Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik)

Shko poshtë

Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik) Empty Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 24, 2009 9:06 pm

Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik)
Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik) U1_GjekeMarinaj2Gjekë Marinaj u lind në Brrut të Malësise së Madhe me 26 Maj, 1965. Me 12 Shtator të vitit 1990, u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Amerikë për arsye politike. Institutin Mjekësor ISPT në Arlington, e mbaroi në vitin 1998. Ndërsa Fakultetin e Shkencave të Përgjithshme (Degree: Associate in Science), e mbaroi në vitin 2001 në Brookhaven College. Pastaj u diplomua pranë Universitetit të Teksasit në Dallas, Shkolla e Arteve dhe Humanizmit (Degree: Bachelor of Arts in Literary Studies: Magna Cum Laude) në vitin 2006. Dy vjet më vonë, pra në vitin 2008, Marinaj u diplomua pranë UTD në Shkollën e Arteve dhe Humanizmit (Master of Arts in Humanities—Studies in Literature). Që nga Janari i vitit 2008 Marinaj vazhdon studimet për doktorature po në Universitetin e Teksasit në Dallas, ku është Kandidat për Ph.D. (Kandidat për Doktor i Filozofisë: Letërsia botërore e të gjitha kohërave). Për më se dymbëdhjetë vjet Marinaj ka punuar në Departamentin e Patologjisë pranë Baylor University Medical Centre. Aktualisht është Pedagog i English & Communication dhe i Letërsisë Botërore pranë Richland College në Dallas, Texas. Ndër dekoratat dhe titujt e nderit mund të përmendim: Magna Cum Laude, dhënë nga UTD në vitin 2008 dhe Magjistraturën (Class I) nga Universiteti i Teksasit në Dallas. Deri në Qershor të vitit 2009 ka botuar këto vepra: "Mos më ik larg", 1995 – poezi; "Infinit", 2000 – poezi; "Ana tjetër e pasqyrës", 2003 – intervista; "Ora e paqes", 2005, përkthim - poezi nga Rainer Schulte; "Në shpellën e Platonit", 2006, përkthim - poezi nga Frederick Turner; "Poezia Amerikane", 2006, përkthim - antologji nga poetë amerikanë; "Ca gjëra nuk mund të mbeten sekret", 2008 – prozë dhe "Lutje në ditën e tetë të javës", 2008 – poezi. Ndër çmimet letrare që i janë dhënë Marinajt mund të përmendim: Çmimin e Parë në poezi, nga revista letrare amerikane Sojourn në vitin 2006 dhe Çmimin Pjetër Arbnori në Letërsi, akorduar nga QNK (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Tiranë) në 2008-ën. Marinaj, gjithashtu, në 2008 ka qenë editori i revistës së famshme amerikane “Translation Review” Nr. 76. Që nga viti 1992, jeton në Richardson të Teksasit me gruan e tij, Dusita.


Marrë nga libri “Lutje në ditën e tetë të javës”

AUTOPORTRET I AVANCUAR

Marlowe më ka bërë shumë nder me Faustus;
Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes.
E dalloj më pastër vijën e lakuar të ekuatorit
Dhe njësimin humano-kafshëror të centaurëve.

Segmenti optik i kulturës së vuajtjes,
Zbërthimi i bërthamave të atomit klandestin,
Eksplozivi kimik dhe rezultati i shpërthimit,

Mbeten strategjia ime e mësymjes,
Sistemi mbrojtës nga forca shtytëse e gazeve.

I lodhur nën mbikëqyrjen e paqes vetëm në letër,
E kam ndërtuar veten përtej ngritjes së trupit,
Ujit të bekuar që shtrydhi poetin Philip Sidney
Të belbëzojë: "Thy need is greater than mine".

Me më pak shkrola e me më shumë të bardhë
Sytë ma shtyjnë botën në të kundërt të logjikës,
rreth balancës së rrezikshme: dashuri-dhimbje.

Lind dhe perëndoj me diellin e planetit kiçelev
Që të mos trazoj gjurmët e astronomëve në hënë.

Atmosfera ime është një shtresë e hollë jete e vdekje.
Hidrosfera më mbetet tërësia e djersëve dhe gjakut.
Biosfera më nxit neutronet të veprojnë së bashku,
Më ndihmon litosferën: fytyrën që mbroj nga turpi.

I parrëfyer fare para kodeve të errësirës së Kaosit
Urrej nga afër efektet e çdo prelude për pushtim;
Shkatërrimin e njërit si mundësi e qetësisë së tjetrit:

Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë
Të jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr.

AFËRDITA

Afërdita e la në ajër guaskën e para-dritës;
Veshur fare hollë në pëlhurën e hënës,
Bëri litar perdet e ylberta të mëngjesit,
Si lule agu zbriti në Kankunë të Meksikës.

Me ta parë, qielli u kthye në një pemishte prilli,
Brigjet krijuan gjoks Afërditës t’i ngjajnë.
Toka nga ndrydhja vesë të kristaltë djersiu;
Buqeta yjesh të ndezur çelën në gjoksin e saj.

Rëra e bardhë ia mbështolli gjurmët në gji;
Peshkaqenët ia thyen dhëmbët njëri-tjetrit.
Delfinët filluan të këndojnë në notën “si”,
Dallgët fshehën thinjat në gjëmimet e detit.

Bukuria e Afërditës e gjunjëzoi Kankunën,
Sa dallgët kaltëroshe ia skuqi në fytyrë;
Horizontit aty pranë prush ju ndezën buzët,
Diellit i dridheshin rrezet si të ishte i pirë.

Afërdita e shtrydhi fytyrën valëzuese të detit,
Me elegancë e nderi mes dy syve të saj të qeshur,
Në ikje, pa të keq, Kankunës ia bëri me dorë,
Dhe horizontit në qafë iu hodh shkujdesur.

ME SYZET E TUA

Kur lexoj botën me syzet e tua
Aktivitetet vullkanike
Ndërrojnë pikën e origjinës.

Shkrumbi i një vdekje të hershme
Gllabëron evidencën fizike të ish-gjallesave:
Përbërjen e karbonit-14 që skadon në tërbim.

Mbeturinat e zhdukjes përbëjnë
Shtresën sipërfaqësore të humbjes.
Thelbi i jetës së përjetësisë venitet
Në atmosferën e ftoftë të realitetit.

Tek konkurron me të vërtetat e errëta të nëntokës
Tunelet me mure të lëmuara ia thyejnë
Paraditës tehet e këpucëve të patinazhit:

Në atë moment kontakti i të dukshmes
Dhe të padukshmes krijon njohjen e ngjyrave
Të syve të tjerë që kanë nevojë për syze.

Nuk është thjeshtë ngatërrim mprehtësish.

Pikërisht në tehun e bisturisë të së përhershmes
Vetë-përtërihen horizontet e rezistencës,
Si dhe idealet e harruara poetike të Rumit.

Dredhur në fishekë fund-hapur prej letre
Shoh vizione të vëna në shënjestër,
Pentagrame me më shumë se pesë vija

Që përpiqen të minimizojnë rëndësinë

E renditjes së notave të etikës
Dhe qëllimin e drejtimit horizontal të gishtërinjve
Kur njerëzit i japin dorën njëri-tjetrit.

KOMËSHINJTË, NË BRRUT TË M. SË MADHE

Si fëmijë,
U fluturoja në krahë si zog dëbore;
Gjithmonë gjeja cicërima ndjellëse
Në bardhësinë e pafundme të zemrave të tyre.

Dhe erë të mirë petullash
Në ajrin e pastër të mëngjeseve gjeja.

Si djalë,
U largova si një nga dallëndyshet e F. Shirokës
Për në një sfond
Ku pëllumbat e butë të mbrojnë nga egërsirat,
Ku manekinët e zbërthejnë një komçë
Si tramt që unë të rezistoj
Çdo ndjenjë, çdo dhembje, çdo arsye…

Gjithsesi,
Në kotecin e thurur me brinjët e mia
Mbështjellë në ca fletë të zverdhura librash
Gjej e rigjej dashuritë e tyre të çiltra.

Si burrë,
Gati e paskam humbur rrugën për në Brrut.
Nuk qaj,
Se “lotët më gjenden më thellë se malli”,
Por shpesh trokas në dyert e tyre të hapura
Edhe pse ferrat e mungesës duart m’i përgjakin.

Si i vdekur,
Shpeshherë kur vdes
E gjej veten duarkryq të mbyllur në qerpikët e tyre;

Komshinjtë hapin sytë,
Dhe unë ngjallem përsëri.

BISEDË ME VDEKJEN

Një ditë do më marrësh për dore,
Thjeshtë, pa më pyetur.
Në vend të syve
Do më lëshosh rëndë dy globe të errëta.
Dy teleskopë “nightshot”
Do më varësh në qafën e lodhur.
Trupin, edhe dy jetë më tej,
Do ma largosh nga vetja.

Të gjithë këtë do e quash
Një eksperience vetjake.
Do më bindesh se u largova
Sa për të formuar një nocion...
Rënkimet do m’i emërtosh
Si këndvështrime subjektive,
Shpirtin
Për llambat e qyteteve të tretura,
Do ma bësh neon.

Njerëzit do shtegtojnë
Labirinteve të motiveve të dikurshme
Duke i kthyer emocionet e mia
Në trotuare ku krismat heshtin.
Do i laj mëkatet
Për të gjitha poezitë që i lashë të pashkruara,
Dhe për vajzat
Që në emër të nderit
Dashurinë për mua e lanë të vdesin.

Më në fund,
Realitetit tënd
Do ia pranoj tonin e fuqishëm moralist,
Gjilpërat me të cilën grith
Portretin e figurave dhe ngjarjeve jetësore.
I menduar
Ose i pamenduar mirë
Do e nderoj frikshëm,
Personalitetin tënd dyfytyrësh
Dhe përsosmërinë e drejtësisë hyjnore.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik) Empty Re: Gjekë Marinaj: Lutje në ditën e tetë të javës (Cikël poetik)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 24, 2009 9:07 pm

TË GJITHA JURITË DO MË FALNIN

Në Gjoks
Mban dy kambana të arta të kthyera përmbys,
Por nuk është një kishë e bekuar.

Çuditërisht,
Kur kaloj pranë saj fshehurazi bëj kryq,
Por nuk është besimi ai që m`i komandon duart.

Ndonëse
Helena dhe Circia janë të Shkrira brenda saj,
Ajo nuk është greke.

I vetëdijshëm
Se çdo shikim i saj edhe më thellë më zhyt në mëkat,
Zotit, këtej e tutje, nuk i kërkoj parajsë tjetër.

UDHËTIM ME LUNDRËN E KARONIT

Lumenjtë e mbretërisë së nëntokës,
Pa i ulur zërat për askënd,
Vazhdojnë gurgullimet trishtuese të fjalëve,
Ndërmarrin një vërshim arterial
Në trupin e zverdhur të muzgut.

Mesazhet marrin jetë
Brenda membranës së flluskave,
Sqarojnë për fajtorët
Skicat e skalitura në portaret e ferrit:

Nëse je lindur
Je fajtor.
Nëse e lexon këtë mesazh
Je këtu.

Mësohet se delta e lëvizjeve
Mbetet vetëm një lojë mundimesh:
Jeta na qenka
Më parë një frymënxjerrje,
Pastaj një frymëmarrje.

Gjithçka midis tyre
Vetëm një mundësi
Për të kryer mëkate.

Po qëndrimet neutrale,
Bamirësitë në ç’qitap janë regjistruar?

Sipas “skicës” janë shkrirë
Nën llambadarët e trazirave mendore,
Janë derdhur në kanalet shkumuese
Që la pas lundra e Karonit,

Në të njëjtët Kallëpe
Ku derdhen monedhat e argjendta
Shkulur nga goja e shpirtrave më të vjetër
Para se të hidhen në “Had”.

Në këtë nën-ajrosje,
S’do mend,
Zagushia fryn hirin e ferrit,
Deklaron natyrën me re
Të të çakërdisurve antikë.

Aty çekani i instinktit obskurantist
Mpreh inatin mbi
Qëllimin e fitimit
Nga udhëtimi me të vdekurit.

Xhudhinjtë projektojnë të ardhmen
E qytetërimit mbitokësor:

Duhet te gjendet një libër
Më i vjetër se Bibla që e
Përshkruan gjeografinë e qytetërimit të ri
Si një tabaka mbuluar me pluhura bojë hiri.

Aty ferri është
Një pjesë e ekzistencës gjeografike
Që mban mure rrethuese
Për kufizimin e lumit
Të shpirtrave të vdekur.

Ç’mendonte Virgjili
Kur e përshkruante ferrin
Si qyteti i zotit!

Gdhendja e këtyre portave të detyrueshme
E portretizon atë
Si një vend i shprehjes së hidhërimit,
Pendimit të përjetshëm.

Në këtë vend,
Në këtë jetë
Ferri është e kundërta groteske e parajsës.
Një vend prej të cilit kurrë nuk ka ikje.

SHKODRËS

Jo, mos i mbyll dritaret e kësaj mbrëmje,
Ndjenjat e mia në qiellin tënd vetëtijnë;
Si zogj të hutuar që shtegtojnë plot dhembje
“Shkodër!”, “Shkodër!”, cicërojnë.

Sonte mos i ndiz qirinjtë e darkës,
Durimin e Rozafës në sofër mos e sjell,
Mallit që kam për ty m`i mjaftojnë flakët
Që hënën e qytetëruar ta veshin me diell.

Këtë muzg, shqyej e bëni krahë perdet e teatrit
Le të dukesh midis tyre si një shpend.
Migjeni që s’po e kapërdin dot kafshatën...
Në poezinë time fshin djersët e portretit tënd.

Mungesa mbetet një mesnatë me yje të vrarë,
Kur këtu është natë, ditë është tek ti,
Ti shtrydh ndjenjat e unë ndjehem i tharë
Por madhështia jote më njomëson përsëri.

FUJI

Pjesa skeptike e telepatisë së fujit,
Shkruar, fshirë dhe shkruar përsëri
Në rrënjët e thinjave të parakohshme.

Hartat e funksioneve të mendjeve
Në qendrat e mendimeve njerëzore
Përcaktojnë për të sasinë shpirtërore.

Mohon mungesat e provave gjenetike,
Por çmon sa veten esencën e vetminë
Sepse aty s’ka fjalë, vetëm mendime.

Yamanaka fshin kodet primitive
Në shtresën më të fundit të Motosut
Për të dhe për banorët e Gotembasë.

Çdo gjë që koncepton imagjinata
Poli i tij magnetik e kthen në jetë,
Në një mineral shtesë në ujin blu.

Pas rindeshjes së rrasave tektonike
Shanset e reja u bënë jeta e së ardhmes:
Ai qorroi vetëm sytë e vjetër të Tokjos.

24 ORË DASHURI

Muzgu e ndjeu nevojën tonë të fshihemi diku
Gjithësinë rreth nesh e zbuti në bojëçokolatë
Fshehurazi qeshi me fytyrat tona të ndezura
Dhe u largua tinëzisht për ne duke folur uratë:

Natyrshëm, natyrisht, bëmë dashuri në natyrë.

Me livadhet, para kohe, djersimë vesën e parë
Me flokët e natës ia fshimë gjoksin mëngjesit.
Lëndinën e shqyem në mes si një copë pëlhurë
Dhe zbuluam buzëqeshjen më të re të universit:

Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm.

Për dreq, të gjithë banoret e erës e morën vesh.
Merkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det.
Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje
Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret:

Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht.

Pa ua qarë hallin kometave që luhateshin përtej
Mbrëmja e re erdhi si një luleëndërr plot nektar,
Zbërtheu komçat e sipërme të këmishës së zezë
Dhe për ne të dy vari në qafë hënën e larë me ar.

I PA IMUNITET NË SHQIPËRI

Shqipërinë e gjeta si atë engjëllin e bardhë
Që ecën ngadalë një pëllëmbë mbi tokë
Me hijet e të vdekurve buqetë në dorë.

E përqafova i vrarë dhe i zbetë në fytyrë
Si një portokall aty-këtu i kafshuar.

Pashë thonjtë e saj me njolla gjaku të tharë
Që akoma vuanin dhimbjen e shkuljes
Kthyer në tjegulla mbi piramidat e akullit.

U shtrydha, u bëra vaji i kandilit të saj,
U bëra pjesë e fitilit me kokë pluhurore.

E ndjeva se flaka e djegies time la imazh hiri.
Por ndonëse drita që dhashë dukej prej tymi,
Sytë u ngrinë xham rreth meje të mos fikesha.

Sikur të kisha imunitet shpirtëror në Shqipëri,
Do mbaja për vete pa turp kripën e lotëve.

—Tiranë, Korrik, 2006
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi