Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zbulhen eshtrat e At Gjergj Fishtës

Shko poshtë

Zbulhen eshtrat e At Gjergj Fishtës Empty Zbulhen eshtrat e At Gjergj Fishtës

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:40 pm

Letër e hapun:

TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË

MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!

Për dijeni:

Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë,

Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,

Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,

Z.Jozefina Topalli, Kretar i Kuvendit Popullor, Tiranë,

Z.Prof.Dr. Sali Berisha, Kryeminister i Republikës së Shqipnisë,

Z.Prefektit të Shkodres,

Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres,

Z.Prokurorit të Shkodres,

Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,

Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!
ESHTNAT E AT GJERGJ FISHTËS O.F.M. JANË NË RËMAJ !...


Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: "Shko e thuaj Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!... Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas se boll kam heshtë!...

Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.

Mbas pak minuta heshtje, më tha: "Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë..." Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: "Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,... se je i ri e njëditë...këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës...". U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan. Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.

Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t'ishte pyetja ime: "Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të "tretuna" në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?"....Më shpjegoi se: "Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni. Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë "thesin e qimentos". Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.

Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin.

Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rëmajit".

Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi, jemi gjallë... tjerët jo!...

Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse "demokratët" shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër "Shyqyri Rrjoll", që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën:

TURPI DO TI MBETËT VETËM SHKODRËS DHE VETËM ASAJ!

Shenim:

•Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjigjë.

•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.

•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjigjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.

Fritz RADOVANI,

Melbourne, 6 Prill 2008.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zbulhen eshtrat e At Gjergj Fishtës Empty Re: Zbulhen eshtrat e At Gjergj Fishtës

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:41 pm

Nxjerr sekretin pas 41 vjetësh: Unë e di ku ndodhen eshtrat e Gjergj Fishtës

Shkruar nga Qamil Xhani

e mërkurë , 09 prill 2008, Tir Observer

Mund të kemi të bëjmë me një zbulim historik. Dhe, nëse është tamam kështu, atëherë eshtrat e të madhit Gjergj Fishta do të gjejnë pak prehje. Fritz Radovani, një studiues shqiptar që jeton në Australi, pas 28 vitesh ka vendosur të nxjerrë sekretin e jetës së tij. "Eshtrat e At Gjergj Fishtës ndodhen në varrezat e Rëmaj të Shkodrës", thotë ai. Një punonjës që kishte marrë përsipër zhdukjen e tyre, i ka rivarrosur ato, 41 vite më parë, në varrezat e Shkodrës.
Në një letër publike, Radovani tregon gjithë historinë sesi u shpëtuan eshtrat e gjeniut Fishta, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë dhe variantin e njohur deri më sot për hedhjen e tyre në lumin Drin. Një ngjarje që prej vitesh është pjesë e debatit kur flitet për autorin e madh dhe që djali i ish-mikut të Fishtës, Radovani, i shton dhe variantin e tij, që gjithsesi vlen të merret në konsideratë. Letra i drejtohet organeve më të larta të shtetit shqiptar, kryeministrit, kryeparlamentares dhe institucioneve fetare.
Historia
Fritz Radovani është një ndër të paktët dëshmitarë të mbetur gjallë që dinë fatin e eshtrave të Gjergj Fishtës. Ka vendosur të thyejë heshtjen, duke hedhur poshtë variantin zyrtar që njihet deri më sot. Sipas tij, pas dhunimit që iu bë varrit të At Gjergj Fishtës, zyrtari që kish marrë përsipër hedhjen e tyre në lumin Drin nuk iu bind urdhrit, por i varrosi përsëri eshtrat e poetit kombëtar në varrezat e Shkodrës. Një vend që u mbajt sekret prej shumë pak vetash. Madje edhe pas viteve 1990, kur gjërat u duk se ndryshuan. Zbulimi i varrit të fshehur të Fishtës është një rastësi dhe për Radovanin. Ka qenë vitit 1980 kur i është dashur të shkonte në varrezat e Rëmajt për të kërkuar një të afërmin e vet. Deri në atë moment sekretin e eshtrave të Fishtës e ka ditur vetëm roja i varrezave, Gjon Gjergji. Ky i fundit ia ka rrëfyer Radovanit si një sekret që duhet ta mbante me vete gjithë jetën.
"Mbas pak minuta heshtjeje, më tha: "Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë..."
Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numëroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: "Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këtë vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,... se je i ri e një ditë... këtu, unë kam futë një thes çimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës...", shkruan në letrën e tij Radovani takimin me Gjon Gjergjin në vitin 1980 në varrezat e Shkodrës.
Si u rivarros Fishta
Ironikisht në Shqipërinë e pas viteve 1990, më shumë debate ka pasur për varrin e Fishtës sesa për kontributin dhe dëmin që komunizmi i bëri veprës së tij. Më 1967 regjimi komunistët bëri aktin më çnjerëzor, zhvarrosjen e eshtrave të Fishtës. Më pas gjithçka i është lënë në dorë fantazisë. Diçka mes gjysmë reales dhe krijimtarisë popullore. Burime thonë se eshtrat e tij pas zhvarrimit u hodhën në lumin Drin. Por pa e saktësuar në cilin vend si dhe kush i hodhi. Ndërsa në dëshminë e Fritz Radovanit historia duket sikur merr fund. Gjergj Fishta nuk mund të ketë një varr pa emër. Radovani sjell dëshminë e rojës së varrezave që ka qenë dhe një nga pak personat që i kanë rivarrosur eshtrat e Fishtës. Bëhet fjalë për 41 vite më parë dhe pikërisht në 20 mars 1967, kur ateizmit i diktaturës komuniste mori përsipër çrrënjosjen e kulturës fetare në Shqipëri. Dhe çrrënjosja nuk ishte vetëm një figurë letrare. Në varrin ku prehej Fishta në kishën e Gjuhadolit, njerëz të shtetit bënë dhe zhvarrimin e poetit më të lavdishëm shqiptar. Urdhri ishte që eshtrat të hidheshin në lumin Drin. Dhe për 41 vite të gjithë mendojnë se ky ishte fundi i eshtrave të Homerit shqiptar. Por Radovani sjell në kujtimet e tij dëshminë e rojës së varrezave.
"Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15:00 në shtëpi të Gjonit, ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni.
Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë "thesin e çimentos. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 - 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhet të fliste me asnjë person", shkruan Radovani në letrën e tij.
Veç Fritz Radovanit, për varrin e fshehur të Gjegj Fishtës ka dijeni dhe Anton Benussi. "Për këtë çështje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre persona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe më 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi, jemi gjallë... tjerët jo!", thotë Radovani.
Kuvendi Françeskan
Në Kuvendnin e Françeskanëve në Shkodrës është një varri i Fishtës. Por më shumë sesa varr, aty gjenden pjesët e turpit, që ata që e zhvarrosën Fishtën më 20 mars të vitit 1967, nuk i morën. Institucionet shtetërore kanë marrë dëshminë e Fritz Radovanit që në muajin tetor të vitit të kaluar. E megjithatë asgjë nuk është bërë deri më sot për eshtrat e poetit kombëtar. Ndërsa një verifikim i dëshmive të Radovanit me analiza që mund t'i bëhen varrit, do të zbardhte përfundimisht të vërtetën. Sot ka një gjysmë varr, por kurrë thashethemet dhe debatet për këtë çështje nuk janë darovitur, askush nuk pranon ta marrë si të mirëfilltë atë që kanë servirur organet e shtetit komunist.
Në kërkim të varrit
Deri në vitet 1990, Fishta ishte poeti i anatemuar. Një njeri që çdo shtet do ta kish për nder ta kishte në panteonin e vlerave kombëtare. Mirëpo, ja që komunistet mund t'ia lejonin vetes luksin të mos e përmendnin, madje dhe në botimet shkollore. E ndërsa për veprën dihej pak, për fundin e jetës së tij dhe për varrin dihej dhe shumë më pak. Janë një mori pikëpyetjesh që ngihen për këtë çështje dhe që zor se do të marrin fundin. Të vetmen dëshmi të parë të saktë duket se e sjell Fritz Radovani, kur jep shpresë se dikush në momentet e komunizmit ekstrem, ka menduar t'i shpëtojë eshtrat gjeniut Fishta. Kisha Françeskane në Gjuhadol të Shkodrës u përsos në vitin 1967 nga një objekt kulti në një stallë dhe magazinë të komunizmit, dhe askush nuk u mendua se aty prehej dhe Gjergj Fishta. Ndërsa burime studimore thonë se në të njëjtën kishë, ku u varros Fishta, ishin dhe eshtrat e një tjetër heroi kombëtar, Dedë Gjo' Luli. Arkivat e priftërinjve françeskanë kanë sjellë shumë çka për atë që ndodhi me klerin katolik në Shqipëri gjatë viteve 1965-1970. Por shumë pak dokumente për fatin e eshtrave të Fishtës. Shumë pak është bërë dhe nga qeveria edhe organet e tjera të pushtetit lokal. Si çdo vepër tjetër në regjimin komunist dhe nekrofilët që dhunuan varrin e Fishtës duhet të kenë një urdhërues dhe ku i dihet, mbase dhe një dokument të firmosur.
Kadare në varrin e Fishtës

Një vit më parë, shkrimtari Ismail Kadare vizitoi Kishën Françeskane në Shkodër ku gjendet dhe varri i Fishtës. Kadare ka vizituar dhe vendin ku gjenden pjesë të varrit të mbetur të Fishtës. Ndërkohë në shkrimet e tij pas viteve 1990, Kadare ka kërkuar rivlerësimin e figurës së Fishtës dhe kontributit që kleri katolik ka dhënë për kombin.
Misteret e varrit te Fishtes
¨ Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit.

¨ Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës.

¨ Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit.

¨ Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër.

¨ At Zef Pëllumbi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t'u transportuar.

¨ Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, "me "revolucionin kulturor" edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t'asaj Kishe".

¨ Fritz Radovani dëshmon se pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër.
Shqypnisë

T'falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n'gji tand tue rrnue,
Tue gzue t'pamt tand, tue t'hjekë atë ajr t'kullue
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri
Kje i Lumi vetë, qi mue m'dërgo ksi hiri
Për nën qiellë tande t'kthielltë un me u përftue.
Malet e hjedhta e t'blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s'dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n'za, qi shndrisin duert e t'lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n'Balkan ti je; ti prej t'Amshumit.
Çohi të Dekun

E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mni,
Qi flije t'bahet ndo'i shqyptar m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. -
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Dri
E porsi krandja e that n'nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi