Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

SHUHET MJESHTRI I GJUHËS SHQIPE SHABAN DEMIRAJ

Shko poshtë

SHUHET MJESHTRI I GJUHËS SHQIPE SHABAN DEMIRAJ Empty SHUHET MJESHTRI I GJUHËS SHQIPE SHABAN DEMIRAJ

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 31, 2014 6:12 pm

SHUHET MJESHTRI I GJUHËS SHQIPE SHABAN DEMIRAJ Poliglotet-pasditetch

SHUHET MJESHTRI I GJUHËS SHQIPE SHABAN DEMIRAJ

Ndahet nga jeta gjuhëtari Shaban Demiraj. Libri i tij i fundit, “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, në proces botimi

Gjuha shqipe ka humbur dje pasionantin e saj më të madh. Shaban Demiraj, gjuhëtar i klasit të parë, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave, autor i librave të çmuar për prejardhjen, historinë e gjuhës shqipe, mësues i shquar për breza të tërë gjuhëtarësh vendas e të huaj, ka mbyllur sytë përgjithmonë dje në moshën 94-vjeçare. Lajmi u përcoll në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave, ku sot, në sallën “Aleks Buda”, do të kryhen homazhet nga ora 11:00-12:00. Vetëm pak kohë më parë, prof. Demiraj ribotoi veprën “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, 25 vjet pas botimit të saj të parë. Një vepër me vlera aktuale për Albanologjinë. “Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga botimi i parë i saj, ajo zë kreun e vendit dhe mbetet një literaturë e domosdoshme dhe aktuale për këtë lëmi dijesh, jo vetëm për gjuhëtarët e studentët, por edhe për një lexues më të gjerë, i cili kohët e fundit është përballur edhe me përsiatje diletante në këtë fushë të rëndësishme studimesh të historisë së popullit tonë dhe të gjuhës së tij të lashtë”, do të shprehej studiuesja Mimoza Kore, gjatë promovimit të këtij libri. Prof. Demiraj kishte çuar në proces botimi një tjetër vepër të rëndësishme, të cilën s’mundi ta shihte të botuar, “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, nën kujdesin e profesor Bardhyl Demirajt. Gjuhëtari, profesori, akademiku, “Mësuesi i Popullit”, i laureuar disa herë me Çmim Republike, “Mjeshtri i Madh i Punës”, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Shaban Demiraj lindi në Vlorë. Kreu shkollën e mesme në Tiranë dhe studimet e larta në degën e Gjuhës Shqipe e të Letërsisë në Institutin Pedagogjik dyvjeçar (1946–1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1955). Disa vjet punoi si mësues në disa shkolla të mesme. Nga viti 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në UT, ku shërbeu deri në vitin 1990. Ai ishte një autoritet shkencor elitar, një nga përfaqësuesit më të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai i solli shkencës gjuhësore shqiptare, por edhe ballkanike, vlera të mëdha përmes shumë veprave monumentale, ku veçohen: “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, “Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe”, “Gjuhësi ballkanike” etj. Akademiku Shaban Demiraj është autor i shumë artikujve shkencorë të botuar në revista shkencore prestigjioze vendase e të huaja për çështje të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës dhe të fonetikës historike, si edhe të ballkanologjisë. Si pjesëmarrës aktiv në vendimet më të rëndësishme të shqipes standarde, ai ishte njëherësh edhe nga protagonistët kryesorë të përgatitjes së dokumenteve bazë saj. Mendimit shkencor të akademikut Shaban Demiraj i referohet sot brenda dhe jashtë vendit elita e gjuhësisë së sotme dhe historike. Ai e përfaqësoi me dinjitet shkencën gjuhësore shqiptare në forumet më të rëndësishme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Shaban Demiraj, si pedagog dhe si drejtues kërkimor, përgatiti breza studentësh dhe studiuesish. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe shkencore dhe njerëzore. Por ai lë pas një vepër të madhe, një pasuri shkencore, një vlerë të madhe kombëtare, një pasuri monumentale për breza.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi