Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vangjush Ziko: O tempora! o mores!

Shko poshtë

Vangjush Ziko: O tempora! o mores! Empty Vangjush Ziko: O tempora! o mores!

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 15, 2009 12:04 am

Vangjush Ziko: O tempora! o mores! U1_VangjushThomaZikoVangjush Ziko - Kanada

O TEMPORA! O MORES!

Të gjithë e dimë atë paravolinë e mbretit dhe të pleqve. Se si mbreti dha urdhër t'i zhduknin pleqtë, por një djalë nuk iu bind dhe e fshehu te atin nëntëdhjetëvjeçar. Dhe ishte, pikërisht, ky baba që i mësoi zgjidhjen aq të mençur të garës që shpalli mbreti midis të rinjve se cili prej tyre do ta shihte i pari lindjen e diellit. Ju do të thoni se ç'na duhet kjo histori e lashtë në kohën tonë moderne dhe aq më shumë në emigrim.
E drejtë është. Por, kur pyeta një moshatarin tim pensionist se ç'të reja kishim nga Shqipëria, ku ai kishte vajtur për një vizitë të shkurtër pas disa vjetësh mërgimi, më tha:
-E reja më e fundit është emigrimi i pleqve. Fëmijët po i tërheqin prindërit e tyre me bashkim familjar.
Kur bijtë u nisën për emigrim, u morën a s'u morën lejë prindërve, s'ka rëndësi. Por të gjithë u justifikuan se po shkonin për një jetë më të mirë për vete dhe për fëmijët e tyre, veçanërisht. Dhe kjo ishte një gjë e arsyeshme. Çdo prind do të mirën e fëmijve të vet, në radhë të parë. Dhe prindërit pleq iu uruan udhë të mbarë dhe fat. Por ja që kurbeti nuk qenka fushë me lule, se zgjidhja e disa problemeve familjare na dashka dhe këshillën apo ndihmën e prindërve pensionistë.
Dhe ja, erdhi çasti që fëmijët e ndjenë nevojën e pleqve të "fshehur" në atdhe.
Por, që të jemi realistë dhe të drejtë, edhe prindërit, që kanë shkelur moshën e pleqërisë së pabesë, kanë nevojë për kujdesin dhe vëmendjen e fëmijëve të tyre. Problemi është reciprok. Duhet t'ia dinë vlerën dhe dobinë njëri-tjetrit. Në mjediset tona familjare janë akoma "hallkat" e familjes shqiptare, "hallkat" ekonomike, morale, detyrimet e përbashkëta. Një kolonjare e mençur, duke biseduar për këtë problem, më tha duke qeshur:
-Duhemi, posi! Duhet t'i tundim djepet dhe në mërgim.
Djepi i saj kishte kuptim të figurshëm, jo vetëm rritjen e vogëlushëve, por edhe edukimin e tyre me ndjenja patriotike.
Dhe, për ta mbyllur këtë bisedë, do t'ju kujtoj dhe vendimin e dytë të atij mbreti të paravolisë së vjetër, që e anullonte urdhërin e parë për zhdukjen e pleqve. Ai urdhëroi që të ruheshin pleqtë, të mos vriteshin se qenkëshin të nevojshëm për të trashëguar mençuritë e jetës.
Nuk e di. Këtë paravoli e kanë sajuar pleqtë apo të rinjtë. Nuk ka rëndësi. Pleqtë kanë qenë te rinj dikur dhe të rinjtë do të plaken një ditë.
Kur ia tregova këtë mesele një mikut tim të ri në moshë, ai më buzëqeshi me buzëqeshjen e tij prej njeriu të mirë, të sinqertë dhe më tha duke psherëtirë lehtë:
-Të jini të lumtur që urdhëri i atij mbreti është akoma në fuqi për brezin tuaj.
-Pse?-e pyeta i habitur.
-Kjo paravoli nuk do funksionojë për brezin tonë.
Kishte të drejtë. Djali i tij,që ishte i vogël kur erdhi këtej në emigrim tok me prindërit, të cilët i lanë prindërit e tyre dhe u sulë për të ardhmen e atij, mbaroi universitetin dhe...u martua, ka dhe një bebe. Bashkë me nusen dhe me birin e vogël, ngarkuan dhe u vendosën në një qytet tjetër të largët. Atje ku gjetën punë.
Koha e kurbetit (dhe jo vetëm e kurbetit) e ka vjetëruar dhe këtë paravoli të kohës së mbretërve. Pleqtë nuk i "fshehin" më. Ata mbyllen vetë në azile. O tempora,o mores!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi