Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhevahir Spahiu: Një minierë përtej oqeanit

Shko poshtë

Xhevahir Spahiu: Një minierë përtej oqeanit Empty Xhevahir Spahiu: Një minierë përtej oqeanit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jun 18, 2009 2:10 pm

Xhevahir Spahiu: Një minierë përtej oqeanit U1_XhevahirSpahiuNjë minierë përtej oqeanit

Nga Xhevahir Spahiu

Dimrin që shkoi, në Çikago, ndjeva një nga ato gëzimet e qëruara shpirtërore dhe intelektuale, aq të rralla në këtë botë, ku fytyrat e rëndomta dhe shpirtrat pa ngjyrë nuk kanë të sosur. Përpara syve të mi u shfaq një njeri befasues, një mendje e gjallë, sa e lindur, aq edhe e selitur prej jetës me tallaze dhe studime faustiane. Gjithcka merrte trajtë të kthjellët në fjalët që thoshte; ato që i linte mangut fjala, sakaq, i thoshin sytë aty të menduar e aty në sulm, si sytë e një shkabe. Truplartë, 82-vjecar, me gjithë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, ai beson se do të rrojë gjatë, por, të paktën në dukje, edhe s'e ha fort meraku nëse i le shëndetin kësaj bote, të cilen e kundron si botë të absurdit.
Nëballin e gjerëe te braktisur prej flokëve të binte nësy mungesa e rrudhave. Mbase, thashë me vete, mbase nga që në rininë e tij të parë "mendonjëse" a më vonë e ka pasë mbajtur veth në vesh një porosi të Volterit, që s'di pse m'u kujtua në ato caste: "Mjerë filozofët që nuk i zhdukin rrudhat duke qeshur!"

Emri i Isuf Luzajt është pak ose aspak i njohur në botën kulturore shqiptare, kurse për brezin tim, thuajse i padëgjuar. Atëhere, pa fjale, vetvetiu del pyetja: kush është dhe c'ngulmon të përfaqësojë filozofi, poeti, prozatori, historiani dhe kujtimtari (memorialist) Isuf Luzaj? Pas shenjave të para dhe sipas horoskopit të mendjes sime dora-dorës përgjigjem: intelektual i realizuar në shkallën sipërore.

Në qoftë e vërtetë, e vërteta do të gëzohet si një foshnje. Në qoftë lajthitje, errare humanum est.

Ka lindur në Kaninë më 1913. Mësimet e para e të mesme i mori në Vlorë e në Shkodër. Më 1936 u diplomua për Letërsi e Filozofi në Universitetin e Sorbonës. Mësues në Normalen e Elbasanit, në Liceun e Korçës, në Tregtaren e Vlorës.

Më 7 prill i pret pushtuesit me armë në dorë; më tej, pas një demonstrate antifashiste, burgoset së bashku me 12 studentë të tij.

Lirohet nga burgu i Ventotenës dhe me 1943 në Mukje, si delegat i Ballit për Vlorën, mbron tezën e Shqipërise etnike.

Në dhjetor 1944 nis mërgimin biblik: Austri, Itali, Argjentinë, Amerikë. Merr pjesë në disa kongrese boterore të filozofëve.

Profesor e më pas titulluar katedre në Universitetet e Indianës e të Illinois-it, ShBA.

Rron në Çikago, midis librave dhe kujtimeve, në një vetmi asnjeherë të vetmuar. Mbi shpatullat e tij m'u duk se prej 50 vjetësh (dhjetor '44 - dhjetor '94) mbartte një gur Sizifi: guri i ndarjes për së gjalli, guri i mallit gjysmëshekullor për dheun dhe drurët e vendlindjes, për valët jonike dhe zogjtë e malit, për shqiptarët e tij fatlajthitur. ..

Por le të kthehemi tek ara jonë: krijimtaria.

Libri i parë i Isuf Luzajt është vëllimi poetik Rrëfime, botuar në vitin 1937 më 293 faqe. Autorin e rrasën tre muaj në burg birucave të Ministrise së Brendshme pas një kallzimi prapa shpine nën akuzën: poezia Neroni nënkupton Naltmadhninë. Këtë libër dhe këtë burgosje të një njeriu të letrave deri më sot e ka mbuluar harrimi. Libri tjetër që ka parë dritën e botimit në Barcelonë me 1955, është romani social-politik Lumenjtë zbresin të kuq i shkruar në spanjisht, edhe ky me një histori më vete.

Po tjeter?

- Ngjitu lart, - me tha profesori kur shkova të piqem me të në shtepinë e tij, ndërsa përjashta binte një bore e shtruar, e pafundme. - Ngjitu dhe shiko me sy e prek me duar jo ç'them unë, po ç'ka atje në baulet e papafingos.

Shfletoja pandërprerë, faqe pas faqeje, si i babëzitur e gati në skajet e përhumbjes dhjetëra vëllime në dorëshkrim! Mijëra faqe poezie, mijëra faqe filozofi, mijëra faqe histori, mijëra faqe ditare. Një bibliotekë e tërë. Një minierë e virgjër përtej oqeanit.

Për t'iu qasur paksa përmasave reale të ketij personaliteti të shumanshëm, shënojmë se në ditaret e tij parakalojnë kujtime të drejtpërdrejta dhe përsiatje për emra të tillë, si Fan Noli, Faik Konica, Qazim Koculi, Enver Hoxha, Mithat Frashëri, Lef Nosi, Sandro Petrini, Borhesi, Sartri, Regani... C'est parfait - i shkruante Sartri Luzajt, kur u njoh me trajtimin qe ai u bente mendimeve te tij ekzistencialiste, ne universitetet amerikane.

Profesori na bëri zë dhe unë me të birin zbritëm poshtë.

-A është i qartë shkrimi? - më pyeti gati me padurim.

-Për mua, po, -ia ktheva.

Dukej sheshit se pyetja e tij kishte brenda vetes një shqetësim. Ndoshta atë pyetje e bënte vetë vetëdija e tij krijuese, po edhe brenga për fatin e krijesës së tij. Pashë se përgjigja ime e qetësoi disi.

Isuf Luzaj u duk në letërsinë shqipe në fund të viteve '30 dhe pastaj u "zhduk", si një lumë i nëndheshëm. Ky lumë, i ushqyer nga burime të shumta të kulturave, filozofive, fatit dhe përvojave të tij të çuditshme jetësore, i rikthehet më në fund, në mbarim të këtij shekulli, hapësirëse shqiptare ujëplotë e me kumbimin e jehonave që vijnë nga thellësi të panjohura. Ai del nga Harrimi dhe bëhet Kujtesë. Njerëz të tillë të rrallë pasurojnë kulturën, përtërijnë historinë. Atyre u shkojnë aq shumë për shtat fjalët e Getës së madh: "Jetova aq sa punova."


Marr nga revista “Perpjekja” Nr 3, 1995 - Për ZSH: Kozeta Zylo
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi