Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mustafa Kruja i flet Shkodrës ditën e flamurit

Shko poshtë

Mustafa Kruja i flet Shkodrës ditën e flamurit Empty Mustafa Kruja i flet Shkodrës ditën e flamurit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 16, 2009 12:53 am

Mustafa Kruja i flet Shkodrës ditën e flamurit


Mustafa Kruja i flet Shkodrës ditën e flamurit U1_MustafaMerlikaKrujaNë 13-vjetorin e pavarësisë Mustafa Kruja, me statusin e prefektit të Shkodër me qeverinë e F. Nolit, mban këtë fjalim. Botohet për herë të parë

Nga Mustafa Merlika Kruja

Zotnij,Sod të gjithë Shqiptarët, qi jetojnë n'Atdhe të vet, ase në nji dhe të lirë, kremtojnë të tremdhetën vjetë të shpëtimit të Kombit të tyne prej zgjedhës së huej.

Katër shekuj e gjymës, mbas vdekës së Fatosit të tij, Skanderbegut, rrnoi Kombi shqiptar nën sundim të huej, i shamë, i poshtnuem e i përbuzun në plang të vet prej të huejit. Katër shekuj e gjymës Shqiptari punoi tokën e vet për të huejin, ruejti baktín e vet për të huejin, rriti djalë e vajzë për të huejin.

Për katër shekuj e gjymës djelm e vajza të Shqipnís u dhunuen prej epshit barbar të sulltanvet e të gjeneralavet të nji kombi asjatik nëpër pallatet e Edrenés e të Stambollës. Për katër shekuj e gjymës gjaku i Shqiptarit njomi shkretít e Arabís, lau bjeshkët e Persís e t'Anadollit.

Kje mbas gjithë kësaj nate të gjatë, t'errtë e të rrezikshme, qi lufta ballkanike desh t'a hidhte atdheun t'onë prej nji zgjedhe në nji tjetër. Por nji tubë e vogël intelektualësh t'onë thanë: "

Jo!...mjaft mâ në robní; kështu e mbrapa dona me rrnue të lirë e zot në shtëpí t'onë!..."U mblodhën q'atje n'atë Vlonën kreshnike dhe Shqipja e Kastriotit të madh, qi deri atëherë ishte strukun e flênte vetëm në zêmrat e Shqiptarvet, me guximin e tyne, hapi fletët plot madhështí n'ajr t'atij qyteti të bekuem e në mes të lotvet të derdhun prej mallëngjimit të gjith'atyne burravet qi ishin përvëlue deri atë ditë me shijue bukurín e madhnín e saj!

Qysh atê ças, sos 12 vjet në këtê ditë e gati në kët'orë, Shqipnia, Atdheu ynë i dashun, qe shpallë i lirë prej çdo zgjedhe, i pavarëm. Shqipnía ish bâmun e Shqiptarvet! Por, ahime!... thika e pamëshirshme e diplomatís e preu gjymsën e trupit të këtij Kombi fisnik për me i a sakrifikue ngadhnjimit t'armvet të fqîjvet t'onë.

Liríja u fitue, por jo gjithë Shqipnía. Gjymsa e vllazënvet t'onë, sod qi na kremtojmë festën e lirís kombtare, dridhen se mos u këndohen në ftyrë urimet qi bâjnë heshtas në zêmër të tyne për avenirin e deshiruem të nânës Shqipní.

Ata urojnë e fshâjnë njiherit. E na, qi sod po kremtojmë lirín t'onë me gëzim e brohorí, nuk do të harrojmë me i u përgjegjun fshâmës së tyne me nji ngushullim vëllaznuer e me bindje të patundëshme se nji ditë, sa do e largë qoftë, kanë me pasun edhe ata gëzimin e madh qi po kemi na sod.

Pa dyshim do të vijë nji ditë, në të cilën ka me u realizue ândrra poetike e nji Shkodrani të madh, e Vaso Pashës, qi pat vajtue për lirín e Shqipnís me nji duf patriotizmi të pandalshëm.

Veç 12 vjet, thashë, u bânë qi po kemi nji Shqipní të lirë, mbas 450 vjet robníe tragjike. Tragjedí e gjallë, për njimênd, robnía e jonë! Për të gjatë gjithë asaj kohe Shqipnía s'ka qênë tjetër, veçse nji shqênë aktesh tragjike, ku të parët t'onë, pa i a damun, përpiqeshin me këputë hekurat e robnís; e diku diku me ato hekura në qafë edhe me pritun sulmet e anmiqve mâ të rrezikshëm qi mësŷjshin trojet e tyne. Qe, këto troje qi na po trashigojmë sod në lirí.

Çdo pllâmbë dhe e kësaj toke të shênjtë ka mbrênda pluhnin e eshtnavet të shkrîme të Shqiptarvet qi kanë dekun për tê. Ç'do kep i këtyne bjeshkve madhështore bân dishmí se shumë herë âsht lamun me gjak të parvet t'onë për mos me lânë t'a shklasin kâmba e huej. Sod shpirtnat e gjithë nj'atyne të vdekunve na thërrasin mënershëm e na thonë:

"Mallkue qofshi, në mos dijshi me e mbajtun çka na ju siguruem me gjak t'onin!
Mallkue qofshi e kurr hajër mos bâfshi, n'e shitshi gjakun t'onë e nderën t'uej për pesë pare të shkreta qi anmiku don me ju shtí në dorë për me ju thye nj'atê burrní qi na ju lamë trashigim për projtjen e Shqipnís.

Mos qofshi bijt t'onë, në mos e mbajtshi nj'atê besë e vëllazní qi na patëm njêni me tjetrin kur vdiqëm ndên shpatën mizore t'anmikut, turk e i kshtên, toskë e gegë krah për krah për me i dalë zot kësaj Shqipníe qi ju bashkon e ju përmbledh të tânë në nji truell ë në nji plang!"
Mallkime e nâmë të tmerrshme!

Kush âsht ai qi i ndíe e s'dridhet?

Veç nj'ai qi s'ka nderë as gjak shqiptari në dej të vet! Nj'ai qi Shqipnín e don vetëm për të mbushun qëllimet e veta; qi lot me nderën, gjakun e djersën e fukaràs për epshet e mbrapshtít e veta, nj'ai qi e vên vedin në dispozitë të kui t'a paguej mâ shtrêjt për me rrenue Atdheun e vet, me marrë nëpër kâmbë nderën e motravet të veta, me nji fjalë nj'ai qi meriton të thirret me të gjithë kuptimin e vërtetë të fjalës tradhtuer e i mallkuem!

Por tradhtorët le t'a dijnë e le t'a ndíejnë, kudo qofshin, se Shqipnía ka se ka besë e ka se ka burra: asi burrash qi kanë ditun të vdesin për nderën e Atdheut para anmiqve shumë mâ të fortë e mâ të mëdhâj se ata; ka se ka djelmosha qi vdesin pa pritue për idealin kombtar.

Shqipnía, zotníj, qi na sod po e brohorisim për të tremdhetën vjetë të lirë e me vete, do të rrnojë e lirë; e lirë prej të huejvet e e lirë prej tradhtorvet, pse kështu âsht vullneti i Kombit, vullneti i atdhetarvet.

E pse, për fat të mirë t'onin, këtê të drejtë s'ka mujtë mos me na e njoftun edhe gjithë nj'ajo botë e huej qi sod po lidh e zgidh fatin e kombevet të vogla në faqe të tokës. Shumë herë janë mundue tradhtorët t'a humbasin këtê Shqipní, por gjithmonë kanë ndeshun në vullnetin e papërkulshëm të popullit shqiptar, të mbështetun edhe mi nj'atê të drejtë qi na âsht njoftun prej botës mbarë, si nji komb qi don me jetue i lirë.

Të jemi pra të lidhun e të bashkuem me besën qi na kanë lânë babat e gjyshat t'onë, për lirín e lulzimin e Atdheut; t'i napim dorën shoqi shoqit burrnisht e vëllaznisht, tue i mbajtun në cakun e vet ndryshimet e fevet e t'idevet e të betohemi mi flamurin e shênjtë se kurrë i hueji e tradhtori s'ka me na sundue për së gjalli!

Popull i Shkodrës! Ti, sidomos, me malet e tueja nuk do t'i harrojsh traditat e lavdishme qi trashigon prej të parvet të tuej, qyshë prej Kara-Mahmudit e te Oso Kuka, nj'ashtu si t'i kanë përshkrue Vaso Pasha i yt e auktori i pavdekshëm i Lahutës së Malsís!

Meritoje pra edhe me veprat e mbaskëndejme vêndin e naltë qi të ka caktue historia në gjî të Kombit shqiptar! Vetëm bashkimi, or vëllazën, bashkimi i të gjithë Shqiptarvet të ndershëm, na bân me qênë të drashun prej tradhtorvet e të nderuem prej të huejvet.

Me bashkim e vëllazní të pa hile e të pa sherr kjo ditë e lumnueshme do të na gjêjë për gjithë vjetë mâ mirë.
Rrnoftë Shqipnía e lirë!

Shekulli
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi