Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

IDRIZ ZEQIRAJ:Letër e hapur Kryesisë qendrore të LDK-së

Shko poshtë

IDRIZ ZEQIRAJ:Letër e hapur Kryesisë qendrore të LDK-së Empty IDRIZ ZEQIRAJ:Letër e hapur Kryesisë qendrore të LDK-së

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 02, 2014 10:37 pm

Letër e hapur Kryesisë qendrore të LDK-së

IDRIZ ZEQIRAJ:Letër e hapur Kryesisë qendrore të LDK-së 758c0db71521661fda7d839d895c2ed6_L
 Fillimisht, ju uroj shëndet dhe mendje të shëndoshë!
 
     Vendimi për një koalicion të opozitës, me kryeministër Ramush Haradinaj, nga një parti minore dhe me shumë përfolje të bazuar, për të bëmat e saj të krimit dhe të haraçit, është skandaloz. LDK-ja është zotuar për luftimin e krimit të organizuar: zbulimin e vrastarëve të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të kryekomandantit Ibrahim Rugova. Ndërkohë, me koalicionin e bërë, me Ramushin kryeminstër, ajo po bën të kundërtën: po rehabiliton krimin dhe kriminelët. Dhe, kjo është marrëzi dhe krim që bën Kryesia Qendrore apo një klan brenda saj. 
 
     Kryesia Qendrore e LDK-së duhet të mblidhet menjëherë, të shqyrtojë modalitetet e koalicionit, ta ndihmojë kryetarin Mustafa të dalë nga bataku ku është zhytur. Dhe, arsyetimi është i gatshëm, i thjeshtë: Anëtarësia e LDK-së nuk aprovon, madje e kundërshton zëshëm zëvendësimin e kryeministrit në detyrë, me një kryeministër të ri siamezë.


Një aventurë e rrezikshme
           
     Vendimi i kryetarit Isa Mustafa, për ta pranuar kushtëzimin e Ramushit: "Ose unë kryeministër, ose shkova te Hashimi", është një aventurë e rrezikshme, me rrjedhoja fatale për LDK-në si dhe për vet karrierën Tuaj politike. Një mendje e ndritur thotë: "Gruas dhe kombit nuk i lejohet të bien viktimë e aventurierit të parë". Në rastin konkret, Ju, Kryesi e nderuar, jeni Kombi, sepse anëtarësinë e keni përdhosur, përtokur, madje edhe përmjerë e dhjerë.
 
     Më ndjeni për ndajshtimet, cilësimet jo edhe aq fisnike, por e vërteta duhet thënë troç, pa lajka, mëlmesa e hipokrizi.
 
     Konstatojmë me ngushëllim, kënaqësi e shpresë se shumë anëtarë të Kryesisë Qendrore, në veçanti të rinjtë, nuk aprovojnë koalicionin e kushtëzuar dhe të turpshëm. Atëherë shtrohet pyetja: Kush foli në emër të LDK-së për koalicionin dhe kushtet e tij?
 
     Është gënjeshtër e kulluar kur thuhet se "në LDK-e nuk ka krizë"! Kriza qëndron pikërisht brenda Kryesisë Qendrore, ku rrethi vicioz merr vendime pa e pyetur, pa e përfillur dhe duke e anashkaluar një pjesë të konsiderueshme të Kryesisë. Dhe, kjo e ka emrin krizë, madje shumë e thellë.
 
     Kermi denoncuar se brenda LDK-së, madje edhe në Kryesitë e Degëve dhe në Kryesinë Qendrore, ka depërtuar organizata ilegale e kriminale - SHIK-u. Kemi kërkuar hetimin, devalmimin, amortizimin e dëmëve të elementëve minues brenda LDK-së. Dhe, thirrjet tona kanë rënë në veshë të shurdhër!
 
     Nga ana tjetër, brenda Kryesisë të LDK-së ka burra e gra, djem dhe vajza si zana, nga familje me përballje me Jugosllavinë e vjetër dhe të re e deri në përballjet me hafijet e UDB-së, me "komandantët" vrastarë shqipfolës, të cilët e përgjakën Kosovën dhe e bënë hisedare pushtetare Serbinë në Kosovë. Andaj, këto kuadro, disa syrësh veç sa kanë hedhur hapat e parë në politikë, nuk duhet ta imitojnë peshkun, me heshtjen e tyre fatale për hir: të Kosovës, LDK-së dhe për vetë karrierën e tyre politike. 
 
     Duket sheshit se dikush, ose, më sakt, disa në Kryesinë Qendrore të LDK-së, janë të shantazhuar nga SHIK-u, janë të lodhur e molisur, andaj kanë zgjedhur sjelljen inferiore, nënshtrimin, karshi bandave të partive të krimit. Por, zvarritja neveritëse e tyre është fatale dhe vetëvrasje për LDK-në, Partinë masive e krenare të Presidentit histrorik, dr. Ibrahim Rugovës. 

Shifra moniste - enveriste

     Struktura aktuale e Kryesisë Qendrore të LDK-së, është një përfaqësim i harmonishëm brezash. Në Kryesi ka veteranë të LDK-së, brezi i mesëm dhe të rinjtë. Ndërsa ndarja kundërthënëse e brezave, nxitet nga SHIK-u, për ta realizuar një ndarje të re të LDK-së, për ta shuar përfundimisht forcën potenciale rivale, e cila e rrezikon seriozisht të majtën kriminale në pushtet.
 
     E keqja, tashmë, ka ndodhur. Kryetari aktual, me dinakëri përfide, realizoi 99 dhe 100 % të "votës" të Kryesisë Qendrore kundër rivalit Fatmir Sejdiu. Shifra të tilla moniste-enveriste, paradoksale për demokracinë, varrosën integritetin dhe persinalitetin e anëtarëve të Kryesisë. Demokracia brenda-partiake mori fund. 
 
     Kryetari Mustafa shkatërroi tërësisht votimin e fshehtë demokratik. Këtë rrënim e filloi në orën e parë të kryetarllëkut të tij, me leximin e listës emërore të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe "votimin" aklamativ!!! Me keqardhje më duhet të bëj një krahasim: Shumë më demokratike kanë qenë zgjedhjet në institucione e kolektiva punonjëse pas Plenumit të Brioneve të Titos, në vitet `60-a, që unë i kam përjetuar si mësues, se sa zgjedhjet partiake të LDK-së sot! Dhe, ky është alarm, që duhet të zgjojë nga përgjumja që nga aktivi i fshatit e deri në Kryesinë Qendrore të LDK-së. 
 
     Kundërshtisë të koalicionit, përkatësisht, ndarjes të posteve, për qeverinë e supozuar, "sejmenët" e kryetarit po i përgjigjen me kërcënime se kinse "kanë hyrë në LDK-e përmes oxhakut, derën e kanë të hapur"! Tashmë, pilafi nuk mbanë më ujë! Këta "sejmenë" që kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale për krime gjatë dhe pas luftës; që kanë mbrojtur krimin dhe kriminelët, madje edhe me shkrim, meritojnë të dalin jo nga dera, por të hidhën nga dritarja, si konformistë të partive të krimit. 
 
      Kundërshtarët dinjitozë brenda Kryesisë të LDK-së, nuk duhet të tërhiqen nga kërkesa e tyre parimore, sepse qeverinë e koalicionit nuk mund ta drejtojë njeriu i pavotuar, i pashkolluar dhe rrast i akuzuar, madje për shumëçka! Ata nuk mund t`i ndëshkojë as kryetari parashutuar në LDK-e dhe aq më pak "sejmenët" e tij. Ata gëzojnë respektin dhe përkrahjen e anëtarësisë të gjerë të LDK-së, madje edhe të shumë simpatizantëve, aktualisht, abstenues në votime, sepse klanet vicioze kanë zvetnuar shpresat e tyre për reforma dhe ndryshime, aq të nevojshme në LDK-e. 
 
     Kuadri i lartë i LDK-së, Arben Gashi, thotë: "Ende në asnjë forum partiak nuk është diskutuar për koalicionet dhe as për rezultatin e zgjedhjeve të fundit nacionale"!
     Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë: "Kryesia e LDK-së dhe degët e LDK-së e kanë përkrahur marrëveshjen LDK, AAK dhe Nisma"!
 
      Kujt t`i besojmë? Kryetarit jo, sepse ka mashtruar se "janë pajtuar Nëndegët e LDK-së në Prizren që Eqrem Kryeziu të jetë kandidat për kryetar komune". Por, rezultoi se nuk ishin pajtuar asnjëherë. Kryetari Mustafa, për inat të 12 Nëndegëve të LDK-së, e vuri Eqën në listën e kandidatëve për deputet! Dhe, Nëndegët e konfliktuara, fillimisht me Eqremin dhe tani edhe me kryetar Isën, nuk votuan asnjë nga deputetet e Isa Mustafës! E besoni Ju, Prizreni nuk ka asnjë deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës!!! Dhe, kryetari ynë e fundosi LDK-në në Prizren, qytet i dytë, për nga madhësia në Kosovë. Ia kemi thënë dhe përsëritur kryetarit Isa Mustafa se "inati në politikë është humbës"!
 
      Hyrjet në LDK-e kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të rregullta. Që nga grupi "Ora"; grupi i të rinjëve i futur në Kryesinë Qendrore në Kuvendin e 7-të; individë të zhgënjyer nga partitë tjera si publicistja Alma Lama, profesor Muhamet Mustrafa e deri ke prurjet e fundit: Nuredin Ibishi, Bajrush Morina, Valon Murtezaj, Bardhyl Metaj, Bajram Gecaj, Hysen Berisha, Naser Vllasi dhe personalitete të tjerë, nga fusha të ndryshme të kulturës, të shkencës, oficerë të karrierës e tjerë, kanë qenë vullnetmirë dhe pa hile, për të dhënë kontributin, ndihmesën e tyre në LDK-e.
 
     Ata kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për dobësitë dhe krizën në LDK-e, por kanë hyrë me qëllim absolutisht të mirë, sepse e dinë se baza e LDK-së është e shëndoshë, me vizionin e Presidentit të papërsëritshëm dr. Ibrahim Rugova. Gjithashtu, ata e dinë se Kosova është në krizë të thellë politike dhe institucionale, sepse udhëhiqet nga bandat kriminale, të cilat e gjakosën dhe e rropën me korrupsionin galopant, me hajnitë zyrtare. Andaj LDK-ja ka qenë dhe mbetet subjekti më serioz, shpresa e vetme për ta konsoliduar shtetin e brishtë të Kosovës,  pavarësisht krizës dhe hutisë aktuale, në mungesë të një personaliteti ose të një Kryesie që degjon dhe bashkëpunon me anëtarësinë e gjerë, ashtu siç vepronte në gjallje utaku  dhe hyjnori Rugovë. 

  Xeroja e Ramushit

       Deklarata e fundit e akademik Nexhat Dacit, për kushtëzimet e Ramushit, flet shumë. Ai tregon nulitetin, xerrësinë e kryeministrit të parapëlqyer nga Isa Mustafa me shokë. Kujt i duhet një kryeministër i dhunshëm?! Po fundja le të bëhet me Hashimin. Krejt e natyrshme. Bashkohen dy partitë banda, dy partitë e krimit, të cilat konkuruan, suksesshëm, pushtuesin në përgjakjen e Kosovës, duke vrarë në pusira e prapa shpine shqiptarët atdhetarë dhe krejt të pafajshëm, vetëm për ta marrë dhunshëm pushtetin në Kosovë. 
 
     Akademik Daci bëri gabimin vetëvrasës politik, duke hyrë në një parti krimi, rrjedhimisht, duke u bërë pjesë e krimit. Por, ja që pendesa ishte e pashmangshme. Megjithatë, "më mirë vonë së kurrë", - thotë urtia. Ai pranon të kthehet në LDK-e, madje pa kurrëfarë kushtesh. Zoti Daci e di mirë se LDK-ja është parti e vlerave dhe është krenari të jesh anëtar i saj. Ai duhet t`i kthehet shtëpisë së vjetër, kasollës gjigande të Presidentit Rugova.
   
     Është fakt se PDK-ja i ka fituar zgjedhjet dhe është e drejta e saj ta krijojë qeverinë. Nëse ajo dështon, fati i buzëqeshë LDK-së me "aleatë" ta provojë të njëjtën gjë. Në të kundërtën, u lihet radhë kalkulimeve tjera ose shkohet në rizgjedhje. Për çudë, koalicioni aktual, edhepse humbës, po vetëlavdërohet si fitues. Humbjen e zgjedhjeve, performancën shumë të dobët, po e paraqesin si fitore, për të mashtruar elektoratin e tyre, për të fshehur dobësitë, ndërsa institucionin moral të dorëheqejs as që e njohin. "Nisma", si parti rishtare, është më modeste, më simpatike dhe fituese.
 
    Largimi i Hashimit nga pushteti është detyrë, sepse ekziston dyshimi i bazuar se nëpërmjet spiunazhit francez, u vu në shërbim të Serbisë. Dhe, është Serbia ajo që po e mban atë në pushtet. Tashmë, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Dëmin që i solli Kosovës Hashimi me SHIK-un e tij kriminal, duke favorizuar Serbinë në Kosovë, është i skajshëm. Shpërdorimi i pozitës të kryeministrit, duke keqpërdorur pasuritë kombëtare, në dëm të brezave në rritje dhe të atyre që do të vijnë në jetë, është unikal në historinë e njerëzimit. 
 
     Shfrytëzimi i egër i këtyre pasurive, me qëllim të mbajtjes të pushtetit, është mjerim për këtë popull me vetëdije politike fatalisht të ulët. Mega - mashtrimi për hapjen e 200.000 vendve të punës, është rrugaçëri në tepëri. Kjo do të thotë të hapësh 200 fabrika apo ndërmarrje dhe të punësosh nga 1.000 punëtorë! Ndërkohë që, pothuajse, e gjithë pasuria shtetërore është shitur me shpërdorime kriminale. Edhe premtimi i Isa Mustafës, për hapjen e 120.000 vendeve të punës, nuk është real, sepse rrënimi ekonomik i Kosovës është katastrofal.
 
     Edhepse çfarëdo qeverie që të krijohet, nuk mund të jetë afatgjatë në rrethanat e tanishme, Kryesia e LDK-së duhet ta mendojë një figurë tjetër për kryeministër, sepse Isa Mustafa e ka humbur me dashje këtë të drejtë. LDK-ja, edhepse e bëri paqën dhe luftën, gjatë dhe pas luftës, ka qarë dhe vajtuar 1.800 veprimtarë dhe ushtarakë të saj të vrarë nga bandat e SHIK-ut. Qindra familje janë duke rritur mijëra jetimër. Krimet e Millosheviqit i vazhdoi SHIK-u vrastar. Dhe, sot, krejt lehtësisht, kryetari i LDK-së, me klanin e tij, i amniston, i rehabiliton, madje i gradon me poste kupolë!! 

LDK-ja duhet të krijojë një Këshill Qendror Zgjedhor


     LDK-ja dhe Kryesia e saj nuk duhet të humbasin kohë. Kryesia aktuale nuk mund t`i përgadisë zgjedhjet partiake, për vet rrethanat e krijuara. LDK-ja duhet ta krijojë një Këshill Qendror Zgjedhor, prej katër personave, dy nga themeluesit e LDK-së dhe dy të rinj, të cilët nuk kanë pretendime për t`u zgjedhur vetë në forumet e larta të partisë. Dhe, ata, me ndihmën e veprimtarëve kudo, në Kosovë dhe Mërgatë, të zgjedhin nënkëshillat, duke agjituar kudo për përfshirjen e të gjithë atyre që janë larguar si dhe të gjithë simpatizantët e Partisë të Presidentit Rugova. Të gjithë të zgjedhurit në nënkëshilla duhet t`i shtrohen votimit të fshehtë të aktivit përkatës, për ta pasur mbështetjen e gjerë. 
 
     Duhet të kthehet votimi i fshehtë në të gjitha forumet partiake. LDK-ja nuk duhet t`i presë zgjedhjet parlamentare me performancën aktuale, sepse do të jetë humbëse e radhës. Vërtet, nuk duhej të hynte as në zgjedhjet e qershorit, ashtu siç hyri, sepse elektorati është i zhgënjyer nga mashtrimi i madh për reformat në parti, të cilat nuk u realizuan asnjëherë.
 
     LDK-ja nuk i ka të tepërt askënd nga kuadrot dhe anëtarët e saj. Për atë nuk është i tepërt as Fatmir Sejdiu dhe as Isa Mustafa. Ata mund të drejtojnë arsimin, ekonominë, por jo edhe partinë, sepse kanë dështuar dhe kanë dëmtuar partinë me klanet e tyre, duke e anashkaluar Kryesinë dhe anëtarësinë. LDK-ja duhet t´i japë fund liderizmit personal dhe artificial. LDK-ja duhet t`i japë fund klaneve dhe rretheve vicioze, si në Kryesinë Qendrore, ashtu edhe në degët e shumta të saj. Vetëm lidhja dhe bashkëpunimi i sinqertë me bazën, me anëtarësinë e gjerë, mund t`ia kthejë namin, prestigjin dhe suksesin LDK-së. Dhe, këtë e pret jo vetëm anëtarësia klasike e Lidhjes Demokratike rë Kosovës, por edhe pjesa dërrmuese e popullit të Kosovës. 
 
        Uroj për mirëkuptim dhe pa hatërmbetje!
 
               I juaji me besë - IDRIZ ZEQIRAJ
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi