Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Ndue Ukaj

Shko poshtë

Cikël poetik nga Ndue Ukaj Empty Cikël poetik nga Ndue Ukaj

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 21, 2009 12:19 am

Cikël poetik nga Ndue Ukaj U1_NdueUkajKUPTIMI

Tek e fundit çfarë kuptimi ka arti shpirti im
Mes gishtave të mi përvijohet shikimi yt
Dhe kalendari i grishur ku Kulla e Babelit u thye keq
Si të deshifrohen të pathënat, të pashkruarat,
E të kuptohen absurdet si lule të ujitura

Trazohet arena e mendimeve të bukura
Mëkatarë e papenduar ngarendin pas Përmendoreve Lavdie,
Ditë e natë çirren pa fije turpi nën hijen e hijes së dhembjes
Që gulçon tmerrshëm
Këlshedra prej detit gulçon
Ne puthemi pa e ditë efektin e puthjes
E duhemi pa i ditë pasojat

Më ç’paftyrësi ecet rrugës së djallit, Zot im
Me lëkurë të gjarprit veshur për të hijeshuar trupin,
Dikush thumbon e dikush thumbohet

Karikaturat e vdekjes të përdhosin trutë
Ndërkaq misteri i pafund rëndon:
Një mollë e kafshuar natën mbin dhëmbët e prishur
Dita nuk fsheh gjurmët e mëkatit të zi
Dhe ekzistencën e konceptit të humbjes

Gjarpri s’dihet në cilën ditë të krijimit u zvarrit në Eden
As për misionin e tij nuk mësuam asnjëherë.

HAPAT E VEGJËL

E masë kohën me shikimin prej zogu

Atë ditë kur dielli rrëshqiste drejt perëndimit
Një korb parakaloi para syve tanë
E tokës iu zu fryma nga inati

Si s'u bë që ta kthej diellin
Aty ku puthi shikimin tonë përsëpari
Dhe rrugën deri në Kodër ta kaloja me pupla

Atë ditë kur shikimi im u tret
Toka dridhej nga të ftohtit

Dielli u dha si femër mëkatare pas Bjeshkëve të Nemuna
Hapi i vogël për ta ndalë ishte pa përmbajtje
Shikimi im u mbyt krejt...

HIJA E KORBAVE

Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë

Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit mas kohën që vjen
Dhe kilometrat deri matanë Itakës

Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të çarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë

Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur

Një korb pa shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoi fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash

Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.

ALFABETI IM

Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq

Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë

Alfabeti im
E zgjat rritën prej poezisë
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mi

Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi

Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte

Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë

Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën

Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin tamam si Krisht

PËRRALLA E MOÇME

Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca
Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve
Humbasin drejtpeshimin
Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin

Një përrallë e moçme s'u tregua me shekuj
Pastaj për të njëjtën u bënë beteja të çmendura
Plot vite u rropat dora jonë prej hijesh,
Si flamur disfatash e arenë takimesh
Të gjejë gjurmët e t'vërtetës në ngrehinat prej lotësh

Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin tmerrshëm
Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të marrinave
E mjerë ne për përrallën e moçme

DRAMË

Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvuajtshëm
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zeza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hijet e korbave mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët me duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar lëviz në skenë për të satën herë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
Aktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në skenë

Teksa mua perceptimi për dramën m'i gërryen sytë
As Godo nuk priti sa unë

KUJTIM I MERMERTË

Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
I mermertë shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për mijëra të fshehta

E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardhë prapë dita jote poezi
Rri e qetë në hijen e magjisë
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti.

Zeus s'ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën e hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S'ka vend për art, sa trishtueshëm, s'ka kohë për poezi

Digjen merimanga digjen fjalë e zemra bashkë
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,
I është zënë fryma, qan pa iu kuptuar dhembja,
E ledhatoj e në buzët e kallura të saj qetësohem

Kalendari im po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Herdo kurdo çdo gjë zë vendin e vet
E natyrisht, edhe poezia do jetë në fatin e saj të lumë...

PËSHTJELLIM

Digjet mjekra ime
E këmbët e mia të lodhura
Askund s’mund të arrijnë

Një tym e ca shtëllunga përplasen syve
Zhurma të pakuptimta sillen nëpër veshë

Libri i historisë sime
Është djegur bashkë me Trojën

Të dashurit e mi
Diku nën Shkodër gjurmët e ikjes
Janë vizatuar me ngjyra hiri
Askush s’guxon t’i prekë

Asnjëherë s’arritëm të mësojmë
Historinë në trajtat e ferrit
Edhe pse At Zef Pllumi na tregoi:
Dante e ka shkruar Komedinë për ne

Në mërdhihemi e ikim nga dielli
S’kemi syza të zeza të mbrohemi- klith Ali Podrimja

Në parada orësh letrare dehemi
Interpretojmë si duam
S‘i dëgjojmë metaforat e prera në fyt

Mbi portrete pshurrin qentë e çartur
Teksa na thuhet t’iu falemi tempujve prej rrenash
Uratë!

Asnjëherë s’e mësuam gjuhën e Fishtës
E ai na huazoi zërin e zjarrtë në formë stuhie

Mbi kokat tona vallëzojnë tragjeditë

Dhe mbi kokat tona portretet përhapen
Kafshohen nëpër heshtje ankthi
Teksa na kërkohet të heshtim
Budallakun ta përkundim si fëmijë

Kjo s’është kohë e Kafkës
Teksa sajohen mbretër pa mbretëri
E absurditetet çelin si lule në saksi

Intelektualë shitës lakrash
Akademikë lypës ndihmash
Migjeni çdo ditë vdes i ri
Nënës Terezës lotët varrë i shkojnë nëpër gurë
Matrapazët kanë harruar pagëzimin me ujë

PËRPJEKJA

Asnjëherë s’kam besuar se pas kohës së myktë
Humb kujtimi dhe imagjinata përmbyset
E në kokë të njeriut çelin krimbat
Bashkë me gjarpërinjtë thatanikë

Djajtë engjëjt
Hanë pinë
Kuvendojnë e mashtrojnë
Kafkën time e nuhasin
Me epshin e dreqitnjeri

Ëndërr e paparë
Gjak kullojnë lulet
Kafshohen ëndrrat
Hatashëm kafshohen
Përleshën leshrat e kalbura
Dhe aroma e tyre na deh

Pantallonat që s’mund t’i mbajnë koqet
Shiten në tregjet tona mëkatare
Nuk është panair idesh

Dhe maskat e skenës së mashtrimeve
Krismat si zjarret me tym të zi
Zoti im, tamam si këpurdha pas shiu
Dhe, ku është arti... klith?
Kori i ideve
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi