Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naser Aliu: Puthja e fundit

Shko poshtë

Naser Aliu: Puthja e fundit Empty Naser Aliu: Puthja e fundit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 23, 2009 9:18 am

Naser Aliu: Puthja e fundit U1_LebenswegeNaser Aliu

Puthja e fundit*

Eu, përnjëmend i vdekuri mund të vritet edhe nje here

dhe i gjalli të vritet e pastaj të dëbohet!

Ishim mbi tre qindë veta të fshehur në një luginë, ku gjarpëronte një përroskë e kthjellët dhe gurgulluese. Natën bënte ftohtë, nuk mund të flinim, por dremisnim. Disa kilomatra larg nesh luftohej pa pushim. Në terr gjuajtjet rraloheshin, herët në mëngjes vazhdonin me tërë ashpërsinë e vet. Unë kam pirë vetëm ujë, disa hanin edhe gjethe! Sot ra një shi i dendur. Fillimisht na mbronin gjethet, një copë herë më vonë ato nuk e mbanin dot peshën e shiut. Uji i pijshëm i përroskës u turbullua. Vdiqën pesë foshnje dhe tre pleq. Të gjithë ishin të dërmuar dhe të rraskapitur. Jeta nuk kishte më kuptim. Përpiqeshim të fitonim ca orë, apo ditë, mirëpo vdekja ishte e paevitueshme. Me mbulesa najloni i mbuluam fëmijët dhe pleqt, shumica vuanin nga ethet! Çdo ditë varrosim pleq dhe fëmijë; me shkopinj dhe duar i bënim varret. Me gjethe dhe dhè i mbulonim. Xha Zeneli, një plak në moshë të shtyrë, tërë kohën fliste në delir. Blerimi tallej me të. Ai e quante plakun " zoti idiot "!

Pas çdo granate që pëlciste afër nesh vraponte xha Zeneli në atë drejtim:" po na hedhin bukë, po na hedhin ushqime…" thoshte dhe kthehej përsëri duke tundur kokën dhe shtonte i zemëruar :" edhe një gropë të madhe bën qafirat! Edhe një varr për ta!"

*

Babai rrëfente pa pushim dhe në fund thoshte gjithmonë se do ta mbijetonim… Më parë nuk na kishte folur kurrë për fenë, tani cdonjëri fliste për Perëndi dhe parrajsë! Babi fliste aq bukur për parrajsin sa që tanimë nuk kisha frikë nga vdekja. Kisha drojë më tepër për vëllaun tim. Ai kishte katër vjet, unë kisha jetuar dymbëdhjetë vite më shumë. Dëshira ime ishte që së paku ai të mbijetojë. Megjithëkëtë ideja se familja mund të shuhej më tmerronte dhe në këtë kohë kisha edhe një dëshirë: të mos digjen kufomat tona! Njerzit e karbonizuar që pamë rrugës më shfaqeshin çdo natë...

Kur braktisëm shtëpinë dhe kaluam pranë fakultetit filologjik, pash një shok të klasës para shtëpisë të shkallmuar. Ia kishin prerë gjymtyrët dhe e kishin hedhur në rrugë. Babait të tij ia kishin prerë kokën dhe ia kishin vënë mbi bark ndërmjet duarve. Kudo gjymtyrë të prera njerzish. Para dere ishte një biçikletë fëmijësh, një top, një laps dhe një abetare. Një orë muri me xhamin e plasur mu në mes. Disa libra dhe fletore i hapte era dhe tërhiqej, pastaj përsëri rikthehej dhe i rishfletonte faqet e tyre. Ca hapa nga dera ishte e shtrire një vogëlushe trevjeçare me shishen e qumshtin në gojë. Rreth qafe mbante një memë të kuqe. Vogëlushen e kishin qëlluar me një plumb në ballë dhe ashtu ishte shtangur me shishe në dorë! Në hyrje të derës një qen pa kokë. Karta të identitetit të grisura, çertifikata të ndryshme, këpucë dhe shumë gjak. Babai bërtiti me zë të lartë meqë kisha mbetur si e ngurosur dhe nuk bëja dot një hap nga vendi.

" Mos shiko, mos shiko atje ", bërtitën të moshuarit...

Unë u shtanga në vend, mbylla sytë dhe u rrëzova përtokë...

*

Dritëron, të dashurin tim e kishin dëbuar në një drejtim tjetër, ndoshta e ka kapercyer kufirin. Ai ishte 17 vjeçar. Një ditë para dëbimit bëmë dashuri. Kishte frikë se në çdo çast mund të vdesim dhe edhe rregullat morale nuk kishin kuptimë më!

Ai thoshte se tani jemi në një çmendinë: të braktisur prej njerzve dhe të braktisur prej Perendisë! Unë i mbylla sytë dhe nuk kundërshtova. E afrova duke e shtrenguar pranë meje. Në fund tha:" E sheh çfarë dasme ? Dasmë e zezë në një zezonë! Luftëtarët tanë po shtiejnë, edhe ata tjerët po gjuajnë. Askush nuk gëzohet që u bëmë sot në bodrumin tënd burrë e grua!"

U përpoqa ta puthë edhe një here, puthja e fundit , mendova, por mu në atë çast u dëgjua alarmi, britma , vaje , hapa të shpejtë shkallëve dhe të gjithë zbritën në bodrum. Për here të pare i prezantova babait të dashurin tim. Babai i shtriu dorën, madje edhe u buzëqesh. Dritëro u skuq në fytyrë dhe nuk vështroi babain në sy. Tërë kohën mbante kokën e ulur!

Sot ishte më ngrohtë, ishte një ditë pak para pranverës. Ka muaj që jetojmë me aeroplanë, helikopter dhe granata. Sirenat nuk pushonin. Alarm! Alarm dhe vetëm alarm. Një i hendikepuar kishte mbetur vet mu në mes të rrugës me karrocen e tij! Sirena dhe ngarje makinash me shpejtësi trishtuese. Njerz të pashpresë dhe fëmijë duke qarë! Ushtarë dhe paramilitarë. Policë dhe civilistë të armatosur; tanke dhe topa në rrugë, topa dhe tanke zvarriteshin nëpër qytetin tonë. Në një anë vajtohej, në tjetrën shperthente muzika dhe hareja!

Paradarke u qetësua ca. Madje edhe fëmijët dolën pak në rrugë dhe luanin. " A thua përfundoi ?"

U kthyem përsëri në banesa. Dikund në Perendim kishte nisur përfundimisht të peshohej vuajtja jonë. Sot na vizituan shokët e babit. Mami bëri gati për ta vetëm nga një shërbet, diçka tjetër nuk kishte në shtepi, me përjashtim të një thesi miell dhe nje thesi me patate!

Ata folën për të kaluarën. Ata folën për ardhmërinë. Ata folën për jetën dhe ata folën për vdekjen. Ata folen per UÇK-n dhe shpresat! Ata folën për artistët, shkrimtarët dhe politikanët. Qëndrimet e tyre! Përnjemend ata folën për gjithçka: për Uashingtonin, Berlinin, Londrën, Parsin, Moskën, Pekingun; për Perëndinë dhe djallin dhe folën për fatin tonë të pafat! Ata folën për I.Kadaren, G. Grass dhe A. Glucksman; B. Clintonin dhe Toni Blair, G Schröder dhe J. Chirac. Rrudhat nga ballet nuk mund asnjeri t´i fshihte!

" Të presim", ishte vendimi i tyre përfundimtar. " Ne, nuk do t´i braktisim shtëpitë vullnetarisht...ndoshta na ndihmon NATO!" Ky ishte vendimi i lagjes.

Aty nga mesnata shkuan në shtëpitë e tyre. Nëna shkoi te daja sepse gjyshja ishte e sëmurë rëndë dhe thonin se nuk do të zgjaste shumë. Ishte një natë e qetë, një natë e kthjellë pranverore. Dritat ishin kudo të fikura. Herepashere degjoheshin krisma. Drita të zbehta shiheshin në ndërtesën përballë nesh. Aty banonin kryesisht oficerët e armatës dhe policët. Një puhizë e lehtë i shushuriste lulet tona në ballkon, që ishin për gjysmë të thara. Ato do të vyshken me ne. Ka javë që nuk i ka ujitur njeri! Thjesht ato nuk ishin më pjesë e jetës sone. Vështrova lart në qiell dhe nisa të lutem. Me kokën e ngritur dhe lotët që më rridhnin faqeve përveç Perendise luta edhe Nënë Terezën.

" O Perendi" , ku je ? Vallë nuk sheh këtë vuajtje, këta lot, këtë mjerim të fundbotshëm! Oh Perend…"

" Eja brenda ", më ndërpreu babai, "eja vogelushja ime" ! E pash në sy dhe dridhesha. Sytë e tij ishin të mbushur me lot. Më përqafoi për t´i fshehur syte. E degjova shtrengimin e dhëmbëve. Luli, vëllai im i vogël, vrapoi shpejt dhe e zuri babin në kembë. U shtrimë në divan dhe nuk folëm me njëri tjétrin. Lulin e zuri gjumi mes nesh. Tash e disa jave flejmë të veshur dhe me këpucë.

" Më vjen keq për librat ", tha babai me zë të ulët dhe hodhi një shikim rafteve përplot. Unë nuk thash asgjë, madje nuk e dija më se për çka më vinte keq, e për çka jo! Ai mund të thoshte cka të dojë, unë shihja para dere apoklipsin, fundin!

Nuk mund assesi ta mirrja me mend se dikund në botë të rinjët e moshës sime argetoheshin dikund me muzikë dhe drita neoni. Ne i mbyllem sytë dhe bëmë sikur po flenim.

Përjashta bërtiste një njeri me altoparlant: “NATO nuk do të ketë guxim, dëbimi duhet të përfundojë…pa dhimbje, pa mëshirë…kjo është mundësia jonë historike…!"

Nga lagjet tjera gati ishin dëbuar të gjithë. Çdo ditë na vinin lajme trishtuese. Unë mundohesha të mendojë në ditë të mira dhe sillesha herë majtas e herë djathtas. Gjumi nuk më zinte. Heret në mengjes u dëgjua oshëtima e rrotava të makinave të blinduara. Policë, ushtarë dhe paramilitarë zbritnin nga kamionët ushtarak. Radhën e kishin ne!

Vazhdon...

*Ky tregim është botuar në gjermanisht në një libër të publikuar nga disa autorë të huaj, me titull “Udhë të jetës” (Lebenswege) në vitin 2000. Shkruar në shtator 1999...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Naser Aliu: Puthja e fundit Empty Naser Aliu: Puthja e fundit (II)

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 28, 2009 10:39 pm

Naser Aliu: Puthja e fundit U1_NaserAliuNaser Aliu

Puthja e fundit II

" Jashtë !", bërtiti një oficer dhe përplasi derën. Kur babi u përpoq të flasë, ai e goditi me revole në ballë dhe e rrëzoi përtokë.

" Pas pesë minutave nuk dua ta shohë njeri këtu ", tha në mënyrë të ashpër duke u ngjitur furishëm shkallëve përpjetë.

" Përjashta ! Nuk dua ta shohë më asnjë shiptar këtu!", i murmuroi fqinjëve tanë. Ishte ora gjashtë e mëngjesit. Mijëra veta ishim shpërndarë në të gjitha drejtimet.

Traktorë, qerre, makina dhe kolona e gjatë në këmbë. Fëmijët vazhdimisht pyetnin ku po shkonim dhe pse! Ne ecnim kokulur, ish-fqinjët tanë duartrokitnin dhe këndonin!

Xha Zeneli na nervozonte me qeshjen e tij të neveritshme. Ai me bastonin e tij ishte udhëheqës i kolonës.

-" Ky është dëbimi ynë i katërtë, i pestë apo i dhjeti në këtë shekull, mirëpo ky do të jetë dueli i fundit me barbarinë! Forcë dhe përpara! Kini besim", tha ai. " Ne do të kthehemi prapë!"

Askush nuk i vente veshin fjalëve të tija, askush nuk i përgjigjej. Për çdonjërin ai ishte i çmendur, në fakt edhe ishte i tillë. Për çudi në fjalitë e tija të çmendura kishte diçka elegante, diçka diferencuese...

~

Sot Luftëtarë e Lirisë na sollën bukë. Në një kalë i kishin sjellë pesë thasë dhe ikën menjëherë duke shtuar se sonte natën duhet të jemi gati se do të na përcillnin drejt kufirit në një vend më të sigurt! Disa iu bashkëngjitën, disa jo.... Madje njëri tha se për fatkeqësinë tonë nuk i kishin fajet ata, por këta, tanët!

Në muzg u dëgjuan zërat e disa ushtareve. Gratë ua mbyllën gojën fëmijëve. Ata bisedoni atje lartë dhe qesheshin me zë të lartë, kur befasisht gjëmoi një granatë afër nesh. Z. Zeneli përsëri vrapoi në atë drejtim duke bërtitur. Zëri i ushtarëve nuk u dëgjua më. Pas gjysmë ore na rrethuan.

Pas kodrave shihja perëndimin e diellit. Një visore të tillë nuk kisha parë kurrë. Vështroja perëndimin e diellit ndërmjet lisave të gjate dhe ndjehesha aq e dëshpëruar se një bukuri të tillë përjetoja pikërisht në çaste të tilla.

*

" Ah, Z. Mjek, ju jeni!", tha oficeri. “Fqiu jonë... ! Ejani këndej, ju do të jeni mysafirë të mi! Burrat në atë shtëpi, atje!”, bërtiti ai me vendosmëri. " Gratë atje!" dhe tregoi me gisht drejtimin. " Dritat mos i fikni dhe numëroni të gjithë!"

"Si urdhëroni Z. major" tha një ushtar dhe iku shpejt.

" Ejani", i tha ai babit. " Ju e keni dashur gjithmonë teatrin. Sot do ta përjetoni tragjedinë greke, një dramë nga lashtësia. Sot dhe këtu do ta përfundojmë!"

Vëllai im iu ngjit babait për qafe dhe e fshehu kokën. Këmbët e tija vareshin deri te rripi i tij dhe kishte të mbathur vetëm një këpucë! Tjetrën e kishte humbur.

Ecëm pas tij, si dy mumi, të cilat pas mijëra vjetësh ishin ngritur befasisht dhe tani arkeologu do t´i rivarroste për së gjalli!

- " 285 veta. 80 gra, 150 fëmijë, të tjerët meshkuj të moshave të ndryshme ", tha një ushtar dhe e mbylli derën. Oficeri shënoi numrat në një fletore.

Ishte një zyrë e improvizuar. Mbi tryezë gjendej një makinë shkrimi, letra, një laps, një vulë dhe në mur një portret i kryetarit të tij i cili na zgërdhihej me përbuzje. Tre ushtarë bënin roje para dere. Jashtë dëgjohej piskama e fëmijëve dhe vaji ankues i grave! Ne tre rrinim kokulur. Ai e mori automatikun në dorë dhe doli përjashta. Një copë herë më vonë u fut një ushtar dhe iu drejtua babit:" Zoti mjek, më dërgon majori si shkues, ai dëshiron të martohet me bijën tuaj!"

Babi e solli kokën, i mbylli sytë dhe buzët i dridheshin.

"Jo... jo, kurrë,... " tha ai me një zë që i dridhej dhe ia plasi vajit. Edhe vëllai im ia nisi të qarit. Për herë të parë në jetë po shihja babin duke qarë. Duke qarë si një fëmijë. "Kurrë", përsëriti ai vendosmërisht. Ushtari doli jashtë. Një copë herë nuk erdhi askush. Vajtimet e grave futeshin në zyrë si nga një çmendinë. Herë pas here dëgjoheshin edhe të shtëna. Unë lutesha pa pushim. I lutesha të gjithë profetëve. I lutesha Krishtit, Muhametit dhe i lutesha Budës. Gjithë Perëndive që i njihja me emër: egjyptase, greke, e romake…

" Të harruar nga Perëndia, të braktisur nga njerëzit ", mu kujtuan fjalët e Dritëros.

Ushtari u kthye përsëri.

-" Majori tha se ju nuk e respektoni sa duhet dhe si duhet. Ju mund të zgjidhni: do ta dhunojmë djalin dhe do ta presim, ose ju pajtoheni që ai të martohet me vajzën tuaj. Ai e ka seriozisht, donë të martohet!", tha ai duke u buzëqeshur me cinizëm.

-"Jo, jo , " tha babai...", ju lutem më vrani mua, mirëpo leni fëmijët...ju lutem, ju lutem si Perëndisë!

Ai dridhej si në ethe dhe i mbuloi sytë me dy duart. Unë isha bërë si një shtatore. E pashpirt. E ftohtë dhe e ngurosur. Kufomë. Shikoja në këpucë, flokët e mia ma mbulonin fytyrën. Ky ishte fillimi i fundit. Tani më erdhi fundi, le të bëhem pluhur, le të përfundojë, le të vdesë dhe basta! Ia shtrëngova dorën vëllait tim, kisha nevojë edhe një here ta ndjejë ngrohtësinë njerëzore. Ai ishte mbledhur kruspull dhe nuk shikonte njeri. Ushtari doli përsëri. Me babin dhe Lulin i shtrëngonim duart njëri tjetrit.

Helikopterë dhe granata. Alarm. Qindra ushtarë ikën në të gjitha drejtimet e mundshme në panik. Luftëtarët tanë sulmuan befasisht. Shfaqeshin si shqiponjat nga mali dhe tërhiqeshin. Prapë dilnin si gjarpri nga rrasat e shkëmbinjve. Sulmonin dhe tërhiqeshin për tu shfaqur përsëri.

Tani dëgjoheshin edhe fjalë shqipe.

" Florin, kujdes...prapa...pas shtëpisë,...erdha...u plagos , Bekimi... më ndihmoni...më ndihmoni ju lutem." U dëgjua një zë i dhimbshëm, trishtues i përzier me vaj. Prapë qetësi.

Shqiponjat u tërhoqën. Zemra na gufonte nga krenaria. Imagjinoja uniformën e tyre të bukura me shqiponjën në krah. Çizmet e tyre, marshin vendimtar dhe vendosmërinë e tyre! O Zot, paçin uratën!, thash me vete.

Disa ushtarë rrinin të strukur e të frikësuara pranë dritares sonë dhe tymosnin njërën pas tjetrës.

-" A shkërdheve ndonjë..." pyeti ushtari me flokë të gjata.

-" Po ", tha ai me mjekër, " atë bionden, e ti ?"

-" Unë e çiva atë kurvën me flokë kaçurrela. Shiko si më ka gërvishtur!"

- Ç´ka do të thoshte gruaja jote?"

-" Ah, të lutem, kjo është luftë, ne luftojmë me të gjitha mjetet, ajo do të jetë krenare me mua"!

-" E pa si iu vjen era, prandaj nuk kam mundur ta bëjë atë punë", tha i treti dhe e hodhi cigaren tutje.

-" Aq më bën, këtë e kam ditur gjithmonë, këtë e kam dëgjuar qysh në shtëpi. Të zhduken këta është një vepër e mirë. Këtë e tha edhe popi dje kur i bekoi tanket tona! Këto kafshë kundërmuese! Kur u nisa nga shtëpia babai më tha:" Kthehu si një hero biri im! Vraje çdo gjë që lëvizë apo zhagitet mbi tokë! Sa më shumë fëmijë të vrasësh, aq më pak shtohen ata!"

Ai me mjekër e ndezi një transistor të vogël.

" Ndalu , dëgjoni!" , " dëgjoni ", përsëriti ai nervoz.

Asnjëri nuk foli më. Ndonjëherë për shkak të shtënave zëri i radios nuk dëgjohej mirë

" Problemi me shqiptaret në interesin tonë nacional...shtetëror...nuk është prej dje....në Mesjetë një rol të madh...disa qindra mijë shqiptarë nga trualli ynë...Ne kemi...,dëbimin masiv...psikozë...kushti i parë...Në fillim fshatarët...pastaj qytetet ...ndezja e shtepive...dhunime...."! Ju dëgjuat pjesë nga projekti shkencor i profesorit të filozofisë V.Cubriloviç, tha folësja.

" E dëgjove ?

"Natyrisht, pikërisht këte e bëjmë ne! Unë jam vërtetë krenar! Më në fund Albanerfrei, pa shqiptarë! Çdo presje duhet respektuar!"

" Ne i kemi edhe tre projekte shkencore për dëbimin e tyre ", tha mjekroshi.

" E di ", bëri shenjë me kokë ai me flokë të gjata, " e kam mësuar në shkollë!"

Nuk do të përfundojë kurrë, të shtënat sa vinin e rriteshin, pastaj pushonin, pastaj përsëri me tërë hovin e vet. O Zot , këtu një bombë! O Zot një granatë të lutem…të lutem ...

Asnjë minutë nuk pushonin. Rafalët, thirrjet e ushtareve, eksplodimet ofshamat, sharjet...As oshtima e granatave nuk ndalej. Po zgjaste shumë, koha të tmerronte. Unë dëshiroja një granatë në kulmin tonë. Sigurisht këtë e dëshironte edhe babi, mirëpo ajo nuk vinte…! Thjesht ajo nuk dëshironte të vijë. Dritaret dridheshin mirëpo, ato pëlcitnin larg nesh. Ushtarët vrapuan shpejt me kova për ta fikur zjarrin. Ata e shanë Zotin, perëndimin dhe Shën Mërinë.

" Do ta paguajnë, mos u brengosni ", bërtiti dikush me një zë të trashë.

" Pushkatoi njëzetë veta, pushkatoi sa të duash, gra apo fëmijë, kemi humbur shumë ushtarë. E kanë goditur kazermën terroristët. -"

" Siurdhëroni z. kapiten ", tha zëri tjetër , " me gjithë dëshirë...!"

~

Oficeri e goditi derën me çizme dhe tha: " Tani z. mjek fillon akti i dytë. Perdja duhet të ngrihet " , dhe i vuri Lulit revolen në ballë.

." Z. Mjek, ju po përbuzni gradën time ushtarake. Unë dua ta dëgjojë prej jush një " PO". Një "PO " me gëzim e hare. Një po me miqësi dhe respekt. Unë jam Zoti yt, unë jam Zoti!" , përsëriti ai dhe e tundte gishtin tregues para syve të babit. Unë vendos se a jeton ti apo jo. Unë vendos se kush jeton e kush ngordh!"

Babai nuk tha asgjë. Ai i shtrëngoi Lulit dorën dhe këmbët i dridheshin. E dija drojën e babit. E dija drojën e tij, ai kishte frikë se do të mbetej vetëm ai i gjallë...

" E sheh gati mesnata, shiko, unë nuk mund të flejë, çdo natë duhet të luftojë kundër terroristëve. Nuk patëm kohë ta përfundojmë këtë pjesë teatrale", tha majori.

" Heshtjen tuaj e konsideroj si shenjë pajtimi. Do ta shkërdhej vetëm vajzën tënde ..." dhe shtynte me tytën e revoles ballin e Lulit! Babi dhe Luli dënesnin.

Ai bëri një shenjë me kokë dhe tre ushtarë u futën brenda. Dy e shtyn me automatikë babin dhe Lulin përjashta, tjetri pastroi tryezën. Makinën e shkrimit e lëshoi në dysheme. Unë isha bërë një njeri i pashpirt, se po merrja frymë kufizohej më tepër me mrekullinë. Ndjehesha si një vajzë lakuriqe në një piedestal mu në qendër të qytetit. Zemra më rrihte deri në fyt. Tani e kisha radhën unë! Ai ma shqeu fustanin, mi ngriti këmbët përpjetë dhe tha: " Në emër të kombit tim të shenjtë vazhdoj luftën…"

Mundohesha të mos nxjerrë zë përjashta... Shtrëngova dhëmbët…o Zot, kjo bishë e egër, ah …kjo shtazë karpatesh…

Kur erdha përsëri në vete, pashë një ushtar që urinonte në fytyrën time.

" Z. mjek, është zgjuar...ejani brenda !", tha ai.

-"E shihni mundet edhe pa ujë. Ujin duhet ta kursejmë, tash jemi në luftë! E shihni, në njohim mënyra më të mira se ju "!"

U ula në një skaj dhe mundohesha t´i mbulojë këmbët me fustanin e grisur. Babai më përqafoi. Krejt trupi më dridhej.

" Këto vajza sot bëjnë seks edhe me dhjetë vjet ", i tha ai babit gjersa e sillte automatikun në dorë. " Kjo kurvë e vogël nuk ishte e virgjër!" Ai e mbylli rripin e pantallonave dhe doli te pragu i derës. Ushtarët para dere u qeshën me të madhe.

Një telegram, një telegram z. major, u dëgjua një zë nga jashtë. Një telegram" , bërtiti ai.

Ai lexoi disa sekonda, ktheu kokën majtas dhe shtoi :" Nxirrni të gjithë përjashta. Stacioni i trenit. Deportimi nr.19/200/99, nënshkruar nga gjenerali Pavkovic. Miratuar nga kryekomandanti i forcave te armatosura te APJ z. S. Milloshevic...

Vazhdon, pjesa e tretë dhe e fundit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi