalë nga familje të pazëshme, pa asnjë traditë familjare, madje, disa syresh edhe me cene jo të vogla, bënë "yrysh" për poste e pushtet, duke u përkujdesur fort për t`u pasuruar me shpejtësi marramendëse: uzurpimi i pasurive shtetërore e shoqërore, vjelja e taksave legale në fillim, duke e vazhduar me reketin, gjobën, haraçin ilegal.
Kullat në fshat dhe vilat-pallat në kryeqytet i ngritën "komandantët e lavdishëm", të cilët nuk kanë shënuar asnjë betejë ballore kundra pushtuesit, përveç ndonjë aksioni, me krisma në ajër kundër ndonjë punktit policor dhe ikje në panik që andej. Gradimet e turshme ushtarake, një tallje po kaq e turpshme e ndërkombëtarëve, me njohjen e këtyre gradave, vetëm pse kishin mbajtur, me raste, uniformën ushtarake. Gradimet hiç të motivuara dhe fare të pa merituara, ishin rast unikal në histori, madje për të gjitha kohërat!
 
AAK-së - parti bandë e krimit dhe e haraçit
 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka asnjë element të një partie politike. Ajo më tepër ngjason me një parti-bandë. Badiguardë kriminelë, të cilët përballën me drejtësinë ndër vite. Jo me kot konsiderohet si parti e haraçit dhe e dajakut. Vrapojnë pas firmave të mëdha dhe të vogla, qoftë edhe pas një linje autobusi; një pike rëre; një dyqani; pas artizanateve, duke përdorur dajakun dhe kulaçin, për t`i futur në ingranazh, në dhëmbëzim, nga ku viktimat përcillën në vijimësi dhe nuk arrijnë të shkëputën nga kthetrat kriminale të bandave në veprim.
Shefat paguajnë për t`i përjetësuar në këngë; për të marrë tituj hiç të merituar; për të botuar libra të dobët dhe me plot falsifikime; për t`i shpallur - qytetar nderi -, sidomos në Shqipëri, këta "komandantë" që kanë turpëruar dhe dëmtuar imazhin e popullit të Kosovës, në sytë e botës demokratike. Edhe ato rrethe, të drejtuar nga matrapazë dhe injorantë, që ndajnë tituj e medalje, për njerëzit e krimit në Kosovë, janë të babëzitur për të zhvatur diçka nga paratë e haraçit, të vjelura nga bandat namkeqe. Ata nuk i nderojnë bandat e banditët e tyre, si: zanqaushët, lulberishët me shokë, sepse ata janë prapa grilave dhe nuk mund të përfitojnë nga ata se, përndryshe, për ndërgjegjen e tyre të mykur, edhe atë do ta bënin.
Ankesat e Mimoza Kusari-Lila dhe të Gamend Muhaxherit se provokohen e shantazhohen nga bandat e AAK-së, që nga fillimi i fushatës dhe në vijimësi, janë krejt të sakta. Dhe, në vend që të mblidhet Kuvendi dhe institucionet përkatëse, që patitë-banda t`i konsiderojnë të jashtëligjshme, duke i dënuar edhe krerët e bandave, heshtin të gjithë, sepse krimi e bën ligjin, bandat sundojnë Kosovën.
 
"Vetëvendosja" - parti staliniste dhe muxhahedine
 
Fillimisht, populli i Kosovës iu gëzua daljes në skenën politike të Lëvizjes "Vetëvendosja". Ishin djemë të rinj, të shkolluar, energjikë dhe me pretendime për drejtësi sociale, shoqërore. Por, gjithnjë e më shumë pasoi zhgënjimi. Albini me shokë asnjëherë nuk e ngriti zërin për krimet numerike politike të bëra në Kosovë, nga dy partitë banda: PDK-ja dhe AAK-ja, sepse edhe "Vetëvendosja" strehon disa kokërra kriminelësh në gjirin e saj. Aty janë edhe hafijet e Serbisë, të cilët, me sulmet kundra shtëpive dhe kishave serbe, të porositura nga Serbia, në mars-prillin 2004, realizuan enklavat në fshatrat me shumicë serbë në Kosovë. Aty janë edhe disa nga spiunët e Serbisë, të cilët, me armiqësi të thekur ndaj Kosovës dhe dr. Rugovës, dogjën Flamurin elitë të Dardanisë Antike, të ideuar nga urtaku dhe hyjnori Rugovë.
Albin Kurti dhe partia e tij marksiste-staliniste heshturazi anashkalon Presidentin Historik, dr. Ibrahim Rugovën. Ndërkohë që, tashmë, vetëm rrugaçët dhe halabakët janë kundër dhe nuk e njohin Ibrahim Rugovën, personalitetin e fiuqishëm të pavarësisë të Kosovës. Shtrohet pyetja: çfarë është Albin Kurti që, në kundërshti me ndjenjat e popullit të Kosovës, nuk njeh Rugovën?! Realisht, Albini nuk është as rrugaç dhe as halabak. Përkundrazi, ai është një djalë i zgjuar. 
 
Ndoshta mendon se ka bërë shumë, duke qenë zë i Adem Demaçit, në Prishtinë, gjatë masakrave. Edhe Demaçi shumë i referohet "UÇK-së", edhepse ajo asnjëherë nuk arriti të bëhet e tillë. Ai që do ta bënte UÇK-në ishte kolonel Ahmet Krasniqi, por e vranë këlyshët e Serbisë. E vërteta është se pushtuesi vriste gra dhe fëmijë; bujq e barinj, ndërsa Demaçi me Kurtin "luftonin" pushtuesin me zyre në Prishtinë!?! "Luaje macë kryet e buallit"! Serbia bënte spastrim etnik, nën maskën e lirisë të veprimit të organizuar të "UÇK-së", edhe me zyre në kryeqytet, andaj i duheshin edhe Demaçi me shokët e tij. 
 
Presidenti Rugova ishte kombëtar i madh
 
Albin Kurti me shokë kanë qenë vegla të LPK-së staliniste, qysh si studentë, duke u "zgjedhur" dhunshëm, duke përçarë organizatën e fuqishme studentore. Për rrjedhojë, të prirë nga një rektor, i cili nuk pranoi të vë firmën në - Apelin e 215 Intelektualëve të Kosovës - , kundër intensifikimit të terrorit të pushtuesit, bënin disa lëvizje krejt larg Qendrës, me një numër simbolik pjesëmarrësish. Dhe, komplet kryesia e tyre studentore e dhunshme, mbeti e kuqe, marksiste e staliniste.
Që këtej ushqehet edhe urrejtja për Presidentin Rugova, i cili, për nga rëndësia historike, kushtet dhe rrethanat në të cilat e udhëhoqi popullin e Kosovës, nuk ka ndërmjetës në historinë tonë kombëtare, që nga Skënderbeu e këtej. Dr. Rugova ishte nacionalist, kombëtar i madh, andaj nuk e duan kozmopolitët, as enveristët e Shqipërisë dhe as stalinistët e Kosovës.
 
Albin Kurti ka edhe një urrejtje tjetër, muxhahedine, sepse dr. Rugova çmonte skajshëm Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, Nënë Terezen, Pjetër Bogdanin me plejadën e shkrimtarëve dhe të mendimtarëve të krishterë katolikë. Kishte një miqësi të dlirë me Papa Pavlin e Dytë dhe i lutej Atit të Shenjtë, për ta ndihmuar Kosovën, në rrugën e saj për liri, pavarësi dhe progres. Ndërkohë, Albin Kurti është kundër rrjedhës. Ai ka mendësi anakronike për moshën, mendësi të mykur, që e barazon me Ferid Aganin, Fuad Ramiqin, Naim Tërnavën dhe grigjën e tij, të disa imamëve arabostan, të cilët, në vend të kombit, njohin vetëm fenë dhe kërkojnë, madje ngulmueshëm, arabizimin e Kosovës.
Aprovimi i shamive nga Albini dhe partia e tij, është kulmor dhe flet shumë se ky djalë, relativisht, i ri në moshë, ka paragjykime të vjetra, arkaike, të dalë boje për Ballkanin dhe Evropën. Prandaj, populli i Kosovës nuk duhet as ta votojë dhe as ta besojë, në premtimet për "mrekullirat" e tij. Rrjedhimisht, ai u vetëdogj dhe ata që e rrethojnë, duhet të distancohen, të ikin e të largohen, sa nuk janë kallur krejt.
 
LDK-ja - parti e vlerave, parti akademike
 
Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e vlerave, parti e përgjgegjshme dhe aktualisht, është e vetmja forcë politike, e cila mund të ndihmojë në shërimin e plagëve të shumta, të luftës dhe të pas luftës, që kanë goditur Kosovën tonë; mund të shmangë kaosin dhe ta vërë në funksion ligjin dhe rendin. LDK-së duhet t`i bashkohen kuadro dhe inteklektualë, të cilët e duan pa hile Atdheun, Kosovën tonë, fort të poshtëruar, të gjunjëzuar nga kuqaloshët stalinistë në pushtet.
Për përmirësimin e reitingut të LDK-së, në zgjedhjet e tanishme, merita e parë u takon partive të krimit dhe të haraçit, pra, PDK-së dhe AAK-së, sepse, për vite me radhë, me bandat e tyre, vazhdojnë ta terrorizojnë, me plumb e haraç, popullin e shumëvuajtur të Kosovës. Por, duhet pranuar edhe njëfarë afrimi me elektoratin, një qasje më të mençur të strukturave drejtuese të LDK-së. Megjithatë, riciklimi i disa kuadrove, në kupolën drejtuese, sidomos në bazë dhe kundërshtia e ligjshme, po nga baza, nuk duhet injoruar.
 
Të dëgjohet zëri i Bazës dhe i Mërgatës 
 
Pavarësisht se kuadrot aktual, të nominuar, emëruar për kandidatë për kreun komunal, kanë epërsinë absolute, në raport me kandidatët për kryetar komunash të partive të tjera, LDK-ja është parti akademike dhe ka kuadro të mjaftueshme, të aftë dhe me integritet, për të qenë të pranueshëm për pjesën më të madhe të anëtarësisë të saj. Anëtarësia numerike e LDK-së në Mërgatë, duke qenë larg interesave vetëtjake, shqetësimet i thotë më hapur, pra, është e drejtpërdrejtë, andaj edhe duhen pasur në konsideratë vërejtjet e tyre.
Pavarësisht fitores për kryesim komunash, ndoca syresh, të përfolur jo pak nga anëtarësia në bazë, duhet të lirohen nga kryesimi i partisë, i Degës të LDK-së në komunë. Dhe, kjo duhet t`u premtohet, që tani, anëtarësisë se, këto ndryshime do të pasojnë menjëherë pas balotazhit. Kjo do t`i motivonte bindshëm të gjithë të pakënaqurit, familjet dhe miqtë e tyre, ta votojnë kandidatin e LDK-së, të cilin, në votimën e parë, me keqardhje të madhe, nuk e kanë votuar.
Në epokën e pluralizmit, të demokracisë, bandat në pushtet ose të tjerat, pretenduese për ta marrë pushtetin, nuk ka mënyrë tjetër për t`i mundur, përveç Votës së lirë. Kur drejtësia ka dështuar dhe mungon tërësisht, në Kosovë, është populli, është Vota - tempull i gjykimit, tempull i drejtësisë, për ta ringritur dinjitetin e një populli, keqas të nëpërkëmbur, dje nga pushtuesi i huaj dhe sot të përtokur nga bandat vendore. Është koha, momenti SOS, që shenjtëria e Votës, ta shporrë krimin dhe kriminelët, nga sundimi i egër, përçmues dhe cinik, duke i flakur ata nga politika, si vasalë e puthadorë të Serbisë. Është momenti SOS, për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet sot, në Kosovë, edhepse tejet të vonuar, sepse argatët e Serbisë, dëmtuan shumë Kosovën, duke e cënuar dhe perdhosur territorin e saj etnik, madje, pa asnjë autorizim nga populli!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi