Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji

Shko poshtë

Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji Empty Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji

Mesazh nga Lek Wed Apr 06, 2016 12:27 am

Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji

Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji U1_Marjan-SopiNjë personalitet i gjithanshëm i jetës publike…
Intervistë me PhD. kandidat, Sarë Gjergji, studiues e shkrimtar...
Ekskluzive nga Marjan Sebaj Sopi
PhD. Kand,. Sarë Gjergji-n tani e tre dekada e njeh opinioni i gjerë si ai vendës, po ashtu edhe ai ndërkombëtar. Është shkruar mjaft për jetën dhe veprimtarinë e tij të bujshme (larmishme), meqë ky qysh si student ka filluar të merret me shkrime, me poezi, prozë, tregime, monografi e veprimtari tjera krijuese letrare. Nuk e di a ka poetdashës, fëmijë shkollor, studiues..., që nuk kanë pas në dorë poezinë e këtij poeti të Karadakut legjendar. Nuk e di a ka njeri (veçmas Anamorava) që nuk ka takuar fjalën e bukur artistike po edhe mirësinë, dashurinë, afërsinë dhe ndihmën e  tij.
Sarë Gjergji, një burrë inteligjent, një punëtor i palodhshëm i çështjes sonë madhore kombëtare në përgjithësi, njeri që ka në vene (damar) dashurinë për fjalën e bukur, për artin e jetës – poezinë. Njeri që atë çka e thotë edhe e realizon në përpikëri, që dua të them; tek ky njeri janë gjithmonë prezent meditimi dhe kontemplacioni (meditimi dhe vepra). Është i gjithanshëm; sa studiues, aq historian e arkeolog që nuk ndalët së hulumtuari lashtësinë tonë, sa poet aq edhe recitator apo aktor, sa shkrimtar aq edhe njeri human me zemër të madhe për njeriun në nevojë. Pra, njeri që shëron shpirtin (me krijimtaritë e tij letrare) aq edhe human me veprimtarinë e tij të bujshme karitative me vite të tëra, sa politikan aq edhe këshilltar më i mirë në jetën politiko-shoqërore...
Sarë Gjergji ishte dhe është i palodhshëm si në arsim, 1990-1995, 2000-2001; udhëheqës i Karitasit të Republikës Çeke dhe të Kosovës, Gjilan 2000-2007; përgjegjës i Zyrës për Informim të Komunës së Vitisë, 2008-2010; në vitet 2004-2013 ishte Këshilltar në Asamblenë Komunale të Vitisë etj. Sarë Gjergji ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës “Lajmëtari” (Graz, 1998-1999), kryeredaktor i revistës “Identiteti” (Prishtinë), dhe redaktor përgjegjës i revistës “Kalendari letrar” (Prishtinë).
Sarë Gjergji-n edhe pse e kemi në moshë relativisht të re, apo të themi mesatare, ai është jashtëzakonisht produktiv. Ju sjellim veprat e tij: Gjerë më tani ka botuar këto vepra letrare, si: Golgotë”, Drita Ferizaj, 1994, “Kontrast ngjyrash” Graz, Prishtinë, 1996,Tërapia e vdekjes – requiem për Kosovë”, Ura - Martin Segoni, Gjilan, 2000, “Peizazh tokeEurorilindja, Tiranë, (2004), “Stublla, monografi, (2005) (grup autorësh),Foc nestnis (Zjarr i pashuar, në gjuhën rumune), Bukuresht, (2007), “Dashuri e pambarim”, T-Kom, Shkup (2007), Vitia 2009, udhërrëfyes” (2009), vepër e botuar në gjuhën shqipe, serbokroatë dhe një pjesë në gjuhën angleze), “Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose letërsia ndryshe e tij”, Albanisches Institut, St.Gallen, Zvicër, (2011), “Legjenda e tërfilit”, MediaPlusArt, Prishtinë, (2012) dhe vepra“Stublla me Shkollën  e Parë Shqipe 1584-1905”, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës,Prishtinë, 2014. Sarë Gjergji ka botuar edhe shumë artikuj mbi: Karl Poperin, Ismail Kadarenë, Platonin, Horacin, De Radën, Konicën, Migjenin, e shumë autorë të tjerë; për praninë e Biblës në letërsinë evropiane dhe atë shqipe, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh të tjera nga publicistika, arti, kultura, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar dhe disa punime në revista shkencore ndërkombëtare. I përkthyer dhe në disa gjuhë.
Mirëpo, për ta kuptuar që në fillim portretin e  Sarë Gjergji, unë do shkëpus me këtë rast vetëm disa mendime të një gazetari me emrin z. Tefik Selimi, nga rajonipres i cili shkruan kështu; ‘’Sarë Gjergji është njëri nga poetët që ka bërë emër në jetën letrare e shkencore tek ne e më gjerë. Poet që po dëshmon për pjekuri serioze si në artin poetik, po ashtu edhe në fushën e studimeve të letërsisë sonë. Arti të ky krijues është një “burim” që e ushqen me të bukurën. S’ka gjë sa madhështia e artit. Pra, arti i është bërë ushqim i tij, si janë: poezia, tregimi, analizat studimore për letërsinë, por edhe jeta publicistike e forma të tjera të jetës së përditshme krijuese. Ai i tëri është krijues mbresëlënës i artit në përgjithësi…‘‘
Mirëpo, në projektin tonë Sarë Gjergjin e patëm mysafir dhe ishte kënaqësi biseda (kjo intervistë) të cilën e zhvilluam para pak ditësh. Sarë Gjergji, ishte si gjithmonë atraktiv dhe interesant me tema e teza që shtron e diskuton ai, me të koha të kalon jashtëzakonisht shpejt, të ik..., prandaj neve shfrytëzuam rastin dhe mirësinë e tij, për të bashkëbiseduar për çështje të ndryshme, për të shpalosur zemrën e tij të madhe poetike, komunikuese, të afërt dhe krijuese..., por edhe hulumtuese...gjithmonë në kërkim të së mirës  së përbashkët.
Marjan Sebaj Sopi: Z. Sarë Gjergji, përshëndetje në emër tim personal, në emër të gjithë lexuesve tanë të ZemraShqiptare si dhe portaleve e gazetave tjera. Nuk e kam lehtë të gjendëm para jush e t’ju shtroj pyetje meqë e di se juve keni përvoja të shumta në moderime të emisioneve e takimeve të ndryshme, por me siguri këtu do kem përkrahjen dhe ndihmën Tuaj.
Fillimisht, Ju faleminderit që pranuat të jeni bashkëbisedues i ynë, që pranuat meqë e di se çdo minutë për ju është i vlefshëm dhe nuk keni dëshirë të humbisni kohë, por që pasi ju treguam qëllimin tonë të intervistës dhe se ku do të jetë e plasuar kjo intervistë, më duket se me kënaqësi pranuat të jeni bashkëbisedues. Pra, ju faleminderit që ndani kohën me ne, që nda nderoni me prezencën Tuaj, por që në fillim neve kemi si zakon që bashkëbiseduesi të na prezantohet vetë me një biografi të tijën personale dhe mundësisht familjare? Kush është Sarë Gjergji dhe familja nga e cila rrjedh?
Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji U1_Sare-GjergjiPhD. kandidat, Sarë Gjergji:
Kam lindur më 15.12.1965, në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë. Familja? Një familje e thjeshtë, modestë, e ndershme, e urtë, e arsimuar. E dëshmuar ndër kohë të ndryshme. E përndjekur, e burgosur, e vrarë dhe asnjëherë e thyer. E pa kompromis me armiqtë e Shqipërisë e të shpirtit shqiptar. Një familje idealistësh dje e sot, gjithnjë në shërbim të vlerave. Dhe shembulli më i mirë për këtë janë, sidomos: Martin Gjergji, Prenk Gjergji, Engjëll, Pal, Llukë e Ndue Zefi, Dom Ndue Gjergji, Dr. Gjergj Gjergji-Gashi, Dr. Lush Gjergji, Dom Aleksandër Kola. Janë udhërrëfyesit e mi dhe jo vetëm; frymëzues për punë të mira.  Thjesht, bekimi im ka qenë familja dhe për këtë jam i tejlumturi i botës.
Marjan Sebaj Sopi: Siç cekët edhe vet, juve rridhni (vini) nga një familje e thjeshtë fshatare por që këtij populli i dha njerëz të mëdhenj (si dr. don Gjergj Gjergji, dr.don Lush Gjergji, don Ndue Gjergji...vëllezërit tuaj gjithë të arsimuar). Çka mund të na thoni rreth fëmijërisë tuaj, e në veçanti rreth ndikimit të të parëve Tuaj në jetën e juaj të mëvonshme intelektuale?
Sarë Gjergji:
Kam kaluar një fëmijëri përtej asaj çfarë rëndom kanë ofruar mjediset rurale të kohës përgjithësisht. Stublla ka pasur gjithmonë karakteristikat e saj të veçanta. Gjithmonë ka qenë e vizituar nga njerëz të vendeve, gjuhëve, racave e kulturave të ndryshme, por më mbresëlënëset kanë qenë vizitat e arbëreshëve dhe ditët që kalonin me ne në ambientet e  Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Po këta vizitorë, jo rrallë,  kanë qenë dhe mysafirë në familjen, shtëpinë tonë (e gjendur bri Muzeut). Të rritësh pranë Muzeut, rrënojave të Kolegjit të vitit 1584 dhe shkollës së fshatit ku kam ndjekur mësimet e para;  të rritësh pranë kishës, ambulancës e shtëpisë (karakteristike për nga ndërtimi e historia që ngërthen në vetë) të familjes atdhetare të mësuesit Engjëll Zefi, bashkëpunëtorë të Gjon Serreqit; të rritësh me historinë e tyre e të paraardhësve tanë të martirizuar për Atme e Fe, të deportuar në Turqi, do thotë të rritësh me histori vlerash. Në fakt, i tërë ambienti përreth meje, ishte e vazhdon të jetë një histori vlerash më vetë, për mua gjithë drama (biblike) e njerëzimit në miniaturë. Dhe nuk e teproj aspak kur shprehem kështu. Shembulli i torturimit, persekutimit e deportimit të dhunshëm të paraardhësve tanë në Azi nga pushtuesit otomanë, dhe, mbi të gjitha, kthimi i të mbijetuarve në atdhe, pra, mos heqja dorë nga identiteti dhe atdheu i tyre, a nuk na përkujton dramën biblike të popullit të zgjedhur, eksodin  dhe kthimin e tyre në tokën e premtuar?  Zanafilla e shkollës shqipe, e Kolegjit të Shën Llukës (1584), a nuk na dëfton se  Në fillim ishte FJALA? Ambulanca pranë kishës, përkujdesja që tregonte ajo për popullatën e rajonit, përmes punës dhe përkushtimit vetëmohues të motrave, murgeshave që shërbenin (e vazhdojnë të shërbejnë edhe sot), a nuk na përkujton shembullin e samaritanit të mirë?
E gjithë kjo ka ndikuar fuqishëm në rritën time, në formimin tim. Këtu s’do harruar pa falënderuar as gjyshen e urtë, Rinën dhe nënën Drande, e cila me mprehtësinë, rigorozitetin dhe dashurinë e pafund, shtronte aq shumë kërkesa dhe detyra para nesh: kërkonte më të mirën nga ne. Për ndikimin e atyre që Ju i zutë ngoje më lart, po them vetëm se janë një shkollë më vetë.
“Fatmirësisht, jam rritur në një familje ku është diskutuar e debatuar për librin.”
Marjan Sebaj Sopi: Stublla e Epërme ka kaluar nëpër katrahura të ndryshme historike, mirëpo asnjëherë nuk është dorëzuar para asnjë sfide jetësore! Ju si pasardhës i stubllasëve stoik, stubllasëve martir, po ashtu, kaluat rrugë të ndryshme që nga fëmijëria (kushte pa kushte) deri tek shkollimi e së shpejti edhe mbrojta e doktoratës që jeni duke përgatitur? Shkollimi i Juaj si vijoi, ku kryet shkollën dhe na përkujtoni ndonjë ngjarje jetësore fëmijërore apo edhe rinore që ka lënë mbresa në ju dhe që ende e kujtoni me ëndje?
Sarë Gjergji:
Fatmirësisht, jam rritur në një familje ku është diskutuar e debatuar për librin. Edhe shkollën, ku ndoqa e përfundova filloren, e kisha krejt afër shtëpisë. Ky ambient e kjo atmosferë më ndërgjegjësoi e më bëri më të përgjegjshëm. Gjimnazin (biologjinë) e kam kryer në shkollën “Boro e Ramizi” (sot “Kuvendi i Lezhës),  në Viti. Në fakt, vitin e parë, nxënësit nga Stublla e të disa fshatrave përreth, i kemi ndjekur  në Vërbovc (fshat serb; sot në Komunën e Kllokotit). Atëbotë na thuhej për mungesë hapësire në gjimnazin në Viti, por e vërteta qëndronte tek ngjarjet që pasuan në fillim të vitit 1981. E them se ishte një kohë e tendosur politikisht dhe aspak e lehtë. Studimet për letërsi i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ku kam ndjekur  edhe studimet pasuniversitare. Koha nuk ishte e lehtë për studime. Veç librit, ne kishim dhe një preokupim tjetër si studentë: të vazhdonim për të përmbyllur rrugën e 1981-it...
Tash jam në përfundim të doktoratës në Universitetin “Shën Kirili e Metodi” në Shkup.
Ngjarje mbresëlënëse? Ka shumë të tilla. Në vitin 1981 isha nxënës i vitit të parë në gjimnaz. Vëllai, Frana, të afërm të tjerë e shumë të rinj nga Stublla, ndërkaq, ndiqnin studimet në Prishtinë. Më kujtohet momenti, kur Frana erdhi në shtëpi e na rrëfeu për fillimin e demonstratave studentore. Axha, Dr. Gjergj Gjergji-Gashi, atëbotë na tha se deri te shkëputja e Kosovës nga Serbia, na duhen edhe 20 vite angazhim. Që atëherë nisa t’i numëroj vitet...
Ka dhe ngjarje e momente të tjera. Më këtë rast po ndaj me Ju dhe një moment tjetër, tejet prekës: pas hyrjes në grevë, në zgafelle,  të minatorëve të Trepçës (1989), në grevë hymë dhe ne studentët e asaj kohe. Salla sportive pranë Qendrës së Studentëve ishte e vogël për të pranuar gjithë grevistët. Para studentëve grevistë me një fjalë rasti u paraqita unë dhe disa studentë të tjerë, organizatorë të grevës. Minatorët, ndërkaq, i kishin dhënë pushtetit të asaj kohe një ultimatum për përmbushjen e kërkesave të tyre, në të kundërtën do shpërthenin zgafellen... Në sallë, në një heshtje mortore, të gjithë po prisnim lajmet e Radio Prishtinës. Ishte një heshtje mortore. Kur gazetari i radios kumtoi lajmin se Qeveria nuk kishte ndërmend të merrte parasysh kërkesat e minatorëve, ne sikur mbetem pa pikë gjaku në trup. Kurrë nuk do i harroj lotët në sytë e një shokut tim, Mark Noshit dhe jo vetëm. Sytë e mi nuk di se si dukeshin...
Për mua mbeten në kujtesë dhe plot momente emocionuese nga aksioni për pajtimin e gjaqeve. Madje, rrugëtimin tonë nga Prishtina për në Ferizaj (e kishim rastin e parë për pajtim), e bëmë me një makinë policie. Polici nga Zhegra (emrin e të cilit nuk kujtoj për momentin), sa i tregova se jam nga Stublla, më pyeti nëse i njihja  Dom Ndue Gjergjin, Dr. Gjergj Gjergjin, Dr. Lush Gjergjin, Prof. Isak Ahmetin, Prof. Engjëll Kengjin, Prof. Pashk Ballabanin e të tjerë, me të cilët kishte qenë shok shkolle në  Zhegër. Që të mos bëhej panik në popull (të mos mendohej se jemi të arrestuar, por dhe që të mos shiheshim nga ndonjë patrullë serbe e policisë), na tha të zbrisnim nga makina në hyrje të Ferizajt. Pra, policët shqiptarë ishin me ne...
Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji U1_Stublla 
Një pjesë e fshatit të lashtë; Stublla e Epërme (Foto’2016)
“Asnjëherë të thyer; gjithmonë me shpresë dhe bindje për të nesërmen e Kosovës.”
Marjan Sebaj Sopi: Kur jemi këtu tek studimet që siç cekët i filluat dhe mbaruat me sukses në Universitetin e Prishtinës. Juve nga ajo kohë keni filluar të merreni me shkrime,  fillimisht me poezi? Na thoni diç për jetën studentore dhe lëvizjet e atëhershme, si ishte jeta në studime? Çka shkruanit dhe cilat janë poezitë e tuaja që nga ajo kohë?
Sarë Gjergji:
Lëvizjet e atëhershme? Demonstrata, protesta, greva, debate, polemika (në shtyp); gaz lotsjellës, hetime, rrahje, torturime, burgosje... Asnjëherë të thyer; gjithmonë me shpresë dhe bindje për të nesërmen e Kosovës. Edhe në këtë luftë kishte policë përkrahës dhe frymëzues të aspiratave të studentëve, të popullit. Një i tillë ishte edhe Simon Simoni. E përmend me emër jo pse më kishte shpëtuar nga burgu (meqë ai ishte i ngarkuar për arrestimin tim), as pse është nga ana ime (nga Terziajt e Gjilanit), por për një fakt tjetër: isha në rrugë afër restorant “Rugova” (tek mensa e studentëve), ndërsa ai ndaloi makinën (e policisë) dhe sa më futi brenda, lëshoi një këngë për Adem Demaçin. Mesazhi ishte i qartë, fisnik, frymëzues, trimërues...
Tek më vonë e kam kuptuar se ai kishte qenë një mik i ngushtë i axhës tim, Dr. Gjergj Gjergjit, me të cilin e kishte lidhur angazhimi atdhetar.
Edhe arti, poezia,  shkrimet për  figurat e ndritshme kombëtare ishin në funksion të lirisë së Kosovës, sikundër dhe polemikat e shumta në shtypin e atëhershëm. Arti im ishte pasqyrim i realitetit, revoltë dhe protestë kundër pushtetit të kohës. Ndër poezitë e para që kam botuar në “Zëri i rinisë”, ka qenë poezia Hëna mbi varre, kushtuar Betejës së Kosovës (1389). Me të, po kundërshtoja tezën serbe për mitin e kësaj beteje, përpjekjet e tyre për shtrirjen dhe miratimin e vazhdueshëm të një fryme e dhune antishqiptare. Ngjarjet më pas treguan se poezia ime kishte të drejtë. Në fakt, libri im i parë “Golgotë” është një art kundër të keqes dhe bindja se ndërrimi i shekujve do ta gjente Kosovën të lirë.
Gjithçka bëhej për lirinë e Kosovës.
Marjan Sebaj Sopi: Meqë jemi tek krijimtaria e Juaj letrare saktësisht poezia, na thoni cilat tema i trajtoni në ‘’ zërin e ndërgjegjes’’ – në poezitë Tuaja? Apo thënë më qartë për opinion të gjerë, kujt i këndoni? Nga dhe si frymëzoheni për të bërë këso poezi të mira me plot porosi? Sa poezi apo përmbledhje poezish keni të botuar?Dhe a jeni shpërblyer për fjalët tuaja – poezitë, nga ndonjë institucion apo ndokush tjetër?
Sarë Gjergji:
Kam botuar shtatë vëllime me poezi. E thash, shkurt, mendimin tim për librin e parë. Janë tema nga më të ndryshmet që trajtohen në poezinë time, për të cilën kritika letrare, studiues të ndryshëm kanë dhënë mendimin e tyre.  Titujt e veprave pasqyrojnë dhe botën që vlon brenda librave të mi me poezi; është shpirti im aty, është zëri i ndërgjegjes, siç e thatë edhe Ju...
Edhe çmimet letrare për poezinë time nuk kanë munguar. Në vitin 1992 isha laureat i çmimit vjetor për krijimtari në Kosovë, për të pasuar me dhjetëra çmime (letrare) të mëvonshme e me shumë e shumë mirënjohje. Në vitin 2014, në Tiranë, libri im: Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905, u vlerësua me çmimin kombëtar Imazhi shqiptar në arsim.
Për më shumë, për veprat e mia, ia lëmë gjykatësit suprem, lexuesit.
Marjan Sebaj Sopi: Kur jemi tek poezia, unë dhe opinioni i gjerë jemi të  njohur me faktin se në Stubëll të Epërme kemi mjaftë studiues, shkrimtar, por na habit fakti për numrin e madh të poetëve, aq sa me një rast unë pata thënë; Stubëllasit janë sikur populli palestinezë meqë poezinë e kanë në buzë? Dukuri pakëz e çuditshme apo jo?Mos vallë në këtë ka ndikuar edhe Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë që ishte në Stubëll e ku në kohërat e hershme i  jepnin shumë rëndësi recitimit apo poezisë, lutjes përmendësh etj?
Sarë Gjergji:
Keni të drejtë. Stublla është një oazë  (e vogël, them unë) krijuesish e studiuesish. Mbase krenaria jonë prej shqiptarësh të pamposhtur, të pathyeshëm prej pushtuesve, kjo ndjenjë dhe ky shpirt i mirë, dashuria e pafund që kanë për vendin e tyre, gjithsesi që ka nxitur dhe artin e stubllasve, sikundër dhe studimet e tyre (shumë të rëndësishme) në fusha të ndryshme.
Pa asnjë dyshim është  dhe reflektim i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Këto rezultate, madje, i ka profetizuar edhe mësuesi, dom Mikel Tarabulluzi, që në fillim të shekullit XX, në një letër dërguar Konsullatës  së Austro-Hungarisë në Shkup. Letra është botuar në librin tim:  “Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905”.
Marjan Sebaj Sopi:  Më parë, tek folëm për krijimtarinë Tuaj, u përmend edhe monografia, libri “Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905”.  Ju lutem, çfarë mund të na thoni diç më tepër për monografinë në fjalë? Në cilat burime jeni mbështetur në lidhje me Kolegjin dhe Shkollën e Parë Shqipe?
Sarë Gjergji:
Në vitin 2014 kam botuar monografinë Stublla me shkollën e parë shqipe 1584-1905, me botues Lidhjen  e Shkrimtarëve të Kosovës.
E përsëris dhe një herë se kam pasur fatin e mirë të rritëm në një familje ku është biseduar për librin, për historinë shqiptare dhe jo vetëm, në këtë kontekst edhe për shkollën e historinë e arsimit shqip. Së këndejmi, kureshtja ime për shkollën e Stubllës, është shumë e hershme dhe krejt e natyrshme.  Unë vazhdoj të jetoj bri vendit ku ka qenë Kolegji i vitit 1584. Qytetarë të moshuar ende i mbajnë mend rrënojat e tij. Këta qytetarë nuk kanë pasur idenë se këto rrënoja janë dëshmia e gjenezës së shkollës e të arsimit shqip. Pra, ata nuk po shpifin; janë krejt të sinqertë në atë që thonë.  Dhe unë, e ritheksoj,  jam rritur me historinë e kësaj shkolle. Bisedat në shtëpi për historinë e shkollës ishin nxitja e parë që të merresha me këtë problematikë. Por, duhet ta them se unë as jam i pari e as i fundit që kam shkruar për historikun e shkollës shqipe në Stubëll, me fillesat e saja, siç thash, në vitin 1584. Janë një mori studiuesish që kanë shkruar për këtë çështje e që unë i kam trajtuar në librin tim. Siç dihet, historia e Stubllës, gjer më sot është kundruar nga anë e aspekte të ndryshme, nga studiues të huaj e vendës, si: H.Hecequard, Hahn, Jastrebov, G. Rosen, V. Haxhiq, U. Bogdanoviq Noel Malcolm, Ger Duijzings, Trovereyriot, Fougeray, J. Çermak, D. Bucciarrelli, M. Korade, M. Vanino, A.Urosevic, A. Nikiq, N. Zutic, R, Rajoviq, G. Gjini, E. Sedaj, Z. Mirdita, Gj. Gjergji, Dh. Shuteriqi, S. Brestovci, Sh. Osmani,  J. Rexhepagiqi, H. Koliqi, I. Shema, J. Drançolli, Sh. Sejdiu, R. Doçi, I. Ahmeti, N. Kasoruho, N. Deda, F. Gjergji, A. Ramaj e shumë, shumë studiues të tjerë. Janë dhe mijëra faqe dokumente arkivore, sidomos, Austro-Hungareze që flasin për shkollën e Stubllës. Pikënisje e studimeve për Kolegjin e 1584-ës merret raporti i Aleksandër Komulloviqit dhe i Tomaso Raggios, vizitues apostolikë të Vatikanit në trojet shqiptare dhe më gjerë në Ballkan. Në raportin e viti 1584, ata japin edhe arsyet se pse duhet hapur kolegjin  në territorin e famullisë së Malit të Zi të Shkupit, në kuadër të së cilës ishte edhe Stublla deri në vitin 1905, kur u bë famulli më vete me famullitar Dom Mikel Tarabulluzin, i cili, njëherësh, ishte dhe mësues shumë i përkushtuar, siç njoftojnë dokumente të shumta arkivore vjeneze. Gjatë vizitës në trojet tona, të dërguarit e papës Gregori XIII, bashkë me libra të tjerë, sollën me vete dhe një katekizëm në gjuhën shqipe, të botuar enkas me rastin e vizitës. Përse u desh ky libër, nëse jo për shkollën?! Studiuesi i njohur arbëresh, Prof. M. Mandala, në një emision dokumentar të Top Chanel Albania, të datës 31.01.2016, e pohon se libri në fjalë u dërgua edhe në Stubëll.
Do thënë se historia e kësaj shkolle, përmes të dhënave  nga autorë të ndryshëm dhe kompetent, mund të përcillet në mënyrë kronologjike që nga viti 1584 deri në ditët e sotme.
Marjan Sebaj Sopi: Përmendëm shkollën e parë shqipe, dhe monografinë që keni botuar për të. Me sa duket libri është pranuar tek lexuesi me mjaft kureshtje.
Juve në një bisedë më thatë se keni hasur në dokumente të ndryshme arkivore që flasin për jetën në fshatin Tuaj. Më bëri shumë përshtypje dhe pohimi i Juaj që lidhet me punën e Dom Mikelit, i cili nuk largohej nga famullia e shkolla, që të mos humbiste asnjë ditë mësimi. ?ka  mund të na thoni në këtë drejtim?
Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji U1_Gjergji-StubllaSarë Gjergji:
Dokumente të shumta arkivore flasin për zhvillime të ndryshme jo vetëm në Stubëll e rrethinë, por dhe  më gjerë. Një punë të mirë në këtë drejtim ka bërë së fundmi Albert Ramaj, me monografinë kushtuar Dom Zef Ramaj, pagëzorit të Nënë Terezës e mësuesit të përkushtuar në Shkup. Shpresojmë që do vazhdohet në të ardhmen me publikimin e dokumenteve të ndryshme arkivore, të cilat do zbardhin shumëçka nga e kaluara jonë.
Sa i përket Dom Mikelit, ju them, gjithnjë bazuar në raportet e Konsullatës së Austro –Hungarisë në Shkup, se  ai (Dom Mikeli), përshkruhet si një mësues model, një mësues shembullor për t’u admiruar. Ai, në një letër që i dërgon Konsullatës Austro-Hungareze në Shkup, i kërkon mundësinë për një vizitë në shtetet e Perandorisë me qëllim të grumbullimit të ndihmave për shkollë dhe kishë. Në letër e thekson qartë se mundësinë për vizitë (pune) e ka vetëm në kohën e pushimit të shkollës (jep datën, periudhën e pushimit), ndryshe nuk e bën dot ngase nuk dëshiron ta humbasë as edhe një orë të vetme mësimi. Për përkushtimin në punë, për seriozitetin që kishte, Dom Mikelit  i plotësohej çdo kërkesë.
Figura e Dom Mikelit do një trajtim dhe studim të veçantë. Mbase një ditë do bëhet dhe një monografi për të.
Marjan Sebaj Sopi: Sarë Gjergji, kur dikush del me një tezë të tillë, si ju për Kolegjin e vitit 1584, gjithmonë ka dhe dyshime. Shembull: si u bë që kolegji të hapej në ato kohëra, në një vend malorë-kodrinor, larg qendrave të tjera të Kosovës? Kush ishin ideatorët e kolegjit? Ka dhe kundërshtarë të kësaj teze. Ju pretendoni të kundërtën, pra, pohoni funksionimin e kolegjit. Mund të na thoni, hë për hë, çfarë mësohej e cilat libra shfrytëzoheshin? Cili ishte fati i kolegjit ndër shekuj? Po Shkolla e Parë (legale) Shqipe, e viti 1905?
Sarë Gjergji:
Ju shtruat çështje me interes për opinionin. Edhe dyshimet nëse ka funksionuar ose jo Kolegji, i konsideroj krejt të natyrshme. Ideatorët për hapjen e Kolegjit vijnë nga Vatikani: janë Aleksandër Komulloviqi dhe Tomaso Raggio ideatorët dhe themeluesit e Kolegjit. Ata, me dekretin e papa Gregorit XIII, kishin të drejtë të plotë që na varësi të situatës në terren (gjatë vizitës që i bënë Shqipërisë e Ballkanit), të merrnin vendime të çfarëdo natyre qofshin. Se pse u zgjosh Stublla, një vend malorë-kodrinor dhe larg qendrave të tjera të Kosovës, siç thoni Ju, e shpjegon vetë Raporti i të dërguarve të papa Gregorit XIII. Komulloviqi e Raggio thonë: “këtu ende nuk banojnë as vijnë turqit. Vendi është në qendër të krahinës dhe këtu mund të mësojnë edhe të krishterë të tjerë nga Serbia.”  Kur thuhet Serbia,  këtu mendohet në kufijtë administrativ të kishës. Siç dihet një famulli ose Ipeshkvi mund të shtrihet jashtë kufijve të saj kadastral e shtetëror. Shembull: Ipeshkvia Shkup-Prizren, ose: fshati Dunav ( në Komunën e Gjilani) është filial i Stubllës (Komuna e Vitisë). Tjetër: jo vetëm Mali i Zi (Karadaku;  Lugina e Preshevës...), por edhe Krushevci ishte vendbanim shqiptar (shqiptarët përbënin mbi 90 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe kishin kishat e tyre të moçme, thotë raporti). Stublla, lidhet me Kumanovën me rrugën  Udha e Kumnovës”, siç njihet, edhe sot, në popull. Rruga fillon mu nga Kolegji. Stublla, përmes Zhegrës, lidhet dhe me Luginën e Preshevës, por dhe ishte krejt afër  Shkupit, si seli Ipeshkvore (ndërmjet kanë bjeshkën, krejt të kalueshme..). Për krahasim: le të hedhim një sy nëpër Evropë dhe ne do shohim me qindra e qindra manastire maje malesh dhe larg qendrave urbane... Se çfarë mësohej në Kolegjin e viti 1584, sqaron Shuteriqi: mësohej filozofia e studioheshin klasikët. Cilat libra? “Bashkë me libra të tjerë, ata (Komulloviqi dhe Raggio) sollën me vete (në Shqipëri) dhe një katekizëm në gjuhën shqipe, të botuar në 500 kopje...”, njofton studiuesi kroat M. Vanino, duke u bazuar në raportin e vizitorëve apostolikë.
Fati i kolegjit? Sigurisht që kishte fatin e popullit. Rrënojat e atij kolegji arritën deri në ditët tona. Edhe (mikro)toponimia, edhe kujtesa e popullit flasin në favor të ekzistencës së kolegjit...
Për shkollën e vitit 1905 (të njohur ndërkombëtarisht), janë mijëra faqe dokumentesh arkivore. Ato flasin për punën e mësuesit (Dom Mikel Tarabulluzit), për nxënësit, për lëndët mësimore, për librat që u përdorën, për mjetet financiare, për objektin e shkollës etj.etj. Një numër sosh edhe janë publikuar.
Rrugëtimi i shkollës shqipe në Stubëll, që nga viti 1584 deri më 1905 e këndej është evident. Jo rastësisht sot kemi Muzeun e Shkollës së parë Shqipe në Kosovë, pikërisht në Stubëll. Jo pa arsye, shkolla dhe martirët janë krenaria dhe dashuria e qytetarëve të Stubllës, kudo qofshin ata.
 
Marjan Sebaj Sopi: Jeni mjaft bindës në atë se çfarë thoni për shkollën, por ka dhe zëra, kohëve të fundit,  që thonë se shkolla e parë shqipe ishte në Pozheran. Cili është mendimi Juaj për këtë?
Sarë Gjergji:
Shkolla e parë shqipe në Kosovë, ajo e Pozheranit? Jo. Assesi. Madje asnjë studiues serioz nuk e pohon një gjë të tillë. Është shumë jo serioze  të pohohet diçka e tillë. Faktet flasin krejt ndryshe...
“Stublla ka pasur në vazhdimësi një rini të shëndoshë dhe dashamirëse të shkollës e të kulturës.”
Marjan Sebaj Sopi: Pasi ju kemi bashkëbisedues të hapur, neve do shfrytëzojmë rastin  t’ju pyesim edhe rreth temave shoqërore, pasi e dimë se juve keni qenë dhe jeni mjaft aktiv në jetën publike; në atë politike dhe shoqërore përgjithësisht. Na intereson në veçanti mendimi Juaj për rininë, si brengë e të gjithëve.
Stublla si vend i lashtë, me një rini aktive, vitale, por që tani e një kohë të gjatë  has në probleme të dukshme me braktisjen e fshatit-vendlindjes? Ka rini të shkolluar? Por, aq më shumë na brengosë fakti se kjo rini gjithnjë e më tepër braktisë vendlindjen? Ku qëndron problemi dhe cili është mendimi i Juaj rreth kësaj dukurie? Keni ndonjë mendim apo projekt për zgjidhjen e këtij problemi që ka goditë jo vetëm Stubllën, por edhe fshatrat përreth si Letnicë, Vërnakollë, Beguncë, Smirë, Binçë, Kabash...Si të sillemi, preventivat?
Sarë Gjergji:
Stublla ka pasur në vazhdimësi një rini të shëndoshë dhe dashamirëse të shkollës e të kulturës. Dikur, Stublla ishte ndër fshatrat e rralla të Komunës së Vitisë dhe jo vetëm që kishte një shoqëri kulturore artistike shumë aktive, një ansambël me të gjitha seksionet e artit, duke përfshirë edhe seksionin dramatik, ani pse  kushtet nuk ishin aspak të favorshme. Rinia e Stubllës kishte dhe fondin e vet që ndihmonte njerëzit në nevojë...
Paslufta, njeh një tjetër histori për rininë tonë. Mungesa e perspektivës, që vjen si pasojë e politikave të papërgjegjshme dhe diskriminuese të institucioneve shtetërore (në të dyja nivelet), ka ndikuar që rinia jonë ta kërkojë vetveten jashtë atdheut (të ëndrrave) të tyre. Mbase, askush më mirë se të rinjtë e Stubllës nuk e njohin dorën e pushtetit. Të rinj nga Stublla japin mësim në shkolla të ndryshme në Perëndim (edhe në nivelin universitar), por assesi edhe në ndonjë shkollë të Komunës së Vitisë, madje as në shkollën e vendlindjes së tyre, pra, as në Stubëll. Për punësim në institucione të tjera të mos flasim. Edhe bagëtia e stubllasve në kullosa, pranë dyerve të shtëpive të tyre, pengohet e nuk lejohet nga njerëz, që në opinion, mbahen të fortë e të pushtetshëm. Deri kur kjo?  Pra, të rinjtë nga Stublla dhe jo vetëm, janë të detyruar të emigrojnë; të detyruar nga klima e keqe që mbjell pushteti në opinionin e gjerë. Pushtetarët janë përgjegjës edhe për ikjen e të rinjve në ISIS...
Me institucione të përgjegjshme, që bëhen duke pasur brenda vetes njerëz të dijshëm, profesionistë të mirë, largpamës e vizionarë, dhe jo me të tillë që shtiren engjëj në sy të publikut e që ta ngulin thikën pas shpine, mund të lëvizim përpara. Rinia jonë është përplot pozitivitet, përplot energji, përplot ide e kreativitet, mjaft e përgjegjshme dhe e gatshme të marrë përsipër çfarëdo detyre. A nuk tregohen të suksesshëm e të mrekullueshëm në diasporë? Pushtetarët tanë, që janë të gjithëdijshëm (ashtu mendojnë ata, prandaj i kanë uzurpuar të gjitha hapësirat e mundshme), po ngufasin rininë tonë. Situata do ndryshojë, kur pushtetarët tanë të pushtetshëm (pra, injorantë), t’ia lirojnë rrugën rinisë tonë! Por, pushtetarët, a janë të gatshëm për një gjë të tillë?!
 
 
Marjan Sebaj Sopi: Kur është fjala tek jeta e juaj aktive në të mirë dhe dobi të shoqërisë – Kombit, mos të harrojmë e të cekim se juve ishit aktiv gjithnjë në ngjarje të mëdha, lëvizje të ndryshme, po edhe për aktivitetin Tuaj në aksionin e pajtimit të gjaqeve; për aktivitetin, angazhimin, qëndrimin dhe diskutimet Tuaja në demonstratat dhe protestat e studentëve (1989); për shkrimet polemike me qarqe të caktuara serbe për problemin e kauzës kombëtare në Kosovë (sidomos në kohën studentore, para vitit 1990); për angazhimin  Tuaj rreth çështjes së Kosovës në Graz (1997-1999) etj. Çka mund të na thoni lidhje me gjitha këto? Prej  nga gjithë ai vullnet, forcë e fuqi, për të vepruar?
Sarë Gjergji:
Ishte koha kur duhej e kërkohej angazhimi i të gjithëve. Për nga natyra dhe formimi jam  njeri që nuk bëj leqe, siç thotë populli,  por që marr përgjegjësi për detyra e veprime të caktuara. Proceset nëpër të cilat kemi kaluar si shoqëri kanë kërkuar dhe angazhimet tona, dhe unë jam munduar gjithherë për të qenë në nivelin e duhur e për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetvetja. E kam bërë me shumë dashuri, i vetëdijshëm për obligimet që kemi kundrejt atdheut.
Edhe angazhimi në Graz, i të gjithë stubllasve, ka qenë i një rëndësie jo të vogël. Opinioni i gjerë (është fjala për periudhën e luftës), që të mos themi se ishte pro serb, le të themi se nuk ishte miqësor me shqiptarët. Lufta shihej me një sy edhe si luftë fetare. Stubllasit, qenë të detyruar të reagonin në ORF (RTV-në austriake) kundër cilësimit të luftës në Kosovë si një luftë fetare. Ne dhamë emrat tanë, adresat tona dhe numrat e telefonit për të dëshmuar se jemi shqiptarë të besimit katolik dhe se lufta në Kosovë ishte luftë për çlirim kombëtar nga dhuna millosheviqiane. Po ashtu, njëkohësisht, i bëmë kërkesë Nuncit Apostolik në Austri (Ambasadorit të Papës, të Vatikanit), që në të gjitha kishat e Austrisë të kremtohej meshë për liri e paqe në Kosovë dhe për shpirtrat  e të gjithë atyre që vazhdimisht humbnin e jepnin jetën në luftën për çlirimin e Kosovës. Mesha kryesore u kremtua në Katedralen e Graz-it, e cila u përcoll drejtpërdrejt edhe nga ORF-i.
Pas kësaj gjërat ndryshuan shumë. Bashkë me austriakë, organizuam tryeza e debate të shumta për Kosovën. Do mbetesha borxh po mos të përmendja me këtë rast aktivitetin dhe kontributin  e Albert Ramës, Zef Ahmetit, Nikollë Ukaj-t, Pjetër Gjonit, Isak Gjonit, Gjergj Perës, Vilson Markut dhe të shumë stubllasve të tjerë, por dhe miqve tanë të shumtë austriakë dhe spanjoll, madje. Një gazetar gjerman dhe një spanjoll (të dy doktorë shkencash), në kohë lufte, erdhën në Stubëll  e gjetiu nëpër Kosovë. Opinionet e tyre në debate e në mediat austriake për gjendjen në Kosovë, patën një efekt jo të vogël në opinionin austriak.
Stubllasit, patën dhe organin (revistën) e vet në Graz, “Lajmëtari-n”. Gjithë kjo për lirinë e Kosovës...
Stubllasit kurdoherë vepruan dhe kontribuuan, në forma të ndryshme, nëpër të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe qenia jonë kombëtare. Ata kurrë nuk u lavdëruan me angazhimin e tyre dhe kurrë nuk pritën duartrokitje a privilegje. Punuan pse duhej punuar dhe jo për mburrje e përfitime...
Por, kjo nuk është e tëra nga aktiviteti i stubllasve në Graz.
Marjan Sebaj Sopi: Sarë Gjergji, nuk mund e të mos e cekim këtu edhe angazhimin e pashoqë të të madhit shkencëtar e gjurmues të lashtësisë sonë e në veçanti të periudhës së martirizimit të popullatës së këtyre anëve, apo më mirë thënë; “Martirët e Karadakut të viteve 1846 – 48”, axhën Tuaj Dr. don Gjergj Gjergji – Gashi. Sa jeni të lidhur me axhën Tuaj, apo thënë karadakqe, mixhën Tuaj? Sa vepra ka ai dhe të cilit zhanër? Kohën e fundit çka punon e ku na gjendet ai?
Sarë Gjergji:
Ai është i jashtëzakonshëm. I pa kompromis në parime dhe në shkencë. Njeri që ka gjurmuar arkivat botërore. Të përmendnim vetëm arkivat e gjurmuara e literaturën shkencore që ka shfrytëzuar ai, do na duhej kohë e do fitonim shumë vëllime bibliografike. Është një historian i pakontestueshëm; një akademi më vete. Jo vetëm martirizimi i popullatës së Malit të Zi të Shkupit është në fokusin e tij. Vatikani dhe Arbëria, sikundër dhe Kosova altari i Arbërisë (në tre vëllime), është një punë dhe kontribut i jashtëzakonshëm për historiografinë shqiptare. E ndërkaq, kjo, është vetëm një pjesë e vogël e punës së Tij. Ai ka me dhjetëra vepra në dorëshkrim e që presin një ditë më të mirë për botim.
Edhe krahasimi me bletën punëtore është i pamjaftueshëm me veprën thellësisht shkencore të Dr. Gjergj Gjergjin-Gashi.
Për dallim nga dje, sot Dr. Gjergji, nuk ndiqet nga policia...
Në fakt, jam i padenjë që të flas për personalitetin e Dr. Gjergj Gjergjit.
Marjan Sebaj Sopi: I nderuari z. Sarë Gjergji jemi kah shkojmë drejt përfundimit të shoqërimit tonë kësaj radhe, ju lutëm disa mendime, apo fjalë: Rreth tranzicionit të shoqërisë sonë në Kosovë dhe përgjithësi shoqërisë Shqiptare. A mos jemi vonuar pakë për të zënë hapat drejt Bashkimit Evropian dhe sa ka humbë Kosova (nëse ka humbë) imazhin para botës me lëvizjet e fundit të pamenduara (apo menduar mirë nga disa qarqe) nga disa të rinj (apo edhe vet institucione, nuk po paragjykojmë) cilët morën rrugën e gabuar duke shkuar vullnetar në luftëra të huaja e që nuk kanë asgjë të bëjnë me ne? A është e dëmshme kjo për ne, dhe çka kishit porositë rininë tonë? Cila është porosia e Juaj për rininë shqiptare, dhe në përgjithësi për popullin tonë të stërvuajtur?
Sarë Gjergji:
Ne jemi vonuar gjithmonë dhe gjithmonë kemi shkuar kundër rrjedhave e proceseve integruese evropiane.  Pasojat e sundimit otoman, deshëm ose jo,  janë të pranishme në jetën tonë. Anadollizmi otoman (që nënkupton jo sinqeritetin, dinakërinë, mashtrimin, servilizmin, agallëkun...) i ka lëshuar rrënjët thellë në qenien shqiptare. Prandaj, jo pak, para se shqiptar, deklarohemi mbi bazën fetare, të cilën, edhe ashtu, nuk e njohim fare. Ne kemi harruar se jemi në themele të qytetërimit evropian, prandaj nuk e duam Shën Jeronimin, Shën Niketë Dardanin, Konstantinin e Madh, Skënderbeun, Nënë Terezën...
Vetëm sjellja jonë dhe mentaliteti ynë prej evropiani mund ta përparojë dhe integrojë kombin tonë. Nga ana tjetër, identifikimi ynë me grupe radikale (të çfarëdo natyre qofshin ato), jo vetëm që janë tregues të refuzimit tonë me frymën evropiane (nënkupto: shqiptare), por lënë shteg për t’u cilësuar si armiqësore e të rrezikshme për Evropën. Rinia jonë duhet të ecën drejt Perëndimit, sepse vetëm atje nuk do perëndojnë kurrë dhe gjithmonë do jenë vetvetja.
Marjan Sebaj Sopi: Ku gjendët poeti ynë e studiuesi i palodhshëm  Sarë Gjergji sot? Çka punon? Aspiratat për të ardhmen, planet?
Sarë Gjergji:
Njeriu që po intervistoni, siç tha më herët, është në prag të përfundimit të doktoratës. Ka disa vepra në dorëshkrim, të cilat pret t’i botojë. Është i papunë (u largua nga puna), për shkaqe politike... Mbase do ndërrojë ky mentalitet e do punësohet sërish në arsim.
Marjan Sebaj Sopi: I nderuari Sarë Gjergji, për fund mund të them unë duke përdorur prapë këtë intervistë të mrekullueshme që bëmë dhe filluam me fjalët e gazetarit të rajonipres-it dhe me fjalë të tij dëshiroj të mbylli këtë bashkëbisedim, pra: “Ky është Sarë Gjergji, krijues i palodhur, i cili mbetët modest jo vetëm në të folur, por edhe në shumë “sende” tjera që i ka bërë gjer më sot. Si krijues dhe si studiues, ai është i përfshirë në shumë vepra të studiuesve tanë, të cilët e kanë për nderë ta kenë referencë në librat e tyre studimorë. Së shpejti, vepra jetësore e Sarë Gjergji do të kurorëzohet me shpërblimin e titullit doktor i shkencave të  letërsisë.”
Sarë Gjergji ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë, prandaj në emër tim dhe të gjithë lexuesve JU FALEMNDERIT, duke ju uruar shëndet e punë të mbarë dhe të suksesshme si gjer më tani. Urime për punën madhore që jeni duke bërë.
Sarë Gjergji:
Kënaqësia qe imja. Ju falënderoj shumë dhe ju uroj për suksese të reja!
Marjan Sebaj – Sopi: Ju faleminderit shumë!
Intervistoi: Marjan Sebaj SOPI
Mars’2016
Marjan Sebaj Sopi: Intervistë ekskluzive me studiuesin e shkrimtarin Sarë Gjergji U1_Gjergji-Sopi
Bisedë interesante dhe shumë e këndshme me  Sarë Gjergjin, Letnicë’ 2015

Lek

Numri i postimeve : 142
Registration date : 17/12/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi