Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Teki Dervishi:A ka media të lira në shtetin e “mbikëqyrur”?

Shko poshtë

Teki Dervishi:A ka media të lira në shtetin e “mbikëqyrur”? Empty Teki Dervishi:A ka media të lira në shtetin e “mbikëqyrur”?

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 04, 2009 8:32 pm

A ka media të lira në shtetin e “mbikëqyrur”?

Teki DËRVISHI


Sa u tha në të folurit stereotip gjithmonë patetik për mediat në ditën e tyre botërore? Do ankesa emfazike pa argumentime, ankesa “të redaktuara” “kundër” medias. Kjo kritikë u bë me qëllim që të dëshmohet liria për të kritikuar “mediat në media”, dhe media kur ngrihet kundër vetvetes do të dëshmojë pavarësinë dhe lirinë e saj. Human Rights Watch pohon se në Kosovë ende shkelet “liria e medias”, por nuk tregon nga kush shkelet kjo “liri”, ose mënyra si e thotë del se kjo organizatë ndërkombëtare joqeveritare, shtiret se nuk e paska të qartë adresën e “ndonjë” pushteti që në Kosovë është vërtet ekzekutiv, e jo formalisht ekzekutiv si pushteti vendor, pushteti formal i tillë ishte së paku një vit më parë. Sepse dy muaj para zgjedhjeve të fundit media nuk ka qenë shtylla e katërt e pushtetit, por shtylla e parë e tij. Media jo vetëm që ka qenë e lirë, por ka qenë pushtet mbi çdo pushtet vendor, siç ka qenë pushtet ekzekutiv sponsori i saj, pushtet ekzekutiv mbi “pushtetin” që asokohe ishte i kornizuar në atributin “i përkohshëm”, “konsolidues” i “institucioneve” të mbikëqyrura, pa ekzekutiv!
Kjo situatë vazhdon edhe sot: media e Kosovës qëndron mbi pushtetin vendor me doracakun e gogolit kërcënues të autorizimit nga OSBE-ja për “gazetari hulumtuese”, e cila korrekton dhe kujdestaron pushtetin, që dhjetë vjet duke e korruptuar para syve të elektoratit. Kështu që tash ka ardhur puna që elektorati të thotë unanimisht: të gjithë pa përjashtim janë hajna! Kështu i zgjatet ymri pushtetit ndërkombëtar që “nuk është” hajn, por i mbajnë miliardat e Kosovës në “kuletat” e tij nëpër Evropë. Pra sipas medias, jo dikush tjetër, por “pushtetet” e “korruptuara” të vendorëve ishin fajtorë për situatën, të cilën e fabrikonte shteti i quajtur “UNMIK-Kosovo 1244” me instrumentin e 34 shërbimeve sekrete që mobilizuan pjesën më të madhe të shoqërisë civile. Dhe kjo metodë e fabrikimit të anarkisë politike në Kosovë, bëhet për hir të “demokratizimit” të shoqërisë “kosovare” në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme (ndërkombëtarisht e karakterizuar si situatë e tillë), “e mbikëqyrur” administrativisht dhe ushtarakisht. Dhe kështu mbetet i mbyllur në “arkë” (të Pandorës) kreditori politik i medias në Kosovë, medias së modeluar sipas fizionomisë së programuar të OSBE-së. Kush është kreditori që nuk kërkon as kamatë as kthim borxhi për botimin e mediave që bëjnë “demokraci” në një vend pa liri dhe pa pavarësi, në një shoqëri që (po shihet) gjithnjë më thellë futet në anarki politike?
Dhe ku mund të flitet për media, përveç në media? Ose - në tryeza të shoqërisë civile, ku përsëri për mediat flasin mediatorët, askush tjetër, as akademikët, as juristët e “kornizave” “ligjore”, asnjë analizë shkencore kulturologjike, sepse në “sistemin” gjyqësor “të Kosovës” UNMIK-u e ka konservuar konsiliumin e stërvitur në administratën policore të shtetit terrorist të Milosheviqit, prandaj media “është investiguese”. Kjo si debatojmë ne për “lirinë e medias” ngjet sikur në kohën e Enver Hoxhës, të mblidheshin “forume” të lira që do të debatonin mbi lirinë e mediave të “partisë së punës” ndërkombëtare.
S’ka vend për teori këtu, që të tregojmë se në çfarë situate “specifike historike” vihen protektoratet (mbikëqyrja ndërkombëtare mbi një shtet të pavarur juridikisht) mbi një shtet në vendin e krizës permanente procesore, fundi i të cilës krizë dhe anarki nuk shihet në horizont? Arbitrazhi politik përjashton mundësinë e vendosjes së “kriterit juridik” të medias, sepse “arbitër” nuk do të thotë “gjykatës”, por instancë e cila gjykon vendime në mënyrë kategorike (arbitrare). Media e luan bukur rolin e viktimës, derisa anatemon dhe sakrifikon personalitete supreme kombëtare.
Pra në çfarë sistemi juridik të Kosovës mund të flitet për lirinë e medias? Niveli i demokracisë është shkallë e “natyrës së sistemit”, prandaj pikërisht sistemet totalitare janë thirrur në parimin e demokracisë dhe e kanë pasur demokracinë emblemë nominative të impersiumit “në emrin e shtetit”. Demokracia e degjeneruar është totalitarizëm. Si arrihet totalitarizmi, pos me propagandë!? Kjo arrihet me metodën e spekulimit të domethënies së “lajmit” dhe “komentit” medial, siç u pa konkretisht gjatë Rikonfigurimit, kur spekuloheshin komentet mbi rivendosjen e UNMIK-ut si një “fakturë e paqartësisë”, madje në deklaratat e të gjithë personaliteteve në krye të shteteve dhe organizatave që përmbajnë fuqitë botërore.
E njoh një njeri, me post të ulët prej këshilltari në një ministri inferiore, këtu në Kosovë, i cili dirigjon shumicën e mediave, brenda organizatës ilegaliste (të korporatës së lirë) që siç ishte në shërbim të qeverisë paraprake, po kështu tash është në shërbim edhe të kësaj qeverie aktuale, gjithsesi në favor të partive (të gjithave) që pretendojnë të “rrëzojnë pushtete” për ta internacionalizuar “paaftësinë” shtetformuese shqiptare. Ky poster është një kryeinkuzitor, të cilit i dridhen edhe shumica e editorëve të medias, edhe qeveritarët, edhe shtetarët. Ishte i shoqërisë civile, tash është spostuar në një ministri nga dirigjon “çistkat” që duhet t’i bëjë pushteti dhe shteti.
Pra shtylla e katër e pushtetit në Kosovë është shtylla e parë! Derisa propagandohet rrena se UNMIK-u në Kosovë tashmë nuk ka ingjerenca politike, policore dhe ushtarake! Nëntoka e Kosovës e mbrojnë “ligjin” i cili nuk ekziston!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi