Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Frrokët dhe Mrrotët , Doshët dhe Kodoshët !

Shko poshtë

Frrokët dhe Mrrotët , Doshët dhe Kodoshët ! Empty Frrokët dhe Mrrotët , Doshët dhe Kodoshët !

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 31, 2015 8:01 pm

Frrokët dhe Mrrotët , Doshët dhe Kodoshët !

 Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA


Frrokët dhe Mrrotët , Doshët dhe Kodoshët ! Largea_behxhet-shala1427813875


Lehtësia e pabesueshme dhe e padënueshme e akuzimit : Shqiptarët janë popull shumë i çuditshëm dhe specifik. Gjatë historisë thuaja 2000 vjeçare gjithmonë janë marrë me gjëra të dorës së dytë shkaku se me gjëra të dorës së parë janë marrë pushtuesit e tyre e të tillë ka pasur shumë si : romakët , bizantinët , otomanët, grekët, bullgarët, gjermanët, italianët, malazezët, serbët ndërsa pas luftës së dytë botërore rusët dhe kinezët. Shumë pushtues për një popull relativisht të vogël dhe për një territor gjithashtu të vogël.
Territor që vazhdimisht është tkurrur dhe që po tkurret edhe sot e kësaj dite. Kjo është sigurisht edhe arsyeja pse po kemi shumë probleme në shtet formim dhe shtetndërtimit e sidomos në bërje të një shteti funksional. Pashmangshëm se kjo ndikon edhe në formimin e kombit prandaj edhe bëhen eksperimente që nga një komb shqiptar të ndahet thuaja pesëdhjetë përqindëshi duke u detyruar me shantazhe, kërcënime , poste dhe privilegje tjera të deklarohen si kosovarë në ndërkohë që këtë dukuri nuk e kemi te kinezët që janë më shumë se një miliardë, amerikanët , gjermanët , italianët , francezët dhe shumë kombe të tjera që, nëse shqiptarët krahasohen me ta , mbesin pakicë absolute.
Shqiptarët në kohën e kriminelit Tito detyroheshin të deklarohen si jugosllavë apo turq për t’i shpërngulur në shkretëtirat e Anadollisë ( ish pushtuesit mizor 500 vjeçar ) e që po bëhen përpjekje nga “ miqtë “ ndërkombëtarë dhe mizat e tyre të kalit vendore kosovare ta bëjnë një prerje të panevojshme dhe jonormale brenda një kombi . Shqiptarët, gjithashtu njihen se e kanë temperamentin e teneqes ( llamarinës ) sepse shumë shpejtë nxehen dhe shumë më shpejt ftohen . Prandaj edhe fjalën e fundit e thonë si të parën dhe bëhen peng i asaj fjale. Në debate , takime , konferenca, protesta , greva dhe forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë këmbëngulin se nuk do ta ndërprerjen revoltën :” deri në realizimin e qëllimit për të cilin protestojnë ..” dhe nuk ka ndodhur që ta përfundojnë protestën me realizimin e kërkesave. Pastaj , kur dështojnë në realizimin e kërkesave akuzojnë të tjerët për ate që e kanë premtuar duke kërkuar fajtorin dikund tjetër. Mirëpo , për të akuzuar edhe kur nuk kanë fare fakte , nuk përtojnë aspak dhe duket se fjalët e forta shërbejnë për mirëmbajtjen e egos së tyre ndërsa akuzat e forta dhe atëherë kur nuk mund të dëshmohen me fakte konkrete ndikojnë në fuqizimin artificial të personalitetit të tyre dhe ngritjes së statusit shoqëror brenda komunitetit që i takojnë. Këtu nuk ka dallime nëse ngjarja ndodhë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni , Luginë të Preshevës apo Mal të Zi ku jetojnë shqiptarët qoftë si shumicë , qoftë si pakicë apo qoftë edhe vetëm si hije.
Trekëndëshi Meta – Frroku dhe Doshi : Kohë më parë në Shqipëri u akuzua kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Dukati se paska porositur vrasjen e deputetit z. Tomë Doshi, përmes deputetit z. Mark Frroku. Ilir Meta u portretizua , përmes denoncimit që i bënë deputetët në fjalë si porositës i vrasjes së njërit prej tyre, duke e demonizuar botërisht dhe duke e kërkuar kokën e tij politike si dhe kokën politike të Edi Ramës. Hetimet filluan sepse Prokuroria e Shtetit ishte efikase. Ilir Meta shkoi disa herë në prokurori dhe nuk u fsheh prapa postit . Gjatë marrjes në pyetje të palës së akuzuar dhe atyre që akuzuan doli se ka çarje të mëdha që e hudhin poshtë dyshimin e mos të flasim për akuzën eventuale . Tash , Frroku dhe Doshi u akuzuan për kurdisje dhe shpifje të denoncimit dhe me një procedurë të përshpejtuar , pasi iu hoq imuniteti nga Kuvendi i Shqipërisë , u arrestuan nën akuzë për të cilën mund të qëndrojnë disa vite nën flladin e burgjeve të ndërtuara me donacione të BE –së. Për arrestimin e tyre u angazhua edhe një Ambasadë shumë e fuqishme në Tiranë që , pa dyshim edhe ishte përcaktuese për një hokus- pokus, nga denoncuesit në të akuzuar. Tash, drejtësia mbetet ta thotë fjalën përfundimtare mirëpo e mira e gjithë kësaj është se askush nuk mund të akuzojë të tjerët pa fakte aq më parë me fakte të rreme për qëllime politike pavarësisht pozitës që e ka apo imunitetit me të cilin është veshur! Sigurisht se dikush këtu do ta pësojë nëse merret një vendim juridik.
Po Kosova e varur dhe e pavarur : Kadri Veseli është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe sigurisht edhe personi më i sulmuar, më i fyer dhe më i akuzuari para e sidomos pasi u votua për kryetar të Kuvendit . Edhe nga mediet , nga shoqëria civile , nga opozita , nga një pjesë e pozitës sikur edhe nga bashkëpartiakët me të cilët ka rrugëtuar një kohë të gjatë. Vazhdimisht e kanë kërkuar dhe po e kërkojnë kokën e tij , politike dhe anatomike. Madje, kjo nuk ka mbetur vetëm në sferën e përfoljeve por ka eskaluar në akuza konkrete me të cilat në çdo vend normal do të merrej prokuroria dhe drejtësia . Nëse disa deputetë e akuzojnë për vrasje të babait , vrasje të xhaxhait dhe të gjitha vrasjet që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës duke kërkuar dorëheqjen e tij atëherë nuk më duket aspak normale mosreagimi i zotit Veseli e sidomos më duket jonormale dhe papërgjegjësi e skajshme heshtja e Prokurorisë së Shtetit dhe asaj të EULESH-it që na teshën prapanicën me zero tolerancë ndaj krimit ndërsa që krimi vetëm sa nuk po pëlcet nga shëndeti. Në këtë rast, ose duhet të hetohen akuzat ( jo më dyshimet ) e zz. Salihaj , Zemaj dhe zonjës Maloku kundër zotit Veseli ose duhet të thirren me urgjencë akuzuesit të ofrojnë dëshmi për akuzat publike . Nëse kanë fakte të mjaftueshme atëherë kjo çështje kalon në përgjegjësi të prokurorisë dhe gjyqësisë.
Nëse edhe këta manipulojnë me fakte sikur Frroku dhe Doshi kundër Ilir Skraparit , atëherë edhe këtyre duhet t’u merret imuniteti sikur që duhet të kalojnë nëpër një procedure gjyqësore . E vërteta nuk banon në dy adresa , te ata që akuzojnë apo te ai që akuzohet . Në Kuvend mund të kërkohet përgjegjësia politike apo institucionale por Kuvendi nuk është institucion që shqipton dënime me burg apo përcakton përgjegjësi penale sikur që liron nga përgjegjësia penale. Kryetari i Kuvendit të Kosovës , z. Kadri Veseli është dashur të veprojë sikur Ilir Meta në Shqipëri. Në të kundërtën tërë kohën do të kemi përplasje dhe akuza të tilla që e pengojnë Kuvendin në kryerjen e punëve për të cilat ka mandat. Në Shqipëri , pas rastit Meta – Frroku dhe Doshi , ata që përpiqen të akuzojnë pa pasur fakte do të mendojnë mirë e mirë para se ta marrin një veprim të tillë! Pse të mos ndodhë edhe kjo në Kosovë aq më parë që këtu i kemi të gjitha institucionet e mundshme hetimore dhe gjyqësore, si ato të UNMIK-ut, EULESH-it , të Serbisë dhe aty – këtu edhe të Kosovës. Madje, vende –vende zbatohet edhe Kanuni i Lekës ose ka kërcënime se, nëse nuk vihet drejtësia në vend atëherë si mundësi për vetgjyqësi mbetet Kanuni i Lekë Dukagjinit!
Rasti tjetër që e dëshmon impotencën e skajshme të Prokurorisë së Shtetit ishte intervista e z. Bajram Rexhepi , ish kryeministër i Kosovës dhe ministër për Punë të Brendshme në dy mandatet e fundit. Ky , jo që nuk e kaloi Rubikonin por mbeti në llumin dhe baltën e gjallë në të cilën , në mënyrë përrallore kishte jetuar këto 10-12 vite të karrierës politike duke qenë në majat e piramidës qeveritare e që nënkupton edhe përgjegjësi konkrete për veprimet apo mosveprimet e tija. Bajram Rexhepi, në postet që ka qenë ka pasur shumë informacione ose është dashur t’i ketë për aktivitetet kriminale të personave të caktuar të veshur me poste dhe pushtet prandaj është dashur të ndërmerr veprime ligjore për parandalimin apo luftimin e krimit. Tash, pasi ka mbetur cipricullak ( pa poste të larta politike dhe qeveritare ) në stilin e Luixhit të XV –të ( pas meje të ndodhë kijameti ) dhe në stilin e Ponti Pilatit e shpëlanë veten nga çdo lloj përgjegjësie ndërsa akuzon të tjerët për veprime kriminale të cilat është dashur t’i luftojë vet ai! Edhe nëse është 100% e vërtetë ajo çka e thotë z. Bajram Rexhepi , në kohën dhe rrethanat kur e thotë e bëjnë të pabesueshme dhe moralisht të dyshimtë . Nuk është këtu problemi te Bajrami sa është te Prokuroria e Shtetit e cila, ende pa përfunduar intervista në Rubikon është dashur t’i lërë një ftesë z. Rexhepi që të lajmërohet te prokurori kujdestar meqë ka ofruar të dhëna që janë shumë të vlefshme për çdo prokurori normale. Nëse këto fakte të thëna në Rubikon do të ishin bindëse atëherë prokuroria do t’i niste hetimet ndaj zotit Veseli ndërsa nëse këto fakte do të ishin sikur të Frrokut dhe Doshit atëherë edhe Bajrami do të kontribuonte në” bashkimin kombëtar” me sivëllezërit Frroku dhe Doshi në Burgun e Tiranës në Mine Peza apo në qendrën pitoreske të Burgut për Siguri të Lartë buzë liqenit të Baltlavës, në Dyzin legjendar! Hetuesia e UNMIK-t dhe EULESH-it sikur edhe gjyqësia e tyre po sillen me indiferencë të plotë për këto raste (për qëllime politike sigurisht ) ndërsa gjyqësia jonë po sillet e mbërthyer në qarkun e doshëve dhe kodoshëve (të ndikuar nga politika sigurisht) !
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi