Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

IDRIZ ZEQIRAJ:TRI PISTAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES TË JUSUF GËRVALLËS

Shko poshtë

IDRIZ ZEQIRAJ:TRI PISTAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES TË JUSUF GËRVALLËS Empty IDRIZ ZEQIRAJ:TRI PISTAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES TË JUSUF GËRVALLËS

Mesazh nga Agim Gashi Wed Feb 04, 2015 2:13 pm

IDRIZ ZEQIRAJ:TRI PISTAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES TË JUSUF GËRVALLËS 10931190_316644985213381_3711012301126047129_o


IDRIZ ZEQIRAJ:TRI PISTAT PËR ZBARDHJEN E VRASJES TË JUSUF GËRVALLËS


Të nderuar bashkëvendorë - përshëndetje të çiltëra për të gjithë Ju!
 
Përgëzime dhe respekt për kryetarin e nderit të Shoqatës "Kadri Zeka", në Kirchheim-Teck, Xhafer Lecin, kryetarin aktual Taxhidin Bakiu, me kryesinë e tyre simpatike, kryetarin e Shoqatës "Bardhosh Gërvalla, në Ludwigsburg, Bedrush Nezaj, 
për organizimin dinjitoz të kësaj Akademie Përkujtimore, të cilët ndër vite e dekada janë shquar në veprimtaritë e shumëta lokale e kombëtare.
 
     Organizimi i kësaj Akademie Përkujtimore, është homazhi, nderimi meritor për heronjtë e Untergruppenbach-ut, heronjtë e Mërgatës shqiptare, heronjtë e Kosovës dhe të kombit mbarë: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi e Musa Hoti. 
 
     Jeta, vepra dhe vdekja e bujshme e tyre kanë lënë gjurmë, vërragë e brengë në zemrat dhe mendjet gjithëshqiptare.
 
     Si intelektualë të hershëm të Kosovës, me vetëdije braktisën rahatinë personale, madje edhe vatrën lindake, për t`u vënë tërësisht në shërbim të Atdheut të robëruar, Kosovës tonë, qoftë edhe nga mërgimi i largët.
 
     Ndonëse, personalisht, nga afër, kam njohur vetëm Jusufin, në fjalën time do të kufizohem për Atë.

 
            Shokë shkolle

     Në vitet `60-a, së bashku me Jusuf Gërvallën, ishim nxënës në Gjimnazin e Pejës. Jusufi ishte më i hershëm në qytet, andaj ishte mjedisua mrekullisht mirë dhe nuk dallonte në veshje e sjellje nga qytetarët vendorë. Vishej me shije, mbante flokë të gjata dhe shquhej për korrektësi në shoqërinë e bashkëshkollarëve. Banonte ke daja, Jusuf Buzhala, i shpërngulur nga Krysheci në Pejë. Nëna Ajshe e pagëzoi me emrin e babait të saj, madje në gjallje të tij. Andaj, Jusufi u bë edhe favorit në familjen e dajve.
 
     Gjimnazi i Pejës ishte më numeriku në Kosovën e atëhershme. Vetëm viti i tretë i radhës numëronte 11 paralele. Në shumësinë e qindra nxënësve, shquheshin Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla. I pari, në gjuhët dhe letërsinë e përbotshme, ndësa i dyti, në artet e bukura: 
kitare, kompozim e këndim këngësh si dhe pikturë.
 
     Të dy ishin anëtarë të rrethit letrar të Gjimnazit. Por, Jusufi, disa nga krijimet poetike i lexonte edhe në një rreth të ngushtë, me shokët intimë, aty, në shtëpinë e Nënës Shkurte të Berishëve, rruga "Ramiz Sadiku", numër 45, ku unë me kushëririn Ramizin (Zeqiraj) ishim banues qiraxhinj. Jusufi ishte shok klase me  djalin e Nënës Shkurte, Nazmiun, madje kishin edhe një lidhje familjare.
 
     Jusuf Gërvalla asnjëherë nuk harroi se vinte nga fshati. Shkollimi, emancipimi i femrës shqiptare ishte shqetësim dhe dëshirë e tij. Prandaj, në shtëpitë e shokëve apo banesat e shoqeve, organizonte mini-mbremje muzikore me vajza dhe djem nga fshati, provinca.

 
            Lobi sllav

     Ishin kohë të vështira. Përgjimi ishte i rreptë, madje i kudondodhur. Vetëm matura e vit-lindjes 1940, nga 30 nxënës të një klase, 24 syrësh i kishin prindërit, babanë të pushkatuar, me gjyq e pa gjyq fare, e disa prej tyre edhe gjyshërit.

      Lobi sllav, me dominim kolonët malazezë, të prirë nga familja e pasur dhe e gjithëpushtetshme - Rajeviçët, kontrollonin jetën qytetare në Pejë me rrethinë. Pinjolli i kësaj familjeje, arsimtari i gjuhës serbo-kroate, Danillo Rajeviç, përgjatë një ore mësimi, do të thoshte: "Pas 40 vitësh në shkollat dhe institucionet e Kosovës nuk do të flitet gjuha shqipe!
 
     Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla, veç tjerëve, kishin edhe një shok të përbashkët, bashkëshkollarin Daut Berisha, djali i ish të burgosurit politik në ishullin e vdekjes, Goli Otok, Ibrahim Berishës, i akuzuar për implikim në vrasjen e Milladin Popoviçit.

      Daut Berisha, piktor me famë botërore, sot rron e krijon në kryeqytetin freng. Gjatë studimeve në Paris Ibrahim Rugova e ndante dhomën me atë. Daut Berisha është njëri nga 12 anëtarët e Këshillit të Intelektualëve të Francës, të cilin, presidentët francezë të radhës e konsultojnë për këshillim, të paktën dy herë në vit.      
 
     Jusuf Gërvalla u lind dhe u rrit në fshatin Dobovik. Bashkëvendorët e tij krenohen se fshati me pesë fise, banorët e të cilit nuk kanë ngritur kurrë dorë ndaj njëri-tjetrit. "Dhe kjo është vlerë, gati unike", - siç shprehet vëllai i Jusufit, Avdyl Gërvalla. Me këtë frymë paqe, harmonie dhe dashurie ndërnjerëzore u edukua edhe Jusuf Gërvalla.  

     Këtë frymë ai do ta manifestonte edhe në marrëdhëniet me bashkëkombasit në Mërgatë. Dhe, këtë cilësi e vyrtit njerëzor ia pranojnë edhe kundërshtarët politikë, armiqtë e tij. Ishte pikërisht kjo sjellje, joshje, tërheqje magnetike e Jusufit për njerëzit që e shqetësoi Sigurimin sekret serbo-sllav dhe ndezi gjelozinë e argatëve të tij shqipfolës, për ta shenjëstruar atë me shokë.
 
     Me bindjen se një gazetë mund të ngrejë në këmbë edhe një komb në agoni apo edhe të vdekur, Jusuf Gërvalla me shokë fillon ribotimin e gazetës "Zëri i Kosovës", të cilën për herë të parë e pagëzoi dhe e botoi, në vitet `70-a, në një bodrum të Prishtinës, i burgosuri politik shumëvjeçarë, Kadri (Os)Mani me shokë.

 
          Lëvizja ra në kurthin e Sigurimit jugosllav
 
     Përgaditja profesionale, politika redaktuese e gazetës ishte mbresëlënëse dhe ngjalli interesimin e bashkëkombasëve në Mërgatë dhe më gjerë. Thirrja për unitet dhe veprimtari koordinuese, ishin prioritet i vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka.
 
     Me vrasjen e tyre, Lëvizja ra në kurthin e Sigurimit jugosllav dhe të Sigurimit shqiptar. "Zëri i Kosovës", redaksia uzurpuese e kësaj gazete, hoqi nga ballina citatin artistik e kushtrim-dhënës të Jusuf Gërvallës: 
 

     “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s`do të ketë forcë, që të na ndalë në rrugën tonë”.
 
      Dhe e zëvendësoi atë me slloganin Internacional të shpëlarë: "Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni"! Dhe, "Zëri i Kosovës", tashmë, u bë kopje e gazetës parti-shtet të Tiranës, "Zëri i popullit".
     Fryma e dikurshme pajtuese, ia la vendin frymës përçarëse ndërshqiptare. Kjo frymë përçarëse, me dirigjimin e dy Sigurimeve Informative, jugosllav dhe shqiptar, vazhdoi përgjatë viteve `80-a e `90-a dhe kulmoi me aprovimin dhe mbështetjen e përkalljes dhunuese të Shqipërisë më 1997 dhe sabotimin kriminal e rrugaçëror të luftës të Kosovës më 1998 - 1999.
     Pagëzuesi dhe botuesi i parë i "Zërit të Kosovës", magjistër Kadri (Os)Mani, zemërplasur, do ta quante "fletushkë antikombëtare". Kushdo që do të provonte të argumentonte ndryshe, do të dështonte turpshëm.

     Jusufi nuhati rrezikun dhe kërkoi mbrojtjen fizike gjermane. Por, mjerisht, nuk e gëzoi atë, sepse diç e tillë  nuk është sanksionuar në ligjin  gjerman për emigracionin. Parandjenja e vrasjes së mundshme e Jusuf Gërvallës, ngjasonte me atë të ministrit të luftës, Ahmet Krasniqi, i cili, pas kërcënimeve direkte të veglave  të pushtuesit serb, sabotues të luftës, pushtetarëve të sotëm, të ardhur nga Lëvizja e pas vrasjes të Jusuf Gërvallës, përsëriste: "Nëse nuk vritëm, do ta bëj këtë apo atë punë....". Por, ai ndodhej "në gojën e ujqërve", edhepse në atë kohë banonte e vepronte në Tiranën hyjnore dhe nuk kishte kujt t`i kërkonte ndihmë për mbrojtje.
 
    Lajmin e trishtëm e tragjik për atentatimin e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka e mësova në mbremjen e 18 janarit 1982, në një qeli, birucë të burgut të Burrelit, nga një altoparlant, i cili aktivizohej vetëm për lajmet e orës 20.oo dhe fjalimet bombastike e boshe të Enver Hoxhës. "Kosovës po i vritën djemtë", - ishte  nisma e lajmit tronditës, për t`u mos u përmendur asnjëherë më emri i tyre në mediat shqiptare!!! Përjetimi, në kushtet e vetmisë së madhe, ishte i përvajshëm, i skajshëm.
 
     Pas vrasjes të trefishtë në Untergruppenbach të Heilbronit, hetuesia gjermane e lokalizoi krimin në tri prista, bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në mes tyre: 1.- Sigurimi Jugosllav; 2.- Sigurimi Shqiptar; 3.-  dhe tek disa anëtarë të aziluar të Lëvizjes, agjentë të UDB-së jugosllave. Dosja qe mbyllur, për t`u rihapur vitin e shkuar, pas 32 vjetësh heshtjeje. 


           Politika e ndyrë

     Implikimi i Sigurimit Shqiptar në këtë krim kundrakombëtar, është rrjedhojë logjike e politikës vëlla-vrasëse të komunistëve shqiptarë. Kjo politikë e ndyrë zë fill me themelimin dhe instruktimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë nga emisarët jugosllavë në vitin 1941.
 
     Lufta civile, ndërqytetare e filluar në Labëri, në Vlorë me rrethinë, kundër nacionalistëve, atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në "Balli Kombëtar", të udhëhequr nga Mithat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, për të vazhduar në tërë Shqipërinë; masakra e Drenicës dhe ajo e Tivarit dhe të tjera krime të partizanëve shqiptarë e jugosllavë, dhe deri ke sabotimi i luftës të Kosovës me 1998 - 1999, i shoqëruar me vrasjen e ushtarakëve dhe të veprimtarëve të LDK-së, nga social-komunistët e Shqipërisë (PSSH) dhe të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), janë dëshmi rrënqethëse të krimit të organizuar komunist.
 
     Dhe, një ditë kur shqiptarët do të mësojnë rolin dhe qëllimin e Partisë të Punës të Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës me bandën e tij, Sigurimin supërkriminal, në organizimin e demonstratave të vitit 1981, bota gjithëshqiptare do ta mbajë frymën për një çast habie e tmerri.
 
     Për këtë të vërtetë sipërore, informacioni është burimor, i dorës së parë. Është tjetër ajo propagandë që hidhet në letër dhe shpërndahet në etër, për konsum e mashtrim, dhe krejt diç tjetër çfarë i thuhet një të dënuari, të burgosur në burgun e vdekjes - Burrel, mbyllja, izolimi i të cilit aty, presupozon marrjen në varr të sekreteve.


 
          PËRGJIMI; INTERNIMI; IZOLIMI; BURGOSJA DHE

                       SAKATOSJA E NACIONALISTËVE
 
     Letërkëmbimi i Jusuf Gërvallës me Enver Hoxhën, përgjigja e tij se "çështja e Kosovës do të zgjidhet në kuadrin e revolucionit dhe me fitoren e komunizmit në shkallë botërore" dhe kundërpërgjigja e Jusufit, me pyetjen skeptike, dyshuese, shokuese e dërrmuese  se "nëse ky revolucion nuk do të bëhet kurrë, edhe sa duhet të presë Kosova e pushtuar", ishte sa e papritshme, aq edhe mosduruese për filosllavin Enver Hoxha.


              Politika hipokrite
 
     Politika hipokrite, dyfytyrëshe e PPSH-së; ruajtja me çdo kusht e status-quosë, të gjendjes ekzistuese në Kosovë; denoncimi i të gjitha grupeve dhe organizatave ilegale në Kosovë dhe gjetkë; përgjimi, internimi, izolimi, burgosja dhe sakatosja e nacionalistëve, të cilët kërkuan shpëtim e strehim në Shqipërinë - Nënë; bashkëpunimi i dy Sigurimeve Informative: jugosllav dhe shqiptar, i nisur në vitet `40-a, për të mos u ndërprerë kurrë, pavarësisht lojërave e zënkave politike - ideologjike, e bëjnë fort të besueshme përzierjen në krimin e Untergruppenbah-ut të Shtetit Shqiptar.
 
     Jugosllavia komuniste dhe Shqipëria staliniste, nuk mund ta duronin  një Jusuf Gërvallë, i cili synonte bashkimin e të gjitha forcave atdhedashëse, me orientim demokratik, perëndimor dhe, vetëkuptohet, distancim i prerë ndaj dogmës, ideologjisë komuniste. Sepse ky Jusuf Gërvallë, tashmë, ishte bërë faktor ndër bashkatdhetarët shqiptarë, numri i të cilëve  po vinte gjithnjë në rritje, madje gjeometrike.
 
     Shteti Shqiptar nuk mund të lejonte të humbiste kontrollin mbi Lëvizjen, në Mërgatë e Kosovë dhe trevat tjera shqiptare, e cila, ngadalë, por, e sigurtë, nën drejtimin e Jusuf Gërvallës, po konsolidohej. Sepse nga kjo do të merrte informacionet për të gjitha nismat ilegale apo gjysmë-legale në Kosovë, informacion që i jipej Jugosllavisë, në këmbim të blerjes të zarzavateve, perimeve drejtëpërsedrejti nga plantacionet, tokat-sera, me mbulesë plastmasi, najloni, nga paratë e të cilave mbahej në këmbët - paterica administrata e mini-Shtetit varfanjak Shqiptar.


 

      Dhe, mbi të gjitha, çdo ndryshim pozitiv në Kosovë, dëmtonte, madje e rrezikonte seriozisht vazhdimin e diktaturës së egër, tej staliniste, në Shqipërinë fort të stërkequr të viteve `80-a. Politika kundrakombëtare hoxhiste donte një Kosovë vasale, të bindur ndaj pushtetit jugosllav, madje mjerane e varfanjake, për të shmangur agjitacionin figurativ, siç ishte standardi sipërior i Kosovës së atëhershme, në raport me mjerimin ekonomik dhe demokratik të Shqipërisë.


            Hipokrizia e turpshme
 
     Ndërhyrja, kinse pajtuese e "diplomatëve", më sakt, e Sigurimit Shqiptar, të grupeve kundërshtare brenda Lëvizjes, me qëllimin e poshtër e kriminal për thellimin e përçarjes në mes tyre, duke u thënë në selitë "diplomatike" të Shqipërisë, në Vjenë dhe Stanboll, njëherësh, njërit dhe tjetrit grup kundërshtar, veç e veç, se kanë të drejtë të dyja palët dhe "mos lëshoni pe nga qendrimet aktuale", dëshmon për hipokrizinë e turpshme e skandaloze të "pajtimtarëve diplomatë", përkatësisht, të Shtetit Shqiptar, sepse në monizëm, në shtetet parti-shtet nuk ka mendim e veprim individual, personal politik, por, vetëm kolektiv, partiak, pra, shtetëror.
  
    Rrjedhojat e vrasjeve në Mërgatë, qenë fatale për Lëvizjen dhe vet Kosovën. Lëvizja Popullore e Kosovës, pavarësisht, anëtarësisë të pafajshme, u shpall organizatë terroriste. Dhe, ky ndëshkim vazhdon të jetë edhe sot i plotëfuqishëm. Kushdo që ka mbushur formularin për të marrë shtetësinë gjermane, në listën e organizatave terroriste botërore, figuron edhe Lëvizja Popullore e Kosovës.
     Thonë se "gjaku nuk bëhet ujë, gjaku nuk humbet" dhe, zakonisht, nuk i kalon 40 vjet pa u zbuluar vrasësi. Mendoj se kjo do të  ndodhë edhe për heronjtë e Unterguppenbach-ut, heronjtë e Kosovës: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Lexuesit të vëmendshëm nuk i kanë shpëtuar seria e fakteve të zbuluara, madje edhe të vetëdenoncuara.
 
     Të trimëruar nga dështimi i Tribunalit të Hagës, i cili, duke liruar edhe ministrat kriminelë të Millosheviçit dhe përgaditja e dosjes edhe për lirimin e vet Millosheviçit; dështimi korruptiv i UNMIK-ut dhe EULEX-it; arrestimi i bujshëm i kriminelëve individual e gruporë, me akuza faktike dhe me lirimet me alibi fiktive, të rrejshme, nga gjykatat korruptive të Kosovës, të implikuarit në vrasjen e trefishtë në Untergruppenbach të Heilbronit, kanë nisur të rrëfehen, për krimin, tanimë, të bërë!

 
           Çlirimi nga mëkati 
 
     Dikur shokë në intrigim dhe krim, tani akuzojnë njëri - tjetrin si vrasës të yjeve të Kosovës. Publikimi i letrës të një mësuesi, afro dy vjet më parë, pranimi se është implikuar në vrasjen e trefishtë në Untergruppenbach dhe nominimi, me emër e mbiemër, të shefit të tij  shqipfolës, kuadër i Lëvizjes, i cili e implikoi në krim, ishte shokuese. Qasja serioze, thyerja e heshtjes tej 30 vjeçare, kërkesa për t`u hetuar për rastin, është rrjedhojë logjike, sepse nuk don që fajësinë e vet t`ua lejë barrë fëmijëve të tij.
 
     Përpjekja për t`i denigruar heronjtë e Kosovës, duke i paraqitur si agjitatorë të zakonshëm, të pa perspektivë për t`u imponuar si liderë në të ardhmen; herë-herë edhe akuza si të dyshimtë në flirtimin me UDB-në; koordinimi me Serbinë, duke përmendur ndonjë vrasës serb, por, tashmë, i ekzekutuar nga bandat apo shteti, për të prodhuar mjegullnajë, me qëllim të moshapjes të sërishme të dosjes për rastin në fjalë.
 
     Denoncimet polemizuese të të dyshuarëve të bazuar, vetëdenoncimet bazike dhe letra e vëllezërve në jetë, Hysen dhe Avdyl Gërvalla, me 4 (katër) faktet fort domëthënëse, janë krejt të mjaftueshme për zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Krimi i pandëshkuar i 17 janarit të vitit 1982, u përsërit në vitet e luftës dhe të pasluftës. Aktorët dhe lidhshmëria e tyre është faktike.

 
           Heshtja e prokurorisë së Kosovës
 
     Prokuroria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë nismë, deri tani, për hetimin dhe zbulimin e vrasjes të trefishtë në Untergruppenbach, me gjithë faktet e shumëta, tashmë, të njohura. Kjo prokurori, qëllimshëm, i ka heshtur edhe vrasjet seriale politike në Shqipëri dhe Kosovë! Megjithatë, Presidentja e Kosovës, këto ditë, e dekoroi  Kryeprokurorin e Kosovës (Ismet Kabashin), me motivacionin "për suksese të mëdha në zbulimin dhe në luftimin e të gjitha llojeve të krimeve! "Turpi nuk ka mbytur askënd", - thotë populli. Cinizmi i këtij dekorimi është i paparaprijës, i skajshëm, kulmor!!!
 
     Armiqtë nuk janë mjaftuar vetëm me sulmet, qoftë, edhe pas amëshimit të Jusufit. Ata kanë shpifur sikur Familja e Jusufit ka qenë e afërt, pse jo, edhe spiune e regjimit të monstrumit Hoxhë; sikur kanë banuar brenda Bllokut të zi të byroistëve partiakë dhe të tjera broçkulla.
 
     E vërteta është se Familja e Jusuf Gërvallës, fillimisht, u strehua  në lagjën jevgjite, rome, në Kinostudio, në cepin verior të qytetit, ku shpesh mungonte uji dhe rryma. Trajtimi ndryshoi vetëm atëherë kur grupe turistësh vinin nga Kosova dhe kërkonin ta vizitonin familjen e Jusuf Gërvallës. Dhe, kur, me një rast vizite, një autobus me vizitorë u bllokua në rrugicën e mahallës, romët rrethuan autobusin, duke parë, si me habi, njerëz me fytyra e veshje fort të hekurosura. Atëherë, pushtetarët stalinistë e kuptuan se Jusuf Gërvalla paska qenë dikushi!
 
     Veç kësaj, droja se nusja dinjitoze e Jusufit, Syzanë Gërvalla, nuk do të pajtohej gjatë me këtë gjendje, bëri që pushteti komunist të reflektojë, për trajtim ndryshe të kësaj familjeje markante e fisnike. 
 
     Familja Gërvalla nuk ka qenë asnjëher pjesë e Bllokut. Ajo  u strehua ke shtëpitë trekatëshe, të njohura si - vilat e aviacionit italian-, të ndërtuara përgjatë pushtimit, në vitet `40-a, në Lagjën 8-të të Tiranës. 
 
     Djali i madh i Jusufit, Premtoni ishte kuadër në Ministrinë e Drejtësisë, në kohën e pushtetit demokratik të dr. Sali Berishës. Pas ndërrimit të dhunshëm të pushtetit, atë e pushuan nga puna dhe juristi i diplomuar Premton Gërvalla mori rrugën e mërgimit, ashtu siç kishte ikur babai i tij, Jusuf Gërvalla, 18 vjet më parë, nga pushteti represiv jugosllav.

 
     Është pengu i madh i ne, shqiptarëve pse nuk kemi një fëmijë lindak të Kadri Zekës. Por, lehtëson fakti se Kadriu la prapa vëllezër e motra, nipër e mbesa. Prania e sontme e nipit të Tij, Zenun Pajaziti -Zeka, deputet i Republikës të Kosovës, është një ngushëllim faktik për të gjithë neve.

 
- Një kompliment për zotëri Pajazitin:
 
 Kisha një nguti të bazuar për marrjen e pashaportës, sot për nesër. Kërkova ndërhyrjen e ministrit të brendshëm të atëhershëm Pajaziti. Ai e realizoi këtë në kohë rekorde dhe së bashku me Hydajet Hysenin, më ftuan për kafe. Pra, edhe të kryejë punë, edhe të qerasë! Një ministër bashkëkohorë. Dhe, mendja më shkoi tek Kadri Zeka fisnik: "Një burim që ka rrjedhur, edhe nëse nuk rrjedhë më, gjithësesi, do të pikojë", - thotë urtësia popull.

 
          Xhelozia ndaj Donikë Gërvallës
 
     Jusufi dhe Bardhi qenë më të hershëm në martesë dhe lanë fëmijë në jetë. Për opinionin shqiptar dhe më gjerë është e mirënjohur vajza e Jusufit, Donikë Gërvalla, e cila ka trashëguar shumëçka nga i ati, Jusufi. Thënë ndryshe: "Më bëj baba të të ngjaj". Për një çerek-shekulli ajo është në shërbim cilësor të Kosovës. Dhe, tani, kur duhej zënë vendin që i takon dhe e meriton në politikë-bërjen e Kosovës, përveç kundërshtarëve politikë, atë e xhelozon, madje e lufton, edhe klani brenda partisë të saj. Ndërkohë që alternativa më adekuate do të ishte - Donikë Gërvalla në krye të LDK-së.
 
    Donika ka shprehur edhe një keqardhje: "Xhaxhai im, Bardhoshi, ishte njeri i mirë dhe shumë i përkushtuar për Kosovën. Por, ka ngelur, disi, nën hijen e të vëllait, babait tim - Jusufit".
 
     Në janarët e 20 viteve me radhë, Mërgata shqiptare ka bërë homazhet, nderimet ke varrezat e dëshmorëve Gërvalla e Zeka, në Canstadt të Shtutgardit. Dhimbja dhe përlotja shtohej pse për djemtë dëshmorë mungoi nga një varr në Kosovën tonë. Dhe, tani, që ata prehen në tokën mëmë, madje institucione e rrugë mbajnë emrat e tyre, dhembja jonë është krenare.
 
     Nderim dhe përjetësi për Heronjtë e Kosovës: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi e Musa Hoti me shokë. 

 
          Ju falemnderit për vëmendjen!
 
 P.S. Fjala e mbajtur në Akademinë Përkujtimore për Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, në  Kichheim-Teck, Gjermani.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi