Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

2 posters

Shko poshtë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili Empty Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jun 15, 2009 12:15 am

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili U1_BurhanedinXhemailiBurhanedin Xhemaili, lindi më 28.02.1962 në fsh. Rramanli. Shkollën e mesme e kreu në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filologjik Dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Shkup. Ka punuar profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike në Kumanovë. Ndërsa tani është pranuar si Këshilltar në Qeveri, dhe pritet të transferohet në Ministrinë e Kulturës. Ka kryer detyrën e Kryeredaktorit të Revistës për Letërsi‚ Shkencë dhe Kulturë DORUNTINA. Tani është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë‚ dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Maqedoni.

Deri më tani ka botuar:

“DRITA E VONUAR’’ poezi 1993
“FRIKË NGA LIRIA” tregime 1994
“PORTRETE TË DJEGURA” dramë 1999
“TINGUJT E JETËS” tregime 2001
“KAMBANAT E LIRISË” poezi 2003
“MAGJIA MODERNE’’ tregime dhe novela 2005
“RRUGA E NDJENJAVE” roman 2006
Ka botuar edhe ese, recensione, shkrime publicistike, ndërsa në dorëshkrim ka librin me tregime ”Në fund të tunelit”.

ËNDRRA E FËMIJËRISË

Yjet vallëzojnë magjishëm
në natën e qetë...
dhe sikur dëshirojnë t’më kthejnë
në ëndrrën e fëmijërisë
vetëm për një çast
e mua më duket ëndërr e harruar
në këtë kohë sirenash të zhurmshme
që të ngjallin tmerrin
mbrëmjeve të përgjumta
e agimeve të bardha...
por mbamendja po më bartë
në delirium magjepsës
në arenën moderne të pasigurisë
ku vend të merituar zë lemeria
dhe nuk frymon humanizmi
se bota e vogël është
tepër e vogël bota për lakmitarët
e leverdisë personale…

* * *
një natë ëndërr pashë
shiun e madh pranveror
që barti me vete bërlloqet
dhe përmbyti kohën e krimit…

MALLI

dëgjoj
rënkimet e zjarrta
të shpirtit të saj

në rrugën e errët
sytë e kallur më bëjnë dritë

duart e zjarrta
mbi parzmën time
m’i zgjojnë ndjenjat e thella
si shkëmbi i harruar nga valët e detit
në trazim…

malli i përjetësisë mbetet peng kujtimi
për sytë që lotojnë si shiu në pranverë
dhe kënga…

kënga e zogut tim që mbaja
në duart e përgjakura
e zjarrin nën këmbë nuk e ndija
tani më djeg në shpirtë
e s’mund të harroj…

KUJTOJ

tingujt e këngës në harrim
kambanat e lirisë
dhe shiun e ëndërruar me bubullimë

kujtoj trupin e saj që vallëzonte
në gotën e mbushur me verë khajami
dhe qirinjtë e ndezur flakë mbi sofrën time
të pashtruar…

kujtoj kujtimet e hidhura
dhe gëzimet e fjetura
në gjumin vjeshtak
deri në agimet e reja
që do ta përcjellin terrin e tmerrit
me këngën e zgjimit
dhe me dritën e diellit
në lindje…

TEATRI NË PASQYRË

rrëshqasin
në akullin rrëshqitës
bien si gjethet
e zverdhura në vjeshtë
kur sytë të terrohen gjatë shikimit
e koka të sillet si rrotë
shikon teatrin në pasqyrë
aktorët lozin rolet e demonëve
që burojnë nga shpirtërat e vdekur
të njerëzve aktual...
perëndia do t’i shpërblejë
për mëkatet
në ditën e triumfit të njerëzisë
ku do të vetëtojë pa ndërprerë

gjarpërinjtë do të kthehen bythëprapë
që t’ua shohim këmbët e fshehura

BOTA ...

Nuk do ta harroj kurrë
këngën e bilbilit
dhe magjinë e dallëndyshes
në vallzim...

Xhamin e thyer të dritares
e sodis magjishëm
me të vetmin gjakim…
Bota e shëmtuar në profil
kërkon pasaportën time të harruar për udhëtim...

Unë mbeta ëndërrimtar i harruar
në kozmosin tim...
U tmerrova duke i fshirë ëndrrat kaotike
dhe iluzionet e rrejshme në përfundim...

Deri në agimet e reja
mikpritje më bën
vetëm heshtja ime e vetmuar në vetmi
dhe kënga ime e pagjumësisë
që më thotë...
“më mirë vuaj në rini
për të jetuar pleqërisht në pleqëri
pastaj pa u hamendur
kërkoje botën e shpëtuar
në sytë e hënës plakë
dhe në zjarrin e yjeve
të dashuruar... “
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili Empty Re: Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

Mesazh nga Rrebele Tue Jun 23, 2009 12:03 am

KOHË E SËMURË… (Tregim) nga Burhanedin Xhemaili


Në lagjen më të madhe të qytetit ndodhte diçka e çuditshme, ngjante sikur të festonin të gjithë njerëzit e çmendur së bashku me minjtë dhe qentë… Ata festonin në terr e mjegull... Zhurma trishtuese vinte me rrëmbim, ngjashëm, sikur të bëhej tërmet i madh, prandaj në atë moment të ndërlikuar nuk munda të kuptoj në të vërtetë se çka po ndodhë..?! Pastaj, duke u bazuar në zhurmën e madhe që dëgjohej nga të gjitha anët, menduam se ndoshta po bëhet dasëm, apo ndoshta mos ka vdekur dikush nga të mëdhenjtë… Ma merrte mendja se ndoshta ka vdekur lugati i qytetit, që kishte vdekur më parë në kohën e tymit nga hija e vet..?!
-Jo jo, nuk ka vdekur… Më tha njeriu i pa njohur, por bëhet dasëm e madhe, martohet trimi i bjeshkëve që vdiq duke mbrojtur vilajetin dhe tash është ringjallur, hi hi hi… Iku pastaj si qen i zgjebosur, mirëpo mua më tepër më frikësoi veprimi i këtij dreq njeriu që më magjepsi në vend, saqë mezi merrja frymë… Zhurma dëgjohej me të madhe, ndërsa rrugët ishin të zbrazëta, pa njerëz..!! Pas pak u ndala për ta shikuar orën, por s'e kuptoja në atë moment pse në orën e dorës sime një gjarpër vallëzonte..?! Nga befasia u stepa për muri dhe në shpejtësi e përplasa për tokë orën, për ta flakur gjarpërin, mirëpo nga vendi ku e përplasa orën doli një zjarr i madh, ndërsa nga zjarri doli një hije përbindëshi… Nuk mbaj mend kurrgjë për atë moment të ndërlikuar se çka më ka ndodhur, as zhurmën e tyre s'e kam dëgjuar..!! Por, vetëm një gjë e di se gjumi më doli në fushë larg qytetit..!! Pastaj një dridhje trishtuese e pushtoi trupin tim që s'mbahej në tokë. Nuk shihja kurrgjë nëpër terr, por vetëm dëgjoja zhurmën që vinte nga larg, prandaj nga shqetësimi i madh në atë moment më mbërthyen emocionet e zjarrta dhe nuk di pastaj pse thashë: “Koha vërtetë na qenka e sëmurë”!? Por, me thënë të vërtetën nuk e kuptova pse konstatimi im nuk u pëlqeu..?? Pse ma ndërpreu bisedën shtriga plakë me flokë të thinjura, që i ngjante kudrës së shëmtuar, që atëbotë më dënoi që t'mos këndoj si dua unë…?! Shtriga plakë me dhëmbët e mëdhenj si të ujkonjës qeshej me të madhe, saqë zëri i saj ulëronte frikshëm…
-Jo, s'jam ujkonjë, më tha, por jam shpëtimtarja jote !! Pastaj filloi të qeshet me zë të lartë e të frikshëm. Nuk di pastaj, si arriti t’më ledhatojë me duart e rrudhura..?! Me siguri arriti vetëm atëherë pasi më magjepsi me këngën e bukur të këngëtares së popullit që e simpatizoj shumë..!! Pastaj përnjëherë më humbi kjo krijesë e çuditshme, kështu që nuk dija më nga t'ia mbajë..?? Në drejtim të zhurmës nuk kisha guxim të shkoj, andaj vendosa të këndoj që zëri im të dëgjohet përtej maleve të larta… Duke ecur ngadal dëgjova një pëshpërimë, dhe kur e ktheva pastaj kokën mbrapa, e pashë një trup femre. Ajo ishte Nimfa e bukur që papritur më përqafoi, por frika nuk më largohej, sepse ende më parafytyrohej fytyra e shtrigës plakë..!!
-Mos u frikëso, më tha ajo me zërin e ëmbël magjepsës.
-Unë jam shpëtimtarja…
-Mos ma lëndo zemrën. Unë s'të njoh, i thashë.
-Unë jam Nimfa, e kurorëzuar me ty..!! E di fare mirë se zoti na ka bashkuar në natën me hënë të plotë, më tha me nxitim. Në atë moment dridhesha nga ethet e ftohta që më kapluan…Pastaj e ndërpremë bisedën, ngase vinte zhurma e trishtë, kështu që filluam të ikim në drejtim të dritës. Atje na pritën engjujt… U gëzova pa masë kur i pashë njerëzit që i njihja. Aty ndodhej familja ime. Djali im, Iliri më përqafoi sikur valët e detit në trazim, ndërsa gruaja tepër e revoltuar më qortoi… Nuk e kuptova, pse ishte aq tepër e hidhëruar gruaja në mua..?! Shikova mbrapa, por nuk e vërejta më Nimfën, prandaj u rrënqetha nga befasia trishtuese dhe nuk bëra zë në atë moment…Gruaja fatkeqësisht më tronditi tepër me fjalët neveritëse, saqë nuk dija vërtetë ishte ashtu apo ndoshta mos trillonte ajo për largimin tim nga shtëpia..!? Në mesin e valltarëve qëndronte një plak me veshje të çuditshme. Ai rrinte afër zjarrit të madh që u bënte dritë valltarëve. Këtë njeri s'e kisha parë më parë në jetë, të gjithë thanë se është nga vendi i huaj, nga shkretëtira e madhe… Afër tij qëndronte shtriga plakë..!!
-Po kjo, ç'kërkon këtu?
-I përçanë njerëzit, thanë njëzëri.
-Ta përzëmë… Ta gjuajmë me gurë këtë dreq të mallkuar, u thashë…
-Mos u ngut, se e duan vet njerëzit, më tha plaku. Ajo pastaj m'u kërcënua me fjalët zjarr: "Unë jam shtriga që të shpëtova, të çmenda, të përçava…Më në fund do t'ju çmendi të gjithëve, dhe do t’ju ngulfasë me thonjë…” E larguan mandej roja nga unë dhe mbeta i heshtur, prandaj gruaja e shqetësuar më tha:"Mbylle më gojën, e sheh se koha me të vërtetë është e sëmurë nga njerëzit e çmendur”. Pastaj shihja tym përpara, zjarr, engjuj të zi, të bardhë, minjë, satanën e shihja të egërsuar. S'di çka nuk shihja me sytë e mi të lodhur! E shihja orkestrën e varrtarëve dhe varrmihësit me lopata. Aty ishin pleqtë e mëhallave të qytetit dhe të shkolluarit e ndarë në grupe… Secili grup bëhej gati për të vallëzuar në vallen e dreqit që më në fund fituesi të shpallet sundimtar që të sundojë rreptësisht në tërë vilajetin e ndarë në mëhalla…
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili Empty Re: Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

Mesazh nga Rrebele Tue Jun 23, 2009 12:04 am

VDEKJA MODERNE (Tregim)


Rrafsh një muaj në ndërdijen time të mjegullt më sillet rrëfimi i vashës, që ma rrëfeu në periferi të qytetit, pikërisht nën hijen e lisit të djegur nga reja, që ndodhej afër lumit të thellë, e që ecte me një shpejtësi përmbytëse… Rrëfimi i saj rrëfehej në mënyrë fantastike për udhëtimin e lemerishëm nëpër humnerën e fundit, ku e kishte përjetuar golgotën tmerruese…
Dëshiroja që ky rrëfim të mbetej i pavdekshëm në kujtesën time, mirëpo, para se të inçizohej mirë m'u ngjall një zhurmë çmendëse nga zukama e mizave të tërbuara që bënin yrish në psikikën time të rënduar, sikur motosharrat në sharrimin e lisave, që të mbetet mali pa jetë. Kur më fanitej kjo shtrëngatë, menjëherë ikja larg qytetit për t'u shkarkuar nga katrahura e rëndë, që më shpiente në delirium magjepsës, saqë nuk dija në isha gjallë apo jo…!!
Mbasandej thellohesha me tërë qenien time në bukurinë fascinuese të natyrës e sidomos në magjinë e lumit që më shlyente nga kujtesa zukamën e mizave, që sa më mirë të thellohem në dëgjimin e cicërimës së zogjve. Këtë cicërimë e kam dëgjuar atë ditë, kur u takova me vashën që e kishte braktisur atdheun…
Atë ditë gushti, bënte vapë e madhe, saqë mezi përmbahej ndonjë njeri pa u freskuar me ndonjë pije freskuese. Isha mjaft i etur dhe çuditërisht sytë m’u ndeshën me shitësit e pijeve, që vinin në drejtim të caktuar me një siguri të madhe se do të merrja pije të ftohtë… Dhe, kështu ndodhi me shitësit e pijeve që më qëndronin afër, saqë ky qëndrim më ngjallte një dozë të madhe të nervozizmit… Mirëpo, pas pak në drejtim të shitësve u drejtuan dy vasha të reja. Njëra me bukurinë mahnitëse m'i kalli sytë e mi në shikim të parë, por nuk e dhash asnjë sinjal edhe pse u ndalën aty për të marrë pije të ftohta. U shikuam sy më sy, për t'i treguar ndjenjat pa e nxjerrë asnjë tingull dhe më në fund plasi gazi, kështu që mbetën të mahnitur shitësit me qeshjen tonë karakteristike. Pastaj nxora nga xhepi pakon e cigareve për t'u qetësuar, kështu që mezi pritën që t'u ofroj dhe përnjëherë të qeshurat u ndalën, por diçka e brendshme nga shpirti ndizej flakë… Shitësit e pijeve u larguan pasi i morën të hollat dhe menjëherë pasoi një bisedë e qetë dhe intime që mandej të zhytet vasha në rrëfimin tronditës edhe pse kur shikoheshim në sy vëreja një skuqje në faqet e saja, që i ngjanin reflektimit të diellit në agim. S'e di, ndoshta e kishte nga turpi, apo… Përnjime s'e di, pse skuqej në fytyrë vasha kur bisedonim?! Pse më përqafoi aq shpejt kur e shikova si ndonjë skamnorë në bebëzat e syve që tregonin pastërti shpirtërore…?! Mandej, pse më qortoi kur u shkëputa nga përqafimi i saj?! "S'ka gjë të keqe…!!!", më tha me nxitim, pastaj heshti. U pendova nga naiviteti im, por ajo më kuptoi dhe prapë më përqafoi, sikur të isha ndonjë foshnje e rrëmbyer… Sytë e saj të zgurdulluar më bënin për vete, mirëpo, një forcë e brendshme më alarmonte që të kujdesem miqësisht dhe s'di…?! Përnjime s’di si më kuptoi kur belbëzova në heshtje që të përmbahem…!!
-S'keni nevojë të përmbaheni. Me paramendim e bëj!
-Të kuptoj…!,i thashë edhe pse s'e kuptoja as veten time. S'e di pse e doja marrëzisht, kur një fuqi magjike më tërheqte vërejtjen që të mos bëhem pre e epsheve…që kishin për qëllim të na çojnë në humnerë.
-Jo, jo s'na çojnë në humnerë epshet, më tha me një shpejtësi.
-Mirë, mirë… Tolerohet dashuria miqësore…!!, I thashë kështu, por pa menduar fare sikur të isha në ëndërr.
-Po, por s'tolerohet dhunimi!!
-Si…Edhe ty të ndodhi në…?!
-Po, e përjetuam në udhëtimin e kobshëm, mirëpo unë shpëtova e vdekur…!!
-Shpëtove e vdekur…?!
Po,po… Ecnim të ngrirë sikur në heshtje mortore. Të rrethuar ishim nga tytat e automatikëve që na provokonin në çdo hap. E dinim se vdekja po afrohej shpejt, por shpresa prapë na mbante, edhe pse ecnim nëpër vrimë të gjilpërës, pa e ditur se ku po na dërgojnë edhe pse kishim frikë prej ushtarëve të çmendur… Kishim dëgjuar për dhunimin që na frikësonte shumë, por megjithatë ecnim me shpresë se ndoshta do të shpëtojmë nga ky ankth tmerrues. Dhe, më në fund ndodhi hataja. U dëgjua gjëma e njerëzve… Po i ndajnë vajzat e bukura nga kolona…", tha një plakë e zbehur në fytyrë. Më ra qielli mbi kokë, ndërsa këmbët më duket se nguliteshin në thellësinë e tokës së djegur… Vdekja ishte më e arsyeshme sesa shpëtimi nga "vdekja moderne". Fillova të dridhem e tëra nga ethet e nxehta përvëluese. Mendoja, si të shpëtoj..!? Më tepër më preokuponte nderi, morali dhe pamundësia për të shpëtuar nga ky mister i çuditshëm, që më brente trupin. Afër meje qëndronte një plak i moshuar, që po qante në heshtje… Kërkova një thikë për të bërë vetëvrasje, mirëpo, i shkreti duke e tundur kokën më tregoi se s'kishte, apo ndoshta s'deshti të ma japë. Duke imagjinuar për ndonjë zgjidhje tjetër, më tmerroi aq shumë një grua zemërplasur, kur bërtiti: "Oh… vajzat më të bukura po i merr shkjau…!", dhe u shtri për vdekje. S'mundëm kurrsesi që ta ndihmojmë të shkretën, ngase breshërima e automatikut nga dora e zezë e çetnikut na kaloi mbi kokë… Atje, larg neve u bë rrëmujë..!! Thanë: "Të mbytur, dy gra e një fëmijë..". Pastaj, u lajmërua një mesoburrë i dëshpëruar, që t'i shpëtojë vajzat nga dhunimi… Ushtarët e çmendur e përfillën propozimin e tij me një përbuzje cinike. Afër gjashtëdhjetë mijë marka i dha për t'i shpëtuar… U lajmëruan edhe dy vëllezër për ta shpëtuar moralin e motrave nga duart e kanibalëve..!! Të gjithë në atë çast të ndërlikuar e ëndërruam shpëtimin, mirëpo, ata i pushkatuan egërsisht të tre vullnetarët… Mandej, të gjithëve na ra një hije mortore, saqë s'dinim çka të bëjmë mëtutje..?! Filloi prapë, nxjerrja e vajzave të bukura nga kolona dhe s'di, pse thashë: "Unë a jam e bukur…!!" Mandej fillova të dridhem sikur ndonjë zog i lagur në shi… Papritur, një plakë e moshuar në shpejtësi e zhdeshi mantelin dhe shallin që t'mi veshë mua, që në atë çast isha e vdekur, por e kuptoja pse kjo nënë e shqetësuar po më ndihmon..!! Më shtrëngoi me një ngrohtësi mbesa e saj, ngjashëm sikur të isha nëna e saj…
-Ma kanë pushkatuar nënën…,më tha dhe filloi t'i dridhet buza e njomë…!
-Si, ta pushkatuan…?!
-Po po, ia përgjakën trupin… Kot përpiqesha që ta zgjoj…
Më ra një hije e zezë mortore dhe pikërisht në atë çast kaluan ushtarët duke më shikuar dhelpërisht, por me siguri i përngjaja ndonjë gruaje të shëmtuar, ndërsa vajzat e bukura përpëliteshin duke dënesur në drejtim të humnerës…
-Çelu tokë të hyjmë të gjallë… Tha plaka e tmerruar për vdekje, mandej breshërima e plumbave na shkonin mbi kokë… Kolona prapë ecte…, sikur të ishte zgjuar nga varri për në varr...
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili Empty Re: Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

Mesazh nga Rrebele Tue Jun 23, 2009 12:04 am

THIKAT NË MJEGULL (Tregim)


Sikur në magji të mjegullt rrugëtoja në rrugën e gjatë e të mundimshme… Mua më shoqëronin disa zëra të çuditshëm që më ngjallnin frikën… Duke ecur me shpejtësi arrita më në fund në një udhëkryq pa asnjë shenjë..!? Kërkoja ndonjë shenjë që do t’më udhëzonte drejt për ta gjetur rrugën e vërtetë, mirëpo e kisha shumë vështirë, sepse majtas ulëronin ujqit e tërbuar, ndërsa djathtas lehnin qentë e zgjebosur…!! Kthimin mbrapa në atë moment fare nuk e mendoja, sepse atje mbretëronte terri që ua verbonte sytë njerëzve, prandaj i obliguar isha që të eci drejt, në drejtim të hënës ku më pritnin me padurim yjet… Mirëpo, në atë moment të frikshëm një njeri i panjohur që fare nuk e shihja, më tha me cinizëm: "…Rrugën më të vështirë e zgjodhe…" U befasova tepër, ngase nuk shihja njeri afër meje, por pastaj e kuptova se më shoqëronte kipci im që nuk munda t'ia shoh fytyrën edhe pse kisha dëshirë…
Rrugëtimi më ngjante pakëz më i lehtë, por prapëseprapë u befasova për të keq kur në periferi të qytetit të zbrazur rastësisht pashë njerëz të maskuar, derra, lopë, qengja… Mandej e pashë satanën duke e ngrënë mishin e qengjit të gjallë... Befasia kaloi në trishtim kur i pashë me sytë e mi thikat që bënin akrobacione në terrin tmerrues. Fluturonin magjishëm thikat në natyrë të mjegulluar..!! Gjithashtu i shihja thikat sikur në ëndërr, se si nguleshin në trupat e derrave, lopëve, qengjave, që piskatnin nga tmerri i thikave që ua merrte jetërat, ndërsa korbat bënin fluturime tërbuese në drejtim të tyre edhe pse luteshin për ekzistencë..!! Në natyrë e ndjeva frikën tmerruese nga ajo që pashë, pastaj u detyrova të shtrihem mbi tokë sepse mund t'më qëllonte ndonjë thikë satanike… E shikova me frikë skenën tmerruese, mandej u stepa për tokë kur e pashë satanën që vinte me rrëmbim kah trupi im. Kisha rëshqitur në një gropë të mbushur me ujë… Aty u bëra qullë nga uji dhe balta, por nuk bëra zë kur kaloi në atë moment satana edhe pse frymë merrja me shpejtësi frikësuese… Mandej u ngrita brof në këmbë, por çuditërisht sytë e mi e panë të mjegulluar kasapin e qytetit që po bënte tregti me satanën…!! Ai me disa njerëz të veshur me pelerina të zeza e mbushte makinën e madhe me kafshë të mbytura… Pas pak i pashë disa njerëz të tjerë me qirinj të ndezur në duar që po këndonin një këngë tepër të pakuptimshme. Kasapi në shpejtësi e ndezi makinën tmerruese dhe u nisë duke trazuar pluhur për t'i humbur gjurmët, ndërsa korbat fluturonin pa pushim duke bërë krraaa krraaa, mbi vendin e mallkuar ku thikat e bënë kërdinë më tmerruese mbi kafshët e pafajshme. Kur i pashë njerëzit që s'ua kuptoja këngën më parë, disi m’u lehtësua trupi, prandaj dola me shpejtësi nga gropa që më kishte bërë qullë dhe në shpejtësi u nisa në drejtim të tyre. Duke u afruar papritmas u bë një tollovi e madhe, kështu që nuk shihja më kurgjë, por prapëseprapë isha më i lirë… Duke u afruar afër turmës, ata njëzëri thanë: "E therri në loçkë të zemrës…", mandej s'pashë më kurgjë përveç mjegullës që m'i terroi sytë.
-Humbi dorasi - thanë njerëzit e shqetësuar që qëndronin mbi trupin e viktimës që lutej për jetë. Pastaj tjetri tha: " Ishte njeri shumë i mirë…”
-Ndërsa një tjetër u drejtua me një zë pakëz më të vrazhdë, dhe çuditërisht ai u drejtua drejt njerëzve me këto fjalë të pakuptimta ’’Ishte spiun, e ka tradhëtuar popullin, e ka dhunuar edhe të bijën e vet që ishte bujare… Ajo nuk pajtohej me babain spiun…!!" Një tjetër njeri që e mbante mbi supe të mbyturin filloi ta vajtojë sikur të ishte vajtojcë… Mandej turma njëzëri thanë: "Mjaft më e vajtove këtë njeri që s'po ia shohim as fytyrën nëpër këtë terr djallëzor…"
Kolona ecte nëpër mjegull në drejtim të varrezave. Kufomën e bartnin përpara disa njerëz më të fortë. Bisedat monotone s'ndaleshin për të mbyturin nga dora e zezë që i humbi gjurmët nëpër mjegull. Dikush nga turma tallej me të vdekurin duke e sharë e njollosur me një fjalor të fëlliqtë, por mua më erdhi shumë keq për të vdekurin që njollosej nga goja e një qelbësire që s'ia shihnim surratin nëpër terr... Pastaj me një ton nervozizmi i thashë: "Si s'po të vjen turp nga perëndia", por ai menjëherë m'u përgjigj me fjalët: "A don që të fusim në arkivol së bashku me të vdekurin.. hi, hi, hii.. "
-Jo, jo, i thashë…
Pastaj pas një heshtjeje frikësuese, një grua e re më ndali për krahësh për t'ma treguar të vërtetën, për njeriun e posambytur nga dora e zezë...
U ndalëm ngadal pas turmës që të bisedojmë për së afërmi me qëllim që t’mos na dëgjojë turma, mirëpo ata sikur për inatë, prapë njëzëri thanë: “A dëshiron që të fusim në arkivol me të vdekurin..?? Ha,ha…”
Pastaj më shkrepi në kokë një ide për të ikur nga turma, mirëpo gruaja që më shoqëronte, më tha: "S'bën pa e varrosur të vdekurin".
U afruam para agimit në varrezat e qytetit… Gruan që më shoqëronte e njoha, sepse tani ia shihja fytyrën më mirë. Ajo ishte Lumja, që dikur ishte e imja, mirëpo në kohën e turbullt e rrëmbeu një i huaj dhe iku pastaj në mërgim. Ajo më tërhoqi mënjanë kur e diktoi se unë isha shoqëruesi i saj, dhe më kapi rrëmbimthi duke më përqafuar e puthur magjishëm sikur ndonjë mace e tërbuar…Mendova se ishte çmendur Lumja ime që më pushtoi egërsisht, por ajo pakëz më ndryshe mendonte… E kishte nga malli, por unë nuk i besova trillimeve të saja në lojën e zjarrtë të dashurisë që e përfunduam marrëzisht..!! Na kishin parë të përqafuar lakuriq varrëmihësit me pelerina të zeza… Edhe pse kërkova falje, prapë u turpërova para tyre, por ajo s'ndiente kurgjë, prandaj qeshej duke u arsyetuar se e kishte nga disponimi. Më dukej sikur të ishte e dëshpëruar tepër në jetë, por nuk di pse lëshova zemër në shpirtin e saj magjepsës, edhe pse e urreja për sjelljet e turpshme që më obligonin t'ia them përfundimisht lamtumirën…Pas pak erdhi hoxha i qytetit, për ta varrosur të mbyturin që s'ishte spiun, siç thonin disa nëpër terr, as tradhëtar s'ishte…!! Për këtë u bindëm të gjithë, po ashtu u bindëm se ky njeri e kishte mbytur satanën, për arsye se satana i paska shpikur thikat dhe paska bërë kërdinë mbi kafshët e pafajshme..!! Ndërsa dorasi me dorë të zezë paska qenë vetë kasapi i qytetit që e mori hakun, sepse ia paska mbytur satanën, që e paska dashtur më tepër se gruan në jetë…
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili Empty Re: Cikël poetik nga Burhanedin Xhemaili

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi