Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje

Shko poshtë

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje Empty IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 27, 2014 11:44 pm

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje 544886_548983638451769_395480759_n

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje _102999_rugovameetsclinton300
Prishtinë, 2 shkurt - Edhe gazetarët, njerëzit që përcjellin politikanët këmba këmbës, dhe ndajnë shpeshherë idhtësinë e kohërave bashkarisht, por krijojnë apo ndërmjetësojnë sundimin e të mirës, e ndonjëherë edhe të kundërtën e saj, kanë kujtimet e tyre nga më të veçantat për Presidentin Ibrahim Rugova. Shumë nga ata kanë pasur privilegjin ta takojnë Presidentin në kohët më të liga, atëherë kur Kosova po zbrazej nga dhuna serbe dhe atëherë, kur vendi po shkonte sigurt drejt pavarësisë dhe Presidenti Rugova dhe vetë ata po ndjenin shpërblimin e botës për politikën e tij. Disa nga këta që kanë pasur këtë fat rrëfejnë për QIK-un, disa nga këto kujtime, që kishin çuar deri në përmbysjen e mendimeve të tyre për Presidentin, duke kaluar nga bota e fryrë virtuale kah ajo reale.

Presidenti Rugova kishte një kulturë të jashtëzakonshme komunikimi

Muharrem Nitaj, gazetar i BBC-së, është nga gazetarët që më së shumti ka pasur rastin ta takojë Presidentin Rugova dhe më së shumti ta intervistojë, përfshirë kohën para luftës dhe gjatë saj. "Me Presidentin Rugova jam takuar shpesh. Kjo për shkak të punës që e lidhte Presidentin me gazetarët në përgjithësi, në këtë kuadër edhe me mua", thotë ai, ndërsa kujton kohët e para të njohjes, ende pa u bërë Dr.Rugova udhëheqës i Lëvizjes së shqiptarëve për pavarësi. "E kam njohur si njeri me një temperament të veçantë dhe shumë të vendosur në qëndrimet që ai mendonte se ishin të drejta. Kam pasur nderin dhe privilegjin që ta intervistoj dhjetëra herë, në vende dhe për arsye të ndryshme", shprehet Nitaj, që kishte pasur fatin ta takonte edhe gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. "Ai ndodhej për një vizitë në Londër, ndërkaq unë punoja atje. Jemi takuar në ambientet e Ministrisë së Jashtme britanike", thotë Nitaj. 
"Unë i pata thënë se më vinte mirë që po e shihja të gjallë dhe me shëndet të mirë, ndërkaq Presidenti Rugova ma pat kthyer: 'Falë Zotit dhe miqve tanë - jam gjallë e shëndoshë...dhe do të bëhet mirë"! Megjithëse atëherë kishte pak shenja se do të bëhëj mirë, ai ishte i bindur se do të bëhej mirë", e kujton kështu Nitaj, njërin prej takimeve në kohët më të trishta, kur pak kush mbante shpresë se të këqijat e pushtimit po merrnin fund. 
Gjithashtu Nitaj kujton, portretin fizik të tij, që duket se i ka mbetur përgjithnjë në mbamendje. "Në mendjen time mbeten gjithmonë të fiksuara: buzëqeshja e tij shumë karakteristike, timbri i zërit dhe kthjelltësia e mendimit dhe e të shprehurit. I mbaj mend poashtu 'makiaton dhe cigaren'", thotë ai. 
Nitaj e kujton të jashtëzakonshëm qëndrimin e Presidentit për gazetarët dhe mediat përgjithësisht dhe veçanërisht gazetarët, që sipas tij, kanë ndihmuar në krijimin e figurës së politikanit të shkëlqyeshëm. "Ka pasur respekt të posaçëm për një numër syresh, të cilët e kanë përcjellë Presidentin Rugova, në ndërtimin e personalitetit të tij, prej një politikani par excellence", thotë Nitaj. 
Ai përmend, si përherë në këto raste, takimin e fundit të veçantë profesional, intervistën me Presidentin. "Më kujtohet kur Presidenti Rugova, më dha intervistën e fundit, e cila duhej të transmetohej në programin e parë të zgjeruar të BBC-së. Intervista ishte e gjatë dhe ajo ishte zhvilluar në shtëpinë e Presidentit kah mesi i qershorit të vitit të shkuar". 
"Unë i pata bërë një pyetje fare të zakonshme, ndërkaq ai, nuk harroi që përgjigjen ta fillonte me fjalët: 'Ishte një lajm i mirë zgjerimi i programit të BBC-së. Na keni ndihmuar edhe kur ka qenë vështirë të flitet shqip...', duke kujtuar kështu sjelljen fisnike të Presidentit në komunikimin publik duke treguar njëherit se dinte përherë se çfarë ndodhte me to.
"Dua të them se Presidenti kishte një kulturë të jashtëzakonshme komunikimi. Gjithmonë paraqitej modest dhe i kujdesshëm. Në këtë intervistë bëmë edhe fotografi. Ai më dhuroi një medaljon me vulën e Presidentit dhe më tha se këto i mbante për miqtë e tij. Unë isha tepër i nderuar që gjendesha në mesin e tyre", kujton Nitaj një detaj tjetër të qëndrimit miqësor të Presidentit me mediat. "Në punën time prej gazetari, ka patur raste, kur e kam kritikuar punën e Presidentit, por ai, nuk ka ditë të mbajë inat. Vazhdimisht thoshte se gazetarët duhet të kritikojnë, por shqetësohej me disa shkrime që nuk mbështeteshin në fakte. E të tilla fatkeqësisht, ka pasur plot", thotë ai duke u shprehur se kujtimet për Presidentin Rugova janë të shumta dhe domethënëse. "Unë jam krenar, pse isha njëri prej miqve të tij", përfundon Nitaj. 

Takimet e fundvitit të Presidentit me gazetarë - më të këndshme e më të ngrohta

**** Mehmetaj, drejtor në të përditshmen "Bota sot" dhe ish- drejtues i gazetës "Rilindja" në edicionin e perëndimit, thotë se Presidenti Rugova kishte dhunti të shumta, që e dallonin nga presonalitetet e Ballkanit. 
"Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova pos shumë dhuntive dhe karizmës që e veçonte nga të gjitha personalitetet e Gadishullit Ilirik e burrështetasit e rajonit, kishte aftësi të jashtëzakonshme të komunikimit me gazetarë', thotë Mehmetaj, i cili e kujton Presidentin që nga fillimi i deklarimeve të tija publike, "në mediat e huaja dhe pastaj konferencat e shtypit të së premtes në lokalet e LDK-së". Një nga tiparet që ai i kujton, ishte qetësia që e mbisundonte personalitetin e Presidentit, qartësia e tij, fjalët e shkurta dhe plot përmbajtje. "Vazhdimisht ishte i qetë, me një koncept përpara, jepte informacionin e domosdoshëm, ishte i qartë, i shkurtër dhe shumë preciz, e përmbajtësor", thotë ai duke e kujtuar përmbajtshëmrinë e tij edhe kur të tjerët, shkisnin nga ajo. "Madje, si rrallë ndonjë personalitet tjetër i jetës politike e publike, arriti të mbajë qetësinë dhe baraspeshën edhe atëherë kur gazetarë shqiptarë apo serbë e provokonin, të ndërsyer nga të tjerët, ose përpiqeshin ta fyenin pa asnjë shkas", thotë Mehmetaj. Ai e kujton Presidentin Rugova, se gjatë gjithë kohës së komunikimit me media dhe kundërshtarë ishte dhe mbeti dinjitoz deri në vdekje. "Presidenti nuk u përgjigjej provokimeve, nuk e uli asnjëherë nivelin e komunikimit, përkundrazi ishte tepër i dinjitetshëm. Si asnjë burrë shteti tjetër nuk iu përgjigj kurrë kritikave të kundërshtarëve. Kurrë nuk e fyu asnjë kundërshtar, megjithëse ata nuk e kursyen. Ishte në të gjitha aspektet superior", e kujton Mehmetaj. Gjithashtu ai i kujton takimet e përvitshëm të Presidentit me gazetarë, si tejet të përzemërta dhe miqësore. 
"Takimet e Rugovës në fund të dhjetorit me gazetarë tashmë ishin bërë tradicionale dhe ishin takimet më të këndshme e më të ngrohta. Ishte gazmor, shumë i drejtpërdrejtë me gazetarë, ndërsa i njihte të gjithë me emra, pavarësisht nëse ishin të rinj a të vjetër, thotë ai, ndërsa kujton se është ndër ata gazetarë që kanë pasur nderin të bënin disa herë intervista të gjata me të. "Ajo që më ka bërë përshtypje të vazhueshme është fakti se ishte shumë i afërtë, i drejtëpërdrejtë dhe i lehtë në komunikim. Përgjigjej në të gjitha pyetjet", thotë në fund Mehmetaj. 

Më fascinonte me raportin korrekt ndaj gazetarëve dhe me informimin për mediat

Rrahman Paçarrizi, gazetar i radios Evropa e Lirë, është nga të paktët gazetarë, që ka pasur rastin ta njohë Presidentin Rugova, si dijetar dhe si politikan. 
"Brezi im ka pasur fatin ta njohë presidentin Rugova në dy manifestimet e tij kryesore, si letrar dhe si politikan. Por, përderisa me Rugovën si letrar kisha komunikuar vetëm përmes librave, ashtu si shumica e atyre që janë marrë me letërësi, kam pasur fatin që në kohët me kthesa për Kosovën dhe për zotin Rugova të kem me të kontaktin, e gazetarit me politikanin dhe të përpiqem ta përçojë mesazhin e tij politik, natyrisht në mënyrën më korrekte të mundshme", thotë Paçarrizi. Ai thotë se ndoshta ishte nga gazetarët e paktë, që pas luftës kan arritur ta bëjnë ndonjë bisedë për media me zotin Rugova, edhe pse kjo duket të ketë qenë tejet e lehtë. "Në verën e vitit 2000, kur Presidenti nuk jepte intervista, ose së paku ashtu thuhej, e shfrytëzova një rast në një pritje dhe iu afrova personalisht me kërkesë për intervistë dhe për çudinë time (pasi ishte krijuar atëbotë bindja se Dr.Rugova nuk jepte intervista) ai jo vetëm që pranoi të përgjigjej, por, edhe pse ishte një intervistë e improvizuar (biseduam, në këmbë) ishte një intervistë plot informacione", kështu e kujton Paçarrizi, thjeshtësinë me të cilën mund të arrije komunikimin me Presidentin si gazetar. Ndërsa, që pas këtij momenti, ai ia kishte dalë të bënte edhe dy apo tri intervista të tjera për radion Evropa e Lirë, gjatë së cilave thotë se është "fascinuar me dy gjëra nga Presidenti". 
"E para ishte raporti i tij tepër korrekt ndaj meje, edhe pse ndonjëherë në analizat që bëja në periodikun kosovar nuk e kisha kursyer nga ndonjë kritikë, për mendimin tim konstruktive. E dyta gjë me të cilën më ka fascinuar, ka qenë kur më ka pyetur për intervistën se kur do të transmetohej dhe duke pyetur la të kuptohej se i dinte saktësisht terminet e lajmeve të radios Evropa e Lirë", rrëfen Paçarrizi. Ndërsa, kujtimet nga bisedat pas intervistave, të quajtura të lira, thotë se i ruan me përkushtim të veçantë. 
"I ruaj me xhelozi kujtimet për ato pak biseda të shkurtëra pas intervistave, kur Presidenti më fliste për tavanin e zyrës kryesore dhe figurat e gdhendura në të, shpjegimi për kultin e diellit tek ilirët dhe iliro-dardanët, si dhe impresionimi me dhomën e kristaleve", rrëfen Paçarrizi, njëkohësisht duke treguar përkushtimin e Presidentit përgjithëçka kombëtare. Ndërsa, më pas Presidenti i kishte dhuruar "një kristal të atillë, mbështjellë me një salvietë me Vulën e Presidentit", në intervistën e fundit që e kishte bërë dy vjet më parë.
"Në përgjithësi formimi intelektual i zotit Rugova nuk ka qenë i tillë që të mund të krijojë raporte afërsie me gazetarët, me gjithë përpjekjet e tij për organizmin e koktejeve të fundvitit, ku përpiqej të jetë i përzemërt me gazetarët dhe, të them ashtu 'pranonte lojën e imponuar nga gazetarët'", thotë Paçarrizi. Ndërsa, ai kujton një nga deklaratat më mbresëlënëse dhe dashamirësie për gazetarët. 
"Në pritjen e fundit për vitin e ri, jo vetëm mua, por edhe gazetarëve të tjerë u pati mbetur në kujtesë me fjalët se gazetarët, duke bërë punën e tyre shpesh u mungojnë edhe familjeve. Domethënë, Presidenti Rugova ka qenë po ai njeriu në të parë i 'rëndë' për t'iu afruar, por më pas shumë i përzemërt dhe i gatshëm për të biseduar, sidomos për lashtësinë, për rrënjët ilire, për Dardaninë dhe ikonografinë që 'e gjente' ku mundej për të dëshmuar me një pedantëri sërish prej shkencëtari vizionin e tij politik", përfundon Paçarrizi. 
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje Empty Gazetarët rrëfejnë mbresat për takimet me Presidentin Rugova (2)

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 27, 2014 11:51 pm

Gazetarët rrëfejnë mbresat për takimet me Presidentin Rugova (2) 

Idriz Morina

Prishtinë, 3 shkurt - Edhe gazetarët, njerëzit që përcjellin politikanët këmba këmbës, dhe ndajnë shpeshherë idhtësinë e kohërave bashkarisht, por krijojnë apo ndërmjetësojnë sundimin e të mirës, e ndonjëherë edhe të kundërtën e saj, kanë kujtimet e tyre nga më të veçantat për Presidentin Ibrahim Rugova. Shumë nga ata kanë pasur privilegjin ta takojnë Presidentin në kohët më të liga, atëherë kur Kosova po zbrazej nga dhuna serbe dhe atëherë, kur vendi po shkonte sigurt drejt pavarësisë dhe Presidenti Rugova dhe vetë ata po ndjenin shpërblimin e botës për politikën e tij. Disa nga këta që kanë pasur këtë fat rrëfejnë për QIK-un, disa nga këto kujtime, që kishin çuar deri në përmbysjen e mendimeve të tyre për Presidentin, duke kaluar nga bota e fryrë virtuale kah ajo reale.

Të befasonte këndshëm me afërsinë dhe kujdesin për gazetarët

Antigona Baxhaku-Idrizi, gazetare dhe redaktore në TV 21, kujton dy nga takimet më prekëse që ka pasur me Presidentin Rugova: i pari gjatë udhëtimit disa ditësh në SHBA dhe tjetri në Shqipëri. Ajo kujtimet e saj nuk dëshiron t'i ndërlidhë me rastin e vdekjes, por ashtu siç i ruan ajo, në kujtimet më të rëndësishme të jetës së saj. "Pas vdekjes së njerëzve kryesisht fliten fjalë të mira. Unë këtë nuk dua ta bëj për shkak të kurtuazisë, apo mirësjelljes, por për faktin se personalisht jam bindur se sa i kujdesshëm ishte Presidenti Rugova ndaj të gjithëve e veçanërisht ndaj gazetarëve", nis rrëfimin zonja Baxhaku, e cila për më shumë se dhjetë ditë ishte në shoqërim të delegacionit të Presidentit në SHBA si reportere e TV21, ndërsa që përcjelljen e aktiviteteve të Presidentit Rugova, e ka filluar që nga viti 1998, dhe gjatë këtyre vjetëve ka pasur rastin të bëjë edhe intervista. 
"I ftohtë dhe i largët për gazetarë, siç e karakterizonin disa kolegë të mi më të vjetër, ashtu mendoja edhe unë. Mirëpo në kontaktet e drejtpërdrejta dhe veçanërisht kur ishe më gjatë me të, kishe mundësinë ta njohësh Ibrahim Rugovën e vërtetë", thotë ajo. "Pata rastin që në prill të vitit 2004, të përcjellë vizitën e Tij në SHBA. Për mua ishte befasi shumë e këndshme afërsia dhe kujdesi që tregonte gjatë tërë kohës Presidenti Rugova për ne gazetarët. Përveç kujdesit, gjatë pushimeve që bënim derisa udhëtonim nga një shtet në tjetrin, Presidenti nuk ngurronte të ulej në tavolinë me ne gazetarët apo me kameramanët, dhe të pinim kafenë bashkë. Biseda jonë nuk kishte të bënte fare me politikë, por më shumë me punën tonë", rrëfen ajo ballafaqimin me njeriun që jo rrallë kundërshtarët i shndërronte në miq. "Ka ndodhur që kolona e Presidentit të mos niset në rrugë pa u bindur se të gjithë gazetarët ishin gati të nisen", thotë ajo duke mbetetur e habitur për kujdesin e Presidentit Rugova. Ajo kujton edhe një nderim të veçantë që i ishte bërë, si e vetmja grua, pasi nuk kishte as në delegacionin e Kosovës, edhe pse ishte në ekipin e mediave, e jo pjesë e Zyrës së Presidentit, gjatë një darke solemne të shtruar nga përfaqësuesit e Komunuelltit të Pensilvanisë. "Unë isha e ulur në tryezë me mysafirët e nderit. Nuk ndihesha rehat prej momentit që mësova se do të ulem në të njëjtën tryezë me Presidentin. Sapo zura vend, me lutjen para darkës të bërë nga mikpritësja që të ndihmoja në përkthim, çdo gjë ndryshoi. Të tregohem e sinqertë se nuk jam edhe aq e shkathët për lutje, prandaj me shikim të ndrojtur iu drejtova Presidentit. Ai e kuptoi se nuk ndihesha rehat me këtë detyrë që sapo ma kishin dhënë dhe filloi të fliste në shqip, kështu që unë nuk e pata edhe aq vështirë të përktheja në anglishtë (më ndihmonte edhe Skender Hyseni, këshilltar i lartë politik i Presidentit të ndjerë). 
Një kujtim tjetër, që ajo ka përzgjedhur është qëndrimi që kishte mbajtur Presidenti ndaj mediave në vizitën e bërë nga ai në Shqipëri në shtator të vitit 2004, ku qe shpallur Doktor nderi nga Universiteti i Tiranës dhe vizitës zyrtare që po ia bënte Shqipërisë, që nga pas lufta. "Edhe pse shtator, temperaturat në Tiranë ishin shumë të larta dhe ne kishim udhëtuar gati një orë prej Tiranës, deri te rezidenca e Lartmadhërisë së tij Leka Zogut. Kur arritëm, në momentet e para që Presidenti po shkëmbente përshëndetjet me Lartmadhërinë e Tij, sipas zakonit sollën edhe pije freskuese për mysafirët. Presidenti pa ngurruar fare ju lut zonjës që shërbente, nëse mund të na ofronte pije freskuese edhe neve gazetarëve që po largoheshim nga dhoma e që do të prisnim gjatë", rrëfen ajo një kujtim tjetër. 
"Ky gjestë i Presidentit i befasoi të gjithë, e sidomos kolegët nga Shqipëria". Ndërsa, në fund kujton intervistën me Presidentin Rogova të bërë diç më shumë se para një viti.
"Në javën e fundit të dhjetorit 2004, kam zhvilluar intervisten e fundit me Presidentin Rugova, për emisionin 'Sy më sy'. Në fund të intervistës po bisedonim rreth temave që kishim prekur, kur Presidentit iu kujtua se nuk e kishte përmendur fare kontributin e bashkatdhetarëve tanë në SHBA dhe Evropë. Unë sinqerisht e pranova se kisha harruar ta pyes për këtë, por Presidenti Rugova, më tha se 'ty të falet nëse harron, por jo edhe mua'. Ndërkohë ju lut zëdhënësit të tij që t'ia kujtojë këtë fakt në urimin tradicional që bënte për vitin e ri", përfundon rrëfimi ajo. 

"Ju nuk paskeni President, por një engjëll"

Menduh Hysa, redaktor i lajmeve në Radio Kosovë, rrëfen për kujtimet e tij të paharrueshme kur si kryeredaktorë në TV Kohavision, kishte shoqëruar Presidentin Rugova në vizitën e fundit në SHBA më 2004, ku Presidenti mori mirënjohjen "Mik i SHBA-ve". 
Ai fillon të rrëfejë nga momentet më të paharrueshme të tij, kur sipas Hysës, Presidenti Rugova kishte shfaqur fytyrën madhështore njerëzore dhe prej politikani. "Shikoni ishin njerëz të frustruar, të varfër, dhe kur të tillë bëhen 2 mijë veta, ata dalin jashtë kontrollit". Kjo ishte mbrojtja që Presidenti po e bënte në Kongresin amerikan, për trazirat e marsit të vitit 2004. "Nuk e fajësonte askënd"!, thotë Hysaj, që kishte pritur një arsyetim tjetër nga Presidenti, i njohur për pacifizmin e tij, mund të drejtonte fajin drejt dikujt tjetër, por ai nuk po e bënte një gjë të tillë, por shfajësonte të gjithë, pra edhe ata mbi të cilët mund të binte faji. "Ai gjatë 12 ditëve të qëndrimit në SHBA, nuk e akuzoi askënd asnjëherë, duke treguar dinjitet të lartë", thotë Hysa, duke mbajtur në mendje imazhet e politikanëve tanë të tjerë, se si ata do të ishin sjellë, krejt ndryshe para mundësive të tilla. 
"Ishim në një darkë të komunitetit shqiptaro-amerikan, në restoranin e Sabti Bytyçit në Nju Xhersi, një biznismeni që ishte integruar plotësisht në jetën amerikane. Derisa darkonim, Presidentit i ra në vesh se unë nuk isha një njeri i LDK-së, pra se as nuk kisha votuar pro fitoreve të tij. Unë vetë ia konfirmova këtë, duke i thënë se kisha respekt si personalitet dhe si President i vendit, që ka fituar shumicën. Presidenti Rugova, që unë s'e prisja një reagim të tillë, mbushi gotën thuaja të zbrazët me verë të kuqe, dhe e ngriti lart, 'gëzuar për shëndetin e agës së Kaçanikut'"!, kujton një nga momentet më prekëse Hysaj, familja e të cilit rrjedh nga një derë intelektuale dhe patriotike, e atij qyteti të lashtë. 
Hysaj, i befasuar me sjelljen njerëzore të jashtëzakonshme të Presidentit Rugova, thotë se Presidenti kishte treguar aq kujdes të pazakonshëm ndaj tij, sa që ishte treguar i gatshëm të ndërpriste kolonën dhe eskortën e tij në udhëtim e sipër për pak kohë, që ky ta ndizte një cigare, ndërkohë që edhe Presidenti i bashkohej në tymosje dhe vazhdonim bashkëbisedimin. 
"Fliste për gjeostrategjinë, gjeopolitikën botërore", thotë Hysaj duke treguar një njohje tjetër që nuk e kishte pasur më parë ndaj Presidentit Rugova. Ai kujton një vlerësim të rrallë dhe të papritur të truprojës, me pamje hispanike, të angazhuar nga nikoqirët për Presidentin Rugova. "Ndërsa, pritnim në restorant Presidenti kishte lutur këshilltarin, Hyseni, që t'i ofronte pushim truprojës, t'i ofronte cigare, e ndonjëherë edhe të bisedonte me të. Truproja më pas më tha: 'Ju nuk paskeni President, por ju paskeni një engjëll'!, ndërsa në ndarje tek po ktheheshim nga SHBA-të e pashë të përlotur për Presidentin Rugova", përfundon rrëfimin e tij, Hysa, i cili tashmë ishte bindur se vështrimi i tij për personalitetin e Presidentit Rugova kishte qenë i gabuar, i shkaktuar nga gabimet e qëllimshme të disa mediave.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje Empty Presidenti Rugova - model i udhëheqësit demokrat dhe tolerant

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 27, 2014 11:52 pm

Presidenti Rugova - model i udhëheqësit demokrat dhe tolerant

Idriz Morina 

Prishtinë, 7 shkurt - Fuqia politike dhe krahas saj fuqia e paskajshme njerëzore, janë shprehjet që i shquajnë gazetarët në personalitetin e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ai ishte ylli i lirisë që udhëhoqi një nga popujt e fundit të robëruar në Evropë, në rrugën e lirisë dhe krijimit të shtetit, besohet të fundit në gjiun e saj. Por, Ai mbetet në kujtesën e gazetarëve veç një udhëheqësi kulminant nacional, një intelektual dhe thuaja mbi të gjitha këto një humanist madhështor. Që edhe sipas rrëfimeve të tyre, asnjëherë nuk u lëshua në kundërshtime që mund të prodhonin efekte negative në shoqëri, duke i përballur ato me forcën e heshtjes.

Madhështia njerëzore - fuqia e heshtjes ndaj provokimeve dhe akuzave

Ibrahim Osmani, korrespondent shumëvjeçar i 'Zërit të Amerikës' dhe France Presse nga Kosova, Presidentin Rugova e mban mend si një udhëheqës që ishte miqësor veçanërisht ndaj profesionistëve parimorë, po që nuk jepej as ndaj atyre gazetarëve që shkelnin mbi etikën profesionale. 
"Udhëheqësin popullor Ibrahim Rugovën e kujtoj si një njeri të urtë e kooperativ, të afërt e parimor ndaj njerëzve e mediave, dhe sidomos ndaj atyre që përpiqeshin të përfillnin kriteret dhe parimet profesionale", thotë ai. Osmani, një gazetar shumëvjeçar që kishte raportuar edhe në kohët më të vështira në mediat e huaja autoritative, si "Zëri i Amerikës" lajmet e së cilës pa i komentuar nuk fillonin bisedat thuaja asnjë mbrëmje gjatë gjithë atyre viteve robërie të plotë, përcillte mesazhet e Presidentit Rugova, njeriun e shpresës për shqiptarët. 
"Ajo që do të veçoja padyshim do të ishte madhështia e tij njerëzore përkatësisht fuqia e heshtjes që e manifestonte ndaj provokimeve dhe akuzave që vinin nga individë a grupe të ndryshme, jo vetëm të ish-regjimit, mirëkuptimi dhe toleranca e tij për të menduarit dhe vepruarit ndryshe nga ai, duke i quajtur ato të drejta legjitime", thotë Osmani duke kujtuar mbresat më të veçanta nga takimet profesionale me Presidentin Rugova. "Nuk mbaj mend të ketë polemizuar apo të ketë anatemuar ndonjë adresim", thotë ai, duke përforcuar qëndrimin e palëkundur të Presidentit Rugova ndaj kundërshtarëve. Ai veçon në portretizimin e figurës së Presidentit Rugova, palëkundshmërinë në qëndrime dhe kërkesat politike, të cilat ishin përhershmëri në takimet me gazetarë. "Siguria dhe qëndrueshmëria në qëndrimet dhe kërkesat e drejta politike popullore që i artikulonte dhe i parashtronte në vazhdimësi ishin dhe mbeten objektivat e strategjisë së tij të palëkundur në secilin takim me gazetarë", thotë Osmani, ndërsa e kujton Presidentin Rugova si një njeri që kishte modesti në sjelljet me gazetarë, ishte mirënjohës dhe dinte të çmonte punën e tyre. "Besimin ndaj gazetarëve dhe mediave mendoj se e ndërtonte mbi bazat e punës së tyre", plotëson ai. Ndonëse ishte paqësor në artikulimin dhe mbështetjen e kërkesave politike, Presidentin Rugova, Osmani e kujton, si një personalitet tejet energjik në kundërshtimin e dhunës që u bëhej qytetarëve shqiptarë nga regjimi serb. "Sa ishte paqësor kujtoj se Rugova ishte edhe energjik ndaj dhunës dhe dhunimit të të drejtave në Kosovë, ndërkohë që në vazhdimësi ai dërgonte mesazhe publike për durimin e qëndresës paqësore popullore", rrëfen Osmani kujtimet e tij. Ndërsa, i jep të drejtë politikës së Presidentit Rugova, beson se ishte kjo politikë dhe më luftën e mëpastajme, që solli çlirimin e Kosovës. "Si lider politik i kohës dhe i hapësirës ballkanike mendoj se Rugova drejtësisht zgjodhi dhe përfilli strategjinë e artikulimit dhe të veprimit paqësor për liri kolektive, që edhe me luftën e armatosur, provokoi dhe solli mrekullinë e forcës ndërkombëtare të lirisë në Kosovë", përfundon gazetari Osmani.

President Rugova nuk ka bërë asnjëherë përpjekje për të ushtruar kontroll në mediat elektronike

Skender Durmishi, gazetar i RTK-së, dhe dikur i TVP-së, evokon kujtimet nga intervista e parë me Presidentin Rugova, para se ai të zgjedhej President, pra kur ende ishin muajt e parë që ai po e udhëheqte lëvizjen kombëtare shqiptare, të rreshtuar me LDK-në. Ai ruan një tregim të trishtë, ndërmjet mallit dhe krenarisë. Durmishi ka pasur fatin, që i pari gazetar ta intervistojë Presidentin Rugova për media audio-vizive, por edhe fatin jo të mirë, që ta publikojë bisedën e plotë vetëm pas vdekjes, kjo për shkak se edhe TVP-ja, pat fatin e dëbimit nga lokalet e saj, sikurse të gjitha sistemet të tjera në Kosovë, arsimi, shëndetësia etj.
"Jam gazetari i parë i Kosovës që kam zhvilluar intervistë me Dr.Ibrahim Rugovën si politikan në mediat elektronike. Mburrem me këtë fakt, por natyrisht e quaj më shumë rastësi dhe fat se sa ndonjë meritë e veçantë", thotë Durmishi, ndërsa dëshiron që ky kujtim do të mbetet i paharrueshëm për shkak fatit të veçantë që pati edhe vet intervista e zhvilluar më më 5 korrik të vitit 1990. "Atë botë Dr.Rugova ishte vetëm kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e formuar disa muaj më parë. Unë punoja në Televizionin e Prishtinës (TVP) që, siç dihet, ishte i vetmi televizion në Kosovë. Dhe ishte si të gjitha televizionet e tjera të kohës së monizmit", vazhdon rrëfimin Durmishi. Ai e kujton brishtësinë e situatës së atëhershme, e cila mund të rrëshqiste shumë lehtë padëshirueshëm, kjo pasi lëvizja e re po fuqizohej, ndërsa që pushteti monist, nuk i jepte hapësirë mediale veprimtarisë që udhëhiqte lideri i ri, Dr.Rugova. "Dr.Rugova, LDK-ja dhe ajo që quhej alternativa politike kosovare nuk prezantoheshin ose nëse bëhej kjo, do të bëhej në mënyrë shumë, shumë të kontrolluar e të reduktuar”, vlerëson në retrospektivë atë kohë Durmishi, i cili kujton se deri në atë intervistë, Dr.Rugova ishte intervistuar shumë herë më parë, "por vetëm si kritik e krijues letrar, por jo në cilësinë e një lideri politik". Ai kujton kontekstin politik në Kosovë me momentin e intervistimit të presidentit Rugova. "Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, autoritetet e Serbisë kishin nisur fushatën për realizimin konkret të masave për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Në një atmosferë të tillë, me plot konfuzion, paqartësi e shqetësime të përgjithshme, kam kërkuar intervistë nga z.Rugova i cili bashkë me LDK-në kishte përkrahje të fuqishme dhe ishte artikulim i vullnetit të popullit", rrëfen Durmishi. Biseda ishte bërë krejtësisht e hapur, por me një numër të vogël pyetjesh, që kanë historinë e vet. "Intervista, me katër ose pesë pyetje, është zhvilluar në shpejtësi shumë të madhe me qëllim të transmetimit sa më të shpejtë. Pas konsultimit me kolegët jemi marrë vesh që ta transmetojmë në lajmet e para sepse askush nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte edhe me TVP-në deri në lajmet e mbrëmjes. Dhe pikërisht kështu ndodhi. Në lajmet e para (të orës 15.00) janë transmetuar vetëm dy përgjigjet e para të z.Rugova dhe më pas ka ndodhur errësimi i ekranit. Pra, u mbyll TVP-ja dhe ndodhën ato situata që dihen", rrëfen Durmishi, odiseadën e intervistës së tij, që e ruan si ekzemplarë të punës së tij, ndërsa e përshkruan përmbajtjen dhe fatin e kësja interviste të transmetuar nga televizoni i vetëm publik, vetëm pas vdekjes së Presidentit. "Kjo intervistë është transmetuar e plotë në RTK dy ditë pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe është pritur me komente të shumta habie e admirimi për luciditetin, njohjen e thellë të rrethanave, saktësinë e vlerësimit të ngjarjeve e sidomos për parashikimin e atyre që do të pasojnë. Dr.Rugova ndër të tjera në këtë intervistë ka vlerësuar se gjendja është e vështirë, se federata po hesht para veprimeve të Serbisë, se këto janë veprime tipike të pengimit të pluralizmit e të demokracisë. Pra, i ka thënë këto gjëra si ankesë dhe si protestë etj. Por, është shumë interesante me çfarë saktësie prej vizionari ka thënë se "një ditë do ta kuptojnë, por do të jetë vonë për ata që po i bëjnë këto gjëra", thotë Durmishi. I vetëdijshëm për mundësinë e perceptimit të ndryshëm të intervistës, Durmishi dëshiron që të vlerësojë me korrektësi vizionaritetin politik dhe kombëtar të Presidentit Rugova. "Le të më lejohet të them se edhe në këtë intervistë si në intervistat dhe paraqitjet e tjera publike të mëvonshme Dr.Rugova ka qenë shumë i saktë në parashikimin e situatave dhe zhvillimeve. Kjo u tha shumë herë këto ditë nga personalitete të larta politike vendore e ndërkombëtare si dhe nga studiues të politikës", thotë ai. Ky gazetar, që atëherë i takonte një brezi të ri, i rikthehet kujtimeve të intervistës së parë, duke kujtuar një moment befasie, që tepër rrallë mund ta thonë kaq hapur politikanët, e assesi politikanët në kohën e komunizmit, që këmbëngulnin për konformizëm. "Për intervistën e bërë më 5 korrik 1990, dua të vë në spikamë edhe një fakt që e kisha përjetuar si befasi shumë të këndshme. "Pyet sa të duash dhe për çka të duash", më tha Dr.Rugova deri sa po bëheshim gati për xhirim”, thotë Durmishi, ndërsa poashtu zbulon karakterin e hapur të personalitetit të Presidentit Rugova, që nuk kishte treguar “asnjë interesim, as sugjerim paraprak lidhur me pyetjet”. “Më duhet ta pranojë se në atë kohë nuk ishim mësuar me qëndrime të tilla”, rrëfen me sinqeritet Durmishi. 
Po, ky gazetar kishte pasur fatin, që ta bënte intervistën e fundit me Presidentin Rugova nga mediat në Kosovë, kur Presidenti po kalonte pushimet e fundit me familjen e tij, që aq tepër rrallë i bënte, prej se ishte bërë lider i shqiptarëve. Edhe në këtë intervistë Presidenti Rugova tregon vetëdijen e tij për demokracinë, ai po jepte modelin e saj, dhe nuk mund të sillej ndryshe, pavarësisht nga provokimet e mundshme.
"Më 21 qershor 2005, pak para se të nisej për pushime, ka ardhur në studio, për një bisedë të gjatë. Disa nga pyetjet mendoj se kanë qenë mjaft kritike, por u është përgjigjur me shumë qetësi. Jo vetëm në këtë intervistë, por edhe në intervistat e tjera që ka dhënë për media, kam përshtypjen se dr.Rugova ka qenë i gatshëm të ballafaqohet me çfarëdo pyetjesh të gazetarëve, me kusht që të jenë bërë me një gjuhë elegante dhe të emancipuar", thotë Durmishi. 
Ai e kujton sjelljen prej demokrati të pashembullt të Presidentit Rugova edhe me faktin, se ai asnjëherë nuk kishte provuar të ndërhynte në punën e mediave, pavarësisht prej raporteve dhe opinionit që përpiqeshin ta krijonin. 
"Gjatë mandatit si President i zgjedhur i Kosovës, Dr.Rugova nuk ka bërë asnjëherë përpjekje për të ushtruar kontroll në mediat elektronike, edhe pse në shumë mënyra mund ta bënte këtë. Nuk e di a është penduar ndonjëhere për këtë, por, sipas mendimit tim, ka dhënë një model gjithësesi pozitiv dhe ndoshta atipik për liderët e Ballkanit”, thotë ai. Durmishi kujton edhe vlerësimet e aty për atyshme të gazetarëve dhe reflektimin e mëvonshëm të tyre për Presidentin Rugova. "Paraqitjet publike të Presidentit Rugova, nga gazetarët shpesh janë pranuar me shpërfillje të çastit, por në leximin e dytë (këtë ma kanë thënë shumë gazetarë) ose gjatë dëgjimit të qetë të mëvonshëm është kuptuar se ka qenë shumë më i thellë se sa është menduar në fillim", thotë ai. 
Durmishit i mbetet në mendje, sjellja e hapur dhe konsekuente me liderë botërorë, në raport me çështjen e Kosovës e Presidentit Rugova, që nuk pranonte të ishte inefrior. 
“Ka qenë për mua poashtu impresive gjuha e komunikimit me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare. Ka komunikuar me ta pa asnjë lloj inferioriteti që e kuptojmë se mund t’i karakterizojë liderët e vendeve të vogla”, thotë Durmishi, duke shpalosur një madhështi tjetër të këtij personaliteti historik. 
Ai poashtu mendon se nuk do të ishte i plotë portreti i Presidentit Rugova, pa përmendur edhe simbolet që i krijoi Presidenti Rugova dhe kulturën që e tregonte në raport me pasurinë e vendit, si atë tokësore dhe traditën.
"Më ka bërë shumë përshtypje përdorimi i simboleve, rëndësia që u jepte kristaleve të nëntokës së Kosovës, pastaj, ruajtjes së traditës etj.", thotë ai. Ai beson se në fund do ta thotë fjalën e saj historia, por kjo do ta ruajë faktin e papërsëritshëm, që Dr.Rugova udhëhoqi për një dekadë pa instrumentet themelore të shtetit. "Analistët e historianët do ta thonë nga distanca e duhur dhe me argumente, vlerësimin për Dr.Rugovën, veprën e tij dhe kohën në të cilën ka vepruar. Por, jam i sigurt për një gjë: asnjë analizë nuk mund ta lë anash faktin se pa instrumente klasike të pushtetit, Dr.Ibrahim Rugova, ka arritur të qëndrojë, ashtu siç ka qëndruar për 15 vjet në skenën politike të Kosovës në një kohë të ngjarjeve të mëdha e dramatike për popullin e Kosovës dhe më gjerë", përfundon Durmishi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje Empty Re: IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 28, 2014 12:08 am

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje 11111111111111111111111111111
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje Empty Re: IDRIZ MORINA:Presidenti Rugova gjatë komunikimit me media dhe kundërshtarë politikë mbeti dinjitoz deri në vdekje

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi