Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË

Shko poshtë

AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË Empty AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 3:45 pm

AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË
E SI MENDOJ SE DUHET TË JETË?
Nga Akademik Apollon Baçe
Ripërsëris se këto mangësi nuk i theksoj për të gjetur kush e theu gotën, por për të shmangur thyerjen e gotës së re.
Apollon Baçe
Synimi
Synim i shkrimit është parashtrimi në prag të reformimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i parimeve dhe objektivave themelorë që duhet të ndjekë ajo. Këto parime dhe objektiva po i paraqes ashtu siç i mendoj, pa mëtuar për patentën e zgjidhjes së problemit. Në të kundërt, qëllimi i tij parësor është ngacmimi i debatit, shpalosja e ideve dhe përzgjedhja e tyre si kusht sine qua non për arritjen e një strukture sa më të efektshme. Do dëshiroja që problemet e shtjelluara në te të kundroheshin si probleme të mendimit shkencor shqiptar dhe jo thjesht të stafit akademik.
Sot pas një tranzicioni të mundimshëm, në përzgjatjen e të cilit ka pjesën e saj edhe mefshtësia e mendimit shkencor, ka nisur kristalizimi i Unit Kombëtar dhe i ekonomisë të modelit perëndimor. Shqipëria, e cila tashmë mund të quhet anëtare e NATO-s, ndodhet në paradhomën e BE-së. Kjo kërkon ripozicionimin e kërkimeve shkencore në drejtim të njësimit me standardet teknologjike, etike dhe kulturore evropiane dhe paraprirjen e zhvillimit të pritshëm nga mendimi shkencor. Sipas Testamentit të Ri "I pari ishte logosi", fjala në kuptimin e mendimit. Vetëm pas saj nisi procesi i krijimit.
Si i tillë procesi i konsolidimit të mendimit shkencor është "imperativ", në kuptimin e gjithanshëm të kësaj fjale: i domosdoshëm, thelbësor, urgjent dhe urdhërues. Detyra dhe përgjegjësia për këtë konsolidim i takon së pari Akademisë së Shkencave, forumit më të lartë të mendimit shkencor shqiptar. Ndërkohë Akademia është në gjendje fluide, në një pritje të zgjatur të reformimit dhe riformimit të saj. Ansambli akademik, i ripërtëritur në 80 % të tijin, paraqet ende një bashkësi të pahomogjenizuar dhe kryesorja pa objektiva dhe programe në pultin e komandimit.
Me ndryshimin rrënjësor të skemës, me shkëputjen nga tutela të institucioneve në vartësi, Akademia u çlirua nga përgjegjësia e drejtimit të tyre shkencor dhe njëkohësisht u privua nga merita e arritjeve shkencore të këtyre institucioneve. Sot ajo nuk mund të fshihet më pas konferencave dhe botimeve të tyre.
Nëse akademia do vazhdonte ta konceptonte veten thjesht si udhëheqëse projektesh nëpërmjet stafit të saj të ngushtë, përkatësisht si OJQ, si organizatë jo qeveritare/ qeveritare, si bashkëorganizuese konferencash dhe hartuese librash, kjo do ta kthente atë në një bashkësi "robotronësh" me statusin e dikurshëm të Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve. Si e tillë ajo do të ishte një stoli mjaft më "honorifike" se akademia e shkuar, do zhgënjente shpresat e qeverisë e cila i mirëbesoj asaj vetërregullimin dhe perspektivë logjike pas rivegjetimit do të kishte fikjen përfundimtare.
Padyshim që botimi dhe konferencat janë produkt dhe pjesë organike e jetës akademike, por ato produkte derivate, jo qëllime për justifikimin e qenies. Përparësi absolute e Akademisë nuk ka si të jetë prodhimi individual, i cili mund të kryhet dhe kryhet fare mirë edhe jashtë suazës së saj. Përparësi absolute e saj është organizimi dhe drejtimi i kërkimeve për zhvillimin ekonomik, teknologjik, social dhe shpirtëror të Kombit: Orientimi i kërkimit shkencor ndaj kërkesave parësore dhe mundësive për arritjen e rezultateve maksimale; koordinimi i veprimtarisë shkencore në shkallë kombëtare, paraprirja e strategjive afatgjata nga studimet disiplinore dhe ndërdisiplinore; pjesëmarrja në hartimin e politikave që nxisin zhvillimin shkencor; gjetja dhe stimulimi i metodikave bashkëkohore të bazuara në ligjet e zhvillimit të natyrës dhe shoqërisë; bashkërendimi i procesit didaktik me kërkimin; përkrahja e korpusit ekzekutiv nëpërmjet impulseve sugjerues; konferencat, jo thjesht jubilare por tematike, për probleme të rëndësishme të zhvillimit të Kombit; seminaret, emisionet dhe debatet publike për mendimin dhe kërkimin shkencor.

Në këto kushte nuk kërkohet lëmimi a përshtatja e skemave të trashëguara, por rikonceptimi rrënjësor i objektivave dhe krijimi i mekanizmave të duhura për vënien e tyre në jetë. Figurativisht Akademia nuk është më një lokomotivë e cila pas lëvizjes së levës nis rrugëtimin, por një lokomotivë e cila duhet konstruktuar dhe montuar nga e para. Si e tillë ajo nuk kërkon një staf drejtues makinistësh komodë, por një staf drejtues konstruktorësh vizionarë dhe kryesorja të sprovuar në qeverimin e suksesshëmshkencor.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË Empty Re: AKADEMIA SI KA QENË, SI ËSHTË

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 3:46 pm

Nga krijimi deri më sot
Për të shmangur gabimet dhe shkaqeve e gabimeve në të ardhmen, parashtrimi i parimeve dhe objektivave për të ardhmen kërkon së pari shqyrtimin e tyre në të shkuarën. Gabimi mund të jetë gabim vetëm një herë . I ripërsëritur ai është faj.
Akademia e Shkencave lindi në vitin ’72 si vitrinë shkencore e regjimit komunist dhe sufler i ekonomisë së planifikuar. Ndonëse me model arketipin sovjetik, plazmuesit e saj u përzgjodhën në baraspeshë: tetë intelektualë me formim perëndimor, kryesisht apartiakë- tetë intelektualë me formim lindor, kryesisht partiakë. Si i tillë edhe raporti ideologji dhe ekonomi komuniste/imazh kombëtar dhe progres shkencor ishte po në ekuilibër. Synimin e njohur si "diplomaci nëpërmjet shkencës", partia-shtet e arriti nëpërmjet caktimit në krye të Akademisë të një shkencëtari me formim perëndimor, nga e vetmja fushë e shkencës me korife Shqipërinë, nga albanologjia.
Akademia i shërbeu kërkesës bazë të partisë-shtet, "organizimit të veprimtarisë shkencore... në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe kulturës sipas udhëzimeve të Partisë dhe shtetit", si vitrinë elegante dhe hallkë e dobishme e ekonomisë së centralizuar. Brenda këtij kuadri partia-shtet përfitoi mbështetje ideologjike dhe sugjerime ekonomike dhe Akademia mbështetje financiare dhe strehë nga shiu acid partiako-burokratik. Por vetëm pesë vjet pas krijimit, autarkia e "mbështetjes në forcat tona" dhe impulset shkatërruese që partia-shtet i flaku turmës, "Kur flet klasa hesht burokracia, Luftë kundër shfaqjeve të huaja", e zëvendësuan logjikën shkencore me "iniciativat e masave", e kthyen Akademinë në klaxon të regjimit dhe ja zhbjerrën rolin e mecenatit të shkencës. Si e tillë ajo e priti rrëzimin e diktaturës me integritet dhe autoritet të rrënuar.
Pas simbiozës me partinë-shtet Akademia nuk kërkoi dialog me shtetin e ri, duke u kapsuluar si fosil i shtetit të vjetër. Ndonëse e njihte shembullin e simotrës çeke, e cila kërkoi dhe përfitoi nga shteti mbështetje financiare për vetëreformim, ajo nuk shfaqi kurrë një dëshirë të tillë, veçanërisht e pakuptueshme kjo për tetë vitet e pushtetit të majtë kur kishte në përbërje eksponentë politikë të këtij kahu.
Akademia nuk e kapi kuintesencën e sistemit të ri, i cili krahas parimit themelor, lirisë së individit, dallon thelbësisht nga sistemi i shkuar për vlerësimin e sendeve dhe dukurive sipas peshës së tyre reale dhe jo asaj propagandistiko-virtuale. Kjo i viktimizoi edhe institutet në vartësi, një pjesë e të cilëve nuk arriti të hyjë në lojën e ekonomisë së tregut dhe një pjesë tjetër u bë lojë e interesave të çikërrimta të tregut. Si e tillë akademia pushoi së qeni gjenerator dhe zbatues idesh dhe zinxhiri u shpërbë në hallka të veçuara.
Pasojë e kësaj shpërbërje ishte mefshtësia për zhvillimin ekonomik dhe ngjarjet e mëdha të Kombit, me shembull më të freskët Kosovën: Ndërkohë që Serbia vazhdon ta sjellë përqark botën e mbështetur në Memorandumin e Akademisë së saj, ndërkohë që kjo Akademi vetëm në tre vitet e fundit shkroi dhe financoi 820 libra dhe artikuj për Kosovën, Akademia e Shqipërisë dhe institutet e saja nuk hartuan as edhe një platformë të argumentuar për Kombin dhe Kosovën. Këto dhe e kthyen Akademinë në objekt reformimi dhe jo subjekt vetëreformimi, siç dhe i takonte të ishte, me pasojë humbjen e pjesëve që edhe mund t’i kishte ruajtur, si institutet e albanologjisë. Ripërsëris se këto mangësi nuk i theksoj për të gjetur kush e theu gotën, por për të shmangur thyerjen e gotës së re.
Gjendja e sotme
Akademia arriti në ditët tona si objekti i famshëm kantian "një send më vete, për vetveten". Si e tillë vendimi i pushtetit për riformulimin e saj ishte thjesht një domosdoshmëri.
Dy nga shkaqet kryesore të kthimit në "send më vete, për vetveten", ishin mosdëshira e futjes në hard disc-un e saj, në statut, e dy programeve bazë: Programit të dekalcifikimit, kufizimit të moshës së anëtarëve, dhe programit të shpolitizimit, bllokimit të infiltrimit në strukturat e saja të politicos-ve.
Këto dy tabu i shprishi kuadri i ri ligjor. Nëpërmjet mekanizmit të kufizimit të moshës, ai theu guaskën e kalcifikimin, duke i hapur rrugë fluksit të mendimit dhe energjisë së freskët, nëpërmjet mekanizmit të shpolitizimit bllokoi transferimin në te të konfliktit politik të ditës. Si të tillë thënien e kreut të ekzekutivit "kjo reformë është tërësisht jopolitike" e perceptoi si vullnet për kthimin e Akademisë së Shkencave në faktor kombëtar, me totem të vetëm Kombin.
Faktorin e tretë dhe vendimtar, vetëreformimin, kuadri ligjor ia besoi intelektit dhe ndërgjegjes së ansamblit të ri. Parë në këtë plan, nëse sipas përkufizimit të Universitetit të Yale-s "truri është materia që ka fituar vetëdijen e vetvetes", Akademisë i takon të fitojë vetëdijen e ndërgjegjes shkencore të kombit dhe përgjegjësinë morale që rrjedh prej saj. Kjo kërkon faktorizimin sa më të shpejtë të Akademisë sipas silogjizmit: Që akademia të faktorizohet, asaj i duhet autoriteti dhe prestigji. Që Akademia të jetë autoritare dhe prestigjioze, ajo duhet të arrijë rezultate të dukshme dhe konkrete. Që Akademia të arrijë rezultate të dukshme dhe konkrete ajo duhet të ketë objektiva të qarta, strukturë adekuate dhe drejtim dinamik.
Ritmet e sotme të zhvillimit kërkojnë paraprirjen e tij sa më të shpejtë nga mendimi shkencor, përkatësisht faktorizimin dhe vënien sa më të shpejtë në efikasitet të Akademisë. Duke ju rikthyer sërishmi për këtë figuracionit me lokomotivën si tërheqëse të mendimit shkencor, për lëvizjen para të lokomotivës, mjafton një e pesta e fuqisë që mund të zhvillojnë motorët. Fuqia e plotë kërkohet vetëm në nisje, për shkëputjen fillestare. Një aludim ky së pari për vetë Akademinë dhe më tej për shtetin, i cili ndjeu domosdoshmërinë e riformimit, më saktë formimit të saj.
Drafti
Sipas frazës më këmbëngulëse të statuteve akademike, thuaj të ripërsëritur në kalk, "Akademia, si bashkësi dijetarësh me kualifikim tejet të lartë, ka për detyrë themelore mbështetjen dhe koordinimin e aktiviteteve kërkimore-shkencore të pranuar si tejet të rëndësishëm për zhvillimin e Kombit". Jashtë çdo dyshimi ky duhet të jetë edhe objektivi i Akademisë së Shkencave, institucionit më elitar të shkencës shqiptare. -Ndërkohë kërkimi shkencor shqiptar shquan për efektivitet të ulët dhe impakt minimal në zhvillimin e vendit. Ai ndodhet i shpërndarë në njësi të vogla dhe të pakoordinuara, të cilat jo rrallë kryejnë dhe rikryejnë të njëjtin studim; metodika kërkimore është në cak ose jashtë standardeve bashkëkohës; angazhimi në hartimin e strategjive afatgjata i mefshtë, bashkëpunimi ndërkombëtar individual dhe rastësor, kërkimi universitar ende në shpërgënj. Si i tillë kërkimi shkencor qëndron dukshëm pas ritmeve të zhvillimit të vendit. Ndërkohë që ai duhet të ishte në ballë dhe ta paraprinte zhvillimin.
Për ta riparuar këtë prapambetje dhe për të përmbushur detyrën e saj themelore, "mbështetjen dhe koordinimin e aktiviteteve kërkimore të pranuar si tejet të rëndësishëm për zhvillimin e Kombit", Akademia duhet të respektojë teknologjinë bashkëkohore të kërkimit shkencor. E përshtatur nga The research Methods Knowledge Base kjo skemë mund të përmblidhet në këto zëra:
1. Sensorizim (mbledhje dhe stokim informacioni).
2. Përmimtimi (përpunim informacioni dhe skicim draft- përparësish).
3. Dedektim (zbulim defektesh dhe sinjalizim i korpusit ekzekutiv).
4. Sinkronizim (bashkërendim impulsesh me korpusin ekzekutiv)
5. Projektim (organizim hartimi projektesh parësore).
6. Konduktim (dërgim informacioni dhe projektesh në njësitë ekzekutive).
7. Katalizim (ndihmesë në përshpejtimin e vënies në jetë).
Zbatimi i një skeme të përafërt nga Akademia Kineze e Shkencave e ka kategorizuar këtë Akademi si "epiqendër të bum-it ekonomik kinez".
Një skemë e tillë bazohet domosdoshmërish në vendimmarrjen kolegjiale dhe zgjidhjet e bazuara në logjikën shkencore, jo në urdhrat administrativë; në veprimtarinë transparente dhe gjithëpërfshirjen, jo në vetëprivilegjimin e një stafi të ngushtë. E tëra kjo kërkon frymë ekipi, team spirit.
Për zbatimin e saj, përveç krijimit të një stereotipi dinamik qartësisht të dallueshëm nga i pari, kërkohet një strukturë diametralisht e ndryshme nga e trashëguara. Përmbledhtas mendoj se stafi i ri duhet të ngulmojë në:
1. Ndryshimin e strukturës ekzistuese, të përshtatshme për qeverisjen administrativo- burokratike të institucioneve në vartësi, por krejt të papërshtatshme për qeverisjen e kërkimit mbarëshkencor. Përkatësisht shpërthimin e uniteteve artificialë të fushave krejtësisht të largëta dhe shndërrimin në unitete dinamikë profesionalë dhe krijimin e njësive të specializuara për qeverisjen e projekteve.
2. Gjetjen e dialogut të munguar me shtetin në drejtim të ndihmës për krijimin e strukturës së re, pajisjen me mekanizmat e duhur ligjorë dhe nënligjorë, orientimin e veprimtarisë së Akademisë ndaj përparësive shtetërore, dhënien Akademisë të tagrit të konsulentit zyrtar për problemet e kërkimit shkencor.
3. Hartimin dhe miratimin e një statuti sipas modelit të Magna Carta-ve akademike ku të sanksionohet programi, objektivat, parimet etikedhe modus vivendi-i i Akademisë.
4. Bashkërendimin e aktivitetit, veçanërisht për problemet madhore të Kombit, me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, bashkëpunimin intensiv me akademitë, institucionet ndërkombëtare të specializuara për përkrahjen e aktivitetit shkencor dhe qendrat e mundshme donatore.
5. Përpilimin e listave të hierarkisë shkencore, krijimin bazuar në këtë hierarki të rrjetit sensorial pranë këshillave shkencore të institucioneve kërkimore dhe universiteteve, përfshirjen e këtyre institucioneve dhe universiteteve në jetën e Akademisë dhe depozitimin e informacionit të vjelur në një data-base interaktiv të shkencës shqiptare.
6. Vështrimin dhe katalizimin e sintezës mësimdhënie-punë kërkimore, duke u bazuar në përparsinë maksimale që shteti përgatitet t’i kushtojë studimit universitar, qenien e mbi 60% të stafit akademik profesorë universitarë dhe aderimin në sistemin e Bolonjës, i cili vitet e dyta ja kushton punës së pavarur kërkimore.
7. Komunikimin intensiv mediatik me synim njohjen e plotë nga të interesuarit të përmbajtjes, arritjeve, dhe ecurisë së shkencës shqiptare.
Përfundime
Në mbyllje dëshiroj të ritheksoj se për zhvillimin e sotëm dhe të nesërm, për konsolidimin e Unit Kombëtar dhe për integrimin e Shqipërisë në bashkësinë evropiane ku asaj i takon të jetë, është më se i nevojshëm një institucion elitar shkencor me ide dhe forcë për t’i vënë në jetë këto ide. Nëse këtij institucioni do t’i mungonte vizioni, kolegjialiteti, dinamizmi dhe ai do ta konceptonte veten thjesht si institucion "honorifik", trau virtual në supet e tija do të ishte tejet i lehtë. Nëse ky institucion do ta konceptonte veten si pjesë të Kombit, të zgjedhur nga Kombi, me mision prosperitetin e Kombit, trau do të ishte mjaft i rëndë. Ai do mund të mbahej vetëm nga një bashkësi që do ta kundronte këtëdetyrë si nder dhe detyrim moral para Kombit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi