FARUK TASHOLLI - UDHËTIM I DROJSHËM CEPIT TË BALADAVE
Faqja 1 e 1
FARUK TASHOLLI - UDHËTIM I DROJSHËM CEPIT TË BALADAVE
FARUK TASHOLLI
UDHËTIM I DROJSHËM CEPIT TË BALADAVE
Ka ditë që më ka bërë zë kolegu im pararendës Bajram Sefaj. Zë me shkas. Të bëj një rrëfim në veten e parë. Po ku më gjeti mua se?! Ky Bajrami që dikur moti, para më shumë se tridhjetë vitesh, parkonte veturën Volksëagen (bubë) me ngjyrë të bardhë ndanë hotelit Union, në komunikacionin jo të dendur të Prishtinës dhe ditën, e fillonte me kafenë e mëngjeseit në byffenë e Teatrit Kombëtar. Ende më levizin në kujtesë hapat e tij nëpër shkallët e Teatri.Nuk vononin ditë dhe intervistat me aktorët dhe regjisorët e kohës, dukeshin në Televizion a në rubrika gazetash. Ia kisha lakmi. Por tash, pas shumë kohe, më zuri edhe mua. E çka mund të them tash? Ku t'ia nis rrëfimit pa asnjë pyetje? A të flas për fëmijërinë, këtë vulë të përjetshme në ndërgjegjen e njeriut? A për vitet e shkollës e studimeve? Për punën në zanatin e tij - në gazetari? Për ca vrulle shpirti të bëra vargje? Ku më zure more Bajram mua kështu?! Po ia nis rrëfimit sa këtu sa aty, duke prekur dromca kohe, aty ku më çoi jeta.
Është një këngë që ma djeg shpirtin
Kur më pyesin kureshtarët si e bëj këngën, kur ia nisa, çka më shtyri etj., kam dhjetëra përgigje që ia jap varësisht prej pyetjeve. Por askush deri më sot nuk më ka pyetur, pas ninullave që nuk i mbaj mend, cila është kënga e parë që e kam dëgjuar dhe më ka mbetur për jetë në kujtesë. Tash do e them vetë, pa më pyetur njeri. Dua të kthehem gjysmë shekulli e pak prapa. është një kënge që nuk e di, por që disa vargje ia mbaj mend. Veç një herë e kam dëgjuar. Ende pa shkuar në shkollë. Kisha dalë para derës së oborrit, ndanë rrugës së fshatit, që verës bënte pluhur e moteve me shi baltë. Veç një hark të vogël kisha guxim ta qarkoja pa më mbajtë kush për dore. Nga shkolla e vogël që dë dukej nga shtëpia jonë, një grup prej tri-katër vajzash, si të ngjitura njëra me tjetrën, vinin duke kënduar. Ndihesha i vetmuar pasi vetëm një shok e kisha fqinj. Sa ua mora lakmi që këndonin dhe dukeshin të lumtura.Por këngën e tyre e mora vesh më vonë: /dil e kaj moj në prezore/ se po t'nin nana nër vorre/!... Kjo prezore, deformim i fjalës sllave që emërtonte dritaren, përdorej natyrshëm atëherë kur popullata ishte e zhytur në analfabetizëm. Por ta kalojmë këtë faqe të errët. Kënga bëntë fjalë për vajzën që po shkonte nuse dhe qante që ta dëgjojë edhe nënë ndër varre! A vetëm ndër varrë janë nënat kur vajzat bëhen nusë?, mendoja i hutuar. Jo, por për ta bërë edhe më të rëndë aktin e ndarjes nga shtëpia prindore të vajzës që po bëhej nuse, këngët ia kujtonin do detaj të jetës, madje edhe nënën e vdekur, që „dëgjonte“ atje te varret. Ndërsa mespërmes këngës, vinin gjëmët e vajzës nën rigat e lotëve nën shami:Uh-Uh-Uh! E dhembshme shumë në sytë e mi fëmijëror! Tmerrësisht e rëndë! I gjithë arti gojor popullor imitohej nga fëmijët nga dasmat, pasi nuk kishte as radio, as rrymë, as....as...Por edhe ato vajza që i dëgjova, që pas përfundimit të klasës së katërt të fillores, po ndaheshin nga shkolla. I vetmi akt tjetër i shënuar i jetës së tyre ishte kur shpejt do të bëheshin nuse. Po pse t'i „nin nana nër vorre“ kur ta hidhinin ballit shaminë që të mos u dukeshin lotët për ndarjen nga shtëpia prindore? Sepse te varret kishin shkuar shumë nëna dhe vajzat kishin mbetur jetime, ose kishin shkuar shumë fëmijë që nënat i qanin që nuk mundën t'i rrisnin. Varfëria dhe mosdija nuk lenin dot që sëmundjet të iknin nga njerëzit.Ende po e hiqte këmbën zvarrë nëpër Kosovë sëmundja e tuberkulozit që për mungesë të një vaksine shuheshin jetët. Por baladat nga dhembja për këto jetë po mbeteshin. Di edhe një grumbull baladash me tematikë nga sëmundja e tuberkulozit që aso kohe i thoshin verem. Ishin ato balada që nxirrnin shumë lot...
Edhe sot më dhemb në shpirt shqiptimi i vargut: se po t'nin nana nër vorre! Ndoshta drama e ndarjes së vajzës që bëhej nuse dhe me gjithë atë gjëmë që shënonte baladën e ndarjes, bën që edhe mua të më pikojnë lotët nëpër kohë, sa herë që vajzat bëhen nuse. Ikja e tyre me qerren e kuqe më dhemb për diçka tjetër. Sa herë që krushqit kanë marrë me qerren e mbuluar me qilimin e kuq nusen dhe janë nisur nga shtëoia e dhëndrrit, ka krisur nga një pushkë. Pushkë e rëndë! Krismë e triumfit! Ta mora çikën! Ose, më në fund, e morëm! Sa primitive janë varguar ato krisma jo vetëm në kujtesën, por edhe në ndërgjegjen time. Edhe sot, kur vajzat i kanë ndalë ata lotët e ritit tradicional të ndarjes, jo rrallë dëgjohen krismat. Madje edhe nga armë automatike. Sa keq e vrajnë ato krisma muzikën solemne të dasmës...
Ëndrrat iluministe dhe përmnysja e fateve
Në jetë, njeriu ka shumë ditë të shënuara. Por çasti kur merr udhë tutje për ta njohur jetën, mbetet i gravuar në shpirt e në kujtesë. Do ta kujtoj ditën e parë të shkollës. Momenti më shqetësues i fëmijërisë se të pret diçka e madhe, aq më tepër kur shkollarët pararendës, jepnin shembull se jeta rurale po ndryshonte me ta. Krahas uniformave të vjetra, arkaike, ishin ata, pra shollarët e rrallë, që në fillim ktheheshin si mësues, me rroba moderne, këmisha të bardha e kravata të lidhura për mrekulli. Radiotransistorët e rrallë, depërtimi i ndonjë gazete, kalimi i dikujt me biçikletë rrugëve të pluhurosura të fshatit, bënte me dije se diku më larg ka edhe një botë tjetër. Ajo bota tjetër, më e ndritur,si flitej, vinte përmes nxënies së dijes. Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të Kosovës sonë, pothuajse në çdo rast flitej për shkollimin, ani që një pjesë e të rinjve po mbeteshin ende larg shkollës.Ishte çështje më vete edhe shkollimi i femrës, që pakkush e merrte guximin ta niste vajzën larg fshatit në shkollë, pasi ta kishte mbaruar filloren. Reportazhet dhe lajmet e gazetave mbusheshin me titujt: Mësuesi i parë i fshatit. Vajza që iku nga shtëpia për t'u shkolluar. Ku hapet një shkollë mbyllet një burg. Shkrepin rrezet e diturisë...etj.,etj.Kishte shumë vajza të penguara që në ved se të shkonin në shkollë ishin bërë nuse dhe nga dëshira për dije, sipas rrëfimeve të tyre, zgjoheshin më herët se zakonisht për ta ndezur zjarrin dhe, para se t'i fusnin copërat e gazetave në flakë, i lexonin më pasion e dashuri. Sa me bujë flitej për hapjen e fakultetit të parë, të universitetit. Filluan pastaj të ndyshohen titujt në gazeta: Doktori i parë në shkencat filologjike.Edhe një doktor i shkencave teknike. Konkurencë e madhe në Fakultetin e Mjekësisë. Mjeku që iu kthye fshatit etj.etj.
Kur vetë u bëra student, tashmë këta tituj thuaja se abstraktë për pjesën më të madhe të popullatës, për mua ishin pjesë e përditme e jetës.Më erdhi vetë rasti të jem pjesë e lëvizjeve arsimore e shkencore.Titujt që i kisha lexuar nëpër gazeta, tashmë edhe po i shkruaja vetë. Me laps e me bllok, prezent në mbrojtje magjistraturash, në mbrojtje doktoratash, duke i transmetuar ato suksese në faqet e gazetës studentore „Bota e re“, ku shpejt u bëra edhe gazetar. Armata e të diturve po i shtohej Kosovës. Luftë për nxënie. Përvjetori i fakultetit të parë, të dytit e kështu me radhë. Përvjetori i Universitetit të Prishtinës. E gjithë shpresa ishte te dija e brezave. Por dija e fituar,jo vetëm në Kosovë,bëri që të kërkohet edhe diçka më shumë.Liria e cunguar kombëtare. Barazia me popujt e tjerë. Mendimi ndryshe nga pushteti. Kërkesa për përparimin e statusit të Kosovës. Edhe me demonstrata. Për Kosovën Republikë. Armiqësore e shpall pushteti këtë kërkesë. Pason hapja e burgjeve për shkollarët. Dënimet e rënda.Vite të tëra burgu. Kush fajtor? Flet partia, flet shteti: Universiteti!Pastaj programet shkollore. Loja për ndryshimin e tyre. Lufta kundër Universitetit, kundër intelektualëve. Vite të tëra burgjesh për rininë studentore. Një e treta e popullatës nëpër duart e policisë. Miliona a miliarda goditje me shufra gome mbi trupin e shqiptarit. Mbyllje shkollash. Mbyllje të Universitetit. Dhjetë vite luftë politike që Serbia ta marrë vetë situatën në dorë për ta gjunjëzuar Kosovën. Deinstitucionalizim total. Mbyllje shkollash.Mbyllje institucionesh. Luftë. Masakra. Njerëz të shpërngulur. Familje të djegura në turra drushë. Mërgimtarë të përvajshëm. Gra tw dhunuara. Zhbërja e Kosovës shqiptare. Pritja e agresorit serb për t'u bërë fakti kryer ky akt makabre nga fuqitë e mëdha botërore.Por, pas gjithë shekujve të rëndë, vjen një ditë dhe liria kombëtare, kthen faqen e ndritur në Dardaninë antike.
Shfaqja e lirisë në udhëkryqin me shenja mbrapshtë
Pas ca vitesh mërgimi, kur udhën e kisha të ndaluar, duke u kthyer në Kosovë, se si m'u kujtuan vargjet e një vjershe të poetit tonë Ndre Mjeda, që i di përmendsh që nga mosha nëntëvjeçare: Pas një lufte një lua/ Po e merr rrugën me u kthy' n'shpi/, Kur prej zjarrit sheh se shkri/ Ish shtëpia e s'kish mbetë gja/. Figurativisht, ky luan ishte populli im vital, që me fuqinë e vetë liridashëse dhe vitalitetin e pamposhtur, po e ringjallte gjithçka si feniksi. Por, si pas çdo lufte, njeriu takohet me të papriturat, kahas entuziazmit të pashmangshëm për një jetë të re në liri. Nga hyrja e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe deri te shkallët e Radio Prishtinës, një vijë as dyqid metra e gjatë, bëj gati dy orë, pasi takohem me miq që nuk i kisha parë me vite. Vetja më dukej si personazh i dalë nga baladat e rinjohjes, që në letërsinë popullore shqiptare ishin aq të thella e aq të dhembshme, sa kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën historike të popullit. Ecja si njeriu kur kalon vigun mbi një ujë të madh. Pikërisht si një ecje fiktive cepit të baladave, ku rrëshqitja më e vogël, të rrokullis humbëtirës së pafund dhe vetë pastaj bëhesh pjesë e një balade të re.
Në institucionin ku kisha kaluar ca vite pune, i dëbuar me mashinka vrastare nga policia serbe, pra në Radio Prishtinë, hy më lehtë se në shtëpinë prindore. Pas takimeve me kolegë dhe miq të tjerë në byffenë që tash nga kati i nëntë kishtë zbritur në holin përdhes, më ftohet kafeja në dinamikën e bisedave.Por megjithatë,vetja më duket si një i huaj që mëson rregullat e vendit të ri.Dëshpërimin më të madh e kam ndier kur në mesin e intektualëve dëgjova të matej koha me iftar, me iqindi, pastaj përshëndetjet me „selam“ etj.,ritëm ky i praktikës fetare islame. Rastësisht m'u kanë kujtuar kalendarët e ramazanit kur isha fëmijë që në murin e kuzhinës vareshin si relikt njëmujor. Duke dashur të dija diçka, aso kohe, lexoja mes numrave kohën e riteve ditore në dy rubrika: allaturka dhe allafranga, që më vonë e kuptova se kjo allafranga i takonte matjes moderne të kohës, ndërsa allaturka, asaj të moçmes, nën Perandorinë Osmane. Nuk dëshiroja të besoj se inteligjencia e vendit tim po futet mendësisë „allaturka“. Së paku kjo shtresë e din fare mirë se nën pushtimin serb, gjithçka kombëtare kemi pasur të cunguar ose totalisht të ndaluar, por ushtrimin e fesë jo. Ëndrrat për shkencë, për t'i zënë popujt e përparuar, ndoshta na kishn lënë „pa fe“, por atë e kishim zëvendësuar me luftën për atdhe. Ne vend të bisedave për teoritë shkencore, mes intelektualësh, jo rrallë, çonin krye edhe bisedat për teoritë mistike. E shkurtër një javë për ta njohur Kosovën time të re. Ditën kur e kisha të caktuar të kthehem për Gjermani, aeroporti i Prishtinës, terr me njerëz, si thuhet figurativisht në popull për turmat e mëdha. Ndjeva një gëzim se sa herë kam fluturuar më parë nga ky aeroport, në ato fluturimet e rralla, krejt pak njerëz dukeshin aty. Mendja ime, liria kombëtare, ka hapur dyert edhe të mundësisë ekonomike. Por jo. Rreth dy mijë njerëz po prisnin që me aeroplanët e veçantë të niseshin për në Arabinë Saudite, për ta realizuar njërin nga obligimet e pesë shtyllave të islamit, haxhin. Rastësisht më bie ta takoj kolegun tim shumë të dashur, sharmantin e shou-emisioneve të radios, Hivzi Krasniqin. Pas përqafimit dhe bisedës për ngut, më thotë se brenda turmës është ky e ky, e ai e ai, miq të rinisë dhe të punës së përbashkët në institucionet mediale, shkollore, universuitare e shkencore. Disa kryenin punën e gazetarit dhe disa ia kishin mësyrë Mekës. Jo pak sish po e shfrytëzonin këtë rast edhe për turizëm se shteti saudit i kishte shpërblyer për këtë udhëtim kosovarët që përmbushjen e shtyllës së haxhit ta bëjnë gratis... Asgjë e keqe këtu. Por pas ca muajsh të ashtuquajturit „shkencëtarë – haxhinj“ morën rolin të predikojnë për fe nëpër hapësirat mediale, në vend se këtë ta bënin klerikët e devotshëm në vigjilje festash fetare, dëshpërimi vjen e shtohet. Jo për diçka tjetër, por për kthimin në kohën „allaturka“, madje me vetë veprimin e intelektualëve.
Vitet ikën dhe Kosova, për fat, ndërtoi institucione dhe përmes tyre realizoi pavarësinë shtetërore, pikërisht me ndihmën dhe investimin marramendës të shteteve perëndimore. Ndërsa intelektualët dhe politikanët tanë, shumica të shpifur e jo të ndërtuar konform rrjedhave të kohës, në vend se të merren me problemet madhore, për interesa meskine, merren me përdorimin e shamisë dhe gjërave të ngjashme. Shumica pas shkuarjes në haxhillëkun e rrejshëm, kanë krijuar brigada simpatizanësh e votuesish për pushtet dhe, fatkeqësisht, në emër të fesë marrin fronet sundimtare. Vjen edhe shamia e parë në parlament. Vjen edhe fyerja e parë ndaj kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit. Heshtin paralamentarët, madje edhe ata që kanë ushqyer me vite iluminizmin te ky popull, ata që kanë ushqyer ndjenjën kombëtare me figurën e Skënderbet. Heshtin si pulat këta oportunë. Heshtin edhe akademikët. Një shekull shteti serb i ka folur në vesh Europës për përkatësinë orientale dhe banditizmin primitiv të shqiptarëve dhe me këtë devizë i ka mbajtur nën thundër. A e harruan kaq shpejt shqiptarët e Kosovës këtë veprimtari djallëzore?! A nuk e panë patriarkun serb pak para shpalljes se pavarësisë së Kosovës të gjëmojë deri në dënesje të thellë në zyrat e intitucioneve amerikane: “Ju lutem, mos e pranoni një shtet islamik në formim, madje të vetmin, në zemër të Europës!...“ Askush nuk do të mund të jetë kundër riteve fetare në demokracinë europiane. Por kur feja shndërrohet në mendësi kombëtare, madje me gjuhë, kulturë dhe tradita të huaja, përpara na shfaqet udha ahistorike. Kah mund të shkojmë pastaj. A do t'i përmbysim vetë ëndrrat iluministe. A do ta mbyllim vetëveten në kafaz e t'i fajësojmë të tjerët?!
(Bajram Sefaj: Rrëfime të njerëzve që i dua(m))
Marre nga "Bota sot", 16.12.2015
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi