Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Estrada e mbetur në qiell

Shko poshtë

Estrada e mbetur në qiell Empty Estrada e mbetur në qiell

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 27, 2009 12:06 am

Estrada e mbetur në qiell

Shaip Beqiri
Klepsidra e re

Nga gjithë vorbujt që kishin kapluar për afër gjysmë shekulli botën shqiptare, vorbulli i akulturimit ishte më kërcënues se të gjithë të tjerët së bashku. Shtrirja e tij e qetë, e ngadalshme dhe e tërësishme po rrokte tërë thelbin e jetës kombëtare duke e shkallmuar atë së brendshmi. Në njërën anë, pjesa kinse e lirë e shqiptarëve në Shqipëri, këtë goditje e merrte me doza të mëdha shkatërrimtare të ideologjizuara me të ashtuquajturin realizëm socialist të vënë në shërbim të egër të diktaturës komuniste; kurse pjesa tjetër e shqiptarëve, e mbikëqyrur rreptësisht nga shërbëtorët zyrtarë të pushtuesit, akulturimin po e merrte edhe me më shumë goditje përnjëherë në shumë pika. Në një situatë të tillë jetësore dhe në një klimë kaq të rëndë krijuese, heroizmi më i madh shqiptar ishte krijimi i një vepre me vlera të njëmendta letrare, artistike, shkencore. Ato vlera nuk mund të krijoheshin aq lehtë e aq shpesh, siç mendojnë ndonjëherë mendjelehtësisht disa kronikë që merren me këtë punë. Rrënjët e akulturimit janë të thella në krijimtarinë shqiptare, kurse degnaja e tij tashmë ka zënë çdo udhë ngado që të sillesh!
Në kohën kur regjimi i egër serb po i bënte goditjet në institucionet që tubonin dhe ku krijoheshin këto vlera, duke filluar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e cila një kohë të gjatë e mbajti lart flamurin e mbrojtjes së identitetit të vërtetë të tyre, për të vazhduar pastaj me radhë tek Rilindja, Universiteti I Prishtinës, Instituti Albanologjik, Akademia e Shkencave dhe Arteve etj. krejt papritur zuri të shpërthente me vrull krijimi i vlerave dhe sidomos i antivlerave ndër “institucione” alternative, të cilat herat më të shpeshta tepër shpejt shndërroheshin në fabrika rentabile të prodhimit të jovlerave të shkallës më të lartë. Ato bëheshin të kamufluara nën maskën e pluralizmit, duke u fshehur kinse pas një liberalizi e lirie të plotë krijuese, ku nuk kishte censurë e as kurrfarë ndalese tjetër! Keqpërdorimi manipulues në këtë pikë ishte një goditje rrënimtare për vlertat e vërteta kulturore e artistike. Vërshimi i pandalshëm i një bërlloku të tillë të neveritshëm u bë në të gjitha fushat e krijimtarisë pothuaj përnjëherë: muzikë, letërsi, pikturë, teatër, film etj. etj. E keqja më e madhe e tërë kësaj rrokoputje është përhapja e tij e shpejtë dhe mbirja çdokund si e hithit. Me këtë shpejtësi të rrufeshme rrjedhat e nëndheshme të këtij uji të zi dolën vrulltas në tërë mërgatën shqiptare, duke u përzier “vëllazërisht” në një folklorizëm të pashtershëm për ta pushtuar atë duke e mbërthyer të tërin si mos më keq.
Tash muzika, poezia, vallja dhe format e tjera krijuese më së paku mbetën art, për të mos thënë s`mbetën fare, sepse ato i jepnin zë një triumfalizmi të përgjithshëm kinse atdhetar, duke u kthyer në pikën e vet të mbramë që ishte përfitimi i egër në mënyrën më të lehtë të provuar ndonjëherë. Këta “punëtorë të palodhshëm arti”, përkohësisht të mbetur në linjat ajrore të bredhjes së tyre nëpër Europë, për të shpërndarë kudo rrezatimin vrastar të një kulture që po e këputnin tek rrënjët e saj, këtë veprim nuk e kanë ndalur kurrë, poende as në ditët më të vështira të luftës në Kosovë. Akulturimi ndër ne ishte planifikuar përpiktas shumë heret, por këta artistë e këngëtarë bredhacakë bënë përhapjen e jovlerave me një zell të rrallë për të mos mbetur pëllëmbë e mërgatës jashta përkushtimit të tyre antikrijues. Kontributi i tyre nuk ka të bëjë fort me vetë akulturimin, se edhe për një gjë të tillë nevojitet njëfarë aftësie, por tek shpërndarja e tij cep më cep mërgatës shqiptare atyre s`mund t`u dale përpara askush.
Kjo nuk është gjysma e të keqes, e ajo e plotë s`mund të thuhet kurrë! Këta këngëtarë e artistë bredhacakë sot e gjithë ditën mbizotërojnë tërë hapësirën kulturore-artistike shqiptare kudo, sidomos ndër diskotekat e panumërta ku është e përqendruar mërgata shqiptare; ata i japin ngjyrimin themelor aktualitetit të sotëm kulturor-artistik në emër të vlerave që përcaktojnë në mënyrën më të thellë identitetin e një kombi! Kulmi i cinizmit është që me ta akulturimit ndër ne, me dashje ose pa dashje, po i jepet vula institucionale, që nga instancat më të larta shtetërore deri te televizionet kombëtare shqiptare dhe gazetat e revistat më të parëndësishme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi