Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë

Shko poshtë

Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë Empty Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 27, 2014 10:59 pm

Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë 1981-1999
Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë 1507615_712116812237013_9186724066554114089_n

Antigonë! Fotografia jote më mallëngjen pa masë ende pa filluar të shkruaj për veprën që ke lënë në histori, ndaj kjo më bënë që të mos ndjehem i qetë nëse për jetën dhe bëmat tua heroike, nuk do të mund ti gjejë fjalët më të mira, më të veçantat dhe më përkushtueset, të zgjedhura ashtu siç do të dëshironte poeti të tingëllonin për ty. Ato të cilat i kanë hije emrit tënd, më meritoret që ti do të prisje nga ne në këtë botë të përkohshme, dhe më rrezatueset që do të reflektonin përherë para veprës sate të ndritur, me të cilën ke kaluar në përjetësi. Zoti të pastë bekuar përgjithmonë këtu dhe atje, ku tani je-në amshim!
Antigona Agush Fazliu u lindë më 11 mars të vitit 1981,në fshatin Gradicë të Drenasit, nga prindër me të kaluar të bujshme patriotike, dhe aktivist të dalluar kombëtar të cilët përpjekjet e tyre të pareshtura atdhetare për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe arritjen e Pavarësisë së saj, nuk i ndaluan asnjëherë.
Ajo erdhi si fëmija më i vogël në jetën e prindërve të përndjekur politikisht, për tu kthyer vetëm pas pak kohësh në "sugareshën" më mbresëlënëse në familje, e cila njëjtë si paraardhësit kryengritës, edhe pse në moshë ende të re ,nuk mundi të pajtohej asnjëherë që jeta e saj të riciklohej në rëndomësi dhe kalonte në harresë, duke u angazhuar e zënë vend nderi në historinë e lavdishme të qëndresës kombëtare, dhe rënë heroikisht në luftën çlirimtare për lirin e Atdheut.
Nëna Hyra, nga fshati Hade i Kastriotit, ishte kushërirë e afërt e mësuesit dhe poetit martir Fazli Grajqevci, kurse i ati, Agushi nip i mësuesit dhe patriotit të mirënjohur Halit Geci nga Llausha e Skënderajt, i cili më 26 nëntor të vitit 1997, do të vritej pa asnjë faj brenda objektit të shkollës së fshatit, për të vdekur në Spital nga plagët e rënda dhe varrosur më 28 nëntor të vitit 1997, ku do merrnin pjesë mijëra bashkatdhetarë nga shumë anë të vendit, me ç`rast do të bëhej edhe dalja e parë publike e UÇK-s, në Drenicë dhe Kosovën gjithandej.
Antigona, kjo luaneshë dhe luftëtare e paepur e kombit, e vendosur për beteja dhe sakrifica të mëdha deri në vetëflijim, përgjatë muzgjeve dhe agimeve të përgjakura që atëbotë përshkonin Kosovën dhe popullin shqiptar, me përpjekjet titanike dhe heroizmin e veçantë, më të madh se vet mosha dhe qenia e saj, arriti që përmes dritareve të zemrës njerëzore, me veprën e saj sublime, të hynte përgjithmonë dhe në mënyrën më simpatike në memorien kolektive të bashkëkombësve kudo.
Gjendja e rëndë nën pushtim dhe zhvillimet rrëqethëse nën robëri, bënë që asokohe Ajkunat shqiptare (sinonim i nënave tona ndër shekuj), të shkulnin flokët për fatkeqësinë që kishte goditur kombin dhe tmerrin që përjetonte populli ynë i shumëvuajtur, kur vallja e çmendurisë makabre luhej e papenguar, mbi trupat e bashkëkombësve të vrarë pafajshëm, gjë që nuk mund të linte asnjë shqiptar të qetë!


Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë 10881718_712116818903679_3707159429892422277_n



Në ato vite të rënda që kalonte Kosova, në shënjestër të pushtuesit serb ishin vënë personat dhe familjet më patriotike, ndaj nga vet fakti se Familja e Antigonës njihej si njëra nga "kështjellat" e vjetra të Çështjes Kombëtare, do ti vinin goditje të reja, për ti thyer edhe asaj shpresat e një jete të qetë dhe ndërprerë ëndrrën e nisur rinore për shkollim.
Asokohe, pushtuesit jo vetëm se i pushuan vëllezërit e Antigonës nga puna, por maltretuan e burgosën edhe babain Agushin, vëllain më të vogël Avniun e detyrua të ndërpriste edhe shkollimin kurse vëllain e madh Hajrizin, mësues i matematikës, në vitin 1996, do t`ia thyenin edhe dhëmbët e nofullës së poshtme, duke marr shkas nga aktiviteti atdhetar i tyre, si dhe origjinën patriotike të familjeve të të dy prindërve, histori e cila nga regjistra të vjetër dhe të rinj, ishte mirë e njohur për regjimin pushtues të Millosheviqit.
Po ky regjim barbar, burgosi dhe torturoi deri në shkatërrim edhe birin e xhaxhait të saj Xhemajl Fazliun, i cili si inxhinier i parë i bashkisë së Drenasit dhe udhëheqës i Ferronikelit, do ti printe grevës së njohur të punëtorëve atje, për mbrojtjen e asaj pak autonomie që nga vitit 1974, ende e kishte Kosova.
Madje, ai jo vetëm se do të izolohej bashkë me grupin e intelektualëve të asaj kohe dramatike, por edhe do të burgosej e maltretohej në mënyrat më çnjerëzore i cili në vitin 1998, do të dërgohej për vuajtjen e dënimit në Vranje dhe Leskovc të Serbisë, ku trupi i tij ishte dërmuar deri në atë masë, sa që ende pa kaluar moshën 52 vjeçare dhe vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu do të vdiste si nacionalist i denjë.
Mjerisht, atëkohë edhe poema e vrasjeve tragjike vazhdonte pandalshëm në gjithë vendin, madje gjendja në Kosovë, sa vinte e keqësohej deri në dëshpërim kurse tragjedia kombëtare për dit e më tepër rritej e zmadhohej duke shuar pa asnjë pengesë qindra jetë shqiptarësh të pa fajshëm.
Madje, pas provokimeve të herë pas hershme ndaj Familjes Jashari, pushtuesit bënin përgatitjet e fundit për hedhje në sulm përfundimtar, i cili nga 5 marsi i vitit 1998, do të fillonte dhe për tri dit e tri net me radhë, do të zhvillohej luftë e pa ndërprerë, kur një familje e vetme matej me një ushtri të organizuar, duke u shkri e tëra deri në pjesëtarin më të ri të pranishëm, për mbrojtjen e tokës, shtëpisë dhe Atdheut.
Kështu, stina e flijimeve të mëdha sapo kishte filluar, me ç`rast përveç trimërisë së pa-presedan të mese 28 pjesëtarëve të të gjitha moshave, të Familjes Jashari, dhe rënies së tyre biblike në altarin e lirisë, pranverat e hershme, paralajmëronin një vit të nxehtë politik në historinë më të re të shqiptarëve, kur Antigona me rastin e 28 Nëntorit të parë pas rënies së Adem Jasharit ,do të zgjidhej për ngritjen Flamurin Kombëtar i cili tanimë gjithandej Kosovës i printe luftës për liri.
Atëbotë përveç burrave, sipas një shkrimi në revistën “Teuta” kushtrimit për luftë do ti bashkoheshin edhe rreth 200, femra, prej të cilave mese 40 sosh do binin heroikisht për lirinë e vendit.
Pikërisht heroizmi i familjes Jashari, ishte ai që nxiti edhe Antigonën, ti ndërpriste mësimet që deri atëherë vijonte në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”, për tu ngjitur edhe ajo maleve të vendlindjes, që të sistemohej në ushtri dhe shërbente me gjithë dijen dhe mundësit që kishte, bashkë me Dr. Lec Gradicën dhe Emine Gashin- Lecin, në spitalin e UÇK-s, në Gradicë të Drenasit, atje ku burrat e pushkës, të cilët shtoheshin çdo ditë, kishin shumë nevojë që dikush tua mjekonte edhe plagët e trupit.
Lufta sa vinte e intensifikohej, ndaj në mëngjesin e 22 shtatorit të vitit 1998 forcat pushtuese serbe, në fshatin Shkabë do t`i mësynin edhe pozicionet e Brigadës 114,ku në përballje me to, do të binin heroikisht- për të mos vdekur kurrë edhe bashkëshortët, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Skënder e Behxhet Karaxha, ndërsa në sulmet e 23 dhe 24 shtatorit,në rrethinat e Qyqavicës, bie trimërisht edhe mjeku Lec Gradica.
Atëkohë, përveç angazhimit të vëllait të madh, Hajrizit në logjistikën e UÇK-s dhe vëllait të vogël Avniut, në brezin e kufirit shqiptaro-shqiptar, ku ai edhe do të plagosej gjatë luftimeve të pareshtura kundër forcave pushtuese serbe, pas marrjes së komandës në brigadën 114, nga Ilaz Kodra si udhëheqës i ri i saj, më 8 nëntor të vitit 1998,në Shkabë të Drenasit, vendlindjen e heroit Fehmi Lladrovci, komandanti i ri do të organizonte betimin solemn të ushtarëve, me ç`rast në betimin e saj përurues, do të shkëlqente edhe Antigona Fazliu, si ushtarja më e re, e cila tani e tutje do të merrte pjesë edhe në beteja të drejtpërdrejta me armikun.
Përveç dëmeve dhe shkatërrimeve tjera nga sulmet serbe, ato ditë do të digjej edhe spitali ushtarak në Gradicë, ndaj pas djegies së tij, me mësimet që kishte marrë nga shkolla dhe përvojën praktike të fituar në atë spital, infermierja e re do të angazhohej në dy fronte dhe kryente njëkohësisht dy funksione me rëndësi, si mjekimin e të plagosurve ashtu edhe luftimet kundër armikut.
Veprimtaria e saj luftarake, u zhvilluan kryesisht në kuadër të brigadës 114,të cilën tanimë e udhëhiqte komandanti Ilaz Kodra, ku ajo gjatë gjithë kohës do të dallohej për guxim, trimëri dhe dinjitet.
Për çlirimin e vendit, kjo brigadë dha mese 167 dëshmorë, në mesin e të cilëve, nga 30 prilli i vitit 1999, do të hynte edhe komandanti i brigadës trimin Ilaz Kodra si dhe ushtarja më e re e saj Antigona Fazliu që atë ditë u flijuan heroikisht, duke mbrojtur me trupat e tyre popullsinë civile nga forcat pushtuese serbe në fshatin Vërbovc të Drenasit.
Ajo si një e re entuziaste që ishte edhe në luftime e beteja të shumta ku mori pjesë, tregoi në mënyrën më sublime trimëritë dhe vlerat e vërteta të një luftëtareje të vendosur e cila çmoi lartë dijen, përvetësoi artin e shërimit mjekësor, ndihmoi përpjekjet për çlirim dhe mbi të gjitha dëshmoi se e donte me gjithë zemër vendin dhe lirinë e tij, për të cilat luftoi dhe ra heroikisht në fushën e nderit.
Ndaj, mu në vitet më të rënda që kalonte vendi, ajo iu përgjigj me krenari kushtrimit, sapo shqiptarët i thirri historia për lirin e atdheut.
Antigona me të drejtë u nderua me titullin "Dëshmore e Atdheut", për të cilën janë mbajtur sa e sa manifestime përkujtimore, thurur këngë e shkruar edhe shumë poezi, kushtuar kontributit, trimërisë dhe heroizmave shembullore të saj të cilave edhe sot u gëzohen të gjithë shqiptarët.
Madje, edhe pse në moshë të re, ajo sfidoi jetën dhe rinin për të quar deri në fund amanetin e dëshmorëve, arritjen e lirisë dhe realizimin e Pavarësisë së Atdheut.
Ndaj emri i saj sublim edhe sot reflekton dritë, ndërsa fytyra plot nur, sikur praron ende shtigjet e historisë, e sikur të kishte një ligj për zgjedhjen e miseve të rëna për çlirim, Antigonën nga të parat dhe pa asnjë hezitim, shumë bashkëkombës do ta votonin edhe për bukuroshe të lirisë!
Nga gjithë sa u tha deri më tani, vepra saj e ndritshme që ajo në një moshë kaq të re, arriti ta vulosë në histori si dhe biografia shkëlqyese e Antigonës jo vetëm më mallëngjejnë pa masë por edhe më obligojnë që këtë shkrim ta përfundoja me një dëshirë të dal nga zemra, dhe propozim për të gjithë ata të cilët-atë edhe kanë mundësi ta jetësojnë, që përveç botimit të antologjisë kushtuar asaj, të krijohet edhe një çmim me emrin "Antigona Fazliu", për shprehje mirënjohjesh dhe nderim të njerëzve të merituar nga të gjitha fushat dhe trojet shqiptare, çmim që secili i vlerësuar, do ndjehej më tepër se i nderuar me emrin e saj. Lavdi!
Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë 10406908_712116825570345_5615946225441906570_n
Gani Qarri:ANTIGONA FAZLIU- apo Bukuroshja e Lirisë 10389015_712116815570346_7753080807702493701_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi