Fatmiroshe Xhemalaj:RRETH DEBATIT PËR RISHIKIMIN E HISTORISË, NË TEKSTET SHKOLLORE
Faqja 1 e 1
Fatmiroshe Xhemalaj:RRETH DEBATIT PËR RISHIKIMIN E HISTORISË, NË TEKSTET SHKOLLORE
RETH DEBATIT PËR RISHIKIMIN E HISTORISË, NË TEKSTET SHKOLLORE
Nga: Fatmiroshe Xhemalaj
Specialiste e historisë, Tiranë
Këto kohë, kam lexuar në shtyp rreth debatit “për rishikimin e historisë, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke”. Personalitete të shquar, nga e gjithë hapësira shqiptare, kanë nënshkruar një peticion për këtë problem.
Si specialiste me përvojë e historisë nw shkollat tona, me anë të këtij shkrimi, dëshiroj të marrë pjesë në këtë debat. Qëllimi është të ndihmoj sadopak në zhvillimin e vetëndërgjegjësimit, e reflektimit në pozicionin qytetar për historinë, që kjo të jetë nën kontrollin e meditimit të përdoruesve, interesave dhe fuqisë së tyre për të. Debati konstruktiv për këtë problem është i nevojshëm.
Qëndrimet e mija në këtë debat mund të mbështesin ose të kundërshtojnë qëndrimet e ndryshme për këtë problem. Por ato përsëri ngelen qëndrimet e mija. Në këtë kuptim, ato mund të shërbejnë si material kritik, që mund të përdoret më tej nga të tjerët, për zhvillimin e debatit.
Së pari, ndjehem mirë, që në debat marrin pjesë personalitete të shquara shqiptare, e aq më tepër që debatojnë për fushën e historisë, për të cilën kam studiuar dhe punuar shumë vite me radhë.
Ndryshe nga shumica e personaliteteve, unë kam punuar në “klasa dhe auditorë të historisë”, mësimdhënëse dhe pedagoge, por jo vetëm. Këshilli i Europës, në bashkëpunim me Shoqatën paneuropiane të mësuesve të historisë, EUROCLIO, si dhe organizma të tjerë europianë, më kanë përfshirë në një sërë konferencash dhe veprimtarish, për mësimdhënien e historisë shkollore, për vite me radhë.
Ndjehem mirë, kur diskutohet për historinë shkollore, pasi ajo është një fushë, që u përket të gjithë qytetarëve. Fëmijët e tyre mësojnë në shkolla dhe besoj se ata nuk duan që ata të mësojnë “falsifikimin”, “mashtrimin”, “dogmat”, të paragjykojnë të “tjerët”, etj., etj.
Robert Stradling, një ndër ekspertët e shquar të Këshillit të Europës, shkruan:
“Historia, që mësohet në shkolla, nuk është material vetëm i historianëve, mësuesve, i autorëve të librave dhe i botuesve. Ajo është pronë publike.Politikanët, minoritetet etnike dhe gjuhësore dhe prindërit, në përgjithësi, shpesh ndjejnë, se kanë të drejtë të ndikojnë në histori dhe në mënyrën se si mësohet ajo, më tepër se sa ndikojnë në matematikë, dituri apo gjeografi.
Të parë në këtë këndvështrim, tekstet e historisë janë pronë publike dhe se të gjitha grupet e njerëzve, brenda një vendi dhe vendeve fqinje, mund të kenë ndikime me vlerë në përmbajtjen e këtyre librave, në ilustrimin e tyre, në atë çfarë është hequr dhe është përfshirë, në korrektësinë e mënyrave të mësimdhënies dhe të të mësuarit të ndjekur nga autorët dhe nga praktika lidhur me çmimin, përshtatshmërinë e vlerën në para”.(“ Teaching 20th –century European history”, nga autori Robert Stradling, botim i Këshillit të Europës).
Përgjigja, se përse duhet debatuar për historinë shkollore, është brenda thënies së cituar. Debati, mbi rishikimin e historisë, ka qenë e do të jetë, përsa kohë do të ekzistojë shoqëria njerëzore. Ai është i natyrshëm, pasi historia dhe e shkuara, nuk janë e njëjta gjë. Historia është një debat për të shkuarën, por nuk është e shkuara vetë.
E shkuara ka ndodhur dhe historia e shkruar është puna e historianëve për të pasqyruar atë, që ka ndodhur. Historianët ose edhe specialistët e fushave të tjera, duke shkruar për të kaluarën, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e interpretojnë atë në mënyra të ndryshme, përmes debateve, të cilat janë gjithmonë në lëvizje. Në këtë kuptim, si një debat për të kaluarën, historia do të ekzistojë. Debati nuk bënë gjë tjetër veçse kërkon të hedh dritë mbi atë, që ka ndodhur në të shkuarën dhe kjo, natyrisht, i bën mirë shoqërisë.
Historia thërret që të rivlerësohet, me qëllim që të shmangen keqkuptimet.Ajo duhet rishikuar, rishkruar, aq herë sa të vërtetat historike të dalin në dritë, për probleme të caktuara historike.
Por thelbi i debatit, mendoj se, nuk qëndron këtu. Pra, deri këtu, jemi të gjithë në një mendje. Personalitetet shqiptare janë kundër “rishikimit të historisë, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke”. Unë mund të shtoja...autoriteteve shtetërore greke, serbe, italiane etj., etj. ose, më qartë, të vendeve të huaja.
Pra, personalitetet tona nuk janë kundër rishikimit të historisë, pasurimit të saj nën dritën e fakteve të reja, por kundër “mbikëqyrjes” së autoriteteve të shteteve të tjera, në problemet e trajtimit të historisë, në dy shtetet shqiptare.
Është e natyrshme se, çdo qytetar shqiptar, kur e lexon se tekstet e historisë shkollore po rishikohen “nën mbikëqyrjen” e një shteti tjetër, e kupton këtë si një cenim të rëndë të pavarësisë kombëtare, por jo vetëm. Me të drejtë, qytetari duhet të “ulëras” e të thotë “qeveri tradhtare”, për cilëndo qeveri, që e bën një gjë të tillë. Ju e shihni vetë, se përdorimi i fjalës “mbikëqyrje” preku ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe e nxori në pah debatin për këtë problem, i cili u bë i ditës tani.
Kur shkruajmë në shtyp ose flasim në një debat, duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e termave dhe koncepteve, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, nuk duhet të jemi sipërfaqësor në gjykimet tona. Në një debat, të shkruar ose të folur, nevojiten aftësi profesionale, informacion i saktë dhe i analizuar thellë. Po e shohim qartë, se termi “mbikëqyrje” solli një pështjellim mbarëkombëtar. Po, sa terma ose koncepte të gabuara mund të ketë në tekstet e historisë shkollore, të cilat paragjykojnë “të tjerët”, brenda ose jashtë vendit?
Unë mund të pohoj për publikun, se e njëjta gjë ndodhi në media me komisionin e përbashkët Shqipëri-Greqi, për rishikimin e teksteve të historisë shkollore të të dy vendeve, në vitin 2004. Nuk ishte peticion, por në shtyp pati dy qëndrime: njëri, që e shihte këtë bashkëpunim për të gërshetuar dhe afruar mendimet për paqen në Ballkan dhe tjetri, që e shihte si një komision “tradhtarësh”!
Në përbërje të këtyre komisioneve, janë personalitete që, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë një ndihmesë mjaft të çmuar, jo vetëm në shërbim të Kombit Shqiptar, por edhe në krijimin e klimës së paqes rajonale edhe më gjerë.
Po, në fakt, cila është e vërteta e këtyre komisioneve? Pse Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë, më 2004 dhe, së fundmi, ajo e Republikës së Kosovës, kanë krijuar grupet e ekspertëve për të rishikuar tekstet e historisë shkollore?
Pas rënies së komunizmit, në kuadrin e reformimit tërësor të sistemit arsimor, edhe mësimdhënia e historisë pësoi ndryshime. Këto filluan që nga synimet dhe objektivat e lëndës, krahasuar këto me ato të para viteve 1990 dhe në përqasje me kushtet e vendit dhe zhvillimet europiane.
Kështu, para v. 1990, synimi përfundimtar i mësimdhënies së historisë ishte edukimi i të rinjve me ideologjinë marksiste –leniniste.Ky synim zinte vend në kurrikulën shkollore të asaj kohe dhe gjente zbatim në mësimdhënie dhe në tekstet e historisë.
Ndërsa pas vitit 1990, synimi kryesor i mësimdhënies së historisë u bë edukimi i të rinjve me qëndrime, të cilat ndihmojnë në krijimin e klimës së paqes, mirëkuptimit, bashkëpunimit, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë rajonal edhe më gjerë.
Siç dihet, Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës dhe e organizmave të tjerë ndërkombëtare, që punojnë për bashkëpunim dhe integrim edhe nëpërmjet mësimdhënies së historisë. Për rrjedhojë, ajo ka detyrimin të bashkëpunojë me vendet anëtare për probleme të paqes e mirëkuptimit midis popujve. Edhe krijimi i komisionit të ekspertëve, për rishikimin e teksteve të historisë, është bërë në këtë kuadër. Po citoj dy paragrafë, të këtyre rekomandimeve:
“... Konventa Europiane e Kulturës, e nënshkruar në Paris, më 19 dhjetor 1954, u bëri thirrje shteteve nënshkruese të nxisnin studimin e historisë dhe të qytetërimit të njëri -tjetrit dhe t’i zgjeronte studimet e tilla edhe për pjesë të tjera të Europë”.
“...Zëvendës ministrat e Komitetit të Ministrave (është fjala për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, shënimi im), në tetor të vitit 2001, rekomanduan që qeveritë e shteteve anëtare, ndërsa respektojnë strukturat e tyre kushtetuese, situatat kombëtare e lokale dhe sistemet arsimore, duhet të hartojnë parimet, që janë të mbështetura në rekomandimet e dhëna në Appendix, së bashku me reformat më të fundit dhe ato të perspektivës, në të dyja fushat, atë të mësimdhënies së historisë dhe atë të trajnimit të mësuesve të historisë”.
Pra, çdo shtet anëtar i Këshillit të Europës, duke respektuar kushtetutën e vendit të vet, mund të bashkëpunojë me shtetet anëtare, në fushën e mësimdhënies së historisë ose lëndëve të përafërta me të.
Në këtë kuadër, me nismën e qeverisë së Republikës së Greqisë, më 4 nëntor 1998, në Tiranë, u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për bashkëpunim në fushat e Arsimit dhe Kulturës, mbështetur në:
Nenet e Konventës Europiane për kulturën;
Aktin Përfundimtar të Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin ,në Europë;
Kartën e Parisit, për Europën e Re;
Marrëveshjen e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, ndërmjet dy vendeve (firmosur në Tiranë, më 21 mars 1996).
Në vijim të kësaj Marrëveshjeje, më 3 prill 2004, u nënshkrua në Athinë, “Programi për Bashkëpunimin Kulturor midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për vitet 2003-2005”, mbështetur në “Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, të nëntorit 1998, me synimin për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin arsimor, shkencor dhe kulturor midis vendeve”.
Po kështu, mbështetur në:
Nenin 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për bashkëpunim në fushat e Arsimit dhe Kulturës;
Programin për bashkëpunimin kulturor, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për vitet 2003-2005, më 2 dhjetor 2004, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me Urdhër Nr. 377, ngriti grupin e ekspertëve, që do të merrnin pjesë në Komitetin e Përbashkët, Shqipëri –Greqi, për të studiuar mënyrën e paraqitjes së historisë, gjeografisë, kulturës dhe ekonomisë, në tekstet shkollore.
Në fakt, Ministritë e Arsimit të vendeve respektive, e filluan bashkëpunimin me tekstet e historisë. Komiteti i përbashkët Shqipëri-Greqi ka bërë vetëm një takim, për këtë problem, në Athinë, në qershor të vitit 2007.
Problemet, që u trajtuan aty, ishin: filozofia dhe qëllimi i arsimimit në të dy vendet; procedurat e hartimit të programeve analitike mësimore dhe i teksteve shkollore të historisë; mënyra dhe metoda e funksionimit të Komitetit të Përbashkët; parimet e përgjithshme, që duhet të përshkojnë mësimdhënien e historisë. Për takimin e radhës, iu la detyrë grupit të ekspertëve të secilit vend, që të studionin tekstet e historisë për arsimin bazë.
Grupit të ekspertëve i kërkohej të analizoheshin tekstet, për të parë në se ka terma, koncepte, paragjykime ose trajtime të ngjarjeve historike, të cilat prishin klimën e paqes, ndërmjet dy vendeve dhe më gjerë.
Ja, përse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ngriti grupin e ekspertëve. Unë nuk dëshiroj të bëj “avokatin” e Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Por, duke bërë një paralelizëm me debatin e ngritur rreth bashkëpunimit Shqipëri-Greqi, në fushën e mësimdhënies së historisë shkollore, në kuadrin e integrimit kombëtar, rajonal e më gjerë, nuk shoh asgjë të keqe në këtë bashkëpunim.
Bashkëpunimi nuk është në “mbikëqyrje” e asnjërit shtet, pasi secili shtet është i pavarur. A mund të ketë synime “të fshehta” në këto bashkëpunime, meqenëse nisma për rishikimin e teksteve vjen nga politika? Edhe mundet, por ne nuk duhet të merremi me këtë anë. Publiku duhet të shikojë rezultatet e grupit të ekspertëve. Në se këto rezultate janë jashtë objektivitetit historik, pra jashtë profesionalizmit e kundër interesave kombëtare, atëherë, natyrisht, që publiku ka gjithë fuqinë e mundshme të mos lejojë shtrembërimet historike, dogmat dhe propagandën politike.
Historia nuk shkruhet nga politikanët, sado që të përpiqen ata. Politikanët janë përdoruesit, të mirë apo të këqin të historisë. Mendoj se mënyra, se si po trajtohet debati për këtë problem, është e gabuar. Mua nuk më shqetësojnë bashkëpunimet, sepse përsa kohë ato funksionojnë në rregull, është gjë e mirë. Mua më shqetëson përgatitja e të rinjve për jetën, nëpërmjet mësimdhënies në shkolla.
Zhvillimet arsimore të çdo kohe, por sidomos të kohëve të sotme, kanë ngritur shqetësimin, se shkollat kanë nevojë të bëjnë më shumë për t’i përgatitur të rinjtë për jetën, në një botë të karakterizuar nga diversiteti etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar. Përgatitja e të rinjëve për jetën, bëhet përmes lëndëve të ndryshme shkollore. Historia është një prej lëndëve, që mund të krijojë vlera qytetare, në se trajton me objektivitet ngjarjet dhe dukuritë historike. Në të kundërtën, mund të shkaktojë konflikte, kur mësimdhënia orientohet drejt paragjykimeve, për të “tjerët”.
Mësimdhënia e historisë në shkollë, pra, është një çështje delikate, se nuk ka të bëjë vetëm me historinë e së kaluarës, por me proceset e integrimit brenda Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, integrimin rajonal e atij europian. Është bërë shumë në fushën e historisë shkollore, me programet dhe tekstet, trajnimin e mësuesve, historianëve e pedagogëve.
Pavarësisht qeverive, që kanë ardhur dhe ikur, e majtë ose e djathtë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë, ka bashkëpunuar me organizma kombëtare dhe ndërkombëtare, në fushën e mësimdhënies së historisë, si: me Këshillin e Europës, UNESKO, EUROCLIO, CDRSEE, OSBE, UNDP, UNICEF etj., etj., që punojnë për integrim, nëpërmjet kurrikulave shkollore.
Edhe brenda vendit tonë veprojnë shoqata ose qendra të ndryshme për proceset e integrimit, nëpërmjet lëndës së historisë, si Shoqata e Mësuesve të Historisë “Rinia dhe Historia”, Shoqata e Historianëve etj., të cilat kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit e Shkencës dhe organizmat europianë, në fushën e mësimdhënies së historisë shkollore.
Kështu, mund të përmendim se, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, në vendin tonë janë zhvilluar 3 konferenca ndërkombëtare. Aty kanë referuar historianë, specialistë të historisë, mësues të historisë, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga vendet ballkanike dhe europiane. Këto konferenca kanë pasur në qendër të vëmendjes situatën e mësimdhënies së historisë në Shqipëri, krahasuar kjo me realizimin e standardeve europiane, të pranuara edhe nga Shqipëria. Këtu nuk mund të mos përmendim, ndihmesën e çmuar të znj. Alison Cardëell, ish-Drejtore e Drejtorisë për mësimin e historisë në Këshillin e Europës(Strasburg). Me konferencat ndërkombëtare, që organizoi në Shqipëri, solli përvojat më të përparuara të kësaj fushe, trajnoi mësues të historisë dhe historianë për trajtimin e çështjeve të ndjeshme dhe kontraversale, në klasa dhe auditore.
Shoqata paneuropiane e mësuesve të historisë, EUROCLIO, në bashkëpunim me MASH dhe Shoqatën e mësuesve të historisë “Rinia dhe historia”, zbatoi projektin e Paktit të Stabilitetit, për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë, “Ta kuptojmë të kaluarën, për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët”.
Drejtorja ekzekutive e kësaj Shoqate, Joke van Der Leeë, së bashku me stafin e saj, ka ardhur disa herë në Shqipëri, në zbatim të projektit të sipërpërmendur. Kështu, pati një bashkëpunim mjaft të frytshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Shoqatën e mësuesve të historisë së Shqipërisë. Hyrja e librit me burime historike për periudhën komuniste dhe post-komuniste, “Ta kuptojmë të kaluarën, për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët” (që gjendet në bibliotekat e shkollave) është shkruar prej saj. Hyrja është me mjaft interes, pasi aty jepen parimet, se si mund ta shkruajmë historinë, si mund ta trajtojmë atë në klasa dhe auditore edhe kur trajtojmë periudha historike mjaft të ndjeshme dhe kontraversale.
Rezultat i e projektit ishte botimi në shqip, anglisht, maqedonisht dhe bullgarisht, i librit me burime historike për periudhën komuniste e post-komuniste “Ta kuptojmë të kaluarën, për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët”.
Projekti në fjalë trajnoi mbi 70% të mësuesve të historisë në Shqipëri, përgatiti ekspertë të shkrimit të historisë për çështje të ndjeshme historike, i pajisi mësuesit shqiptarë, në Shqipëri, Kososvë e Maqedoni, me këtë libër ndihmës për ta.
Po kështu, Qendra për Demokraci dhe Pajtim, në vendet e Europës Juglindore, më qendër në Selanik, ka zbatuar në vendet e Ballkanit, pra edhe në Shqipëri, projektin e përbashkët të historisë, si rezultat i të cilit u hartuan katër libra pune, me dokumente historike (jo tekstë shkollore) për periudhat: Perandoria Osmane, Kombet dhe shtetet në EJL, Luftërat Ballkanike, Lufta e Dytë Botërore. Në kuadër të këtij Projekti, u zhvilluan një sërë trajnimesh me mësuesit e historisë për përdorimin e tyre, si libra ndihmës në procesin e mësimdhënies së historisë.
Në qendër të punës së MASH, ka qenë edhe përgatitja e mësuesve të historisë në universitet, me kompetenca të larta akademike, psiko-pedagogjike, sociale dhe menaxheriale. Për këtë, u mbajt në Tiranë, një konferencë ndërkombëtare, bashkëpunim i MASH-it, universiteteve shqiptare që përgatisin mësues historie, universitetit të Vjenës, Këshillit të Europës etj. Aty referuan profesorë të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës, të Universitetit të Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastrës, që përgatisin mësues të historisë. Profesori i Universitetit të Vjenës, Prof. Dr. Alois Ecker, mbajti kumtesën, “Profili profesional i mësuesit të historisë”, që u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit. Gjithashtu, Prof. Falk Pingel, ish-drejtor i Institutit George Eckert (Gjermani), i cili zhvillon projekte krahasuese në fushën e teksteve, me mbështetje të organizmave europiane, që kanë në qendër mësimdhënien e historisë shkollore, nëpërmjet zyrës së UNESKO-s në Shqipëri, ka ndihmuar për mënyrën, se si shkruhen tekstet e historisë, duke bërë studime krahasuese në këtë drejtim.
Në studimin e këtij Instituti, “Udhëzime të Uneskos për analizën dhe përmirësimin e teksteve”, faqja 6, jepet përfundimi: “Politikanët dhe specialistët e arsimit janë të shqetësuar, se kishin vërejtur që tekstet, veçanërisht ato të historisë, transmetojnë jo vetëm fakte, por edhe ideologji të përhapura, ndjekin prirjet politike dhe përpiqen t’i përligjin ato, duke i veshur me legjitimitet historik.”
Nga ana tjetër, është mbajtur në Shqipëri, në vijim të punës për përmirësimin e kurrikulës së historisë dhe gjeografisë, një konferencë kombëtare, për këto dy lëndë. Mësues të historisë dhe gjeografisë, historianë e gjeografë, specialistë të edukimit, në kumtesat e tyre treguan gjendjen e këtyre lëndëve dhe dhane mendime për përmirësimin e tyre.
Këto veprimtari, që përmendëm më lart, janë një pjesë e vogël e atyre, që janë zhvilluar. Por rezultatet e tyre janë të mëdha. Ato krijuan klimën e bashkëpunimit, ndryshuan mendësi rreth rishikimit dhe rishkrimit të historisë, jo pse politika e do atë, por se duhen ndjekur proceset e integrimit kombëtar dhe ndërkombëtar, se paqja dhe vetëm paqja është rruga e vetme e bashkëjetesës.
Përfundimet e arritura qenë se historianët, të cilët ende ishin shumica ata, që u përgatitën në kohën e komunizmit, kuptuan prirjet historike, proceset integruese, filluan që të trajtojnë periudhat historike nën dritën e fakteve, të cilat i nxorën nga thellësitë, ku ishin zhytur, të arkivave. Kurrikula e historisë shkollore nxori në pah qytetërimet, zbuti raportet, nga histori vetëm politike, në histori të qytetërimit etj., etj.
Siç edhe e theksova në hyrje të këtij debati, historia ka objekt të kaluarën, por nuk është vetë e kaluara. Si e tillë ajo vazhdimisht është në proces reflektimi, rishikimi e rishkrimi.
Por mësimdhënia e historisë shkollore, ka ende shumë rrugë për të bërë. Po përmendi këtu një shembull domethënës, që e përjetova në një orë mësimi historie, në arsimin bazë, ndërsa isha në klasë për ta vlerësuar atë. Mësuesja kishte zgjedhur atë ditë metodën e lojës së rolit, një nga metodat efektive të mësimit të historisë. Ajo ju kërkoi dy nxënësve (klasa e katërt fillore) që njëri të luante rolin e partizanit dhe tjetri rolin e ballistit. Pasi i ndau rolet, po prisnim që dy nxënësit të fillonin lojën. Pa pritur, nxënësi që do të luante rolin e ballistit, filloi të qajë dhe më pas, duke qarë, tha: “Jo, jo unë nuk dua ta luaj këtë rol”. Mesazhi ishte i qartë. Besoj edhe për ju, lexues.
Por, gjithashtu, më duhet të them që, pavarësisht se tekstet e historisë ende kanë probleme të trajtimit të ngjarjeve, të paargumentuara objektivisht, falë punës së mësuesve të historisë, në klasat e mësimit të historisë mbizotëron toleranca e mirëkuptimi. “Të jesh mësues në kohën e sotme, do të thotë të jesh sa i shqetësuar, po aq dhe sfidues” (P.H.Hirst dhe R.S.Peters, “The logic of Education”, London, 1971).
Në këndvështrimin tim, tekstet e historisë kanë probleme të përmbajtjes. Pothuajse, të gjitha periudhat kërkojnë më shumë dritë shkencore. Por periudha, si ajo luftës kundër fashizmit italian e nazizmit gjerman, periudha e komunizmit, qëndrimi ndaj figurave historike, si ndaj Mbretit Zog, udhëheqësit komunist Enver Hoxha etj., etj., kërkojnë një trajtim më objektiv.
Përsëri po sjell një shembull nga gjimnazi i Bajzës, në Malësinë e Madhe. Kur i pyeta nxënësit e kësaj shkolle, se a kanë vërejtje për tekstet e historisë, ata pa ngurrim më thanë, se “po”. Vërejtjen kryesore e kishin për tekstin e historisë së popullit shqiptar. Sipas tyre, aty nuk kishte një temë, ku të trajtonte shtypjen e egër, që regjimi komunist i bëri asaj krahine dhe qëndresën e tyre, ndaj atij regjimi.
Në fakt, shumë punime janë bërë për të trajtuar luftën e popullit shqiptar kundër fashizmit dhe nazizmit. Kjo është trajtuar gjerë, si në punime të mirëfillta shkencore, ashtu dhe në gjini të tjera, si në letërsi, pikturë, skulpturë, kinematografi etj. Të gjitha këto punime së bashku kanë plotësuar, kryesisht, aspektin politik e ushtarak të Luftës. Natyrisht, punimet, që trajtojnë këtë ngjarje historike, janë të rëndësishme, por trajtimi i ngjarjes vetëm për këto aspekte, nuk është i plotë.
Gjithashtu, botimet dhe debatet e pas vitit 1990, na lënë të kuptojmë se edhe për aspektin politik e ushtarak të Luftës II Botërore në Shqipëri, ka mjaft probleme të pandriçuara, madje edhe të falsifikuara. Për rrjedhojë, kjo ngjarje historike, në rrënjët e së cilës marrin jetë dhe probleme të sotme të shoqërisë shqiptare, duhet të vihet në fokusin e projekteve kombëtare e rajonale, me qëllimin e mirë për ta plotësuar e shkruar sa më drejtë atë.
Të rralla janë punimet e mirëfillta, të cilat trajtojnë atë, që kanë ndjerë e përjetuar shqiptarët dhe të tjerët, që kanë jetuar në Shqipëri, në atë periudhë të historisë së Kombit tonë. Punimet e plota e të mirëfillta do të plotësonin aspektin social, ekonomik e psikologjik të ngjarjes.
Në tekstet shkollore për historinë, kjo periudhë në përgjithësi trajtohet në mënyrë të tillë, që të jep përshtypjen dhe të krijon imazhin se njerëzit vetëm kanë luftuar (si me armikun fashist e nazist, ashtu edhe me njëri-tjetrin, partizanë e ballistë), sikur ata kanë ndërprerë çdo aspekt tjetër të veprimtarisë së tyre (sikur ata nuk prodhonin, nuk zhvillonin tregtinë, nuk punonin arat etj.), sikur ata nuk kishin dilema dhe qëndrime kontradiktore etj. Për më tepër, trajtimi i kësaj ngjarjeje në tekstet e historisë për shkollat tona, letërsisë, edukatës qytetare etj., nuk i mëshon më tepër fakteve, ku shqiptarët kanë bashkëpunuar, ku minoritetet, individët, grupe individësh, ose familje të pasura kanë ndihmuar, në udhë e mjete të ndryshme.
Teksteve të historisë për nxënësit tanë u mungojnë burimet, që vijnë nga historia ekonomike dhe ajo sociale. Me sa duket dhe studimet në këto fusha janë të vakta. Rekomandimet e Këshillit të Europës dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, kërkojnë raporte të drejta ndërmjet historisë politike e ushtarake, historisë ekonomike, historisë sociale dhe kulturore.
Mendoj se Qeveritë e dy shteteve shqiptare, duhet të jenë të ndjeshme për problemet e përmbajtjes së teksteve të historisë, duke bërë projekte në fushën e kërkimeve historike, në fushën e botimit të librave me burime dokumentare për historinë kombëtare, marrë nga arkiva të ndryshme të vendeve europiane e vendeve të tjera. Kjo gjë do t’i ndihmonte shumë autorët, por edhe publiku do të ishte më shumë i informuar për punën e historianëve, larg falsifikimeve, dogmave dhe paragjykimeve.
Po kështu, Qeverive shqiptare ju duhet të hartojnë projekte në mbrojtje të dëshmive historike kombëtare dhe në përdorimin masiv të tyre, nga shkollat. Më kujtohet mbesa ime, Entela, e cila ishte duke u përgatitur për doktoraturën në Greqi, në kohën kur u zhvillua Lufta e Kosovës. Ajo më mori në telefon dhe më pyeti: Bashkëstudentët e mi më thonë që ju shqiptarët jeni të ardhur, nuk jeni në trojet tuaja! A mund të më informosh për disa dokumente historike, që t’ua tregoj atyre, që t’i lexojnë? Formimi qytetar i të rinjve, nëpërmjet lëndës së historisë kombëtare bëhet vetëm, kur burimet historike janë origjinale.
Siç është e njohur, ngjarja tragjike e 11 shtatorit në SHBA, vuri në “pikëpyetje” identitetin e amerikanëve. Mësuesit e historisë atje, patën probleme në trajtimin e vlerave të amerikanëve, që njihen si banorë të tokës së lirive e demokracisë shumëplanëshe. Për këtë arsye, Qeveria amerikane hartoi projekte me vlera të mëdha monetare, në fushën e mësimdhënies së historisë shkollore, në promovimin e vlerave të qytetarëve amerikanë.
Dëshmitë historike, të shkruara ose materiale, janë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Kur isha studente e historisë, punova gjatë verës 4 vjet me radhë në gërmimet arkeologjike të bazilikës së Ballshit, në funksion të temës sime universitare “Vazhdimësia iliro-shqiptare, në trevën e Mallakastrës”. Bazilika e shek. VI pas Krishtit u zbulua, u zbuluan afreske sikur të ishin bërë në kohët tona. Por a është një vend i vizitueshëm, nga banorët e Shqipërisë ose turistët, kjo dëshmi historike? Bazilika e Ballshit, po ta krahasosh me dëshmitë arkeologjike të tjera të trevës së Mallakastrës, si qyteti ilir Bylisit, qyteti më i madh i Ilirisë Jugore, është disi e “vogël”. Por, kur hynë në biseda edhe me njerëz, që kanë mbaruar studimet universitare, nuk e njohin Bylisin, qytetin e “pastër ilir”,do të thoja (?!)
Fatkeqësisht, ende nuk është gjetur mënyra profesionale për zbulimin, ruajtjen dhe përdorimin e dëshmive historike, që të rinjtë të dinë të identifikojnë kombin që i përkasin, po në mënyrë profesionale. Muzetë në Shqipëri, janë ende “magazina” të dëshmive historike. Edhe kur mësuesit e talentuar të historisë i çojnë nxënësit në muze, ata bëjnë një “parakalim” të dëshmive, pa u përqendruar në vlerat e tyre. Duhet që në muze të ketë një sektor të didaktikës, i cili të punojë me shkollat në mënyrë të organizuar, që nxënësit të njohin thellë historinë kombëtare, jo për t’u lavdëruar ose ndjerë keq, por për të kuptuar identitetin e tyre.
Gjithsesi, proceset e sotme, si në nivel kombëtar dhe atë europian, kërkojnë: një mënyrë ndryshe të trajtimit të historisë në tekstet shkollore; një mënyrë ndryshe të të shkruarit të historisë, mënyrën ku merret parasysh multiperspektiviteti i grupeve të ndryshme, që përbëjnë një shoqëri. Historinë s’duhet ta shohim vetëm nga njëri ose tjetri “kamp”, por me syzet e multiperspektivitetit.
Në qoftë se ne duam ta “modernizojmë” historinë, kjo do të thotë se ajo duhet “axhustuar”, në mënyrë që t’i shërbejë ndërtimit të paqes, lirisë dhe demokracisë. Në qoftë se duam “të bëjmë histori”, atëherë duhet të përpiqemi t’ua japim çelësin përdoruesve, nxënësve, studentëve dhe gjithë të tjerëve, që të lexojnë të kaluarën, në mënyrë që ta jetojnë të tashmen dhe a ndërtojnë të ardhmen.
Politikbërësve të arsimit do t’ju këshilloja që lënda e historisë kombëtare të jetë provim i detyrueshëm i Maturës Shtetërore. Pse? Një qytetar i Republikës së Shqipërisë ose i Republikës së Kosovës, që nuk njeh në gjerësi dhe thellësi historinë e vendit të vet, nuk mund të respektojë as veten e as të tjerët; nuk mund të ndërtojë shtetin ligjor; nuk mund të pretendojë për të qenë i pavarur.
Në mbyllje të këtyre radhëve, dëshiroj të shtoj se gjithçka, që parashtrova në këtë shkrim, e bëra jo për të treguar se idetë e mia janë domosdoshmërisht të nevojshme dhe të rëndësishme. Por qëllimi kryesor është për të treguar se ato nuk janë ngritur në një vakuum dhe me besimin, se edhe në qoftë se ato bien ndesh me të “tjera”, do të shërbejnë sadopak për ta zhvilluar më tej debatin, rreth rishikimit dhe rishkrimit të historisë sonë kombëtare.
Tiranë, më 03.04. 2013
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi