Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Haxhosaj: Figura e Kozmosit në veprën poetike

Shko poshtë

Halil Haxhosaj: Figura e Kozmosit në veprën poetike Empty Halil Haxhosaj: Figura e Kozmosit në veprën poetike

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 24, 2009 9:08 pm

Halil Haxhosaj: Figura e Kozmosit në veprën poetike U1_HalilHaxhosajFIGURA E KOZMOSIT NË VEPRËN POETIKE

Mazllum Saneja: “Vetëtimë jete”, poezi, botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2007.

Nga Halil Haxhosaj

Shkrimtari, përkthyesi, poeti dhe krijuesi ynë i njohur Mazllum Saneja përmbledhjen e parë poetike me titull “Këlthitje” e ka botuar qysh në vitin 1973, në Prishtinë. Prej kësaj vepre deri sot ka botuar disa përmbledhje të tjera me poezi në gjuhën shqipe dhe polonishte si dhe ka përpiluar disa antologji në këto dy gjuhë. Po ashtu është edhe përkthyes i shumë veprave të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën polake si Ali Podrimja, Eqrem Basha, Visar Zhiti, etj., dhe shkrimtarëve polakë si: Karoll Vojtilla (Papa), Tadeush Ruzheviç, Vislava Shimborska, Zbignjev Herbert, Eva Lipska, etj., në gjuhën shqipe. Pra ky intelektual dhe krijues është ambasadori i letërsisë dhe kulturës shqiptare në Poloni dhe i asaj polake në Kosovë e Shqipëri dhe më gjerë.

Makrokozmosi si figuracion poetik

Vepra më e re e krijuesit Mazllum Saneja “Vetëtimë jete”, botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2007, ngërthen në brendinë e vet një shtrirje tejet interesante të lëndës poetike. Shtrirja artistike dhe figurative me vëllim sasior prej mese 54 poezish, depërton nëpër qerthujt poetikë: 1. Në mes të jetës, 2. Asnjë fjalë, 3. Ngashërimi, 4. Pashë një ëndërr dhe 5. Unë zgjuar rri. Ndërkaq vëllimi poetik hapet me poezinë hyrëse “Pika”.
Observimi poetik nuk mëton të tkurret vetëm në unazën e shtrënguar të vendlindjes, edhe pse ajo është në qendër, por frymon nëpër poret gjeneralë të jetës. Shtrirja poetike kalon nëpër fushën e frymëzimit figurativ të makro dhe të mikrokozmosit poetik. Makrokozmosi është shkalla e përgjithshme ku poeti e ngjyen penën e tij për t’i bashkuar të gjitha skajet e hapësirës në të cilën jetohet dhe merret frymë. Dhe kështu qëllimi i tij nuk rrëshqet nëpër ndonjë formalitet, madje as në ndonjë log sa për të shprehur lëndën dhe figuracionin e tij vetëm si qëllim mode, e pse jo edhe modernizimi. Por, këtë qëllimisht, poeti Mazllum Saneja e shtrinë në gjerësinë dhe në thellësinë e vargjeve të veta me qëllim frymëzimi sa më artistik dhe individual. Duke jetuar larg vendlindjes, larg Gjakovës, larg familjes dhe të dashurve të tij, larg miqve, shokëve, motrave, mandej larg Kosovës, tokës së saj, larg bukurive të Kosovës, poeti dëshiron që t’i bashkojë, mbase edhe t’i afrojë, pikat e largëta të makrokozmosit në botën e tij artistike, por edhe në atë reale. Duke mëtuar në këtë pikë referimi frymëzues, del sheshit qëllimi figurativ poetik që korrespondon me aktualitetin edhe pse ndonjëherë shfaqet haptas. Poeti, që ndonjëherë paraqitet si arter egoja i dytë poetik në vargje, nuk pajtohet me epokën e tij e cila është e mbushur me trishtim. Por, ai trishtim thellohet, hepohet, siç thotë Lasgush Poradeci, dhe rrjedh duke ngarendur rreth e përqark kozmosit të shthurur dhe të mbushur përplot me kontradikta.
Halil Haxhosaj: Figura e Kozmosit në veprën poetike U1_MazllumSanejaNë këtë kozmos me plot e përplot gjera të këtilla, përplot me dhimbje e dënesa, edhe poeti ndjen dhimbje ngase ai ka mbetur si zë i humbur në shkretëtirë. Duke mbetur kështu fillikat vetëm, ai nuk çka të bëjë tjetër vetëm të çirret sepse mendime të llojllojshme ia përshkojnë tejpërtej epokën e tij. Por, edhe duke qëndruar në mes të qyteteve të mëdha, /Mes mureve të ftohta/ Dhe shtëpive shumëkatëshe/ Dhe drurëve në kopshte/ që janë një hallkë tjetër e makrokozmosit figurativ në vargjet e poezive të këtij vëllimi poetik, ai përpiqet të gjejë se ku fshihet qendra e kësaj hapësire të madhe dhe të pashpirt, pra e makrokozmosit. Në këtë botë edhe aeroplanët që fluturojnë në qiellin e këtij makrokozmosi i shndrit një diell përvëlues, ngase njerëzit që jetojnë aty janë pa ngrohtësi në sy dhe pa gjak në zemër. Kjo gjendje shpesh duket groteske sepse gjallesat përpëlitën në atë simbiozë jetese derisa të kenë forcë për të qëndruar. Nëse lexohen me vëmendje këto vargje në thellësinë dhe gjerësinë e tyre, haset elementi kuptimor i nëntekstit poetik që buron në kuptimin figurativ të simbolit të makrokozmosit që nuk është asgjë tjetër vetëm se jeta e poetit Mazllum Saneja në Poloninë e largët dhe të ftohtë prej më se tridhjetë e më shumë vjetësh. Andaj ky element mëveshët me figuracion të gjeneralizuar i cili duke mos qenë i tkurrur, por duke qenë i shtrirë fiton element të dendur dhe domethënës artistik. Duke kaluar kështu në shtresim kuptimor të figurës së makrokozmosit në vargjet poetike të veprës “Vetëtimë jete” ai mbarset edhe me figuracion tjetër që lirisht korrespondon me anën tjetër të këtij ekuacioni figurativ , në mikrokozmosin poetik. Gërshetimi i këtyre dy kuptimeve i shprehur në poezitë e këtij vëllimi poetik bëhet në mënyrë të suksesshme dhe mjaft bukur artistikisht nga pena e poetit. Ai edhe kur merr për temë ndonjë element intim dhe tepër personal, e shtrin mbi këto dy koncepte dhe ia del me suksese duke mos rënë në grackën e deklarativizmit siç ndodh tek disa krijues.

Mikrokozmosi poetik dhe figurativ

Elementi i mikrokozmosit në vargjet e poezisë së Mazllum Sanejës është një hallkë që frymon melodikisht koordinueshëm. Ky koordinim nuk bëhet artificialisht, madje as teorikisht në emër të strukturimit teoriko-letrar, por shkrihet me ndjenjën, mendimin dhe përjetimin. Në këtë trenomë hapësira figurative frymon çlirueshëm dhe emocionalisht. Mbi këtë koncept artistik ndërtohen vargje që në një mënyrë ose tjetër shprehin anën e brendshme të poetit. Andaj, lirisht mund të konstatohet së poezitë e tilla janë lirike, e pse jo edhe me një shprehje të thellë ndijore dhe përmbajtjesore. Gërshetimi i këtyre elementeve nuk është i tkurrur, por është i shtrirë në horizontalen dhe vertikalen kuptimore të subjektit. Ky subjekt nuk është i shkëputur nga jeta e poetit, por ai, madje është pjesë përbërëse e tij. Pra, është shtresa më sublime e jetës së poetit, sepse: /Në të vërtetë nuk ka asgjë përse të ankohemi/ as për kohën e shkuar/ ndonëse jeta nuk na përkëdheli kurrë/, për të vazhduar poezinë me vargjet: /Dhe këto vargje / i shkëputa nga shpirti/ për Ty motra ime/ , shkruan poeti Mazllum Saneja në poezinë “Letër motrës”. Ky individualitet i bashkëdyzuar i subjektit lirik dhe i poetit del lirik dhe buron nga mikrokozmosi i krijuesit. Bota e këtij mikrokozmosi nuk është e pakuptueshme, madje as individuale. Kjo shihet atëherë kur aromat e këtyre vargjeve kërkojnë nëpër petalet e të gjitha luleve “të jetës” së individit në këtë kohë dhe në këtë hapësirë. Dhe atëherë mikrokozmosi i tillë poetik nuk është i zorshëm për t’u kuptuar, madje as për t’u shijuar dhe konsumuar nga lexuesi. Pikëpamjet e subjektit lirik tash njëjtësohen me autorin, në këtë rast me poetin, dhe marrin karakter edhe autobiografik ndonjëherë: /Faleminderit motra ime Myrvete/ tani kur jam në kurbet bredhërimave/ më kujtohet bota fëmijërore/ prandaj porosit motrën: /Asnjë pikë loti për mua/ jeta e njeriut/ qenka vetëm një shtegtim i pambarim/, sepse edhe çdo poezi që e shkruan i duket se ajo do të jetë e fundit, apo ”sikur është e fundit”.
Mikrokozmosi poetik në veprën e Mazllum Sanejës depërton nëpër disa qeliza të organizmit të veprës. Këtu shkruhet për vetminë, mallin sëmurjen, urrejtjen, lirinë, frymëmarrjen e ngushtuar, etj. Kur është i sëmurë dhe i shtrirë në sanatorium për t’u shëruar, ai shikon nëpër dritare sepse /Vetëm këtu lirisht marr frymë/ ... /Këtu gjithnjë mbretëron qetësia/. Ky është elementi që shprehet me ndjenjën lirike sepse bëhet kryqëzimi i vetmisë, lirisë dhe sëmurjes. Trinomi i jetës së këtillë e ka peshën edhe më të rëndë kur përjetohet në kurbet, siç thotë poeti Saneja. Jeta e mikrokozmosit poetik është e mbushur edhe me plot dyshime. Ajo shpesh është e pakuptueshme dhe lavire. Duke qëndruar pezull, apo në mes, ajo e ka vetëm një kuptim të mbushur plot e përplot me mallin për njeriun, gruan, farefisin, miqtë shokët, fëmijërinë. Dhe kjo barrë herë bëhet më e lehtë, herë më e rëndë. Krejt kjo varet nga poleni i saj, nga aroma e saj, nga shija e saj në mikrokozmosin poetik.

Figura e shiut dhe balada

Vëllimi poetik “Vetëtimë jete” i poetit Mazllum Saneja, gërshetohet nga një kolorit i pasur figurativ. Edhe pse disa nga figurat e përdorura janë periferike, shumica syresh janë qendrore. Ndër figurat më funksionale dhe më të suksesshme është edhe figura e shiut. Ajo bëhet kryesore dhe funksionale, sepse poeti e fillon vëllimin poetik me vargjet kushtuar shiut, gjegjësisht në krye të veprën është poezia “Pika”. Kjo poezi ka dy strofa dhe njëmbëdhjetë vargje të lira me rimë dhe ritëm të brendshëm dhe fillon me vargjet: /Shi bie/ Në rrugë dritë diellore/ për të përfunduar me këto vargje: / Në fund të atDheut/ Befas zhdavariten retë/ Dhe shkëlqen asfalti në rrugë/ Nga shira vërshues/. Figura e shiut në këto vargje nuk del e vetmuar, madje as e ndarë. Por, ajo vepron, funksionon dhe bashkohet edhe me elementë të tjerë poetik të veprës. Kështu, kjo nuk mbetet vetëm figurë për figurë në kuptimin teorik e artistik. Dhe mu kësaj autori ia arrin me sukses sepse mallin e atDheut e lanë nga shiu, pas të cilit gjithmonë lind dielli më i ngrohtë dhe me shkëlqyes. Madje, duke qenë i vetëdijshëm për zoret e jetës në kurbet, për vështirësitë dhe pakuptimësitë e saj larg atDheut, poeti e di se të tillë e kishte fatin që nga lindja sepse: /Thonë se kur kam lindur unë/ Vërshim i madh ka ndodhur/. Ai shi është i rëndë për të kudo ku gjendet, sepse ia rendon shikimet, mendimet, jetën. Ia rendon edhe qenien e tij prej njeriu dhe krijuesi. Mirëpo nuk është pesimist. Sepse atë e shpëton poezia, e cila gjithmonë është e pavdekshme duke ia njohur të gjitha skutat e errëta të një shpirti të vrarë. Edhe pse anës Visllës ka vetëm vrer e pelin, subjekti lirik nuk do të vdesë, por do të ringjallët duke hyrë në legjendë, duke hyrë në baladë.
Kjo më se miri shihet në vargjet e poezisë së fundit të vëllimit me titull “Memento”. Në qendër të vargjeve të saj është lutja për përjetësi. Ajo i drejtohet figurës së parë njerëzore Evës, e cila mund të jetë edhe reale. Poeti kërkon që kur të vdesë t’ia lënë njërin sy hapur sepse do: /Ta shoh Evën/ Duke vrapuar fushës së blertë/ Të dëgjoi zërin e saj/ Si këngën e bilbilit/ sepse Evën e ka mike, edhe bibliken, edhe realen, ngase ajo ia ka falur qetësinë, ngrohtësinë dhe dashurinë. Elementi i legjendës dhe ai baladesk në këto vargje të poetit Mazllum Saneja kanë figuracion biblik, lirik, por edhe biografik. Me këto elemente poeti ia arrin t’i afrojë kufijtë që ndajnë artin nga jeta, individualen nga e përgjithshmja. Duke i afruar njëri me tjetrin këta kufij, madje edhe duke i njëjtësuar, ai ia del me sukses.
Ka edhe vlera të tjera të patjetërsueshme vëllimi poetik “Vetëtimë jete” i poeti Mazllum Saneja. Kjo është vepër e arrirë e këtij poeti dhe shënon shkallë të lartë të pjekurisë artistike. Madje në vargjet, figuracionin, metaforat dhe elementë të tjerë poeti ia arrin që të thotë diçka të veçantë, madje edhe individuale. Kështu sigurt ai ecën kah përsosmëria e vargut, shprehjes moderne poetike dhe frymëzimit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi