“Ringjallet” Rexhep Qosja, lavdëron me shpirt Enver Hoxhën dhe rikujton armiqësinë e vjetër me H.Aganin, I.Rugovën, RIsmajlin e A. Podrimen
Faqja 1 e 1
“Ringjallet” Rexhep Qosja, lavdëron me shpirt Enver Hoxhën dhe rikujton armiqësinë e vjetër me H.Aganin, I.Rugovën, RIsmajlin e A. Podrimen
“Ringjallet” Rexhep Qosja, lavdëron me shpirt Enver Hoxhën dhe rikujton armiqësinë e vjetër me H.Aganin, I.Rugovën, RIsmajlin e A. Podrimen
Është botuar nga “Toena” vëllimi i katërt i ditarit të akademikut Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”. Në të përfshihen vitet 1982-1983 ku autori tregon për përplasjet politike të asaj kohe me nomenklaturën komuniste të Kosovës, dilemat e tij me Kadarenë etj.
Rexhep Qosja
11.1.1982
Është ora 12.
Jam në ndërtesën e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Kam ardhur në takimin e caktuar me kryetarin e Komitetit, shokun Veli Deva. Më pret shefi i kabinetit të tij.
– Urdhëroni, thotë, profesor, shoku Veli po ju pret. Kryetari i Komitetit, Veli Deva, më pret buzëqeshur… Më shikon përqendrueshëm dhe vazhdon:
– Jam informuar se nuk ke marrë pjesë në mbledhjen e Aktivit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve me arsyetimin se ke shkuar ta vizitosh nënën e sëmurë rëndë në vendlindje. Të dhënat e siguruara prej shërbimit përkatës të Malit të Zi kanë treguar se ky ishte vetëm pretekst për të mos marrë pjesë në atë mbledhje. Më vonë, mbas mbledhjes së këtij Aktivi të Akademisë, në të cilën kanë marrë pjesë dhe kanë folur të gjithë shokët tu, nuk ke bërë asgjë që të ndihmosh rreth stabilizimit të gjendjes së Krahinës. Për këto arsye njerëzit tani po bëjnë pyetjen: ku është Rexhep Qosja? Pse nuk shihet? Pse nuk dëgjohet? E neve na duhesh si emër, si njeri, si profesor I studentëve, si shkencëtar, si akademik. Anijen tonë gati të fundosur duhet ta shpëtojmë dhe ta drejtojmë vetë. Ti me talentin, me autoritetin dhe me përkushtimin e studentëve ndaj teje ke mundur të na ndihmosh shumë. Vërtet shumë. Por, këtë ndihmë e kemi pritur kot prej teje. Në këso situate, kur ti hesht, ne nuk e quajtëm të arsyeshme të botohet dorëshkrimi yt, që ishte paraparë në planin botues të Bashkësisë së Punës Shkencore. Më shikon, prapë, përqendrueshëm, por kësaj radhe shpresëdhënshëm, dhe thotë:
– Nuk do të lejojmë që të ndalohet gjatë botimi i veprave tua. Por, as ti nuk duhet të lejosh që emri yt të shfrytëzohet prej atyre që nuk dëshirojnë ta shpëtojmë anijen tonë dhe që të jemi vetë drejtues të saj.
Them: – Shoku Veli, ju faleminderit që gjetët kohë për këtë bisedë me mua. Dhe, ju faleminderit për premtimin se ndalimi i botimit të veprave që do të shkruaj nuk do të jetë i gjatë.
Shkarkimi
Pyet më e talentuara – ajo që nuk e ka adet të heshtë: kryetarja e Pleqësisë, Shefkije Islamaj: – Prej kujt, shoku drejtor, prej cilës linjë, është kërkuar dorëheqja juaj: prej themeluesit – Kuvendit të Kosovës a prej Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës?
– Dorëheqja ime, them, është kërkuar prej Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës, të cilin, për kërkimin e kësaj dorëheqjeje, si më është thënë, e ka angazhuar Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Arsyet pse më kërkohet kjo dorëheqje, më thanë në Komitetin Komunal, janë: e para, pse unë nuk kam marrë pjesë në mbledhjet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në të cilat janë dënuar demonstratat e rinisë sonë studentore dhe shkollore dhe, e dyta, pse nuk kam bërë asgjë që do t’i kontribuonte qetësimit të situatës politike në Kosovë pas demonstratave të marsit dhe të prillit të vitit të kaluar, 1981. Duke parë se nuk ka kandidat për diskutim, kryetarja e Pleqësisë i fton anëtarët të votojnë: – Kush është për pranimin e dorëheqjes së drejtorit? Heshtje. Nuk ngre kush gishtërinjtë. Pas pak, kryetarja e Pleqësisë i fton prapë anëtarët që të votojnë. Prapë heshtje. Prapë nuk ngre kush gishtërinjtë.
24.2.1982
Siç po shihet, dhe siç po shkruhet në gazetën Rilindja, dhe siç po dëgjohet në Radio, prej radhës së shkrimtarëve, publicistëve, kritikëve letrarë, gjuhëtarëve, që përbënin atë klanin që ishte turrur t’i shtinte në duar të gjitha mjetet e informimit dhe institutet shkencore pas demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore, po rekrutohen: ata që po shkruajnë fjalë hyrëse mbi lirinë e krijimtarisë sot – në kohën kur kjo liri po shtypet më fort se ndonjëherë deri sot në Kosovë; ata që po shkruajnë për letërsinë dhe klasën punëtore; ata që po shkruajnë për vetëqeverisjen “ideale” në veprimtarinë botuese; mandej zëdhënësit e burokracisë; apologjetët e poetëve zyrtarë dhe të fjalimshkruesve të zyrtarëve; glorifikuesit e redaktorëve të rubrikave kulturore; diferencuesit e mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme; antitalentët që nesër e pështyjnë atë që kanë thënë sot, kurse sot atë që kanë thënë dje. Tani janë turrur të zënë karrige politike disa prej atyre që shkruanin kundër meje para demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore: njëri prej tyre është propozuar anëtar i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës; tjetri është zgjedhur sekretar i Organizatës Themelore të Lidhjes së Komunistëve në institucionin ku punon; i treti është zgjedhur sekretar i organizatës themelore të Lidhjes së Komunistëve në krejt Fakultetin ku punon dhe ka paraqitur referat shumë të lavdëruar prej përfaqësuesve të Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Prishtinës për emonstratat e rinisë studentore dhe shkollore, të cilat i ka dënuar shumë ashpër si demonstrata armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste! I katërti me të parin, me të dytin e të tretin i “përfaqësojnë gjithë krijuesit tanë të përndjekur partiakisht e zyrtarisht në mjetet e informimit – vetëm ata shihen e dëgjohen në to; dhe flasin për sponsorët e tyre kulturorë në to. E këta janë Hilmi Agani, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli e Ali Podrimja. Këta janë të përdorurit e imtë partiak, kurse të përdorurit e mëdhenj janë Hajredin Hoxha, Syrja Popovci, Azem Shkreli e disa të tjerë!
Të gjitha këto që po i shkruaj tani këtu për këta individë ndoshta janë cikërrime të parëndësishme, të padenja për vëmendje! Pse atëherë po i shkruaj? Po i shkruaj thjesht që të shohë lexuesi i ardhshëm i këtij ditari dhe studiuesi i ardhshëm i letërsisë sonë të sotme se çka krejt bën politika me intelektualët, se sa e se si i përdor, se si i shpërdor, se si e dëmton punën e tyre krijuese dhe se si përmes tyre e dëmton krijimtarinë tonë shpirtërore në përgjithësi.
19.1.1982
Çfarë shkrimtari është ai të cilit letërsia nuk i sjell të padëshiruara, të papritura, madje, krajata, që s’do të mund t’i harrojë kurrë? Shkrimtari të cilit letërsia nuk ia bën shpesh të padurueshme jetën është ose shkrimtar që ua puth duart pushtetarëve, që i shërben përulshëm pushtetit ose shkrimtar që zbavit, vetëm zbavit, lexuesit me shije të ulët e me kërkesa banale shpirtërore. Ismail Kadare është shkrimtar që i shërben pushtetit dhe ua puth duart pushtetarëve, kurse Rifat Kukaj shkrimtar që zbavit fëmijët. As njëri, as tjetri, sigurisht, në asnjë mënyrë nuk do të donin ta ndërronin fatin e tyre me Solzhenjicinin.
14.4.1982
Më në fund, pranoj të bëjmë bisedën. Gazetari Ibrahim Kadriu është njëkohësisht poet, për përmbledhjen poetike të të cilit, Netët e Karadakut, kam shkruar në vitin 1969 dhe kam shkruar me dashamirësi. Ardhja e tij për bisedë me mua, pa dyshim, është qëllimmire edhe në qoftë se gatishmëria e Rilindjes për bisedë me mua mund të mos jetë qëllimmire. I dëgjoj pyetjet. Nuk më pëlqejnë. Ato përmbajnë një shikim të bodrumtë për ngjarjet, dukuritë, veprimtaritë, idetë, që karakterizojnë këtë kohë!
Ato përmbajnë shumë thashetheme!
Kureshtjen time e zgjon vetëm pyetja që ka të bëjë me artikullin e përkthyer të dy gazetarëve francezë kushtuar Ismail Kadaresë. Në shkrimin e tyre, këta dy gazetarë, sigurisht të porositur dhe natyrisht të paguar prej botuesit të librave të Ismail Kadaresë në frëngjisht, thonë se me ndryshim prej shkrimtarëve të njohur të vendeve socialiste, të cilët, zakonisht, janë shkrimtarë disidentë, Ismail Kadare është shkrimtar i njohur shqiptar, që i shërben regjimit.
Dhe, megjithëse i shërben regjimit, në disa romane kryesisht i shpëton realizmit socialist. Dhe, thonë se patosi i tij historik romantik perceptohet si një vlerë e librave të tij. Dhe, thonë se edhe ai është gjetur ndër shkrimtarët e vendeve komuniste që janë propozuar për Çmimin Nobel: i vetmi shkrimtar komunist, që i shërben regjimit, I propozuar për Çmimin Nobel! Çudi, vërtet, çudi teorike dhe etike se si dy gazetarë francezë nuk thonë se Ismail Kadare jo vetëm se i nënshtrohet dogmës së realizmit socialist në romanet e tij më të çmuara në Shqipëri “Dimri i Madh” dhe “Kështjella”, por është zëdhënës teorik, ideologjik dhe politik i realizmit socialist në Shqipëri. Ai e sulmon, duke e quajtur të degjeneruar ideologjikisht, politikisht e moralisht letërsinë moderne evropiane dhe amerikane dhe e shpall të amshueshëm, duke e lavdëruar politikisht, ideologjikisht dhe teorikisht realizmin socialist.
Ai e sulmon, duke e quajtur eksploatuese dhe kundërhistorike ideologjinë demokratike të vendeve perëndimore, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e quan ndriçuese, shpëtimtare për njerëzimin ideologjinë komuniste, madje, ideologjinë staliniste.
Ai e sulmon, duke e quajtur imperialiste, eksploatuese, reaksionare politikën e sotme të vendeve demokratike të Evropës e në mënyrë të veçantë politikën e sotme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse e quan të drejtë, çlirimtare, humane politikën e vendeve komuniste, posaçërisht politikën staliniste me përjashtim të politikës së Bashkimit Sovjetik, të cilën e quan revizioniste pas ardhjes së Nikita Krushçovit në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik!
Ai e sulmon, duke e quajtur të papranueshëm ndikimin e mundshëm të letërsisë bashkëkohore perëndimore, domethënë moderne në letërsinë shqipe. Ai i sulmon kritikët shqiptarë, në të vërtetë ai sulmon Rexhep Qosjen, që mbron nevojën e lidhjeve sa më të ngushta të letërsisë së sotme shqipe me letërsinë evropiane dhe mbron domosdonë e evropianizimit të saj, domethënë të lirimit të saj prej dogmës së realizmit socialist.
Nuk ka dyshim se Ismail Kadare është një prozator dhe poet me dhunti krijuese, por viktimë intelektuale dhe morale e kushteve politike dhe ideologjike, në të cilat jeton dhe e karakterit të tij pa dyshim të paqëndrueshëm.
Hajde e mos e shkruaj në këtë ditar se dy gazetarët francezë shkruajnë për Ismail Kadarenë si njerëz që bëjnë propaganda për të dhe për botuesin e tij, por propagandë që i shërben frenueshëm, i shërben për të keq letërsisë shqipe dhe krijimtarisë së mëtejme edhe të vetë Ismail Kadaresë! Por, vetëm pak nga këto gjykime e vlerësime për krijimtarinë e Ismail Kadaresë ia them gazetarit Ibrahim Kadriut. E përfundojmë një bisedë – të varfër, natyrisht me fajin tim.
25.6.1982
Njeriu që merr penën të shkruajë për letërsinë, sidomos në kohët e krizave politike, shoqërore dhe morale, që herët më të shpeshta janë kohë të tërbimit të pushtetit, nuk duhet të harrojë kurrë se: vetëm letërsia që me gjuhën artistike paraqet dhembjet, vuajtjet, mjerimin moral, përmbysjen e vlerave, kundërshtitë shoqërore, dramat dhe, madje, tragjeditë e vetëdijes – se vetëm një letërsi e tillë është në gjendje të kryejë funksionin që i takon shpirtëror dhe moral, të kryejë në të vërtetë një funksion shërues, sepse vetëm një letërsi e tillë mund të nxisë reflekset e shërimit.
E regjimet politike totalitare, më dukshëm se të gjitha të tjerat, një letërsi të tillë e shikojnë me dyshim ose, madje, e censurojnë rrënjësisht. Në rastet më të shpeshta njerëzit e regjimeve të tilla i gjejnë krijuesit e rremë, që do të predikojnë pajtimin e përgjithshëm ndërmjet politikës dhe krijimtarisë, ndërmjet të sotmes dhe krijimtarisë së saj. Një rol të tillë në letërsinë shqipe në Shqipërinë shtetërore sot po e luan me ndikim të veçantë prozatori, poeti dhe publicisti i talentuar Ismail Kadare: ai ka marrë mbi vete rolin e zëdhënësit krijues të stalinizmit në politikë dhe të realizmit socialist në krijimtarinë shpirtërore në gjuhën shqipe! Të tjerët që kryejnë të njëjtën detyrë, por nuk kanë dhuntinë e tij, nuk po i përmend.
1.12.1982
Po i quajnë politikë, politikë e mençur, madje, politikë atdhetare, të gjitha ato gënjeshtra e poshtërsi që po thuhen e po shkruhen për Shqipërinë! Për Shqipërinë sot e, ndonjëherë, edhe për Shqipërinë dje e pardje! Jo, jo, ato që këtu po thuhen e po shkruhen për Shqipërinë ato nuk bëjnë një politikë të mençur, as një politikë të dinjitetshme, prandaj as një politikë atdhetare; jo; ato bëjnë një fushatë! Ato bëjnë një politikë zvarranikësh! Ato bëjnë një politikë nënbishtash!
Ato që po thuhen e po shkruhen sot për traditën historike dhe kulturore të popullit shqiptar; ato që po thuhen e po shkruhen sot kur e kur këtu, në Prishtinë, e pandërprerë atje, në Serbi, në Beograd, për traditën historike dhe kulturore të popullit shqiptar, ato po i quajnë, seriozisht po i quajnë shkencë, zyrtarët dhe lakenjtë e tyre intelektualë! Jo, jo, ato që kur e kur këtu e pandërprerë në Serbi, në Beograd, po thuhen e po shkruhen për traditën historike dhe kulturore të popullit shqiptar ato janë një fushatë kundërshkencore kundërshqiptare, pa asgjë shkencore, pa asgjë të ndershme dhe asgjë të vërtetë.
Ato që po thuhen e po shkruhen sot këtu, në Prishtinë dhe ato që po thuhen e po shkruhen sot atje, në Beograd, për Enver Hoxhën dhe për udhëheqjen shqiptare, ato po quhen politikë, shkencë dhe histori – të gjitha gjoja të dëshmuara me të dhëna të përtashme dhe historike, thuhet!
Jo, jo, ato as politikë e vërtetë, as shkencë, as histori nuk janë: ato janë vetëm prodhime të gënjeshtërta propagandistike shoviniste. Në gjithë këtë çervish politik, pseudoshkencor dhe pseudohistorik, ndërkaq, ka vetëm një të vërtetë dhe kjo është e vërteta se Enver Hoxha është diktator, kurse politika që ai me udhëheqjen shqiptare zbaton në vendin e vet është një politikë staliniste. Të tjerat, të gjitha të tjerat, për të sotmen dhe të djeshmen e tij janë krejt trillime e kjo krejt trillime domethënë plotësisht gënjeshtra. Enver Hoxha, vërtet, është diktator, por ky diktator e ka bërë Shqipërinë shtet të fortë, me identitet të fortë shtetëror dhe kombëtar, me institucione shtetërore, arsimore, shëndetësore, shkencore, kulturore, ekonomike e të tjera. Enver Hoxha, vërtet, bën politikë staliniste, të hapur, të pa fshehur, të pa mbuluar staliniste, madje edhe vetë e quan të tillë: staliniste.
5.2.1983
Nuk është arsyeja vetëm koncepti pse nuk do të shkruaj çka kërkojnë Partia e pushteti. Janë arsye të mëdha pse nuk do ta kryej detyrën e caktuar në mbledhjen në Lidhjen Socialiste të Popullit Punues. E para, s’ka zot që të më bëjë të shkruaj kundër Shqipërisë dhe Enver Hoxhës. E dua Shqipërinë se është atdheu ynë dhe e kuptoj adhurueshëm prijësin e saj të sotëm, Enver Hoxhën. E dyta, dëshiroj që puna ime krijuese të vihet mbi interesat momentale kohore dhe hapësinore. Dëshiroj që krijimtaria ime letrare dhe shkencore të ruajë vlerë më gjatë dhe më gjerë dhe ashtu më gjatë e më gjerë mund ta ruajë vlerën vetëm në qoftë se nuk ndotet prej interesave të çastshme politike. Kur them se krijimtaria ime duhet të jetë mbi interesat momentale kohore mendoj se duhet të ketë vlerë të gjithmonshme e kur them se duhet të jetë mbi interesat e ngushta hapësinore mendoj se duhet të ketë vlerë gjithëkombëtare.
29.2.1983
Për çdo intelektual, që do të jetë intelektual i vërtetë e jo zëzmadhues politik si Syrja Pupovci e Hajredin Hoxha në Prishtinë dhe si Ismail Kadare dhe Llazar Siliqi në Tiranë, është jashtëzakonisht e rëndësishme të jetë prift i dyshimit. Vetëm duke dyshuar, para së gjithash duke dyshuar në të vërtetat që të vërteta i shpall politika dhe zbatuesit e saj me shërbëtorët e tyre, ne mund të hetojmë e të mbrojmë të vërtetën. Në të vërtetë prift i dyshimit duhet të jetë çdo shkencëtar: shkencëtar I shkencave historike e shoqërore dhe shkencëtar i shkencave natyrore e matematikore.
botapres
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi